“Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, ky është thelbi i dosjes së përgatitur nga Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme i RS të Serbisë, që kishte të bënte me krerët e Kosovës. Publicisti i njohur Veton Suroi, i cili është gjithashtu i afërm i Fadil Hoxhës, ka bërë të mundur përgatitjen për shtyp të kësaj dosjeje, të përmbledhur në një libër të cilin e ka titulluar “Fadil Hoxha në vetën e parë”. Për më tej gazeta “Shekulli” boton disa fragmente nga analiza e shërbimit sekret jugosllav rreth Fadil Hoxhës... ...Meqenëse Fadil Hoxha ka ardhur në Kosmet më 1941, pas okupimit të vendit, "si nëpunës-mësues okupator, por ka qenë edhe komunist i Shqipërisë, anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, ai edhe i ka zbatuar ato qëndrime në Kosmet. E gjithë puna e tij gjatë luftës dhe pas saj është zhvilluar në linjën e PK të Shqipërisë. Ai është iniciator i formimit të Komitetit Krahinor për Kosmet në shtator 1943 dhe i ndarjes së Kosmetit në dy pjesë "në Kosovë e Dukagjin". Edhe pse KQ i PKJ-së nuk ishte pajtuar me këtë riorganizim dhe po atë organizim e kishte kritikuar, ai vazhdoi të njëjtin drejtim dhe në nëntor 1943 organizon të ashtuquajturën Mbledhje të Malësisë, kur u miratua Deklarata e Malësisë (Rezolucioni i Bujanit - V.S.), nënshkrues i parë i së cilës ishte ai. Ai i ka pasur të qarta dallimet në qëndrimet ndërmjet PKJ-së dhe PKSH-së lidhur me çështjen e Kosmetit, mirëpo ai, gjatë tërë luftës, qëndroi në linjën e PKSH-së. Lidhur me aktivitetin dhe qëndrimin e Fadil Hoxhës theksojmë edhe rrethanat e pasqaruara nën të cilat ai arrin (1941 dhe 1942) që t'u shmangej pasojave të rënda pas dy burgosjeve nga pushteti okupues. Burgosja e parë e Fadil Hoxhës ka pasuar për shkak gjoja pjesëmarrjen e tij në demonstratat e Gjakovës me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar. Për këtë, Ismet Shaqiri në "Kujtime" thekson se pas marrjes në pyetje është liruar dhe është përzënë nga Gjakova për në Hogosht, ku është dashur të vazhdonte punën e mësuesit. Burgosja e dytë ka pasuar më '42, pas atentatit të pasuksesshëm mbi Beqir Malokun, nga Fadil Hoxha e Mazllum Këpuska. Sipas të dhënave, këtë aksion Fadili e ka zhvilluar, jo sipas direktivës së Komitetit Krahinor, por me vetiniciativë, për t'i fshehur lidhjet e tij të mëparshme me Beqir Malokun.
Kalimi i kufirit
Në të vërtetë, Fadil Hoxha, qysh para luftës, me ndihmën e Beqir Malokut, atëherë agjent i Shërbimit italian të Informimit, shumë herë ka kaluar kufirin jugosllavo-shqiptar. Sipas disa të dhënave, vërtet jo mjaft të verifikuara, Beqiri (Beqir Maloku) Fadilit (Fadil Hoxhës), Hamzës (Xhevdet Hamzës), Pulës (Ymer Pulës) dhe të tjerëve, të cilët kanë shkuar për t'u shkolluar në Shqipëri, u ka dhënë para dhe i ka shfrytëzuar për nevoja të tija. Më 1941, Maloku kishte qenë në shërbim të pushtetit okupues italian në pozitën e ndihmëskomisarit të Policisë së Kuesturës në Prizren. Me rastin e atentatit janë kapur edhe Fadili, edhe Këpuska. Maloku i mbijetoi atentatit. Fadili pas 9 ditësh të kaluara në burg, nën rrethana të pasqaruara, ka arritur të ikte nga burgu, ndërkaq Këpuska është likuiduar nga karabinierët italianë dhe pjesëtarët e bandës së Ali Bokshit. Karabinieri, i cili e ka ruajtur Fadilin në burg, është vrarë në shtator 1942. Nga pozita e komandantit të Shtabit Operativ për Kosmet Fadil Hoxha është shkarkuar për shkak se në konfrontimin me forcat kundërrevolucionare ka treguar pavendosmëri të plotë. Më shumë ka qenë i gatshëm që me ballistët dhe me kryengritësit të bisedonte dhe të bënte kompromise, sesa ti qëronte hesapet me ta. Edhe ne këto ngjarje Fadili, si edhe më parë, e informonte Enver Hoxhën, gjë që do të vërtetohej vetëm në vitin 1948. I ka shkruar, por pas luftës edhe gojarisht e ka informuar se shqiptarët po vuajnë nën pushtetin e ri më keq se gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër... le të vijë kushdo qoftë, vetëm le të na hiqet nga qafa Jugosllavia..., etj. Fadil Hoxha, nga pozita e komandantit, është shkarkuar më 8 mars 1945, ndërkaq Miladin Popoviqi është vrarë vetëm pas 20 ditësh! E ka vrarë Haki Taha, mësues, i cili, sikur edhe Fadili dhe të tjerët, është shkolluar në Shqipëri.
