Cikël poetik nga Pranvera Drita Gjoni

Intervistë me poeten Pranvera Drita Gjoni

Pranvera Gjoni

Kohët e fundit keni publikuar në Facebook një poezi në formën e një interviste. Nga erdhi kjo ide?

Erdhi nga një akumulim i kahkohshëm ngacmimesh negative brenda meje. Përgjithësisht, aq sa duhet të dinë miqtë virtualë dhe ata realë (përjashtoj miqtë e ngushtë) rreth meje, si p.sh. kush jam, nga vij, ku punoj, cilat janë “ hobit” e mia, gjenden tek të dhënat personale që janë publike.

Presioni për të hyrë më thellë nga kureshtarë spontanë apo të qëllimshëm (për arsye të bezdisshme e të rëndomta përfitimi, flirtimi…), nuk më pëlqen dhe asqë ua lejoj. Jeta private është vetëm imja dhe nuk është kusht të shpaloset publikisht. Respektoj privacy-n e të tjerëve dhe mbroj me xhelozi timen. Dhe theksoj: jam fanatike e tmerrshme ndaj jetës dhe gjërave të mia të dashura, të cilat as sot dhe asnjëherë nuk do t’i ndaja autostradës publike.

Po sikur të bëjmë një intervistë të vërtetë rreth Pranvera Gjonit dhe krijimtarisë së saj letrare?

Edhe pse e kam shumë të vështirë të flas për veten, qoftë si njeri apo edhe si krijuese, përse jo… Kështu ua marr dorën pakëz intervistave (hahaha)…

Keni lindur në fshatin Fierzë, aty ku takohen Drini me Valbonën, në vitet kur ndërtohej një nga hidrocentralet më të mëdhenj të Shqipërisë. Si ka qenë fëmijëria juaj?

Po, jam lindur në tokën e dritës. E prindërit ma vunë emrin Dritë dhe më pagëzuan Pranverë… Në një kullë dykatëshe, të ndërtuar me pllaka guri të moçëm. Nga ana e poshtme e shtëpisë,

Drini gurgullonte me pasionin e vet të çmendur. Ana e sipërme e kullës kishte një ngjitje mali, i gjithi i gjelbëruar. Përreth plot pemë frutore, të cilat ishin bërë në njëfarë kuptimi “armiqtë” numër një të prindërve tanë. Kjo për arsye se vëllai im i madh, që është fëmija i parë, pastaj unë i dyti, ishim energjikë dhe si “majmunë” ngjitnim pemët kush e kush të mbërrijë majat. (Tani e kuptoj rrezikshmërinë dhe faktin që prindërit rrinin me zemër të ngrirë haha)…Pak metra më lart shtëpisë, ka qenë një burim uji natyral, i kristaltë dhe i ftohtë borë.

Nga ana perëndimore e shtëpisë, kanë qenë sharra dhe zdrukthëtaria. Pas mbylljes së punës, ato ishin lodrat tona, fshehurazi nga prindërit. Aty shpenzonim adrenalinën, duke u tundur në elementet gjigande, në formë U-je… Ishte teatri i aventurave tona, që na ndihmonte edhe në zhvillimin e fantazisë. Me listelat e mbetura, ndërtonim varka, gjasme për të lundruar në Drin…Me tallashin e tretur, “ndërtonim” shtëpinë sekrete. Aty fshiheshim kur bënim gabime. Mbase e zgjata pak, por e ndiej, që ky mjedis krejtësisht natyral, ka zgjeruar brenda shpirtit tim një horizont të gjelbër-shprese, ka kalitur guximin, duke shmangur frikën, ka bërë të ndihemi zot i vetvetes, ka rrënjosur dashurinë e sensin për të bukurën, lirinë e frymëmarrjes, vetëbesimin…

Të gjitha këto kanë qenë “ingredientët” (elementët përbërës) të varkës sime në lundrimin e deritanishëm… Jam bijë e dy prindërve të përkushtuar për ne shtatë fëmijët, punëtorë, të bukur pse jo, të ndershëm dhe vetëmohues, që bënë gjithçka për rritjen e edukimin tonë me normat e shëndosha të moralit, për të na bërë njerëz të kompletuar. Fëmijëria ime pat filluar e bukur.

Gjithçka në atë moshë, mbaj mend që ka qenë si një ëndërr, nga e cila nuk ke dëshirë të zgjohesh asnjëherë. Preokupimi për gjërat ditore nuk ekzistonte tek ne fëmijët. Pasi për të gjitha ishin kujdesi i prindërve dhe dashuria e madhe e gjyshes, e cila na mbështillte si një diell me mbrojtjen dhe përkushtimin e saj. Në rrethin e kujtesës ka plot gravura me shumë detaje.

Por dy dua t’i ndaj me ju. Isha rreth 4–5 vjeçe, kur im atë më merrte me vete për peshkim. Ishte dhurata më e bukur që më bënte e unë lumturohesha kur ai i thoshte mamasë:- Bëje gati “djalin e babit” të vijë me mua…

E ndiqja nga pas si manare, me gojën vesh më vesh nga kënaqësia, me një thupër në dorë (shelg me sa mbaj mend) ku rreshtoja peshqit gjysmëgjallë e që lëviznin akoma. Duke ndjekur babanë gur më gur, rrëzohesha dhe ngrihesha me dhjetëra herë, pa u ankuar, as nga dhimbja, dhe as nga të lagurit. Isha e fiksuar tek thupra dhe “ heronjtë” e rreshtuar.

Gjatë kohës që i përshkoja në thupër, u vija emra sipas lëvizjeve të tyre (i shkathti, i vogli, syshqiponja, qurraveci, frikacaku…etj)… Dhe detaji i dytë ishin shtatlartësia, që po hidhja shpejt, dhe lirshmëria në të folur. Shumë nga farefisi, i thonin babait: – Dërgoje në shkollë vajzën, se po mbërrin “trarët e shtëpisë”, pa u bërë 10-vjeçe.

Dhe kështu u bë. Më dërguan si dëgjuese 5 vjeç e tre muaj. Në fund të vitit dola me rezultate shumë të mira dhe vitin tjetër vazhdova shkollën rregullisht. Duke u rritur, vetëdija për çka ndodhte përreth, bëhej më e prekshme. Tani që e mendoj, më duket sikur puberteti nuk ka ekzistuar kurrë tek unë. Më ngjan sikur një eklips e ka zënë përfundi, duke më çuar në moshën e adoleshencës, një vajzë meditative me një frikë të pakuptueshme ngjizur në rrënjët e shpirtit. Ka mundësi që ajo frikë kishte ardhur pasi nga “ vrima e çelësit”, dëgjonim ndonjëherë prindërit të diskutonin me tone jo të qeta, madje mjaft të shqetësuar.

Ikja e tezes së babait jashtë kufijve të Shqipërisë, kishte sjellë kontroll të rreptë mbi prindërit, sidomos mbi babanë, nga forcat e Sigurimit. Babai jetonte dhe punonte si të thuash mbi “siguresa bombash”, që mund të shpërthenin në çdo çast. Dhe ne si fëmijë ishim të “ dënuar” të mos hanim rriskat e bukës jashtë me shokët, që mos të na shihnin se çfarë po hanim.

 Rrobat e bukura, nuk na i linin t’i vishnim në shkollë, por vetëm kur iknim tek daja, tezet dhe të afërmit. Analginat e panumërta që pinte im atë, për t’ u qetësuar nga stresi…dhe shumë e shumë detaje të tjera, u bënë pjesë e të kuptuarit të sistemit në fuqi, bile më shumë të atyre që drejtonin në bazë. Kjo krijoj brenda rritjes sonë, një zonë të errët, e cila dha me kohë produktet negative të saj.

