“Ne gjithmonë kemi folur për formacione të armatosura”, tha Daçiqi pas deklarimit të zëdhënësit të KFOR-it, Vincenzo Graso, se njësia speciale policore e Kosovës, ROSU, nuk kanë obligim që të kërkojnë leje nga askush për të hyrë në veri të Kosovës, për dallim nga Ushtria e Kosovës, lëvizja e së cilës duhet të marrë miratimin e komandantit të KFOR-it, raporton SRNA.
Daçiqi u tha gazetarëve në Beograd se NATO-ja duhet të lëshojë një manual për përfaqësuesit e saj në lidhje me atë se çfarë është dakorduar gjë e cila do të duhej të vlente “për të gjitha formacionet e armatosura”.
Sipas fjalëve të tij, NATO-ja ROSU-n, për dallim nga forcat e armatosura të Kosovës, e sheh si formacion policor.
Daçiqi përsëriti se askush zyrtarisht nuk ka kërkuar që të ndryshohet formati i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se SHBA-ja nuk ka kërkuar që të hyjë në dialog, por nëse vjen deri tek kjo gjë, atëherë “Beogradi do të kërkojë përfshirjen e Rusisë”.