2017-11-19

Luan Rama : Verbimi i shenjtes





– Stef?
– Çfarë, – u dëgjua mërmërima e tij e heshtur dhe e zymtë.
– Thuamë, çfarë ke?
– Asgjë, më lër tani të flë…
Ai i largoi dorën që i kishte prekur kurmin. Ajo e vështroi një çast nën dritën e zbehtë të zjarrit që digjej në cep të dhomës. E megjithatë iu afrua përsëri. Zgjati kokën, afroi buzët mbi zverkun e tij të nxehtë dhe e puthi lehtë:
– Stef…
Burri e shtyu ngadalë duke bërë akoma më shumë drejt murit prej balte.
Ajo e kuptoi se vështirë ta bënte për vete ato çaste. U shtri në kurriz dhe ndoqi një çast të gjatë atë re tymi që ishte ngritur drejt trarëve të çatisë. Kishte dy javë që Stefi e kishte humbur atë gjallërinë e tij të zakonshme. E qeshura e tij karakteristike ishte zhdukur. Sa kthehej nga arat ai hante një krodhe bukë dhe menjëherë zinte cepin e oxhakut, mendonte një kohë të gjatë e pastaj shkonte të shtrihej më herët se zakonisht. Në fillim ajo nuk e kishte kuptuar gjendjen e burrit të saj, pasi ditën shkonte në pyll të priste dru për dimrin që afrohej. Por më pas, natë pas nate, heshtja gjatohej, vështrimi i tij bëhej gjithnjë e më i trishtë dhe ajo më së fundmi e kuptoi arsyen e vërtetë të vuajtjes së tij.
Edhe ajo e vuante të njëjtën gjë. Pas kaq kohësh, dy vjet e më shumë, ah sikur të kishin më së fundi një fëmijë, por… ndryshe nga ai, edhe pse dimrin e shkuar, barku i saj nuk kishte arritur dot ta mbante pjellën e tyre, gruan e mbante gjithnjë një lloj shprese…
Oh ç’tmerr kishte kaluar! Kishte menduar se do të vdiste, por çuditërisht ishte ngjallur dhe më së fundi ishte ngritur në këmbë. Zoti e kishte shpëtuar. Nëna e Stefit i kishte treguar disa marifete grash sesi ta ndërzente burrin e si të bënte që fara të ngjizej e të rrinte sa më ngrohtë në thellësinë e trupit të saj. Por asgjë nga këto nuk kish bërë fajde. Më së fundi, një ditë e kishte çuar dhe tek popi i fshatit. Ajo i ishte rrëfyer, pastaj i ishte gjunjëzuar e ai i kishte pështetur kokën në prehërin e tij me një dorë që i dridhej, duke i thënë.
– Lutju Zotit të madh, se vetëm Shenjtëria e tij do të ndihmojë!
Çdo muaj lante pelenat e gjakut, i thante në hajat disi fshehurazi kur Stefi shkonte në arë dhe i njëjti ritual përsëritej muajin që vinte. Edhe pse si natyrë ishte e ndrojtur, disa herë i ishte futur Stefit lakuriq në shtrat që ta ndillte akoma më shumë. Por pelenat përgjakeshin e përgjakeshin dhe ankthi e pushtonte gjithnjë e më shumë. Nuk guxonin t’i flisnin njëri-tjetrit për këtë makth që po u zinte netët. «A thua Zoti i madh më ka dënuar që mos të kem kurrë fëmijë? – mëdyshej herë pas here ajo. «Ç’faj kam bërë, e mjera?!»…
Netët bëheshin gjithnjë e më të errta, gjithnjë e më të zymta, sikur dikush të kishte vdekur në atë shtëpi. Stefi e largonte vështrimin nga ajo, ndërsa sytë e vjehrës bëheshin gjithnjë e më hakërrues. Zëri i saj po ashtu. «O Zot, mos kam mortin brenda meje? – pyeste veten Rina… dhe qante nën zë jo për fëmijën që s’po vinte, por për të dashurin e saj që i largohej çdo natë e më shumë.
Një ditë, në mes të muajit, nëna e Stefit e mori dhe e çoi te cigania Tania. Flitej se bënte mrekullira.
