Shkruan: SHEFIK SHKODRA
LETËR
I nderuar! Merr vesh pak e mos i harro kohët! E kam një fjalë rasti për ta përkujtuar ngricën e dhjetor-janarit. Dimërorët ishin të shumtë dhe secili më tmerr se tjetri. Në stinën kur e ndan vitin kalendarik. Fundi dhe fillimi. Në krahinat tona shqiptare nisen herët mundimet. Ngrirjet më të reja të njeriut tanë ishin nga dimëror-janar i decenies së tetë të shek. XIX, nga ai Sanxhaku, kur kishte filluar përzënia e njerëzve në masë nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Rrugët i kishin shtangur trupat e tyre të zbathë e të zhveshë. Nxituan pa e kthyer kokën prapa kah foleja. Atje ku kishte mbetur një pjesë shpirti e trupi, pjesa tjetër kodër pas bregu, në cegmin e pjalmin e borës...përtej Vrajës, Bullgarisë e për Turqi. Të tjerët në drejtime të ndryshme për në Shqipëri. “Pik e pesë”. E të tjerët mbetën nën kupolën rrëzbitur të Kosovës gri. Kush me toponim e kush me tapi, e vështirë zgjidhja...madje edhe janë pajtuar me asgjë. E ti mos i përbuz këngët, thëniet e pleqve, letrat e të rinjve. Kujdes për faqet historisë ende të pashkruar! I nderuar, duhet të ketë këtu ndonjë kor të shpendëve të mirë. Që punojnë me vullnet për shtëpinë...
*
Ngjyrë e turbullt – bronz pa shkëlqim. Gjithnjë në mbrëmje, fluturimet e shpezëve në cegmin dhe mjegullën e brymosur, si pamje më shtie në kujtesën historike. Edhe pak turbullim e drojë. Në ato që kam lexuar. I vjen era plumb e bakër e fytyra mbetet e athët. Diçka që vetëm ndihet shpirtërisht. Që nuk pëlqehet e shton një shqetësim. Politika bëhej me zor nga shqiptarët atëherë, duke pasur përpara gjithmonë një kundërshtar që nuk lëshon rrugë. As grahet e as ngrehet. Ka kohë, vite e decenie, kur mbi qiellin e Kosovës, në tokën e Përqendrime, të zënë në rreth, të ngulfat ajo mjegull e rimtë gjatë dimërorëve. Krrokama korbash të shurdhojnë. Eshtrat e ndiejnë therjen si nga heshtat, acar i fortë qe ishte ka vite e vite. Dhe kjo është përsëritje. Jo gjithherë vlojnë unët në vatër e s’digjen. Ngrohja bëhet vetëm me frymën e shpirtit në fyt. Malet janë shtrojera e zorit. Në rrafshina, rreth Moravisë sikur bie zullumi. Sidomos, Prishtina është e njohur për një klimë të dimërorëve. Sorrat glacojnë mbi plepat e qytetit dhe kanë shtruar kore nëpër strehët e atyre dyqaneve të vjetra. Poshtë rruga nën lagjen rreth hamamit, te Shtëpia e ish Radios, kah ish Stacioni i Autobusëve plot baltë, nuk di dhe s’kam kaluar ka kohë, a është më ai kalldrëmi. Sidoqoftë kodrat e rrethinës po përgjojnë e po heshtin duke situr kristalin e borës si argjendi...si para viteve të gjashtëdhjeta. Shumë viktima në aksionin e armëve janë mërdhirë në akull. Kosova administrohej nën thundrën ushtarake edhe pas shumë vite “çlirimi”... Duhej blerë armën nga ata që ia kanë kërkuar akëcilit për ta shpëtuar shpirtin (?). Eh, sa shumë të gjallë pas atij dimri ishin betuar se, nuk do të lejonin vetën më t’i përjetonin ‘zullumet’ e armikut të egër. – Ku...? – Ku të më shohin sytë! Sepse ishin njerëz pa zot e përkujdesje. Veç përsëritje. Edhe pas viteve të shtatëdhjeta dimrat sillnin ndonjë viktimë. As muaji nuk kalonte pa një a dy...të burgosur. Korbat krrokatnin në maje plepave e sorrat glaconin, më shumë prej treme e nga dridhmat nuk i zinte vendi vend. Prej një dege në tjetrën. Veç pështjelloheshin. Pjesa më e madhe e miletit nuk merrte vesh asgjë se çka po ndodhte. Edhe atë që e dëgjonte dikush, nuk kishte guxim t’ia thoshte tjetrit. Binin në gjumë e mbuloheshin me ndonjë cergë e çka kishin pa bërë zë. Mbështetje nuk kishte asnjëri te askush...Në Gjermani, më vonë, tufani i egër i korri e si me kosë i rrëzoji djemtë për tokë. Kori i korbave edhe u më u ngërdhesh. Lëvizën në vendbanimet e Kosovës. Shpendkeqtë ishin shumëzuar kudo. Lëshonin erë të kërmave. Vështirë të ruheshin banorët nga kjo frymë tradhtie! Vështirë nga Dimërorët e korit të zi!
