Tashti jemi para një situate të re, pothuaj krejt të ngjashme me atë të vitit 1887.


77349-clip-79kb
1.Pashallarët e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e Co, kanë pesë vjet (2011-2015) në 16 bisedime ndërkufitare me Malin e Zi për caktimin e vijës të Demarkacionit në mes dy vendeve fqinjë, sipas kushteve të paracaktuara nga Bashkimi Europian.
Kjo histori aktuale më kujtoi kohën e hershme të guvernatorit otoman të Pejës, mytaserif Ali Pashë Gucia që pas Memorandumit të Stambollit të 12 prillit 1880 midis Perandorisë Otomane e Principatës të Malit të Zi duhej të ishte kryesues i caktimit të vijës së kufinit. Faktikisht puna në terren nisi me vonesa e pengesa: vetëm në pranverë 1882 dhe zgjati pesë vjet, deri në verë 1887.
Dy shembuj krejt të ngjashëm. Paralele në kohë të ndryshme.
Si atëherit edhe sot, të tjerët po na vnojnë kushte të randa në dam të kombit shqiptar, tue na i marrë hjekësisht e padrejtësisht tokat tona etnike ardhacakët sllavë.
2.Ali Beg Gucia, një nga personalitetet piedestal të historisë tonë kombëtare shqiptare, iu prini luftënave të mëdha në mbrojtje të territoreve të Plavë-Gucisë me rrethina, si ato më 1854 kundër kryengritësve të Vasojeviçit, ato më 1861 dhe më 1876-1878, të cilat kulmojnë me dy betejat në “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit” (dhjetor 1879 – janar 1880) që ishte Parathënia e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës.
E, të madhit Ali Beg Gucia, i erdhi koha e vështirë për me e “zvogëlue” vetveten tek çështja e caktimit të “kufinit të lodhshëm” me Malin e Zi. Ai përpiqej atdhetarisht të ruante sa ma shumë territore nga krahina e Plavë-Gucisë, etj., pavarësisht nga presionet nga Stambolli e Çetina, nga përfaqësitë e huaja në Prizren, Shkodër e Çetinë. Kjo, ndër të tjera, dhe për dy arsye: E para: kishte prona të vetat në këtë krahinë etnike shqiptare, të cilat ia punonin çipçinjtë e krishterë (Ah, çka i bane me ta asimilimit të kësaj krahine, o Ali Beg i kazasë së Gucisë!!!). Mali i Zi i premtonte se do t’ia ruante pronësinë pronave të tij, do t’ia jepte të ardhurat nga çifligjet, etj., po ai nuk i besonte krajl Nikollës e Co. E dyta arsye: kishte përkrahje dhe nga krejt populli i sanxhakut të Pejës, ku përfshihej dhe Rugova, dhe Plavë-Gucia, etj.
Sulltan Abdulhamid II e kishte mik personal Ali Begun e Gucisë, të cilin e bani mytesarif të sanxhakut të Pejës, i dha titullin “Pashë”, e thirri disa herë tek Porta e Lartë në Stamboll, etj. Në dokumenta diplomatike të huaja shkruhet: “Sulltani e mbloi Ali Pashën me të mira, vetëm e vetëm që t’ia lehtësonte këtë përcaktim të lodhshëm kufijsh” me Malin e Zi. Njëherash, nga ana tjetër, Sulltani, tue fillue prej vitit 1883, e kishte mik fort të afërt dhe Krajl Nikollën e Malit të Zi, të cilit i bani mjaft lëshime tue i dhanë kohë pas kohe toka etnike shqiptare.
Ma në fund u thye Ali Pashë Gucia. Në gusht 1887 u caktue vija e kufinit me Malin e Zi. U damtuen interesat kombëtare shqiptare në këto treva të Shqipërisë së Veriut.
3. Disa muaj ma vonë, më 29 nëntor 1887 thuhet se një i rugovas e vrau Ali Pashë Gucinë E qëlloi me plumba në mes të qytetit të Pejës, në kryeqëndren e Sanxhakut.
Ndoshta i rugovasi ishte i shtyrë drejt kësaj vrasjeje tragjike, të pabesë, antikombëtare. Ndoshta ishte hakmarrje padrejtësie vetjake ndaj tij…Sidoqoftë. diplomati austro-hungarez, Theodor Ippen, konsull i Përgjithshëm në Shkodër (1884, 1896-1903), referent politik i Komandës A-H në Plevlje të Sanxhakut (1885-1887), ministër i Jashtëm (1920), në një vepër të tij historike të shkruar për Shqipërinë e të botuar në Sarajevë (1901-1902), flet për vrasjen e Ali Pashë Gucisë. Ai dokumenton se “atentati ndodhi për shkak të pakënaqësisë së fisit të Rugovës, i cili humbte me caktimin e kufirit të ri disa kullota, të cilat i kaluan Malit të Zi”.
