2015-07-12

Përsiatje rreth vëllimit poetik “ Hajmalitë Mistike” të autores Pranvera Drita Gjoni.

ERMIR NIKA


REALITETE TË THYERA POETIKE



Pranvera Gjoni


Përsiatje rreth vëllimit poetik “ Hajmalitë Mistike” të autores Pranvera Drita Gjoni.

Grishja për të depërtuar të panjohurën dhe për t’u njehsuar me të pakohëshmen, mbetet gjithmonë një prirje e kurdohershme e qënies njerëzore. Mjafton një përpjekje për t’iu vjedhur edhe përkohësisht realitetit dhe njeriu përjeton një formë të Nirvanës në shtegtimin gati në përmasa halucinante të gjendjes dhe zhgjendjes së tij në raport me metafizikën.

Dhe as/sesi nuk mundet të jetë një përvojë e kudondodhur, joshja për të rrokur një përmasë tjetër ekzistenciale përtej teje, jashtë valës rutinore që vesh me vegullim përditshmërinë e çdokujt.  Njeriu përsillet drejt tjetrit, ashtu sikundër edhe trupat qiellorë përreth sistemit diellor dhe falë kësaj marrëdhënie mbruhet koncepti për ligjësinë e marrëdhënies dhe realitetit të individit me natyrën dhe bashkësinë njerëzore ku bën pjesë.




Në efekte të tilla gjendesh, ndoshta edhe jashtë vullnetit tënd teksa endesh në brendinë e vëllimit poetik “ Hajmalitë Mistike”, të poetes Pranvera Drita Gjoni. Në përgjithësi, poezia moderne e shfaqur në letrat shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, përsjell një realitet të dyndur me nota fataliste por edhe me sinorët e hapësire që të josh të çapitesh edhe pse me druajtje brenda saj. 

Më tej, përballja me njerëzoren dhe karakteristikat e jetës urbane, i formësojë poezisë moderniste tipare edhe më të brishta, të hedhura në skajet e një përjetimi ekzistencial, e shkallmuar nga një trill narkomanësh, por edhe e dorëzuar përballë një prirje për të kapluar terrene të ashpra ekzotike. Kjo zhvendosje në zgrip të asgjësë dhe gjithçkaje, konturon jo vetëm koordinatat që rreh universi i shpalosur në poezinë moderne, por edhe bart elementët përbërës të kësaj vepre poetike të Pranvera Gjonit.
Duke u njohur me kuturisjet poetike të kësaj autoreje, vetishëm nga kreu deri në fund të vëllimit poetik “ Hajmalitë Mistike”, vetëdijësohesh se përgjatë këtij shtegu, jo vetëm je njohur por edhe je bërë pjesë e traumës dhe triumfit të shoqësisë shqiptare, ke rendur në të kaluarën dhe aktualitetin e tij, me qëllimin e pranuar në heshtje për të qenë protagonist jo vetëm i së tashmes por edhe i ardhmërisë që gjatë gjithë kohës shpaloset qartasi në sfondin imagjinativ të së pakapshmes.

Në këtë vëllim të kurorëzuar me titullin “ Hajmalitë Mistike ”, lexuesi ndoshta si fare rastësisht e sheh veten të ngërthyer nga një paranojë që e shoqëron në të dukshmen dhe të padukshmen e një bote në të cilën falë rrjedhave të përkundërta të fatit, kupton tashmë se zotëron destinin për të qenë  banor i saj.

Në vargun e thyer, por edhe në atë të lirë, vibrojnë zërat e personazheve të së shkuarës së pakthyeshme por dhe të realitetit objektiv, rëndomësisë të së cilit autorja rreket t’i shmanget por kurrësesi nuk ia mohon vetvetes të drejtën për ta gjykuar atë nga foltorja e krijuesit.


