Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/02

Absurdi i Evropës: vetëm Kosova dhe shqiptarët në “karantinë” brenda saj!



Migrimet e jashtme dhe “migrimi ilegal” kanë shpjegime dhe zgjidhje
Migrimi, fenomen jo vetëm ballkanik, por edhe evropian e botëror

Shkruan: Akad. Hivzi ISLAMI

Duhet gjithashtu vënë në pah edhe faktin se në këto lëvizje imigruese të fuqisë së huaj punëtore, në vendet importuese të këtij “proletariati”, përveç dobive të mëdha materiale e financiare, shkaktohen edhe probleme e implikime, të përcjella me ksenofobinë ndaj migrantëve të huaj.
Duke ardhur nga një sistem shoqëror dhe kulturor në tjetrin, imigranti i punës bie në konflikt me shumëçka në mjedisin dhe universumin e ri, duke u ballafaquar me shumë të panjohura dhe probleme. Vështirësitë e para janë mosnjohja e gjuhës dhe e kulturës së vendit imigrues, traditës, strukturimi institucional i shoqërisë, normat ligjore etj. Gjithnjë ndjehet i përbuzur, inferior, i dyshimtë për gjithçka keq që ndodhë aty ku ai sillet, i frikësuar se po përcillet në çdo kënd nga sigurimi e policia dhe do të burgoset, do të ndiqet nga vendi, duke mos i ditur as të drejtat e veta për t’u mbrojtur etj.
UE, në një anë hapet, në anën tjetër mbyllet
Humbjet dhe dobitë ekonomike, demografike e të tjera janë të ndryshme për vendet emigruese dhe vendet imigruese. Në kuadër të migrimit ekonomik të fuqisë punëtore, të ofertës dhe të kërkesës për punë, midis vendeve të pazhvilluara dhe vendeve të zhvilluara, janë migrimet selektive si një veçori e posaçme, përkatësisht lëvizjet migruese të punëtorëve me kualifikime të larta (shkencëtarë, inxhinierë, kuadro teknike, mjekë etj.), që njihen si “migrim i truve”. “Migrimet intelektuale” kanë marrë hov pas viteve të 70-ta të shekullit të kaluar dhe për vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, si eksportues kryesor i “migrimit të truve” në vendet e zhvilluara; ky tip i migrimit paraqet një humbje të madhe të kapitalit njerëzor. Dhe më keq: “brain drain” është një rrugë njëkahshe, ndërsa shumë më produktive është që të jetë rruga dykahshe.
Në anën tjetër, zgjerimi i Bashkimit Evropian në fillim të shekullit XXI, kryesisht drejt lindjes (në muajin maj të vitit 2004 u bënë anëtare të BE-së 10 vende: Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Malta dhe Qipro), përcillej nga një frikë pikërisht për shkak imigrimit masiv të njerëzve nga vendet e lindjes në vendet e UE, përkatësisht të destabilizimit të tregut të punës në këto të fundit. Ka qarqe politike e të tjera brenda BE-së sot që janë kundër migrantëve të huaj (ksenofobia), veçanërisht migrantëve ilegalë, kritikat e tyre i arsyetojnë me faktin se të huajt po i ngarkojnë fondet sociale dhe shërbimet publike, se kriminaliteti është më i madh te ata sesa te vendorët, se po u zënë vendet e punës punëtorëve të vendit etj.
Te procesi i zgjerimit të UE-së vërehet dhe një paradoks nga se Unioni në një anë hapet, por në anën tjetër mbyllet! Mbyllja ndaj disa vendeve kushtëzohet kryesisht nga domosdoshmëria që rrjedhat migruese të vihen nën kontroll. Prandaj edhe kushtet dhe kriteret për integrimin e vendeve të reja në BE, veçanërisht të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithnjë u ashpërsuan (në vitin 2013 u anëtarësua vetëm Kroacia, të tjerat duhet të presin!).
Kosova dhe shqiptarët në migrimet e jashtme
Kosova si pjesa më e pazhvilluar e ish-Jugosllavisë dhe e Europës nuk mbeti e papërfshirë në procesin e emigrimit të fuqisë punëtore në vendet e zhvilluara europiane, edhe pse pak më vonë se njësitë e tjera të ish-Federatës. Shkaqet janë moszhvillimi ekonomik dhe shoqëror: mundësitë e kufizuara të në industri, rritja e dendësisë agrare dhe presioni i madh në sipërfaqet e punueshme, tepricat e fuqisë punëtore, rritja e kontingjentit të popullsisë në periudhën e punës, por edhe motivet e tjera të natyrës familjare, individuale etj. Më të goditurit ishin shqiptarët, edhe pse përbënin shumicën dërmuese. Kështu në vitin 1958 nga 55.490 të punësuar në sektorin shoqëror vetëm 26.247 ose 43,7% ishin të kombësisë shqiptare dhe në vitin 1966 ky numër mezi e kalon gjysmën: nga gjithsej 91.673 të punësuar në këtë sektor 48.804 ose 51% janë shqiptarë, ndonëse sipas regjistrimeve zyrtare janë shumë mbi këtë përqindje (më 1961 67,2% dhe më 1971 73,4%).
