Nga Prof.Dr.Rrustem Shala,Ph.D
"Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa krijimtaria”.
(Oscar Wilde – 1854-1900)
Flori Bruqi
Kritika letrare që deri dje ishte në shërbim të sistemit, sot është në shërbim të klaneve dhe grupeve të caktuara. Kështu u shpreh shkrimtari dhe studiuesi Flori Bruqi,nga Prishtina për atë që po ndodh sot në letërsinë shqiptare.
Në intervistën dhënë për Floripress, studiuesi Flori Bruqi pohon se kemi 30 vjet që letërsia shqipe duket sikur ka ndryshuar, por ndryshimi është i papërfillshëm sa është vështirë të gjesh një tekst, që të na njoftojë për një modelim të ri të letërsisë.
Duke folur jo pak për problemet që po has sot letërsia, shkrimtari dhe studiuesi Bruqi tregon se problemi qëndron se në këto 30 vjet janë ndarë aq shumë çmime letrare në letërsi sa të zë llahtaria.
Sipas tij, pikërisht ata libra që kanë marrë çmime nuk mbahen mend, sepse nuk është ende raporti i qartë çfarë do të quajmë letërsi.
Në vijim të intervistës së tij studiues Flori Bruqi flet dhe për prezantimin që kanë sot ata që janë cilësuar si të mëdhenj në letërsi, por dhe cilët janë ata emra që kanë ardhur befasishëm në krijimtarinë letrare.
-Për lexuesit vijnë botime të ndryshme, autorë të njohur dhe të panjohur nuk mungojnë me librat e tyre. Por a kemi sot kritikë letrare, që të bëjë një përcaktim të drejtë të vlerave?
Vazhdimisht mbetet në media një debat, nëse ka apo jo kritikë, por unë do ta shikoja ndryshe, a kemi nevojë apo nuk kemi për kritikën letrare sot.
Shpesh shumë njerëz mundohen që të fshihen prapa kritikës, mundohen që atë që mungon në letërsi ta justifikojnë me mungesën e kritikës letrare .
Po të vesh re me kujdes çdo ditë ka shkrime kritike për librat, çdo janë në televizione vitrinat e librit, janë edhe disa revista që dalin, të cilat e bëjnë të pranishme kritikën.
Por nëse pyesim se si është kritika, kjo ndoshta është më me interes.
Në këtë kuptim kritika letrare nga dje që ishte në shërbim të sistemit sot është në shërbim të një klani apo të një grupimi të caktuar.
Po marrim një revistë letrare , “Jeta e re ” që është e revistë letrare . Botojnë ,shkrimtarë,gazetarë, pedagogë dhe shkruajnë për njëri-tjetrin, ndërkohë që në gjithë botën çdo revistë letrare është tryezë e mendimit të lirë dhe jo vetëm institucional.
Në këtë kuptim do të thosha që atë çfarë botohet tek gazetat “Milosao”, “Rilindasi”, “Poeteka” ,”Sot”
”Bota sot”,”Koha ditore”,”Kosova sot”,”Epoka e re”,”Metafora”; “Floripress” etj., do të duhet që ta këndvështrojmë në nivelin e përfaqësimit të alternativave dhe jo ta zyrtarizojmë.
Çdo kritikë letrare që zyrtarizohet, dhe merr përsipër të mbyllë shtigje dhe jo të hapë mendimin dhe debatin është e vështirë të jetë afatgjatë.
Ka ardhur momentin që ndaj kritikës që nuk është shkencë, le të qetësohemi.
Është një mendim paraprak se është botuar një libër, se ka një prirje letërsia në këtë moment, dhe jemi në situatën që ata që ulërasin se nuk ka kritikë, janë jo të qartë, sepse unë mendoj se ka një rregull të pashkruar. Në momentin që nuk ka letërsi nuk ka se si të ketë kritikë.
-Sipas jush çfarë ka ndodhur me letërsinë shqiptare gjatë dy dekadave?
