E NJËJTA NORË NË DY OPERATORË
Nga NORA DITA marr veç lajme të mira
Përmes operatorit 900, rrjeti i VALËS
E të ligat më vijnë përmes atij të IPKO-s
Kur në ekran më shfaqet: Nora e Natës.
Thua për ta vërtetuar një moto të lashtë
Atë thënien “Një hap para, e dy prapa”
Rrallë e më rrallë më thërret Nora e Ditës
Shumë më shpesh shfaqet: NORA NATA.
Prishtinë, 8 janar 2015
LUMTURIA MES TRE KALORËSVE TË APOKALIPSIT
Lumturia, pa zhguall breshke,
Pa gjoksore çeliku e xhip të blinduar
Mbeti këmbësore mes tre kalorësve:
Pa bukë, e plagosur, e kërcënuar.
Prishtinë, 9 janar 2015
ARDHJA E PROVIDENCËS NË KOSOVË NË TRAJTËN HABITORE
U bllokuan të gjitha rrugët anësore nga policët
Që nga aeroporti, qendra, deri tek Presidenca
Semaforët krejt të fikur, nga puna të pezulluar
Si shefa protokolli nga gabimet në konferenca.
Kush ardhka në kryeqytet e nuk përfillka fare
Stope as ndal as të kuqen e ish simbolit lindor
Madje as të gjelbrën e paqësorit Joshka Fisher
E lëre më të verdhën, të revolucionit kulturor?
Në rrugën njëdrejtimëshe me alarme sirenash
Mes pesëdhjetë yjesh ardhka vetë Providenca,
E po nderuaka Liria e Pakthyeshme e Kosovës
Nga aeroporti Adem Jashari deri te Presidenca!
Prishtinë, 6 janar 2015
EPI PËR MIZËRINË
E
ÇASTEVE TË KOTA
Mbi mantelin e monotonisë e nën astar koti
Çaste të stërshumta luzmojnë si një mizëri
Si pritjet e gjata në stacionet e autobusëve
Njëngjyrëshe, të verdhemëta, si një kinezëri.
Xhepat dhe mëngët e mbushura nisin e derdhin
Jashtë tepricën e kokrrizave të rërës së kotësisë,
Si vezoret shterpe të barkut të qetë të beronjës
Që këmbëngultas kërkojnë emrin e mëmësisë.
GJUMË DHE ËNDËRR
NË BALLKAN
Historia u nguroska e në ngërç krejt e ngrirë
Por koha po ndërruaka në mendje dhe zemër
Aty ku më parë mund të të pritej trupi e koka
Një gjumë mund ta bësh, të shohësh një ëndërr.
Podgoricë, 15 janar 2015, Vila Gorica
VRIMAT E SË KEQES
Dergja hin për gryke t’kacës e del për birë t’gjylpanës
Popullore
Dikur, e liga i hynte njeriut si për grykë të fuçisë
E nuk dilte për vrimë gjilpëre as me njëmijë zore
Tash, hyn në trup më e vogël se maja e një thike,
Por del më e madhe se shpella e një mortaje dore.
PËR LUMTURI
Le të derdhen të gjitha kafet nga filxhani
Gotat e kristalit le të bëhen copë e grimë
Le të vishen mbrapshtë gjithë kanotierat
Dhe gjithçka tjetër që e ndjell lumturinë.
Dhe çorapet së prapthi ose të ngatërruara
Le të mbathen në feksje të dritës së parë
Veç këmba le të hyjë si duhet në këpucë
Dhe të mbathet me shojet e ditë së mbarë.
Prishtinë, 18 janar 2015
UDHËZIM PËR TIM BIR
ME FJALË TË URTA
DHE
KASHELASHA SHQIPE (1)
Ku flitet për bimë e bisha e kryqe e hunj
Për gjakun e nxehtë që ta thanë shnetën
Për vetë njeriun flitet, për fjalën e thënë
Si për gjakun e butë që e rrit ëmbël jetën.
Ati që ka kaluar fusha, gropa, brigje, hone,
Në gardh të ungjtë shpërthehet gjithherë
Në fakt është njeriu krenar dhe i ndershëm
I ngucur e vrarë nga shpirtvegjlit e mjerë.
Nuk është viç përpjetë, e teposhtë mëzor
As bark i mbushur sherr e kryet budallë...,
Mendja e ruajtur dhe në kohë të turbullta
Mall pakicë, si nderi, e një dhunti e rrallë.
Përballë afshit dehës të bijës hamshore
Të vreshtit që të harbon trurit e damarëve
Po frenove tundimin, lektisjen, do të thotë
Në kokë i prangose mendjet e të marrëve.
Tiranë, 13 janar 2015
UDHËZIME PËR TIM BIR
ME FJALË TË URTA SHQIPE (2)
Kush të thotë sillma ti Shëngjergjin së pari
Se verën ta sjell më pas, mos u bëj nervoz
Ai ta kujton Arkimedin e pikëmbështetjen
Që ta rrotullonte Tokën lehtas me një lloz.
