Policia reagon për eurot në makinë. SHISH na njoftoi pas deklaratës së Lulzim Bashës
Policia e Shtetit ka dhënë detaje sot lidhur me paratë e sekuestruara të dielën në Durrës. Në një njoftim për mediat, policia saktëson se shuma e kapur është 3,366,800 euro dhe 80 mijë franga zvicerane. Personat e arrestuar janë; Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç, Klevi Lika, 21 vjeç, Alban Mollaymeri, 40 vjeç si dhe janë shpallur në kërkim personat me inicialet A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë dhe E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.
Personat e shpallur në kërkim dyshohet se janë dhe pronarët e makinave ku u gjetën paratë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit jep detaje dhe për mënyrën sesi është rënë në gjurmët e parave. Sipas Policisë, strukturat e shtetit janë njoftuar nga shërbimet vendase, duke nënkuptuar Shërbimin Informativ Shtetëror.
Policia citon dhe deklaratën e Lulzim Bashës për këtë çështje, të enjten në Kuvend. Po këtë ditë, saktëson policia, një shërbim vendas ka dhënë informacionin “lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara”.
Kreu i PD-së deklaroi të enjten se paratë janë të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla. Ndërkohë që ky i fundit e ka cilësuar këtë akuzë si qesharake.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.
Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese. Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.
Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara. Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit.
Policia e Shtetit ka njoftuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila po drejton hetimet. Më tej, specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës në bashkëpunim me efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin dhe kryen veprimet proceduriale.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit:
• Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
• Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
• Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
• Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
• A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë;
• E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
• 80,000 franga zvicerane.
• 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
• 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
• 1 radio policie;
• 7 telefona celularë.
Nga hetimet paraprake, Policia e Shtetit ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porosituar nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ”Falsifikimi i monedhave”.
Po kush është Taulant Balla ?
Taulant Balla lindi në 12 Gusht 1977. Ka kryer studimet e larta dhe ato pasuniversitare në degën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin “Al.I.Cuza” në Lasi, Rumani. Ka përfunduar Shkollën Doktorale dhe ka mbrojtur tezën e doktoraturës me temë “Reformimi i Sistemit Vendimmarrës në Bashkimin Europian” me vlerësimin Magna Cum Laude. Pjesë e përgatitjes së tij profesionale janë edhe eksperiencat studimore në disa qendra universitare në Konstanz , Londër, Paris, Washington. Balla në vitin 2002 u angazhua në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PSSH. Ka qenë pjesë e stafit politik si këshilltar i Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Integrimit, i Ministrit të Financave dhe më pas anëtar i stafit politik të Kryeministrit të Shqipërisë.
Taluant Balla në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë duke përfaqësuar banorët e Bashkisë Librazhd dhe të komunave Qendër, Orenjë, Lunik, Polis dhe Stëblevë. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, u ri-zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë në qarkun Elbasan, rrethi Librazhd. Në Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013, Taulant Balla u ri-zgjodh Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun Elbasan, rrethi Librazhd. Z. Balla sot ka funksionet si Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Nënkryetar i Grupit Parlamentar të PSSH.
“Terror tek punonjësit e SHISH për të nxjerrë emrin që dekonspiroi Ballën dhe eurot në ‘Toyota’”
Ish-kryeministri i vendit,Prof.dr. Sali Berisha, përmes një shkrimi të bërë publik në Facebook, ka shkruar se drejtorë kryesorë në Shërbimin Informativ, ushtrojnë terror ndaj punonjësve të këtij Shërbimi tek të cilët ata dyshojnë se kanë informuar Bashën për emrin e Taulant Ballës si garantues i tre pakove me nga 1.5 milionë euro.
Sipas Berishës, terrori konsiston edhe në seanca të zgjatura deri në 7 orë pyetjesh dhe kërcënimesh, të paktën deri dje pasdite në katër raste.
Reagimi i plotë:
Terror i eger ne SHISH per nxjerrjen e emrit te Taulant Yaris/Gjures/Hoxhes/Jasharit/Balles si garantues i parave te droges!
Te dashur miq, prej tre ditesh, me urdher te Edvin Kristaq Rames, ish xhelatet e policise sekrete te Enver Hoxhes aktualisht drejtore kryesore ne Sherbimin Informativ, ushtrojne nje terror te papare ndaj punonjesve te ketij Sherbimi tek te cilet ata dyshojne se kane informuar Bashen per emrin e Taulant Yaris si garantues i tre pakove me nga 1.5 milione euro para droge, bazuar ne informacionet e dhena nga sherbime partnere.
Procedurat e terrorit psikolgjik qe perdorin ish xhalatet e sigurimit te shtetit konsistojne nder te tjera ne seanca te zgjatura edhe deri ne 7 ore pyetjesh dhe kercenimesh te pakten deri dje mbasdite ne kater raste.