– Eja, kushedi jevga do na bëjë derman. Thonë se i njeh të fshehtat e kësaj bote… thonë se dhe Ropin, ajo e ktheu nga udha e varrit…
Cigania banonte në një barakë në të dalë të fshatit, mbi kodër, ku merrej me magjitë e saj. Tutje, po të hidhje sytë që andej, nja dhjetë kilometra më larg do të shikoje detin. Në krahë të asaj kasolleje, dyqind metra më poshtë, lartohej një mur me gurë tepër të mëdhenj e të vjetër, ndërtuar mijra vjet më parë. Poshtë tyre dergjeshin kollona të mbetura, me sa dukej nga një qytezë antike. Ishin kapitele dhe gurë me mbishkrime të vjetra latine e helene. Madje dhe një legjionar kishte shkruar emrin e tij dhe disa fjalë, por askush nuk dinte t’i lexonte ato… Nga muri deri tek kasollja e Tanias heshtonin ca varre të çuditshme që thonin se ishin të disa kalorësve të huaj, vrarë në atë vend, por askush nuk guxonte t’u afrohej. Madje flitej se ai vend ishte i nëmur dhe se në çdo ditë të fundit të marsit, shiheshin të vdekurit tek hidhnin valle. Fshatarët e besonin këtë, ndonëse asnjë syresh nuk i kishte parë.
Rina ishte ulur tashmë ballë Tanias me nënën e Stefit në krah. Sapo e vështroi, ajo i uli sytë pasi ashtu me ato flokë të gjata e të pakrehura që i binin pas gjer në bel, me vithe të mëdha dhe gjinjtë e lëshuar, ajo grua pesëdhjetë vjeçare i dukej si një shtrigë e vërtetë. Tania mori dy thëngjij nga vatra pranë, i afroi para fytyrës së Rinës dhe u fryu. Me një pamje të misterëshme ndoqi rrugën nga shkonte tymi i tyre, duke e shoqëruar me fjalë që i dilnin si pëshpërima: “Abra… suba…braba… Abra…suba…braba!… ” Pastaj ajo i futi dorën në gjoks, duke ia rrëshqitur e prekur fundin e barkut, madje dhe poshtë seksit të saj. Rina u tërhoq e tmerruar, por Tania ia krisi një të qeshure të madhe.
– Eh këto nuset e reja, si shumë turpe kanë!
Një çast Rina i uli sytë, por dora e shtrigës ia ngriti kokën duke e sulmuar me shikim therës. Mos po lexonte diçka në sytë e saj? Çfarë?… Ndërkohë Tania iu kthye nënës së Stefit.
– Sofie, na lër pak vetëm me nusen!
Në fillim Sofia ngriti supet, por zëri autoritar e i prerë i ciganes e bëri të tërhiqej ngadalë dhe të dilte nga kasollja.
Kur plaka doli, ajo iu afrua Rinës aq afër sa për pak dy fytyrat e tyre prekën njëra-tjetrën.
– Do bësh një gjë por që s’do t’ia thuash kujt!- tha me zë të ulët ajo.
– As Stefit?
– Askujt të thashë!
– Çfarë atëherë?
– Më parë mu beto se s’do ti thuash kujt se të kam thënë unë, se këto janë gjëra me zarar. Nëse i tregon dikujt, të bije hija e zezë dhe magjia prishet. Pastaj s’do ta ngresh më kokën gjersa të vdesësh…
– Po çfarë, – pyeti gjithë ankth ajo për të zbuluar enigmën që do t’i tregonte.
– Që të mbetesh shtatzënë duhet të hash sytë e shenjtes.
– Sytë e shenjtes?
– Po, – tundi kokën Tania duke hedhur flokët mbi supe.
– Po ky është mëkat i madh. E si mund të ndodhë kjo?
Rina e ndjeu se zëri iu drodh dhe goja po i thahej e tëra, ndërkohë që gjuha i ngjitej në qiellëz. Ç’thoshte kështu kjo magjistricë? Kjo ishte një gjëmë e padëgjuar… Gjithë trupi iu drodh nga një drithmë e madhe sikur ta kishin futur në një pellg akulli.