Mos rri me atë që i ka hipur së keqes, ujkut
Nga ajo shpinë mund të ndillen vetëm qentë
Të marrët shkurtojnë dhe direkët e shtëpisë
Ndërsa të mençurit nuk i këpusin as penjtë.
Druri bashkë me hije rrëzohet te rrënja e vet
Ngjanë e ndryshon me njeriun si dje, si sot
Njeriu shembet me shpirt më keq se me trup
Se, po mori në thua sivjet... rrëzohet në mot.
Prishtinë, 17 janar 2015
UDHËZIM PËR TIM BIR (3)
Po ndodhi që vetvetja të të dalë prej hujit
Nga qëndrimi i gjatë përbrenda shtëpisë
Që bimët moçalike t’i zhbish nga shikimi
Mos rri si ujë i ndenjur, po nis dhe lëviz...
Pas lodhjes, djersës, dhe të veshurit trash
Që lëkura të zgjohet nga harta e vjetrimit
Trupit i bën mirë një banjë a dhe një dush
Ashtu si mendjes racionet ditore të leximit.
E kur të jesh ngopur me tepricë të atdheut
Dhe mërzia nis të kullojë çatisë së Kosovës
Shko rrugëve a tej Sharrit, e njome shpirtin
Me aromën e mollëve e dashuri të Tetovës.
Prishtinë, 23 janar 2015
UDHËZIME PËR TIM BIR (4)
Ti që në djep pive ninulla drite me dëlirësi vese
Që agime e muzgje i lidhe me penj të fortë bese,
Mos druaj nga fijet e kamxhikut të Ponc Pilatit
Po atyre që mbijnë brenda, në thellësi të gjakut.
Mos u tremb nga armët vrastare me fuqi rrufeje
Por krimbit të shpirtit tënd, po u rrit brenda teje.
Gjaku i paprishur tmerrin më shumë i fut djallit
Se patkoi i varur dyerve, që diku i ka rënë kalit.
Shtëpinë s’e mbron vargu antologjik i hudhrave
Dhe vampirët nuk tremben nga kryqi i kudhrave.
Atdheu mbrohet më shumë se në epet e Homerit
Ku erës së bukës i vjen era e djersës dhe e nderit.
Prishtinë, 28 janar 2015
BORA E SIVJEME
DHE
E NJË VITI TJETËR
Bora që kërcet nën këmbë me krrap-krrupe
E ngrirë dhe e ftohtë, si e një viti të shkuar
Më solli ndërmend një zonjë të bardhë dikur
Që rrinte akull në tryezën solemne të shtruar.
Edhe më zonjë se bora e këtij viti, ajo borë
Napë kristalesh të bardha si vello nusërore,
Pa peshën e trupit tim mbi këpucët e rënda
Më ritmon në vesh ende dy nota muzikore.
Prishtinë, 29 janar 2015
NJË RAPORT I GJYQTARËVE KRAHINORË
TEK AUTORITETET FEDERALE JUGOSLLAVE
Në emër të popullit dhe të shtetit ligjor
Do ta dënojmë irredentizmin shqiptar
Me ditë, muaj e me vite të rënda burgu
Dhe me gurë shekujsh shkallë – shkallë.
Varësisht nga prurjet e rrjetës policore
Kundër peshqve i kemi sitat e guroreve:
Katërmbëdhjetë deri gjashtëdhjetë gurë
K.R.-ja e cironkave e shkruar fletoreve.
Për ata që thërrasin “Kosova Republikë”
Në gojë u vëmë njëqindetridhjetetre gurë
Për të tjerë prangosje të gjatë në errësirë
Mes telave me gjemba e pa derë në mur.
Ne do e zhbëjmë nacionalizmin shqiptar
Duke e ndrydhur mes gurësh paleolitikë
E po nuk mjaftuan, i huazojmë nga koha
Shkëmbinjtë e errësirës... parahistorikë.
Prishtinë, 30 janar 2015
BRESHKA SHENJTORE E DOGJI MALIN
Në vendin N. N. ku si shenjtore u shpall breshka
Pishtari mbi zhguall e dogji rrëzës së gëmushës
E flaka i hyri fletës së parë të dushkut aty pranë
Drurit të thatë, të njomit, tërë bjeshkës e fushës.
Prishtinë, 31 janar 2015
UJKU
Nuk jam personazhi në rolin e një filmi
Në skenën e lashtë të stinës së gjahut
As dre i përrallës që me gjuhën magjike
Mbyllte plagët e sharrës në trup të ahut.
Kur gjahtari i rryer me plumba të egër
Në trup më godet e ma hap një plagë
Jam bisha e vjetër që hospitalizohem
Duke lëpirë veten me gjuhë e me jargë.
Gjersa gjëndrat e mia mbetën po ato
Me të njëjtin kapacitet e po atë tajitje
Armët e njeriut përherë dhe më të egra
Përsosje e rrezikshme gjithnjë në rritje.
Prishtinë,1 shkurt 2015