Adil FETAHU
Veç pushtimeve në terren, në qarqet politike e diplomatike endeshin intriga e zhvillohej propagandë e ashpër dhe e ndytë kundër pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari i qeverisës së Serbisë (baba i radikalëve të sotëm serbë, antishqiptari i zjarrtë) Nikolla Pashiq, deklaronte se “Një Shqipëri e pavarur nuk është as e dëshirueshme as e mundur”, ndërsa shtypi grek trumbetonte se “Është e pakonceptueshme t’u lejohet shqiptarëve barbarë një ekzistencë e pavarur midis qytetërimit grek” (Joseph Swire: “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, fq.128).
Marrëveshjet midis shteteve të ndryshme, qofshin ato të hapta ose të fshehta, qofshin të dyanshme apo të shumanshme, qofshin politike apo ushtarake-strategjike, lidheshin (dhe lidhen) me qëllim të definimit të qëllimeve të caktuara dhe caktimit të sferave të interesit. Për shkak të pozitës strategjike që kishin tokat shqiptare, dhe veçanërisht për shkak se shqiptarët nuk kishin një fuqi botërore që t’i mbështesë në mbrojtjen e vendit të tyre, shtetet fqinje gjithmonë aspironin të copëtonin e ndanin midis tyre të gjitha tokat shqiptare dhe kështu ta zhduknin përgjithmonë popullin shqiptar. Të paktën këto synime janë shfaqur haptas dhe fshehtas prej gjysmës së shekullit XIX, me plane e programe të ndryshme serbo-greko-bullgaro-malazeze, për Serbinë e Madhe dhe Greqinë e Madhe (“Naçertania” dhe “Megaliidea”, 1844), Bullgarinë e Madhe, Malin e Zi të Madh! Dhe ato synime, plane e programe nuk kanë ngelur vetëm në letër, në nivel të marrëveshjeve, por janë ndërmarrë aksione ushtarake sa herë e kanë konsideruar se ishte momenti i volitshëm në favorin e tyre dhe se do ta kenë përkrahjen ushtarake dhe diplomatike të fuqive të mëdha, dhe këtë përkrahje e kanë pasur gjithmonë nga Rusia por edhe nga fuqitë e mëdha evropiane.
Austrohungaria kishte lidhur dy traktate të fshehta me Serbinë. Sipas traktatit të parë (1881), Austrohungaria nuk do ta pengonte Serbinë të zgjerohej sa më shumë në Jug, kah Lugina e Vardarit e më gjerë, dhe i ofronte disa garancione tjera të përkrahjes në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare. Me traktatin e dytë (1889), Serbia obligohej të hiqte dorë nga shtrirja kah veriu apo kah deti Adriatik, të cilat i synonte Austrohungaria për vete.
Në vigjilje të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria lidhen marrëveshje të fshehtë, që u quajt Lidhja Ballkanike (1912), për ndarjen e territoreve pas rënies së Perandorisë, sidomos të tokave shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Shqipëri. Të pakënaqura me pretendimet e Bullgarisë për të marrë pjesën më të madhe ose tërë territorin e Maqedonisë, Serbia, Greqia dhe Mali Zi (më 1 qershor 1913) lidhën marrëveshje për ndarjen e Maqedonisë dhe caktimin e kufirit serbo-bullgar dhe greko-bullgar, me të drejtën e Serbisë për dalje në det përmes Selanikut, me ç’rast Serbia do ta merrte pjesën veriperëndimore të Maqedonisë (tokë shqiptare). Në bazë të këtyre marrëveshjeve, u zhvilluan dy lufta të përgjakshme ballkanike; e para kundër Perandorisë Osmane, dhe e dyta kundër Bullgarisë. Austrohungaria dhe Italia më 8 maj 1913, bënë një marrëveshje të fshehtë dypalëshe, për ta pushtuar e ndarë Shqipërinë midis tyre, në dy pjesë të barabarta. Sipas asaj marrëveshje, Austrohungaria do ta merrte pjesën veriore prej lumit Shkumbin, ndërsa pjesën jugore do ta merrte Italia. Por, Konferenca e Ambasadorëve, që kishte garantuar autonominë e Shqipërisë dhe që (më 22 mars 1913) në parim i kishte caktuar kufijtë e saj, me përfundimin e punës së Konferencës (më 12 gusht 1913), pas shumë bisedimeve për kufijtë, formoi dy komisione për caktimin e kufijve në terren. Mirëpo, për shkak të luftërave ballkanike dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, caktimi definitiv i kufijve të Shqipërisë u shty për më vonë, dhe definitivisht u arrit tek në vitin 1926!
Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore (1912/13; 1914/18), ekzistenca e Shqipërisë londineze u vu në pyetje. Fqinjët e saj e kishin pushtuar cep më cep dhe prisnin që ato pushtime t’i përligjin si fakt i kryer, dhe pjesët e pushtuara t’i aneksonin.
Për ta angazhuar Italinë si aleate në luftë kundër Gjermanisë dhe Austrohungarisë, gjatë Luftës së Parë Botërore, më 26 prill 1915, katër fuqitë e mëdha: Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia kishin lidhur një marrëveshje të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë (“Traktati i fshehtë i Londrës”). Ishte ky një pazarllëk midis Italisë dhe fuqive të mëdha, që lidhej kryesisht me bregdetin Adriatik dhe territorin e Shqipërisë. Sipas atij Traktati, katër fuqitë e mëdha do t’i ndanin tokat përgjatë gjithë bregdetit lindor të Adriatikut, të cilat do t’u jepeshin Italisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi. Ishte paraparë që pas copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve, Italisë t’i jepej nën sovranitet Vlora e Sazani dhe një prapavijë mbrojtëse, kurse në pjesën qendrore të formohej një shtet i vogël mysliman autonom dhe asnjenës, të cilit do t’i jepej porti i Durrësit që të ketë dalje në det, ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare atë “shtet të vogël mysliman” ta përfaqësonte Italia! Me këtë Traktat, katër fuqitë e mëdha i kishin shkelur vendimet e gjashtë fuqive të mëdha të miratuara në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e caktuar parimisht në vitin 1913, vendime këto që edhe vet i kishin votuar e nënshkruar të njëjtit përfaqësues të Traktatit të fshehtë. Sigurisht se, nga aspekti juridik, traktati i fshehtë ishte i pavlefshëm dhe nuk mund të abrogonte vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por ai traktat gjithsesi u bë objekt shqyrtimi dhe pengesë në procedurën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1920). Atë traktat e potenconin si pengesë përfaqësuesit e Greqisë dhe Jugosllavisë. Bile, përfaqësuesi serb pretendonte se Lufta (e Parë Botërore) “e ka zhdukur shtetin shqiptar, prandaj territori duhej të ndahej midis fituesve të luftës”! Por, lordi Robert Sesil iu kundërvu tezës së përfaqësuesit serb, duke argumentuar se “një shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të zhduket as nga pushtimi i ushtrive të hueja, as nga rënia e qeverisë, për sa kohë që shtetasit e tij ruajnë ndërgjegjen kombëtare dhe aspirojnë ekzistencën e pavarësisë, siç është rasti me popullin shqiptar”. Për Traktatin e fshehtë të Londrës, Mis Edit Durham shkruante: “Shteti i sapolindur shqiptar, do t’u hidhej ujqëve për të shpëtuar mëkonjësit” (E.D.: “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”).
Rregullimi i marrëdhënieve midis Italisë e Jugosllavisë për Çështjen e Adriatikut, kishte ngatërruar punët për fatin e Shqipërisë. Për të fituar mbështetjen reciproke në Konferencën e Paqes që po mbahej në Paris, Italia dhe Greqia më 29 korrik 1919 lidhën një marrëveshje të fshehtë, që u quajt Marrëveshja Titoni – Venizellos. Me atë marrëveshja të dy palët bënë pazare të ndryshme, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin ato në kurriz të shtetit shqiptar. Greqia do të mbështeste pretendimet e Italisë për sovranitetin e Italisë mbi Vlorën e Sazanin dhe një prapavijë strategjike, dhe mandatin e Italisë mbi shtetin e vogël mysliman shqiptar. Italia do të mbështeste pretendimin e Greqisë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut (Epirin e Veriut). Greqia do t’i jepte Italisë për 50 vjet një pjesë të portit të Sarandës, si zonë e lirë. Italia do të ndërtonte një hekurudhë prej atij porti në brendi të Shqipërisë, poqese këtë nuk e bënte Greqia. Marrëveshja u bë publike nga shtypin grek, i cili lavdëronte diplomacinë greke për suksesin e arritur në fitimin e Epirit të Veriut.
Dekonspirimi i marrëveshjeve të fshehta
Ndonëse shumica e marrëveshjeve, memorandumeve, letrave e telegrameve të fshehta nuk kanë mund të realizohen për shkak të zhvillimit praktik të ngjarjeve në terren, ato për turpin e diplomacisë ndërkombëtare kanë mbetur në letër, madje as nuk janë anuluar prej shumicës së atyre që i kanë nënshkruar. Ato e kishin komplikuar politikën, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, vendimet e Konferencës së Paqes në Paris (1919), por edhe Luftën dhe paqen pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm qeveria sovjetike e Leninit, pas Revolucionit të Tetorit (1917), i kishte publikuar, shkëputur dhe shpallur të pavlefshme të gjitha marrëveshjet e fshehta të cilat i ka nënshkruar Rusia cariste me vendet e Antantës. Ministri i jashtëm sovjetik, Leon Trocki, e ka kritikuar ashpër diplomacinë e fshehtë dhe marrëveshjet e fshehta, ndërsa Ministria e tij i kishte botuar në nëntë vëllime librash të gjitha marrëveshjet dhe memorandumet e fshehta të lidhura deri atëherë.
