Marrëdhëniet esenciale midis Lirisë dhe Sigurisë



Nga Simon ULNDREU* 


Marrëdhëniet esenciale midis Lirisë dhe Sigurisë


Cilat janë rreziqet që cenojnë sigurinë? A kemi frikë dhe si ndikon frika mbi lirinë e njeriut? Ç’rol luan shteti në shërbim të vlerave të lirisë? Marrëdhëniet esenciale midis lirisë dhe sigurisë dhe pse cënimi i njërës sjell rrënimin e tjetrës? A është demokracia një sistem që prodhon siguri dhe cili është roli i shtetit për mbrojtjen e lirive themelore të individit?

Siguria është sot në qendër të debatit politik në nivel global. Ajo është një koncept që vë në lëvizje të gjithë mekanizmat për ruajtjen e vlerave të sistemit demokratik nga rreziqet, dëmet dhe fatkeqësitë. Si të gjitha vlerat e sistemit, edhe siguria është në proces të përmirësimit të vazhdueshëm, është pjesë integrale e zhvillimeve politike dhe ekonomike dhe kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm të mjedisit social dhe natyror. Cilësia e saj përcaktohet në mënyrë të veçantë nga niveli i realizimit të lirive thelbësore të njeriut.

Siguria, si një element thelbësor është trajtuar që në shekullin e XVI, kur filozofet e teorisë mbi shtetin, Thomas Hobs dhe Xhon Lok, e vendosen atë në fokusin e marrëdhënieve midis shtetit dhe individit. “Në rast së nuk ekziston shteti, atëherë çdonjëri ka të drejtë të bëjë gjithçka dhe në mënyrë që të ndërpritet lufta e çdonjërit kundër tjetrit”, u bë e nevojshme një kontratë sociale, për domosdoshmërinë e fjalës dhe të mendimit të lirë brenda shtetit sovran, midis individëve nga njëra anë dhe shtetit monopol, në anën tjetër.
Kjo teori u zhvillua më vonë nga filozofi i madh holandez Baruch de Spinoza, i cili në mënyrë universale përkufizoi funksionet e shtetit midis lirisë dhe sigurisë së njerëzve: “Qëllimi final i shtetit nuk është, të qeverisë, të mbajë njerëzit nën frikë, ose të mposhtë rrezikun e huaj, por shumë herë më i madh, t’i çlirojë ata nga frika, në mënyrë që secili të jetojë i sigurte dhe e drejta natyrore e tij, të jetë, të mbrohet dhe të veprojë pa dëm për vetën dhe të tjerët. Qëllimi i shtetit është në fakt, Liria”.

Edhe sot pas pesë shekujsh, ideja gjeniale e Spinozës, shërben si një temë e gjerë në diskutimet mbi marrëdhëniet midis Lirisë, Sigurisë dhe funksionit të shtetit. Në këtë këndvështrim, politologët perëndimorë mbrojnë pikëpamjen se “shteti nuk është një qëllim në vetvete, por ai ka funksione shërbimi, - ai ju shërben në mundësitë e fundit lirive njerëzore, me të cilat ai ndërton paqen dhe sigurinë, duke i çliruar njerëzit nga frika e tyre, - në mënyrë të veçantë, nga frika e krimit, dhunës dhe vrasjes... Por çfarë janë liria dhe siguria në terma konkrete dhe përse dimensionet e këtyre koncepteve themelore janë kaq të rëndësishme në jetën e njeriut?

