2017-11-19

Përtej botës dhe epokës, Stefan Zweig




Falma Fshazi

Ai është personazhi librat e të cilit i mbaj gjithnjë pranë kohët e fundit. Veçanërisht dy prej tyre që lexova vetëm para pak muajsh, Marie-Antoinette dhe Romani i një jete, Balzac. As mbretëresha të cilës i kujtohet shumë vonë se kishte humbur mundësinë të qe e tillë, as romancieri i cili për fatin tonë të mirë nuk diti të menaxhojë një shtëpi botimi, s’janë ndër titujt që bënë të famshëm Zweig. Veçse janë faqet e shumta të këtyre të veprave më të dendura në shenja pene se shumë fletë të bardha që ai ka prekur, të cilat shpërfaqin përpara lexuesit shkencëtarin e letërsisë dhe letrarin e historisë. Ëndrrën e çdo shkrimtari. Përpjekjen gati për herë të pamundur dhe të letrarëve të mëdhenj. Ndërsa, Zweig e ka të arritur në çdo fjali të këtyre të librave, të punuar me qetësinë e një mjeshtri që di ta kontrollojë, skalitë e pastaj çlirojë si uraganin rrëmbyes më të natyrshëm, historinë. Ai shkruante kur shtetet, shoqëritë dhe individët ndërtoheshin e shkatërroheshin me shpejtësi marramendëse. Njerëzimi i dehur prej iluzionit se kishte zhdukur çdo pikëpyetje e se kjo qe një arritje e pashembullt, vraponte drejt përgjigjeve pa ekuivok për shtetin, për kombet, për familjen, për individin, dhe për trupin e këtij të fundit. Burrat e shtetit, mendimtarët, luftëtarët, qytetarët, çdokush, fatkeqësisht e kishte të qartë çfarë donte dhe në emër të saj çdo sakrilegj qe i justifikuar. E pikërisht në këto kohë, historiani Zweig përdorte pikëpyetjet mbi të shkuarën për të hedhur dritë mbi të tashmen dhe shumëllojshmëria e nuancave që prezantonte përbënte një pasuri kolosale perspektivash, idesh e ndjeshmërish për të ndërtuar të ardhmen. Filozofi Zweig e gjente kohën në bashkimin e personales me të tërën e ndërlidhjeve të cilat transformojnë e transformohen në vijimësi duke lënë gjithnjë të tejshkueshëm kufijtë që ndajnë dekada, shekuj dhe hapësirën më publike me atë më private. Kurse shkrimtari Zweig, ishte mishërimi i një dijeje të shumësuar ndër shekuj e cila nuk dorëzohet në përballjen me furtunën gjakatare e fort kundërmuese të mendimtarëve zëngjirur, tregtarëve të pangopur, politikanëve të pagdhendur, të gjithë shumë të sigurt në vetvete në mesin e njerëzimit të trullosur. Si në ditët e sotme, kur vorbulla e fjalëve ka vrarë mendimin dhe e djeshmja është veçse mjeti që justifikon qëllimet e secilit. Stefan Zweig,i lindur në Vjenë më 1881, jo vetëm i qëndron kohës, por ofron një mundësi, një rrugë, një mënyrë për të dalë nga banalizimi i të sotmes dhe për rrjedhojë varfërimi i paevitueshëm i së nesërmes. Ai sjell fjalën si pasion e si dije, si magji e si shkencë njëkohësisht, dhe të mban lidhur me një botë sfiduese për thellësinë e mendimit dhe rezultatin e punës së palodhur e qartësisht të ndershme. Një botë që nuk ekzistonte kur ai jetonte, një botë që nuk ekziston as sot. Por është diku, dhe unë e gjej te Stefan Zweig.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...