Nga
Fritz RADOVANI:
17 NANDOR 1946...
24 QERSHOR 1879 Oroshi i Mirditës së armëve të vjetra dhe të pakthyeshme
të Atyne Maleve të mbushuna me heroi trima, i fali Kuvendit Fretenve një nga
Martirët e nderuem dhe besnik deri në diten e vdekjes Fra Ndue VILEN. E njoha
në vitin 1951, kur shkova tek Kisha Françeskane e Gjuhadolit me i ndihmue Meshë
At Marjan Prelës...
Fra Ndou ishte një Burrë i shkurtë, i pafjalë, i heshtun
dhe me një ecje të kujdesëshme, që shihej gjithnjë në orët e caktueme kur
shkonte me i ra kumbonëve të Kishës. Shihej se kishte vështirsi në ecje, po nuk
mund të kuptohej nga ne fëmijët kurr vuejtja që Fra Ndou kishte kalue pak vite
perpara në hetuesinë e degës së mbrendshme të Shkodres në netët e mnershme të
mesit Nandorit 1946, kur krimineli Zoji Themeli me Pjerin Kçiren, dy katila të
pashpirtë i kishin shkue tek banesa ku flente per me i kerkue çelsat e Kishës
per me futë arkat e armëve nder Elterë, bash ato ditë kur kishin arrestue
fretnit At Donat Kurti, që ishte Drejtor i Gjimnazit, dhe Provinçialin At Mati
Prennushi, me 15 Nandor 1946, të dy të njohun per qendresë e guxim të veçantë.
At Donati u ndodh në Drejtori të Gjimnazit kur shkuen me e arrestue, dhe porsa
i pau katilat e sigurimit të shtetit hyni në zyre dhe doli tek dera me çekiq në
dorë e kur xhullijtë po afroheshin me armë në dorë, tue kujtue se At Donati don
me u vetmbrojtë, At Donati u ul dhe me çekiq theu copa e grima vulen e
Gjimnazit, tue ua pre perfundimisht rrugen e fallsifikimit të dokumentave.
Dy netë mbas, pra me 16 Nandor, Fra Ndou i kishte mësheh
çelsat e Kishës dhe u thonte katilave se, “unë nuk i kam mbajtë kurr çelsat,
prandej as, mos i kerkoni tek unë!”...
Nuk i besuen fjalës së Tij, po e moren dhe e masakruen në
sigurim, aso kohe tek shtëpia e Pjeter Çiurçisë. Edhe pse flitet pak e aspak
edhe per Fra Ndoun, dihet e sigurtë nga ata që e kanë pa me sy të varun aty
nder ullinjë që pak janë torturue si e sa Fra Ndue Vila... E ato masakra i kanë
vazhdue deri kah viti 1950, kur u sëmurë per vdekje...
Po, çelsat nuk i dorzoi se, nuk i dorzoi deri në vdekje! Ka vdekë me 4 Maji 1956 pranë Vllazenve të
vet, që nuk i preu në besë kurr, tek Kuvendi i Fretenve tek Arra e Madhe..
Asht kenë vorrosë në Vorrezat e tyne tek Kisha e
Fretenve, dhe pësoi fatin e Tyne në vitin 1968, kur i tretne Eshtnat e Tyne në
lumin Drinaz, pranë Urës Bahçallekut, me vendimin e drejtuesëve të
“Revolucionit Kultural 1967”... Vrasësit e të vdekunve!
Vitët e fundit të jetës Fra Ndou shpesh persëriste:
“Gjithë jeten time nuk njoha asnji Frat budallë, ishin Burra. Besë e Bujari e
shperndanin kudo venin kamben e tyne me sandale.
Armët në Kishë i kanë futë vetë ‘ata’, se mi kanë kerkue
çilsat mue e nuk ua dhashë...”
Vertetë që ka kalue kohë e gjatë dhe ajo ma e keqja që po
na shoqnon në jeten tonë, edhe pse nuk e duem aspak asht “harresa”! Veprat e
dobta ose edhe ata të kqijat, asht tue u punue vazhdimisht me ua lidhë gryken e
thesit... “Mësheftësia dhe harresa” janë motrat e bakëqijve, që mbas vitit
1944, nuk dinte njeriu kujt me i vue gishtin per Burrni!
Mirditori i Oroshit Fra Ndue Vila e mbylli jeten e Vet me
nder e Burrni.
Historia e pergjakëshme dhe njëherit e lavdishme e
Françeskanëve të Shqipnisë, ka fillue njëheri me ardhjen e Tyne në Shqipni.
Asht shumë interesant perkushtimi i Tyne në Trojet e Arbërit, ku me një zell e
dashuni të pakufi Ata ngulitën nder zemrat e trunin e Shqiptarëve Formulen e
pavdekshme nder shekuj “Fe e Atdhe”...E vdekja ishte si me le!
Këte e provoi Ajo Derë që shihni foton e saj nalt... Asht
Dera e Burgut të Kishës! Ishe i vogel kur shkojshe me Nanen time tek Ajo
Derë...E, Ajo Derë më tregoi komunizmin!
Fatkeqsisht, një kopje të çelsave të Asaj Derë të ngjitun
me Kishen, prej ku u shkonte tek menca e Kuvendit, ose tek dera e kompanjelit
të Kishës, e kishte kuzhinjeri Martin Tarri, i cili nga frika ua dorzoi
oficerave të sigurimit në darkë me daten 16 Nandor 1946.
Atë natë mbasmesnate në të dalun të dritës së datës 17
Nandor, ngjau tragjedia e madhe e Kishës Fretenve, ku sigurimi i shtetit i
drejtuem nga Zoji Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Ali Xhunga dhe Pjerin
Kçira me grupin e hamajve t’ arkave me armë, mbushën Elterët me ato armë, tue
fillue nga Elteri i Shna Ndout...Ku shperndahej “Buka e Shna Ndout” e që
agjenti Pjerin Kçira, e njihte ma mirë se të gjithë tjerët... Prandej edhe e
vrau Ajo Bukë, per të cilen e pat paralajmërue me daten 15 Nandor, kur Dul
Rrjolli me Pjerin Kçiren i vune prangat Provinçialit t Françeskanve At Mati
Prennushit.
Armët u patne futë nder disa Kisha dhe çela Klerikësh
Katolik në Veri të Shqipnisë, dhe mjaft prej Tyne u pushkatuene nga shteti
diktatorial i terroristit Enver Hoxha, i cili me ata armë zbatoi urdhnin e
shokut Stalin, të cilin e njoftoi pernjëherë per zbatim urdhni.
Gjithë Ai Kuvend në oborr ka një pemë blini... Ai bli
asht dishmitar i masakrave që ka perjetue per sa vjetë e vjetë me Fretnit e
Shqipnisë të gjakosun, të varun në degët e tija..
Ai Kuvend punoi per shumë shekuj per Shqipninë Europjane.
Pikrisht sot, asht tue u punue per shkatrrimin perfundimtar të Asaj Ideje që
sllavokomunistët me tradhtarët e vendit, po kerkojnë groposjen e Shtetit
Shqiptar, tue hapë dyert e shkombtarizimit!
Kjo veper tradhtare dhe antifetare ndaj Klerit Katolik në
Shqipni, ishte edhe dëshira e shumpritun e komshijve sllavo komunist të Titos,
që per sa e sa shekuj u perpoqën dhe e vazhdojnë perpjekjen e tyne
antishqiptare edhe sot per zhdukjen nga harta e Ballkanit të Shqipnisë së
Shkambijve të Herojt të Perjetshem Gjergj Kastriotit Skenderbeut.
Melbourne,
22 Qershor 2018.