Nga Albert Habazaj
Parë me lentet artistike të shekullit të ri, nëqoftëse letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër. Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot.Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30-të, tok me Migjenin, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. I katërti është Fatos Arapi, poeti i Zvërnecit, që i përket letërsisë së pasluftës, të cilit “Neraida”, një nga shtëpitë botuese cilësisht më prestigjoze në Shqipëri, me botues njeriun qytetar të kulturës Jani Malo, i botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Robert Elsie, historian i njohur i letërsisë shqiptare e cilëson F. Arapin “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.
Në linjën kronologjike, Shquhet publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885 – 1964), politikan, erudit e studiues historie, kulture dhe etnografie. Është ndër shqiptarët e parë me bibliotekë të pasur, që njihet, për kohën, ndër më të dëgjuarat dhe në Ballkan. “Kujtimet” e tij janë një vlerë e rrallë albanologjike. Një personalitet i njohur është dhe atdhetari demokrat Halim Xhelo (1893 – 1937), ndër themeltarët e zjarrtë e titanikë të publicistikës letrare, ideator dhe frymë e luftës së Vlorës. Halim Xhelo Tërbaçi është cilësuar si Abdyl Frashëri i kësaj epopeje, që gremisi perandorinë e pushtimit…
Nga Vlora është dhe i njohuri lirik Nexhat Hakiu (1917 – 1978), autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane, zotërues i vargut me ndjenja të holla romantike e sentimentale, botuar më1939, në tiranë me titullin “Këngët e zambares”. Për lirikat e dashurisë radhitet i dyti pas Ali Asllanit, për atë lloj vjershërimi.
Të tjerë shkrimtarë të angazhuar, por më minorë janë Isuf Luzaj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi dhe Spiro Çomora. Një emër i paharruar për letërsinë është dhe juristi vlonjat Kudret Kokoshi (1906 -1991), poet i hollë, erudit e përkthyes i zot, burgosur edhe nga fashistët, edhe me pas nga komunistët. Dramaturgu i talentuar Minush Jero (1933-2006) nga Vlora për dramën “Njolla të murme” fitoi çmim të parë më 1968, në Festivalin Kombëtar të Teatrit, por u burgos për “mungesë të pastërtisë ideologjike”. Në vitet 1970 – ’80 dalin në skenën letrare shqiptare emra si Hiqmet Meçaj, Fadil Zeqiri, Neshat Tozaj, Shefqet Tigani, Mihallaq Qilleri, Flora Gjondeda, Llambro Ruci, Ruzhdi Gole, Pali Shtëmbari, Dalan Luzaj, Lefter Çipa, Kastriot Mahilaj, Maro Pasho, Irfan Bregu, Miliano Stefa, Luan Toto, Andrea Petromilo, Odise Goro, Jani Malo etj., që dhe u inkurajuan si talente të reja të kohës. Hiqmet Meçaj cilësohet i krahasueshëm në poezi me nivelin artistik të Xhevahir Spahiut.
Nga autorët vlonjatë janë përfaqësuar në antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare: Petro Marko, Shevqet Musaraj, Spiro Çomora, Fatos Arapi e Neshat Tozaj.
Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë: Odhise Grillo – lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; poeti Tasim Gjokutaj, origjinal në humorin dhe satirën e tij; Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël; Skënder Hasko që i ka sjellë frymëzime të thella botës letrare fëminore; Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët, ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë.
Një rrymë e re letrare
Gjatë viteve 1985 – 1995 një rrymë e re letrare lind në Vlorë, e përfaqësuar nga Seit Seitaj, Xhemil Lato, Albert Habazaj (Abazi) e Qerim Skënderi. Nëqoftëse, deri atëherë njihej në nivel kombëtar Shkolla Vlonjate e Pikturës, po konturohej tashmë denjësisht Shkolla Poetike e Vlorës, (krahas shkollave të tjera, kuptohet). Ndihej, tok me shqetësimin qytetar e intelektual, aroma e së nesërmes dhe vizioni universal i poetëve të rinj, që tashmë s’ishin më të rinj e të pakët, sepse shoqëria letrare e qytetit po rritej dhe njëkohësisht ngrihej cilësisht me individualitete të dalluara për nivel artistik në veprat e tyre. Idajet Jahaj, Enrieta Sina, Eqrem Canaj, Vangjel Pici, Anastas Bita, Thodhori Babe, Hiqmet Mehmetaj, Ruzhdi Bajrami, Elma Rama, Leka Skëndaj, Novruz Abilekaj, Kozma Billa, Astrit Xhaferi, Avni Varfi, Liljana Zoga, Evis(a) Çelo, Astrit Hajdini, Laureta Petoshati, Aleksandër Çipa, Kristo Çipa, Nertesi Asllani, Felek Bleta, Gëzim Llojdia, Albana Hodo, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Myrteza Mara, Tomor Balla, Sinan Elmazi, Blerina Kotorri, Vangjel Stefa, Luto Memokondi, Pëllumb Velo, Vjollca Staro, Pelivan Bajrami, Mynyr Zyka, Kudret Mara, Ylli Bora, Petrit Velaj, Enver Qamo, Asqeri Llanaj, Halil Bregasi, Shkëlqim Zotaj, Çlirim Hoxha, Ideal Muho, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Robert Goro, Besiana Koshena, Valbona Gaçe, Zenepe Luka, Sokrat Habilaj, Idlir Azizi, Ylli Bora, Kujtim Murati, Neki Dredha, Kristaq Xhaho, Dionis Qirixidhi, Adrian Saliaj, Azem Troqe, Luan Nazëraj, Zyba Hysa (Bashmili), Pajtim Xhelo, Anila Toto, Alma Feruni, Elisabeta Alikaj, Lavdie Çela, Natasha Limaj, Arjola Vangjel Sako, etj. Nga Vlora është e talentuara dhe e vlerësuara në rang europian si poete e përkthyer, Dr. Alisa Velaj, e shquar për poezinë e imazhit me frymë misticiteti. Listimi poetik vijon e do të vijojë me të tjerë emra që përbëjnë gjethet e degët e gjelbra të pemës së shëndetshme të krijimit letrar në Vlorë.
Etj.
No comments:
Post a Comment