2017-11-23

Sali Veseli:Ky gjyks e vrau komandant Drinin!


Si dëshmonte për UÇK-në komandant Drini, i cili do të vritej pas luftës





Prizreni ishte qyteti i parë që UÇK-ja e kishte marrë nën kontroll pas largimit të forcave serbe më 15 qershor të vitit 1999.

Ishte ditë e enjte, kur UÇK-ja e kishte konsoliduar kontrollin në Prizren dhe aty ishte komandanti Ekrem Rexha, i njohur si Drini i cili më pas u vra në rrethana të pasqaruara.
Për vrasjen e komandantit Drinit ka pasur një proces gjyqësor, por e vërteta asnjëherë deri me tash nuk ka dalë në shesh.

Ai në një kronikë të Associeted Press-it (AP) flet për atë se si Prizreni duhet të shërbejë si shembull për qytetet tjera, duke shtuar se trupat e tij do të presin urdhra nga NATO-ja.

Tutje ai flet se si UÇK-ja asnjëherë nuk ka lënduar civil dhe këtë nuk do ta bëjë as në liri.

“Ne asnjëherë nuk kemi lënduar civil, ne asnjëherë nuk kemi lënduar fëmijë, gra dhe pleq. Secili që ka qenë i involvuar në krime do të jetë përgjegjës për atë që ka bërë. Të tjerët, janë të lirë të qëndrojnë, ne nuk do të bëjmë presion të asnjëri”, ka thënë komandant Drini.

Vrasja e komandant Drinit

Komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për aftësitë e tij ushtarake për të janë thurur gjithfarë legjendash. Përmendet shpesh sidomos “kërcënimi” që si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ua kishte bërë oficerëve të KFOR-it gjermanë në momentin e hyrjes së UÇK-së në Prizren se do të shkrinte deri në një 10 mijë ushtarët sa kishte thënë që i ka në rast se serbët që kishin bërë krime ndaj popullatës civile do të provonin të qëndrojnë këtu.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje.

Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit thonë se nuk ka asgjë të re rreth këtij rasti. Sipas kryeprokurorit, Sylë Hoxha, lënda tashmë mund të jetë dorëzuar nga ndërkombëtarët (të cilët kanë qenë kompetentë për këtë rast) në Prokurorinë Speciale të Kosovës.


div dir="ltr" style="text-align: left;" trbidi="on">

Mos(harrimi )



Dëshmitarët që janë cilësuar si kyç në këtë proces, Remzi Shala, Bashkim Ndrecaj dhe Kadri Shabani (boshnjak) ishin në sallë, por të hënën dëshmoi Shala, i cili në dhënien e dëshmisë ishte konfuz, për çka pati polemika midis prokurorit ndërkombëtar Hickman, gjyktëses Karpati dhe mbrojtjes së të akuzuarve. Vazhdoi gjykimi në procesin “Drini” në Prizren



PRIZREN, 24 QERSHOR 2002 


 Në Gjykatën e Qarkut në Prizren të hënën me një rë vonesë vazhdoi procesi gjyqësor që tashti njihet me emrin “Drini”, kundër të akuzuarve Habit Haziraj, për vrasjen e Komandant Drinit, Sali Veselit për organizim dhe Halil Çadrakut e Xhemajl Beqirajt për ndihmë. Një orë të akuzuarit kanë pritur fillimin me duar lidhur në bankën e të akuzuarve, ndonëse ata ndodheshin në sallën e gjyqit të rrethur me policë.

“Mosmarrëveshjet mes avokatëve dhe administratës së gjykatës ishin rezultat i vonesës”, u shpreh avokati Fazli Balaj në vërejtjen e kryetares së trupit gjykues Karpati se vonesa sipas saj ishte “pasojë e mosardhjes me kohë e avokatëve”. “Ne kemi ardhur me kohë, por administrata e gjykatës ka thënë se të paraburgosurit arrinë në orën 10”, tha Balaj.

Për të hënën ishte paraparë që në procesin gjyqësor të rastit “Drini” të paraqiteshin dëshmitarët të cilët janë cilësuar si kyç në këtë proces: Remzi Shala, Bashkim Ndrecaj dhe Kadri Shabani (boshnjak), të cilët ishin në sallë, por për Kadri Shabanin, gjykatësja ka bërë urdhëresë që ai të dëshmonte më 1 prill. Para së të fillonte procesi, avokati Rexhep Hasani, kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues Karpati që të kërkonte nga mediat korrektësi për shkak se ai kishte vërejtje se nga ky gjykim dezinformojnë opinionin.

