2018-12-25

Një letër dashurie e Lasgushit për vajzën me emrin Shqipe


Pogradec Promenade.jpg

Shqipe, e ëmbla ime fort. U mendova kësaj here se më s' duhet të të shkruaj, thashë le të lë të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të lë unë ty, po mua vetë - nuk më le mua zemra për ty, s'më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç'të të them? Ja! Atë që kam dashur kaq herë, që s'kam mundur, që s'kam gjetur rast të ta them asnjëherë! Është e madhe shumë, e lartë besoj dhe e rëndë shumë, e rëndë për t'u thënë shumë për mua ajo që dua të të them. Ajo quhet "si" të dua."Si" të dua unë ty Shqipe, shpirti, jeta dhe e vërteta ime? Shqipkë engjëlli im, ëmbëlsia e kësaj jetës s'ime. "Si" të dua? Të dua me gëzim e dhembje, me shpresë dhe frikë.

Gjeta vashën time të ëndërruar shqiptare


Me gëzim dhe shpresë dhe shpirtin e mbushur se je dhe do të jesh, sepse do të mbetesh, sepse ke karakterin, fuqinë e karakterit, granitin e karakterit që të mbetesh, - po në gjithë atë kohë të dua dhe me dhembje dhe me frikë e me zemrën e zbrazur fund - e - krejt të bërë pa brendësirë të brendshme, pa thelb dhe qendër pa pikë mbështetje, pa një themel qendror ku të mbështetem, prej të cilit të mbahem, të qëndroj, të jem i sigurt, i siguruar si një - e - një - bëjnë dy për ty, për dashurinë tënde të tanishme, që të jetë dhe e pastajmja e imja, të mos jetë (ah) e tjetërkujt. Si të jetë e tjetërkujt? Atëherë ç'bëhem unë? Përse rrojta duke punuar dhe punova dhe shpresova dhe gjeta - e gjeta vashën time të ëndërruar shqiptare? Përse e gjeta? Që ta humbas? Që të humb dhe më dhe të tretet lumturia ime që kam me Shqipen time?

Unë Lasgushi yt

Të shkatërrohet përgjithnjë gjithësia e idealeve të mija të kësaj jete të shtrenjtë për lumturinë që m'u fal me dashurinë e pëllumbeshës s'ime së bardhë shqiptare, po të llaftarosur për mjerimin që më duket sikur e shoh se mund të më vijë" njëherë", sikur e shoh nga frika mbase që të dua kaq shumë, kaq shumë, kaq shumë? (Oh zot, mos ardhtë kurrë, ai do mos vijë, nuk vjen, s'është e mundur, jo, të vijë ndonjë herë-e le më të vijë ai ashtu pa lejen time?! ) T'i thashë këto Shqipkë dhe më ndje që t'i thashë po ashtu jam unë, unë Lasgushi yt, t'i them sepse nuk dua të jetë siç më zë frika nga ndonjëherë, kur t'i them më duket sikur "do mos jetë" sikur u sigurova kundër mjerimit, sikur e fitova lumturinë për vete. Me drithmë të puth e të shtrëngon e copëton fare nga dashuria Lasgushi.


****


Llazar Sotir Gusho, (27 dhjetor 1899 – 12 nëntor 1987), i njohur si Lasgush Poradeci, ishte një poet dhe shkrimtar shqiptar.


Lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916.

I ati më pas e nis në Athinë pranë liceut Léonin, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek - lice ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi.

Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.

Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit "Karol Francik" në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.

Në letërkëmbimin mes Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit, në një letër të 1951 Kokoshi përmendet nga i pari:


[...] mora rishtas në punë Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna.

Vitet 1944-'47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen.

 Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore "Naim Frashëri" deri kur doli në pension më 1974. Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...