Nga Fatbardh Rustemi
Shkak i këtij shkrimi u bë një e-mail, ardhur përtej oqeanit, nga një femër klasi: në dukje mondane, por, me një thjeshtësi prekëse, e sapokthyer nga një pritje ceremoniale: e dominuar prej bosësh dhe autoritetesh të rangut të lartë, ku e ftuara në fjalë, kishte rastin të mburrej, shih ku kam qenë, fotot mund t’i hidhte dhe në Facebook apo instagram, si e si t’i ngrinte pazarin vetes, sallon mondan tek e fundit, por, sikur ajo të kthehej nga një panair kotësie, më shkruante: “aty pashë shakanë më të madhe të botës, që, dëmton botën.” I dukshëm zhgënjimi i saj prej një madhështie false, me plot volum, ku mungon tharmi, sikurse ndodh me shumë produkte të sotme, të cilat shtojnë në peshë, por, humbasin në shije. Ky mesazh vinte nga bota e lirë: ku vlera e individit nuk matet nga sasia e parasë apo nga rangu i postit. Atje ku presidenti ndjehet i nderuar, kur takon artistin, pasi sa herë ka nevojë për imazh, kërkon ndihmën e Hollivudit dhe jo sikundër tek ne: ku artisti ngazëllehet, kur shfaqet në ekrane pranë një titullari. “I vetmi ndikim që fitoi pushtet në Anglinë e Re (Amerikë) ishte ai i intelektit”(Aleksi de Tokëvil “Demokracia në Amerikë” f. 27.) Sigurisht, një femër klasi e ka luksin e intelektit, dhe të tilla mund të rendisja sa të doni, që e shpalosin talentin e tyre në skena prestigjioze, plot sharm. Pikërisht ky e-mail më shtyu të kujtoja testamentin e Atuotërit, republikanit amerikan, i cili, u bë i famshëm për taktikat e tij të egra elektorale, i denjë për t’u perifrazuar me këto fjalë: përfaqësonte të keqen e pamëshirshme, që rrjedh nga pasuria. Në Shqipërinë tonë ky model ndeshet kudo me pashpirtësinë dhe fodullëkun, që të ngjallin krupë, sidomos kur marrin pozën e engjëllit mbrojtës. Pikërisht, ky i dorës së hekurt e lëshon veten përunjësisht në këtë rrëfim rënqethës, që, sigurisht i drejtohet sërës së vet, të ngjashmëve të tij, por që i kalon caqet e njeriut të dorëzuar para vdekjes, duke marrë kështu dimensionet e një thirrjeje për shpëtim. Do të shihni se ç’lidhje organike kanë mes tyre: email-i dhe testamenti, ku të rëndësishmit e kësaj bote nuk janë ata, që imponohen, por të tillët që pranohen:
“Shumë kohë para se të sëmuresha prej kancerit, ndjeja se diçka lëvizte në shoqërinë amerikane. Njerëzit e këtij vendi, njëlloj: republikanë dhe demokratë kishin idenë se diçka mungonte në jetën e tyre, diçka e rëndësishme… Asokohe nuk isha krejtësisht i sigurt se çfarë ishte kjo. Sëmundja më ndihmoi ta kuptoj se ajo që i mungonte shoqërisë amerikane ishte ajo që më mungonte mua brenda vetes: pak dhembshuri, ndjenja e vëllazërimit. Njeridashja. Në vitet tetëdhjetë flitej për të fituar: për të fituar pasuri, pushtet, prestigj. Unë fitova më shumë pasuri, pushtet dhe prestigj se shumëkush. Por, ju mund të fitoni gjithçka që doni dhe prapëseprapë të ndiheni bosh. Çfarë pushteti nuk do të kisha falur për pak më shumë kohë me familjen time! Çfarë çmimi nuk do të paguaja për të kaluar një mbrëmje me miqtë e mi! U desh kjo sëmundje vdekjeprurëse që të ballafaqohesha me këtë të vërtetë. Është një e vërtetë që vendi, i ngërthyer në darën e ambicieve të tij të pamëshirshme dhe të kalbëzimit moral, mund ta mësojë nga gjendja ime.”