Duke denuar me ashpersine me te madhe kete veprimtari te mirefillte kriminale te ish xhelateve te sigurimit te shtetit ndaj punonjesve te pafajshem te SHISH per te mbrojtur Taulant Yarisin, i bej thirrje deputeteve te komisionit parlamentar te sigurise te ndermarrin me urgjence hetimin e ketij terrori te papare dhe te informojne sa me shpejt publikun per kete veprimtari terroriste te sigurimit te shtetit ne krye te Sherbimit Informativ Kombetar!
sb
*********
E vërteta, ja djali i kujt është Taulant Balla
Fatmir HOXHA
Taulanti e ka mamin e bukur. Ia njeh gjithë Librazhdi. Të paktën e ka patur dikur, se mosha bën të vetën. Mos shikoni Taulantin ju. Ai ngjan nga… A e keni parë Taulantin ngjan tamam si Sekretari i dytë i Partisë së Librazhdit sa herë që flet? Kjo nuk është rastësi! Është njëfarë Fadil Caka që të le gojëhapur me ç’di e ç’tregon për Ballat në Librazhd, se ai ka qenë njëshi i Sigurimit në zonë. Kjo vlen për ju që e shihni dhe e dëgjoni sot në televizor, ndërsa unë e njoh ndryshe: Taulantin, mamin e Taulantin, babain e Taulantit…. Burri i mamit të Taulantit është njëfarë Kasem Balla. Ky Kasemi çonte letra në Komitet të Partisë kundër tim eti dhe si ushtar i devotshëm i luftës së klasave, që nga Librazhdi këmbëngulte që ne të na përzinin prej Tirane, meqë im atë ishte martuar me një të deklasuar. A i çonte vetë këto letra me postë a ja jepte gruas të bukur për t’ia çuar dorazi Sekretarit të dytë të Partisë, kjo më ka mbetur enigmë, por kam shumë besim se një ditë do ta shuaj këtë kureshtje… Po pse po i ndaj me ju? Që të mos keni urrejtje ndaj Taulantit! Mëshirë ose neveri, si të doni. Por urrejtje, ju lutem jo. Pasi ai është produkt i kësaj lloj marrëdhënieje, botëkuptimi dhe provincializmi. E mori Fatos Nano ta bënte njeri. Taulanti i vockël nga Librazhdi këshilltar i Nanos!? Fatos Nano që i jepte ujë në bisht të lugës të madh e të vogli, na mori një çorapekuq njëzetecavjeçar ta këshillojë? “Çorapekuq” nuk e kam në kuptimin pozitiv, trendy, si Rama, por këtij në atë kohë realisht i bëheshin të kuqe çorapet prej pluhurit me atë ngjyrë që ka zona. Nejse, pra këtë çorapekuq e mori Nano dhe e bëri deputet! Në vitin 2005 çuni hyri në Kuvend…. por a e keni parë dhe dëgjuar ndonjëherë të përmendë (pale ta lavdërojë) Fatos Nanon që e bëri njeri? Nuk e bën as Rama – do thoni – që Nano tha se e mora me thonj të paprerë nga Parisi. Po mirë ai që vinte nga Parisi, po ky çuni jonë nga Librazhdi? Kjo është edhe arsyeja pse ja hoqa kafes këtë kohë të çmuar për t’ia kushtuar një krijese të tillë: taulantizmi në politikë. Fenomeni i anonimëve pa taban, pa parime, pa ide e ideale, që ngjiten në karrierë duke lëpirë sa më shumë prapanica e atë që u mbetet në gjuhë nga kjo lëpirje e pështyjnë mbi këdo që i urdhëron padroni i radhës. Ky është taulantizmi. Këtë djalë Rama e përdor sa herë i nevojitet të kryejë ndonjë poshtërsi që nuk ia marrin përsipër socialistët e ndershëm apo ata burra e gra me sadopak cipë në atë shumicë. Dje e pashë tek përshtynte kundër Berishës atë që i kishte ngelur në gjuhë e në gojë nga lëpirjet e prapanicave. “Prapanicave” e them në shumës, pasi ishte po KY lëpirës që javën e kaluar ç’nuk i lëpiu e puthi Ilir Metës, live, në sallën e Kuvendit, për ta marrë me të mirë në emër të Edit që ishte larg. Por hakun nuk duhet t’i hamë! Ç’është e bardhë – është e bardhë. Ç’është e zezë – është e zezë. Mund të duket budalla si në fytyrë ashtu edhe në ato që flet e bën, por ju garantoj se nuk është aspak i tillë. Përkundrazi! Ka një zgjuarsi dhe pragmatizëm provinciali të habitshme. As lëpirjen, as pështyrjen nuk e bën falas. Në atë zonë është një minierë hekuri…e TIJA!!! Ky çuni i mamit të bukur, babit të letrave dhe Komitetit të Partisë së Librazhdit është padroni i minierës së hekurit. Por edhe pse u puth duart (dhe jo vetëm duart) zgjedhësve të tij