Pranvera Gjoni3

Amfiteatri spektakolar i maleve të Shkëlzenit, Jezercës e Radohimës, që si valltarë qeleshebardhë duket sikur i kërcejnë përreth Valbonës së kaltër e të kristaltë, ambienti magjik i bjeshkëve tropojane, kanë ndikuar të lindë që herët shpirti poetik tek ju?

Në këtë moshë, me rritje mendësish dhe ndjesish, them se po. Edhe pse kam jetuar shumë pak në Tropojë, për të marrë lulesën e plotë të asaj natyre magjike dhe të virgjër, e ndjej që brenda meje ka ndikuar në konsolidimin tim si karakter dhe si krijuese.


Ballinat-e-dy-librave-të-rinj-nga-autorja-Pranvera-Drita-Gjoni-1



Treva e Tropojës i ka dhënë letërsisë sonë poetë të talentuar si Ndoc e Feride Papleka, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Jaho Margjekaj, Ukë Buçpapaj, Mujo Buçpapaj, një rapsode të mrekullueshme si Fatime Sokoli. Si ka ndikuar kjo klimë dhe kjo aradhë krijuesish në formimin tuaj në udhën drejt artit të fjalës poetike?

Dihet që është shumë e vështirë t’u afrohesh në nivel personaliteteve të artit si ata që ju përmendët më sipër. Por, mendoj që frutet e suksesit të tyre, janë rrugë e shtruar për mua dhe gjeneratat krijuese që i ndjekin pas. Janë ajër që furnizon lirinë e të krijuarit, janë shtysë e ambicie për të dhënë më të mirën. Rruga dhe suksesi i tyre krijues shtojnë tek unë vullnetin për të punuar më me këmbëngulje, që nesër të jem një pinjolle e denjë, jo vetëm e kësaj zone.


Pranvera DRITA-GJONI


Pranvera Gjoni ,Duke ndjekur udhën e shkollimit, rriteshit bashkë me poezinë brenda vetes, apo edhe të hedhur në fletore. Zbritët për studime në qytetin e Shkodrës, ku klima letrare e artistike ishte shumë më e gjerë, madje edhe brenda institutit ku studionit ju. Çfarë kujtoni nga ato vite?

Vajtja në Shkodër, (me shumë peripeci, që vetëm im atë e di sesi arriti të më realizojë dëshirën e flaktë për të studiuar për mësuese) ishte për mua një rilindje e ëndrrave.

Mbërritja në qytetin e trashëgimisë kulturore, aty ku fjala e artit filloi, u rrit dhe preku majat, ishte një ngadhnjim i vetvetes mbi veten. Teatri “Migjeni” fliste me artin e dramës, të komedisë, të humorit, të spektakleve, të koncerteve (të gjitha live), të prekshme dhe të frutshme për spektatorin, në furnizimin e ëndrrave me klorofilë origjinale, të pastër dhe premtuese, duke shmangur plotësisht ftohtësinë artificiale.

Frekuentimi i rregullt i shfaqjeve në këtë teatër, vajtja në kinema, pjesëmarrja në aksionet e misrit, shëtitjet e organizuara në kalanë “Rozafa” me legjendën e saj brilante ishin pjesë e rritjes dhe formimit tim dhe të brezit tim.

Me kënaqësi të veçantë kujtoj xhiron e darkës në shëtitoren kryesore të qytetit (ndër shëtitjet më të bukura që kam parë në jetën time, njerëzit të veshur bukur, të parfumosur me aromë luksi). Ne shpeshherë nxirrnim leje me shoqëri tek kujdestarët e konviktit për të dalë qoftë edhe një orë në atë shëtitje të bukur, ku pastaj qëndronim edhe dy-tre orë…

Unë kam patur fatin që kisha nipin tim me banim në Shkodër, i cili është këngëtar i njohur dhe profesor muzike, Prekë Mrishaj. Ai më krijonte komoditetin e shëtitjes e të njohjes së Shkodrës cep më cep, të shtëpive muze, të historisë, kulturës, kostumografisë, folklorit etj…

Të gjitha këto dhe akoma më shume veprimtari, ndikuan në zbukurimin e kurorës së shpirtit!

Periudha e studimeve në Shkodër ishte dhe një formë e të qenit indipendente, larg strukturave dhe kujdesit ndonjëherë të tepruar të prindërve. Kjo filloi me çlirimin e frikës, marrjen e iniciativave brenda formatit shkollor, pjesëmarrje në rrethet jashtëshkollore.

Përveç volejbollit, valleve, organizimit të mbrëmjeve të së dielës, kursit të mandolinës, ishte dhe rrethi letrar. Aty, përveç recitimit, ishin reçenca mbi librat e lexuar dhe krijimet e para të miat apo të shokëve e shoqeve….Këto na jepnin kënaqësi të madhe, na mundësonin herë pas here edhe ikjen nga orari i detyruar i studimit të pasdites (hahaha).


 Në atë kohë hidhja vargje në ditarin tim. Më pëlqente të shkruaja esse të shkurtra, disi “abstrakte”, për të qenë larg të përgjithshmes, por edhe i ruhesha rrezikshmërisë së rënies së tyre në dorë, veçanërisht të sekretarit të partisë së shkollës, i cili ishte mësuesi i rusishtes, më i rrepti në shkollë.

Por kishim edhe mësues që na mirëkuptonin e që shpreheshin me humor. Më kujtohet se një herë në korridorin e shkollës përballem me të talentuarin dhe të paharrueshmin Paulin Selimi, i cili jepte letërsi në shkollën tonë.

I kërkova të më jepte mendim për një poezi të krijuar për mjerimin, ku i drejtohesha Migjenit…Paulini e lexoi, buzëqeshi dhe më tha: “dreqe, mos i hap punë vedit. Të tanë e dimë, por nuk mundemi me folë me të madhe ça na kanë ba ikta tollonat”. Pastaj qeshi dhe iku… Në ditarin tim kishte sentenca, sarkazëm, ironi, humor mbi fotot e librave, fotot e mja…Krejtësisht në botën time, pa ndonjë ambicie apo qëllim botimi.


Ballinat-e-dy-librave-të-rinj-nga-autorja-Pranvera-Drita-Gjoni-2

Mes të tjerash, kujtoj mësuesin e psikologjise, vetëm mbiemri me bie ndërmend tani, Islami, që në detyrat me shkrim gjithmonë më vinte notën 9.

Një ditë e pyeta:- Mësues përse asnjëherë nuk e ndryshon këtë notë, as më pak dhe as 10? “Vajzë,- më tha.- Ti nuk e lexon asnjëherë mësimin, vetëm titullin, dhe shkruan nga mendja jote.

Ma poshtë nuk mundem të të vlerësoj, sepse shtjellimi yt është mësim në vetvete. Ma shumë nuk mundem, se atëherë i bie që unë të shpenzoj shkumë kot para jush!” E tregova këtë rast, pasi psiko-filozofia trajtohet shumë në krijimtarinë time. Dhe kjo në atë kohë ishte jo nga leximi, por nga forca e analizës së fenomeneve, dukurive, karaktereve…

Kur e kishit bërë gati për botim vëllimin tuaj të parë poetik?

Kur isha 18-vjeçe, kisha bashkuar 80 poezi të shkruara me dorë. Përgjithësisht ishin motive dashurie, për mjerimin, për natyrën, për muzikën, për babanë, nënën…E kisha titulluar “Përtej dashurisë”. Mendimi për t’i botuar më lindi, kur u regjistrova në Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi. Por ma refuzuan botimin.



Librat e Pranveres

Cilat ishin argumentet me të cilat u motivua refuzimi i botimit?

Duke mos pasur njohje të rrethit letrar, babai takoi ne Institut një lektor, i cili i dha përgjigje negative. Nuk është art i pjekur… Kam provuar dhe në vitin 1993, por atëherë kërkoheshin para shumë, të cilat nuk arrita t’i bëja gati, për të realizuar botimin në Tiranë.