Kemi 30 vjet që letërsia shqipe duket sikur ka ndryshuar, por ndryshimi është i papërfillshëm sa është vështirë të gjesh një tekst, që të na njoftojë për një modelim të ri të letërsisë.
E them këtë se në 30 vjet u desh të rikthehej në panteonin e letrave,Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Ernest Koliqi. Po ashtu u desh të rikthehej në panteonin e letrave dhe Kasem Trebeshina, Martin Camaj,Mitrush Kuteli, etj, dhe në këtë periudhë është një vazhdim i vazhdimit të para viteve ’90 me një ndryshim konceptual.
Letërsia ka ndryshuar në tematikë, ka ndryshuar në problematikë, por niveli është i matshëm në një kuptim, nuk di cili autor është përkthyer matanë letërsisë shqipe.
Ne vazhdojmë të matemi me hijen e mëngjesit, vijojmë të matemi me gardhin letrave shqipe, jemi në një situatë pak absurde.
-Kur thoni jemi në një situatë absurde në letërsi, çfarë keni parasysh?
Në këto 30 vjet janë ndarë aq shumë çmime letrare në letërsi sa të zë llahtaria.
Pikërisht ata libra që kanë marrë çmime nuk mbahen mend, sepse nuk është ende raporti i qartë çfarë do të quajmë letërsi. Për mendimin tim është kaluar nga letërsi e realizmit socialist në një letërsi e realizmit demokratik.
Nga letërsi artistike në literaturë dokumentare. Në këtë moment, thuhet se më i madhi është opinionisti –gazetari Blendi Fevziu, por unë nuk di se ç’lidhje ka me letërsinë. Duke qenë lexues i letërsisë dhe jo lexues i famës, jo lexues i opinionistëve, jo lexues i fotografive, ndodhemi në një situatë që tani mund të dalësh dhe të japësh mendim se ç’është libri pa pasur lidhje me librin,thotë studiuesi i njohur shqiptar Behar Gjoka.
Mund të kesh libra sa të duash dhe meqë ka një megafon apo një opinion ai tjetri del në vend të parë, etj, pra ka shumë probleme. Çfarë ka ndodhur me politikën dhe shoqërinë, faturën po e paguan kultura dhe letërsia,shkroi para disa ditësh shkrimtari nga Kosova Naim S.Kelmendi.
-Si po ndodh kjo?
Mjafton të kesh një emër në politikë, një emër në media, një emër në OJQ, etj, dhe merr penën dhe shkruan broçkulla dhe e quan libër.
Ngaqë kanë mundësi reklamimi dalin dhe në vend të parë, por unë nuk di se ku jemi me letërsinë. Jemi në një moment tragjikomik.
Thuhet se kemi shumë gjeni në këtë moment, por nuk ka tekste letrare.
Vetëm në Shqipëri mund të ketë gjeni pa tekste letrare, sepse në botë ka tekste letrare të mirëfillta dhe më pas fillojnë dhe gjejnë gjenitë, ndërsa ne kemi pafundësi gjeni dhe tekste letrare mjerisht nuk kemi.
Edhe kjo ka lidhje me kritikën letrare, është kritikë shoqërore, unë bëj kritikë për fjala bije për filan fistekun (A) dh (B) ai tjetri bën kritikë për mua, pra ne nuk jemi në lexim real.
E dyta është kritikë e autorëve. Shumë mirë që shkruan Skendër Zogaj , por në momentin që merret përsipër për të shkruar për çdo libër problemi ngatërrohet, sepse nëse do shkruash për poezinë është e vështirë të shkruash për prozën, nëse do shkruash për përkthimin është e vështirë të shkruash për poezinë.
Pra si kritika dhe letërsia është një mish-mash, është një lesh përshesh , që nuk di ku ta zësh problemin.
Nuk ka letërsi nuk ka se si të ketë kritikë, sepse ajo kërkohet të jetë klanore, shoqërore, miqësore, zyrtare, por kritika duhet të vërtetojë që është shkëputur nga klani, nga autori, thotë publicist i njohur nga Tirana Rexhep Shahu.