nëpër fushata, punonjësit, makineritë e gjithçka tjetër i ka marrë nga Maqedonia dhe jo nga zona e tij. Në fushatë – kur i puthte ku të mundte – u premtonte se do të bëhej ministër i Brendshëm dhe do t’i vishte policë. Gjithë Librazhdin! Kë takonte këtë i thoshte: Do bëhem ministër i Brendshëm e do t’ju vesh policë… Me taulantizmin e tij sot është oligarku i Juglindjes edhe për shpërndarjet e T.COM (ish-AMC). Me ndikimin që ka në pushtet arrestoi drejtorin grek dhe përmes presioneve kapi plotësisht monopolin e kësaj kompanie nga Librazhdi e tutje. Çdo kartë, çdo impuls i ish-AMC dje, sot dhe nesër ka kaluar, kalon dhe do të kalojë nga Taulanti. Më saktë, nga i vëllai. A i duhet dhe përse i duhet Ramës një taulant? I duhet shumë për të bërë punët që nuk i bën tjetërkush. I mësuar me shijen dhe erën e asaj që lëpin nga mëngjesi në mbrëmje, një si ky nuk e ka për gjë edhe të rrijë zhytur në të nga mëngjesi në darkë. Të shajë, të tërhiqet, të shpifë, pastaj ta lëpijë, të lëpijë pastaj ta përmjerrë e sërish pa gjë të keqe ta rilëpijë, në sy të kamerave dhe të publikut. Nuk ke ç’i bën: është gjeni i përzjerë me ideologjinë, partishmërinë dhe traditën e familjes. Nuk ke ç’i bën kur babai biologjik të përputhet edhe me atë shpirtëror.
******
Taulant Balla denoncon Bashën për “nxjerrje të sekretit hetimor”
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka dorëzuar këtë të mërkurë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, padinë ndaj Lulzim Bashës për “nxjerrje të sekretit hetimor”.
Në padi, Balla pretendon se kreu i Partisë Demokratike ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor, duke shtuar se, “për sa u përket këtyre deklaratave, unë mendoj se këto janë bërë nga i kallëzuari, pasi ai e ka kuptuar ndikimin e veprimit të tij kriminal dhe ka dashur që ta kalojë në diskursin e tij të zakonshëm politik dhe publik”.
Tri ditë përpara se të kapej makina që vinte nga Belgjika, kryeopozitari Lulzim Basha tha në Kuvend se Balla kishte qenë në Gjermani, aty ku i ishte zbuluar pikërisht një “Toyota Yaris” me 1.5 milionë euro.
********
Akuza e Lulzim Bashës:
Taulant Balla ishte garanti i parave të drogës në makinë
Një ditë pasi në Durrës u sekuestruan 3.5 milionë euro në Durrës, Lulzim Basha ka akuzuar kreun e deputetëve të PS-së, Taulant Balla si personin e përfshirë në pastrimin e parave të drogës.
Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së tha se “Taulant Balla ishte garanti që paratë në makinë do hynin në Shqipëri”.
Sipas kreut të PD-së, policia shqiptare është detyruar nga policia e një vendi fqinj për të kapur sasinë e parave, pasi urdhri ka qenë të paratë të mos zbuloheshin. Kreu i PD-së tha se paratë do të përdoreshin nga grupe të fuqishme kriminale në qarkun e Elbasanit.
“Paratë janë të një prej bandave më aktive në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave. Policia ka qenë nën presion nga një prej vendet partnere. Kemi një ish-ministër të Brendshëm kokën e trafikut të drogës, që del e shëtit me kalë. Kemi edhe kryetarin e grupit parlamentar të PS që merret me pastrimin e parave të drogës. Balla ka hyrë garant, pakti ishte për 1.5 milionë euro. Çfarë e lidh Tahirin, Xhafën, Ballën dhe Veliajn, përveç Edi Ramës? Trafiku i drogës dhe ndërtimi i kullave, të cilat do të ndërtohen për të pastruar paratë e krimit”,-tha Basha.
Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve tip ”Toyota Yaris”, pa targa, ditën e diel. Mjetet ishin pjesë e 9 makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës. Mjetet transportoheshin nga Edi Lika, i cili është ndaluar nga policia. Ai është i licencuar për Auto Service në Tiranë dhe transport ndërkombëtar mjetesh për vete, të tretë dhe dhënie me qira. Paratë u gjetën pjesërisht në një valixhe dhe të tjera të fshehura në pjesë të ndryshme të mjeteve që po transportoheshin.
