Cfarë lidhje ka Beogradi me Europën nëse harron që Ramush Haradinaj është i pafajësuar nga një gjykatë ku është fajësuar ai që rrënoi Ballkanin dhe ish-Jugosllavinë.
Situata afër murit të Mitrovicës vazhdon të jetë me lëvizje të vazhdueshme. Paralajmërimet për rrënimin e murit vazhdojnë të përfolen por që ende nuk ka asgjë konkrete.
Aty përballë urës tashmë ndodhet fotografia e një ish komandanti të fortë që për serbët e veriut mund të quhet “provokoacia”.
Billbordi i Ramush Haradinajt ndodhet përbri urës së Mitrovicës me mbishkrimin, “Ramush Haradinaj është Kosova”.
Ish gjenerali i UÇK-së vazhdon të jetë në Francë pas ndalimit nga autoritet franceze nga një fletëarrest i lëshuar nga Serbia.
Bashkimi Evropian ka thënë se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës tani është i nevojshëm më shumë se kurrë në mënyrë që të ketë paqe dhe stabilitet.
BE u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i përmbahen marrëveshjeve, ta qetësojnë retorikën dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre me qëllim për të ulur tensionet.
“Ne kujtojmë se gjatë takimit të djeshëm në një nivel të lartë politik, presidentët dhe kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës janë pajtuar që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe deklaratave për të ulur tensionet dhe për t’u përqendruar në punën e mëtejshme”, tha sonte zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë lojëra fjalësh në një paraqitje të drejtpërdrejtë televizive në Kosovë.
Rama ka zgjedhur të merret me oponentin e tij, Sali Berisha, gjatë një interviste bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Klan Kosova, që po transmetohet edh enë Tribuna Chanel.
“Doktori do të bëjë ndonjë konspiracion, duke thënë se muri do të rrënohet derisa ne jemi në intervistë”, ka thënë Rama, duke thumbuar Berishën.
Më herët, Rama ka thënë se muri “nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur”.
Rama është shprehur i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë.
“Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se muri dhe provokimet e Serbisë janë për keqardhje dhe se shqiptarët nuk duhet të bien pre e tyre, por të vazhdojnë rrugën e tyre për të ndërtuar paqen.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zona e Debatit të Klan Kosovës, që transmetohet edhe në Tribuna Channel, ka thënë se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq duhet të mos vizitojë ekstremistët në Serbi, të mos shqetësohet kë viziton ai në Kosovë.
“Vuçiq të ketë kujdes të mos vizitojë ekstremistët, se pastaj u kujtohet njerëzve se ka qenë me ata. Ndërkohë unë vizitoj miqtë e mi. Ai i quan ekstremistë, ne i quajmë çlirimtarë”, ka thënë Rama, duke folur për komentimin që Vuçiq i bëri vizitës së tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai ka deklaruar se urdhër arrestet e Serbisë për “clirimtarët e Kosovës” e vënë në dyshim synimin europian të Beogradit zyrtar, duke theksuar se do të kërkojnë pandalur që ato të hiqen një herë e përgjithmonë.
“Cfarë lidhje ka Beogradi me Europën nëse harron që Ramush Haradinaj është i pafajësuar nga një gjykatë ku është fajësuar ai që rrënoi Ballkanin dhe ish-Jugosllavinë. Shpresoj që javën e ardhshme Ramushi do të kthehet në Kosovë. Ndërkohë që ne do të kërkojë parreshtur që të gjitha shtetet e Europës të fshijnë ato urdhër arreste të Serbisë”.
Luaje macë kryet e buallit
Këtyre tensioneve fillimisht ju parapriu arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritet franceze pas një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.
E kulmi i tensionimit të situatës ndodhi të shtunën e 14 janarit, ku Serbia tentoi të fus brenda territorit të Kosovës trenin rus me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
E për tensionimin e madh të situatës në mes të të dyja shteteve kanë folur edhe zyrtarë të lartë vendeve të Bashkimit Evropian, e po ashtu kanë shkruar edhe mediat e njohura evropiane siç është BBC, pastaj gazetat gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e shumë të tjera.
Ka qenë edhe rrjeti i njohur televiziv BBC ajo e cila në një shkrim të sajin ka thënë se Kosova dhe Serbia janë në prag të një lufte të re, duke u bazuar në deklaratat e presidentit serb Tomsillav Nikolqi i cili kishte thënë se Serbia do ta mbrojë “çdo centimetër” të asaj që pretendon se është territor i saj në Kosovë, dhe se është i gatshëm ta dërgojë edhe ushtrinë për të mbrojtur serbët në Kosovë.
Në anën tjetër dy gazetat gjermane “Süddeutsche Zeitung”, si dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në shkrimet e tyre kishin theksuar se Serbia i vuri flakën tensioneve të vjetra.
Por nuk mbaruan me kaq deklaratat se në Ballkan do të mund të nis një luftë e re mes Kosovës dhe Serbisë.
Thomas E. Ricks, profesor i Harvardit, dhe ish-gazetar i mediave më prestigjioze në botë, si “Wall Street Journal” dhe “Washington Post”, në një opinion të tij paralajmëroi se në mars do të ketë trazira në Kosovë.
Po ashtu edhe Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade, potencoi se ndarja e Kosovës nuk është opsion dhe se kjo do të sillte efekt domino në rajon.
Lidhur me këto paralajmërime për luftë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Ballkani po hyn në një situatë të paparashikueshme.
Ai radhit dy momente të rëndësishme që sipas tij janë faktor i gjendjes e cila është krijuar.
