Protokolli i bashkëpunimit u nënshkrua në mjediset e ASHSH-së nga kreu i kësaj akademie, Akademik Prof.Dr.Skënder Gjinushi dhe homologu i tij nga Kosova, Akademik Mehmet Kraja.
Në fjalën e tij, Akademik Prof.Dr.Skendër Gjinushi tha se ky nuk është protokolli i parë, por çdo dy vjet akademitë firmosin protokollin e viteve në vijim.
“Nënshkrimi i këtij protokolli flet për një bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Kosovës, për studimet e përbashkëta në fushën e albanologjisë, përsa i takon mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe më gjerë. Bashkëpunimi ynë sipas protokollit është në të gjitha fushat. Ne dëshirojmë që për gjithçka që ka të bëjë me studimet, kërkimet të koperojmë për të zhvilluar aktivitete dhe studime të përbashkëta në fusha të caktuara dhe të dyja akademitë të luajnë një rol koordinues për kërkimin shkencor dhe studimet kudo që jetojnë shqiptarët”, tha akademik Prof.Dr.Skendër Gjinushi.
Sipas zt.SkendërGjinushit, bashkëpunimi ASHSH dhe ASHAK , konsiston edhe në forcimin e bashkëpunimit me trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, kudo ku ka institucione që merren me albanologjinë.
Ndërsa kryetari i ASHAK-ut,Akademik Mehmet Kraja , në fjalën e tij në ceremoni tha se nënshkrimi këtij protokolli është përmbajtësor me një program të pasur aktivitetesh të përbashkëta.
“Kemi arritur të krijojmë një atmosferë bashkëpunimi dhe komunikimi të ndërsjellë dhe miqësor dhe si rezultat i kësaj do të dalin në pah dhe format e bashkëpunimit për të cilat janë të interesuara dy akademitë. Janë disa më prioritet, por në përgjithësi është një protokoll shumë përmbajtësor dhe i realizueshëm. Do të kujdesem që nga pala kosovare të mos ketë asnjë ngecje dhe pikat e protokollit të bashkëpunimit të realizohen”, theksoi Akademik Mehmet Kraja.
Ky protokoll mbështetet në marrëveshjen në kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim, ku më kryesoret janë ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare.
Flori Bruqi