“LIBRI I ZI” AMERIKAN PËR SHQIPËRINË E KOSOVËN MË 1918?

 Nga MUHAMED MUFAKU*


Ç’është libri i zi ?

Në fund të vitit 1917 SHBA hyri në Luftën e madhe “për të përfunduar të gjitha luftërat”, në krahasim me Fuqitë e mëdha evropiane që kishin ambiciet e tyre, të cilat kishin arritur me kohë marrëveshjet e fshehura gjatë viteve 1915-1916 për të ndarë territoret e bllokut kundërshtar. Në këtë kontekst, me 26.04.1915 u nënshkrua Traktati i Londrës midis Antantës dhe qeverisë italiane, më të cilin Italia e mori Shqipërinë e mesme si protektorat, kurse i dha Serbisë e Malit të Zi Shqipërinë e veriut ndërsa Greqisë Shqipërinë e jugut.
Kështu, në letrën e tij drejtuar Kongresit amerikan për arsyetimin e hyrjes në Luftën I Botërore Presidenti Wilson theksoi se “bota duhet të jetë e sigurte për hir të demokracisë”. Me fjalë tjera, SHBA nuk shkuan në luftë për të marrë pjesën e vet prej kolonive por për të krijuar një botë të re bazuar në demokraci dhe të drejtën e popujve në vetëvendosje. Pra, në “shtete nacionale” të pavarura dhe sovrane në vend të imperializmit që dominonte atëherë.
Image result for muhamet mufaku “Libri i zi” amerikan dhe planet për Shqipërinë e Kosovën më 1918
Më vonë, Presidenti Wilson shpalli 14 Pikat më 18.1.1918 që ishin bazë për një botë të re pa luftëra, përkatësisht për të kaluar nga diplomacia e fshehur për ndarjen e interesave në botë të demokracisë e te drejtave të popujve në vetëvendosje e “shtete nacionale” që do garantoheshin nga një organizatë botërore (Liga e Kombeve).
Related image
Mu për atë qëllim, Presidenti Wilson formoi një ekip të madh ekspertësh nën kryesinë e këshilltarit të vet për politikën e jashtme kolonelit Edward M. House. Ay ekip i madh i përbërë nga 150 shkencëtarë të Shoqatës Gjeografike Amerikane (AGC) dhe universiteteve më të njohura amerikane (Harvard, Yale, Columbia, Princeon, etj.) u mblodh gjatë tërë vitit 1918 për të paraqitur përfytyrimet dhe hartat e botës së re. Pasi që ekipi kishte për detyrë mbledhjen e të dhënave, ai u bë i njohur me emrin “The Inquiry”. Mbledhjet u bënë në Selinë e Shoqatës Gjeografike Amerikane ku anëtarët e ekipit kishin pranë 50 mijë libra dhe 47 mijë harta. Memorandumi i parë iu paraqit Presidentit Wilson më 22.12.1917, kurse raporti dhe hartat përfundimtare iu dërguan Presidentit më 21.1.1919. Raporti (98 faqe) dhe hartat (23 harta) ishin në formë libërthi me kopertinë të zezë që të ishte në duar të anëtarëve të delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, ndaj hyri në histori me emrin “The Black Book”.
Image result for muhamet mufaku “Libri i zi” amerikan dhe planet për Shqipërinë e Kosovën më 1918
Libri i Zi me ato harta të përpikta kishte efekt të madh në hartimin e Evropës së re me “shtetet nacionale” në vend të Perandorive të thyera (Gjermania, Austro-Hungaria dhe Perandoria osmane). Në bazë të saj pajtimi për të krijuar organizatën “Liga e Kombeve” ishte një sukses i madh për Presidentin Wilson në qershor 1919. Megjithatë, Kongresi amerikan nuk ratifikoi atë dhe anëtarët e delegacionit amerikan u kthyen në Washington me kopjet e Librit të Zi të cilat u zhduken me kohë. Ndonëse në vitet e fundit kishte atje këtu aludime e shënime për Librin e Zi vetëm me librin e Wesley J. Reisser, profesori i gjeografisë në Universitetin George Washington (New York 2013) dolën në shesh shumë të dhëna të reja që kanë të bëjnë me fatin e popullit shqiptar, përkatësish në Shqipëri e Kosovë .