“Së pari, Serbia, e mbështetur nga tendencat e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e vet, është duke synuar të shfrytëzojë situatën e përgjithshme në botë për të filluar implementimin e projektit të saj për ndarjen e Kosovës. Kështu do të ndikonte edhe në gjendjen reale nëpër shtete tjera në Ballkan, sidomos në Bonje e Hercegovinë dhe në Maqedoni. Së dyti, qeverisjet gjysmë-autokratike nëpër Ballkan po synojnë të shfrytëzojnë edhe njëherë retorikat luftënxitëse për të treguar se gjoja pikërisht këta gjysmë-autokratë janë garancia për të mbajtur situatën e sigurisë nën kontroll dhe të qetë”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka theksuar më pas se në të dyja rastet, beson se Ballkani do të tejkalojë këtë situatë.
“Serbia nuk do të arrijë të ndajë as Kosovën, as Bosnjën dhe as Maqedoninë. Ndërsa, liderët gjysmë-autoritarë do të kuptojnë se nuk mund të luajnë me zjarrin e luftës për të mbajtur pushtetin e tyre personal”, shoti Ramadani.
Së fundmi për një luftë të mundur mes Kosovës dhe Serbisë ka folur edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke thënë se “treni është aneksim i veriut, e kjo për shqiptarët është luftë”.
Pas tërë këtyre ngjarjeve në Bruksel ditë më parë u mbajt raundi i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel presidentësh, ku u theksua se të dyja palët kanë rënë dakord për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut.
Raundi i fundit i dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë dështoi në tërësi. Atmosfera përshkruhet si shumë e keqe.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku ishin përfaqësuesit më të lartë të vendeve, presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliq, si dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nuk dolën fare para gazetarëve.
Burimet e Deutche Welles thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat.
Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hir të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.
Mogherini pohon se ka pasur takim
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur me 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin konstruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim.
“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqe dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së. Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon”, pohon Mogherini.
Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve, takimi i përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.
Palët takohen vetëm sa për fotografim
Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me Përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur. Me gjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi. “Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për Deutsche Wellen një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.
Deklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të “ulen tensionet”.
Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krejtësisht të kundërta.
“Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliq duke shtuar se „Serbia nuk do të flas me askënd për pavarësinë e Kosovës”.
Pala serbe ishte e interesuar të fliste për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhdon të mbetet sfidë edhe në këtë vit për Qeverinë e Kosovës.
E përfaqësuesit politikë të serbëve kanë paralajmëruar se ditën e shtetësisë së Serbisë më 15 shkurt, serbët në Kosovë mund ta themelojnë vetë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
E një gjë e tillë sipas kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq do të bëhet më përkrahjen e krerëve të shtetit të Serbisë, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e formon vetë AKS-në deri më 15 shkurt.
Lidhur me këtë, analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se themelimi i Asociacionit është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe se qeveria duhet ta themelojë atë bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Serbët mund të bëjnë spektakël më 15 shkurt, por akti i themelimit nuk do të ketë vlerë. Qeveria e ka obligim themelimin e Asociacionit… dhe duhet ta themelojë atë, duke mos iu lënë hapësirë përfaqësuesve politikë serbë që të ndërmarrin veprime, të cilat pastaj po i kushtojnë shumë vendit”, ka thënë Mushkolaj.
Themelimi i AKS-së nga vetë serbët sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Burim Ramadanit do ta fuste Kosovën në një fazë të thellë të tensionimit krejtësisht të panevojshëm dhe të dëmshëm.
“Tensionimi po rritet gradualisht, por me hapa të fuqishëm. Retorika publike politike ndër-etnike është përkeqësuar dukshëm, në krahasim me vitet e kaluara. Paaftësia e institucioneve të Kosovës për të adresuar në mënyrë konsensuale dhe strategjike raportet me serbët e Kosovës, normalisht se po çon në tensionim krejtësisht të panevojshëm dhe të dëmshëm për Kosovën”, ka thënë Ramadani për Telegrafin.
Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykohet veprimi apo mosveprimi i njëanshëm në themelimin e Asociacionit, porse nëse kjo ndodh, atëherë Kosova mund të hyjë në një fazë të thellë të tensionimit me dimensione edhe të jostabilitetit.
“Dorën në zemër, krejt kjo situatë nuk ka qenë e paparashikuar, porse institucionet e Kosovës asnjëherë gjatë këtyre dy viteve të fundit nuk ka treguar shenja apo aftësi të të menduarit strategjik. Derisa telashet politike brenda-shqiptare në Kosovë kanë arritur shkallën e pashembullt, politikisht janë serbët që kanë luajtur rol në orientimin e të gjithave kah planet e veta, kryesisht të hartuara në Beograd”, u shpreh Ramadani.
Ramadani shtoi se fatkeqësisht, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë gjetur mënyrat për të ndërtuar qasje konsensuale, për shkak të një arrogance krejtësisht të panevojshme.
Sipas tij, siguria kombëtare e Kosovës mund të sfidohet rëndë me veprim të njëanshëm të serbëve dhe, pastaj, shqiptarët sërish do të drejtojnë gishtin ndaj njëri-tjetrit për fajësi.
Lidhur me themelimin e AKS-së, kryeministri i vendit, Isa Mustafa në një intervistë për fundvit për Telegrafin, u shpreh se Asociacioni do të themelohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
“Kjo do të ndodhë në kuadër të realizmit të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, disa prej të cilave po sabotohen nga Serbia. Ne tani do të lëvizim më tutje në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në bërjen e Statutit, i cili po ashtu do të konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese.
Por, kjo do të ndodhë pasi që përfaqësuesit e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët shpeshherë po keqpërdoren pa fije turpi dhe konsiderate nga politika hipokrite e Beogradit për interesa të politikës ditore në Beograd, të kthehen në institucione”, u shpreh Mustafa.
No comments:
Post a Comment