Ja disa nga arsyet, që nuk më lejojnë të krijoj mite për iBRAHIM Rugovën…

Por ti krahasoje Rugovën me Yasser Arafatin, psh. Dhe vëreje ndryshimin mes tyre. Kush pati në fund më shumë sukses? Arafat i la të shoqes franceze, pasi vdiq, rreth 2,5 milion dollarë. Pra, ai luftoi si disa kumandira në Kosovë për të fituar para për veten, e jo për të bërë vendin.

Rugova ishte ndryshe. Ku e mbështes unë këtë?
Marrim Arafat, Bill Clinton tregon në librin e tij se ai nuk e pranoi një marrëveshje të paqes me Izraelin, edhe pse Palestina merrte territorin më të madh në kohën kur ishte në krye të Izraelit Ehud Barack. Dhe Bill e mbyll duke thënë: “Krenaria është pararojë e dështimit…” Yasser Arafat nuk e pranon marrëveshjen, por i thotë Billit: “Je burrë i madh.”

Kurse Rugova sa iu dha rasti për një marrëveshje, për me e heqë Serbinë nga Kosova, ai ishte pro, e tha se do e firmoste marrëveshjen në Rambuje. Kurse Demaçi, Saliu e Hashimi kishin vepruar si Arafati, ku krenaria do i printe dështimit. Pra, a e kupton ndryshimin, dhe ky është edhe një fakt i fortë, që hedh poshtë pretendimet, se Rugova ishte kuisling e i shitur te Millosheviqi.

E sa për politikën paqësore të Rugovës mund të besohet se ai mendonte, që me mbështetjen ndërkombëtare të arrinte në një zgjidhje të çështjes së Kosovës. Utopike ndoshta, por jo e pamundur. Rugova e dinte se ushtarakisht, Serbia do e shkatërronte komplet Kosovën, se kaq i kishim kapacitetet ne shqiptarët, edhe pse lufta për liri është akti më heroik, që mund të bëhet.

Pra, nuk duhet injoruar komplet linja politike paqësore e Rugovës, pasi aq ishin mundësitë reale të një populli të okupuar, e me një Shqipëri të dobët. /Arben Çokaj

Driton Smakaj

Pse nuk mundëm ta kem idol Ibrahim Rugovën?

Për ta kuptuar politikën paqësore që ia kanë zgjedhur liderit Rugova, duhet që pikë sëpari ta kuptojmë se çka donte në fakt Milloseviçi.

A ishte i interesuar Milloseviçi të kishte luftë në Kosovë?

Përgjigjëja është JO. Jo aspak. Përkundrazi, Milloseviçi kishte bërë të gjitha planet për të mos pasur luftë kundër shqiptarëve të Kosovës. E pse?
Sepse kishte plane edhe më të rënda, eksploatimin, shfrytëzimin dhe marrjen e çdo elementi të dinjitetit njerëzor, ai i urrente shqiptarët, por jo për ti vrarë, i urrente për ti bërë ata të mos duken njerëz.

R E K L A M A
PROMOTED CONTENTMgid

Is Melania Trump The Most Attractive First Lady Ever?
ZestRadar

What Actually Happens When You Eat One Egg A Day
ZestRadar

7 Most Desirable Women Of All Times
ZestRadar

This Would Actually Be Genius If It Wasn’t So Incredibly Stupid
ZestRadar
Në takimin e tij me Tuxhmanin, i kishte thënë:
– Shqiptarët marrin vesh, vetëm kur të ua thyejsh turinjtë –
Lindin pyetjet: A ishte Ibrahim Rugova shqiptar sipas Milloseviçit? A ia ka thye turinjtë ndonjëherë Milloseviçi Rugovës?

Nuk e di, ndoshta edhe ia ka thyer turinjtë. Ndonjë fakt të tillë nuk kam dëgjuar.
Ndërsa kemi në anën tjetër intelektualin e madh Ukshin Hotin të cilin e kanë mbajtur nën tortura.