Krimi ndaj jetës së tjetrit gjithmonë duhet ndëshkue, veçanërisht kur kemi të bajmë me figura të tilla panshqiptare. Po, Ali Pashë Gucia, në vitet e fundit të jetës së tij filloi ka e tepron pa cak me sjelljet e vendimmarrjet e tij, shpesh arbitrare, ka’i’herë dhe me frymë e akte antikombëtare. Shqiptarët, veçmas pas caktimit të kufinit me Malin e Zi, patën fillue ka e etiketojnë e thërrasin si “tradhtar”. Ndoshta kjo vrasje e poshtër ndikoi që t’ia shlyente sadopak damkën si “tradhtar”, pasi pati një vdekje si martir i kombit të vet.
4. Tashti jemi para një situate të re, pothuaj krejt të ngjashme me atë të vitit 1887.
Prapë Mali i Zi po don’ me marrë toka etnike shqiptare me të ashtuquajturin “Demarkacion”, ku në qarkoren Çakorr-Mokën-Kullë, humbin mijëra hektarë tokë etnike të shtetit të ri të Kosovës. Në vijën kufitare Kullë ka mbi pesë kilometra hyrje malazeze brenda territorit të Kosovës.
Ali Lajçi, një nga të “plotfuqishmit” për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi, ka deklarue së fundit (maj 2015) se shteti i Kosovës e qytetarët e saj damtohen me rreth 12 mijë hektarë. Përndryshe: 120 km2, nga të cilët 70 km2 në pjesën e Rugovës dhe 50 km2 në atë të Podgurit e vendkalimin kufitar Zhlep…
E përllogaritur, me krahasime, del se Mali i Zi don t’i marrin Kosovës një sipërfaqe pothuaj sa katër herë qyteti i Tiranës metropolitane ( 31 km2 x 4 = 124 km2) apo dy herë ma e madhe se shteti San Marino (61 km2 x 2 = 122 km2), etj.
Sipërfaqja nuk është e vogël. Rreziku i tradhtisë kombëtare shqiptare në Pejë me rrethina është i madh, tepër i madh. Ndaj kjo tradhti duhet ndalur dhe në fjalorin e politikanëve dhe në terrenin konkret të Demarkacionit me Malin e Zi.
Kjo tradhëti nuk është e para dhe as e fundit që i bahet Kosovës nga politikanët e mëdhenj të saj, nga ata politikanë që i solli Lufta e UÇK-së apo prodhoi Paqja e EULEX-it. Mjafton të kujtojmë një fakt: sa km2 sipërfaqe i marrin Kosovës së pavarur Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, etj. Janë plot 27 të tillë e disa sish dhe në mbrojtje ndërkombëtare nga UNESCO, e në ruajtje nga KFOR, etj. Vetëm Manastiri i Deçanit ka 50 ha sipërfaqen e tij territoriale dhe mbetet i pakënaqun pasi kërkon 700 ha sikur i kishte më 1946 në Jugosllavinë e Titos e për ma keq nuk lejon me kalue as rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë nëpër juridiksionin e saj. Çështje pronësore ka dhe Demarkacioni i Kosovës me Maqedoninë, si në vijën kufitare të komunës Viti me mbi 17 ha, etj.
Shembuj të tilla janë gjithata. Çka po bahet me Mitrovicën me rrethina?!…Me i mbledhë me nji aritmetikë të thjeshtë të gjitha tokat që Kosova i ka dhanë me e padashje për të tjerët, për fqinjët e vet sllavë, atëherit kish me u çue populli shqiptar i Kosovës e me i ndjekë nga zyrat e shtetit me hy të çamë, etj. Dhe e kanë pak këtë ndëshkim popullor. Toka është e shenjtë. Japonezët e kanë një thanie të veten: Tokë më fal që të shkel me kambë!
Demarkacioni me Principatën e Malit të Zi më 1887 thuhet se i hangri kryet Ali Pashë Gucisë, njeriut që bani aq shumë për kombin e vet në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga gadishulli gjeopolitik i Ballkanit filloi Lufta e Parë Botërore (1914-1918).
Çështja shtrohet qartë, ballas: klasa politike e Kosovës dhe e Malit të Zi me vijën e kufirit midis tyre po e çojnë Ballkanin drejt një lufte të re, pas asaj të Parës e të Dytës nga krajlitë sllave, pas kësaj të fundit nga Millosheviçi.
Diplomacia, Politika, Tradita…duhet me pasë kujdes që të mos krisin pushka e Rugovës për pronat e veta… Rugova duket e vogël në hapësirë territoriale etno-historike, po pushkën e ka të madhe.
Zgjatjet e proçeseve të tilla mbartin pabesi, po ne, shqiptarët e Kosovës e të Ballkanit kurrkujt nuk jena ka i lypim besë, veçse po kërkojmë drejtësi. Demokracia kërkon Drejtësi për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi. Të gjithë e kemi në dorë ta ndalim Luftën e pritshme në emër të Paqes të sotme e të nesërme.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)