Likuidimi i Popoviçit
Shumë nga burimet tona konfirmojnë se Fadili ka pasur njohuri se po përgatitej likuidimi i Miladin Popoviçit, mirëpo ai, për arsye të kuptueshme, nuk ka dashur të reagonte e të pengonte vrasjen e Miladinit. Likuidimi i M. Popoviçit ndodhi kur Enver Hoxha humbi çdo shpresë që nëpërmjet tij, në mënyrë paqësore, mund ta realizonte bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë. Para se të bënte vetëvrasjen, Haki Taha ka nxjerrë flamurin në të cilin me shkronja të arta ishte shkruar "Kosova e Shqipërisë, vdekje tradhtarëve". Në mënyrë të pamohueshme është vërtetuar se flamuri është punuar në shtëpinë e Ymer Pulës në Gjakovë dhe vrasja e Miladinit është organizuar me kanalin e njëjtë me të cilin është bërë tradhtia e organizuar kapja e Boro Vukmiroviqit dhe Ramiz Sadikut, të cilët ishin të vendosur kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë pas luftës, duke filluar nga korriku i vitit 1945, pas konstituimit të autonomisë së Kosmetit, pos anëtarësimit në forumet më të larta partiake, Fadili ushtron detyrën e kryetarit të Këshillit Popullor Krahinor. Nga viti 1953 deri më 1963 ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të KAKM-së. Në atë periudhë të lëvizjeve të ndërlikuara politike në Jugosllavi (Rezoluta e Byrosë Informative, presionet mbi Jugosllavinë, Kriza e Triestës, ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë etj.), për shkak të informimit të pautorizuar të Enver Hoxhës mbi “vuajtjet” e shqiptarëve në Jugosllavi, Fadil Hoxha sërish u ndodh para kritikave të Partisë. Në mënyrë të pakontestueshme është konstatuar se Fadil Hoxha, sipas marrëveshjes me Enverin, në mënyrë të vazhdueshme "nga kthimi nga Shqipëria" e ka informuar atë për të gjitha ngjarjet e rëndësishme në Kosmet. Është marrë vesh me Enverin rreth organizimit të Konferencës së Bujanit, ia ka dërguar Rezolutën e Bujanit dhe Proklamatën një muaj më herët seç i është dërguar Shtabit Kryesor të LNÇ të Jugosllavisë dhe shokut Tito, i ka shkruar për gjendjen në Lëvizje, për Kryengritjen e Drenicës, represionin mbi ballistët dhe kryengritësit, etj. Për tërë këtë është marrë vesh vetëm në vitin 1948, drejtpërdrejt para miratimit të Rezolutës së Byrosë Informative, nga Koci Xoxe, atëherë ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, i cili në Tiranë ia ka komunikuar dhe ia ka treguar raportet e Fadilit që ia ka dhënë Enver Hoxhës, Spasoje Gjakoviqit, anëtarit të delegacionit tonë, i cili zyrtarisht qëndroi në Shqipëri. Fakti që Koci Xoxe ia ka treguar këto letra dhe raporte përfaqësuesit tonë, gjithsesi ka qenë njëra nga dëshmitë vendimtare kundër Xoxes, të cilin Enveri shumë shpejt e likuidoi. Edhe pse për shkak të këtyre veprimeve i është tërhequr vërejtja dhe më 1948 është dënuar nga partia, Fadili nuk ka pësuar kurrfarë pasojash të rënda si edhe pasoja të tjera.