(Tani si të duket ty? Më rezultativ Rugova për çështjen Kosovës, apo Ukshin Hoti, etj. që vdiqën nga torturat, apo u vranë ndga serbët? Ja, e vranë edhe Rugovën, cili do të ishte fitimi?! A u shkon në mendje se autoriteti i Rugovës si përfaqësues i popullit dhe njohja ndërkombëtare e tij, e ka shpëtuar atë?! /AÇ)

Të kthehemi pak tek koha kur Kosova ishte ende me disa të drejta të caktuara brenda Jugosllavisë, pra para vitit 1989.
Në atë kohë, prej Dr. Rugovës, e te Rrahman Morina e deri te Isa Mustafa, të gjithë kanë besua në forcën e shtetit Jugosllav, ata asnjëherë në jetë të vetë nuk kanë pasur besim që shqiptarët mund të bëhen as Republikë brenda Jugoslavisë, e lëre më për pavarësi të Kosovës, pavarësinë as ëndërr nuk kanë guxua me pa.
Një fakt që e dëshmon këtë pohim është edhe vërejtja që Dr. Rugova ia kishte dhënë Rexhep Qosjes, për shkak se ky i fundit kishte ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës e që ishin në kundërshtim me interesat e Jugosllavisë.

(Kjo vërejtje ka qenë e publikuar në gazetën RILINDJA të kohës).

Kur Milloseviçi mori frenat e Jugosllavisë në dorë, atëherë ai në plan kishte Serbinë e madhe, ndarjen e Bosnjës mes Serbisë dhe Kroacisë, si pjesë e cila duhej të bëhej me luftë sepse Bosnja ishte Republikë e Jugosllavisë dhe ndryshe nuk bëhej.
Ndërsa për Vojvodinën dhe Kosovën që ishin Krahina as që e mendonte luftën. Do mjaftonte ndryshimi, përkatësisht heqja e Kushtetutës së vitit 1974 dhe Kosova sëbashku me Vojvodinën bëheshin pjesë e Serbisë.
Në Vojvodinë, struktura e popullsisë ishte në favor të Serbëve, kështu që as nuk priste Milloseviçi ndonjë reaksion të madh nga hungarezët.
Ndërsa në Kosovë e dinte mirë që do kishte kundërshtime, por UDB-ja i kishte premtuar Milloseviçit që do e evitonin luftën.

Arsyeja e evetimit të lufës ishte e thjeshtë:
– eksploatim dhe shfrytëzim maksimal të resurseve natyrore dhe njerëzore shqiptare –

Para se të flasim për eksploatimin në forma të ndryshme, përmes aparatit të dhunës, të shohim aspektin politik të heqjes së Kushtetutës dhe kanalizimin e shqiptarëve të Kosovës në lëvizje paqësore.
Milloseviçi e kishte dosjen e sëcilit intelektual shqiptar të kohës, ua dinte mirë siç i thonë fjalës edhe ‘zorrtë në bark‘.

I duhej sëpari njëri prej tyre që të bëhet tradhtari në sytë e shqiptarëve. Një që pranon ndryshimin e Kushtetutës dhe rreshtohet krahas politikës së Milloseviçit. Është e çuditshme pak sesi e futën në këtë lojë të marrjes së këtij roli Rrahman Morinën. Sa i përket burrnisë, Rrahman Morina ka qenë shumë ma burrë në kuptimin e fjalës, sesa Isa Mustafa e të tjerët. Këtë e dëshmon fakti që kur Rrahman Morina e kuptoi lojën çnjerëzore të Milloseviçit, kur e kuptoi që ishte veç një instrument në dorën e Milloseviçit, atëherë Rrahman Morina u rebelua dhe e vranë në Parlament. Ai vdiq si tradhtar për shqiptarët dhe nuk do të mirret askush me të, por megjithatë ai u rebelua në fund dhe nuk vazhdoi të ishte masha e Milloseviçit. Kaq ishte me Rrahman Morinën.