– Dëgjo këtu, – i tha pas një heshtje të shkurtër cigania. -Tek kisha e vjetër janë ende disa fytyra shenjtësh. Aty nuk shkel më njeri. Do shkosh fshehurazi dhe do kruash sytë e njërës prej tyre. Pastaj gëlqeren e ngjyrosur do ta marrësh në një shami dhe po fshehurazi do ta hedhësh në gojë ose do ta tretësh në një gotë me ujë. Pastaj do ta pish para se të shkosh në shtrat e t’i ngjishesh burrit për të bërë atë punë.
– Po pastaj?
– Do të presësh… – tha me të qeshur Tania.
– Vërtet? – pëshpëriti ajo e habitur nga çka i thoshte cigania.
Magjistrica tundi kokën dhe para fytyrës i bëri një shenjë të çuditshme. Nuk ishte shenja e kryqit, por diçka krejt tjetër.
– Dhe mos harro… tek kisha e vjetër duhet të shkosh kur të jetë hëna e plotë!
Rina tundi kokën gjithnjë e habitur nga ajo që i kishte thënë cigania: të hante sytë e shenjtës! Oh, ç’mëkat! Po si mund ta bënte këtë?
Ajo mbylli sytë për një kohë të gjatë dhe pikërisht atë çast, në atë errësirë të plotë, tutje iu shfaq një dritë e bardhë që sa vinte e pushtonte krejt mugëtirën. Kishte diçka ngazëlluese në gjithë këtë. Ishte zëri i ciganes që e bëri të hapë sytë.
– Shko tani!
Dhe ajo doli çuditërisht me një hap të lehtë, sikur një dorë hyjnore ta tërhiqte pas. Nëna e Stefit i zgjati ciganes paratë, duke e parë me një lloj frike e dyshimi:
– Të tjerat kur të lindë!…
Ajo e la në prag duke i kthyer kurrizin për t’iu afruar Rinës që shkonte përpara. Plaka e pyeti se çfarë i kishte thënë magjistrica, por Rina mërmëriti diçka nëpër dhëmbë, diçka për nishane, por që askush nuk do ta kishte kuptuar, madje as ajo vetë.
– O Zot, tani jemi në dorën tënde! – pëshpëriti nëna e Stefit dhe të dyja gratë bënë poshtë drejt fshatit.
Kaluan disa ditë deri sa do të shfaqej hëna e plotë.
Natën kur hëna rrëzëlleu e gjithëpushtetëshme në qiell, nusja hodhi një shall të madh mbi kokë dhe doli shkarazi nga kasollja. Pranë oxhakut, Stefi po merrej me tharjen e lëkurave të dashit, të cilat po i përgatiste për dimrin që afrohej.
Ajo kapërceu oborrin në heshtje e në majë të gishtave, sikur të kishte frikë mos ndokush do ta pyeste se për ku ishte nisur.
Me kandilin në dorë nxitoi drejt kishës së vjetër e të shkatërruar që nga luftërat e fundit. Që atëherë, fshatarët kishin ngritur një kishë më të vogël dhe dalëngadalë ajo ngrehinë e vjetër kishtare e para dy shekujve ishte lënë pas dore dhe ishte braktisur pothuaj totalisht. Duke ecur, herë pas here ajo kthente kokën nga kasollja e tyre dhe nga rruga.
