2015/02/01

Ai sërish ngritët dhe nis këngën e moçme

Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor... shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës. Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij... Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare. (www.sa-kra.ch)



       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




TAHIR DESKU
(1957 -2005)




          
             Hyrje
  
            Tahir Desku u lind më 1957 në Siqevë të Klinës.
            Filloren e kreu në Ujmirë, të mesmen në Klinë, kurse studimet për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë rinisë së hershme ka ëndërruar të bëhet aktor, mbasi kishte luajtur në disa pjesë teatrore. Por ai bëhet poet. Kur ishte student, punoi katër vite gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”. Pastaj punon gazetar në TVP gjatë viteve ’80, ku disa herë e largojnë nga puna. Kur e largojnë përfundimisht nga puna, ia mësyn eksodit, në SHBA dhe atje qëndron tetë vite. Atje kontribuon në lëvizjen kombëtare e politike të diasporës shqiptaro-amerikane. Kthehet në Prishtinë pak vite para luftës dhe nis e boton revistën kulturore, shkencore e letrare me titullin “Tribuna”. Pastaj kyçet në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke raportuar gjatë viteve 1998-1999, deri në çlirim.
            Pas luftës zgjidhet kryetari i parë në liri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ndërkaq, më tre dhjetor të vitit 2005 ai vdes tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni. Vdekja e gjet duke e kryer detyrën e redaktorit të kulturës në Radio Kosova.
            Për të gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2001), nga Fadil Bajraj, me titullin “Love and spring”. kurse mbas vdekjes, më 2006, nga LKSH-ja, iu botua libri poetik “Në cilin gjet e kam vdekjen”.
            Tahir Desku është lauruar me rastin e 15-vjetorit të revistës së studentëve “Bota e re” me çmimin “Gazetari më i mirë i vitit”. Ndërsa me rastin e 30-vjetorit të kësaj gazete studentore, më 1998, kur ai gjendej në vijat e frontit, merr çmimin “Gazetari më i mirë në 30 vjetët e fundit”. Ai u laurua me të gjitha çmimet letrare të Kosovës, si në manifestimet Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet e Gjeçovit, ndërsa në vitin 2000 shpërblehet nga LKSH për librin më të mirë të botuar brenda vitit në Kosovë. Ndërsa për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ai merr dekoratën “Urdhri i Adem Jasharit”.



BALADË


(Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998)

Kush është ai që zbret nga mali
Është Mujo Komandanti
Është ai, Muja vetë, me njëqind e dyzet
Nga po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah vjen ai shkrin bora
Vjen në borë vjen në shi
Nga Shqipëria në Shqipëri

As hëna nuk kishte dalë
Rrëzë bjeshke atë natë
Vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri që ndante atdheun në dysh
Atdheun e moçëm nën qiellin gri
Dhe pjesën tjetër nën shi...nën shi...

E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai vështron fushat e paskajë të Kosovës
E mendon për zogjtë:
Nuk ka vend më t’bukur fluturimi
Kur flet me lumenjtë thotë:
Është vend i papushtuar
Kur numëron plagët shton:
Vetëm vdekja ia shton bukurinë Lirisë!

Pastaj zbardh dita e plogësht
Dhe ëndërr e keqe numëron 36 herë
Dhembja shtron gjakun për dhe
Vashat shamizeza ulur nën një breg
Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku në një shteg...diku në një rimë

Ai sërish ngritët dhe nis këngën e moçme
Që këndohej në anët tona:
Nuk po mundëm or shokë me fol
Se m’ka ra do gjak në gojë...


 
ME TË RËNËT

Sa do të kisha dashur
Të jem me ju sonte,
Me ju të mirët,me ju të mëdhenjtë
Të flisnim bashkë
Ç`ëndërr ish liria

Asgjë s`mbetet tjetër
Veç neve kënga
E juve lavdia

Netëve të zymta
Shpesh e ndal mendimin,pyes
Ku e ka burimin
Gjithë ky zjarr ky mall
Kjo dashuri
Në cilën këngë zogu
Në cilën pupël shpendi
Në cilën valë deti
Ky frymëzim

Gjithnjë më bëhet
Sikur s`jam ndër të gjallët

Edhe për të vdekur
Nuk ka më kuptim
  

MËRGIMTARËT

Kur i barti harrimi me vete
Fyellin e vendlindjes e fshehën diku

Mes shtresave të zemrës
Dashuria mbyllet në pikë gjaku

Më e bardhë se pëllumbat
Mbi lumin e ballit tim

Letrat kanë ngjyrën e tokës
Mallin shtegtarëve ua Falin

Takohemi një ditë para vdekjes
Botë e vogël, puqemi në një pikë

Do të lindet një ditë
E pathëna mes vetmisë

Larg deteve , tej qiellit të hapur
Takohemi një ditë para jetës

2

Këndej festat s’janë si dikur
Mund të digjen kujtimet

Gjithçka ka erën e bukës si gjaku
Kur etshëm vlon në damar

Në zemër zemra vdes thonë

Me shpirt hiqni mallin
Kur mbi kokë bie tjetër gur

 

Huazuar nga ORA SHQIPTARE

No comments:

Post a Comment

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...