Presidenti amerikan, Woodrov Wilson, në programin e tij paraqitur në Kongresin amerikan (janar 1918) për “Paqe pa fitues”, të formuluar në 14 pika (të njohura si 14 pikat e Wilsonit), në një mënyrë i kishte zhvlerësuar marrëveshjet e fshehta në procesin e arritjes së paqes, dhe kishte afirmuar drejtësinë dhe diplomacinë e hapur ndërkombëtare. Pika e parë e programit të Wilsonit kishte këtë përmbajtje: “Marrëveshje të hapta për paqe deri te cilat do të arrihet haptas dhe pas të cilave nuk do të ketë marrëveshje private (të fshehta-a.f.) ndërkombëtare të asnjë lloji, ndërsa diplomacia do të paraqitet e sinqertë dhe para syve të opinionit”.
Bota është plot hile dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve edhe sot dhe në të ardhmën ka dhe do të ketë marrëveshja të fshehta politike, ushtarake e strategjike për realizimin e interesave në sfera e rajone të ndryshme. Veçmas në këto shtetet sllave e greke të pabesë, në krye me Rusinë e cila po pretendon të rikthejë ndikimin e saj në Ballkan. Sa ecejaket e krerëve shtetëror, diplomatik, ushtarak e kishtar midis Serbisë e Rusisë janë zhvilluar e po zhvillohen këto kohët e fundit, dhe kush e din se sa dhe çfarë marrëveshjesh të fshehta janë lidhur midis tyre. Ndërtimi i Qendrës së madhe ruso-serbe, duke përfshirë edhe aeroportin e Nishit, për intervenime në rrethana të jashtëzakonshme (sic!), edhe ushtrimi i përbashkët i ushtrisë ruso-serbe që u zhvilluara para ca ditëve në Serbi, është prova e parë e funksionimit të asaj Qendre, ku nga “barku” i aeroplanëve e helikopterëve ushtarak rus zbarkuan tanke, trupa e çka jo tjetër nga Rusia. Ushtria serbe ka blerë avionë e helikopterë ushtarakë, raketa “S 300”, radarë e sisteme më moderne të mbrojtjes kundërajrore. Demonstrimi i forcës në manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-serbe, janë sinjal i qartë se ariut aziatiku nuk iu ka shua apetiti për Ballkanin, e këtu në shënjestër janë shqiptarët, shtetet dhe tokat shqiptare dhe bregdeti Adriatik. Ndërtimi i bazës ushtarake serbe, më e madhe dhe më moderne në rajon (“Cepotin”), që ata e quajnë “Bonstili serb”, afër kufirit me Kosovën, është rrezikim i drejtpërdrejt i sigurisë së popullit në Luginën e Preshevës dhe i shtetit të Kosovës. Këmbëngulja kryeneçe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Rusia, Greqia dhe miqtë e tyre, nuk është e rastësishme dhe pa prapavijë. Shesheli është vetëm “megafon” i politikës së pushtetit serb, kur kërcënohej këto ditë se “do ta kthejmë ushtrinë serbe në Kosovë”. Ekspertë të strategjisë ushtarake të Rusisë këto ditë dhanë deklarata kërcënuese, “se 10.000 tanke nga Urali mund të depërtojnë në Ballkan, duke shkelur Bullgarinë e Rumuninë, dhe së bashku me Serbinë ta pushtojnë Kosovën dhe Malin e Zi”. Këto ecuri, lëvizje e zhvillime politike -strategjike ndërkombëtare duhet të përcillën me shumë vigjilencë dhe Shqipëria e Kosova t’i alarmojnë qendrat e vendosjes në instancat e diplomacisë evropiane e botërore, sepse paqja në Ballkan përherë është e brishtë dhe e kërcënuar nga Serbia, e mbështetur fuqimisht prej Rusisë. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në aleancën e NATO-s, duhet sa më parë të anëtarësohen edhe Kosova, Maqedonia e Mali Zi në këtë aleancë, nëse duan të kenë mbrojtje të sigurt, në bazë të nenit 5 të Kontratës së NATO-s, ku është përcaktuar se “Sulmi mbinjë anëtare, njëherit është sulm mbi tërë Aleancën”.