2020-01-30

Bedri Halimi :Cikël poetik

Bedri Halimi

HASAN PRISHTINA

Për kullën e lashtë
Hyre në djepin e yjeve
Dhe the – do këndojmë a do vdesim
Të vdesim a të lindim
E kemi vet në dorë

Zog i artë mbete
Në këngën time
Me emrin tënd pyesin të mos mbesin
Tërë jetën pa klithmë
Të këndojmë me kohën brenda vetes

Pa ty – flasim kot e s’themi gjë
Dolli ngre edhe pikëllimi
Me ty lëmë gjurmë ndër zjarre
Me ty jeta jonë - rreze dielli mbeti
E Klithja e botës jehon në diagnozën e pyellit

Emri yt – thirrje për jetë
Me Ujë e Zjarr i përzier
Për plagët e tokës
Që fshin djersët me llërë

Me ty – fytyrat e idhujve
Bëjnë portretin e buzëqeshjes së Atdheut
S’mund të brohorasim për jetën
Ca njerëz qw na bëhen zotra

Me ty – kur lufta bëhet për Atdhe
Drita pikon gjak
E keqja e tokës së zjarrtë
Rreshtohet te frengjjia

Me ty
Prap nga fillimi
Gjaku yt na ruan
Që pa lutje të lind Liria



ME BUZËT E MBYLLURA 
NDEZ KANDILIN

Moti jemi kuptuar
Moti kërkuam te njeri tjetri
Atë që na ka munguar

Me buzëqeshjen tënde kam mbetur
Me krahet e fitores së luleve
Me taka të larta trokëllin

Në vijën e buzëve të mbyllura
Ndez kandilin
Ta djegim ferrin
Pa na brerë ndërgjegjja

Pa humbur serioziteti i gjërave
Në stacionin e puthjes
Po të mos jesh sot
Zemra ime është zile e zemrës sate

Nuk të zhgënjej dashuri
As në netët me fantazi
Nuk e di se ç’ndodhi
Kur gjithçka lëviz
Trishtimi na zë pa kuptuar
Duke i kënduar gjërave të ndaluara

Nuk dua të fle
Ngrihemi natën
Ti zbulohesh
Nuk i lëmë gjërat të ikin

Sa herë shkruaj për ty
Ta dëgjoj ftymëmarrjen
Çdo gjë tek ti është në modë
Kur jam me ty
S`e kam fajin unë

Çdo ndodh me ne
Portret frutash pa mbarim
Në çdo degë të jetës

Le të thyhet pasqyra
Ne dashurohemi përsëri
Përsëri nga fillimi


FLAKA E SHPIRTIT

E skicuam në errësirë
Qytetin për jetesë
Flaka e shpirtit
U ndez pa blic
Për të ardhmen e shenjtë

Histori vetmie s`do thurim
Në barrikadat e braktisura
Duke fotografuar çastet
Perjetësojmë ditën e kremte