Pak kohë iu desh t’i afrohej kishës së rrënuar që lëshonte një hije të madhe, me atë këmbanoren e shurdhët prej kohësh, e cila ndillte një pamje të frikshme. Hyri brenda duke kapërcyer pragun e portës së madhe e të shqyer. Një erë e lehtë përplasej mbi të. Pas një çasti, ajo ngriti kandilin dhe filloi të ecte në sallën e madhe, plot rrangulla e dërrasa gjysmë të djegura, duke parë gjatë mureve për të gjetur fytyrat e shenjtëve për të cilat flitej nga fshatarët e moçëm. I gjeti. Në faqen e djathtë të kishës, disi të prishur, shquheshin mirë fytyrat e shenjtëve. Ishte një afresk i madh me shumë figura. Hodhi dhe një hap dhe ja ku u gjend papritur përballë një shenjtoreje të ulur. Kur ngriti pak kandilin, dalloi se sytë e gruas, të një prej pasueseve të Virgjëreshës Maria, ishin veç dy gropëza të vogla që dikush duhej t’i kishte gërvishtur me ndonje mjet të mprehtë, s’dihej kur. Shtangu menjëherë dhe bëri një hap pas. Nuk e priste të gjendej para fytyrës pa sy të shenjtores. Me siguri, dikush tjetër para saj kishte qenë këtu dhe kishte ngrënë sytë e shenjtes, siç thoshte dhe magjistrica, që të mund të lindëte fëmijë. Në krah të saj, një tjetër fytyrë, e ngjashme me të, kishte sy të bukur. Në prehër mbante një fëmijë. Jo, nuk ishte Virgjëresha, por një nga pasueset e saj, me një rrobë të bukur të verdhë në okër dhe faqe ngjyrë rozë. Ndjeu zemrën t’i rrahë, sepse ata sy ishin shumë të bukur. Si mund t’i krrente ato? Ngriti vështrimin lart dhe nga trarët që kishin mbetur vështroi hënën e plotë, e cila ndriste qiellin me një dritë ndryshe. E megjithatë një dëshirë e brendshme apo një forcë e pakuptuar ia mori dorën bashkë me thikën që kishte fshehur dhe ia ngriti lart, drejt fytyrës së shënjtores. Dora ndaloi një çast duke hezituar të ngulte tehun për të krryer sytë. Tani dhe shenjtorja me ato buzë të pulpta e gjithë mirësi po e shikonte drejt e në sy. Madje ajo po i pëshpëriste tashmë, me një zë të ëmbël e të ulët, sikur të donte mos ta dëgjonin shenjtet e tjera: “ – Ç’bën kështu motër?”… Por Rina mbylli sytë dhe bashkoi dy grushtet mbi gjoks. Pëshpëriti: – O Zot i madh, mëshiromë për këtë që po bëj!”
Dora u zgjat përsëri dhe u ngul në sytë e shenjtores.
Gjithçka u krye shpejt. Nxorri shaminë dhe i mblodhi ato copat e gëlqeres që pak më parë kishin qenë sytë e shenjtores. Ishte zbardhur e tëra dhe dridhej. “O Zot, ç’bëra unë kështu?!… Por menjëherë u tërhoq dhe ia dha vrapit drejt kasolles së saj.
Të nesërmen e asaj nate, Rina përpiqej të kujtonte gjithçka nga ajo që kishte ndodhur natën e hënës së plotë, por kur vinte çasti i dorës së ngritur mbi sytë e shenjtes, kujtesa nuk e ndihmonte më. Nuk arrinte të risillte ndër mend se ç’kishte ndodhur më pas, si i kishte mbledhur ato copa dhe si ishte kthyer në shtëpi. A e kishte pyetur Stefi apo Sofia se përse ishte vonuar apo ku kishte qenë?… Gjithçka kishte humbur në mjegullën e dendur dhe të errët të moskujtesës.
Nga mesi i muajit tjetër, tek po nderte rrobat në oborr, pranë gardhit, papritur ndjeu t’i humbte forcat. Shpejt bota iu errësua dhe u këput lehtë e ra në tokë si në një botë të shuar. Sa kohë kaloi kështu?… Nuk e dinte, veçse çuditërisht, kur hapi sytë kuptoi se gjendej në shtrat dhe përballë kishte fytyrën e nënës së Stefit që i buzëqeshte e diçka i thoshte. Rina nuk po arrinte ta dëgjonte. “Përse po qesh?” – mendoi ajo, por ndërkohë zëri sikur filloi t’i vinte si nga fundi i një gremine:
– Rina moj vajzë! Zoti e dëgjoi lutjen tonë!
– Çfarë? – pëshpëriti ajo pa e kuptuar ende.
– Po ti je shtatzënë moj nuse!
Rina hapi sytë pa arritur ta besonte këtë lajm të madh.
– Vërtetë?…
Atë natë Stefi fluturonte nga gëzimi. S’kishte gjumë në sy. E lodhur dhe e lumtur nga gjithçka që po ndodhte përreth, Rina dremiti në krahët e tij.