Dhe atë bllok me poezi e ka mbajtur vëllai Gëzimi, deri vonë në ruajtje. Kanë humbur, pas ikjes time në emigracion si “fakte-flete konkrete”, por kanë mbetur brenda meje, sepse e kam vënë re kur përhumb në rilexim të poezive të mia, ndjej që shpirti i atyre krijimeve është shkrirë në vargun e sotëm, por me një forcë të re shprehëse.


Në udhën e krijimtarisë ndeshen edhe refuzime dhe mendoj se janë të natyrshme e do të thosha edhe të nevojshme, sepse ndihmojnë në rritjen e krijuesit të ardhshëm. Balzakut i hodhën në kosh dhjetëra romane përpara se të botonte romanin e parë. Por kjo nuk e ndali. Përkundrazi ai shkroi më me vendosmëri dhe u betua që do ta vinte emrin e tij mbi gjithë shkrimtarët e Francës. Si vazhdoi më tej procesi krijues tek ju?

Oh! Pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në harkun e tre viteve, rashë pothuajse në një pasivitet të plotë në aspektin krijues. Ndërtova familjen, e cila më solli dy fëmijë njëri pas tjetrit, plus dhe studimet me korrespodencë, të cilat sëbashku bënë që krijimet “de facto” të bien në përgjumje. Në ndonjë zgjim të rrufeshëm, hidhej ndonjë poezi në letër, por i prekte po kaq rrufeshëm, “inkuizicioni banal”.

Por mund të them, mbushja emocionalisht brenda meje, nuk pushoi asnjë çast. Leximi, paralelisht me ndryshimet drastike që po ndodhnin në të gjithë shtyllën e jetës personale dhe të asaj shoqërore, në ato vite, u presuan labiritheve të mendjes dhe të shpirtit, për t’ u zgjuar dhe dëshmuar më vonë në lirinë e plotë të krijimtarisë.
Diku në autointervista thoni: “Jam dhi e egër në gen”. Ka të bëjë me natyrën tuaj kjo, me vendosmërinë, krenarinë, kryeneçësinë?

Të gjitha marrë sëbashku! Nuk e kam pranuar dhe as nuk e përtyp dot të qënit pjesë loje apo prapaskenash, dallaveresh, aq më tepër kur ka të bëjë me ecjen si njeri-grua-nënë në rrugën e mbijetesës dhe të asaj si krijuese. Nuk i honeps dot jargavitjet inferiore, që bëhen në qarqet letrare, për një çmim, për një botim në portualet dhe gazetat, për të shtuar një copë meteorike mbi emrin.

Kjo gjë ma ka neveritur aq shumë, saqë ngurroj të jem pjesëmarrëse në konkurse, të dërgoj cikle poezish nëpër gazeta, bile dhe ftesa juaj për këtë intervistë sikur më mblodhi brenda meje, por, aftësia juaj komunikuese më ofroi gjithë komoditetin e duhur për t’ u ndjerë mirë dhe për t ’u shprehur “pa dorashka…”

 Edhe pse më kanë lënduar lidhur me ashpërsinë time dhe përgjigjet troç ndaj këtyre fenomeneve, mënjanuar nga shumë pjesëmarrje në antologji të ndryshme (pasi më është bërë ftesa nga organizatori), përsëri fle e qetë brenda personalitetit tim, duke shtuar akoma më shumë dozat krijuese dhe studiuese, larg parakalimeve shabllone pa pikë vlere, bulevardeve publike (për konceptin tim)…

Librat e Pranveres


Vëllimi i parë poetik “Autopsia e shpirtit” del në dritë në vitin 2013. Tashmë grua e pjekur, nënë, e stabilizuar si emigrante në Belgjikë. “Dua t’i hakërrehem fatit dhëmb për dhëmb”, thoni në një poezi të këtij vëllimi. Ishte deviza juaj për të përballuar vështirësitë e emigracionit dhe për të realizuar ëndrrën e poezisë?

E keni gjetur “çelësin që hap shtëpinë e të dyjave”. Emigracioni, përveç vështirësive të panumërta, ( për një 26-vjeçare) që dihen nga të gjithë, më dyfishoj frymën, duke më pastruar oksigjenin nga bioksidi karbonik, që kishte hyre brazdave të viteve. Formimi në rritje filtroi logjikën, rriti guximin dhe u dha krahë ëndrrave, të cilat filluan të kurorëzojnë suksesin, ndonëse me pak me vonesë. Por, siç thuhet nga i mençuri dhe i pagabueshmi popull: Më mirë vonë se kurrë!

Kam patur kënaqësinë të lexoj dy librat tuaj të parë “Autopsia e shpirtit” dhe “Në hark të horizontit tim”. Vjeshtën e kaluar në Tiranë promovuat librin e tretë të titulluar “Mendime të arnuara”.

Ju ndjek shpesh edhe në publikimet në Facebook. Ajo që bie në sy është shumëllojshmëria e temave e motiveve, një figuracion i pasur e modern nganjëherë deri në kufijtë e hermetizmit. Ju keni studiuar gjuhë-letërsi, por përdorni lirshëm e me efekt figura e terma teknike, shkencore e filozofike. Kjo i dedikohet interesimit tuaj edhe për njohuritë në ato fusha?

Më sipër fola pak për kohën e gjatë letargjike në aspektin krijues. Por ajo nuk preku interesin tim ndaj leximit, që u përket pothuajse të gjitha fushave tërheqëse të mundshme, në kohën time të lirë… Përveç librave artistikë, kam një interes të madh ndaj literaturës filozofike, ku mund të veçoj atë që dua më shumë, Arthur Schopenhauer me vepra si “Këshilla për jetën”, “Arti i të jetuarit” etj. Pastaj Filip G. Ximbardo me “Si të mposhtësh ndrojtjen”, OSHO me “Kryesorja është të jesh”, e “Për sublimen”.

Më tej do të përmendja edhe Georg Vilehelm Fridrih apo Hegel, siç njihet më shumë, me “Platoni”, Aristoteli, libra teologjikë të Clifton Briscoe si “Vetëm përmes gjakut”, Bob Gass me “Mposhte shqetësimin”e “ Jeta triumfuese”…etj.

 Kurse njohuritë teknike m’i ka mësuar praktika e jetës. “Djali i babit” është bërë disi edhe një shofere-mekanike në njohje (absolutisht jo profesioniste), por kurioze të dijë funksionin e çdo pjese, që lidhet me fizikën, mekanikën…( kostoja në ofiçina është e tmerrshme), ndaj mbijetesa të angazhon të mësosh nganjëherë edhe jashtë dëshire…

 E megjithatë, etja për të absorbuar të rejat, diferencat në kohë, evoluimet, progreset si ato natyrore dhe ato njerëzore, dhe praktikat me to,shkarkohen në krijimtari në mënyrë spontane, pa u kthyer qëllim më vete.

 Gjej rastin të falënderoj publikisht shtëpinë botuese “ADA” nën drejtimin e zotit Roland Lushi, i cili me një përkushtim dhe profesionalitet te admiruar, solli “binjakët e mi” tek lexuesi, me “kartele shëndetësore” të mrekullueshme!

Nuk keni frikë se ndonjëherë kjo mund ta bëjë poezinë të tingëllojë e ftohtë, pavarësisht perfeksionit të saj nga ana teknike?

Gjej përshtatje tek një sintezë e Gëtes: Sshkenca del nga poezia! Atëherë, them përse poezia nuk mund të gjallojë shkencërisht? Jo, jo nuk e ndjej fare frikën! Bile as që e kam menduar ndonjëherë. Shkak është spontaniteti i lindjes së poezisë dhe “shtrimi”i saj në varg, që nuk më jep kohë të mendoj apo të reflektoj gjatë.

