2015-09-04

Miladin Popoviqi e grisi marrëveshjen e Mukjes dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë



Në studion e emisionit “Jamais Vu”, përballë gazetarit Mustafa Nano i ftuar ishte shkrimtari, historiani dhe studiuesi Uran Butka.

Nano kishte zgjedhur të fillonte emisionin me një insert ku shfaqeshin pamjet e kosovarëve që hipnin në autobusë për t’u larguar nga vendi. Në parantezë të kësaj pamje, Butka tha se një gjë e tillë shqetëson çdo shqiptar.
image
Foto e parë që hapi bisedën në studio, kishte të fokusuar tri vajza partizane. Duke iu referuar kësaj pamje, Butka tha: “Nuk ishte rastësi që mjaft vajza shqiptare morën pjesë në Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishte ideali i lirisë. Ishte koha kur idetë komuniste u përqafuan gjerësisht prej tyre, por mandej kur ato panë thelbin antinjerëzor të komunizmit, u larguan. Shumë femra u sakrifikuan gjatë luftës, por dhe më pas kaluan në gijotinë. Liri Gega u pushkatua kur ishte shtatzënë. Drita Kosturi ishte ndër të parat e Lëvizjes, por e futën në elektroshok. Por, dhe Liri Belishova e Ramize Gjebreja përfunduan po aq keq. Ishte ideali i bukur i lirisë dhe dashurisë, por Ramizeja humbi jetën për faktin se dashuronte Zaho Kokën. Edhe qindra femra të tjera u burgosën dhe u internuan pas çlirimit”.

Ndërkohë, moderatori i emisionit pyet: Pse nuk ka pasur vajza në radhët e Ballit Kombëtar?

Butka tha se kjo shpjegohet me masivizimin që pati Lufta Nacionalçlirimtare.

“Balli, Legaliteti dhe Nacionalistët ishin më konservatorë. Mitat Frashëri, edhe pse ishte liberal, i shkolluar në Perëndim, si njeri paqësor që ishte nuk e shihte femrën si një luftëtare për të vrarë”.

I pyetur se çfarë qëndrimi mbante ai ndaj këtyre luftëtareve, Butka u përgjigj: “Padyshim unë i nderoj dëshmorët. Por kjo nuk më ndalon të them që lufta e cila filloi kundër pushtimit u kthye në një luftë për pushtet”!

Pas kësaj u transmetua një fragment interviste ku historiani Kristo Frashëri, duke folur për marrëveshjen e Mukjes, tha se atë e prishi Balli Kombëtar me megalomaninë dhe interesin e saj. Butka tha se ai e respektonte punën e këtij historiani, porse në këtë rast gabon sepse i bën çështjes të njëjtin trajtim që i bëri Enver Hoxha dhe historiografia komuniste.

“Mukja është një nga ngjarjet më madhore të historisë së kombit. Aty u bashkuan të dy krahët e politikës dhe të luftës. Ishte Italia fashiste, por në Shqipëri po vinte dhe Gjermania naziste. Duhej të bashkoheshin të gjitha forcat që t’i bënin ballë. Ishte nisma e PKSH-së që kërkoi bashkimin. Por, kishte dhe presion nga aleatët që shqiptarët të luftonin bashkë. Në Mukje u morën vendime të rëndësishme. Ishte një program model, dhe për sot. Këtë marrëveshje prishi Partia Komuniste. Miladin Popoviqi e grisi marrëveshjen dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë, sepse nuk ishte në interesin e tyre”.

Foto e radhës kishte të fokusuar një burrë duke qarë. Duke interpretuar këtë foto, Butka tha se ka momente kur edhe burrat qajnë.

“Kam qarë për humbjen e nënës time. Por, i përçmoj burrat qaramanë, ata që ankohen dhe që duan të nxjerrin përfitime nga lotët. Në këtë drejtim kam qenë i fortë dhe pse kam vuajtur shumë. Vuajtja të shkatërron kur nuk e përballon dot. Por, kur e përballon, siç kam bërë unë, ajo kthehet në një pasuri të madhe”.

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...