Që nga ajo ditë, kasollja e tyre jetonte veç gëzimin e fëmijës që do të lindte. Rina kishte filluar të bënte trikot e plaçkat e bebs, nëna e Stefit përgatiste zairetë e dimrit. Të mbjellat kishin qenë të mira, të korrat të mbara. Po hynte muaji i nëntë dhe Rina mezi i vinte rrotull punëve të shtëpisë. Barku i qe fryrë shumë dhe djersët e mbulonin, por ajo ishte e lumtur me pjellën e saj. Një ditë, duke kapërcyer pragun, ndjeu një dhimbje të fortë në bark dhe një lëng i ngrohtë po i shkonte poshtë këmbëve. «Me sa duket do të lind», mendoi e lumtur. Po pse kaq shpejt? Muaji i nëntë sapo kishte hyrë?…
Nëna e Stefit që e dëgjoi ankimin e saj iu afrua menjeherë.
– Ç’ke moj nuse?
– Më duket se do të lind! – pëshpëriti ajo. – Më shkuan ujrat…dhe këmbët s’po më mbajnë.
– Ç’ujra moj? – pëshpëriti ajo. E zuri për krahu dhe bëri ta fuste brenda në kasolle.
Ndërkohë Rina zgjati dorën poshtë barkut, preku lëngun mes shalëve dhe kur ngriti dorën ngjyra e gjakut e tmerroi në çast.
– Po ky gjak?
– O Zot i madh! – klithi plaka dhe e tërhoqi me vete drejt shtratit.
Rinës i filluan të dridhurat dhe plaka e mbuloi me një velenxë leshi.
Ishte natë e vonë. Askush nga të tre nuk vuri gjumë në sy atë natë.
O Zot… ndjehej e dërmuar, sikur dikush t’ia kishte shkëputur zemrën nga kraharori. Dhimbja ishte e madhe, si një copë shkëmbi mbi gjoks e mbi bark. Në errësirë, papritur iu shfaq fytyra e shenjtes, asaj të cilës i kishte krryer sytë. Ajo iu afrua ngadalë, si në majë të gishtave, ardhur nga errësira e thellë e asaj nate. Zëri i saj ishte rënkues dhe kërcënues: “Si arrite të m’i marrësh sytë, sytë e mi të bukur… pse më verbove, sikur të isha bija e satanit!
E ndjeu se për një kohë të gjatë s’po merrte më frymë. Si kështu? Gati po mbytej dhe papritur një gulçimë e dëshpëruar e shpëtoi. Mori frymë sërish. Por fytyra e shenjtes iu rishfaq: “Kthemi sytë, ti bijë e Zotit!…”
Si ishte e mundur që ajo të ishte larguar nga muret e kishës, ku kishte qëndruar me shekuj dhe t’i shfaqej atje, në shtratin e saj, në atë natë të zezë, si një natë kobi. Oh, ç’tmerr! – mendoi. Ato dy zgavra të errta në atë fytyrë të bukur, të kuqe dhe okër, me një aureolë të bardhë drite, e bënin akoma më vrastar aktin e saj. Si e kishte bërë këtë gjë? A mund t’i shkulësh sytë një gruaje të bukur, e një gruaje të paqtë dhe të ëmbël, një gruaje që thjeshtë mbante fëmijën e saj në prehër? Vetëm një shpirt djallëzor mund ta bënte këtë gjë. “Po unë pse e bëra?” – mendoi ajo dhe u tkurr e u mblodh sa një grusht, në atë çarçaf të ftohtë e të lagësht. A mund t’i shkulësh sytë një gruaje?…
Çudi, në faqet e saj nuk kishte gjak që rridhte, nuk kishte gjurma të kuqërremte të një martirizimi nga dikush. Vetëm sytë mungonin. Dy vrima që papritur i shndërroheshin në dy zgavra gjigande ku kumbonte një zë i thyer e tragjik: «Kthemi sytë ti bijë e Zotit… kam kohë pa e parë dritën, kam kohë pa e parë fëmijën tim”. E pikërisht atë çast ajo klithi. Pastaj një heshtje e thellë pushtoi kasollen. Po vinte agimi, por shenjtja e verbuar ecte ende nëpër errësirën e madhe, ashtu kuturu, duke kërkuar sytë e saj…
Të nesërmen pasdite fëmijën që mamia e fshatit e nxorri me vështirësi, e varrosën aty, në cepin e oborrit të shtëpisë, tutje, nën hijen e një rrapi të vjetër. Rina nuk ishte aty, kur duart e Stefit e futën në dhé, sepse ajo digjej zjarr në shtratin e saj, midis jetës e vdekjes. Foshnjën e pajetë e varrosën atje dhe jo në varrezat e fshatit, pasi lajmi se ajo grua kishte guxuar të krrente sytë e shenjtes kishte marrë dhenë.