 E dini një gjë: Shpesh herë i vë paralelisht muzikën rrok me të shkruarit hermetik, në logjikën time. Që të dyja shkrihen bashkë në tangon e shpirtit. Lexuesi mund të jetë i pakët në këtë lloj zhanri poezie, por ata që e gjejnë veten, ia ndiejnë llavën e brendshme, që vështirë e harrojnë më.

Në poezitë me motive shoqërore jeni shpesh herë shpotitëse, madje edhe sarkastike. Cilat dukuri të jetës së sotme tërheqin fshikullimën e vargut tuaj?

Ndër të tjera, janë parazitizmi, makijazhi i moralitetit, të qenit mashkull pa pikën e vlerave të burrit, dyfytërsia, cmira, përfitimet, politika, mendjemadhësia, deliri i madhështisë, thashethemet, maskat, karakteret dystandartëshe…etj.

Padyshim, një vend të rëndësishëm në poezitë tuaja zë motivi i dashurisë. Çfarë është dashuria për poeten Pranvera Gjoni?

Dashuria për mua është dimensioni i pestë! Shumë pak e prekshme, cipërisht e shkruar, dhe në raste të veçanta e përjetuar. Është fusha magnetike e ndjesive pozitive, që thith në trup vetëm atë që është shpirtërore.

E zhveshur tërësisht nga interesat, qofshin këto sipërfaqësore, fizike, apo monetare… Dashuria është përtej çdo konceptimi. Gjykoj që rrënjët e saj janë të ngulura në virgjërinë e dhimbjes dhe si e tillë, mbetet e padimension, e paparafrazueshme, e pasegmentuar, e padeklarueshme.

Një çetinë e gjatë bjeshkësh në vendet e ulëta të Veriut të Europës. Për më tepër e bukur dhe elegante në shije e në veshje, çka nuk e bën të kalojë pa u vënë re. Si është raporti me ambientin ku jetoni e punoni?

(Qesh) Ndue, mos dil në një temë që nuk më pëlqen. Të jem e sinqertë me ju dhe me lexuesin (ata që më njohin nga afër e dinë mirë këtë gjë) jo vetëm që nuk i kam dhënë rëndësi kurrë bukurisë së jashtme, por sa herë bie pré e komplimenteve, skuqem, ndjehem keq sa nuk di as se si t’u kthej përgjigje.

 Paraqitjen e jashtme e kam konsideruar që në moshë rinore, dhuratë e prindërve dhe e genit, gjë e cila nuk është meritë e imja edhe pse është fati im.

Dhe për çdo gjë që nuk kushtëzohet me mundin tim, për mua mbetet në kufijtë e pluhurit, të pavlerës. Kurse prezenca, i përket shijeve të mia, e spikatur që në vogëli në guston e veshjes, por besoj që shpërfaq Pranverën si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.

Përsa i përket ambientit ku punoj e jetoj, mendoj se jemi përshtatur e integruar mirë në jetën belge. Me kolegët e bashkëqytetarët kemi raporte reciproke korrektese, stime e respekti. Gjë e cila më ka favorizuar të ndjehem si një prej tyre, pa asnjë shenjë inferioriteti.



Çfarë ju pëlqen dhe çfarë konsideroni të papranueshme tek meshkujt?

Më pëlqen butësia, të folurit bukur dhe me zë të ulët, mbrojtja dhe mbështetja ndaj femrës, humori, të qenurit ambicioz, prezentabël… Te papranueshme: Dhuna fizike dhe psikike, gënjeshtra, të mos qenit burrë, rrugët e ndërmjetme që përdoren në situata të ndryshme për të triumfuar, mashtrimi…

Po tek femrat?

Më pëlqejnë femrat e zgjuara, guximtare, ato që kërkojnë gjithnjë ngritjen e tyre intelektuale, sakrifikueset për qëllime progresi, shpirtmëdhatë, vizionistet… Nuk më pëlqejnë:- vetëvrasja, shitja e vetes dhe e vetvetes, kurthet, vobektësia shpirtërore, llafazanëria, mungesa e respektit ndaj vetes, përshtatja me të paduhurën, nëna të bëra nga fati…

Nga se ka frikë Pranvera Gjoni?

Nga “fama”, fundosja e tokës nga uji, goditjet pas shpinës dhe gjarpërinjtë…

Gjatë tërë këtyre viteve në Belgjikë çfarë ka ndryshuar në natyrën e saj “dhia e egër” tropojane?

Në karakter absolutisht asgjë, po ajo “kokëfortë” ka mbetur. Kurse nga ana profesionale dhe shkalla e emancipimit them që jam rritur goxha.

Tashmë është një realitet që krahas botimeve të shumta, nga shtëpitë e shumta botuese, një pjesë e poezisë dhe krijimtarisë artistike publikohet në Facebook dhe rrjetet e tjera internetike. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë krijimtari dhe cilët janë disa nga autorët tuaj të preferuar?

Ka krijimtari të bollshme dhe të “shumëngjyrtë”. Që do të thotë: Ka poezi, por ka edhe vargëzim. Megjithatë, kjo për mua nuk është aspak shqetësuese. Bile, vlerësoj guximin e gjithkujt që ndërmerr iniciativë të tillë, të ndajë me lexuesin atë që ndjen, atë që mendon (duke shmangur plagjiaturat). Pozitive është në fund të fundit.

Shqetësuese është mungesa e kritikës së mirëfilltë, profesioniste. Shpeshherë e kemi ngritur si problem, por është shumë e vështirë të realizohet në këtë rrjet social.

Edhe ata që kanë njohuri mbi teorinë, estetikën letrare, janë më shumë inaktivë. Gjithashtu, ka një zbehje dhe një xhelozi mes krijuesish.

Të cilët krijojnë “ luftën e ftohtë” të indiferencës. Ka autorë të shumtë që më pëlqejnë dhe i lexoj me shumë ëndje, në kohën time të pakët në Facebook. Nuk do më pëlqente të artikuloja emra. Çështje etike ndër miq.

Kam vënë re se në dy librat e parë janë sponsorizues djali dhe vajza juaj. Mund të na thoni diçka për formimin dhe punën e tyre dhe për raportet që keni me ta si nënë?

Vajza ka studiuar gjuhët moderne-ekonomi, kurse djali, turizëm. Formimi i tyre (si vazhdimësi gjenetike), ka qenë më i shpejtë se çka u ofron mosha. Brishtësia e shëndetit tim, dy vitet e fundit, ka bërë që ata të hidhen më shpejt se sa duhej në frontin e punës, duke lënë në heshtje këtë periudhë kohore, shkollën.

 Çdo nënë do thoshte për fëmijët e vet, kemi raporte të mrekullueshme, janë fëmijë të shkëlqyer…Kurse unë do të shtoja, që në këtë shekull ku jetojmë, kur dashuria e vërtetë e fëmijëve ndaj prindërve është bërë pothuajse inekzistenciale ( pa e globalizuar), fëmijët e mi u bënë nënë dhe baba për mua…Besoj që mjafton kjo për të kuptuar raportin hyjnor, që gjindet mes ne të treve.

Në dy nga vëllimet tuaja është redaktor miku ynë i përbashkët, poeti mirditor Dedë Shkurti. Sot po realizon këtë intervistë me një gazetar mirditor. Si ndjeheni në miqësinë e mirditorëve?

Tejet komode! E ndjej që na bashkojnë normat karakteriale, vijat e trasha të formimit të personalitetit, ambicia, korrektesa, humanizmi, e bukura, vlera, përndryshe nuk ka se si të isha në vëmendjen tuaj profesionale dhe njerëzore.

Bisedoi: Ndue Lazri




“Mbrëmë”, cikël me poezi nga Pranvera Drita Gjoni


MBRËMË… 1


Mbrëmë,
Tymosa një qiell
Pas perdeve të hekurta
Që ndajnë dy botë…!
Bishtat e cigareve
Si heronj të rënë në betejën e dëshpërimit,
Varën kokën sfiduar
Poshtë supeve,
Drejt gropës së boshësisë së gjoksit,
Dhe kërkonin dezertimin…!