-A do të ketë një prirje që të ndodhë më kritikën kështu si thoni ju?
Shpresoj që po. Por kur do të ndodhë? Mjaft e vështirë për ta parashikuar, sepse shkollat në Kosovë dhe Shqipëri e atrofizuar me akademikë të realizmit socialist me profesora të realizmit demokratik, me tituj mbajtës të cilët nuk po na vërtetojnë se do të shkruajnë libra, ndonjëherë është e vështirë të formulosh një ide se çfarë do të quajmë letërsi.
-Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve me autorë që në Shqipëri janë cilësuar të mëdhenj?
Po përmend këtu shkrimtarin Ismail Kadare , dhe po ndodh një fenomen çudiberës . Ka një gatishmëri, që sapo nxjerr librin Ismail Kadareja pa e lexuar akoma thuhet që Kadareja është shkrimtar i madh, “Nobelist “ etj.
Nuk kemi vlerësim real të veprës së tij. Mendoj që emri që krijoi shkrimtari Ismail Kadare në kohën e diktaturës është i vetëmjaftueshëm që edhe po të mos shkruajë gjëra serioze prap të jetë në rregull.
Po marrë një rast. Mendoj që kryevepra e tij është “Kronikë në gur”, kryevepër në kuptimin estetik, në kuptimin e frymës, etj, thotë studiuesi Behar Gjoka.
Pati një tentativë për të thënë që “Darka e gabuar” është po e atij niveli dhe këtu jemi në një situatë që njerëzit janë të çuditshëm. Mendoj se “Kronika..” nuk është shkruar asnjëherë tjetër, por vetëm njëherë. Përpunimi, ndryshimi, varianti, versioni është tjetër problem thotë Gjoka.
Mjeshtëria e Kadaresë në këtë periudhë është tek përpunimi dhe ripunimi i varianteve. Libra të rinj cilësorë, unë do të thosha që “Pallati i ëndrrave” pavarësisht përpunimit dhe ndryshimit edhe në përmbajtje, me të cilat unë nuk jam fort dakord, është një proces që i takon shkrimtarit,thotë shkrimtari Naim Kelmendi.
Shkrimtari Reshat Sahitaj për Ismail Kadarenë thotë :…”po ta duash ta trajtosh vetëm si shkrimtar i diktaturës duket në rregull, po të duash vetëm si shkrimtar i demokracisë duket në rregull, sepse është në faqe të parë. Është lajm i parë. Por me letërsinë problemi është pak më i ngatërruar. “.
Ndërsa Flori Bruqi thotë :…”Tekstet e Kadaresë janë të tilla për shkak të emrit që ka. Për mua Kadare ka fituar betejën e çmimeve, betejën e përkthimit, por beteja me letërsinë është shumë e gjatë se sa kaq. Kjo do të thotë që letërsia është një gjë, që secili raportohet në marrëdhënie personale të shijeve. Në këtë kuptim, Kadare padyshim që është figura më e njohur, por figura më e njohur, në një letërsi që për mua përbëhet dhe nga yje dhe meteorë të tjerë nuk është në nivelin e përfaqësimit real, sepse unë duke qenë një njohës i Mitrush Kutelit, Kasem Trebeshinës,Martin Camajt, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, Anton Pashkut,Azem Shkrelit,Ali Podrimës,etj., mendoj se nuk është vetëm Kadare një figurë që do të duhet të përbëjë interes për lexuesin.
Sepse dalin opinionistë dhe bëhen shkrimtarë, dalin politikanët dhe bëhen shkrimtarë, dhe shkrimi letrar real dhe ai serioz mbetet në hije.
Ismail Kadare ka emrin që nuk ia rrëzon kush sa të jetë gjallë, por problemi është se beteja më letërsinë është më e gjatë.
-Sipas jush, cilët janë autorët që kanë spikatur gjatë këtyre viteve?