(E pra, edhe nëse Rugova ishte “mashë”, sipas aludimeve tua, ai arriti t’ia fuste Milosheviqit, e kjo është politikë! Kjo është zotësia e një politikani, se fundi mbahet mend! /AÇ)

Në anën tjetër Milloseviçi kishte vendosur, që ata që nuk pranojnë të jenë pjesë e kushtetutës së re, do largohen nga puna, nga shkollat, nga çdo institucion. Pra me një fjalë nuk je më qytetar, por thjeshtë një qënie pa të drejta, apo një vegël pune që flet dhe që duhesh të sillesh sipas urdhërave të serbëve, jo sipas rregullave. Rregullat dhe ligjet ishin vetëm për serbët.

(Prandaj Rugova krijoi pushtetin paralel dhe doli me opsionin e Kosovës Republikë…! /AÇ)

Mirëpo Milloseviçi e dinte që shqiptarët mund të rebelohen. Për të pasur nën kontroll këtë gjë, i duhej një lëvizje paqësore, e ngjashme me lëvizjen paqësore të Gandit në Indi, të cilën lëvizje e kishte planifikuar shërbimi i inteligjencës britanike, ku përmes një lëvizje të tillë anglezët eksploatuan me dekada një popull, që kishte gati një miliardë banorë. Me rrëmojza dhëmbësh do e kishin fituar luftën kundër anglezëve. Për fund Gandi vritet nga një idealist i lirisë, pra një qytetar indian.

(Ti a po mendon se Milloja i bëri të gjitha në Kosovë a? Prandaj e nënvleftëson politikën e refuzimit estetik, që Rugova u bëri serbëve dhe regjimit të Millos! /AÇ)

Milloseviçi për të bërë këtë lëvizje paqësore, kishte angazhuar ‘intelektualët’ më lojalë që Lidhjen e Komunistëve ta shëndrrojë në një parti tjetër, që shqiptarët do i shkonin pas. Dhe pa u çuditur fare kështu ndodhi. Lidhja e Komunistëve shëndrrohet brenda natës në LDK. Të gjithë e dijmë që në fillimet e para të LDK-së, personi që ka vrapuar për të biseduar me intelektualët shqiptarë se kush të bëhet kryetar i LDK-së, ka qenë pjesëtar i UDB-së.
Pra UDB-shët i fusnin nën kontroll të drejtëpërdrejtë shtresën intelektuale përmes një partie që do të quhet kombëtare. Në anën tjetër LDK në programin e saj kishte disa paragrafe që shkruante që nuk e cenon territorin e Jugoslavisë e rrjedhimisht të Serbisë.
Personi që pranoi të bëhej kryetar i LDK-së ishte Ibrahim Rugova. Dihet mirëfilli që të paktën katër doktorë tjerë shkencash e kanë refuzuar këtë pozitë.

(Dallimi në këtë rast duhet të gjendet te detajet… Nga Lidhje Komuniste, u bë Lidhje Demoktratike, që u orientua jo nga Lindja e Rusia, por nga Evropa e Amerika! /AÇ)

Me krijimin e LDK-së trasohet rruga paqësore e Milloseviçit për shqiptarët e Kosovës.
Veç të sqarohemi se politikë paqësore nënkupton kur dy palë me të drejta të barabarta dhe përafërsisht me forca të barabarta, mund të dakordohen që të mos bëjnë luftë me njëri-tjetrin për ndonjë mosmarrëveshje. Psh. Korea e Veriut dhe Korea e Jugut zbatojnë politikë paqësore mes vete, mirëpo sëcili në shtetin e vet është Zot vetë.

Politika paqësore e njëanshme, kur një popull është i pushtuar, nuk është më politikë paqësore, por nënshtruese. Edhe qëllimi i Milloseviçit ishte ky, një politikë ku shqiptarët nënshtrohen deri në gjunjëzim para tij.