Shqipëria të cungohet

Profesori W. Reisser pranon në librin e tij se gatishmëria për shqiptarët në qarqet amerikane gjatë Luftës I Botërore nuk ishte sikurse për serbët e grekët. Biles, ai me keqardhje pranon se shqiptarët shikoheshin si “të huaj dhe joevropianë”, gjë që paraqiste “ndjenje raciste e kundra-myslimane të shumicës së akademikëve dhe politikanëve të asaj kohe. (f. 131)

Në bazë të kësaj nuk çudit fakti se Libri i Zi jo vetëm që nuk pranoi kërkesat shqiptare për përfshirjen e Kosovës në shtetin e Shqipërisë, por paraqiti edhe hartë të re të Shqipërisë që plotësonte dëshirat e serbëve dhe grekëve. Siç shihet në hartë, Shqipëria e propozuar në Librin e Zi më shumë përkon me Shqipërinë e propozuar në Traktatin e Londrës më 1915, pra kundër parimeve të Presidentit Wilson për të drejtën e popujve në vetëvendosje dhe “shtete nacionale”. Sipas asaj harte formohej në Shqipërinë e mesme një shtet për shqiptarët myslimanë, kurse i lihej Greqisë një pjesë e mirë e Shqipërisë jugore.

Befasia del këtu me Shqipërinë veriore që u lihej serbëve dhe malazezëve. Kështu, në Librin e Zi shkruhet: “Rekomandohet që të merret parasysh propozimi tentativ për bashkimin e “malësoreve” të Shqipërisë veriore me fiset e tyre në perëndim të Serbisë dhe në jugun e Malit të Zi, duke bashkuar këtë grup homogjen fisesh në një njësi me vetëqeverisje nën mandatin e Jugosllavisë”.

Mirëpo, siç konstaton W. Reisser, Këshilli i të Katërve të mëdhenj SHBA-Britania-Franca-Italia kurrsesi nuk arritën të merren vesh rreth Shqipërisë deri në tërheqjen e SHBA nga Konferenca e Parisit në verë të vitit 1919. Atëherë, vetë shqiptarët u ngritën dhe morën fatin e tyre në dorë duke shpëtuar Shqipërinë prej copëtimit.

Kosova si protektorat

Simpatia e grupit punues të Librit të Zi për një shtet jugosllav u pa qysh në pranvere të vitit 1917. Qasja për një shtet jugosllav ishte lidhur ngushtë me asgjësimin e Austro-Hungarisë. Kështu, më 27 maj 1917 shefi i Departamentit të Lindjes së Afërme që përfshinte Ballkanin, Albert Patni, i paraqiti MPJ versionin e parë për një shtet jugosllav, i cili mori formën e fundit më 5 qershor 1917. Më vonë, vetë Presidenti Wilson kërkoi prej ekipit të ekspertëve që të paraqiten ide të reja për Konferencën e Paqes në Paris. Ata paraqitën katër projekte duke parapëlqyer të parin që u aprovua:

1-Një shtet jugosllav që bashkonte Serbinë e Malin e Zi me popullsinë jugosllave të Austro-Hungarisë.

2-Një shtet i pavarur për popujt jugosllav të Austro-Hungarisë, që nuk do të kishte lidhje me Serbinë.

3-Një shtet të madh kroat me Bosnjën.

4-Një shtet Jugosllav që përfshinë Kroacinë, Bosnjën, Slloveninë, Slavoninnë e Dalmacinë nën një mandat ndërkombëtar.

Propozimi i parë që u parapëlqye dhe u zbatua merrte për bazë parimin e njohur të Presidentit Wilson për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe “shtete nacionale”. Mirëpo, njëkohësisht aty u shkel e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje e “shtet nacional” me futjen së Kosovës në shtetin e madh jugosllav. Ndaj, W. Reisser më drejtë pranon se me krijimin e Jugosllavisë sipas Librit të Zi u dëmtuan dy popuj: shqiptarët dhe hungarezët.

Duke qenë të vetëdijshëm për kontradiktat në këtë shtet artificial ose jo-nacional, ekipi i ekspertëve paraqiti në Librin e Zi një propozim të ri për krijimin e një shteti nacional shqiptar që do përfshinte Shqipërinë e Kosovën. Propozimi lutej që Kosova të ishte nën mandatin e Ligës së Kombeve “për të ruajtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi”.

Propozimi do të kishte patur vlerë po të ishin SHBA në Ligën e Kombeve. Mirëpo, Kongresi amerikan atëherë nuk e ratifikojë marrëveshjen e Versajit që përfshinte formimin e Ligës së Kombeve. Si rrjedhim, SHBA u tërhoqën dhe Liga e Kombeve mbeti nën ndikimin vendimtar të Treshes së Madhe Britania-Franca-Italia, e cila që nuk kishin simpati për propozimin amerikan që Kosova të ishte nën mandatin e Ligës së Kombeve “për të ruajtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi”.







Muhamed Mufaku Gega

Historian shqiptar, profesor i historisë së re në universitet jordaneze 1989-2018, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i nderuar me Medaljen e Republikës për Merita më 2012.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)