Sot gjatë ditës u raportua se raportuar se ish prokurorja e EULEX, Maria Bamieh është kërcënuar me ndjekje penale nga EULEX nëse ajo zbulon çfarëdo detajesh të padisë së saj palëve që nuk janë të përfshira në padinë e ngritur prej saj ndaj këtij misioni.
Por, EULEX nuk pajtohet me këtë gjë.
Zëdhënësit e këtij Misioni kanë thënë për Klan Kosovën se e mohojnë kategorikisht kërcënimin me burg, sepse sipas tyre ata nuk kanë as juridiksion për ta bërë këtë.
“Misioni kategorikisht mohon kërcënimin ndaj çdokujt me shumë vite burg. Misioni nuk ka mandat dhe nuk ka juridiksion për ta bërë këtë”.
Ata gjithashtu kanë deklaruar se është e vërtetë që e kanë kundërshtuar publikimin e pohimit, por nuk i kanë kërkuar askujt që të mos flasë me mediat.
“EULEX-i nuk ka kërkuar nga askush të mos flasë për mediat. Të gjithë janë të lirë të flasin me mediat, nëse dëshirojnë”.
“Misioni, si pjesë e procedurës së rregullt para një gjykate, e ka kundërshtuar publikimin e pohimit. Kjo është e bazuar në faktin se nuk është e përshtatshme të lansohen pohime për publikun, të cilat citojnë informata konfidenciale të një hetimi penal që është në vazhdim e sipër në Kosovë”
Sipas EULEX, publikimi i një pohimi të tillë nuk duhet të bëhet.
“Misioni beson se nuk është e përshtatshme të publikohet një pohim që përmban emrat e palëve të treta që, sipas mendimit të Misionit, do të vuajnë dëme të reputacionit si rezultat i këtij pohimi”.
“Të gjitha palët e këtyre procedurave civile duhet t’i respektojnë dispozitat e Kodit Penal dhe t’i mbrojnë informatat konfidenciale“.
Ata në fund thanë se Misioni i EULEX në Kosovë është duke i ndjekur të gjitha procedurat e duhura ligjore dhe do të sjellë rastin para Gjykatës, e cila do të vendosë mbi këtë çështje.