(Po pra, e sqarova më lart, nëse ti do luftë me Serbinë, duhet edhe me qenë në pozita të barabarta ushtarakisht me ta, apo me hy në luftë me kruese dhëmbësh e me shkua Kosova për lesh? Prandaj Rugova, që ishte më i mençur e më largpamës, mendoi shpëtimin e popullit të Kosovës, e jo mashtrimin e tij, dhe punoi vazhdimisht për të fituar simpatinë dhe mbështetjen e Perëndimit dhe ia arriti… /AÇ)

Pas kanalizimit të shqiptarëve në rrugën paqësore, fillon eksploatimi. Planet e inteligjencës serbe i ngjajnë planëve të sektorit të ekonomisë të SS-ve të Hitlerit.
Shqiptarët së pari të shfrytëzohen ekonomikisht deri në metelikët e fundit, pastaj të rrahen, të torturohen, të ç’njerëzohen e në fund, o të vdesin, o të ikin vetë ku të dojnë. Kështu policia serbe fillon shfrytëzimin direkt të shqiptarëve duke u shqiptuar dënime pa fund në trafik. Duke ua mbledhur faturat si obligim ndaj administratës me dhunë. Duke i maltretuar në forma të ndryshme. Duke u kërkuar armë, që nuk i kishin dhe duke i detyruar ata që ti blejnë ato armë dhe ti dorëzojnë.

(Këtë gjë ta bëjnë edhe danezët e sidomos gjermanët, etj. nëse duan me të përndjekë… /AÇ)

Listat e shqiptarëve të maltretuar janë pafund. Nuk ka shqiptar që e kanë dërguar në stacion të policisë që pasi e kanë rrahur mirë, nuk ia kanë kërkuar 500 marka gjermane, nëse don t’iu shpëtojë rrahjeve tjera. Të gjithë i kanë paguar. Ku ka ma fyerje të dinjitetit njerëzor sesa kjo metodë, të rrahë derisa shkon në Spital dhe pastaj edhe të kërkon të paguash për lodhjen e policëve që të kanë rrahur…

(Një kosovar më tregoi një herë, se ndërsa dilte nga Burger King-u në mesnatë në Darmstadt, ku punonte, e arrestoi policia gjermane. I kishin nxjerrë një foto të tij në kompjuter dhe i thonin “ti je ky”… Ai kishte emrin e një intaliani në kërkim, gjoja, por fotoja tha ky, ishte e tij. “E unë u thosha”, – tregonte kosovari, “po jam more Avdush Humolli, jo ky italiani. Më lanë zhveshur (cullak) disa orë në qeli, e psastaj më lëshuan… Si e quan ti këtë metodë? /AÇ)

Nga kjo metodë, qindra miliona marka janë inkasuar për mirëmbajtjen e administratës policore të Milloseviçit.

Në anën tjetër, shqiptarët ishin obliguar nga LDK-ja (një parti e organizuar nga UDB-ja), që të paguanin 3% për mirëmbajtjen e administratës paralele të shqiptarëve, që si qëllim të vetëm e kishte me rujtë frymëmarrjen. Nuk kishte asnjë plan real për të dalur nga kthetrat e Milloseviçit. Në fakt si do mund të dilte nga një rrugë e trasuar nga vet ai!?
Pra shqiptarët e shkretë, të mbajtur vazhdimisht nën frikë, paguanin për shtetin serb obligimet, nëse i vononin ato, i paguanin me dajak.

Ndërsa, nëse dikush nuk e paguante tre përqindshin, e quanin shqiptarët tradhtar.

(3%-shi financoi pushtetin paralel, por edhe punët diplomatike të qeverisë së Kosovës në ekzil. Pak ka qenë… Pa para, si do fitohej mbështetja ndërkonbëtare sipas teje? A kujton se ia ndien kujt fort për ty a?! Edhe në këtë rast, duhet parë mundësia reale. Është e lehtë të kalohet në paranojë, LDK – krijesë serbe… Ashtu u mendua në fillim edhe për UÇK-në… Por kur një lëvizje bëhet aq e madhe, sa themeluesit e drejtuesit nuk munden ta mbajnë nën fré, ajo del edhe jashtë kontrollit të krijuesve të vet dhe të merr përpara. Dhe LDK ngjalli shpresë, ngjalli te shqiptarët idenë e Kosovës Republikë dhe të pavarur nga Serbia… Po të mos ishte LDK, ku do e merrje ti e të tjerët këtë ide? Ndoshta do ushqeheshit me ato që thoshte Demaçi e Ukshin Hoti, për bashkimin kombëtar. Por taktikisht, Rugova ishte më i avancuar. Nëse kërkohej bashkim me Shqipërinë, kundërshtia serbe dhe e forvave ndërkpombëtare do ishte më e madhe, deri sa edhe mund të dështonim… Prandaj ju e disa të tjerë, nuk e kuptuat Rugovën në misionin dhe idetë e tij… /AÇ)