Gjithçka erdhi pas një sinjalizimi paraprak të mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga zyra e Europolit në Itali. Dyshohet se rasti është një tentativë për pastrim parash në vendin tonë. Deri tani janë 3 të ndaluar për paratë; Edi (Eduart) Lika, pronar i subjektit transportues, djali i tij, Klevis Lika (19 vjeç), i cili shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim dhe shoferi i kamionit, Agim Ceka.
*******
3.4 mln euro tek ”Toyotat”, mister emri i biznesmenit
3 milionë e 470 mijë euro, është shuma e parave që janë sekuestruar në dy makina “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit. Kjo është shifra zyrtare që jepet nga policia. Fillimisht u dyshua për 1.5 mln euro në një automjet të vendosur në një transportues me 8 makina të tjera, ku dyshohet se do dërgoheshin në Kosovë. Por pas verifikimeve është zbuluar dhe një makinë e dytë.
Policia po kryen verifikimin e dokumentacionit të makinave për të parë se cili është personi apo firma, për llogari të të cilit është kryer blerja e automjeteve nga vendi ku janë nisur për t’u dërguar për qëllime tregtie në vendin tonë.
Administratori i firmës, Edi Lika, i cili ka kryer transportin e makinave ku ishin fshehur paratë, ka deklaruar para Policisë se nuk kishte asnjë dijeni për prezencën e shumës së eurove të gjetura brenda tyre.
Gjatë marrjes në pyetje pas shoqërimit në Policinë e Durrësit, ai ka thënë se makinat po i transportonte për llogari të një biznesmeni, por pa dhënë emrin e tij.
“Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjesht transportin. Ishim kontraktuar nga biznesmenë kundrejt pagesës për të bërë transportin”, mësohet të jetë shprehur shkurtimisht Lika. Ndërsa ende mbetet mister se cili ka qenë biznesmeni nga Kosova që ka porositur 9 makinat, 7 prej të cilave “Toyota Yaris”.
Policia ka shoqëruar dhe dy shoferët e trajlerit, Klevis Lika, 19-vjeç, i cili është dhe djali i pronarit të firmës dhe Agim Ceka, 61-vjeç. Ata kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera.
Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha shkurt-qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.
61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë. Policia po vijon hetimet për të zbuluar biznesmenin. Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga Prokuroria për llogari të hetimeve.
*******
19-vjeçari Klevis Lika është njëri prej të ndaluarve nga policia e Durrësit si shoqërues i kamionit ku u gjetën dy automjetet tip “Toyota Yaris”, ku dyshohet se janë fshehur 5 milion euro të sekuestruara nga efektivët e policisë.
Policia e Durrësit fillimish ndaloi shoferin e kamionit dhe shoqëruesin e tij që është i riu Klevis Lika. Por njëkohësisht është ndaluar nga policia edhe Edi Lika, babai i Klevisit që ka në pronësi auto-trenin që transportonte automjetet që mbërritën në portin e Durrësit nga qyteti i Ankonës.
Gjyshi i Klevisit 19-vjeçar deklaron se policia u ka ardhur për kontroll në shtëpi, po nuk u kanë gjetur gjë.
Sipas tij, nipi ka vëtëm 3-4 muaj që ka nisur punë si shoqërues i auto-trenit dhe më parë dhe ka punuar në servisin e makinave që ka në pronësi familja e tij.
Gjyshi i 19-vjeçarit i trembet faktit se policia mund ta arrestojë nipin e tij dhe ta akuzojë për diçka që ai se ka bërë.
Ndiqni prononcimin e plotë të gjyshit të Klevis Likës.
Dialogu me gazetaren:
Gjyshi thotë se nipi i tij kishte 3-4 muaj që merrej me transportin e makinave dhe se djemtë e tij kanë një servis automjetesh.
U erdhën në shtëpi policia?
Po, po e kanë bërë shtëpinë…(bën gjest me dorë)
Në çfarë ore?
Nuk e mbaj mend orën.
Sa kohë ka që merret nipi juaj?
Kishte në 3-4 muaj. Punonte si shoqëruesi i shoferit të kamionit. Është kalama, është 19 vjeç.
Ku i kishte marrë makinat?
Nuk di gjë. Nuk ka folur me të.
Ku i ka prindërit?
Në Tiranë. Kanë një servis makinash çunat. E ëma është në shtëpi.
Po më herët me çfarë është marrë?
Ka qenë në shkollë.
I kujt është kamioni?
Shihni dokumentet.
Çfarë i tha policia?
Kontroll e asgjë tjetër. Nuk gjetën asgjë.