Intervistë e huazuar nga Prishtina-Press
Prishtina Press: Me çfarë projekti po merreni tani?
Arjeta Ferlushkaj: Tani për tani, po merrem me dy gjëra të rëndësishme: me riorganizimin e vetvetes në një shtet dhe kontinent të ri si dhe po mbledh copëza idesh për një projekt në të cilin po mendoj të bëj bashkë letërsinë me psikologjinë. Është ende heret për të folur për këtë.
Prishtina Press: Kur është botuar libri i juaj?
Arjeta Ferlushkaj: Libri im është botuar në vitin 2012. Kam këmbëngulur shumë të botohej brenda këtij viti sepse doja të lija edhe unë gjurmën time me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Prishtina Press: Për çfarë bën fjalë libri?
Arjeta Ferlushkaj: “Pasqyrat e postmodernitetit. Elemente të poetikës postmoderne në romanet e Ridvan Dibrës” është një studim mbi letërsinë postmoderne, me fokus qëndror krijimtarinë romanore të shkrimtarit Ridvan Dibra.
Prishtina Press: Çfarë strukture ka libri?
Arjeta Ferlushkaj: Libri ndahet në 3 kapituj: 1-Letërsia postmoderne dhe shkrimtari postmodern; 2-Lidhjet transtekstuale në romanet e Ridvan Dibrës; 3-Strategji narrative. Dy kompetenca në tekst. Kapitulli i parë është një vështrim historiografik mbi tiparet dhe karakteristikat e letërsisë postmoderne. Ndërsa në dy kapitujt në vijim, janë analizuar elementet postmoderne në pesë romane të shkrimtarit Dibra: “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, “Franc Kafka i shkruan të birit”, “Sexonic ose Sesilja” dhe “Stina e maceve”.
Arjeta Ferlushkaj (Photo nga Diar Xani)
Prishtina Press: Çfarë ju bëri të zgjidhni këtë fushë studimi dhe pse zgjodhët Ridvan Dibrën?
Arjeta Ferlushkaj: Gjatë viteve të studimeve universitare e pasuniversitare, kisha ndeshur më së shumti studime mbi letërsinë në rrafsh tematik. Isha e interesuar të sillja diçka ndryshe.
Anoja më fort të hetoja formën përmes së cilës vinte përmbajtja tek lexuesi. Nisa të shfletoj gjithnjë e më shumë studimet që ishin bërë mbi postmodernizmin. Ndërkohë që lexoja veprat e Ridvan Dibrës, po shihja se tek ai gjeja modelin e shkrimtarit që i përshtatej prirjeve të mia si studiuese. Puna ime disa vjeçare u kurorëzua me botimin e këtij studimi.
Duhet të shtoj se, ky libër është studimi i parë dhe i vetmi (deri tani) për krijimtarinë e Ridvan Dibrës dhe ndër të parët tekste që janë publikuar në Shqipëri për postmodernizmin. (Në avangardë në këtë fushë janë studiuesit shqiptarë të Kosovës). “Pasqyrat e postmodernitetit” është botuar nga “Onufri”, një ndër shtëpitë botuese më prestigjioze në Shqipëri.
Prishtina Press: Na tregoni më tepër për shkrimet e juaja.
Arjeta Ferlushkaj: Dëshira fillestare për të shkruar është përkthyer në zhanrin e poezisë. Pastaj me kalimin e kohës hetova në vetvete se më tepër kënaqësi më jepte studimi i letërsisë. Vendosa t’i kushtohem studimit të ‘ligjësive’ narrative. Thuajse të gjitha publikimet e mia, me disa përjashtime, i qasen zhanrit të prozës.
Me studiues te Konices ne aktivitetin -Viti Konica-, New York
Prishtina Press: Cili është artikulli juaj i parë dhe çfarë moshe keni patur?
Arjeta Ferlushkaj: Kam mbajtur shënime që heret por që asnjëherë nuk i kushtoja rëndësi t’i sistemoja për një botim të mundshëm. Kujtoj kur isha studente, profesoresha jonë Valbona Karakaçi na angazhoi që të bënim nga një shkrim dhe ky ka qenë “artikulli” i parë i botuar, me sa mbaj mend, dhe titullohej “Një poezi e dekadencës”.