Eksploatimi i Milloseviçit nuk ndalon vetëm me mbledhje të markave nga rrahjet e shqiptarëve. Ai organizoi në mënyrë të përkryer shëndërrimin e shqiptarëve në makinë konsumuese të produkteve serbe. Së pari, me largimin e shqiptarëve nga puna, hapi rrugët që të rinjtë shqiptarë të dalin jashtë vendit për të kërkuar mbijetesën. Serbët e dinin mirë që ata do i dërgojnë paratë e tyre familjarëve në Kosovë, para që derdheshin më pastaj komplet në ekonominë e Serbisë. Çdo vit mbi 800 milion marka gjermane, shqiptarët i dërgonin në ekonominë serbe, duke ia siguruar Milloseviçit likuiditetin në valutë të huaj.
Inflacioni i dinarit në Serbi ishte përtej limiteve. Me një inflacion të tillë nuk do kishte politikan që do mund të mbante pushtetin, mirëpo Milloseviçi e amortizonte këtë inflacion falë eksploatimit të Kosovës.

Qindra miliona nga shfrytëzimi i drejtëpërdrejtë fizik i shqiptarëve, disa miliarda nga shfrytëzimi i ndërmarrjeve publike (Trepça, Ferronikeli, KEK-u e kompani tjera), fondin pensional e gjithçka, që ishte ndërtuar me vite nga shoqëria kosovare.
Qëllimi i fundit i Milloseviçit ishte vrasja e shqiptarëve. Çka do mblidhte Milloseviçi nga një shqiptar i vrarë? Asgjë.

Sikur Milloseviçi të donte vërtetë luftë në Kosovë, atëherë do kishte organizuar vrasjen e disa serbëve dhe lufta kishte filluar. Dëshmi e kësaj janë vrasja e të rinjëve serbë në një lokal në Pejë nga beretat e Kuqe në fund vitin e 98-tës, për të marr më pas një aksion të masakrave kundër shqiptarëve në Qyshk e më gjërë.

(Millosheviqi e serbët e donin dhe e duan Kosovën pa shqiptarë. Dhe planet e tij u ndihmuan mjaft mirë nga UÇK, e Kosova do shpopullohej, sikur të mos ndërhynin ndërkombëtarët e sikur në Rambuje, Rugova të mos këmbëngulte përkundër Millosheviqit, që ta firmoste marrëveshkjen e propozuar nga Ollbrajt! /AÇ)

Kjo ka qenë një periudhë plot frikë dhe dhunë, andaj intelektualët në Prishtinë duke qenë nën presion të vazhdueshëm kanë menduar që nuk ka zgjidhje tjetër, andaj kanë pranuar zgjidhjen e imponuar dhe me ose pa vetëdije i kanë kontribuar planeve të Milloseviçit. Natyrisht që brenda LDK-së ka pasur edhe njerëz të pafajshëm dhe të ndershëm kombëtarisht, por ata kurrë nuk e kanë ditur saktë çka si dhe qysh mendon LDK-ja me ardhur deri tek LIRIA. Çdo përpjekje e tyre për të bërë diçka ndryshe, është neutralizuar nga Kryesia e ngushtë e LDK-së, sepse ata nuk kanë guxuar me shkelë vijën e kuqe të padronit të tyre.

