Kopi Kyçyku
Më 17 korrik 1998 u adoptua Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjNH), që hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Ky institucion u vesh me kompetenca të plota për të gjykuar fajtorë për shkelje të rënda të së Drejtës Ndërkombëtare dhe pikërisht gjenocidin, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e agresionit. Selia e GjNH-së u vendos në kryeqytetin e Holandës, Hagë, e njohur për traditat e pasura juridike në shkallë ndërkombëtare. Aty ndodhet edhe selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara, si dhe e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, krahas shumë institucionesh të tjera ndërkombëtare. GjNH-ja ka lidhje me OKB-në, me shtetet – palë të Statutit dhe me shtetet e treta.
Luftërat jugosllave janë përshkruar si konflikte etnike ndërmjet qytetarëve të ish-Jugosllavisë, veçanërisht midis serbëve, nga njëra anë, dhe kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve, nga ana tjetër. Gjithashtu ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe midis maqedonasve e shqiptarëve të Maqedonisë. Luftërat jugosllave mund të ndahen në dy grupe:
A) Luftrat e shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë: 1. Lufta e Sllovenisë (Lufta dhjetëditëshe, 1991), 2. Lufta e Kroacisë për Pavarësi (1991-1995), 3. Lufta e Bosnjës (1992-1995) – Bombardimi i NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë (1995).
B) Luftërat në zonat e banuara nga shqiptarët: 1. Lufta e Kosovës (1998-1999) – Bombardimi i NATO-s në RFS. të Jugosllavisë (1999), 2. Konflikti në Sërbinë Jugore (2000-2001), 3. Konflikti i Maqedonisë (2001).
Duke filluar nga viti 1991, hapësira e Jugosllavisë u bë teatri i një sërë konfliktesh etnike që çuan në thërrmimin e saj. Konflikti i parë zuri fill me shpalljen e Pavarësisë së Sllovenisë, më 25 qershor 1991, dhe njihet si Lufta Dhjetëditëshe (qershor-korrik 1991). Pas një sërë përplasjesh të dhunshme ndërmjet Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe forcave të policisë sllovene, të përkrahura nga popullsia civile, u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Brionit. Sipas këtij dokumenti, Jugosllavia detyrohej të tërhiqte ushtrinë (çka u krye më 26 tetor 1991) dhe të njihte Pavarësinë e Sllovenisë. Kjo u shkëput plotësisht nga Jugosllavia, si shtet i pavarur. Pas një viti, më 22 maj 1992, Sllovenia u bë anëtare e OKB-së, ndërsa më 1 maj 2004 u bë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian. Një tjetër konflikt (1991-1995) shpërtheu për shkak të Shpalljes së Pavarësisë së Kroacisë. Në fillim asaj iu kundërvu Ushtria Popullore Jugosllave, ndërsa pas saj edhe pakica serbe e Kroacisë (rreth 12 %), që u shkëput përmes vetëshpalljes republikë brenda territorit kroat (Republika Serbe e Krajnës). Një muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kroacisë, më 21 qershor 1991, njëherazi me përfundimin e luftës në Slloveni, trupat jugosllave filluan luftën kundër kroatëve. Ndërhyrja e trupave të OKB-së, në janar 1992, çoi në pushimin e zjarrit dhe tërheqjen e trupave sërbe nga Bosnjë-Hercegovina. Pavarësia e Kroacisë u njoh nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian më 15 janar 1992, ndërsa më 22 maj të atij viti Kroacia u bë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Konflikti i armatosur i Kroacisë vazhdoi, por me intensitet më të ulët, tanimë ndërmjet trupave kroate dhe atyre të Republikës së vetëshpallur Serbe të Krajnës (RSK), të mbështetur nga Beogradi. Në mars 1994, me pëlqimin e autoriteteve të Krajnës pati një pushim të zjarrit, me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara. Në