Liria është një koncept që përfshin dimensionet kulturore, psikologjike, sociale dhe politike dhe është një nga konceptet qendrore të historisë intelektuale njerëzore. Ky koncept, sot është në diskutim të vazhdueshëm dhe në këtë mënyrë në një ndryshim të përhershëm për të krijuar liri akoma edhe më të mëdha….
Siguria është një koncept qendror për vlerat e demokracisë. Opinionet rreth këtij koncepti janë pjesë e diskutimeve të ndryshme, ndërsa politologët perëndimore e kanë përkufizuar sigurinë si “ një element thelbësor në të gjitha sferat e jetës publike dhe nevojat themelore të të gjitha sistemeve natyrore dhe shoqërore. Si pjesë konstituive e rendit politik demokratik, siguria është baza për planifikimin dhe veprimin njerëzor”. Siguria është një madhësi inferiore ndaj ndryshimeve të vazhdueshme dhe për këtë arsye ajo është pjesë e diskutimeve të pandërprera të ekspertëve dhe të politikës. Disa shembuj të thjeshtë:
Kur dy njerëz goditën me mjete të forta, ose sulmojnë njeri – tjetrin me armë, ata janë duke zgjidhur forcërisht problemet me njëri-tjetrin, ndërsa kalimtarët e rastit largohen me vrap, pasi aty dominon frika dhe pasiguria. Kur përpara këmbëve tona na shfaqen fëmijë dhe të moshuar që shtrijnë dorën duke lypur, mendja na shkon tek njerëzit që meritojnë një siguri njerëzore “edhe me njerëzore”. Në rast se bie zjarr në një zonë të banuar, menjëherë mendojmë rrezikun afër shtëpisë tonë. Nëse dikun shpërthen një bombël gazi, mendja na shkon menjëherë tek certifikimi teknik ose gabimi njerëzor. Kur flasim për të drejtën e jetës, trishtohemi nëse shohim kronika me vrasje. Ngujimi nga frika e hakmarrjes, na sjell ndërmend disa njerëz që në kërkim të sigurisë, kanë izoluar vetveten, duke hequr dorë nga liritë e tyre. Nëse akuzat me sharje, fyerje dhe denigrim të njeri-tjetrit, të aktorëve në tempullin e demokracisë, janë një gjë e mirë, atëherë përse edhe njerëzit t’mos sillen po në këtë mënyrë në jetën e përditshme? Në ndonjë rast, kur dëgjojmë përdorimin e gjuhës së forcës dhe të urrejtjes, mendja na shkon tek “tipat e fortë”, të cilët i përdorin këto mjete për të realizuar qëllimet e tyre, nëpërmjet frikës tek pala me e dobët…..
Duke u nisur nga këta shembuj të thjeshtë dhe të tjerë, ndoshta edhe më të komplikuar, të jetës së përditshme, duhet të hymë në zemër të problemit që shqetëson sot shoqërinë tonë. Armët pa leje dhe kronikat me grabitje e vrasje, përbëjnë një dominim te frikës mbi lirinë. Me qindra viktima të shkaktuara nga fatkeqësitë kombëtare gjatë këtyre 20 vjetëve, si dhe vrasjet, gjakmarrja, ngjarjet e dhimbshme të regjistruara nëpër aksidente në det, në tokë, në rrugët automobilistike, mbi shinat hekurudhore etj, janë gjithashtu një shqetësim që shtrojnë përpara opinionit dilemën, perse liria e jetës duhet të paguhet kaq “lirë”? Mos vallë është demokracia, ajo që vret? A e kuptojnë shqiptarët e etur për liri, kufirin e lirisë? Cili është funksioni i shtetit, si një monopol mbi liritë tona apo si një fuqi absolute për t’i lejuar dhe për t’i mbrojtur liritë e gjithsecilit, deri në pikën e fundit? Mos vallë jemi duke krijuar një format specifik Liri-Siguri-Liri, ndryshe nga formati universal i vlerave të demokracisë?

Pasiguria i ka rrënjët tek frika dhe rreziku. Frika si gjendje psiko-sociale dhe emocionale e njeriut, ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi lirinë individuale. Frika e kufizon dhe izolon njeriun nga realiteti i lirive themelore. Ajo është aq e vjetër sa vetë jeta njerëzore dhe jeton së bashku me të. Në kohën e sotme, karakteri objektiv dhe shkalla e frikës, përcaktohen kryesisht nga gjendja e mjedisit social ekonomik, i cili vjen tek njeriu nëpërmjet rrjetit të dendur të informacionit, prej kronikave të zeza dhe krimit, prej varfërisë dhe sëmundjeve, prej papunësisë dhe urisë, prej ndotjes dhe fatkeqësive natyrore, prej gabimeve njerëzore dhe veprimeve arbitrare, prej represionit politik, konfliktit social dhe padrejtësive, të cilat bashkëjetojnë “mirë” me mjedisin e pandëshkueshmërisë, korrupsionit, dhe vulgaritetit të ditës.
Panorama sociale e frikës e ç’vesh njeriun nga dinjiteti, i heq atij mundësinë të konsiderojë liritë e tij brenda kontratës sociale me shtetin dhe, duke kaluar nën heshtjen shoqërore, bëhet gjithnjë e më e frikshme për gjendjen e sigurisë në një vend që aspiron integrimin me meritë në hapësirën Euro-Atlantike.
Në botën e sotme moderne urbane, asnjë individ nuk preferon të lëvizë, të punojë apo të jetojë në një vend të pasigurtë. Ambienti i pasigurtë ngjall gjithnjë ndjenjën e frikës dhe kufizon liritë individuale. Pasiguria, shpeshherë bëhet shkak për ndërprerjen e një veprimi, për mbylljen e një aktiviteti apo ndërmarrje të caktuar, për mbylljen e njerëzve në shtëpi për ndryshimin e vendbanimit etj.