Mbrëmë,
Në pritjen e përflakur të perëndimit
U dogjën gjithë yjtë-fjalë…
Hirin e vura në vazon e shpirtit,
Për ta shpupurishur
Sa herë kujtimet të më ngasin,
E për ty të kem mall!

Mbrëmë,
Ëndrra u zhurit
Trysnisë së erërave të shkretëtirës,
Heshtur…
Pa zë…!


MBRËMË… 2

Nën çarçafin e fildishtë,
Shushunjat
Thurnin fjalëkryqe,
Për të pirë mendim të pastër
Burimit
Që rrjedh pa nyje,
Pa syze,
Pa zigzage…

Për të lënë pas
Pak helm si “trofe”,
Udhëve të arta që ecin…
Ecin dhe nuk ndalen!

Thumbi,
Mbeti epidermës i zhveshur.
Nudo me veshët prerë
E gojën mbyllur,
Haleve ku prodhohen fjalë
Të përlyera me “klostridium”…

Mbrëmë,
Fekalet u groposen ujërave të zeza
Prapa diellit…!

MBRËMË… 3

Ujë!
Ju lutem pak ujë
Për diabetikët e fjalës!

Pankreasi i trurit
U ka pësuar infarkt
E nuk prodhon më insulinë të ndjenjës!

Ujë!
Edhe nga pusi qoftë,
Të çlirohen “konstipimit”
Që stina e Pranverës,
Ngërç i ka zënë errësirës!

Mbrëmë,
Të gjitha rubinetat u hapen.
Por, nuk e shuan dot
Etjen e ethshme
Të të sëmurëve diabetik-pathologjik,
Të shterpësisë së fjalës!
MBRËMË… 4

Mbrëmë,
Shpirti i foli errësirës
Me gjuhën e aurorave të jetës!

“Minjtë”,
Strukur këndeve të natës,
Përtypnin mbetjet e ditës
Me oreks elefanti…
Nga miopia nuk deshifronin dot
Rrezet ultra-violetë,
Për rritjen e tyre
Si gjithë njerëzit…!

Mbrëmë,
Shpirti e mbylli meshën!
“Dimensioni i njeriut
Nuk matet me breshkat!”

MBRËMË… 5

Mbrëmë,
I rash pash më pash
Konstelacionit të planetit tokë!

U takova me yje që ndrisnin,
Me yje të shuar,
Të mardhur,
Të vdekur e të gjallë…
Por,
Asnjë nuk kishte formatin
E madhështisë tënde të rrallë!

Mbrëmë,
Shpirti të thirri me magjinë e Universit,
Për t’u shkrirë horizontit
Ku bashkohet
Përqafimi me puthjen e përjetshme!

Mbrëmë,
(Ri)rashë në dashuri me ty,
Për të panumërtën herë!

MBRËMË… 6

Mbrëmë,
Maternitetit të poezisë së madhe,
Iu shtuan ca belbëzime të vogla,
Që si hithrat e sapolindura,
Shponin
Vargjet e bëra burrë!

Filli i zërave
Vinte pjesë-pjesë
Si “telefon i prishur”,
Andej, ku erërat prostitutojnë
Me homogjenët e tyre!

Mbrëmë,
Pjelloria e pa bereqet
Mbeti limiteve të dëshirave!
“Vetëm fëmijët-poezi,
Të rritur me pasion dhe dituri
Bëhen prindër të admiruar,
Viteve dhe shekujve!”

Mbrëmë,
Fjeta paqes së nënkresë së poezisë,
Që rritet e hedh shtat, unit-unik!

MBRËMË… 7

Mbrëmë,
Dekolteja e shpirtit
U hap hapësirës,
Duke i vënë gjoksin tajfuneve
Që shfrynin blozën e dhimbjes.

Më goditën qetësinë
Me ciflat e tyre prej malukatësh,
Mbrëmjes që priste
Princin e purpurt…!

Mbrëmë,
Koha më dënoi për shpërdorim pa senc!
“Me mullinjt e erës
Vetëm amulli ka,
Buzëqeshje të thyer
Dhe terr…”

Mbrëmë,
Puthja mbeti jetim!
E shampanja lozte e ngrohej në gotë,
Si për inat, të zemërimit tim pa fré…!

Ballinat-e-dy-librave-të-rinj-nga-autorja-Pranvera-Drita-Gjoni-2


ËNDRRA…

Zgjohet turinjëvarur,
Zhgënjimit të prekjes
Në trysninë e boshësisë
Dhe të kultit të gënjeshtërt
Që masakron
Magjinë e natës
Me personazhet idhuj,
Krijuar natyrshëm imazhesh
Që truri i pafjetur
Sajon impulsesh energjikë…

Orët i kalon
Mes lekundjesh sizmike,
Herë me këmbë në tokë
E herë me frymë të erërave
Që vetëm fryjnë
Qiejve abstrakt,
Flamurët e dëshirave…!

Flen narkozës së siluetës
Me buzëqeshje të diellta
… deri në skajet e delirit!
Për t’u rizgjuar
E zhveshur si pëpara fjetjes,
Me fytyrë të zhubravitur
E shpirt të mavijosur,
Nga mbidoza e nikotinës…

Ëndërr e cuditshme
Me ndryshore iluzioniste
Të paqes së corientuar!

ZHVIRGJËRI…

Të shëmbur në asht,
Përtypin insekte të kërrusura
Tarracave të pluhurosura
Dhe gropave inertesh…

Erërat e ndotura
Me dioksinë të shkumëzuar
E kanalesh të ujërave të zeza,
U rritin shtatin qelizave të errëta.
Fotografitë e tyre
Të rrethuara me kornizë të artë
Të marrin “gjak në vetull”…!

Bukuria dhe superioriteti
Të fryrë artificialisht,
( si gjelat mbi pleh)…
Portretizojnë,
Dëshirat pathologjike
Të ushyera me testosteron…

Themelet e tyre
Ndërtuar arnash,
Calojnë tejdukshëm në ecje…
Duke shpërfytyruar
Figurën me zërin e brëndshëm!
Ndodhka cuditërisht…
Burri të humbas jo vetëm një “r”…
Por, dhe virgjërin e statujës

DASHNORI IM I PËRJETSHËM

E lumturuar jam,
Përtej limiteve
Që segmentet nuk e kufizojnë dot,
Dashnori im i përjetshëm!

Vetëm me ty
Arrij të shvirgjërohem
Pas kuintave të errëta….
Recitoj pa zë
Fshehtësitë,
Gërryerjet,
Eurozionin e flakës,
Zierjen e llavës në mitrën e vullkanit,
Cakordimet në gjeneratorin e zemrës
E lakuriqsinë së bukuri-dhimbjes së lotit,

Që flasin me kodet
E nanurisjeve të shpirtit…!
E pagëzuar në shenjtëri,
Pranoj dashurinë time jashtë Biblës!
E ndërgjegjia s’pranon
Asnjë tingull të nxjerri, ditës së faljes.
E di që nuk përzihesh
Bisedash të rëndomta “thash e më thesh”
Ndaj,
T’i them vetëm ty sekretet
Që kurrë nuk do të dëgjohen në hapësirë!
Ti belbëzon me akustikën tënde,
Deri atje…
Ku një i dashur tjetër
Ndjen dhe vuan sa ti!
I adhuruari im, përtej arësyes!
Në mungesë të eksplozivit të tokës,
Ti më dhé qiellin
Të prehem kaltërsisë së tij prej loti.
Ti më deshifrove gjuhën e koduar
Të shpirtrave që digjen në vetvete
Pa bujë,
Pa tinguj,
Pa puthje-përqafime…
Pa kumbimin joshës
Të muzikës përvëluese, gjakut-diell…!
I dashuri im heshtje!
Je një grumbull i stërmadh reshëdallgëzuese,
Që e bën jetën të dashurojë në ëndrra,
Dhe të vdesë ngadalë,
Pse-shë…!