(Edhe këtu kam një pikëpamje tjetër… Rugova e kishte ndarë mendjen, pa përkrahje ndërkombëtare nuk mund ta përballoje dhunën serbe. Tani nëse shqiptarët në Kosovë kapeshin me luftë me serbët, pa armë e pa ushtri e pa mbështetje nga ndërkombëtarët, serbët do merreshin më shumë me Kosovën, se me Bosnjen, se i urrenin shqiptarët edhe më shumë. E falë politikës paqësore të Rugovës, Kosova shpëtoi në fakt më mirë relativisht se Bosnja. Kadare që sugjeroi në një moment, që kosovarët të ngriheshin në protesta me studentët e Beogradit, e kuptoi këtë më pas, dhe i kërkoi ndjesë Rugovës më pas… Por jo të gjithë e kuptojnë dhe nuk e di nëse ti edhe tani, që po e sqaroj unë, do e kuptosh kështu si unë, a jo?! /AÇ)

Alternativa tjera natyrisht ka pasur, nuk janë eksploruar sa duhet.
Sa i përket meritave të Rugovës për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar, nuk janë veç meritë e tij. Të gjithë shqiptarët që kanë jetuar jashtë kanë bërë çmos që çështja e Kosovës të dali në sipërfaqe. Po të mos ishte Dioguardi e shqiptarë të tjerë, Rugovën nuk do e priste askush për të thënë ndonjë fjalë.

Shumica e takimeve me lider të ndryshëm botërorë, është organizuar nga burra shqiptar atdhetarë e që Rugova nuk ka mundur me i refuzua. Megjithatë asnjë takim Rugova nuk e ka pasur me ndokënd, pa dijeninë e UDB-së, sepse UDB-në i ka pasë brenda kryesisë së LDK-së.

(Tani këtu qëndron problemi, se shqiptarët jashtë Kosovës mund të bënin shumë, mund të bëjmë shumë psh. edhe për Çamërinë, por pa një lider në vend, pa Rugovën – president i zgjedhur i popullit të vet në Kosovë, nuk kishte zgjidhje e as negociata, a e kupton tani? Prandaj Rugova ishte kyçi i gjithë lëvizjes, prandaj rrinte në Prishtinë, jo se donte UDB, por se ky u kishte blerë serbëve mendjen, dhe po i përdorte ata, që të shpëtonte Kosovën me mënyrën e “parrezikshme” të tij, dhe sot po vlerësohet më shumë për rolin e tij edhe sot, se dje. Nuk ka qenë e lehtë për Rugovën ta luante atë lojë politike! /AÇ)

Kur doli UÇK-ja, Rugova nuk besonte që mund të ketë shqiptarë që do kishin bërë mendjen top për t’iu kundërvu Serbisë me luftë. Ai nuk hezitoi ta quante UÇK-në dorë e zgjatur e Serbisë, sepse duke qenë vetë i kontrolluar nga Serbia, kishte arsye të besonte që çdokush tjetër do e kishte të njëjtin fat.
Dorën në zemër, UDB-ja ka mundur të ketë të infiltruar ndokënd brenda UÇK-së e që Rugova ta ketë njohur, por infiltrimi nuk është i njëjtë me kontrollin.
Edhe kur vriteshin djemat e UÇK-së në fushat e betejave, prapë Rugova nuk besonte dhe asnjëherë nuk shprehi gadishmërinë të mbeshteste këtë forcë të armatosur si një alternativë e dytë për të arritur LIRINË.

(Tani problemi qëndron, nuk bëhej politikë në atë kohë, si tani komente në FB. Të ikte koka. Por mendoj se dy janë arsyet e dyshimeve të Rugovës për UÇK-në, 1. disa nga drejtuesit e saj të infiltruar nga UDB dhe 2. përpjekjet për luftë të shqiptarëve, që po të mos ndërhynin forcat ndërkombëtare, Kosova do shkatërrohej. U vranë megjithatë dhjetëra mijëra shqiptarë nga kjo luftë, u përdhunuan 20 mijë gra shqiptare nga ushtarët serbë, nuk është gjë e mirë, apo jo? E këto i para-dinte Rugova se ndodhin, ai mendonte ndoshta se mund të shkëputet Kosova nga Serbia një ditë, edhe pa luftë, siç bëri psh. Mali i Zi… A ishte e mundur kjo? Nuk i dihet… /AÇ)