Si kështu? Mos kishte folur përçart atëherë kur i nxirrnin fëmijën?… Sa shumë kishin mallkuar ata njerëz, sa shumë! Varrimi ishte bërë në muzg, larg syve të atyre dy-tre banesave të ulta që ishin jo larg kasolles së tyre.
Ajo qante mes zjarrmisë që i digjte trupin dhe gati shkulte flokët. Stefi hunguronte si një i çmendur dhe vinte rrotull varrit. Pastaj nisi t’i hedhë dheun e shkrifët. Në fund lëshoi një klithmë që çau qiejt dhe u zhduk drejt banesës së tij.
Atje në shtrat, në gjysmëerrësirën e dhomës, gruaja pa të afrohej hija e stërmadhe e nënës së Stefit. Hija ndaloi dhe pasi mori frymë thellë i foli gjithë zemërim:
– Zotit të madh nuk mund t’i fshihesh! Po ngrite dorën mbi të ai të godet dhe të mallkon përjetë. Zoti i sheh të gjitha në këtë botë!
Rina donte të ngrihej. Sapo lëvizi pak ndeshi vështrimin e egër të plakës, sikur të ishte ajo që e kishte vrarë atë pjellë të aq shumëpritur. Pastaj lëshua në shtrat dhe humbi në një botë tjetër.
Një natë e zezë ra, shumë e zezë. Hëna nuk dukej gjëkundi dhe një qyqe këndonte tutje. Papritur ia krisi një rrebesh i madh. Gjëmonte gjithçka: toka, qielli. Menjëherë mendoi për fëmijën kërthi e të sapolindur, futur në arkë të vogël druri ku uji me siguri kishte filluar të depërtonte. Tani trupi i bebes notonte si të ishte në një liqen të vogël morti. Iu afrua shtratit por kur e pa të shoqin ashtu skrupull e të mbledhur sa një grusht, i erdhi keq. «Po ç’faj kam unë?» – mendoi ajo dhe filloi të pyeste veten sikur të ishte jo ajo por një tjetër, një tjetër me emrin Rina.
Të nesërmen, që në mëngjes në pragun e kasolles së tyre u shfaq figura e zezë e popit me pelerinën e tij të gjatë, gjer në fund të këmbëve. Stefi i tha të futej, por ai refuzoi me një zë të rendë e të prerë.
– S’kam kohë të pres! Gruaja jote duhet të largohet menjëherë nga fshati ynë, një orë e më parë… Djalli e ka pushtuar shpirtin e saj!… Djalli tani na kërcënon të gjithëve!
Stefi uli sytë, mendoi një çast dhe pastaj hyri menjëherë brenda, i ndjekur nga zëri i priftit që shtoi:
– Kështu e pësojnë të gjithë ata që guxojnë të ngrejnë dorën kundër shenjtëve tanë!
Pas derës, Rina dëgjonte e mbërthyer nga një frikë e tmerrshme.
Duke u dridhur, sikur ujë të ftohtë t’i kishin derdhur në trup, ajo u shfaq në prag, me fytyrë të shpërfytyruar dhe flokë të pakrehur. Era dukej sikur donte t’i shkulte ato flokë. Ishte e dërrmuar nga dhimbja.
– Duhet të largohem? – pëshpëriti ajo më në fund, duke iu drejtuar popit.
– Menjëherë! – shtoi prifti dhe vështroi nga qielli. – Ndryshe do të ndëshkohesh me zjarr nga Zoti. Ky është vullneti i Kishës dhe i Zotit!
Një çast ajo mbeti si një shtatore guri. Pastaj me një lëvizje të vrullshme u fut brenda, mori një bohçe me plaçka dhe doli sërish në pragun e portës. Prifti përsëri nuk foli. Ajo ecte ngadalë e ndjekur nga Stefi, i cili s’po kuptonte se ç’po ndodhte në të vërtetë. Këmbët e tij ndaluan pranë priftit.
