Nga Fritz RADOVANI
■1946 Po mbyllej me vendosjen e diktaturës barbare komuniste nga tirani E. Hoxha.
Shqipnia perditë e ma keq po groposej në balten sllavokomuniste nga drejtuesit PKSh, një “parti vrastare e terrorizuese antikombtare” me të gjitha tiparet sllavo - anadollake.
■Vetem me rastin e hymjes në Tiranë, me 12 nandor 1944, terroristi Enver Hoxha ka vra nga Familja atdhetare Kokalari e Gjinokastres të nderuemit Muntaz, Vesim dhe Syrja, intelektual të shquem dhe Atdhetarë të perkushtuem. Musine dhe Hamid Kokalari kanë vue gurë të pakrahasueshëm në thëmelet e kulturës sonë me prioritet Europjan.
Nuk do të persëris vrasjet e bame në Shkoder nga 29 nandori 1944, po do të tregoj disa nga krimet e kryeme ndaj disa Klerikëve Katolik në gjithë Shqipninë, muejt e fundit të vitit 1946, kur qeveria komuniste zbatonte shkatrrimin Atdhetar e kulturor të vendit.
■Mbas deshtimit të organizuem me “plasjen e parakohëshme” të Lëvizjes së Postribës, nga sigurimi i shtetit dhe drejtuesit e Ndjekjes së “popullit”, rifillojnë arrestimet me At Karlo Serreqin në Dukagjin me 11 Tetor 1946. Mbas sa vuejtjesh në hetuesi nder duertë të Xhemal Selimit me shokun e tij Nevzat Haznedari, i falet jeta dhe vdes në burg në 1954.
■Me 26 Tetor 1946 arrestohet Don Jakë Zekaj, nga Zadrima. Një perkthyes i pashoq. Nga veprat e perkthyeme prej Tij, nuk dihet sa janë botue në “gjuhën e ndysuar”...
■Fillon në Tiranë porosia e “vllezërve titistë”... Me 27 Tetor 1946 arrestohen Don Shtjefen Kurti e At Pjeter Mëshkalla, Klerikë që kanë lanë histori të shkrueme me gjak!
■Të nesermen, me 28 Tetor po në Tiranë arrestohet At Pashko Gjadri, edhe ky jezuit. Ka studjue në Kroaci dhe Itali. Në Shqipni ka punue per një kohë të gjatë në Elbasan, ku ka dhanë një ndihmesë të madhe per afrimin me Kishen Ortodokse Shqiptare. Asht dënue 6 vjetë e mbasi doli nga burgu vdiq shpejtë në 1953. Dijmë shumë pak per Te...
■Po me 28 Tetor 1946 arrestohet poligloti At Mëhill Troshani, i cili fliste e shkruente: Latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, sllavisht, rumanisht dhe bullgarisht... Edhe At Mëhilli arrestohet se ka Pagëzue një fëmijë, dënohet 8 vjetë kur po bante 80 vjetët. Kur u lirue vdiq mbas pak muejsh në vitin 1983. Zhduken edhe perkthimet njëherit me Te...
■Në Korçë me 31 Tetor 1946 arrestohet Papa Josif Mihajli. Dënohet 5 vjet burg dhe e nisin në kampin e Maliqit, ku me 26 Tetor 1948 e mbysin të gjallë në balten e kënetës...
■Në Mirditë me 6 Nandor 1946 arrestohet Don Preng Qafalia. Dënohet një vit burg, po nga torturat në hetuesi keqsohet me shndet dhe vdes pak muej mbasi u lirue...
■Me 10 Nandor 1946 vritet pabesisht në Reç Don Luigj Pici. Nuk ishte dakord me vendimin e gjykatës së Shkodres, per pushkatimin e Klerikëve të akuzuem me grupin e Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Këte Ai e deklaroi haptas...
■Me 12 Nandor 1946 në Elbasan arrestohet At Petraq Isaku. I njohun per shpetim të shumë ushtarëve italian e shqiptar nga burgjet e kampet gjermane.
■Në Shkoder me 12 Nandor arrestohen At Donat Kurti, Don Mark Hasi dhe Don Anton Muzaj. Arrestimi i Tyne asht fillimi i ngjarjeve të mnershme të “futjes armëve në Kishë”.
■Me 14 Nandor 1946 pushkatohet në Tuz të Malit të Zi Imzot Nikoll Tusha, atdhetar që kishte ngritë Flamurin e Shqipnisë me Caf Beg Ulqinin, në 1940 në Kishen e Ulqinit.
■Me 15 Nandor arrestohet në Shkoder Zv. Delegati Apostolik i Vatikanit në Shqipni, dhe Abat i Mirditës, Imzot Frano Gjini. U pushkatue me 11 Mars 1948 në Zallin e Kirit.
■Me 15 Nandor 1946 u arrestue edhe Provinçiali i Françeskanve At Mati Prennushi.
■16 Nandor 1946 pushkatohet Don Zef Marksen, gjerman që ishte dënue dy vjet burg.
■16 Nandor arrestohet Fra Ndue Vila, se nuk ua dha çelsin per “futje armësh në Kishë.”
■Me 17 Nandor 1946 Kuvendi Fretenve kthehet në burg, dhe hapet në mengjes heret nga sigurimi i shtetit Kisha dhe Kuvendi, ku “ekspozohen arkat me municion e armatime”.
