Prof.dr.Resmi Osmani
Kur në Amerikë, Bilal Xhaferri botoi revistë,”Krahu i Shqiponjës”, e quajti kështu për të rrëfyer se shqiponjës,simbolit tonë kombëtar i ishte këputur një krah. Bisturia diplomatike londineze i kishte shkëputur asaj thauajse gjysmën e trojeve.
Vija e kuqe e kufirit, ishte si një plagë e hapur që kullonte gjak. Fati tragjik i Kosovës Çamërisë ddhe trojeve të tjerë shqiptare, ishte brengë e pashëruar e poetit, një dhimbje shpirti e pa fashitur.
Në vitet 60-të të shekullit që lam pas, çështja çame ishte një tabu. Nga regjimi i kohës, qytetarët me prejardhje nga ajo krahinë trajtoheshin si të dorës së dytë.
Ca më vonë në inteligjencën dhe funksionarët e saj u gjetën edhe armiq të partisë, çka në opinion e rëndoj për keq gjendjen e këtij komuniteti.
Parë në këtë këndvështrim, të shkruaje për Çamërinë, duhej guxim krijues e qytetar. Poetit, si mungonte ky guxim. Çamërisë i ka kushtuar katër poezi:”Baladë çame”, “Natë çame”,”Janinë vjeshtë” dhe “Pranvera në çamëri”. Duken pak, por ato janë sa një univers, si një yllësi në galaktikën e tij poetike, ngërthejnë vlera dhe emocione të pazakonta e tronditëse, që vetëm një talent si i tiji dinte ti dertdhte në vargje.
Në kohën kur ndodhi tragjedia çame, poeti ishte një fëmijë nëntë vjeç, por në kujtesën e tij mbetën të pashlyera pamjet e eksodit biblik dhe varganet e të sdhpërngulurve që linin vendin. Ato pamje dhe kujtimi i masakrave çnjerëzore të gjenocidit për dëbmin e çamëve nga trojet stëegjyshore, për të dhe çamët u bënë pjesë e botës së tyre shpirtëropre.
Për të si çam, shqiptar e poet, humbja e Çamërisë ishte një tragjedi personale, por njëkohësisht edhe tragjedi e bashkësisë dhe etnosit.
Për poetin, Çamëria, ishte dashuria fatkeqe që nuk rreshti asnjëherë, për dheun mëmë të grabitur. Ishte dhimbja e ahpirtit e pafashitur në kohë, brengë që i trishtonte jetën si ëndërr e neteve të paqeta. Emrin e saj e kishte të ndryrë në zemër, bashkë me unin e tij, si një talisman. Aroma e saj jetonte në nënvetëdije si kujtim i pavdirë i fëmijërisë, që nuk ju shqit tërë jetën.
Për Çamërinë, Kosovën dhe etninë, siç thotë edhe vetë, ai shkriu arin e shpirtit, për të ngjizur vargjet e tij më të mira. Ishte ky një detyrim i birit për nënën, detyrim moral dhe atdhetar, por edhe një mënyrë për të shprehur emocionet dhe ndjenjat vetjake, që i merrnin frymën.
E kam shkruar dhe herë tjetër , duke u mbështetur edhe në mendimin e kritikëve të tjerë se “Balada çame”, është kryevepra e poezisë së tij, lirika më e mirë, dhe ndër më të mirat e letërsisë shqipe .
Është e ndërtuar me njëzet e një vargje, por ajo është një masë e rëndë dhe e ngjeshur, me dramacitet të brendshëm; në të shprehet tragjedia çame e humbjes së atdheut. Është kënga elegjiake e humbjes, si një klithje drithëruese e shpirtit të poetit.
Metaforat e fuqishme, e vendosin këtë zezonë tokësore si një përjetim apokaliptik edhe në sfondin qiellor, ku mpleksen e bëhen njësh e keqja, llahtaria, tmerri, dhimbja njerëzore.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tonat stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë,
ullishtat e pavjelura gjëmojnë
Si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
(Balada çame)
Ulërima e erës, rrufetë”që kullosin” në kullotat e braktisura, janë pamje rrënqethëse që shfaqen në atë që është toka e lashtë epirote. Këtu bashkëkohësia, ajo që po ndodh, dhe lashtësia, jepen si e drejta hiostorike e patjetërsueshme që ndeshet me padrejtësinë.
Në vargjet e mësipërme me metaforat e fuqishme, rrëfehet se toka çame është kthyer në banjë gjaku, e mbytur në lot të pafajshëm, ka mbetur shkretë e pa zot, pa jetë, pa mbrojtje.
Fjala e shkretë, është fataliteti i braktisjes tmerruese,të detyruar, nga plumbat që vërshëllejnë në errësirë,dhe rrugën e braktisjes e ndriçojnë flakët që gjithë tokën çame kanë përfshirë.
Balada hapet me lamtumirën që Çamëria i jep popullit të saj dhe mbyllet me lamtumirën që bijtë i japin asaj, që tashmë nuk janë veçse muhaxhirë.