Hasani, pyetjes së gazetarëve se për cilat media kishte fjalën, ai tha: “Për korrespondentin e gazetes “Bota sot”, e cila ka shtrembëruar dëshminë e së vesë së Ekrem Rexha, Hajrie Rexha”.

“Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit”

“Unë i njoh 4 të akuzuarit dhe ata e njohin mirë njëri-tjetrin”, deklaron në fillim të dëshmisë së tij dëshmitari Remzi Shala, i cili ka qenë shofer i Sali Veselit, ishkomandant i Zonës II Mbrojtëse të TMK-së. Ai më pas ka thënë se “për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit në zyrën e Veselit kur Fatosi (nofka e Halil Çadrakut) ka hyrë në zyrë të Veselit dhe i ka thënë atij se “këqyr çka ka shkruar ky qen, (për Drinin) në gazetën “Ditët e shpresës”, ndërsa sipas Shalës, Veseli i ka thënë se “ti e di urdhrin dhe Fatosi ia ka kthyer se unë do ta gri këtë dhe do të hedh në bërllok”.

Më pas, Shala ka rrëfyer se si pas varrimit të Drinit, kanë festuar në “Pojata” ku ishin 13 persona, ndër të cilët Sali Veseli, Halil Çadraku, Sadik Halitjahaj, Alush Shala, Xhemajl Beqiraj, duke pranuar se aty ka qenë edhe vetë. Sipas tij Veseli në atë drekë në “Pojata” ka thënë se “ne e vramë Drinin, ndërsa tani është në radhë Bislim Zyrapi dhe se unë e vras njerin dhe mirë ia lexoj referatin në varrim”, deklaroi Shala.

Duke folur më tej, (deklaratën e tij askund nuk e ndërpreu gjyqtarja Karpati) tregon se pas kalimit të Veselit në Mitrovicë, në rrugë për atje “Veseli më ka treguar se ‘qyky gjyks vret njerëz’, duke më bërë të ditur se unë e kam ‘Nixhen’, për të cilin më vonë kam kuptuar se ai ishte Habit Haziraj dhe njëherësh Sali Veseli më ka pyet se ‘a e ka marrë vesh populli se unë e kam vra Drinin, për çka unë ia kam kthy se jo ende nuk e ka marrë vesh”, shprehet dëshmitari Shala.

Duke vazhduar më tej, ai tregon se si shofer i Veselit, 2 javë para se të vritej Drini ka pasur një takim mes Veselit, Fatosit, Alush Shalës, Sadik Halitjahës e ku ishte edhe Xhemajl Beqiraj, në hotelin “Theranda” ku “sipas bindjes sime aty është bërë fjalë për vrasjen e Drinit”, ka thënë ai. Pyetjes së gjyqtares se si e ka ditur ai se në këtë takim është folur për organizimin e vrasjes së Drinit, ai është përgjigjur: “Kam dyshuar në bazë të asaj se në zyrën e Veselit i kam dëgjuar duke folur për këtë atë dhe Fatosin për artikullin e gazetës për të cilën fola më parë”.

Në këto çaste gjyqtarja e ka ballafaquar me deklaratën e tij, dhënë më 2 gusht 2001, ku para gjyqtarit hetues të së njëjtën pyetje i është përgjigjur se “këtë e ka kuptuar më pas, pasi që ka dëgjuar në ‘Pojata’ çfarë është folur aty”.

Konfuzioni i dëshmitarit dhe polemikat

Një konfuzion të theksuar ka shprehur dëshmitari Shala kur ka filluar ta merrte në pyetje dëshmitarja Karpati, për çka ka pasuar edhe polemika mes prokurorit ndërkombëtar Hickman, i cili duke i përcjellë përgjigjet e dëshmitarit, u përpoq që këtë konfuzion të tij t’ia mveshte, siç tha ai, “pasaktësisë së gjyqtarit hetues, i cili dëshmitarit ia ka aforuar deklaratën që ta nënshkruante në gjuhën angleze dhe dëshmitari nuk ka ditur se ç’kishte nënshkruar”, është shprehur ai, për çka ndërhyn Karpati, e cila tha se kjo nuk qëndron pasi që atij fillimisht i është lexuar edhe versioni shqip i deklaratës.

