2018-06-27

Haki Stermilli (1895 - 1953)


Image result for Haki Stermilli (1895 - 1953)

Haki Stermilli (1895 - 1953) shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë "Bashkimi". Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogollian dhe bashkëpunoi në faqet e "Lirisë kombëtare" dhe "Federacioni Ballkanik". Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it.

Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me drama ("Dibranja e mjerueshme", 1923, "Dashuni e besnikri"1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin "Burgu" (1935). Vepra e tij më e shquar është romani "Sikur t'isha djalë" (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani "Kalorësi i Skënderbeut". Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë "Trashëgirntarët tanë" (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin "Shtigjeve të lirisë" (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike.



SIKUR T'ISHA DJALË


Automobili ikte me shpejti dhe tue bamë zhurmë. Herë ngjitesh në të përpjetat, herë djergesh në teposhtat dhe herë rrëshqiste ndër rrafshina. Shokët e mij bashkudhtarë herë kuvendojshin me njeni tjetrin, herë heshtëshin të rrëmbyem e të mahnitun nga bukurit e rralla që shfaqeshin gjatë rrugës. Boka, kodra, male, skuta, lugina, gryka dhe fusha të bukura dukeshin e shdukeshin mbrenda pak kohe tue dikue nji kënaqësi të paçansueshme ndër udhtarë, admiruesa të natyrës. Rrezet e farfurishme të Diellit pranveruer puthshin amblas faqet e gjelbërta të gjetheve dhe fletët e shumëngjyrta të luleve, ama e të cilave kundërmonte e kandshme, ndihej fort dhe dehëse. Me nji fjalë atë ditë natyra kremtonte ngadhnimin e bukuris së Prandverës.
Nj'aty, n'atë skutë blerimi e lulesh, të kisha pasë nji shtëpizë - tha njeni tue shique me një lakmi admiruese kah vendi që kishte stolisë me aq shije dora hyjnore.

- Nji shtëpizë që t'ishte si nji kuvli, por mbrenda të kishte edhe nji nga Zanat e malevet t'ona - plotsoi shoku me buzë në gaz.

Ndërsa ata po i argëtojshin fantazit e tyne me andrrime e dëshirime për nji jetë paradisore, un po mendohesha nën përshtypjen e hidhët që më kish lanë sëmundja e Dijes. Më dukej sikur nuk do t'a shifsha ma. Pakon që më kish dhanë ajo e kisha marrë me vetëhe. Dishka më nxitte me e hapë dhe me pamë se ç'ishte shkrue n'at defter që ajo më dorëzoi. Ma në fund më mundi kërshëria dhe e çela pakon. Mbrenda kishte nji defter, nji shami të bardhë dhe nji letër të drejtueme Zotni Shpend Rrëfes në Tiranë. Gati tri të katërtat e fletorit ishin të shkrueme Menjiherë e njofta shkrimin e imët të Dijës. Në faqen e parë ishte shkrue, me ngjyrë të kuqe, ky titull: Jeta e eme. Vendosa të këndoj disa pjesë sa për t'a kënaqë kërshërin.
Hudha nji sy në faqen e parë dhe lexova:
Më shkrepi t'a shkruej jetën t'eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojne Xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu edhe me jetën.
Mbasandaj kapërceva disa faqe e këndova:
Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë mashkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet jo gjini. Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpër mjet të peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave ië dënueme me burgim të përgjitshëm?

...

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...