Këto dy lamtumira duken si një braktisje pa shpresë, pa kthim. Këtë humbje, këtë braktisje që i përngjason një eksodi biblik, poeti duket që e përjeton në qënien e vet emocionalisht e me ndjeshmëri të lartë në çdo qelizë të trupit të tij.
Por edhe si një tragjedi kolektive, veten e gjen në vargun”ne, populli muhaxhir.”
Balada ishte një kujtesë dhe rekuiem artistik për Çamërinë, por ajo tingëllon edhe si një sfidë që i bëhej qeverisë së atëhershme.
E tillë është edhe për qeveritë e tanishme. Një kujtesë e ngritur në art,për një problem të shtruar për zgjidhje.
Poezitë e tjera për Çamërinë, elegji të mirëfillta, trajtojnë të njëjtën temë, atë të braktisjes, e cila është një dhembje sfilitëse për poetin dhe për çamët muhaxhirë që me trup jetojnë në shqipëri, por me mendje e shpirt janë në Çamërinë e tyre, dashurinë e tyre të përjetshme.
Këto vjersha megjithëse përjetime vetjake për atë ndodhi të rëndë, shprehin gjithashtu brengën e popullsisë së një krahine të tërë të mbetur shkretë, por edhe të gjithë shqiptarëve për coptimin e trojeve të tyre.
Poezitë e tjera kushtuar Çamërisë, janë vazhdim i “Baladës çame”,ato fillojnë aty ku mbaron e para: Çamëria e zymtë e braktisur, pa jetë, e zhytur në natë. Elegjia “Natë çame”, hapet me vargtje që paraqesin simbolikën e errësirës dhe shkretimit, ku zotë të natës janë ujqërit e uritur:
Ndali çapin kopeja e ulqve
në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
kopeja e heshtur e pyjeve came….
Vijohet më tej me vargje që mbartin peshë të madhe emocionale, për atë që tashmë mungon, për të zotët e vendit:
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
nuk duken zjarret ku dremitnin çobenët,
vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar
vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja,
nepër shtigjet e reve baret e vetmuar…..
Në Çamërinë e mbetur shkretë, mungon tërësisht jeta: stanet, blegërimat e deleve, të lehurat e qenve, zjarret dhe zërat e barinjve. Natyra është e shurdhër dhe e zymtë.
Në sfondin e ushtimës elegjiake të dallgëve, në qiellin e zymtë, baret hëna.
Në këtë lloj shurdhërie të natyrës në tokën çame, poeti e shtrin pikëllimin e tij nga toka në hapësirën qiellore, duke i dhënë asaj përmasa kozmike.
Poeti i ndodhur përball kësaj gjendje tmerruese, lëshon vargjet klithëse:
Ku ini ju çobenët me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, këmborët si kambana?
Ku i kini qent’ e staneve që ulërinin si luanë?
Pas këtyre pyetjeve sugjestionuese, vjen edhe përgjigja me vargjet pasuese, elegjia kthehet në dhembjen e përhershme, në pasojën e braktisjes nga njerëzit e saj të dëbuar, ku jehona e detit, përzihet me ulërimën e ulqve të uritur:
Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh pa rreshtur
Shkëmbinjtë kryeulur,
dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane,
përzihet me ulërimën e ulqve të uritur.
Për t’i shpëtuar përndjekjeve dhe burgut që e priste, në vjeshtë të vitit 1969, poeti kapërceu kufirin dhe hyri në Çamëri. Ironi e hidhur e fatit dhe jetës! Hyn si refugjat në vendin e vet të zaptuar, për të gjetur strehë në shtetin që zhbëri Çamërinë.
Vjen në Janinë, qendër e vjetër e Çamërisë. Impresionet e veta i jep në poezinë “Janinë,vjeshtë”. Poeti kalon kryeulur nën rrepet buzë liqenit. Gjethet që bien ndjellin trishtim.
Poeti kërkon Janinën e vjetër, Janinën çame, me lavdinë e dikurshme, por më kot, ajo tashmë është tjetërsuar, quhet Joanina. Janina e vjetër është mënjanuar dhe duket sikur ngadalë në gjol do të humbasë bashkë me lavdinë e saj të harruar.
Poetit i thellohet plaga. Për çamërinë nuk ka kthim. Ajo është e humbur. Brenga e tij shpërthen në vargjet e mëposhtëme:
Liqeni i Janinës, luginë plot me ujë,
përkundet i përgjumur në mjegullën mëngjesore.
Që tej sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros,
dhe kalojnë kryeulur nëpër rrepet e shëtitoreve,
me një mendim të heshtur, me një brengë përvëlonjëse.
Këta vargje përmbyllëse, janë shprehje e mllefit dhe anatemim për regjimin tiranik, që ekishte kthyer vendin në burg të rrethuar me tela, çka i detyronte bijtë e shqipërisë të poshtëronin veten dhe të kërkonin strehë në derë të hasmit.