Lëvrimi i poezisë në traditën e shkrimit, por edhe në ditët e sotme, është jo vetëm koncentrimi i përfytyrimit dhe ndiesive për botën pjesë e së cilës është poeti si  “i dënuari i fatit, por edhe i përzgjedhuri i Zotit njëherësh”, por i edhe dukurive natyrore dhe modeleve të tij njerëzorë si metaforë e kujtesës dhe e ndërgjegjes kolektive në kohë dhe koordinata të skajshme gjeografike dhe kulturore.
Falë këtij akti poetik të pagëzuar “ Hajmalitë Mistike”, Pranvera Gjoni në këndin e saj të krijimit, ka thyer heshtjen duke u rrefyer, ashtu si përpara një prifti, për atë çka mori dhe fali në këtë botë, duke na joshur të bëhemi njëri nga ndjekësit e prediktit të saj poetik.




Në fund të kësaj odiseje të lakmuar nga çdo udhëtar i tokës, nuk më mbetet tjetër veçse të mundemi pas leximit të këtij libri, të fomulojmë lutjen e mbrëmjes;

I qoftë i përjetshëm udha e gjatë dhe e vështirë e njohjes!




BEKIMI YT



Të mbylla rrëmbimthi në qarkqiellin e syve,
sapo narkoza, rëndoj qepallat mbi orbitë.
Gjithësia e jeshiltë ra pré e përgjumjes.





Imazhi yt Nefilim, i pangatërrueshëm,
u shtri përgjatë vezakes së retinës.
Largoj si dorë e Zotit, përpëlitjet e frikës.





Errësirës, e përhumbur si një e droguar,
konstelacioni yt dërgoj sinjalet magjike.
Mbajti dritën e flakës së jetës, ndezur...





Silueta ëngjëllore, vërtitej përreth meje,
duke tundur krahët e shenjtë në bardhësi.
Preludi i zërave qiellor, thërrmoj copash tkurrjet. 





Brënda botës misionare të frymës deshifruar,
në djersitjet e lutjeve, u përkund shpresa ime.
Bekimi yt mistik, ishte Orakulli i jetës, ëngjëll!



  MASONERIA E DREJTËSISË


Periferia, 
shpërndan jonet negative
si shigjeta helmuese, 
mbi qendrën ...



Bërthama, 
mbrohet nga jonet pozitive,
( disa të infektuara nga dilemat)
duke reflektuar mbi flirtimet e interesave
që eterizojnë ajrin, 
qiellin, 
njeriun ...



Antibiotikët, 
baktrinat e konsoliduara,
vënë përpara bankës së gjygjësisë
virozat periferike ...
(vetëm për pak orë)



Stafilokokët, 
sfidojnë antibiotikët me forcën e tyre
të përbindshme,
duke blerë mbyllgojët e kokëlavitur,
pushtetin e ëndërrt, të papushtet.



Bakteriet urale
ulur në fronin e urdhërit,
shtrëngojnë flamurin e fitores pas hekurash.
Ironizojnë, 
poshtërojnë, 
dhunojnë,
drejtësinë e bërthamës legjislative.



Eh...! 
Transplantimi i plazmës
mbetet e vetmja shpresë,
që drejtësia ndaj bakterieve, të fitojë imunitet!




TRASHËGIMTARIT

Nata u kolovit
shilarësit të shpirtit,
mes shirash të rrëmbyeshëm
në studion time të ftohtë,
njëzet e një herë, pas orës dymbëdhjetë!



Asgjë nuk pipëtinte errësirës,
përveç kollitjeve të kujtimeve
që më degdisën
segmenteve të këputura në kohë.



Buzëqeshjet e agimeve
për të rritur Ullirin
që kisha mbjellur
të "Dielen e Luleve"
në vigjilje të Pashkëve,
më kaluan si një film
me xhirim të shpejtë
natës së mbetur, peng i heshtjes!



Trokitja e mëngjesit 
plasariti cipën e mjegullt xhamave.
Rrëzoj gjethet e gjelbërta
mbi shtratin-shtatin e tij burrëror
me lutjen e zemërnënës së përlotur.



"Në emër të mirësisë,
pastërtisë,
dashurisë,
vullnetit të mirë,
të uroj jetëgjatësi, trashëgimtari im!


