Nga
Fritz RADOVANI:
25 NANDOR 1946 PRIZREN…
Vetem arkivat e Komitetit Qendror të Partive Komuniste
zbulojnë të verteten e vrasjeve barbare të bame nder shtetet ku u instalue ai
rregjim diktatorial, barbar e gjakatarë.
Rregjim i pangopun me gjak deri n’atë masë sa edhe sot
mbas 70 e sa vjetësh, ende nuk dihet i saktë numri i fëmijve viktima nder
kampet e interrnimit të atij sistemit.
Historia e PK të Bashkimit Sovjetik, asht kenë modeli i
vendosjes së komunizmit nder vendet e Europës Lindore, dhe ma shumë se kudo në
vendet e Ballkanit. Krahas luftës antikombtare nder vendet ku kundershtohej
ideologjia skllavnuese komuniste, shtetet e Ballkanit provuen edhe luften e
pamshirshme fetare, e kryesisht këte komunizmi e ka eksperimentue në qytetin e
Shkodres, ku edhe kinezët zhvilluen “Revolucionin kulturor” në vitin 1967,
mbasi ishin të pangopun me krimet e sllavokomunistëve Tito e Stalin.
Një nga modelet e masakrave komuniste asht edhe ajo e
Dardanisë, nen masken e re “Katoliçeskaja Banda” që u zhvillue në qytetin e
Prizrenit, aty ku “Lidhja e Prizrenit”, i dha hov zhvillimeve historike dhe
kulturore të krejt Shqipnisë.
Në grupin e
montuem nga sigurimi jugosllav në Prizren përfshihën këta persona: Maria Shllaku,
At Bernardin Llupi OFM, Kol Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj, Isa Cavolli,
Masar Begolli, Hamza Begolli, Jusuf Haxhiymeri, Mehmet Vokshi, Viktor Gashi,
Frano Civlaku, Jak Krasniqi, Osman Basha, Skender Rizaj, Engjëll Berisha,
Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Kamber Pajaziti, Sebë Mateja, Jak Shahini,
Gita Mjeda, Luçije Leka, Sebë Kola, Miftar Bala, Binak Dema dhe Gjergj Deda.
Dosjet si gjithkund janë të cungueme e jo të sakta. Megjithate, pjesa që na
intereson për ketë shkrim del edhe nga kujtimet e bashkvuejtësve të shumtë të
asaj ngjarje. Kryesisht jam ndihmue per këte material nga bashkvuejtësi Sheuqet
Kelmendi, antar i këtij grupi kur ishte shumë i ri.
Gjyqi i montuem sllavotitist
vendosi: Maria Shllaku 24 vjeç, At Bernardin Llupi 60 vjeç, Prof. Kol Parubi 40
vjeç dhe Gjergj Martini 29 vjeç, u dënuen me vdekje me pushkatim. Vendimi u
zbatue me datën 25 Nandor 1946, në të dalun të dritës në Prizren…
Sa u hap dera nga rojet
jugosllave, At Llupi pa ju trembë syni, tha: “Gjergj e Kolë, ejani të shkojmë
krenarë, lé ta shohin këta se nuk ia kemi frikën plumbit! Duhet të jemi të
lumtun se po vdesim për idealet e Kombit!”. U ndigjue zani i Maria
Shllakut, Ajo nuk doli nga qelia pa i dhanë fund kangës së trimit maleve Ymer
Berisha…
At Llupi i tha: “Të lumtë, o
bylbyli i shqiptarizmës! Lé ta marrin vesh Bota si shkon me vdekë femna
Shqiptare…me kangë në gojë!”…
Maria u përgjegjë: “Rrnoftë
Shqipnia e Madhe! Rrnoftë bashkimi i Shqiptarëve!”
“VDEKJA SI KJO, VDEKJA PËR SHQIPTARIZËM, ASHT
KUPË E ARTË!.. RRNOFTË SHQIPNIA!”
Këto ishin fjalët e Fratit At Bernardin Llupi para
plutonit pushkatimit!
E, mbas të shtimëve të
automatikut, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la
me gjakun e Atij Martiri… Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!” Xhullinjtë
Ju afruen dhe vazhduen me shti mbi Té, derisa Frati Shkodranë u shtri mbi Tokën
Nanë Shqiptare…të Prizrenit, robnuem nga sllavokomunistët barbar!
Vazhdoi Mësuesi Gjergj
Martini: “Lamtumirë vëllazën! Tregoni Botës mbarë se Kosova e Shqipnia ka trima,
që japin jetën për vatan dhe, nuk ka asnjë armik që na tremb!
Shqiptari nuk përkulët
kurrë!”.
Prof. Kol Parubi me një za të
lehtë ashtusi fliste Ai, u tha: “Lamtumirë vëllazën, Amanet vajzën. Rrnoftë
Kombi ynë Shqiptar, rrnoftë Shqipnia!”.
***
Asht e vertetë se koha kalon...
Po, kujtimi i Këtyne Martirëve
asht sa i Pavdekshem aq sa i papersëritshëm.
Figura Atdhetare mund ti vijnë
prap Popullit Shqiptar, po figura Fetare si këta nuk besoj!
E mosbesimi im e ka një bazë,
tek vlersimi i At Llupit e shumë të tjerëve që dhane jeten e vet, pa ju tutë
syni para plutoneve të pushkatimit nga barbarët terroristë komunistë.
Edhe shpresat kanë kohen e
vet, po harresa... i venitë shpesh herë ato!
Kam besim se per Rivlersimin e
Këtyne Figurave të Mëdha, asht me mendimin tim edhe Prizreni edhe Shkodra!
Melbourne, 22 Nandor 2017.