Për Behar Gjokën fjala vije pavarësisht shijes së leximit në letërsi ka ardhur befasishëm Ben Blushi, por ka ardhur nga stacioni i politikës dhe i medias.
Kjo ndoshta i shërbeu në një moment si trampolinë, por në fakt tekstet e tij letrare kanë zgjuar debat. Dhe këtu jemi në një situatë, që do të duhet të trajtojmë më seriozisht këtë rast apo dhe ndonjë rast tjetër.”…
Pikërisht për këtë shkrimtari Naim Kelmendi thotë “ Kam parasysh një roman të Bashkim Shehut “Moxarti vjen me vonesë”, që e ka vendosur të gjithë ngjarjen në kohën e diktaturës, por nuk ka lidhje fare, është estetik. Kemi ardhur tek momenti që po çlirohemi nga dekombtariteti, mediokriteti”,shton ai .
Por çfarë po ndodh? Tani në Shqipëri dhe Kosovë gjithkush mund të shkruajë, por po humbasim lexuesit dhe humbja e lexuesit ka sjellë në humbjen e kritikës letrare sot.
Kështu duket sot kritika letrare në pasqyrën e saj të grimcuar. E bërë pikepesë dhe në atë shkallë saqë mund t’i thurrim lemente deri në pakufi. Megjithkëtë, mund të jetë edhe ndryshe. Shpresat nuk janë djegur të tërra.
Dhe atë për dy arsye: E para, se edhe mëtutje mund të shpresojmë në aktivizimin dhe angazhimin e atyre kritikëve letrarë që për një apo shumë arsye kanë kërkuar hije nën pyllin e profesioneve tjera dhe ia kanë kthyer shpinën pikërisht asaj që më së shumti ka nevojë për ta.
Dhe e dyta arsye, ajo që më së shumti ushqen shpresat, është se në letrat shqipe kanë hyrë dinjitetshëm (përveç brigadave të hobiinterpretëve) edhe specialistë të shkëlqyeshëm të teorive letrare si Agron Tufa, i cili njëkohësisht është edhe eksperti më i spikatur i formalizmit dhe strukturalizmit.
Pastaj dy Kujtimët (Kujtim Shala dhe Kujtim Rrahmani) nga Prishtina, Ndue Ukaj, Vehbi Miftari,Isa Vatovci e ndonjë tjetër. Ndërsa në fushën e kritikës letrare praktike mund pa hamendje të përmendim Ragip Sylajn, Sali Bytyçin, Gilmana Bushatin e ca të tjerë.
Natyrisht se edhe këta studies e autorë kanë pengesat e tyre gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Edhe kur ata konsiderohen të atillë siç i përshkruam në fillim të kësaj eseje ata përpiqen që të mos i nënshtrohen diktatit social, ekonomik dhe mos bien nën kurthin e ndonjë klase të caktuar politike ose ndonjë sekti fetar që botën di ta shohë vetëm nga perspektiva e ngushtë e religjionit ( interepretuesit e autorëve ekskluzivisht katolikë ose ata që me çdo kusht priviligjojnë shkrimtarët turkofilë islamikë).
Janë këta emra që jo vetëm se dëshmojnë se kritika letrare shqiptare megjithatë ekziston, porse edhe do të mbijetojë duke u ristabilizuar (si para viteve të nëntëdhjeta) dhe duke kthyer imazhin dhe formën e saj institucionale.
Nihilstët, (veçanarisht) gjenitë e hutuar të letrave shqipe le të mos brengosen se pas shkuarjes në atë botën tjetër askush nuk do të merret me artin e tyre, përkundrazi kritika do të merret edhe me ata që sa kanë qenë gjallë nuk kanë lënë gurrë pa ia hedhur asaj në kokë. Ky është vetëm njëri nga ato mallkimet me të cilin duhet të jetojë kritiku objektiv thotë shkrimtar dhe studiuesi Flori Bruqi.
Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri ,kohë më parë shkroi një shkrim kritik në VOA- me titull" “Potpuria” letrare e Flori Bruqit ",ku në mes tjerash thekson: "Para pak ditësh, Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”, Tiranë, nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim librin me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, të autorit Flori Bruqi, poet, shkrimtar, historian, hulumtues dhe kritik i talentuar, një libër ky, i tridhjetenënti në serinë e veprave të tij, të botuara deri tani. Recenzent i librit është Rexhep Shahu, kurse redaktor – Izet Duraku.
Libri përshkohet tejendanë nga interesimet, emocionet, joshat, dyshimet e autorit që e lidhin artin e fjalës me realitetet shumëngjyrëshe të jetës së përditshme. Analizat kritiko-letrare i adresohen një spektri të gjerë çështjesh etikomorale dhe lidhen drejtpërsëdrejti me kërkesat e përditshme të organizmit shoqëror. Si një kritik letrar i kompletuar, Flori Bruqi ka shpërfaqur aftësitë e tij për të zbuluar para lexuesit tablonë e të kuptuarit të plazmimeve artistike në indin e veprave të analizuara. Kësisoj ai ka marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në shtegtimin e veprës letrare nga autori te lexuesi. Brenda penës së tij vjen e ravijëzohet edhe “reparti i punës” së shkrimtarit, edhe bota e larmishme e lexuesit. Shkrimtari, poeti, kritiku dhe gjuhëtari gjerman Frederik Shlegel (Friedrich Schlegel – 1772-1829) thotë:
“Kritiku është një lexues, i cili merret me “tretjen” e gjërave që ka lexuar. Prandaj ai duhet të ketë disa stomakë”.
Funksionin e kritikës letrare Flori e shikon të lidhur ngushtë me ndikimin që ajo duhet të ushtrojë mbi opinionin shoqëror, mbi vetë autorët e veprave artistike dhe mbi zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe të artit. Në mundin e tij kritikoletrar, ndihet prania e heshtur e frymës polemike, dialogu i heshtur me autorin, me lexuesit e hamendësuar, me kolegët-oponentë.
Në këtë vepër të re, Flori Bruqi i drejtohet analizës së krijimeve letrare, të kahershme për nga prejardhja e tyre, por që vazhdojnë të ndikojnë me autoritet mbi botën shpirtërore të lexuesve edhe në ditët tona. Të tilla janë krijimet letrare të Homerit shqiptar Gjegj Fishta. Vepra e Fishtës, e këtij korifeu të kulturës shqiptare, përherë do të jetë objekt studimi dhe analizash nga ana e kritikëve dhe e studiuesve të letërsisë shqipe. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe pasardhës për farkëtimin e vetëdijes kombëtare, në kundërshtim me vlerësimin armiqësor që i pati bërë Enver Hoxha Fishtës dhe vepërs së tij, simbol i nacionalizmit shqiptar. Lexuesi me vetëdije të lartë kombëtare, vë duart në kokë për mjerimin e palakmueshëm të figurës së Enver Hoxhës, kur sulmin e këtij të fundit kundër Fishtës, e krahason me vlerësimet që kanë bërë për të mjaft personalitete të shquara kombëtare dhe të huaja, të cilat Flori i ka cituar në faqet e këtij libri. Ёshtë e turpshme për Enver Hoxhën, i cili, si argat i regjur i Beogradit, nacionalizmin e pastër të Fishtës, e vë në një peshore me shovinizmin tribal të Vlladan Gjeorgjeviçit, kur deklaron:
“Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese” (Citohet sipas: Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën”. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).