Avokatja Sadie Mjekiqi më pas ka ndërhyrë ku ka përkujtuar prokurorin Hickman, i cili përfaqëson aktakuzën kundër 4 të akuzuarve në këtë proces, se “shumë saktë gjykatësja 3 herë e ka ballafaqur me daklaratën e tij dhe këto paqartësi i ka pohuar edhe në 5 pyetjet e veta dëshmitari, prandaj nuk është e qartë se pse prokurori nuk e pranon këtë fakt”, tha ajo. Ky konfuzion ka ardhur atëherë kur Karpati ka pyetur dëshmitarin Shala se kur dhe ku ka dëgjuar për herë të parë t’i ketë thënë Veseli se “ne sot e vramë Drinin”, ndërsa ai në 5 raste ka thënë se “këtë e kam dëgjuar në ‘Pojata’ në ditën e vrasjes së Drinit”. “A këtë e ke dëgjuar në ditën e vrasjes së Drinit, ripyet disa herë dëshmitarin gjykatësja.

“Nixha” ishte Habit Haziraj

Karpati dhe ai ia kthen përgjigjen se në ditën e vrasjes së Drinit, ndërkohë që ajo e ballafaqon me faktin se një takim është mbajtur në ditën e funeralit, e pyet nëse ka pasur 2 dreka në “Pojata”, ai përgjigjet se “jo ka pasur vetëm një drekë”.

Më pas gjyktësja Karpati ka pyetur dëshmitarin se si ka kuptuar se vrasësi është Haziraj, dëshmitari Shala ka thënë se “këtë ma ka thënë Veseli duke më treguar se atë e ka vrarë “Nixha”, por mbiemrin e kam kuptuar nga Xhemajl Beqiraj”, ku isha së bashku me Bashkim Ndrecajn në banesë në Mitrovicë dhe ne me të së bashku, pasi që dinim vetëm mbiemrin dhe pseudonimn “Nixha” vinim natën tinza te Sali Veseli dhe Xhemajl Beqiraj për të shkuar në Drenicë dhe për të kuptuar se kush ishte vrasësi i Drinit dhe atje nga disa shitës cigaresh kemi kuptuar se Haziraj, “Nixha” ishte Habit Haziraj”, thotë Shala për të shtuar më pas se menjëherë kam lajmëruar policinë pasi që unë shumë e kam dashur Komandant Drinin.

Më pas kryetarja e trupit gjykues e ka ballafaquar dëshmitarin Shala me disa pasuese të deklaratës së tij dhënë para gjyqtarit hetues, të cilat nuk korrespondonin me dëshmitë e tij të së hënës në disa raste dhe pyetjes së kryetares së trupit gjykues se pse këto nuk ia ka thënë dëshmitari gjykatësit hetues, ai u shpreh: “Kam dashur që në hollësi të flas para trupit gjykues dhe t’ia them në sy Veselit”.

Kështu kur kryetarja e trupit gjykues e pyet dëshmitarin se a ka qenë në takim para vrasjes së Drinit në hotelin “Theranda” Sadik Halitjaha dhe pas funeralit të Drinit në “Pojata” ai shprehet se “ka qenë në të dyja këto takime”, ndërsa më pas gjykatësja e ballafaqon atë me deklaratën e tij, dhënë gjykatësit hetues se më 2 gusht 2001 ku thotë se “dua ta korrigjoj veten se në takimin e dytë në ‘Pojata’ nuk ka qenë Sadik Halitjahaj”, pyetjes se pse ndodhin këto papërputhshmëri me dëshminë e tij, Shala tha vetëm këtë “se unë po them se në të dyja këto takime ka qenë edhe Halitjahaj.

Konfuziteti i dëshmisë së dëshmitarit të sotëm në disa raste është provuar edhe gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtëst e të akuzuarëve, e kjo vërehej sidomos në papërputhsmërinë kohore parë disa nga të dhënat e tij si dëshmi. Gjykimi vahdon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë, Bashkim Ndrecaj dhe z.Shabani.


Deputeti i Parlamentit në Kosovës nga Nisma, komandanti legjendar i UÇK, zoti Zafir Berisha ka kujtuar me dt.8 MAJ 2016 , përvjetorin e vrasjes së Ekrem Rexhës – Komandant Drinit.

Berisha ka thënë se mënyra e vrasjes së Drinit para derës së shtëpisë ishte një paralajmërim se Kosova po futej në një rrugë pa dalje.