Prishtina Press: Ku e merrni frymëzimin e parë në punën tuaj studimore?
Arjeta Ferlushkaj: Tek vepra letrare që kam në duar ose mbasi kam kaluar disa vepra ku gjej afri/dallime mes tyre. Më tërheqin studimet komparative, qoftë mes veprave të të njëjtit autor ose mes veprave të autorëve të ndryshëm.
Prishtina Press: Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?
Arjeta Ferlushkaj: Libra/autorë të ndryshëm kanë ndikuar tek unë në faza të ndryshme. Nuk veçoj dot një të vetëm. Si emra të parë më vijnë në mend Franc Kafka dhe Milan Kundera por ka edhe shumë të tjerë. Më tërheqin ata shkrimtarë që me mjeshtëri dijnë ku e si të prekin unin e individit.
Prishtina Press: Çfarë pasionesh të tjera keni në jetë?
Arjeta Ferlushkaj: Jam e dashuruar pas udhëtimeve, sidomos më pëlqen të vizitoj vende që kanë kulturë e botëkuptim krejt ndryshe nga ku kam lindur. Më pëlqen fotografia, teatri, kinematografia. Muzika është pjesë e padiskutueshme e ditës time, prek direkt thellësitë e mia. Shumë i rëndësishëm për mua është: rileximi.
Prishtina Press: Çfarë teme duhet të ketë një libër në mënyrë që ju ta trajtoni në shkrimet e juaja?
Arjeta Ferlushkaj: Përzgjedhja tek unë nuk funksionon kështu. Janë disa komponentë që e bëjnë një libër që mos ta lëshosh nga dora. Mund të jetë një vepër që nuk ka një temë le ta quajmë të fortë apo “të rëndësishmë”, por që godet me stilin që ka dhe mua më tërheq vëmendjen. Dhe anasjelltas, tema mund të jetë tepër impresionuese dhe mbresëlënëse por që nga ana artistike nuk ka ardhur mjeshtërisht deri tek lexuesi.
Ne festimet e 28 Nentorit me Vatren ne New York
Prishtina Press: Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?
Arjeta Ferlushkaj: Letërsia shqipe vazhdimisht ecën në rrugën e eksperimentimit dhe kjo më pëlqen. Kjo letërsi ka dhënë vepra shumë të mira por sfidë kemi të mbajmë në këmbë një kritikë letrare të mirëfilltë, e cila do të shmangte keqedukimin e shijeve të lexuesit.
Prishtina Press: Çfarë e bën të suksesshëm një shkrimtar?
Arjeta Ferlushkaj: Kur shkruan për të çliruar mendjen e shpirtin e trazuar. Kur nuk shkruan për të shtuar tituj e tirazhe.
Prishtina Press: Ku mund të blihet libri i juaj?
Arjeta Ferlushkaj: Kam pak kopje në shtëpi dhe gjenden disa kopje në Kosovë. Për lexuesin e interesuar, libri ndodhet në fondin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Në New York kam vetëm disa kopje personale.
Prishtina Press: Na flisni më shumë për veten tuaj, ku jetoni tani, projektet dhe disa nga veprimtaritë e juaja.
Arjeta Ferlushkaj: Kam lindur dhe jam arsimuar në Shkodër. Kam përfunduar studimet në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për gjuhë e letërsi shqipe. Në vitin 2012 kam përfunduar studimet pasuniversitare për Master në profilin “Studime Letrare” në Universitetin e Tiranës. Nga viti 2013 e në vazhdim, jam në proces të doktoraturës në profilin “Shkenca Letrare” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Me mbarimin e studimeve, nisa punë në gazetën “Opinion” që dilte në Shkodër dhe gjithashtu kam punuar në radio-televizionin “Rozafa”.