MANTELI SHKRONJOR

E mbaj veshur ditë e natë,
Mantelin e dhuruar
Që në rilindje të lirisë!
Është frymë
Dritë,
Diell e qiell,
Hapave të mi të vegjël
Të ndrojtur prej fëmije
Në ngjitje-rritje…!
Manteli yt
Shkronjash profetike,
Thuret e thuret pambarim
Orëve të shënjtëruara në trokitje…
Vijnë nga kozmosi
Zbresin në zemrën time
Me pulsim të shpejtë
Aerodinamikë-dashurie!
Universi i mantelit
Ngrohë folen e shqisave
Që lindin shkëndija të arta
Trupit të virgjër,
Mituruar viteve…
Maturuar dhimbjeve!
E mbaj nën lëkurë
Pigmentin e rrallë të nur-fjalës,
Të më mbroj nga trombozat
E yndyrërave bakteriale të groteskut!
Manteli i fjalorit të shpirtit tënd,
Ka gjatësinë,
Gjerësinë,
Thellësinë,
Dimensionin e frymës time

STONATURË

Agut të lindjes
Mbi botë,
U fshehe në gjoks mjegullash!
Puthjen le në pritje,
Mbi përvëlim buzësh të rrezeve!
Dita u kërrus
Këndeve të ngushta,
U bë grusht…
Zemra tkurri rrahjet,
Derdhi arterieve, prush!
Prekjes së natës
Buzëbregut të takimit
Përsëri, nuk erdhe…!
Hijet,
Pengesa të vunë në muzg,
Ti nuk deshe t’i kapërceje…!
Ndoshta…
Përhumbur halucinacioneve,
Stacioni ynë i shpirtit
Peng mbeti,
Korit të zhurmshëm të xhunglës!
… fërfëlloj melodinë amorfe
Të natës së shkuar,
Nën trokthin e shiut
Mbi shilarësin e mendimeve
Gri…!

PNEUMONI NË MAJ

U ftoha në pranverë me Pranverën,
Pritjes
Që stërzgjatet
Skajshmërisë së hapave në ecje…
Semaforit të qiellit!
Ethet
U përthyen në temperatura,
Lupës zmadhuese të mungesës.
Dogjën,
Zhuriten,
Stolin tonë
Parkut të yjeve
Ku u ngjizën ndjenjat!
Antibiotikët-fjalë,
Janë si shurupi i dredhëzave
Gatuar
Labëratorëve “light”…
Për ruajtjen nga mbipesha.
Nuk shërojnë të ftohurën bakteriale
Që ka marr eter
Dhimbjes,
Krijuar
Nga abstenimi i puthjes!
U ftoha në djepin e muajit maj!
Inflamacionit të metalt,
Ku përkunden recitimet e kujtimeve
Të baladave të dashurisë së pakthyer!
Jam e pa imunitet
Ndaj klauzolave të ngrirjes!
Ftohem shpejt…!

ASKETËT

Të lindur hijesh
Pinë gjirin e ftohtë të errësirës!
Dridhen frymës së rritjes
Nga mijëra volt frikë,
Ankth,
Deluzione…
Groposur
Brenda honit të dhimbjes,
Zbehtësia anemike
Thanë pështumën
Që stërpik blozë,
Shkallët e “tapetit të kuq”
Ku parakalojnë divat,
Vipat,
Miljarderët e kohës!
Dielli i ditës së re
Lind
Vetëm në pasqyrat e thyera
Ëndrrash Hirushesh
E Borëbardhash
Me përfundim të lumtur,
Mesit të gjumit plumb
Që kaplon indet e injoruara
Nga mëshira dhe megallomanitë,
E prijsve të dritës!
“Nightmares”**
Zgjojnë dëshirat
Erërave që nuk fryjnë!
Ajrit që s’lëviz!
Stinëve që nuk ndërrohen
Për shpirtrat e lindur
Në datat e kiametit,
Ku rrotullohen natë-ditë,
Ditë-natë,
Në të njëjtën koordinatë…
Krejt në të thatë!
Flaka e shuar
Thellësisë së njomështisë,
Përmbys retinën e vesës
Në rrahje-cekan vuajtjesh…
Ku shpresa iu flet me gjuhën e uthullt’,
Që në lindjen fëmi-plak
E vdekjen plak-fëmi…
Injektuar jetës, pa jetë,
Inkubatorit të dashurisë djerr!

NOTA E TETË MUZIKORE!!!

Në goditjet e dallgëve
Të këtij deti skizofren,
Zbulova notën e tetë muzikore,
Që cirrej pentagrameve
Të shpirtrave shterr-mjerë!
Dirigjon asgjëja
Në vija dhe në fusha,
Monotoni vajtonjëse
Me tinguj të shurdhuar.
Brenda boshllëkut të notës së asgjës,
Tymosin askushët,
Lekurë-shollët,
Të djerrurit e kohës vrarë.
Pa të shkuar!
Me një të sotme të shkarravitur!
E nesërmja i pret,
Kosës së mprehur!
… e megjithatë,
Shkretëtirat i ngrejnë lapidarë!
Në këtë kaos njëthundrakësh,
Butakësh,
Zvarranikësh,
Shtatë notat e mrekullive,
Janë droguar heshtjes së gjatë!
C’tingull fonebër, qan atje, përtej…?!
Në notën e natës, pakthim!

PARATHËNIA E PRANVERËS

U hap papafingoja
E lakuriqsisë së horizontit!
Planeti,
Hoqi palltot
E rënduara heshtash të dimrit.
I vari
Ylberit
Të thyer, të mendimeve.
Bregut të mbushur
Cadrash ndjesish,
Pranvera shpërfaq fytyrën lulore
Dhe një zemër
Tendosur
Litarëve të diellit…
Valët hireplotë,
Flirtojnë me shkumën e tyre
Për të prekur qendrën e shpirtit.
Pres ankorimin e dashurisë
Në theatrin pranverorë,
Për të hapur
Shfaqjen e kultit
Të referencave aromatike!
Fjalën e ke ti, stinë e flakës…

DËBORË MALLI

Po bie dëborë shpirt!
Flokët e saj të butë
mbulojnë tarracat e mendimeve…
Njomin sytë e mungesës,
ftohin përvëlimin e mallit,
rritin trishtimin për ty…
Kësaj mbrëmje anemike…!
*
Drithërimat,
trondisin kapakun e zemrës
e i ftohti ka mpirë aortën e dashurisë,
kryqit të heshtjes së vetmisë…
*
Po bie dëborë shpirt,
cepit tim të veçuar, të botës,
papushim…!
Ndjenjat kanë mbetur zbathur,
trotuareve të shkretë,
boshatisur nga puthje-përqafimet!
*
Kam nevojë për pelerinën tënde,
të krahëve tu të ngrohtë!
Dua të të jem e strukur
në shtratin tënd puplorë të shpirtit
që mos të ndiej ftohtë…!
*
Kërcëllitjeve të dhëmbëve dimërorë,
dua protezën tënde pranverore…
Të më mbaj gjallë,
frymën e stinës së buzëqeshjeve.
*
Po bie dëborë, zhadi im i çmuar!
Catia e shpirtit është rënduar mallit
e frika e mbytjes,
ka thyer barrierat e pritjes.
*
A bie dëborë tek ty, shpirt?