Historia jonë, nëpërmjet paradokseve të tilla si në zhvillimet dramatike të viteve ‘97, ‘98 dhe 2011, të cilat u paraprinë nga lufta e ashpër politike dhe gjuha e urrejtjes midis palëve, është një produkt i pakontestueshm i politikës konfliktuale, e cila në momente ekstreme rrezikon shuarjen e funksioneve të shtetit. Ky stil i gjatë komunikimi pozitë-opozitë dhe anasjelltas, krijon një trysni të rrezikshme mbi vlerat e demokracisë dhe jep efekte negative në dimensionin e sigurisë publike. Disa prej këtyre zhvillimeve janë shoqëruar edhe me ndërhyrjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat kanë dëshmuar se faktori ndërkombëtar, jo vetëm e vlerëson por investon në mënyrë të vazhdueshme sigurinë publike të shoqërive demokratike. Nuk ka asnjë formacion politik, shoqëror, ekonomik apo social ne vendin tonë që të mos këtë provuar pasojat rrënimtare të sigurisë në krizat ekstreme politike gjatë këtyre dy dekadave.
Si çdo marrëdhënie, edhe marrëdhëniet midis lirisë dhe sigurisë, janë çështje besimi në kontratën sociale me shtetin e së drejtës. Kjo do të thotë se nga njëra anë, vetë njerëzit duhet të kuptojnë kufirin e lirive, “liria jote mbaron, aty ku fillon e drejta ime”, dhe nga ana tjetër, shteti të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë. Në vendet e zhvilluara disponimi ligjor dhe moral i shtetit për zgjerimin e sigurisë është kaq funksional, sa ka hapur edhe dilemën se zgjerimi i sigurisë, ndonjëherë ka krijuar pasiguri të mëtejshme. Risitë e vazhdueshme të teknologjisë, përhapja e mjeteve të komunikimit dhe zhvillimi i kibernetikës kanë sjellë nevojën e një ekuilibri të ri midis të drejtave civile nga njëra anë (privatësia, liria e komunikimit, liria e shprehjes dhe e tubimit, intimiteti i shtëpisë etj) dhe masave parandaluese të shtetit nga ana tjetër (censura, përgjimet, kontrolli i banesës, kontrolli trupor me dedektor, etj). Por, që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, është vërejtur një tendencë e theksuar për ashpërsimin e ligjeve, me qëllim ruajtjen e dimensionit të sigurisë, nga kërcënimi latent terrorist, që mund të jenë në kundërshtim me të drejtat e lirisë. Shtrëngimi i masave të sigurisë dhe sidomos i kontrollit trupor nëpër aeroporte, ka hapur shumë debate, aq sa kritikët e shohin ketë si një pushtim të intimitetit të trupit të njeriut.