maj 1995 lufta shpërtheu shumë më dhunshëm; forcat kroate pushtuan krejt territorin e RSK-së (që mbeti pa përkrahjen e ushtrisë sërbe), me përjashtim të një zone në kufi me Serbinë. Paqja u shpall pas bisedimeve të Dejtonit (SHBA) dhe u nënshkrua në Paris në dhjetor 1995. Lufta e Bosnjës (1992-1995) vuri përballë luftëtarëve boshnjakë (të cilët në fazën e parë ishin aleatë të kroatëve), si ushtrinë popullore serbe, ashtu edhe forcat e republikës së vetëshpalluar kroate “Bashkësia Kroate Herceg-Bosnja”, e mbështetur nga ushtria kroate.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Sllovenisë e të Kroacisë, i erdhi radha Bosnjës të vepronte njëlloj, më 5 prill 1992, dhe të pranohej në OKB në maj 1992. Më 7 prill 1992 serbët-boshnjakë patën shpallur Pavarësinë në kuadrin e Republikës Serbska, e pavarur, por e panjohur si e tillë. Në të njëjtën gjendje ishin edhe kroatët e Bosnjës, të cilët më 1991 patën krijuar Bashkësinë Kroate Herceg-Bosnja. Qëllimi i serbëve-boshnjakë për të pushtuar sa më shumë territore të Bosnjës, si vazhdime të territorit të pushtuar nga serbët e Kroacisë, acaroi konfliktin.
Në fundvitin 1992, si rrjedhojë e një procesi të dhunshëm spastrimi etnik e dëbimit të popullsive myslimane dhe kroate, në sfondin e përleshjeve të armatosura ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve nga ana tjetër, Republika Serbska pushtoi mbi 70% të territorit të Bosnjës. OKB-ja vendosi të dërgonte në Bosnjë forca të ruajtjes së paqes (UNPROFOR), por me një mandat të kufizuar, me synim ndaljen e barbarizmave midis palëve ndërluftuese.
Viti 1993 përbën momentin kulmor të luftës në Bosnjë, sepse aleanca fillestare boshnjako-kroate u prish, duke u pasuar nga një sërë përplasjesh të armatosura. Në Bosnjën Qendrore konflikti kroato-bonjak shënoi shkallën më të lartë. Ai u shtri edhe në Hercegovinën Perëndimore. Me këtë rast u krijua një aleancë e re kundër myslimanëve. Në rrethimin e qytetit Sarajevë (me shumicë myslimane) morën pjesë luftëtarë serbë dhe kroatë. Në konfliktin e Bosnjës Qendrore, luftëtarëve myslimanë boshnjakë iu erdhën në ndihmë edhe muxhahidinë nga jashtë (whttp://www.scribd.com/doc/46665498). Shqetësimi ndërkombëtar në rritje u konkretizua në fund të vitit 1993 me planet për paqe të Vens-Ouen dhe Shtoltenberg-Ouen, që parashikonin ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës në njësi territoriale për secilin grup etnik (mysliman, sërb edhe kroat). Këto plane u pranuan nga qeveria e Sarajevës, por jo edhe nga Parlamenti i Republika Sërbska. Ushtria e kësaj të fundit rifilloi mësymjen 1995 dhe pushtoi territoret e Srebrenicës e të Zepës. Në qytetin e Srebrenicës forcat e armatosura dhe paramilitare të serbëve vranë 7000 myslimanë, çka GjNH-ja e quajti gjenocid. Në përgjigje të kësaj mësymjeje gjakatare, Bosnja, me përkrahjen e NATO-s, filloi një ofensivë në territoret e pushtuara nga serbët në Kroaci dhe në Bosnjë. Ajo u ndërpre vetëm pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës u drejtuan një ultimatum të gjitha palëve ndërluftuese. Më 1 nëntor 1995 u vendos pushimi i zjarrit dhe filluan bisedimet për paqe në bazën ushtarake të Dejtonit (Ohajo, SHBA). Marrëveshja e Paqes u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995 nga presidentët e Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Lufta në Kosovë pati dy përbërëse: nga njëra anë konflikti ndërmjet serbëve, të mbështetur nga forcat e sigurisë jugosllave, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1996-1999), ndërsa nga ana tjetër konflikti midis Jugosllavisë dhe NATO-s (mars-qershor 1999).