Çamëria është e pranishme edhe në romanin”Ra Berati”, nën e epopesë skenderbejane. Ajo evokohet në roman herë pas here, si teatër lufte i qëndresës arbërore kundër grekëve, serbëve dhe turqve, nën drejtimin e princit çam Gjin Bue Shpata.
Molos Baderi, personazh i romanit, plak qindvjeçar, është pjesë e kujtesës çame, plot pjekuri e mençuri që mbart filozofinë e jetës dhe mesazhin e qëndresës burrërore.
Borizani leshverdhë nga brigjet e lumit Kalama, që vritet në betejë, është më shumë se një simbol. Ashtu siç e ka vene në dukje edhe kritiku Vladimir A. Muça , Xhaferri sjell kumtin se Arbëria ishte një dhe e pandarë: nga Arta, Gjiri i Prevezës e deri në Dardaninë e largët.
Ajo që sot e quajmë Shqipëria Etnike apo Shqipëria Natyrale e që është aspiratë e çdo shqiptari.
* * *
Bilali kishte ëndërr dhe aspiratë të vetën Shqipërinë Etnike. Për të, Kosova, ishte njëri nga krahët e këputur të shqiponjës shqiptare. Vjersha “Kosova”, u shkrua në mërgim, në vitin 1978, në revistën “Krahu i Shqiponjës” Edhe pse për të personalisht, Kosova ishte një vend i humbur i trojeve amtare, dhe i mbyllur e i kolonizuar nga regjimi serb, ai e njihte mjaftueshëm historinë dhe gjeografinë e saj.
Poezinë për Kosovën e ndërton mbi bazën e përfytyrimit dhe ëndërrimit, me gjithë bukuritë dhe hapësirën e saj tokësore etnike.
Kjo vjershë, them se është vazhdë e poezisë rilindase, aq sa të sjell në kujtesë të famshmen “O moj Shqypni” të Vaso Pashës. Pasi përshkruan bukuritë dhe begatitë e saj si një krahinë shqiptare, që në fillim të saj, poeti derdh në vargje brengosjen e tij:
Kosova,
Legjendë e mbetur në udhëkryq të historisë,
Kosova
gjithnjë ashtu si gjithnjë
me dhëmbë të shtrënguar
e me shpirt ndër dhëmbë,
Kosova
ku shqiptarët flasin një gjuhë
e dëgjojnë dy gjuhë
Së bashku me gjuhën e nënës
edhe gjuhën e UDB-së
Kosova,
gjithnjë ….ashtu!
Ky ishte aktualiteti i ashpër i Kosovës nën serbi, kur poeti shkroi poezinë dhe ëndrra e vrarë e poetit : Kosova gjithnjë…..ashtu!
Por gjërat ndryshuan. Kosova fitoi lirinë. Poeti u shua në vitin 1986 dhe nuk jetoi ta shihte të lirë.
Kjo do të ishte plotësimi i njërës nga ëndërrat e jetës së tij të pafat.
Le të shpresojmë se ëndërra e Bilal Xhaferrit një ditë do të jetësohen, si në vargjet e rilindasit të madh se: ”Për Shqipërinë, ditët e mira, paskëtaj vijnë”
Tiranë, 24.04.2016
&&&&&
Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940. Kreu studimet e larta për Agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, studime të cilat i përfundoi në vitin 1963.
Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.
Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.
Krahas detyrave të tjera ka qenë i angazhuar në veprimtari dhe kërkime shkencore.
Ai ka botuar 19 tituj librash të profilit tekniko – shkencor, ka shkruar dhe botuar në revista tekniko – shkencore dhe shtypin periodik, brenda e jashtë vendit, mbi 150 tituj artikujsh që përfshijnë mbi tre mijë faqe.
Për kontributin dhe kualifikimin shkencor mban gradën "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor".
Në gjysmën e dytë të viteve 2000,i është perkushtuar letërsise,kritikës së artit dhe publicistikës.
Fryt i kesa pune janë një sërë botimesh si: biografitë e letrarizuara "Jeta e Bedri Lumanit", "Lule në gur" kushtuar jetes së specialistit të shquar të vreshtarisë Todo Gjermani.
Ka levruar kryesisht temat historike në romanet:
"Mbretërimi i Pirros së Eoirit",
"Mbretëresh Olimpia",
Esseja historike "Aleksandri i Madh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu".
Essene studimore "Bilal Xhaferri Poet i Zemrave Njerëzore"
Essenë "Endrrat e ngrira të Enver Kushit,
vellimin me tregime "Edhe yjet vdesin" etj.
Ne publicistikën e vet ka trajtuar probleme të çeshtjes çame, të zhvillimit të letërsisë dhe problemet aktuale.
Në shtypin e shkruar dhe atë elektronik ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela. Krijimtaria e tij eshte pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.
Përgatiti:Floripress/Flori Bruqi