Duket paradoksale se si në vendet me demokraci të zhvilluar, shteti është viktimë e suksesit të vet. Duke zgjeruar liritë individuale në një diapazion të gjerë dhe drejtësinë e tij sovrane, shteti ka krijuar gjithashtu nevoja edhe më të mëdha për sigurinë e shoqërisë. Pas sulmeve terroriste mbi demokracitë perëndimore, siguria përbën një sfidë të madhe për mbrojtjen e tyre nga rreziqet potenciale si terrorizmi, ndotja apo fatkeqësitë natyrore. Është legjendare ironia e historisë me Oto Shilin, ish Ministër i Brendshëm i Republikës Gjermane 1998-2005, i cili gjatë një manifestimi të Unionit Humanist kundër ashpërsimit te ligjeve, në vitin 1978, pati thënë: “Nuk luftohen armiqtë e ligjit me degradimin e tyre dhe nuk mbrohet liria me kufizimin e saj”.
Me këtë qasje të qartë, e cila e njeh ndërvarësinë midis Lirisë dhe Sigurisë, Spinoza shkon në qendër të çështjeve që diskutohen sot:
Si mund të zgjidhet paradoksi, se nga rreziqet potenciale, shteti bën ndërhyrje në hapësirat e lirisë, duke kufizuar vetë lirinë? Mirëpo, në botën e sotme të zhvilluar, të lëvizjes së lirë dhe të përafrimit të popujve me njeri-tjetrin, tema rreth këtyre marrëdhënieve, vazhdon të jetë akoma në qendër të diskutimeve për sigurinë globale.
Kërkesat që ka komuniteti ndërkombëtar dhe pretendimet e vendit tonë për integrimin në bashkësinë euro-atlantike, shtrojnë në plan të parë nevojën e diskutimit te formatit Liri-Siguri, duke startuar nga vlerat themelore të lirisë. Ndonëse këto vlera janë të përcaktuara në aktin themelor të shtetit, historia e hidhur e vetëgjyqësisë ka hapur edhe ajo faqen e saj. Një numër jo i vogël njerëzish, e kanë më të lehtë të vendosin vetë fatin e të drejtave dhe lirive të tyre, se sa të trokasin në dyert e drejtësisë, aty ku duhet të vuloset formati i të drejtave. Në këtë mënyrë edhe drejtësia luan rolin e saj për nivelin e sigurisë, por kjo është çështje besimi. Nëse sistemi ynë i drejtësisë është përfolur, nga mjediset më të thjeshta deri në nivelet më të larta të parlamentit europian, ky besim është akoma i zbehtë.

Siguria nuk është një çështje me të cilën duhet të merren vetëm forcat e sigurisë, apo vetëm njerëzit e drejtësisë. Ajo është shumë më tepër se kaq dhe përfshin të gjithë aktorët e jetës politike, shoqërore, ekonomike dhe sociale të vendit. Dimensioni i saj fillon nga liritë themelore të individit dhe nuk ka fund. E drejta natyrore për jetën, e drejta për punë, e drejta për shërbim shëndetësor, e drejta për arsim, e drejta për mjedis të pastër, e drejta për t’u mbrojtur etj, janë vetëm disa të tilla, me të cilat shteti ndërton paqen dhe harmoninë sociale, për t’i mbrojtur njerëzit nga frika,- në mënyrë të veçantë nga frika e dhunës, krimit dhe vrasjes... Por shteti, nga ana e tij, akoma nuk ka arritur t’i ktheje ato në të drejta të prekshme për një pjesë të konsiderueshme të njerëzve. Nga ana tjetër shteti, këtu e 20 vjet është karakterizuar kryesisht nga fryma e partishmërisë, militantizmi, korrupsioni, padrejtësitë dhe kultura e pandëshkueshmërisë, tipare këto që frenojnë vetë shtetin në kryerjen e funksioneve të tij…

Siç e thamë edhe në fillim të këtij shkrimi, koncepti i lirisë dhe sigurisë janë koncepte themelore të sistemeve demokratike. Ato janë vetëm fillimi i funksionit të shtetit në kontratën sociale me shtetasit e vet. Dhe si për ironi të fenomenit, në anën tjetër, në vend të rishikimit të ligjit për kufizimin e armëve dhe të kufizimit të përdorimit te tyre, pajisja me armë e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve, është një nevojë për më shumë siguri për politikanët dhe zyrtarët tanë të mandatuar, pikërisht nëpërmjet lirisë tonë, tanimë jo të drejtpërdrejtë, për të plotësuar 140 vendet e parlamentit!?
“Ata të cilët do të heqin dorë nga liritë thelbësore, në mënyrë që të fitojnë një siguri të përkohshme, nuk meritojnë as lirinë dhe as sigurinë dhe do t’i humbasin të dyja”, thotë në një citim Benjamin Franklin. 

*Anëtar i Forumit të ushtarakëve Euro-Atlantik, kualifikuar në Austri dhe Gjermani për Paqen dhe Sigurinë

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)