 MARRSHI I LAMTUMIRËS



Satelitët shpërndajnë trakte
linjave konfidenciale ...
Kthinash, 
grupi i militantëve
etur në vobektësi,
ushqehen me zgërdhierje,
fërkim duarsh, 
dehur kënaqsisë së fshehtësisë,
deri në epilepsi ...



Valët e kthyera në krra-krratë e qyqeve,
kompozojnë muzikën fonebër
të skenës së fundit ...
Interorarit të fundit ... 
Destinacionit të frymës fundit ...



Varrmihësit luajnë partiturën
e marrshit të lamtumirës.
Violinat maestro,
këpusin telat e zhubravitjeve 
të surretërve kopjativ ...



Traktet, 
groposen me shpërndarësit,
varrit të përbashkët, 
të kolerës...


Lamtumirë...!




 KOHA E KTHIMIT TË BORXHIT ...!

 

Koha e gjeti çelsin autentik
të hapjes kutisë së Pandorës!



Ndaj, nxirrni në dritë të diellit,
emrin tim të lashtë,
më të lashtë se vetë trazhgimia!



Përgojuar dhe sunduar nga ju,
masoneria e korpusit shkatërrimtarë
sektesh të përziera përfituese bankare,
duke mbyllur çdo gojë papiruseve
që flasin shqip,
sënduqeve të blinduara, të fshehtësisë,
përgjatë “rotondit” të globit ...



Frika e përhapjes rrezeve kolektive inteligjente
mban nën thembrën tuaj,
mbiemrin e emrit tim,
shkruar, jo mbi mitet,
as legjendat ....



Poor ...nën rrënojat Atlanditase, 
( At-dhe)
gjaku i stërgjyshërve të mi
pellazgo-ilirë bërtet,
thërret për legjitimitetin e emrit tim!



Katapanos, binjaku i diellit,
dëgjoi Thoti-Totin të fliste shqip.
Shpërbëri errësirën 
e dyllosur shekullore para erës sonë,
duke përçuar të munguarën dritë ...
Për të verbuarit e vitit dymijë e katërmbëdhjetë.



Këmbanat e kohës, oshëtijnë.
Të kthehet borxhi!
Të pranohet e vërteta, e lashtësisë së emrit tim!



 ROBO-KALIPS

Në vertikalitetin e jetës
varret e dashurisë njerëzore
janë lidhur në seri të pazgjidhshme...
Salduar nyjesh të metalta,
pa frymë,
pa diell,
pa ndjenja...
Vegjitojnë ceremonitë mortore!



Makinat intelegjente
telekomandojnë robotët e errësirës!



Zgjerojnë rrezen e veprimit
duke shformuar natyrën në tymnajë,
ciklone,
tërmete,
pluhur inekzistencialë...



Apokalips në trazhgimi njerëzore!
E ardhmja vret prejardhjen...
Hipotermia e shpirtit
amortizon mendësitë,
duke u kthyer në “heronj të vdekjes”



Anti-Krishtat...
Anti-Muhamedat...
Veshur me prazmoret e shkatërrimit,
zgërdhihen në post-fortunë,
si "mitet" e lindjes së resë!



Koha ka kapërcyer kufinjt e njeriut!



Planeti njeri,
jep dhe merr në grahamat 
e fundfillimit të kozmosit!



 BARINJTË


I shoh Barinjtë që kullosin dhimbjen
me besimin e shpirtit tim,
mbjellur tokës së psherëtimave
të tërmeteve, 
të frymorëve,
të bimësisë ...
Lindur netëve me hënë të thyer.




Nën lëkurë, 
stacionet e hekurudhave kanë mbetur kyçur.
Mbi shinat,
ndryshku ngjitë dhe rrëshqet,
errësirën e plazmave
të indoktrinuara sektesh...


  
Erozioni, përthyen në dysh evolucionin!



Kokat në perëndim
ngjajnë me kafka të salduara
eshtërish të tymosur
nën flakën e mishit të egër, të së keqes.
Gjymtyrët dirigjohen
kurbave të erës në lindje,
ku muskujt fryhen e shfryhen
si parashutat ngjitjes dhe rënies së komanduar...