Këtu po ndalem vetëm në vlerësimin e Prof. dr. Norbert Joklit, të cilin Flori e citon në veprën në fjalë:
“…me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi…”
Këtë shkrim e titullova “Potpuria” letrare e Flori Bruqit”, sepse Flori, nga vargjet gjëmimtare të Fishtës, kalon te vargjet dhe përgjithësisht te vepra bubulluese e Arshi Pipës. Mandej “e mban vrapin” te josha magjiplote e krijimtarisë së Mira Meksit, në endjen e saj lirike mes Tiranës dhe Parisit, vazhdon me shtresëzimet e letërsisë shqiptare, duke analizuar zhvillimet e saj jo vetëm brenda trojeve etnike, por edhe në diasporë, si në Bullgari, Rumani, Greqi, Turqi e deri në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për mendimin tim, Flori Bruqi, si një kritik erudit, është i pari në historinë e letërsisë shqipe, i cili ka nxjerrë si në një “parakalim festiv” të gjithë shkrimtarët dhe poetët e trojeve etnike shqiptare. Nga radhët e tyre në Perëndimin evropian dhe amerikan, ai përmend 54 syresh. Mes krijuesve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të shtoj edhe emrin e eseistes dhe të shkrimtares sa të talentuar, aq edhe fjalëpakë, Nimfa Hakani, e cila, në nëntor të vitit 2015, botoi në Shqipëri tre libra: përmbledhjen me tregime me titull “Pacientja 101”, një përmbledhje fabulash dhe rrëfenjash për të rritur, të titulluar “Luani i fjetur”, dhe një përrallë për fëmijë, me protagonist Gjeto Basho Mujin.
Flori vijon me Rexhep Hoxhën, me këtë krijues të heshtur hijerëndë, që të mahnit me ca vargje plot aromë ëndërrimtare:
As vetë s’e dij pse kot rrugëvet po sillem
Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!
Nër rrugë t’ qytetit m’ duket se po hidhem
Sikurse Kolombi n’ oqean t’ pafund.
Paskëtaj Flori ndalet te Kadrush Radogoshi dhe analizon veprën e tij “Semantika e bregut tjetër”, ku del në pah talenti i tij si eseist, studiues dhe shkrimtar. Prej këtej, hidhet te Prenk Jakova, themeluesi i artit operistik shqiptar, autor i sa e sa këngëve dhe romancave plot lirizëm marramendës, i cili e mbylli jetën në një mënyrë tragjike, me vetëvrasje, për shkak se diktatura komuniste enveriane jetën ia pati lënduar rëndë me pushkatimin mizor të të vëllait, për shkak të bindjeve të tij nacionaliste, çka ai e mbajti peng në zemër sa qe gjallë.
Prekëse janë faqet që Flori i kushton krijimtarisë së Ali Podrimjes që të rrëmben me vargjet e tij plot afsh lirik, aq të pasur me një figuracion emocionues. Me vdekjen e tij enigmatike dhe të parakohshme në Francë, Kosova dhe mbarë trojet etnike shqiptare sikur humbën njërën nga arteriet e tyre me gjak gurgullues.
Martim Camaj zë një vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, i njohur si studiues i gjuhës shqipe dhe i dialekteve të saj, si njohës i shquar i botës arbëreshe, të cilin autori ia prezanton lexuesit si një poet dhe prozator të talentuar, të respektuar për thjeshtësinë e madhështisë së tij, për pasurinë e pamatë të leksikut të tij.
“Potpuria” floriane vjen e bëhet edhe më emocionuaes kur ai e ndal “fluturimin” e shënimeve kritike te njëra nga krenaritë e kulturës shqiptare me prejardhje shkodrane, te Ndre Mjeda, te autori i poezive aq të dhembshura që ta ngrenë zemrën peshë me notat e tyre elegjiake.
“Potpuria” në fjalë vjen e pasurohet edhe më shumë me elementet e folklorit dhe të etnografisë. Flori, me përshkrimin e qeleshes së bardhë që sfidon popujt në shekuj, ka folur për historinë e saj. Kjo qeleshe, e quajtur ndryshe plisi shqiptar, si një simbol karakteristik i etnisë shqiptare, është përcjellë nga thellësitë e shekujve, plis ky, i papërsëritshëm në asnjë etni tjetër, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në mbarë botën. Prandaj kjo është edhe arsyeja që, siç thotë Flori, plisi shqiptar (qeleshja) ndodhet i ekspozuar në muzeun e Luvrit (Louvre) në Paris.