Gabimet politike
KQ i LKJ-së vlerësoi se Fadil Hoxha ka rënë në konflikt me qëllimet programore dhe politike të LKJ-së, se nuk ka më vend në radhët e Lidhjes së Komunistëve, e posaçërisht në radhët e KK të LK të Kosovës dhe që, në pajtim me Statutin e LKJ-së, të iniciohet procedura për përjashtimin e tij nga LK-ja. Në mbledhjen e vet të nëntë, Komiteti Qendror nxori një konkluzion të veçantë, i cili ka të bëjë me shokun Fadil Hoxha: "Lidhur me vërejtjet serioze, të cilat kohëve të fun- dit në mënyra të ndryshme u paraqitën në opinion për shokun Fadil Hoxha, Komiteti Qendror ngarkon Kryesinë që, në bashkëpunim me Kryesinë e KQ të LK të Serbisë dhe me Kryesinë e KK të LK të Kosovës, të for- mojë Grupin punues i cili do t'i konstatojë të gjitha fak- tet qenësore dhe do t'i raportojë Komitetit Qendror. Qëllimi i këtij sqarimi është që të konstatohet e vërteta dhe shoku Fadil Hoxha të mbrohet, nëse faktet e thonë të kundërtën nga ato që thonë akuzat, përkatësisht që ndaj tij të merren masa përgjegjësie, nëse ato konfirmohen".
Fadil Hoxha në listën e zezë të sigurimit jugosllav
Duke bërë analizën e duke vëzhguar ngjarjet kundërrevolucionare nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar në KSA të Kosovës dhe më gjerë, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror ka arritur te të dhënat dhe njohuritë, të cilat çojnë në faktet se në prapavijë të aksioneve të shumta të pasluftës të nacionalistëve e të irredentistëve shqiptarë, posaçërisht pas aktiviteteve të fshehta armiqësore nga këto pozita, qëndron grupi i kuadrove më të larta të kombësisë shqiptare, madje ai grup i cili vazhdimisht, para dhe pas luftës, është kthyer nga Shqipëria dhe i është bashkuar LNÇ-së në Kosovë. Te këto njohuri, përkatësisht të dhëna, të cilat çojnë në konstatimin në kuptimin e sipërpërmendur, është arritur posaçërisht me analizën plotësuese të disa ngjarjeve historike, siç janë: vrasja e Boro Vukmiroviqit, e Ramiz Sadikut dhe të tjerëve, “p.sh, ngjarjet lidhur me të ashtuquajturën Konferencë e Bujanit, qëndrimi i një pjese të udhëheqjes në Kosovë gjatë LNÇ ndaj udhëheqjes së LNÇ të Jugosllavisë, etj. dhe vëzhgimi i ngjarjeve të tjera lidhur me aktivitetin armiqësor nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, p.sh, mënyra e zgjidhjes së çështjeve të kuadrove pas disa aksioneve kundërrevolucionare, qëndrimi ndaj intelektualëve shqiptarë të involvuar në ngjarjet armiqësore, qëndrimi ndaj Shqipërisë, qëndrimi ndaj kombeve serbe dhe malazeze në Kosovë”, gjithashtu çojnë në konkluzionin se, pas të gjitha ngjarjeve, qëndron grupi me ndikim i personave, të cilët, në mënyrë të fshehur, i bëjnë veprimet në dobi të irredentës, ndërkaq publikisht pak a shumë i dënojnë ato. Puna në shkoqitjen e aktiviteteve të përbërjes së platformës e të ngjashme të grupeve ilegale, të cilat janë paraqitur si organizatore të drejtpërdrejta të disa aksioneve armiqësore në Kosovë dhe më gjerë, gjithmonë është udhëhequr në atë mënyrë që nuk bënte të mundshme një analizë të gjerë të prapavijës së organizimit ilegal. Ilegalja do ishte ndërprerë, aktivistët e njohur do ishin nxjerrë para gjyqit e kështu do të kishte përfunduar puna, edhe pse disponoheshin të dhëna dhe indicie që analiza e gjerë e organizimit ilegal nga pozitat e nacionalizmit dhe e irredentizmit shqiptar, hidhte më shumë dritë pikërisht në bërthamën e udhëheqjes kosovare të kombësisë shqiptare, për të cilën po flasim në material. Vendosëm t'i prezantojmë këto konkluzione, se kanë të bëjnë me një pjesë të punëtorëve të afirmuar shoqëroro-politikë të shqiptarëve në KSAK, për shkak të rëndësisë së, fakteve që ngjarjet armiqësore në Kosovë kanë vazhdimësinë e vet dhe për shkak të obligimit ligjor për t'iu kundërvënë çdo aktiviteti armiqësor të drejtuar në rrezikimin e sigurisë së RSFJ-së.
