Migrimi më nuk mund të ndalet me dokrra
Shkruan: SADIK PËRVETICA
Zotëri zv.kryeministër, Hashim Thaçi
Të gjitha shkrimet e mia, jo vetëm të kohës së luftës, nëpër gazetat e revistat tona e dëshmojnë përkrahjen time shpirtërore të luftës për liri. Nëpër demonstrata kam ngrënë dajak disa herë (e bile, nga ato ngjarje kam mbetur me pasoja të përjetshme, gjë që dëshmojnë edhe njerëzit që janë gjallë edhe sot, por kurrë nuk kam kërkuar ndonjë kompensim, ngase jam i vetëdijshëm se unë, me veprimet e mia, edhe të asaj kohe, i kam shërbyer vetvetes, popullit tim dhe Atdheut tim). Një pjesë e këtyre që thashë gjenden si dëshmi edhe në KMDLNJ. Por edhe të gjithë aktivistët e regjionit mbajnë mend se unë vazhdimisht u kam thënë se pa u bërë luftë dhe pa u derdhur gjaku, liria nuk fitohet. Kjo vërteton se unë dhe familja ime, përveç me fjalë, edhe me diçka tjetër kemi ndihmuar luftën për çlirimin e vendit nga hordhitë fashiste. Por sot nuk është koha as momenti të flasim për këtë.
Zotëri zv.kryeministër Thaçi! Ju keni qenë kryetar qeverie në dy mandatet e fundit në Kosovë,andaj ju i dini më së miri sukseset dhe dështimet tuaja. E, nuk duhet të jesh një njeri shumë i mençur i këtij vendi, për t’i parë, sidomos dështimet e qeverisë që keni kryesuar ju në ato dy mandate (por që kryesoni edhe sot). Ndaj, si veteran i arsimit, si gazetar dhe si shkrimtar, këtë letër drejtuar juve po e shkruaj me një dhembje të madhe, ngase kurrë nuk kam besuar se pas asaj lufte të tmerrshme dhe pas gjithë atyre përjetimeve të popullit tonë gjatë luftës, shpejt do të vijë dita, kur populli im, i mbështetur për muri nga skamja, nga korrupsioni dhe nga privilegjet e skajshme të qeveritarëve e të deputetëve të shtetit tonë, përsëri do marrë valixhet në krahë dhe, me lot në sy, do niset, me fëmijë e me pleq, drejt autobusëve për të ikur nga Atdheu! E as mua, më besoni: në këto çaste nuk po më lënë lotët t’i përfundoj këto radhë...Dhe këtu më duhet t’jua them troç se njëri prej fajtorëve kryesor jeni pikërisht ju, zoti zv.kryeministër Thaçi. Sepse edhe në fushatën e fundit parazgjedhore, ishit pikërisht ju që i premtuat popullit të Kosovës hiq më pak se 200.000 (dyqind mijë) vende të reja të punës! Kurse sot...?! Menjëherë pas formimit të qeverisë së re, populli gjeti veten të mashtruar dhe të zhgënjyer, ndaj me valixhe në krahë dhe me lot në sy, po i thotë vetes se këtu në këtë shtet nuk ka më: as siguri, as seriozitet për t’u besuar qeveritarëve tanë për ndonjë gjë! Kështu ju, qeveritarët e vjetër e të rinj, ia humbët shpresat popullit, i cili duroi aq shumë, por kurrë nuk e priti se ...: edhe nga njerëzit e vet të zgjedhur, pra: edhe nga ju – do të ketë këso mashtrimesh!
Zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa!