Në Kosovë, tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve kanë qenë të hershme, të paktën qysh në fillimshekullin XX. Në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, shqiptarët që përbënin shumicën absolute, iu nënshtruan një vale të re represionesh. Kundërpërgjigjja ishte kërkesa për pavarësi të plotë.
Më 1992 shqiptarët zgjodhën një parlament të tyrin, duke bojkotuar zgjedhjet serbe. Përplasjet e armatosura ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe milicisë sërbe u shtuan sidomos pas vitit1996 dhe vazhduan deri në shkurt 1998 kur Presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviç dërgoi trupa në Kosovë për të mbytur në gjak aspiratën e shqiptarëve për një shtet të pavarur. Masakrat mesjetare të kryera me urdhër të kasapit të Ballkanit, përfshi dëbimin me forcë të qindramijra shqiptarëve nga vatrat stërgjyshore, e detyruan Perëndimin të mbajë qëndrim aktiv. Në qershor 1999, trupat e NATO-s u futën në Kosovë, bombarduan Serbinë dhe i dhanë mundësi UÇK-së, të mbështetur nga mbarë populli shqiptar i Kosovës, të flakte tej zgjedhën serbe.
Egërsia e trupave serbe, e ushtruar jo vetëm ndaj një populli josllav, pra ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj popujve sllavë të ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ), pra, diktoi domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Në krahasim me kompetencat e gjykatave ushtarake ndërkombëtare të Nurenbergut e të Tokios, që u kufizuan vetëm në dhunimet e rënda të së Drejtës së Gjenevës, kompetencat e Gjykatës së Hagës shtrihen edhe në të Drejtën e Hagës, madje shkojnë edhe më tej, por nuk merren me krimet kundër paqes, si në rastin e Gjykatës së Nyrembergut.
Përsa i përket kategorisë së shkeljeve të rënda të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, GjNH ka kompetenca të ndjekë personat që kanë kryer ose kanë urdhëruar të kryhen krime të rënda të konventave të lartpërmendura, pra akte kundër personave ose të mirave materiale që mbrohen sipas dispozitave përkatëse. Këtu hyjnë vrasjet me qëllim, torturat ose trajtimet çnjerëzore, veçanërisht eksperimentet biologjike, veprimet që shkaktojnë me paramendim vuajtje të mëdha ose dëmtime të rënda fizike dhe të shëndetit, shkatërrimi dhe përvetësimi i pasurive pa u përligjur nga nevoja ushtarake, të ndërmarra në shkallë të gjerë, në mënyrë arbitrare; detyrimi i një robi lufte apo civili që të shërbejë në forcat ushtarake të armikut; heqja e së drejtës së një robi lufte apo civili për t’u gjykuar në mënyrë të rregullt dhe të paanshme; marrja peng e civilëve etj. Neni 3 i Statutit të GjNH-së ndalon përdorimin e lëndëve helmuese dhe e mjeteve të tjera që shkaktojnë vuajtje, shkatërrimin me paramendim të vendbanimeve; dëmtimin e institucioneve fetare, arsimore, kulturore, shkencore, monumenteve historike dhe veprave të artit, plaçkitjen e pronës publike dhe private. Përsa i përket gjenocidit, në Statutin e GJNH-së saktësohet se kjo e fundit ka kompetencë të ndjekë ata që kanë kryer akte që synojnë të shkatërrojnë, tërësisht apo pjesërisht, një bashkësi kombëtare etnike, raciale ose fetare; transferimin me forcë të fëmijëve nga një bashkësi në tjetrën etj. Për ish-Jugosllavinë, GJNH-ja zbaton normat e së drejtës ndërkombëtare të njeriut. Procedura e GJNH-së është e hapur dhe neni 21 i Statutit të saj i njeh të pandehurit të gjitha garancitë juridike që parashikon Pakti i të drejtave civile dhe politike të vitit 1966. Vendimet e marra nga Dhomat e Instancës së parë të GjNH-së i nënshtrohen Dhomës së Apelit të GjNH-së, me kërkesë të prokurorit ose të të pandehurit. Kjo mund të konfirmojë apo të rishikojë vendimin e Dhomave të Instancës së Parë (neni 25). Statuti nuk parashikon dënime me vdekje, por vetëm me burgim dhe me kthimin nga të dënuarit të pasurive që kanë përvehtësuar në rrugë të paligjshme (neni 24). Dënimi me burg zbatohet në një shtet anëtar të OKB-së, që e përcakton GjNH-ja (neni 28). Theksojmë se, në përputhje me parimin e së drejtës penale “non bis in idem”, personi që mund të dalë i pafajshëm nga GjNH-ja nuk mund të gjykohet për të njëjtat veprime nga gjykatat kombëtare.