Nga aspekti i jetës së tij private, më dhimbset shumë dhe këtë e them me plot sinqeritet. Kjo për faktin që ka jetuar në një botë të konfuzionit personal brenda një strukture të kontrollit me frikë dhe kërcënime. Një situatë të tillë jetësore ai mundi ta përballojë vetëm duke pirë raki…

(e cigare, që i morën jetën… /AÇ)

Ndërsa nga aspekti i politikës në rrethana të vështira, ka qenë një njeri pa aksion për popullin e vet. E të bësh politikë që ia plotëson planet pikë për pikë armikut, dhe ta vazhdosh atë politikë pafund, është e dhimbshme deri në palcë.

(Se nuk ke rrugë tjetër më të mirë ndoshta… Mendoje edhe këtë… Vlen truri më shumë se loqet nganjëherë… edhe pse situata në Kosovë, si e sqaron në librin e tij Bajram Kabashi te “Rilindja, Përkushtim dhe Trishtim, njeriu mundet me mendua se edhe jetën e jep, dhe nuk e lë veten të poshtërohet ashtu. Por politika nuk është e lehtë jo, e sidomos në kohë e situata të tilla! Prandaj Rugova, mendoj, ka vlera të pamohueshme! Ai e goditi edhe veten me raki e cigare deri në vetëshkatërrim, për të përballuar misionin për një Kosovë të pavarur! /AÇ)

Tash pas ca dekadash Kryeministrin e kemi nga pasardhësi i partisë së Rugovës. Kur zyrtarët e Shqipërisë dhanë disa deklarata qëllim mira për Prishtinën, ai gati sa nuk i shpalli luftë Tiranës, duke thënë që Shqipëria nuk ka të drejtë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Ndërsa kur gjenerali serb i akuzuar për krime në Kosovë, kishte hyrë në Kosovë pa e pyetur fare Prishtinën, Kryeminstri tha që nuk ishte në dijeni për këtë. Natyrisht që padronët nuk mund t’i kontrollosh.
Nëse dikush në Kosovë mendon që kjo është një rastësi, atëherë të dashur qytetarë të Kosovës, më vjen jashtëzakonisht keq për ju, dhe se kot e keni të drejtën e votës, kur ju mungon aftësia e gjykimit.

(Shoku jonë, e keqja Kosovës sot po i vjen nga Presidenti i Kosovës, që po lobon agresivisht, si e si me ia falë veriun Serbisë, sa mundet i bind edhe amerikanët… Kryeministri po i vë taksë Serbisë dhe po ia mblesh rrenat, me aq sa mundet! /AÇ)

Pasi e kam vështruar këtë periudhë kohore ngadalë, duke vënë copëzat e ngjarjeve njërën pas tjetrës, nuk më doli asnjë arsye për ta pasur idol Ibrahim Rugovën. Përndryshe nuk kam asgjë personale dhe nuk ndjej aspak urrejtje ndaj tij. Vetëm se si qytetar i Kosovës kam drejtë të kem vështrime kritike ndaj secilit, që mirret me planifikimin e jetës shoqërore në vendin tim. Këtë të drejtë ma jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

(E për në fund, po të them, keq më vjen boll se Rugova nuk kishte shkop magjik, për ta çliruar Kosovën dhe për t’i lënë të gjithë të kënaqur. Por në kohë të vështira dalin edhe burrat e mëdhenj, ashtu si edhe legenat e tradhëtarët. Të jesh i sigurtë, historia do e vlerësojë Rugovën si një nbdër njerëzit e politikanët më të mëdhenj shqiptarë të kohës sonë, dhe një personalitet, që nuk i vjen një populli të vogël edhe aq shpesh, i vjen rrallë, ndoshta duhen dekada, që të vijë! /AÇ)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)