A jemi një?
Në fillim u mendua se ishte një gabim, më pas u ndjemë të hutuar dhe tash në fund një dëshpërim krejt i natyrshëm po përhapet me shpejtësi pas lajmit të pabesueshëm se ish-kryeministri i Kosoves, kryetar i një partie parlamentare AAK-së, i akuzuar dy herë dhe po aq herë i shpallur i pafajshëm nga Tribunal i Hagës, Ramush Haradinaj, ndalohet në territorin francez si pasojë e një urdhri ndalimi nga qeveria serbe.
Ndalimi nuk ndodh në Serbi, siç mund të kish qenë e kuptueshme…ndodh në Francë, një vend në të cilin Ramush Haradinaj ka qenë edhe herë të tjera, një vend që bën pjesë në forcat e armatosura KFOR që janë të instaluara në Kosovë, një vend që njeh fuqinë e vendimeve të Hagës dhe që konsiderohet si zemër e Europës.
Kjo është rrjedhoja e politikës mjerane, të pafuqishme e disfatiste që shqiptarët kanë prodhuar gjatë këtyre viteve.
Përgjatë historisë sonë politikanët kanë lëshuar shpesh pjesë të territoreve kombtare për të marrë pushtet…dhe sot e gjejmë Shqipërinë me çerekun e territoreve që do duhet të kishte, sot e gjejmë luftën e luftëtarëve të Kosovës nën akuzë në Tribunal e ngritur me votën e deputetëve shqiptarë të Kosovës, gjejmë Kosovën të shqyer në Mitrovicë, Preshevë e në Mal të Zi, sot vështrojmë pa kurrfarë habie se si një luftë heroike e vetmbrojtëse po demontohet moralisht e ligjërisht dhe po vihet nën akuzë, ndërsa ne mjerisht ose rrimë e kundrojmë pa lëvizur as gishtin, ose i japim votën në parlament…
Tash ka nevojë për veprime e bashkveprime urgjente.
Më së pari shteti shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të veprojë si një i vetëm.
Të lemë mënjanë cicërimat sa në Tiranë e sa në Prishtinë, dhe t’i dalim bashkërisht në krah Ramush Haradinajt që sot është fytyra e Luftës së UÇK-së, anipse e goditur, e përbaltur dhe e tradhëtuar.
Së dyti, të nisim një process të vërtetë bashkimi mendjesh e politikash të përbashkëta, të lemë mënjanë marrinat e kombit Kosovar e shqiptar dhe të sillemi si një gjak e një mendje.
Ramush Haradinaj nuk ka nevojë për askënd nga ne.
Ja ka dalë bukur fort të tregojë pafajsinë e tij me parë, e ka dalë me ballin lart nga Haga dhe do ja dalë edhe kësaj here.
Por sot e kaluara dhe e ardhmja jonë ka nevojë për mbrojtje nga të gjithë ne, nga politikanët e Shqipërisë, Kosovës, opozita, diaspora, diplomacia dhe ekonomia e fuqishme dhe që vepron njëherazi.
Veprime e protesta energjike, ne Francë nga diaspora, në diplomaci nga Tirana e Prishtina, protesta para çdo ambasade franceze kudo ku ka shqiptarë…duhet të fillojmë të sillemi si një komb i përgjegjshëm..
(Mesila Doda është deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Ismail Qemali" në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë 1986-1991. Mbas kësaj, vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit Urbaniana në Romë 1991-1995.
Mesila Doda mori pjesë në lëvizjen studentore në vitet 1990-1991 dhe ishte anëtare e Komisionit të grevës së urisë së studetëve në shkurt të vitit 1991. Pas rreth 25 vitesh në Partinë Demokrarike, politikania largohet ne vitin 2016 për tu bashkuar kështu me PDIU, duke shprehur se do të angazhohet me çështjen çame.
Mesila Doda është e martuar me gazetarin Enkel Demi dhe ka dy fëmijë, Jonin dhe Hanën.)
(Floripress:Flori Bruqi)
No comments:
Post a Comment