Zekë S. Sinanaj u lind më 2 korrik 1957 në fshatin Isniq të Deçanit. Ka mbaruar studimet bazike të juridikut, në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1984 ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP), deri në korrik të vitit 1990 kur ai dhe kolegët e tij u larguan dhunshëm nga regjimi serb. Gjatë 90-tave ka shkruar për gazetat: ‘’Bujku’’, ‘’Gazeta Shqiptare’’, ‘’Kombi’’ dhe ‘’Dielli’’. Reporter për Radio Zagrebin, në emisionin informativ në gjuhën shqipe, ku poashtu gjatë kësaj kohe ka qenë ndër drejtuesit e Qendrës për Informim të Kosovës – QIK, në Deçan. Për shkak të veprimtarisë së tij, disa herë është arrestuar dhe maltretuar nga forcat e regjimit të atëhershëm.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka raportuar për zonën e Dukagjinit në mediume të ndryshme, si reporter i rregullt në Radio Televizionin Shqiptar - Programi Satelitor. Ka bashkëpunuar edhe me Radio Deutsche Welle, Radio Zëri i Amerikës, Radio Free Europa dhe me agjencione të ndryshme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Me raportimet dhe xhirimet e tij ka arritur ta sensibilizojë opinionin vendor e ndërkombëtar rreth dhunës dhe masakrave që ushtronte pushteti serb i kohës. Në veçanti, raportimet për masakrën e 25 Majit 1998 dhe 1 Prillit 1999, të dyja në fshatin Lybeniq, ku u masakruan rreth 100 persona. Pastaj masakrën e Belegut, atë të Mejës si dhe zhvillimet luftarake që bëheshin në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe. Ka qenë pjesëmarrës pothuaj i të gjitha zhvillimeve dhe ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Dukagjin.
Pas luftës ka vazhduar punën si gazetar/redaktor në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Fillimisht ishte i angazhuar në edicionin e lajmeve, ndërkohë ka udhëhequr emisionet informative-politike: ‘’Intervista e Javës’’ dhe ‘’Pro et Contra’’.
Me shpërthimin e luftës në Luginë të Preshevës është angazhuar si reporter në luftimet e drejtpërdrejta në mes të UÇPMB-s dhe forcave serbe. Njëherit ka përcjell edhe bisedimet e palës shqiptare dhe serbe për arritjen e marrëveshjes në Konqul dhe Lluçan të Preshevës.
Ka realizuar rreth 20 filma dokumentarë për personalitete dhe ngjarje historike të periudhave të ndryshme. Po ashtu ka realizuar shumë emisione-reportazhe nëpër treva të ndryshme shqiptare dhe me gjerë. Janë të njohura emisionet të realizuara në Plavë e Guci, Tuz-Malësi e Mbishkodrës, Rozhaj, Zarë të Kroacisë, Maqedoni dhe Shqipëri.
Dokumentar Televizivë në RTK :
1.Kthimi i heroit Rrustem Bruqi,
2. Arkivolet e Tmerrit ( kushtuar ushtarëve të vrarë në ish APJ-në,
3.Ora e Babës ( dedikuar familjës Januzi të fshatit Mazhiq të Shalës së Bajgorës, ku dy prej vëllezërve janë të dënuar më vdekje),
4. Ora e Atdheut (dedikuar atdhetarit Hoxheë Zekë Berdynaj),
5.Mbijetesa kushtuar shqiptarëve në Rozhajë të Malit të Zi,
6. Arbneshët e Zares. etj.
Kohëve të fundit është angazhuar në realizimin e dy librave, njëri prej tyre një libër voluminoz "Kujtime nga Lufta".
No comments:
Post a Comment