Ky është postimi i plotë i Berishës në facebook:

“Me 08.05.2000 ende pa u bë një vit që ishte kry lufta, para shtëpis tij në mënyr qyqare vritet bashkëluftëtari Ekrem Rexha/Drini. Vrasja e Kom.Drinit ishte një paralajmrim se Kosova po futet në një rrugë pa kry dhe krimi i organizuar në bashkpunim me barkëqitjen sllave do ta shkatrroin seriozisht vlerën e këti vendi që quhet UÇK dhe vendin do ta dërgoi drejtë falimentimit. Vrasja e Kom.Drinit nuk ishte humbje vetëm për familjen dhe shokët e luftës por ishte humbje për Prizrenin, Kosovën dhe prespektivën evropiane të të gjith qytetarve.


RRËFIME AUTENTIKE TË FAMILJARËVE TË EKREM REXHËS – KOMANDANT “DRINIT” PËR VRASJEN DHE PËR ARRESTIMIN E TË DYSHUARVE TË IMPLIKUAR NË VRASJEN E TIJ

NUK PO MUND TË BESOJMË SE EKREMIN E VRANË ATA QË SOT PO MBAHEN NË BURG SI TË DYSHIMTË, POR ÇDO GJË ËSHTË E MUNDUR



Ekrem REXHA u lind më 14.8.1961 në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në Prizren. Më 1967 regjistrohet në gjimnazin ushtarak në Beograd. Akademinë ushtarake-gjinia këmbësorisë e mbaron më 1984 në Sarajevë. Në akademinë ushtarake ndalet si ligjërues i kadetëve ushtarakë. Më 1988 ka regjistruar studimet e magjistraturës në shkencat politike-drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në Sarajevë ka vijuar disa kurse për mësimin e gjuhëve të huaja. Ekrem Rexha ka zotëruar mirë 7 gjuhë të huaja, në mesin e tyre anglishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten etj. Në vitin 1992 ka marrë urdhër të shkojë në frontet e luftës në Dalmaci.

Në mars të vitit 1993 kthehet në Prizren, çmobilizohet dhe nuk kthehet më në radhët e ish-APJ-së. Në vitin 1995 punësohet në ndërmarrjen private të kontabilitetit “Standardi” në Prizren. Pas fillimit të luftës, në shkurt të vitit 1998, Ekrem Rexha niset për të shkuar në Sarajevë, për t’i rregulluar disa punë private dhe për të rënë në kontakt me oficerët shqiptarë e më pas për të ardhur në luftë në Kosovë. Në Zvirnik arrestohet nga policia serbe, gjoja se ka qenë i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Në uzhicë dënohet me dy vjet burgim, por lëshohet të mbrohet në liri. Pas dy-tri javëve kthehet në Prizren. Në muajin maj 1998 bie në kontakt me njësitin e UÇK-së së Kabashit.

Në qershor 1998 emërohet komandant i Shtabit të Vërrinit, në të cilin bashkëpuntor të ngushtë gjatë tërë luftës e ka pasur Selim Krasniqin, kryetar aktual i Asociacionit të Veteranëve të UÇK-së në Prizren. Më 7 shtator 1998 shkon në Shqipëri, ku merr pjesë aktive në riorganizimin dhe stërvitjen e ushtarëve të UÇK-së. Më 14 dhjetor 1998 kthehet në Kosovë dhe me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së emërohet kmandant i Zonës Operative të Pashtrikut në Kasterc e Noshor të Suharekës. Në mars të vititi 1999, po ashtu me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shkarkohet nga detyra e Komandantit të ZOP dhe emërohet drejtor i Shkollës Ushtarake dhe i Doktrinës së UÇK-së deri në çmobilizim.

Sipas bashkëpunëtorëve të tij, Ekrem Rexha – Komandant “Drini” nuk është aktivizuar në TMK, për faktin se nuk është pajtuar me mënyrën e çmilitarizimit të UÇK-së dhe të shëndrrimit të UÇK-së në një organizatë civile.


“Birin tim ma vranë vetëm pse luftoi për lirnë e Kosovës”, thotë nëna Qamilja


Në familjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” ishim më 14.8.2001 në ditëlindjen e 40-të vjetorit të lindjes së tij. Së pari më dëshiroi mirëseardhje nëna e komandantit legjendar “Drinit”, lokja Qamile. “Birin tim ma vranë vetëm pse luftoi për lirinë e Kosovës dhe për ta përparuar popullin e vet. Atë ditë të kobshme për herë të fundit pimë kafe me Ekremin këtu në ballkon. Posa doli te vetura për të shkuar në punë e vranë. Shumë plumba i kishin zbrazur mbi trupin e djalit të nënës.

