Që nga fillimet e krijimtarisë letrare, me botimin e veprave në prozë: Hyrje në metodën e Leonardo Da Vinçit dhe Mbrëmja me zotëri Test, Pol Valeri dha shenjë, se do të bëhet një shkrimtar i njohur. Këtë gjë e dëshmoi, edhe vepra e parë poetike “Parka e re”, në të cilën e shkriu mendimin letrar – estetik, megjithatë vepra e tij më e njohur do të vinte pesë vite më vonë, e të cilën do ta titullonte “Varreza afër detit” (Pikërisht këtu, do ta varrosnin më vonë, pasi ishte dhe dëshira e tij e fundit, e lënë dhe në testament).
Një rëndësi të veçantë, Valeri, ia ka kushtuar edhe shkrimit të gjuhës në veprat e tij, për të gjuha e poezisë është e dëlirë, kurse ajo e prozës “e papastër”.
Pikërisht, në librin poetik “Zgjimi i dritës” i botuar në gjuhën shqipe në vitin 2008, Valeri hapjen e librit e bën me poezinë, kushtuar poezisë, në vargjet e së cilës hetojmë dashurinë që ai ndijen për poezinë, duke bërë krahasime:
“O nëna ime Mençuri, ti na sjell shumë kënaqësi, çfarë është kjo pamaturi, që shterr qumështin në afërsi”
Këtu poeti, e gjen qetësinë e dëshiruar, thurja e vargjeve e bën të jetë i lumtur dhe krenar, dhe ka të drejtë, pasi përmes vargjeve mund ta shprehësh atë, që ndoshta nuk mund ta thuash me fjalë. Prandaj, poezia ka magjinë e vetë të artë.
Në poezinë “Bleta”, Valeri e metaforizon aq ngrohët cilësinë e këtij insekti kaq të dobishëm, mirëpo mendimi i tij i thuktë na jep një pasqyrë krejtësisht tjetër, këtë e shprehin më mirë vetë vargjet:
“Prek gjoksin e bukur dikur, aty dashuria vdes e kotet, diçka nga unë shpejt e ikur, prap prek trupin që s’ndotet!”.
Këtu autori i bën thirrje dashurisë, që t’i jep kuptim jetës së tij.
Megjithatë, një gjë është e qartë, Pol Valeri është mjeshtër për ta thurur vargun kur është fjala për dashurinë, ai këtë e ndjen në zemër, andaj e përçon kaq ëmbël “Duart e mia të ngrohëta, laji pra, në tuajat!”, e nga ledhatimi, kjo ndjesi shpesh mund të kalojë në melankolinë e shfrenuar, këtë e thotë dhe vetë poeti.
Në këtë libër, mund t’i gjejmë dhe poezitë Parka e re dhe Varreza afër detit, të cilat janë krijuar nga një shije e stërholluar e unit të poetit Pol Valer.
Jo më kot, për këtë poet, poezia është “kremtë e intelektit”. Në këtë festë, ai i sheh të gjitha magjitë, stolitë, skenat e gjuhës, dhe harqet e bukurisë së sonoritetit të fjalës poetike.
Kështu që, mendimi artistik i Pol Valerit, sa është intelektual, aq është dhe estetik, duke ditur t’i sundonte, dhe t’i orientonte mendimet e tij, nëpër horizonte të reja dhe të freskëta të artit poetik.