Në kreun e librit me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, që shërben edhe si titull i kësaj vepre, kritiku Flori Bruqi është ndalur në tre momente kryesore:
Së pari, në zhvillimin e letërsisë në Kosovë, e cila zë fill që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur dalin në skenë penat emblematike të Esat Mekulit dhe të Hivzi Sulejmanit. Më tej autori vazhdon me krijimtarinë e poetëve dhe të shkrimtarëve të tjerë, të cilët, edhe në kushtet e terrorit serb, asnjëherë nuk hoqën dorë nga krijimtaria letrare, duke e vlerësuar atë si një armë të fuqishme të identitetit kombëtar.
Së dyti, në zhvillimin e letërsisë arbëreshe, e cila përbën një faqe të ndritur në historinë e kulturës së kombit shqiptar. Domosdo që nuk mund të mos shpërthenin “sythet” e letërsisë artistike arbëreshe, qoftë në prozë, qoftë në poezi, përderisa atje jeton një popullsi prej 90 mijë frymësh që vazhdojnë të flasin gjuhën shqipe.
Së treti, në lindjen në diasporë të një letërsie në gjuhë të huaj, por me tema shqiptare.
Në faqen e internetit “Agjencioni Floripress” të datës 03 shkurt 2014, Flori kishte botur një shkrim me titull “Shkrimtaret e ekzilit” dhe përmendte konkretisht shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat, siç thekson në këtë libër, përbëjnë treshen shqiptare të mërgimit në Itali, që i boton librat e veta në italisht, në shtëpitë botuese “Feltrinelli” dhe “Einaudi”. Ai përmend edhe zonjën Besa Myftiu që jeton në Zvicër dhe librat e veta i boton në Francë, në shtëpinë botuese “Fayard”. Asokohe, po më 03 shkurt 2014, unë pata botuar në internet një shënim me titull “Katër burbuqet e magjisë shqiptare”. Me këtë rast, dëshiroj të shtoj edhe një tjetër “burbuqe” të talentuar. Kjo është zonja Nimfa Hakani, e cila, siç e përmenda më lart, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Karolinën e Veriut. Këtë vit, dhe konkretisht më 25 prill, ajo botoi një përmbledhje me tri novela, me titull “Under The Orange Tree” (Nën hijen e portokallit), me një vëllim prej 362 faqesh. Tematika e tri novelave ka për objekt fshatin shqiptar në jug të vendit, në periudhën midis dy luftërave botërore
Flori i rikthehet kritikës letrare me analizën e krijimtarisë së Gani Xhafollit, një krijues ky me një individualitet mjaft të spikatur në lëmin e poezisë për fëmijë, i cili u nda nga jeta më 15 qershor 2015, në moshën 73-vjeçare
Studimi kritik i Flori Bruqit pasurohet me një analizë të dialekteve të gjuhës shqipe, ku theksohet se dallimet mes tyre nuk janë të mëdha, me përjashtim të disa ndryshimeve në sistemin fonetik, në strukturën granmatikore dhe në leksik. Mandej ai e vazhdon analizën për shqipen e njësuar, duke u ndalur në parahistorinë e saj që prej shek. XVI-XVIII, në hartimin e fjalorëve të parë, në kontributin që dhanë shumë figura të shquara të Rilindjes Kombëtare para dhe pas shpalljes së pavarësisë, derisa u arrit në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968, e cila u mbështet në parimin “Një komb, një gjuhë, një flamur”, çka krijoi parakushtet për thirrjen e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, që hodhi themelet e shqipes së njësuar në mbarë trojet tona etnike.
Në këtë pjesë të librit u është lënë hapësirë edhe studimeve shkencore për gjuhën shqipe që janë kryer nga shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë, edhe në kuadrin e lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese.
