2015-02-07

MOLLË E KUQE TRUNG I NDARË

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




NEZIR PROKSHI




          
             Hyrje

          Nezir Prokshi u lind më 15 tetor 1945 në Vërbovc të Drenasit. U shkollua në vendlindje e në Prishtinë vazhdoi shkollimin e mesme – drejtimi ekonomik. Studioi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës pa shkëputje nga puna. Shkruan poezi e proze. Zotëron një arkiv të pasur të trashëgimisë etnokulturore veçmas në lëmin  e folklorit. Botoi në të gjitha gazetat e  revistat e kohës në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.
            Që nga viti 1967 ishte korrespondent i ’Rilindjes” i Radio Prishtinës dhe i TVP. Nga nëntori i vitit 1990 kur u instaluan masat e dhunshme të Serbisë ishte i papunë deri në përfundimin e Luftës kur u punësua në MPMS.
            Krijimin e parë letrar e botoi në revistën “Zëri i Rinisë” në vitin 1966. Nga opusi në fushën e letërsisë ka botuar vëllime me poezi: Luadhi Kohës, (1973), “Kohë Idhnake” (1987), “Shi me Diell” (1997), “Sheshi i Shpëtimit” (2007), “Lulet e Kosovës” (2010), “Qiejt Ilirianë” (2011), “Mbretëria e Ëndrrave” në gjuhën Rumune në 2o11, “Me Flamur në zemër” (2012) dhe “Gjysh – Dielli a ka Sy” (2012). Më pastaj në lëmin e publicistikës e të prozës ka botuar: Ditar lufte “ Mbijetesa e popullit të Drenicës më rrethinë) (2007) në botim të Radio Kosova e Lirë dhe  një libër monografik  “Baca Dinë -  dritë i shtigjeve të djemve të Lirisë” në botim të SHBP të Kosovës. Është fitues i disa çmimeve letrare. Poezitë e tij janë përkthyer ne gjuhën Rumune  anglisht. Është përfshi në disa antologji në Kosovë e Shqipëri. Është Botues i SHB “MESHARI” Prishtinë
            Aderon në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.
           


MBRETËRIA E SHPRESËS

Çuditërisht  pa hile
E donte  Shpresën
U dashurua sa ishte i ri
Edhe babë e babagjysh
Jetua kishin me te
Ajo kishte gjithë fuqinë magjike
E binte shiun, pranverën, verën
Kapërcente muzgun
Në agullimë vinte me diellin

Kur e kundërshtonin kopilët
Thoshte
Botën ta jap Shpresën jo

Me te ecte, me te ëndërronte
Me te bënte gjumë
Si Mbret

Vitet i kalëronte
Anë e kënd botës

II

Kur kapërcente ndonjë rrebesh
Kohë idhnake,
Orëliga kur trokiste në dyer të hapura
Para se të këndonte këndesi
Ai ia thoshte këngës majë  krahu
Ndalonte  kur tretej në meditime
Mërmëriste:
Botën ta jap Shpresën jo

Koha s’ndalon
Shpresa ecte para tij

Te nesërmën
Jetonte në të veten kohë

Besonte  në të magjishmen fjalë
Kurriz e kishte Lirin


Nga Homeri mësoj poemën me mija vargje
Siç mësoi të shoh përtej errësirës
Përtej bjeshkëve, përtej fjalëve...

Një ditë, 
Dimër i acartë
E arrestuan
E shpallën “Rebel”,

Luftën për Liri pa Liri
E bënte nëpër qelitë e errëta

Kur e kërrusën stinët dhe e zbardhen motet
I thanë; Je i  Lirë, pa  L i r i

III

Ai vërtetë mbeti i pathyeshëm
I palëkundur nga Shpresa për Ëndrrën
Besonte
Kërkonte liri
Edhe sot e donë drejtësinë
Kurrë se di pse
I besonte bestytshëm Trimit
Se do e sjell  Lirinë

Me gjenin pellazg pranverën e priste
Në toka buke në Fushëkohën dardane
Dëgjonte tinguj në Harpën e Arbrit
Si hante palla për Shtat mbretëritë

Paj,
Mbret ishte 
Kaluar mbretërive tërë botës.


