Shenide Bilalli, gazetare e luftës të ish-Jugosllavisë që më 1991 me dokumentarët e saj kundërshton regjimin e kryekriminelit Sllobodan Milosheviçit
Shenide Bilalli, gazetarja nga Prishtina ka plot 24 vjet që jeton në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Ajo është e njohur si skenariste e regjisore televizive në programin Dokumentar, por edhe si gazetare e programit informativ me tema aktuale të Kroacisë.
Shenide Bilalli është shqiptarja e parë nga Kosova që ka kryer Akademinë për Teatër, Film dhe Tevizion në Zagreb, më 1983. Ajo ka realizuar më tepër se 300 filma dokumentarë, dramat Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Monologu i Teutes.
Publikun në Kosovë e bëri për vete me tema të guximshme sociale, por shpejt e zotëroi edhe tregun e ish Jugosllavisë me filmin „ Krahu i thatë“, i cili flet për gjendjen e rëndë të Kosovës në vitin 1989, ku intelektualët, për shkak të papunësisë shitnin krahun e punës si hamallë. Me mjeshtri dhe stil të veçantë autorja hyn në konkurrencën më të ngushtë për shpërblimin në festivalin televiziv në ish Jugosllavi. NEUM 1990.
Aty mori ftesën nga TV Zagrebi, për të punuar për programin Dokumentar dhe emisionin e femijëve. Në 1991 sipas skenarit dhe regjisë së saj, xhiron serinë “Çka ?Kush? Ku ?” me motive nga Bibla, ne 10 episode me aktorët më të njohur të Kroacisë.
Në vitet 1990 mediumet dhe televizioni kroat ishin plot lëvdata dhe shumë vlerësues për talentin e shqiptares 30 vjeçare, por Shenide Bilalli, nuk e harroi kurrë vendlindjen e saj dhe më 1991 xhiron filmin dokumentar për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova „Kur e humbi vendlindjen“.
Në filmin plot skena të trenave kundërshton regjimin e Milosheviçit dhe paraqet gjendjen reale në Kosovë, dëbimin e rinisë dhe forcës mashkullore që largohen nga Kosova për shkak gjendjes së keqe, emigrojnë dhe bëhen njerëz pa status në botë.
Me stil të veçantë dhe me një sensibilitet tepër të hollë, Shenide Bilalli iu bashkohet nënave Kroate „Bedem Lubavi“ –“Muri i Dashurisë” të shpëtojnë djemtë nga ARJ, dhe kështu fiton simpatinë e teleshikuesve kroatë.
Filmi „Muri i dhimbjes“, 1997, Shenide Bilallin e ngjiti në skenën botërore ku përfaqësoi Kroacinë në Kanë. Me këtë film tërhoqi vëmendjen jo vetëm të kritikës por edhe të politikës botërore, ku shpejt doli në dritë e vërteta për të zhdukurit dhe pa vonuar, u hapën gropat e të vdekurve në Vukovar dhe u gjet shumica e të zhdukurve.
No comments:
Post a Comment