Sipas një deklarate të dhënë më 28 maj 2012 nga Kryetari i GjNH-së, Theodor Meron, “qysh nga momenti i krijimit të saj, më 1993, GjNH-ja ka akuzuar zyrtarisht 161 vetë. Në 126 raste janë shpallur vendimet, ndërsa për 36 të tjera vazhdojnë hetimet…”.
Më të rëndat ishin akuzat kundër ish-Presidentit serb Sllobodan Millosheviç. Gjatë më shumë se një dekade u kryen krime të përbindshme, nuk u respektuan të drejtat dhe liritë njerëzore, u shkelën normat dhe standardet ndërkombëtare. Millosheviçi u akuzua se ndërmori masakra në Kosovë më 1999, në Kroaci në vitet 1991-1992 dhe në Bosnjë në periudhën 1992-1995. Këto ishin objekt i procesit që filloi më 12 shkurt 2002. I arrestuar më 1 prill 2001 në Beograd, Millosheviçi iu dorëzua GjNH-së më 29 qershor të po atij viti. Në gjyq doli e qartë se në periudhën 1 janar – 20 qershor 1999 forcat e armatosura të FRI (Forca e Shpejtë e Hetimit) dhe të Serbisë, me nxitjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë të Millosheviçit, ndërmorën një fushatë terrori e dhune mbi banorët e Kosovës. Operacionet “ndëshkimore” synonin dëbimin nga Kosov të një numri sa më të madh shqiptarësh, për të siguruar kontrollin serb në atë krahinë. Afro një milion civilë shqiptarë u shpërngulën me forcë, ua shkatërruan shtëpitë dhe ua bombarduan fshatrat. Gjatë deportimit nuk ishin të pakët ata që vdiqën, u keqtrajtuan dhe ua morën dokumentet e identitetit. Procesi i gjykimit të Millosheviçit filloi më 12 shkurt 2002 dhe vazhduan me seanca të shumta, me pyetje dhe paraqitje provash të panumërta materiale. Millosheviçi bëri figurë të keqe edhe me kërcënimet verbale që u bënte dëshmitarëve, një prej të cilëve ishte Halil Morina, bujk kosovar, i cili foli për inkursionin shkretues të forcave serbe në fshatin e tij, më 27 mars 1999, kur ushtarët që u vunë zjarrin të gjitha shtëpive, dogjën të gjallë një grua të paralizuar dhe shkatërruan xhaminë lokalitetit Landovicë.
Pas shumë ndërprerjesh për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore të Millosheviçit, “procesi i shekullit” po hynte në fazën përfundimtare më 11 mars 2006, kur i lartpërmenduri vdiq.
Vazhdoi gjykimi i kriminelëve të tjerë, ndër të cilët nxijnë emrat e Mlladiçit dhe Karaxhiçit. Vlen të vëmë në dukje se krejt veprimtaria e dendur dhe e përgjegjshme e GjNH-së, e ngriti në shkallën më të lartë vëmendjen e shteteve ndaj të drejtave të njeriut dhe u dha shtysë legjislacioneve kombëtare në kontekstin e bashkëpunimit ndërshtetëror kundër kriminalitetit e ndëshkimit të fajtorëve.
Të ngjashme
No comments:
Post a Comment