MOMENTE POETIKE

Gjithë këta qiej
Mbi këtë vend krejt të sheshtë
Në qiellin e parë fluturojnë Mjellmat
Edhe ndonjë lejlek i harruar

Në të dytin pluskim bore
Retë që zihen e dalin nga dielli

I treti një Zot e di, pak më lart një avion
Udhë të bardha bën në qiej Ilirianë mbi liqe

Matanë bjeshke në brezare ndrit një Yll
Mbi Gjole flutura  botë e rrallë bimore, lule
Duken barka të vjetruara mbetur brigjeve

Enkelana fle në çatinë e bjeshkës
Mbi liqe Nositët nuk duken, kanë ikur qëmoti



Thonë sa herë Lasgushi  e këqyrë Mitrushin
E herë hëna zbret e plotë, e Yjet
Kur yjet prushojnë  lind dielli n’Enkelanë

E kur të zdirgjem në rrafshin e Dushemishtës
E po u zhvesha lakuriq i çmendur do me thonë
Të gjitha fyerjet e tundimit do i marr në kraharor

Se më kanë dehur erërat me aromë Liqeni
Se më ka mplakur e Premtja kur u poqa me Zanafillën

E te plakëm në mes kësaj bardhësie o Zot

                            
MBRETËRIA MAGJIKE E HIJES

Kur vjen nata
Poema e hapur në tryezë
Grindet me metafora

Mbi mua kalërojnë
Shkëmbinjtë të mbërthyer
Majave të thepisura
Zbehen bardhësitë    
Luadhet me këmisha të përhitura
Lakuriqët që donë t’ia ndalin
Bubullimën qiellit
Ofshame te bezdisura
Labirinteve përrallore

Shenja të orëve të liga
Po ikin
Thanë po i përpinë errësira
Ka rënë një sëmurje e keqe
Në një lugajë që ka marr zjarr
Trishtimi do të përvidhet
Në mbretërinë magjike te hijes

Fatziu unë që nuk mu takuam
Në stinën e përtëritjes
Imazhe rastësore përshkonin qiellin
Ngadalë në duart e Lirisë


RENKIMI I ESHTRAVE

Rënkime vaje gjemë
Palca shpirtrash
Të shqiptarëve të vrarë

Të mbuluar nën ritmin
E krakëllimave të sorrave
Në errësirën e natës

Kur lakuriqet fluturojnë
Pa hënë
Të fshehur në brendësin
E  muzgut

Sa larg ndihet rënkimi
Gjema, fjala hidhërimi
Flakë digjet
Me vargun tim kryeneç

Numërojnë ditët vitet
Epokat të mbuluara
Me pëlhurë të përhitur

Se koha erdhi  për të rrëfyer
Për shekujt e dhunuar
Në një botë mbërthyer
Në ethe plagë e  dhembje

Të shpërndara qençe
Pa u shënuar emër varri

Le të rendon dheu mbi kokë
Ndritur nga drita e mëngjeseve
Me plot  Diell Lirie
Në qiejt Ilirian


MOLLË E KUQE TRUNG I NDARË

Dhe një varg seç lindi sonté si një Yll që muzgun ndritë
Dhe një këngë që mori përrenjve puthi Majat
Në Diell u ngjit

Dhe u gëzua shumë
U gëzua posa preku në  gur e cung
Metaforë s’është Mollë e Kuqe patëm emër edhe trung

Trung e fruta, degë e Mollës, lule e pemës mbeten të tharë
Seç nis udhë Syri Vargut, mbushur mall si mërgimtar

I  përlotur syri  nënës loton nën qepallë
Shihte ëndrra për  mote kthimi, në kraharor digjej, kishte mall

Dhe një ditë një Fundprilli, thane në Kosovë e ke një Varr
Është mbushur  gonxhe aromë Prilli, Trungjet Sythe, Fushat bar
           

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...