■Me këte rasë arrestohen: Imzot Nikoll Deda, Don Tom Laca, Don Ndoc Sahatçia, Don Nikoll Shelqeti, At Frano Kiri, Fra Zef Pllumbi, At Gjon Karma, At Konrrad Gjolaj etj.
■Me 25 Nandor pushkatohet në Prizren grupi i Shqiptarëve “Katoliçeskaja Banda”.
■Me 2 Dhjetor 1946 vdes në korrent elektrik At Bernardin Palaj, një dijetar i vertetë.
■Me 4 Dhjetor arrestohet At Leon Kabashi, i lauruem në Akademi të Firencës si piktor.
■Me 4 Dhjetor në Dukagjin arrestohet At Alfons Çuni, i akuzuem per “mbajtje arme”...
■Me 6 Dhjetor arrestohet Imzot Jul Bonati, i kthyem pak ditë perpara nga Italia...
Mbas largimit nga Shqipnia me 25 Maji 1945 nga qeveria komuniste e Tiranës, të Imz. Leone G.B. Nigris, Delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipni, emnohet Imz. Frano Gjini.
Vdekja e Imz. Luigj Bumçit në 1945, dhe Imz. Gasper Thaçit në 1946, arrestimet e Imz. Bernardin Shllakut, Imz. Vinçenc Prennushit, pushkatimi i Imz. Nikoll Tushës në Tuz, arrestimi i Provinçialit të Françeskanve At Mati Prennushi, dhe i Imz. Bonatit, mund të themi se Kleri Katolik Shqiptar mbeti pa asnjë drejtues në asnjë Argjipeshkvi.
Kuvendet e Motrave Stigmatine dhe Servite u mbyllen dhe u kthyen në hetuesi e burgje.
■10 Dhjetor 1946, arrestohet At Sebastjan Deda, nga Shkreli. Dënohet 5 vjet burg...
■11 Dhjetor 1946 arrestohet At Aleks Baqli, i cili kalon jeten nder burgje e kampe pune.
***
■Gjithë ky terror kunder Klerit Katolik asht ba në tre muej, tetor, nandor dhjetor 1946!
Në fundin e vitit 1946 në Shkoder nuk ka ma as shkolla të ulta dhe as, të mesme, si dhe as Seminare per pergatitje Klerikësh tek Françeskanët dhe as tek Jezuitët. U shtetizuen muzeumet dhe bibliotekat e tyne, tue u ndalue me ligj edhe botimet e revistave si dhe të librave shkollore e personale të dijetarëve e profesorëve të lauruem në 24 universitete të Europës Perëndimore. Në vitin 1993 kemi përgatitë me Prof. Simon Pepen një tregues të Klerit Katolik me shifrat e universiteteve, të hetuesive, burgjeve, dënimeve dhe kemi percaktue saktësisht edhe vitet e burgjeve të Klerikëve Katolik nder burgjet komuniste, po mjerisht, si gjithshka tjeter, jo vetem, cungohen shifrat po edhe pervetsohet autorsia.
■Me “perjashtimin nga shkollat” Shqiptare të letrarëve dhe gjuhtarëve të mëdhej tue fillue nga At Gjergj Fishta, Zadeja, Shantoja, Sirdani, Harapi, Prennushi etj... Apo, historianët Etnit Sirdani, Harapi, Rrota, Palaj etj... Dhe, tue varrosë edhe Gjuhen Letrare Shqipe nder zallishta apo këneta të “kongreseve të ndysueme” siç, i ka quejtë Prof. Arshi Pipa, ne nuk kemi ba asgja ma pak, po ma shumë se dishronin sllavokomunistët e Stalinit dhe Titos në 1946, per të cilët diplomati z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, thotë: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona... Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”…
70 VJET QË QEVERITARËT E SHQIPNISË ZBATOJNË POROSITË E ...
■1946 “... Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” - vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990” fq. 36, 1993.
■1950 Pa kalue as kater vjet, Kleri Katolik ndodhet para një dhune tjeter të udhzueme nga qendra botnore e terrorit komunist, nga Moska stalinjane: Me “nenshkrue Statutin e Kishës”... Dhe, ja si e shpjegon At Konrrad Gjolaj, në librin “Çinarët” faqe 125 qendrimin burrnor të pathyeshem të Don Kolec Prennushit, në mbledhjen e Klerit në fillim të vitit 1950: “Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin Kishat tona, në kjoftë se na nuk e miratojmë këte Projekt - Statut kështu si asht këtu. Ky Projekt-Statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prap se prap.
Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe, nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë.
Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo.
Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë....Këta janë gjithkund njisoj...!”
■Dhe me të vertetë edhe sot vazhdon me u vertetue thanja e Don Kolec Prennushit se:
“Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë....Këta janë gjithkund njisoj...!”
■Atëherë, shka duhet të presim tjeter prej tyne?..
Po sa intelektual dhe profesora u zhduken nga terrori pse kishin studjue në Europë?!
Detyra e tyne asht groposja e kulturës Europjano Perëndimore në llomin sllavokomunist!
“Akademia e Shkencave” në Shqipni, varrosi jo vetem personalitetet e shkencës dhe të kulturës sonë, po edhe Veprat ku bulonte, lulzonte dhe jehonte Gjuha e bukur Shqipe!
E kjo “Epokë groposje”... filloi me At Fishten, dhe vazhdon me Kishen e Vaut të Dejës... Apo me shtëpinë e Luigj Gurakuqit dhe germadhat e fshatit Fishtë...
(Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.)
No comments:
Post a Comment