Rrethanat dhe motivet e përmendura socioekonomike, ishin të pranishme edhe më parë, madje në formën më të ashpërsuar, por nuk pati emigrim të fuqisë punëtore jashtë ish-shtetit deri në fillim të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Kosova ishte entiteti i fundit që u inkuadrua në migrimet e punës në botën e jashtme. Së paku ishin tre faktorë që kanë ndikuar në këtë drejtim: a) mungesa e traditës në mobilitetin hapësinor dhe social të popullsisë e të fuqisë punëtore të Kosovës në vendet e huaja; b) mungesa e informatave mbi mundësitë, përparësitë, të metat, mënyrën e punësimit dhe hollësitë e tjera lidhur me emigrimin ekonomik jashtë vendit; dhe c) inkuadrimi i vonë i shërbimeve kosovare të punësimit, si ndërmjetësuese të punësimit në botën e jashtme.
Pastaj, më vonë, përveç shërbimeve të punësimit të Kosovës dhe më gjerë, u hapën kanale jashtinstitucionale të punësimit në vendet europiane (shkuarja si turistë, punësimi në të “zezë” etj.), gjë që u konvenonte firmave dhe punëdhënësve të huaj, sepse me këtë mënyrë të punësimit, nuk merrnin përgjegjësi formale për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve; punëtorët e punësuar në këtë mënyrë, numri i të cilëve gjithnjë rritej, as që dinin se çfarë të drejta u takonin. Në fillim të viteve të 70-ta vendet europiane punësonin afër 96% të punëtorëve të Kosovës (74,7% në RF të Gjermanisë, 8,6% në Austri, 5,9% në Zvicër dhe 4,2% në Francë), ndërsa pjesa tjetër i përkiste vendeve të tjera jashtë Europës. Ndërsa në fillim të viteve të 80-ta Gjermania mbeti vendi që printe me emigrantë të punës nga Kosova (51,9%), ndërsa Austria dhe Franca ruajtën përafërsisht numrin e mëparshëm, por u rrit shumë numri i punëtorëve tanë në Zvicër (nga 5,9 më 1971 në 32,1% më 1981 të të gjithë punëtorëve në botën e jashtme). Edhe sot në Gjermani më tepër se në çdo vend tjetër punojnë dhe jetojnë më shumë shqiptarë nga Kosova. Pa dyshim se migrimi ekonomik i shqiptarëve në këto vende kishte efekte shumë pozitive në Kosovë (sigurimi i ekzistencës së familjes, ndërtimi i shtëpive të reja, blerja e teknologjisë dhe futja e risive në përparimin e bujqësisë, pajimi i amvisërive, ngritja e standardit jetësor, investimet në shkollimin e fëmijëve etj., por edhe pasoja negative, në radhë të parë në rrafshin demografik dhe ekonomik (mospunimi i tokës, “ugari social”, investimi në luks etj.).
Problem shqetësues për autoritetet e Kosovës
Në vitet e 80-ta të shekullit XX vargut të push-determinantëve zhvillimorë u shtohen edhe presionet politike, policore dhe ushtarake që ushtroheshin mbi shqiptarët, veçanërisht mbi rininë. Ndërkaq në vitet e 90-ta, për shkak të represionit të egër të regjimit të Beogradit, vala e ikjes së shqiptarëve nga Kosova u masovizua deri te tragjedia e paparë në Evropën e pas Luftës II Botërore - deportimi i haptë i afër 1 milion shqiptarëve, për çka edhe pasoi intervenimi NATO-s.
Kjo që po ndodh sot me migrimin ilegal, proces ky që ka marrë hov vitet e fundit, u bë një problem shqetësues për autoritetet e Kosovës dhe më shumë për vendet e BE-së. Ky migrim nuk është karakteristikë vetëm për Kosovën a vetëm për vendet e Ballkanit, por është fenomen europian dhe botëror, prandaj nuk mund të konsiderohet çështje alarmante në shkallë në çfarë e kanë ngritur institucionet europiane në Kosovë. Problemi i kësaj dukurie, që po e kërkon përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të BE-së veç e veç, ka shpjegime dhe zgjidhje, natyrisht jo të shpejtë, me urgjencën çfarë këta e kërkojnë!

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...