Fadili dënohet nga partia si nacionalist
Sipas deklaratave nga shumë burime, Fadili nga partia është dënuar edhe më 1956 për shkak të paraqitjeve të tij nga pozitat nacionaliste lidhur me aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë. Pas Plenumit IV, në të cilin u dënuan deformimit në shoqëri lidhur me keqpërdorimet në organet e punëve të brendshme, si në Kosovë, ashtu edhe në Jugosllavi në tërësi, Fadili edhe më haptazi "sulmoi aksionin e grumbullimit të armëve, duke theksuar se aksioni ka qenë "formë më drastike e presioneve mbi popullin shqiptar në Kosovë". Plenumi dhe dënimi i deformimeve, nga ana e Fadilit dhe e të tjerëve, është shfrytëzuar edhe si nxitje e zhvillimit dhe e euforisë së romantizmit nacional shqiptar, përkatësisht e përhapjes së nacionalizmit dhe të irredentizmit. Gabimet e mëparshme të posaçme dhe keqpërdorimet, të cilat janë konstatuar dhe dënuar, përgjithësohen dhe shfrytëzohen për krijimin e kushteve për zhvillimin e nacionalizmit dhe të irredentizmit, si edhe për majorizimin e tërësishëm të shqiptarëve në Kosovë. Ndryshe, aksioni i grumbullimit të armëve ishte i arsyeshëm dhe i ndërmarrë për shkak të të dhënave që ALOS-i po përgatiste organizimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, në mënyrë që të bëhej realizimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Gjatë aksionit janë gjetur 11.522 pushkë, 10.004 revole, 4.400 bomba, 434 automatikë, 260 pushkomitralozë, 53 mitralozë, etj. etj. Pas viti 1966, posaçërisht pas vitit 1968, kur tërësisht i forcoi pozitat, u çlirua "siç thekson" "nga tutoria" e kuadrove serbe dhe malazeze, Fadil Hoxha u bë lider i vërtetë i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar
“Kosova republikë”
Nga viti 1968 e tutje, në Kosovë është e dukshme vazhdimësia e përpjekjeve "të të gjitha forcave" të shqiptarëve për pavarësinë më të madhe të Krahinës; atëherë lëshohet në qarkullim parulla "Kosova republikë" e ndërmerren aksione të tjera "të shkathta". Nga fundi i po këtij viti janë organizuar demonstrata masive, etj. Për atë periudhë ekzistojnë konstatimet e individëve që parulla "Kosova republikë" është hedhur nga ana e udhëheqjes politike të Krahinës, përkatësisht nga vetë Fadil Hoxha, dhe është lëshuar nëpërmjet individëve me orientime nacionaliste, të cilët pastaj e përhapën, ndërkaq armiku në Kosovë "e pranoi" krahëhapur. Si moment i rëndësishëm vendimtar, i cili i parapriu hedhjes së pagdhendur të kësaj parulle, zhvillohen të ashtuquajturat debate kushtetuese gjatë vitit 1968 në kuadër të Komisionit Statutar të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, në të cilat fjalën kryesore e ka pasur Fadil Hoxha. Çështjet më kontestuese rreth të cilave në shumë mbledhje të këtij Komisioni janë thyer heshtat, kanë qenë çështjet e pjesëmarrjes së delegatëve nga Kosova në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ, pastaj rreth çështjes së flamurit kosovar (shqiptar), formulimeve në statutin e ardhshëm të Kosovës, "çështjes së vetëvendosjes deri në shkëputje, e të ngjashme.
Idetë shqiptaromëdha
Demonstratat e vitit 1968, e prapavija e tyre, është analizuar zyrtarisht, mirëpo, pos dënimit deklarativ të tyre më shumë nuk është bërë. Në vend që të merreshin masa të gjera që gatishmëria dhe idetë shqiptaromëdha të mos përhapeshin te rinia, ndodhën procese të kundërta. Kuadrot në arsim, duke filluar nga mësuesit e deri te profesorët universitarë, u bënë faktori më i fuqishëm i përhapjes së qëndrimit nacionalist. Ideja "Kosova republikë" është mbjellë në shtresat më të gjera të popullatës. Lidhur me aksionet e fundit (1981-1982) të nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë, personaliteti i Fadilit drejtpërdrejt lidhet me ta, mirëpo, theksohet se ai, me të gjitha ngjarjet në Kosovë, për çdo ditë, nëpërmjet njerëzve të tij të politikës, ka qenë i njohur, posaçërisht nëpërmjet njerëzve të institucioneve arsimorekulturore dhe shkencore. Përgjegjësi të posaçme Fadil Hoxha mban për paraqitjen e vazhdueshme joobjektive dhe të pasaktë të gjendjes në KSA të Kosovës për çështjet themelore, strategjike, të marrëdhënieve me RPSSh-në, shpërnguljen e popullatës joshqiptaje, për të cilën gjë, sipas funksionit të tij, i ka informuar udhëheqjet kompetente në Federatë dhe Republikë. Rreziqet e pranishme objektive, aksionet armiqësore, paraqitjet e të ngjashme, janë minimizuar në atë mënyrë që është paraqitur një situatë e rreme mbi gjendjen e tërësishme të sigurisë e të politikës në Kosovë.
No comments:
Post a Comment