2015-07-25

Arsim Gërxhaliu :Gërmimet për personat e zhdukur nisin javën e ardhshme, Mjekësia Ligjore e përgatitur

​Gërmimet për personat e zhdukur nisin javën e ardhshme, Mjekësia Ligjore e përgatitur

Marrëveshja mes Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe kompanisë “Loti” e cila do t’i realizojë gërmimet në terren për personat e zhdukur, tashmë është nënshkruar. Kjo marrëveshje është vlefshme për tri vjet. Kjo kontratë është nënshkruar dje.
Tashmë janë bërë planifikimet dhe qysh javën e ardhshme pritet të fillojë puna në terren. Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë se gjithçka është bërë brenda afateve ligjore, veçse problemi ka qenë se vetëm një apo dy kompani që kanë konkurruar kanë poseduar ekskavatorë, e shumë kompani kanë aplikuar pa i plotësuar kriteret.
 Gërxhaliu thotë procesi i gërmimeve nuk është duke u zvarritur, por po punohet. Madje, sipas tij, është shfrytëzuar edhe kjo kohë, që të shtjellohen informata rreth lokacioneve në terren.
Gërxhaliu: Tashmë e kemi kompaninë, për tri vjet nuk do të ketë probleme për dalje në terren
“Zakonisht kontrata kur të lidhet,ajo zgjat 3 vjet. Ne me kohë, brenda afateve ligjore kemi bo kërkesat.....Dje është firmosur kontrata e njëjtë. Menjëherë brenda ditës së djeshme dhe të sotme ne e kemi bërë planifikimin dhe që nga java e ardhshme me ekspertë të EULEX-it do të dalim në teren. Janë detektuar dy lokacione ku do të dilet dhe menjëherë do të fillojmë punën në terren. Procedurat ligjore kanë qenë të tilla dhe nuk kemi mundur do të thotë të dalim”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu shpjegon se planifikimin e gërmimeve do ta bëjnë javor, pasi që në ndonjë lokacion mund të mbesin edhe me muaj të tërë, siç ishte ai i Rashkës.
Por ai sqaron se krejt këto përgatitje për terren po marrin kohë. Megjithatë, pohon se Departamenti që ai udhëheqë është i përgatitur që çdo minutë të dalë në terren.
Gërxhaliu: Jemi të përgatitur për terren
“Jemi të përgatitur çdo minutë me dal në terren. Kemi marr edhe 5 vetura për terrene të vështira, donacion nga EULEX-i. Jemi kompletuar me mjete, jemi të gatshëm në çdo minutë por ju thash se edhe qasja në terren është paksa, se duhet të njoftohen edhe disa organizata, duhet të njoftohet edhe Kryqi i Kuq dhe disa organizata tjera, Policia e Kosovës, hetuesit, krejt kjo të qitet në letër dhe ne i përgjigjemi vetëm prokurorit të shtetit”, thotë ai.
Por, problem sipas drejtorit të Deparatamentit të Mjekësisë Ligjore është përgatitja teknike-profesionale në nivel shteti.
Këtu ai përmend faktin se për 16 vjet shteti i Kosovës nuk ka arritë të përgatisë një laborator adekuat për mbetje kockore.
Gërxhaliu: Kemi teknologji, por jo edhe njerëz
“Ta them me plotë të drejtë se Kosova nuk ndodhet tani në një pozicion ku mungojnë mjetet për punë. Kemi teknologji shumë të mirë por faktorin njeri nuk e kemi. E faktori njeri do një trajnim paksa më të gjatë. Trajnime një javore jashtë shtetit nuk mundesh me krijuar kuadër se ne nuk kemi laboratore të cilat e kanë krijuar një bazë të ekspertëve dhe pastaj këta ekspert të jenë të gatshëm me prodhuar njerëz të rinj, ekspertë të rinj”, thotë ai.
Gërxhaliu njofton se tashmë kanë bërë edhe detektimin e disa lokacioneve, madje edhe të një rasti specifik. Por, për këtë, presin që ministri i Drejtësisë ta procedojë në Qeveri, pasi që çka është jashtë planifikimit kërkon kosto financiare.
Ndërsa, për gërmimet në veriun e Mitrovicës, Gërxhaliu thotë se është pak më problematike sepse aty vijnë rregullat e EULEX-it sa i përket çështjes së sigurisë. Megjithatë, ai shpreson që të gjitha vendet e dyshuara do të kontrollohen.
Gërmimet do të nisin javën e ardhshme dhe do të realizohen brenda territorit të Kosovës.