*
Ecën e ikën dimërorë të shumtë. Arritëm deri te kjo maje kalendarike e shekullit njëzet. Sërish Netët janë të ftohta. Kyçi t’i vihet derës! Sërish pabesia nga të pabesët. Qentë mezi e lëshojnë ndonjë lehje të shkurtër. Fshati fle si kafshët kur mrizojnë në vapën verore. Oxhaqet e shtëpive hedhin nga pak tym nga trungje në vatër duke u djegur në veti. Para agut hijet e pangopura në gjak, të thyer dykëmbësh në lagraçë shtrigash padukshëm , fantazma, futen nëpër shtëpi. I nxjerrin njerëzit jashtë si të vidhnin gjësende. Makina kositëse ua merr shpirtin. Mbeten të shtrirë në atë luginë, të rinj e pleq – Raçak! As ne të këtij vendi nuk kishim dëgjuar për këtë emër deri atëherë...Ishte një ag i zi dhe jo vetëm ky. Pastaj, reshi nga qielli shqiponja që u këputi krahët këtyre korbave. Krrokatja pushoi për një kohë. Do të thotë, deri më tash pak a shumë ndryshe kanë qenë ëndrrat nga zërat. Por, tash menjëherë janë rrëmbyer shumë brutalisht: me “egërsira” si egërsira që janë vetë, me “Kosovë e Metohi”, me “djep...” e pa djep. Me një arsenal të një fjalori që është shumë i rrallë, i ruajtur vetëm nga ajo anë. Këto fjalë gjenden te ata që gjithë botën e urrejnë. Ata përpiqen që gjithë botës t’ua këndojnë këngën e qyqes. E bota duke i krehur si bilbila. Për “miletin e zotit”, që kishat e tyre kanë Satanën simbolin e të keqes, së cilës i thërrasin me bërlykje e gumëzhimë të fëlliqtë nën ato çatitë që e ruajnë kutinë e shtrigës.
*
Qe! Sërish sorrat dhe korbat në plehrat e Prishtinës, të Anamoravës, të Mitrovicës, kudo; sot, pas qindra vitesh këngëzimat e njëjta si më një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë-tetë; dimërorët si me njëmijë e nëntë qind e dymbëdhjetë, trembëdhjetë, ...si më njëmijë e nëntëqind e dyzet e pesë-gjashtë, njësoj si me njëmijë e nëntë qind e pesëdhjetë e pesë-gjashtë, mbarim e fillim viti,...si me njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy, tre, katër...Kori i shpendkeqve ua rrëmbeu banorëve edhe bukën...
Qe! Sërish krrokamat dimërore të përsëritura; pas largimit të pjesshëm, ata po çukatin kudo duke u munduar të shumohen me këlthitjen të vrazhdët kakofonie. Po i gërvishtin varret me kthetrat e sqepat e përgjakur. Qe! Ata nga Veriu, të mallkuar! Po mbledhin krande për të ndezë vatrat tyre e për t’i fikë sërish ato të vendorëve...për t’ua fut akullin në zemër.
Edhe sot!... nuk është i qartë komunikimi me të pabesë. Satana u kërcen në kishë me defin e shqyer. Ia kruajnë kokën e përmorrtë. Ia rrjepin lëkurën e zhugavtë. Ajo i thërret në korin e këngëzimeve të errëta. Ua mbyll sytë në lojën e harambashëve. Ka mbetur e çalë Satana plakë i tubon korbat. I urdhëron të vjellin në paqen e njerëzimit. Atë e kanë ruajtur shpendkeqët në arkën e ndryrë, pasi i kishte rrënuar gjithë banorët e tokës murtaja dikur!
*
I zoti shtëpisë, ‘ruaju nga qeni yt besnik/ke mbetur i pa besë!/ kur e lidh e kur e zgjidh/ai ndoshta kësaj i thotë lojë...!’ Grackat janë të shumta të këtij kori ngjyrë-zezë. Ata s’ndalen kundër banorëve të vendit.
No comments:
Post a Comment