BARINJTË


I shoh Barinjtë që kullosin dhimbjen
me besimin e shpirtit tim,
mbjellur tokës së psherëtimave
të tërmeteve,
të frymorëve,
të bimësisë …
Lindur netëve me hënë të thyer.
*
Nën lëkurë,
stacionet e hekurudhave kanë mbetur kyçur.
Mbi shinat
ndryshku, ngjitë dhe rrëshqet,
errësirën e plazmave
të indoktrinuara sektesh…
*
Erozioni, përthyen në dysh evolucionin!
*
Kokat në perëndim
ngjajnë me kafka të salduara
eshtërish të tymosur
nën flakën e mishit të egër, të së keqes.
Gjymtyrët dirigjohen
kurbave të erës në lindje,
ku muskujt fryhen e shfryhen
si parashutat ngjitjes dhe rënies së komanduar…
*
Barinjt,
ndukin mjekrat e hidhërimit!
Sytë u shkrepëtijnë fishekzjarre dhimbjesh,
ndaj tokës që digjet para syve të tyre…
*
Kullosin asgjën’,
akullnajave të shpirtrave
që bëjnë vokalica,
për koncertin e radhës…
*
Fonebriteti i frymorëve nuk i frikson Barinjt!
Drita e tyre paqësore,
me durimin e dashurisë,
zhduk mjergullat shpirtrave mes muresh!

PRITMË!

Ndale kohën shok,
pritmë të të vij në vitet e tua!
Në morinë e pafund yjesh
të këtij qielli të trazuar,
të zgjodha ty…!
Historinë time të shkruash …!
*
Pritmë!
Po po duhet të më presësh …!
Libri im
kapakverdhë-rozë akoma nuk ka përfunduar!
Ti e di,
gjërat e ndaluara
nuk thuhen…!
Por, shkruhen fletëve të heshtjes
mbyllur kopertinave të trasha,
blinduar me frymë të mosbesimit…
*
Pritmë shoku im!
Ndale moshën tënde
kufirit të rritjes …!
Sapo kam nisur udhëtimin
e prezantimit të pasagjerëve të jetës time…!
*
Asgjë nuk ndodh rastësisht,
prandaj të kam zgjedhur ty
si cicëronin e muzeut të mbyllur …!
*
Prtimë edhe pakëz sa të shkarkoj,
peshat e rënda
brënda kabinës së shpirtit
që po më zënë frymën …!
Koha ka kohë që më thërret të fluturoj…!
*
Ndaj, shoku im,
edhe pak duhet të më presësh…!
Ti nuk e di që të kam pagëzuar
shoqërues të parë,
të së shkuarës deri më tani…!
Sepse,
pafjalë të mëdhaja,
pa gjeste eprorësh,
pa figuracione metafarosh,
pa dyftyrësi,
më ruan frymëmarrjen
nga defiçiencat në trasnportim…!
*
Kam shumë për të të thënë …!
E gjitha çfarë di ti,
është shkronja e parë e alfabetit të heshtjes!
Ndaj, pritmë shpirt i vjetër,
brenda shpirtit tim… deri nesër!



MREKULLIA E PAFAJSISË…

Të gjithë botën e palindur,
e shoh të pikturuar
në sytë e tu, planetarë!
Një përzierje ngjyrash ekstra mistike,
që fillin e tërheqin nga lashtësia
deri …në të nesërmen që po troket!
*
Lakut të buzëve hënore
pushojnë ëngjëjt e parajsës…
Përkunden shpresat
e rilindjeve të shpirtrave, të zhuritur,
për vesën e shpresës
ngjyrosur me të kuqen e zjarrit
në mbylljen ovale
të nxehtësisë së fshehur…!
*
Qafës së kështjellës,
fari i kafenjtë,
vrojton udhët e thyera,
anekseve të heshtura…!
*
E gjitha vjen pasqyrës së deshifrimit,
si një rreze e mbjellur embrionit
të krijimit,
të një dite të re…
Të pacënuar pelhurash të thurura,
bodrumeve të shkuarës…
Larg mykut të trestësuar mentalitetesh…!
*
Eh!
Krijesë e lindur, ëndërrash rinore!
Shoh veten, fëmijë,
të rritur dhe të moshuar,
në fytyrën tënde ëngjëllore-shpirtërore…!


*************************


PRANVERA DRITA GJONI:

 MBI EMOCIONIN GJATË KRIJIMIT, ËSHTË FJALA E LEXUESIT…



1.Këtë bisedë tonën, Pranvera, dëshiroj ta nisim me një ngjarje të veçantë të jetës tënde. Kështu, para pak ditësh, ti përurove dy libra në kryeqytetin tonë dhe, tashmë, je kthyer në vendbanimin tënd, në Belgjikë. Çfarë emocionesh dhe ndiesish përjetove, si në atë veprimtari, por dhe në takimet, që pate pastaj, me kolegë e miq krijues?

-Përshëndetje, profesor Murati! Mirë se ju gjej në këtë bashkëbisedim dhe mjedis të ngrohtë, që ju dini kaq mirë ta ofroni, me dashurinë, vlerësimin dhe komoditetin e shakave fine dhe të ëmbla.
Po, emocionet ishin të pa menduara më parë. Edhe pse i kisha përjetuar vitin e kaluar, kur u përurua vëllimi im poetik, “Autopsia e Shpirtit”. Ndërsa edhe këtë herë nuk munda t’i shmangia emocionet, lumturinë, lotët. Është kënaqësi e pafundme, kur poetë të mirfilltë, kritikë e miq, që e njohin mirë poezinë, e shkruajnë dhe e interpretojnë, vlersojnë artin tim të të shkruarit dhe atë më kryesoren i të qënit njeri. Është një ndjesi, që e gjej të barazvlershme te lëvdatat, që marr për fëmijët e mi, në përditshmëri.

Dhe, në fund të fundit, si fëmijët ashtu dhe librat, janë krijesa të mijat, të sjellura në këtë jetë me shumë dashuri, pasion, përkushtim, sakrifica. Edhe pse fëmijët janë krijesa gjaku, librat janë po kaq të rëndësishëm, pasi janë krijesa shpirti. Takimet me miq ishin “qershia mbi tortë”, gjatë qëndrimit tim në vendlindje. Bisedat e këndshme rreth letërsisë, në përgjithësi dhe poezisë, në veçanti, ishin të mrekullueshme dhe frytdhënëse. Gjithashtu, kontakti i drejtëpërdrejtë me miq, duke u parë ndër sy, duke shtrënguar duart, “theu” virtualitetin e ndrojtur, por jo vlerësimin për njëri-tjerin, që e kemi konsoliduar në largësi, duke e forcuar atë më tej dhe duke i dhënë së ardhmes frymë tjetër bashkëpunimi.


2.Lidhur po me këtë pyetje, sigurisht shkurt, mundësisht, na trego se cila është përmbajtja kryesore e këtyre dy vëllimeve? Po libra të tjerë a ke botuar dhe a janë të rinj, që presin radhën e publikimit?
-Në vëllimin “Në hark të horizontit tim”, përgjithësisht, trajtohen tema të ditës, me tematikë dashurinë, dhimbjen, humanizmin, padrejtësitë, kushtimet…etj, derdhur mbi to një frymë lirizmi, që të përjetohen sa më mirë, nga çdo lexues.

Po ashtu ngjet me vëllimin “Mendime të arnuara”, por me një thellësi tjetër mendimi, ku filozofia është “kostumi” i tij. Me poezitë e mia, jam përpjekur që të operoj në ind të problemetikave shoqërore dhe në palcë të individualiteteve, me vese të shëmtuara, me mungesë dinjiteti dhe identiteti..

Liber tjeter i P.GjonitShtoj këtu se një meritë, në realizimin e këtyre dy vëllimeve, janë bashkëpunëtorët e mi: Dedë Shkurti, që ka bërë parathëniet e të dy librave dhe redaktimin e vëllimit të tretë; grafisti i talentuar i të gjithë librave të mi, Gjonatan Nikolli. Ndërsa botues i përkushtuar i librave të mi është Roland Lushi. Të treve u jam mirënjohëse për punën e kualifikuar dhe që janë pjesë e merituar e suksesit tim.

