2020-01-20

Herë me letra e herë me video po vazhdon komunikimi nga larg i Vetëvendosjes me LDK-në.

Rezultate imazhesh për hashim thaçi


Presidenti del me dekret, e kryetari i VV-së me video të re drejtuar LDK-së

Herë me letra e herë me video po vazhdon komunikimi nga larg i Vetëvendosjes me LDK-në.

Këtë të hënë, përmes një videoje Albin Kurti njoftoi se po e dërgojnë emrin e tij te presidenti që të mandatohet për kryeministër, ani se nuk ka marrëveshje me LDK-në për krijim të Qeverisë.

Pak orë më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e miratoi emrin e Kurtit për kryeministër derisa e ka quajtur “hap të rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja”.

Letrën me emrin e mandatarit, presidenti ia ka dorëzuar menjëherë Kuvendit të Kosovës.

Kështu, bazuar në Kushtetutë, ka nisur rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh që Vetëvendosje të arrijë të gjejë partner koalicioni.

Vjosa Osmani, personi më i votuar në LDK, ka folur edhe një herë për nevojën e bisedimeve mes palëve dhe lënien anash të mospajtimeve për arritjen e marrëveshjes.

Bazuar në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, atëherë presidenti brenda 10 ditësh duhet të emërojë një kandidat tjetër.

Mandatimi i një personi tjetër është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese rreth 6 vjet më parë.

Sipas kësaj gjykate, është në diskrecion të presidentit të vendosë nëse do t’ia japë edhe një mundësi partisë që ka fituar shumicën në Kuvend, apo të kërkojë nga partitë e tjera nominimin e kandidatit për kryeministër.

“Nuk duhet të përjashtohet që presidenti i Republikës mund të vendosë t'i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend. Gjykata konsideron se presidenti i Republikës duhet të vlerësoje se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Kushtetueses.

Mandatimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për kryeministër është bërë pas tre muajsh e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve.

Rezultate imazhesh për hashim thaqi albin kurti

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëron Kurtin, kërkon të pranojë ose refuzojë nominimin për kryeministër
Formim sa më të shpejtë të qeverisë së re, kanë kërkuar sërish ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit gjatë së dielës, Thaçi, duke folur për formimin e mundshëm të qeverisë, ka thënë se është në vullnetin e spektrit politik ta përmbyllë procesin e formimit të institucioneve.

Ai ka shtuar se shpreson që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk do të marrë shumë kohë për ta pranuar pozitën e mandatarit të qeverisë, përndryshe, siç thotë, duhet ta deklarojë refuzimin.

Derisa, Walker, duke treguar se sa krenar është për arritjet e Kosovës, ka thënë se këtij vendi i duhet qeveria sa më shpejt.

“Mendoj se Kosovës i duhet qeveria, tashmë keni humbur 100 ditë, sot është dita e 101-të apo 102-të, dhe shpresoj që nuk do të zgjasë edhe shumë çështja e formimit të qeverisë dhe Kosova të kthehet në rrugën e progresit, atë që të gjithë në Kosovë e duan dhe më e rëndësishme mbetet që të jeni vend i suksesshëm në Evropën Qendrore”, ka deklaruar ai.

E videon e cila javën e kaluar u shpërnda në rrjetet sociale, ku shihej se Thaçit nuk ia zgjaste dorën Walkeri, e demantoi ky i fundit.

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili po qëndron në vend në shënimin e 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, ka pasur takim edhe me kreun e Lëvizjen e Vetëvendosje dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga edhe ku ka kërkuar që sa më shpejt të formohen institucionet.

Edhe tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Prandaj, prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me qeveri në dorëheqje.

Rezultate imazhesh për hashim thaci albin kurti isa mustafa

Presidenti Hashim Thaçi, mesazh Albin Kurtit: Refuzoje nëse nuk je i gatshëm për të qeverisur

Albin Kurti nuk ka edhe shumë kohë që t’i dërgojë presidentit emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Ky ka qenë paralajmërimi i kreut të shtetit, Hashim Thaçi për Kurtin gjatë së shtunës, të cilit i ka kërkuar të refuzojë këtë përgjegjësi, nëse nuk është i gatshëm për të qeverisur.

Thaçi ka thënë se tashmë ka vendosur nënshkrimin e tij në vendimin për ta mandatuar Kurtin, dhe se po pret që edhe kryetari i Vetëvendosjes t’i shkojë në zyrë dhe ta firmosë atë vendim.

Paralajmërimi tjetër i Presidentit ka qenë ai se vendi nuk do të vazhdojë të jetë i bllokuar për kohë të gjatë, duke lënë të kuptohet se mund t’i dëgjojë edhe zgjidhjet e partive tjera.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar, do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe variacionet politike që kanë partitë për respektimin e vullnetit qytetar”, ka thënë  presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, kanë vazhduar edhe më tutje mospajtimet ndërmjet VV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar në një intervistë për portalin Koha.net se nuk mund të bisedojë me të njëjtën logjikë si të Vetëvendosjes.

“Nuk është LDK-ja, ajo që kërkoi të kthehemi para datës 26 dhjetor 2019, por LVV-ja, sepse ne si LDK, ecurinë e marrëveshjes e kemi lënë pikërisht para 26 dhjetorit. Dhe, LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer të LVV-së. Ne nuk jemi në luftë; vetëm me logjikën e luftës okupohet territori i një vendi, pastaj i thuhet eja të merremi vesh për territorin tjetër, por këtë që e kam okupuar mbetet i imi!?”, ka thënë Mustafa.

Tutje, Mustafa e ka quajtur “ese ideologjike” letrën e fundit të Albin Kurtit, në të cilën LDK-së i kërkon të heqë dorë nga shkarkimi i Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

F.B.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...