*****

Qerkinaj: Mjekësia ligjore bënë lojëra me eshtra

Familjarët e të pagjeturve dhe komisionin qeveritar vlerësojnë se puna në terren në kërkim të të zhdukurve po zvarritet. Ata përmes një letre do t’i drejtohen presidentes, kryeministrit dhe kreut të Kuvendit, duke iu kërkuar shpjegim për një gjendje të tillë.
Përfaqësuesi i familjeve, Bajram Qerkinaj, këtë herë u paraqit me i revoltuar se asnjëherë. Ai kërkoi nga shteti që komisioni në të cilin edhe ai bënë pjesë, të mund t’i ushtrojë kompetencat që i takojnë me ligj. Ai drejtoi akuza edhe ndaj Departamentit të Mjekësisë Ligjore, atij vendor dhe ndërkombëtar, duke thënë se aty bëhen ‘lojëra me eshtra’.
Kurse, kryetari i komisionit Prenk Gjeta, fajin për vonesën e gërmimeve e lë tek DML-ja, ku thotë se janë vonuar në nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë kontraktuese e cila do t’i kryente gërmimet.
Komisioni për Personat e Pagjetur mbajti sot mbledhjen e radhës ku edhe u caktua grupi punues që do të merret me organizimin e 30 gushtit, ditës së të zhdukurve.
Pjesë e mbledhjes së sotme nuk ishin përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjor, ata vendor dhe ndërkombëtar.
Përfaqësi i familjarëve te t ë zhdukurve, tha se komisionin qeveritar të cilin e ka krijuar vet qeveria, është bllokuar duke mos mundur të kryejë punën siç duhet.
Qerkinaj: Do të kërkojmë llogari për vonesën e gërmimeve
“Do të sjellim një vendim sot, por do ta vlerësojmë javën tjetër menjëherë me familjarë, apo nesër, dhe do të kërkojmë prej stafit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministri i cili e ka obligim të takohemi dhe të na dhënë një shpjegim pse po stagnon kjo punë kaq e dhimbshme për familjarë e të pagjetur. Kur i kanë lënë gjysmë, kur e dimë ku janë, këta le të merren vesh me politikën e ndërkombëtarëve, këta le të na dhënë informatë neve dhe të lirojnë njeriun. T’i dhënë kompetencë komisionit qeveri që të kryej punën e vet, sipas atij ligji që është iaprovuar, nuk po dalim nga ai ligj”, tha ai.
Qerkinaj përsëriti që janë në dijeni për vendin dhe kohën kur shumë nga më të dashurit e tyre janë vrarë dhe varrosur. Por, tha se politikat nuk po i lënë që të punohet drejtë zbardhjes së fatit të tyre.
Kryetari i Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj këtë vit e vlerëson si vitin më të keq.
Ai tha se po mungon koordinimi i aktiviteteve, e kështu komisioni qeveritar nuk po mund të kryejë punën e vet. Gjetaj vlerëson se koha më e mirë për gërmime veç iku, e krejt kjo si pasojë e mungesës së kompanisë për gërmime, e që për këtë fajëson DML-në.
Gjetaj:Po mungon koordinimi i aktiviteteve
“Mungon koordinimi i aktiviteteve, komisioni qeveritar nuk po mund të kryejë punën e vet sepse derisa ana profesionale sillen në mënyrë të pa përfillshme, pikërisht edhe sot, që askush nga përfaqësuesit e mjekësisë ligjore nuk kanë qenë prezentë dhe nuk japin n donjë përgjigje pse ka ngecë procesi i gërmimeve vlerësuese ...Ne ua kemi tërheqë vërejtjen që procedurat të kryhen me kohë, sepse para tre vitesh po e njëjta gjendje ka ndodhë. Tre muaj gati janë shkuar në kuptim të përzgjedhjes, tenderimeve, përsëritjeve, dhe në janar ua kemi tërheqë vërejtjen DML-së që të përkujdesen në mënyrë që kur të skadon kontrata, të jetë kompania e gatshme që të kryejë detyrën”, tha ai.
Gjetaj kujtoi se gjatë këtij viti dy aktivitete gërmuese kanë rezultuar me gjetje, një që ishte konfirmim i identitetit dhe një që rezultuar negativ. Ai përmendi edhe rastin e 27 prillit, ku tha se zhvarrosja e tre trupave të cilët më parë kanë qenë të identifikuar, është dështim.
Ndërsa, Bajram Qerkinaj u shpreh i mllefosur edhe ndaj Departamentit të Mjekësisë Ligjore.
Qerkinaj: Në mjekësinë ligjore bëhen lojëra me eshtra
“Mjekësinë ligjore nuk dua me i përmend. Haptas po them, mjekësinë ligjo vendore e ndërkombëtare duhet të futet prokuroria dhe gjykatësi hetues. Aty bëhen lojna me eshtra”, tha ai.
Në mbledhjen e stome të komisionit u caktua edhe grupi punues që do të merret me organizmin e 30 gushtit, Ditës së të Zhdukurve.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...