Disa faqe të librit të vet, Flori ia ka kushtuar Nënë Terezës, e cila përfaqëson simbolin e ngrohtësisë shpirtërore dhe të humanizmit botëror. Prandaj figura e saj ka shërbyer si objekt frymëzimi për shumë personalitete të njohura të kulturës sonë kombëtare dhe të kulturës botërore.
Pas një paraqitjeje panoramike të krijimtarisë së poeteshës, dramaturges dhe prozatores Shqipe Hasani, Flori zbret përsëri në truallin e folklorit dhe konkretisht në atë të artit rapsodik të Dervish Shaqa Kosovës, të cilin, me shumë të drejtë, ai e quan “gjeneral të folklorit shqiptar”. Aq përcëllues ishte mesazhi i këngëve rapsodike të Dervish Shaqas për kolonizatorët serbë, saqë ata filluan përndjekjen e tij. Prandaj ai, në vitin 1956, u detyrua të zhvendosej në Shqipëri, në Rashbull, ku pati themeluar grupin e famshëm rapsodik që ka lënë gjurmë të thella në traditën e folklorit shqiptar.
Emocionuese janë faqet e librit, kushtuar njërit nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, Mitrush Kutelit, ekonomistit mendjendritur dhe shkrimtarit erudit, poetit dhe përkthyesit me shije të hollë, të cilin diktatura komuniste e trajtoi si njerka fëmijën e gjetur. Dhe s’mund ta trajtonte ndryshe, sepse intelektualët me dije enciklopedike përbënin rrezik për përmbysjen e saj. Prekëse, deri në lëndim të shpirtit, është letra e fundit e Mitrush Kutelit. Përmbajtja e saj është tronditëse. Me atë letër, Kuteli, tërthorazi, zbulon një realitet tragjik të kohës së diktaturës, kur ai intelektual i madh ishte katandisur në një gjendje aq të rënduar shpirtërore.
Në “potpurinë letrare” Flori nuk mund të linte mënjanë artet e bukura. Prandaj ai i kushton disa faqe jetës dhe krijimtarisë së skulptorit mjaft të talentuar Agim Çavdarbasha, i cili është i njohur për hapjen e shumë ekspozitave jo vetëm në trojet amtare, por edhe në disa vende evropiane.
Me analizën e veprës së Odise Grillos, të simbolit të letërsisë shqipe për fëmijë, me vlerësimin e krijimtarisë së Esat Mekulit, si shkencëtar në fushën e veterinarisë, si poet me një talent origjinal, si përkthyes me një prodhimtari të jashtëzakonshme, si publicist dhe si një aktivist politiko-shoqëror, i cili zë një vend të veçantë në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare, me pasqyrimin e veprimtarisë së Enver Gjerqekut, poet, studiues, përkthyes dhe historian i letërisë, profesor i letërsisë shqipe në fakultetin filologjik të Universitetit të Prishtinës prej vitit 1962 deri në vitin 1995, mbyllet vepra në fjalë e Flori Bruqit.
Në parathënien e librit, autori ka bërë një analizë kritike të botës letrare shqiptare, me të mirat dhe me dobësitë e saj. Ai ka cituar shkëndijëza të fjalës së çmuar të figurave të tilla, si Ismail Kadare, Ridvan Dibra, Arian Leka, Fatos Kongoli, Visar Zhiti dhe Zija Çela, si edhe të personaliteteve të huaja të lëmit të kritikës letrare. Në këtë parathënie shpërfaqet krtitika letrare profesionale brenda këndvështrimit edhe të krijuesit, edhe të lexuesit. Si një kritik-profesionist, Flori Bruqi bie në sy për thellësinë e kujtesës letrare dhe për trajtimin estetik të artit të fjalës së shkruar, çka buron nga përgatitja e tij si një intelektual erudit, i papërsëritshëm në lëmin e shkencës së kritikës letrare. Prandaj sa herë që lexoj shënime kritike të Flori Bruqit, menjëherë më vjen ndër mend një thënie e bukur e Oskar Uajldit (Oscar Wilde – 1854-1900)“Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa krijimtaria”.