(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
ALI PREBREZA
Hyrje
Dr. Ali M. Prebreza u lind më 15.II.1963 në Bardh të Madh, Fushë-Kosovë. Rrjedh nga një familje atdhedashëse dhe arsimdashëse. Të gjithë vëllezërit ishin të kyçur aktivisht në ilegale ndërsa babai i tyre është “fajtori” kryesor pse të gjithë djemët e tij (katër ) e kryen fakultetin e deri në doktor shkencash anipse ai ishte gjysmanalfabet. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen dhe fakultetin e mjekësisë drejtimi i stomatologjisë në Prishtinë, studimet postdiplomike në lëmin e kirurgjisë orale poashtu në Prishtinë. Para lufte punoi si arsimtar i kimisë-biologjisë në shkollën fillore të Bardhit. Luftëtar aktiv i ilegales dhe luftës së hapur kundër okupatorit serb nga ditët e para të daljës në dritë të UҪK-së.
Pas lufte nga dhjetori i vitit 1999 u emrua drejtor i shtëpisë së shëndetit në themelim, nga viti 2001 punoi në KK Fush-Kosovë si zëvendësdrejtor e më vonë nga 2003 deri në shtator të 2011 ishte drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “dr. Fatmir Krasniqi” Fushë-Kosovë, tani kryen detyrën e udhëheqësit të shërbimit stomatologjik në QKMF si kirurg oral.
Anëtar, kryetar dhe redaktor i grupit letrar “Shkëndiat e Arta”, Bardh i Madh. Tani është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, Fushë-Kosovë.
Vargjet dhe tregimet e Ali Prebrezës janë botuar nëpër shumë gazeta dhe revista.
Me shkrime është marrë që nga klasa e gjashtë. Ka pasur fatin e keq që krejt krijimtaria e paraluftës i është djegur. Pas lufte ka botuar dy vepra: një përmbledhje me poezi për të rinj dhe të rritur dhe një tufë me pjesë skenike për fëmijë. Po ashtu në bashkautorësi ka të botuar edhe një libër me poezi të bashkatdhetarëve. Ka gati për botim edhe 11 vepra të tjera me poezi për fëmijë dhe të rritur.
Jeton me familje në Bardh të Madh.
MOS U MUNDONI
( Adem Jasharit)
Mos u mundoni
T’ia nxirrni rrënjët
Se ai rrënjë ka tokën
Mos u mundoni
Ta ndani nga dielli
Se ai diell i diellit është
Mos u mundoni
Ta lini vetëm
Se ai në çdo zemër ka emër
Mos u mundoni
T’ia ndalni këngën
Skënderbeu ia la amanet
Mos u mundoni
T’ia vidhni dashurinë
Se ai bukuri përrallore ka
Lërini mundimet
Lërini
Se ai i pavdekshëm është
RREZE DRITE
( nënës sime )
Sa të ka hije
Të rrisësh jetën të nde
Djepin plotë diell
Të buzëqeshin
Sytë dhe zemra
Rrita jote
E pushton në gji
Aty mbinë lulja
Engjëj plotë në lule
S’të nxinë shekujt fytyrën
As kohërat e çmendura
Mbete vetëm njeri
MIKES
Kur të kthehesh një ditë
Me breshëri fjalësh memece
E ballin tre pash mbi hundë
Duke grimcuar mendjen
Si fletën e ahut minjtë
Të drurit të rrëzuar nga malli
Hapi dritaret dhe shkallët numëroj
Athua qiler të nusërisë tani në qiell
Ruajnë samarin që i vumë kohës në shpinë
Apo drita e diellit verboi lulet
Dhe bebëzën tënde me brymë
Dhe ta dish se si fëmijë
I pa lindur shekujve fanar
Kam për të mbetur përulur
Si kështjellë e pa thyeshme në përrallë
Kur të kthehesh atë ditë
Kanë për të lindur gurët në zall
E kënga do të mi marri thinjat
Dhe zemrën time si të isha beqar
LAGJES SIME
Në lagjen time
Ka njerëz të dijshëm
Mençurinë e fshehin nën kapelë
Në lagjen time
Ka kohë që kanë ikur
Janë strukur nën mjekra
Dreqër me dasmorë
Në lagjen time qeshin
Cuca me fustan të shkurt
Fëmijët rrinë të menduar
Sa janë të mirë e të urtë
Në lagjen time
Vetëm heshtakët
Kanë humbur udhë
NE
I hoqëm shalën atit
T’i vë më samarin vetë s
Hipokritët buzë qeshën qosheve
Në avullin tonë lahemi çdo ditë
E djersën tonë me gjak e pimë
Buzët sa shtresa me shkrum i vunë
Si korbat e bardhë plasëm
E krahë t i huazojmë hënës
Vafshi në nëntëqind e sa të nënës na thanë
Hije iu bë më vetës në pasqyre
Skeletin tonë pikturuam me rreze X
Të mos na magjepsi magjia e rrenës
FALJA E GJAQEVE
Nuk kemi të falim
Asgjë
Vetë m gjakun dhe fjalë n
Na mbollën në mes
Kaçat
Thikat dhe ndarjen
Ne dimë të falim
Japim
Besën e gurit
Ai që falë gjakun
Mbillet
Shqipe e flamurit
Mos merrni hak
Njerëz
Mjaft kemi derdhur gjak
Kosovës t’i falim
Arsyen
Këngët e fëmijëve në lulak