Vrasja e tij e tronditi tërë Prizrenin dhe Kosovën. Nuk ka mbetur kush pa ardhur për të na lehtësuar dhembjet e për të na shprehur ngushllime. Në ngushëllime ka ardhur edhe Sali Veseli. Një ditë kur erdhi ai u ul si gjithë të tjerët në këtë vend. Ma vguri dorën mbi krahë dhe më tha: “Ti loke nuk duhet të mërzitesh. Tash vetëm “Drinin” nuk e ke, por të gjitha të tjerat do t’i kesh. Ne do të kujdesemi për ju. Nuk do t’ju mungojë asgjë”. E unë, me gjithë mërzinë që kisha, iu përgjigja: Cfarë më duhet jeta mua pa djalin tim Ekremin, të cilin ma vranë!”

Pas pak, jo me lot në sy, nënë Qamilja edhe një herë flet me përmallim për djalin e saj. “Ekremi prej moshës 15 vjeçare është larguar nga shtëpia. Rreth 20 vjet nuk e kam pasur në shtëpi, larg syve. Kurrë nuk jam çmallur e kënaqur me të. Atë ditë që e vranë u nisë për të shkuar në punë e pastaj në Pejë. Por nuk arriti as të shkojë në punë e as në Pejë. Ia morën jetën pa i pasur askujt hak e as borxh.

Sot në ditëlindjen e tij , në vend të Ekremit, poçmallem me dy nipat, djemët e tij Drinin dhe Ekremin e vogël, i cili lindi dy muaj e gjysmë pas vrasjes së tij. Nuk po mund të besoj se Ekremin e vranë ata që sot po mbahen në burg si të dyshimtë. Por çdo gjë është e mundur. Si mundën ta vrasin Ekremin, ai nuk ishte vetëm imi, por i gjithë Kosovës. Mburrëm që pata një djalë të tillë, trim, fisnik dhe bujar dhe të dashur për të gjithë popullin e Kosovës.


Me Ekremin u martuam dhe bëmë kurorë në flakën e luftës

Bashkëshortja e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit, zonja Hajrie Millaku-Rexha, tregon se me Ekremin është njohur pesë vjet para se të martoheshin. Ekremi ka qenë një njeri i formuar, inteligjent dhe shumë i afërt. U martuam dhe u kurorëzuam në flakët e luftës. Edhe në luftë jeta jonë vazhdoi, të bindur se nëse e mbijetojmë luftën, në liri do ta gëzojmë jetën me fëmijët tanë.

Por ja fati e deshi, Ekremit ia morën jetën në moshën më të mire, kurse unë mbeta në gjysmë të rrugës, pa më të dashurin tim – shokun e jetës sime. Jam krenare që pata një njeri e bashkëshort të tillë. Edhe pse me zemër të thyer përsëri jam e kënaqur se Ekremi m’i la dy djem sokola, Drinin dhe Ekremin, të cilët do t’i ruaj, do t’i rris e edukoj ashtu siç dëshironte bashkëshorti im-Ekremi.

Gjatë kohës së luftës më 27.7.1998 me kunatin Ruzhdiun e pata vizituar në Libiçevë, në terrenin e Vërrinit, ku ai luftonte. Kurse më 30.7.1998 jam nisur për Sarajevë. Kur mora vesh se Ekremi është kthyer nga Shqipëria, erdha në Kosovë për të pritur Vitin e Ri të parë të martesës. Jam vendosur në fshatin Hoçë të Vogël të Rahovecit, në shtëpinë e Mehmet Krasniqit.

Mehmet Krasniqi shumë e ka ndihmuar UÇK-në, ka pritur, ka strehuar e shërbyer shumë – shumë ushtarët tanë. Më 14 janar 1999, po në shtëpinë e mixhës Mehmet, me Ekremin e kemi bërë kurorëzimin. Ofiqari i Zyrës së Vendit të Krushës së Madhe nga Celina e ka marrë librin e të kurorëzuarve dhe rreth orës 23.00 të natës ka ardhur në Hoçë të Vogël për të na kurorëzuar. Në shenjë nderimi të kurorëzimit tonë, Mehmet Krasniqi pati ftuar rreth 100 ushtarë e persona të tjerë civilë dhe pati prerë një ka të madh. Tamam u bë dasmë e vërtet. Ato momente të lumtura të jetës sime me Ekremin kurrë nuk do t’i harroj.