Kur bëhen llogari e bilance: sa para janë harxhuar e po harxhohen edhe sot (dhe ku e për çka po harxhohen) në shtetin tonë, nuk del se jemi shtet pa para dhe pa mundësi më të mëdha për ngritjen e mirëqenies së këtij populli të shumëvuajtur. Gjithashtu, kur shikohen keqpërdorimet milionëshe të privatizimit të pronave shoqërore, vërtetohet se dikush po ka para, por kush?! Gjithashtu, kur shikohen shtëpitë luksoze që janë ndërtuar e po ndërtohen: si në kryeqytet, po ashtu edhe nëpër vendet turistike, si: në Prevallë, në Brezovicë, në Gërmi, e, ndoshta edhe nëpër vende të jashtme – nuk del se jemi shtet i varfër, por shtrohen pyetjet: kush i kanë ato para, kah i morën dhe ku po harxhohen?! Gjithashtu, po të shikohet numri i rrugëve të ndërtuara, si dhe i autostradave: pa transparencë – vërtetohet se shteti ynë nuk është pa para. Mirëpo kur vjen puna te hapja e vendeve të reja të punës dhe te nxjerrja e popullit dhe e vendit nga krizat e njëpasnjëshme ekonomike, atëherë puna po ndryshon! Ndaj populli, me të drejtë pyet: Ku po shkojnë dhe si po harxhohen paratë dhe djersa e taksapaguesve të këtij populli të shumë vuajtur?!
Zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa: Në Kosovë korrupsioni ka emër, tregohet me gisht çdo ditë dhe mund të preket edhe me dorë sa herë të duam dhe nga kushdo që do, por...!!!
Zotërinj kryeministra të Kosovës: Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa!!!
Në një gjendje, çfarë është Kosova sot, është koha e fundit që qeveria juaj (dhe jona) urgjentisht të ulet dhe ta diskutojë mundësinë e nxjerrjes së vendit nga kriza që ka kapluar vendin dhe ta shpëtojë popullin nga rrugët e migrimit, të përhumbjeve e të shkapërderdhjes së sërishme nëpër botë. (Nga humbja e gjakut dhe trurit tonë kombëtar). Dhe në mos gjetshi burime të tjera, çfarë ju, personalisht, i keni premtuar popullit, atëherë, ndoshta, ju duhet t’i ulni pak, qoftë edhe përkohësisht, edhe rrogat tuaja, pra të të gjithë qeveritarëve dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por edhe të zvogëloni numrin e ministrive, të hiqni nga dy zv.ministra dhe ta leni vetëm nga një zv.ministër nëpër secilën ministri, të zvogëloni stafin administrativ (dhe t’i çrehatoni pak të rehatuarit tuaj) nëpër shumë vende fiktive të punës. Sepse migrimi më nuk mund të ndalet me dokrra e me lutjet edhe të armiqve të shtetit (!!!) nga ana e kryeministrit, që të mos i lejojnë njerëzit tanë për t’u larguar në shtete të huaja!
Zv.kryeministër, Thaçi dhe kryeministër, Mustafa
Në gjendjen në të cilën jemi: me mijëra banorë të Kosovës që presin, çdo ditë, të marrin dokumentet dhe të ikin nga Kosova, për mendimin tonë gjendja në shtetin tonë, më nuk mund të quhet: e zakonshme. Kurse ju – ngjitjani emrin si të duani. E në një këso gjendjeje kur pas premtimeve tuaja boshe dhe pas këtyre ditëve të qeverisë së re, e cila po përpiqet t’i rehabilitojë dhe arsyetojë edhe veprimet dhe ligjëratat e kriminelëve (kryeministri ynë Mustafa, me deklaratat e veta mbrojtëse ndaj Jabllanoviqit, amnistoi, jo vetëm atë, por të gjithë kriminelët serbë të të gjitha kohëve !!!) të cilët dje na vranë, por edhe sot, në liri, po na i shajnë edhe nënat pse po protestojnë kundër atyre që dje na vranë, kurse sot nuk po na tregojnë: as kufomat e të afërmve tanë ku i kanë lënë e ç’kanë bërë me to. E nuk po ndalemi në grevat e protestat e shpeshta të popullit tonë, të cilat, në themel kanë keqpërdorimin parasë publike, varfërinë e skajshme, keqmenaxhimin dhe shpërndarjen (shpëlarjen) e buxhetit shtetëror në veprimtaritë me rëndësi të veçantë shoqërore). Andaj pyesim: a i ka hije një qeverie të përgjegjshme: të sillet me komoditet, sikur në vendin tonë nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme?!
Zotërinj: zv.kryeministër Thaçi dhe kryeministër Mustafa! Mjaft më. Dhe mos i mbroni, por largoni kriminelët dhe të korruptuarit në mesin tuaj, të cilëve që moti u ka dalë boja.
No comments:
Post a Comment