Po, kam libra në dorë, të cilët shpresoj që tetorin e ardhshëm (me pak fat) do të jenë në dorën e lexuesit. Kam një vëllim me 99 lirika, “Bijtë e Drinit”, bashkautorësi me një lirike shumë të njohur, që tani nuk dua ta zbuloj. Këtë radhë, duke “thyer” mitin tim të dikurshëm. (Në moshën 18-vjeçare ka qenë përpjekja e parë për botim, me vëllimin “Përtej dashurisë”, me 80 poezi, që nuk u realizua, bile as pas përpjekjes së dytë, në vitin 1993. Ndaj, në botimet e mëvonshme, kam përdorur gjithnjë numrin 80 të matarialeve krijuese). Po, kështu parashikoj botimin e vëllimit poetik “Hajmalitë mistike” dhe studimin “Polet”, për të cilim kam kohë që punoj për të. E përmenda dhe më sipër, është vëllimi poetik “Autopsia e shpirtit”, i cili është pritur shumë mirë.

3.Përjetimet e emigracionit janë të njohura për të gjithë ne. Por, sigurisht, secili ka përvojën e vet. Kështu, çfarë mund të na thuash për këtë gjë, nga jeta në Belgjikë, si për veten dhe fëmijët?

- Emigracioni, e thënë shkurt, është përpjekje jo vetëm për mbijetesë, por dhe për identitet. Fashitë disa dhimbje, shton shumë të tjera. Këtë e them për ecurinë e jetës sime, e cila në përmbajtje ka patur të gjitha ngjyrat ekzistuese. Kam sakrifikuar jo pak që të shkollohem këtu, për t’u përballur denjësisht me mentalitetin dhe me cilësinë e jetës, që është në këtë shtet demokratik. Kurse për fëmijët, mund të them, se ka qënë më e lehtë, megjithëse përballjet me agresivitetin e jetës në një vend të huaj, nuk i kanë patur të pakta.

4.Po në vijim të kësaj pyetjeje, sa ka ndikuar në krijimtarinë poetike largimi yt nga vendlindja dhe jeta në një mjedis të huaj?

Pranvera-Drita Gjoni (Balline libri)-Belgjike-Mund të them që ai ka luajtur një rol të rëndësishëm. Pasi problematikat shqiptare i shoh në shumë këndvështrime. Bruto, të lëmuara, me delikatesë; egër, kritikuese, dëshiruese, ëndërruese… Gjë për të cilën një ndihmesë të madhe më jep horizonti i gjerë i përvojës së jetës, i përballjes me diferencën mes dy popujsh dhe, po kaq, me të përbashkëtat. Gjithashtu, janë studimi dhe leximi të pandërprerë. Gjykoj që, në krijimtarinë time, ato pasqyrohen në mënyrë transparente dhe ndjeshëm.

5.Jo vetëm unë, por cilido që dëshiron, mund të njihet me mendime e vlerësime, që bëjnë njerëz të ndryshëm për krijimet tua të bukura, sidomos përmes faqeve të Internetit. Bile, ndonjëri ka thurur edhe poezi për ty…Pra, si ndihesh ti para lexuesve e dashamirësve tu?

- Oh, kjo është një pyetje paksa delikate! Nuk e di sesi do të arrij në një përgjigje, që të jetë afër ndjesive të mija?

Jam skuqur jo pak herë, pas ekranit të kompjuterit dhe kam qarë, njëkohësisht. Dhe kjo jo vetëm nga kushtimet e miqëve, por nga dashamirësia dhe profesionalizmi i lexuesit tim të kualifikuar për krijimtarinë time. Gjykoj se, mbi emocionin gjatë krijimit (gjë të cilën e përjetoj shumë rëndë, kur shkruaj), është fjala e lexuesit. Të tillë janë mesazhet tejet mirënjohëse, vlerësuese, pastaj dhe gjatë komenteve poshtë publikimeve të mija, hyrja në palcë në domethënien e krijimit, duke u bërë njësh me emocionin. Dhe kjo gjë, natyrshëm, më lumturon pafundësisht. Që të jem racionale, shumë herë krijimet që serviri nuk janë dhe aq të thjeshta.Përfitoj nga kjo bisedë, t’i falenderoj me mirënjohjen shpirtërore të gjithë ata kolëgë e miq dashamirës! Siç dihet, ekzistenca e një krijuesi varet vetëm nga lexuesi.

6.Unë pata kënaqësinë ta njihja vajzën tënde, Anën, e cila të shoqëronte në Tiranë. Ajo ishte vërtet një bashkatdhetare e jona e mirë. Këtë gjë e vërejta në fjalat e rrjedhshme shqipe, megjithëse ka shkuar në Belgjikë e vogël dhe tani dinte disa gjuhë të huaja. Nipn tim e kam, afërsisht në moshën e saj dhe mënjëherë u bëmë “miq” me Anën.

 Kjo mësoi që kam shkruar libër për mbesën time, Dorelën, e cila më quan “Babush”. Me atë pamjen e vet të çiltër, menjëherë, m’u drajtua edhe ajo “Babush”!(ha,ha)…A je e kënaqur me vazhdimësinë tënde, pra si me vajzën Anë dhe djalin, Ergys? A shkruan ndonjëri nga ata, në poezi a në prozë ose cilat janë interesat e tyre kryesore?

- E vërtetë, ajo që keni vënë re. Të dy fëmijët janë mëkuar e rritur me gjuhën shqipe në shtëpi, por dhe me diskutime, shumë herë të ashpra, rreth koncepteve për Shqipërinë, historinë, heronjtë dhe aktualitetin problematik. Ndaj, vendlindjen e kanë në zemër dhe në gjak. Vajza,

 Ana shkruan në prozë. Qëkur ka qenë 9-vjeçe, nxirrte nga mendja e saj e mençur: proverba, sinteza jetësore dhe përshkrime dukurish, me një veçori të pëlqyeshme. Zotëron një veti analizuese dhe sintetizuese të përparuar për moshën, që ka patur dhe ka. Ndaj, dhe është lexuesja e parë, e çdo krijimi tim. Kurse djali, Ergysi, nuk shkruan. Por është mbështetës i shkrimeve të mija, më shumë se vajza. Kujdeset për të gjithë elektronikën, me “usb”, me postimin në “pc”-të e tij dhe të motrës, që në një rast avarie me kompjutër, mos të më humbasë asgjë.

Bile, ngulmon me të madhe që gjithçka ta shkruaj edhe me dorë (gjë për të cilën jam shumë dembele-ha,ha). Kanë interesa të kundërta nga njëri-tjetri. Vajza është shumë e dhënë ndaj politikës dhe muzikës. Në vitin 2011,mori pjesë në konkursin e talenteve të reja të këngës në “ Idool”, ku u rreshtua në 15-shen më të mirë, nga 5.000 kanditatë të testuar.

Ndërsa djali jepet më shumë pas ekonomisë (është më shumë materialist-ha, ha).

7.Megjithëse njihet si pyetje standarde, në mbyllje të çdo bisede, për të cilën dhe të falënderoj përzemërsisht: A dëshiron të shtosh diçka ose a ke merak të thuash ndonjë gjë tjetër?

-Po, përveç falënderimit me shumë vlerësim, për mundësinë e të shprehurit, të rrëfimit për veten, doja të shtoja: Pasioni i mban gjallë ëndërrat e, si i tillë, e zhvillon dhe e gjallëron jetën. Ndaj, do t’u thoja njerëzve që, me dashuri, mirësi, përkushtim e sakrificë, arrihen rezultate dhe kënaqësi të panjehsueshme për veten, familjen e shoqërinë. Gjithashtu, ju faleminderit për këtë bisedë të çiltër, e cila nuk ishte pa emocione për mua!

Murat Gecaj(Tiranë-Belgjikë, 4 nëntor 2014)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)