Më vjen keq dhe ndjej dhembje për ofiqarin që na kurorëzoi në Hoçë të Vogël, të cilin kam dëgjuar se më pas forcat serbe e kishin vrarë.

Dy ditë pas kurorëzimit përsëri jam kthyer në Sarajevë. Djali i madh Drini më ka lindur më 18.6.1999 në Sarajevë, pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në fund të muajit qershor ’99 në Sarajevë ka ardhur edhe Ekremi dhe është kthyer më 27.7.1999, kurse unë në Prizren me djalin e vogël kam ardhur tri javë pas Ekremit. Pas ardhjes së Misionit të UNMIK-ut në Prizren, Ekremi është emëruar drejtor i Departamentit për Mbrojtje të Ambientit dhe Siguri Civile.


“Kjo është hera e fundit që do të marr pjesë në tubimet përkujtimore. Nuk po mund t’i shikoj fëmijët e dëshmorëve, zemra po do me mëplas”, tha Drini pak para se ta vrisnin

Siç është vërtetuar, Ekremi ka qenë në përcjellje të përhershme, të vrasësve të cilët kanë pritur momentin më të përshtatshëm për të likuiduar. Katër pesë ditë pa e vrarë ia kishin shpuar gomën e veturës në qytet derisa ai ishte në zyrë. Më 7 maj 2000 Ekremi shkoi në Aeroportin e Prishtinës për të marrë vëllanë Ruzhdiun. Në shtëpi arritën rreth orës 18.00 në mbrëmje. Pasi pushuan pak hëngrën darkën.

Ruzhdiu doli për t’i vizituar axhët e miqtë e tij, kurse Ekremi ishte i lodhur ra për të pushuar. Atë ditë, më 8 maj 2000, disi isha i shqetësuar dhe kisha një parandjenjë se do të ndodhë diçka e tmerrshme. Në mëngjes unë dola për t’i kryer punët e mëngjesit, kurse Ekremin e lashë duke lozur me Drinin. Ai orët e para të mëngjesit ia kushtonte Drinit, luante me të, sepse gjatë ditës nuk kishte kohë, ishte i zënë me punë.

Edhe atë ditë që e vranë e mori Drinin në krah dhe duke e përqafuar doli në ballkon. Më tha thirre Naimin (Naim Malokun) se rreth orës 10.00 duhet të shkojmë në Pejë, në tubimet përkujtimore të dëshmorëve të fshatit Radavc e Tërstenik. Duke e shikuar ftesën me fotografi të dëshëmorve, si në kujtim tha: “- kjo është hera e fundit që do të marr pjesë në tubuimet përkujtimore. Nuk po mund t’i shikoj fëmijët e dëshmorëve, zemra po do të më plas.

Pasi pimë kafe, u nis drejt te vetura, por u kthye menjëherë shumë i mërzitur. Tha përsëri ma kanë shpuar gomën e veturës. Posa doli nga dera e oborrit u dëgjuan rafalet, ndërkaq një veturë e kuqe iku me të shpejtë. Mua më lëshuan këmbët dhe e luta zotin të mos jetë e vërtetë ajo që po mendoj. Ruzhdiu e kishte kapur Ekremin dhe mundohej t’i jepte ndihmë. Me një veturë e dëguan në ambulancën e KFOR-it gjerman. Pas një ore erdhi kunati Ruzhdiu dhe na njoftoi e na shprehu ngushllime se Ekremi vdiq nga plagët e marra. Përfundimisht i humbëm shpresat se Ekremi do ta mbijotojë këtë atentat. Ekremin nga afërsia e kishin goditur me 17 plumba, 3 në kokë e 14 në trup.

****
Fotografia e Ekrem Rexha   Komandant Drini
Vrasja e Komandant Drinit, sipas dr. Baskin, ka pasur një efekt afatshkurtër dhe një afatgjatë. “Në aspektin afatshkurtër, shumë njerëz në Prizren e ndjenin veten të pasigurt, meqenëse Drinin e shihnin si një garantues të sigurisë. Pastaj ishte një burim i mirë i shumë ideve. Në aspektin afatgjatë, kjo vrasje ka pasur efekt pasi që kjo ka qenë një humbje e madhe për Kosovën, sepse ka qenë një person me mjaft talent dhe vizion”,
Dr.Mark Baskin që nga qershori ’99, një vit ka punuar si zv/administrator i komunës së Prizrenit

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...