Ne promovimin e librit -Gjumi mbi bore- te Ridvan Dibres
Nga viti 2006-2016 kam punuar në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku kam qenë përgjegjëse e Fondit të Librit në Shqip si dhe organizatore e aktiviteteve kulturore pranë këtij institucioni, si: “Fjala poetike”, konkurs letrar me studentët krijues; “Ora letrare e …” projekt letrar me në qendër bashkëbisedimin mes një shkrimtari të ftuar dhe auditorit; përurime librash për autorët e rinj dhe jo vetëm;; “Më nxit një libër!”, projekt letrar që e kam themeluar para tre vitesh dhe që vazhdon ende edhe sot; aktivitete përkujtuese, ku përmendim “Drini përtej dy kohëve” kushtuar shkrimtarit Skender Drini, etj.
Kam mbajtur ligjërata në disa aktivitete ku kam qenë e ftuar, si: “Poezia e Ferrik Ferrës”, mbajtur në aktivitetin promovues të krijimtarisë së këtij autori në Universitetin e Shkodrës; “Poetja Brikena Smajli” / “Letërsia postmoderne dhe lexuesi sot”, mbajtur në Festivalin Letrar të Shkodrës (2011 dhe 2012); “Nga erudicioni autorial tek luksi për lexuesin” mbajtur në një aktivitet promovues të organizuar nga Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës; “Një diptik mes dy kompetencave tekstuale”, mbajtur në aktivitetin “Kalimera Poetike”; “Sfidat e lexuesit sot”, mbajtur në Qendrën e Kulturës në Mal të Zi (2016), etj.
Kam marrë pjesë në disa konferenca shkencore, mund të përmend disa kumtesa: “Teknikat narrative ne prozën e shkurtër të Elvira Dones” (2009); “Prania e tjetrit: tipologji intertekstuale në romanet postmoderne” (2012); “Hapësirat fiksionale simbolike në prozën e Ridvan Dibrës. Dimensionet dhe funksionet” (2013); “ ‘Era’ nga Qemal Draçini” (2014); “Rrugëtimi drejt postmodernes i romaneve të Ridvan Dibrës” (2015); “Transtekstualiteti si dëshmi autoreferenciale në fiksion” (2016) etj.
Kam botuar në disa periodikë artikuj publicistikë edhe shkencorë, ndër to: “Bernardin Palaj – poet në fletët e pakta të studiuesve”; “Ndër vite me Ernestin” ; “Vinçens Prennushi-poet i qytetit të vet”; “Lidhja Quku-Mjeda, një fatalitet me fat”; “Flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare në librin “Një histori shkodrane” të Paolo Muner”; “Enciklopedia e një femre në një fjalor enciklopedik”; “ Britma e një gruaje në skenë “; “Nga Ridvan Dibra tek letërsia/bisedë me artin e tij”; “Heshtja që bën zhurmë”; “Koha si teknikë narrative në disa proza të shkurtra të Koliqit”; “Qyteti-protagonisti antihero në romanin “Kronikë në gur”; “Hypertextual transformation (Novels: ‘Franc Kafka Writes to His Son’ and ‘The Kanun of Leka Junior’)”, etj.
Në vitin 2008, kam marrë titullin “Mirënjohje” nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini”, me motivacionin: “Për prurjet cilësore në faqet e gazetës “Dukagjini” dhe respektin e ushqyer ndaj saj.” Gjithashtu, në vitin 2016 kam marrë titullin “Mirënjohje” nga Federata Pan-Shqiptare “VATRA”, me motivacionin: “Për kontriutin e dhënë për Faik Konicën në “Viti Konica”, organizuar në New York.
Tani jetoj në New York dhe jam pjesë e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”. Jam anëtare dhe delegate e degës së Queens-it, e kryesuar nga Dr. Skender Murtezani. Së bashku, kemi menduar të ndërmarrim disa nisma në dobi të komunitetit shqiptar këtu në SH.B.A., me vëmendje të posaçme tek brezi i ri. Tani për tani, nuk po përmendim projekte. Për çdo gjë që marr përsipër të bëj, kam dëshirë që të flasë puna e kryer dhe jo rreshtimi i fjalëve.
E ftuar ne panel ne Qendren e Kultures ne Mal te Zi me rastin e Dites Boterore te Librit