Ky testament është përmendur nga Hillari Klinton në librin e saj me kujtime “Historia e jetës sime”, e cila indirekt krijon një dakortësi me shqiptaren tonë të fisme. Thonë se zgavrat e tokës krijojnë tërmete, por, ç’mund të pritet prej këtij boshi, që manifestohet së shumti, atje ku duket se janë arritur majat dhe paraja e madhe duket se ka blerë gjithçka? Përherë butaforitë e një madhështie të rreme fshehin gërmadhat, që, sado të lavdishme të kenë qenë në të shkuarën, në to nuk banojnë njerëz. I jam referuar dhe më parë poezisë “Hakërrima”, por, këtë radhë, dua të vë në dukje paradoksin e saj: pasi pushtetari që anatemohet dhe poeti që rebelohet janë tek i njëjti person. I bie, sikur Ali Asllani, prefekt dhe kryetar bashkie për një kohë të gjatë, të ankohet nga vetja. (Sikur e-mail-in dhe testamentin ta shkruante i njëjti njeri?!) Ky fakt, është dhe një vlerë e shtuar për autorin e saj, i reklamuar fillimisht, si poetë lirikë. Por që me popullaritetin e kësaj poezie, sikurse i ngjau dhe Vaso Pashës me “O moj Shqypni”, Ali Asllani njihet veçse si poet rebel. Nuk u ka shkuar në mend bobozarëve, prite ta thonë: Me dashuriçka qenka marrë mavria?! Pse s’thoni që qenka qejfli femrash?! Në mos ka kërkuar favore seksuale në këmbim të vendit të punës! E paskemi mbajtur kot si burrë të mirë! Madhështia e tij qëndron pikërisht, që ishte mes llumit dhe nuk u përlye prej tij! E rrallë, por e vërtetë! Ndaj poeti hedh mesazhe dritë dhe, nuk i lind nevoja të lërë një testament, si i ndjeri Atuotëri. Për të tillët, nuk ka rëndësi fare krahu politikë, posti, besimi, ç’kohe i përkasin, pasi e gjithë fuqia e tyre qëndron tek shpirti, sikurse tek ajo femër klasi, që nisi email-in nga përtej oqeanit. Po këtë shpjegim do të jepnim dhe për Fishtën, autorin e “Gomarit të Babatasit”. Të njëjtën gjë mund të thoshim dhe për Dritero Agollin autorin e librit të famshëm “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, etj, etj…
Mjafton një gjë, që të kujtohet një tjetër dhe ky zinxhir përngjasimesh vazhdon gjatë, por që të mos e lodhim lexuesin më rrëfime pa lidhje, të tipit: “Pranë oxhakut rri Hasani, pi duhan dhe mendon”, po i referohem librit të Ogyst Bajit “Perandoria e Bizantit” f.79:”Monarku i arrestuar nga vartësit e vet, u mbyll në një sallë të pallatit të tij, në mes të një grumbulli ari, xhevahiresh e objektesh të çmuara. “Ngopu tani, i thanë, me atë që ke dashur më shumë se gjithçka!” Dhe i burgosur në mes të pasurive të tij, monarku i përmbysur vdiq ngadalë nga uria e nga etja.” Ndërsa një murg gjerman, i cili jetonte i vetëm në një kështjellë buzë lumit Rihn, një mrekulli e zhvillimit moderne e themeluar së pari nga piktorë e poetë, mbante në bodrumet e fshehta sasira të mëdha drithi, kur populli vdiste urie. Fundi i tij ishte i lemerishëm: përfundoi i shqyer nga minjtë. Sigurisht që, makutët e kohës sonë, nuk tremben nga këto historira, që po i përdorim sikur tragjedianët grekë i shfaqnin krimet në skenë, që shoqëria të bënte vetëpastrimin, katarsisin. Makutët e kohës sonë nuk preken, nuk tuten, nuk ndalen para asgjëje, ata dhe qejfet i bëjnë si hamshorë. Lartësinë e tyre, ku ta gjeje ta masnin me hijen e mëngjesit, por veçse me uljen dhe poshtërimin e tjetrit, pra: ulu mal të dali hëna. Ata luajnë me pavdekësinë duke shkaktuar vdekjen e të tjerëve, duke gënjyer veten se nuk u vjen radha kurrë. Është pak t’u thuash cinik, pasi mizoria e pafre i bën të frikshëm: ngaqë janë të trembur, dhe fajin e egërsimit të tyre e gjejnë tek mosbindja e të tjerëve. Ndaj bëjnë të fortin, duke i gënjyer mendja se kështu bëhen të paprekshëm, kur veçse shpejtojnë fundin e zgërlaqur. Për ata që kanë vesh dhe dinë të shohin, po i citoj këtë pasazh nga libri “Demokracia në Amerikë” të Aleksi de Tokëvil, f. 70: “Në kohën e sotme klasat më të pasura të shoqërisë nuk kanë ndikim në punët e politikës dhe pasuria nuk përbën ndonjë kusht për të patur ndonjë të drejtë, është më shumë një shkak urrejtje se sa mjet për të arritur në pushtet” (Aleksi de Tokëvil “Demokracia në Amerikë” f.70) E gjithë historia e njerëzimit nuk është gjë tjetër, veçse lufta e pareshtur e popullit për t’i marrë pushtetin atyre që i kanë hipur mbi zverk, me gijotinën që priste koka mbretërish, ajo arriti kulmin. Këtë akt makabër e bëri borgjezia, e cila për të mos patur të njëjtin fat, bëri këtë zgjidhje: “Të pasurit meqë e panë se ishte e pamundur të merrej pushteti nga duart e popullit, të cilët nuk e urrenin aq sa për t’i dalë përballë, i vunë vetes për qëllim të vetëm të siguronin dashamirësinë e tij me çdo kusht.” (Aleksi de Tokëvil “Demokracia në Amerikë” f.23) Ndaj kthejani bashkitë qytetarëve dhe bëhuni me human! Shkërmoqeni despotizmin, prepotencën, fodullëkun e pushtetarit me shpirtin lirikë të Ali Asllanit! Meqë jeni në kërkim të modelit: ja tek e keni, përndryshe, le t’ua thotë Saliu më mirë!