Foqion Postoli u lind në Korçë, ku mori mësimet e para. Ai i përkiste një familjeje të njohur tregtare të qytetit. Pas mbarimit të shkollës, në vendlindje shkoi në Stamboll ku për dy vjet ka studiuar tregtinë. Më vonë emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Massachusetts. Atje iu bashkua Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “Vatra”. Ishte edhe sekretar për degën, në Brockton, Një kohë ka punuar në gazetën “Dielli”. Gjatë asaj kohe në faqet e gazetës ka botuar edhe pjesë nga romanet e tij.
Më 4 janar 1919, Postoli ishte nënshkrues i një Memorandum dërguar Qeverisë së Shteteve të Bashkuara nga Kongresi i Vatrës. Kongresi, ishte mbajtur në Winthrop Hall në Boston dhe ku ai së bashku me mërgimtarët shqiptarë kishte kundërshtuar demarkacionin e kufijve të Shqipërisë në bazë të Traktatit të Londrës të vitit 1913, kur më shumë se dy të tretat të territorit shqiptar iu dhanë Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi.
Në vitin 1921, Postoli u kthye në qytetin e tij në Shqipëri për të ndihmuar në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Vdiq më 2 tetor të vitit 1927, në moshën 38-vjeçare.
Foqion Postoli shkroi gjatë viteve të fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse ai jetoi në një epokë të ndryshme sikur edhe te rilindës e shkrimtarë të tjerë, edhe në veprat e tij reflektohen tema të ngjashme si patriotizmi, kundërshtimi ndaj sundimit otoman dhe krenari e ligjshme për kombin e Atdheun. Në faqet e gazetës “Dielli” botoi romanet “Për mbrojtjen e Atdheut” (1919) dhe “Lulja e Kujtimit” (1922) etj, të cilat më vonë u botuan si libra më vete.
Veprimtaria letrare, politike dhe shoqërore e Foqion Postolit u zhvillua gjatë viteve të fundit të Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë tonë kombëtare. Kjo ishte periudha e ngritjes më të madhe që pati lëvizja jonë kombëtare dhe përfundoi me Pavarësinë e vendit më 28 Nëntor të vitit 1912. Por kjo ngritje u shoqërua edhe me rënie te menjëhershme, që erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe luftërave botërore. Edhe pse jetoi në periudha të ndryshme të historisë në veprat ne tij shkrimtari pasqyroi idetë e rilindësve tanë, siç ishin dashuria për atdheun, urrejtja e madhe për pushtuesit otomanë, dhe krenaria për historinë e vendit. Autori në librat e tij është frymëzuar nga temat aktuale të asaj kohe.
Përveç romaneve shumë të njohura: “Lulja e kujtimit” e “Për mbrojtjen e Atdheut”, Foqion Postoli ka shkruar edhe veprat: “Detyra e mëmës” dhe “Martesa e një avokati”.
Postoli me të drejtë konsiderohet në radhën e romansierëve të parë shqiptarë të periudhës me romantizmit e realizmit. Romani i tij “Lulja e kujtimit” ka qenë vepër që ka frymëzuar sa e sa breza atdhetarësh. Po kështu, për një kohë të gjatë ky roman qenë edhe literaturë e obligueshme në shkollat shqipe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo në shkollat kombëtare.