– Na mëshiro, o Zot i madh!
Pastaj zuri të pëshpërisë ca fjalë të shkëputura që priftin e bënë nervoz. Stefi nisi të çapitet drejt Rinës, e cila për një çast ndaloi pranë varrit nën rrap dhe pastaj kapërceu gardhin e jashtëm të oborrit. Tanimë figura e saj nisi të tretej.
Ishte fund jave dhe qielli vazhdonte të mbetej i ngarkuar plot re. Prifti kishte dërguar tre fshatarë me kosat e tyre në duar që të mbërthenin shtrigën lart në kodër dhe ta sillnin zvarrë para kishës, por kur arritën atje, s’gjetën frymë njeriu. Tania kishte marrë plaçkat me nxitim dhe ia kishte mbathur. Atëherë fsahtarët i vunë zjarrin. Ndërsa tymi i zjarrit ngrihej lart në qiell, plakat e fshatit ofshanin dhe shanin shtrigën! Të tjerë fshatarë, të nxitur nga prifti, po nxitonin të shkonin lart për të marrë pjesë në ndëshkimin e shtrigës. Madje dhe Rina, tek zbriste fushës, ndaloi një çast duke parë zjarrin që kishte pushtuar kasollen në majë të kodrës. “Mëshirona o Zot!” – pëshpëriti ajo.
Ndërkohë, Stefi vinte vërdallë brenda kasolles. Fare papritur pa në një cep kryqin e Rinës, të cilin ajo e mbante si gjënë më të shtrenjtë. Ia kishte lënë e ëma para se të vdiste. Mendoi një çast se ajo e kishte harruar, por e kuptoi më në fund se ajo e kishte lënë vetë aty, si të donte të ndahej nga ai… Nga Kryqi…apo…nga Zoti? Vërtetë të kishte qenë Zoti që e kishte mallkuar dhe e kishte dënuar atë qenie e brishtë dhe të dashur që gjithnjë i ishte përgjëruar Zotit dhe virgjëreshës Mari? Po ndjente një dhimbje të madhe, sikur trarët e shtëpisë nga çasti në çast do të binin dhe do ta zinin nën vete. “O Zot, ç’po ndodh kështu?!” pëshpëriti me vete duke ndjerë përbrenda një boshllëk të madh dhe zbrazëtirë të pafund. Iu duk sikur një dorë e huaj e mizore i kishte shkëputur zemrën nga kraharori dhe e kishte lënë ashtu me një zgavër të madhe, si të ishte një gojë gjigande. Papritur, me kryqin në duar, ai doli me nxitim dhe u nis drejt oborrit. Një fuqi e mbinatyrshme shtynte tej pragut.
Burri hodhi sytë nga qielli dhe vështroi shtëllungëne tymit që po tretej ngadalë. E kuptoi se shpejt do të fillonte shtrëngata. Mendoi për Rinën. Ku po shkonte ajo?… E ndjeu se i mungonte.
Kishte lënë kasollen pas dhe po merrte rrugën me plepa që zbriste poshtë drejt fushës. Filloi të vraponte nëpër erë, duke mos e ndierë fare shiun që sapo filloi. Në duar shtrëngonte kryqin e braktisur. Shkonte si i çmendur. Sa kohë vrapoi kështu? As ai nuk e dinte, por veç më pas, tutje në fushë, kur fryma po i zihej nga ai vrap i lodhshëm, nëpër shiu, iu shfaq krejt papritur një figurë njeriu. Zemra i rrahu dhe vazhdoi të rendë drejt saj. Sa më shumë i afrohej, aq më shumë besonte se ishte ajo. parandjenjat nuk e kishin gënjyer kurrë. Kur iu afrua edhe më, i bërtiti me sa fuqi që kishte:
– Rina! Rina!…
Ishte një britmë e tmerrshme.
Figura tutje ndaloi dhe u kthye të shihte pas. Ishte Rina… Ai vrapoi si i çmendur. Iu afrua dhe ndaloi para saj.
– Rina!
Fuqitë iu prenë e ra në gjunjë.
Po kështu ra në gjunjë dhe ajo. Dhe ashtu, të dy, pushtuan njëri-tjetrin, nën atë rrebesh të kobshëm që hidhte qielli mbi ata.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...