Barinjt’, 
ndukin mjekrat e hidhërimit!
Sytë u shkrepëtijnë fishekzjarre dhimbjesh,
ndaj tokës që digjet para syve të tyre...


  
Kullosin asgjën'
akullnajave të shpirtrave
që bëjnë vokalica,
për koncertin e radhës...


  
Fonebriteti i frymorëve nuk i frikson Barinjt’!
Drita e tyre paqësore
me durimin e dashurisë,
zhduk mjegullat shpirtrave mes muresh!



 PASAZHE BUZËMBRËMJEJE




Fotografime të trishta, zërash të përhimë, memece,
tendosin qepallat e ngurtësura, të muzgut rënduar.
Qielli im dridhet, fashitet, ekuilibrit delikat të shpirtit.



Pingulet e orëve, rrëshqasin qerpikëve të kohës,
duke rikthyer melodinë e thyer, të së shkuarës ...
Gërryejnë pluhurin e harresës, konservuar në dje.



Dunat e egra, më mbeshtjellin me vrerin e dhimbjes,
brigjeve të buzëmbrëmjes vrarë, gufosur kujtimesh.
E sotmja nuk është dje! Përflaket ylberi horizonteve.



Në fillimfundin e pasazheve, çorientuar motit të ligësht,
një pikëlidhje oqeanike më zën në orbitën e kryqëzimit.
Simptomat e kujtesës transenergjike, flirtojnë me muzgun.



 DUART E BABAIT

Ku më je o supi im i ngrohtë,
o dora e fortë,
skalitur shinave të kohës?



Më jep një shenjë ajrit,
a, erës thuaja një fjalë për mua.
Të besoj që je
aty ku ke qënë,
aty, ku eshtrat e mija u drejtuan,
kockë e fortë u bënë.



Ku më je o dishepulli im?
Uratën tënde kam nevojë ta dëgjoj, 
të më thyej heshtjen,
të më bëj shoqëri
në këtë natë të qorruar,
pa hënë, pa yj' ...



Vitesh fryma më është lodhur.
Jep e merr me veten, vetëm.
Larg teje ...
Bën shumë ftohtë.



E gjora unë, e di ...!
Shtegtimeve të mija 
busullën e dorës tënde
tërmetet e papritshme e zunë.
E përhumbur nën presionin e jetës,
duart nuk t'i mbajta dot
e dridhjen ta frenoj.



Mësuar ishim të lexonim njëri-tjetrin,
pa fjalë, afër, sy më sy, duar shtrënguar...
Në të gjitha stinët.



Sonte, tek ti dhe tek unë,
ylberit i mungon një ngjyrë!



 DITËN KUR ...

Ditën kur pranvera mos të çelin më poezi,
e ozoni të shpërbëhet në dioksid karboni.
Shpirti im iu lutet, juve të dashurve, të mi, 
tek guri i varrit, çdo ditë, poezi lexomëni!




Lexomëni ju që nuk njohët paragjykimet,
as faje nuk shkruat, në librin tim të jetës.
Zëri juaj i ëmbël si fëshfërimat e ëndërrës,
brënda heshtjes së varrit do më falin paqen.




Nuk dua ta qani, as ta vajtoni pranverën,
s' dua të blertën ta vyshkni, vesën ta thani.
Mbi çdo fije barë dhe kashtë të mijave vite,
ka diell, këngë, re, dashuri dhe hidhërime.




Në ditën kur stina, mos të frymoj më,
poezia e re, e saj, më mos të shkruhet.
Kërkoni sirtarëve, skutave të pluhrosur,
do gjeni copëza shpirti të shkuarës-jetuar!




Ditën kur plisat të varin kokën, trishtimit,
aurorat të jenë kthyer vetëm në një gringjyrë.
Lerëni portat dhe dritaret hapur, të shpirtit,
nga bota tjetër iu dërgoj buqetë, lulesh-poezi.











Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...