Prof. Dr. Avdyl Krasniqi:
Përbirja e trupave të huaj tek fëmijët, simptomat dhe rreziku
Kirurgu i mirënjohur Avdyl Krasniqi ka përgatitur një shkrim për Gazeta Shneta ku mund të mësoni gjithçka në lidhje me përbirjen e trupave të huaj tek fëmijët dhe të rriturit.
Prof. Krasniqi ka shpjeguar në detaje për trupat që mund të gëlltiten nga fëmijët 6 muaj deri në 3 vjeç, simptomat dhe rreziqet që mund të shkaktojnë këta trupa.
PËRBIRJA E TRUPAVE TË HUAJ
Hyrja
Gëlltitja e trupave të huaj në shumicën e rasteve ndodh aksidentalisht, posaçërisht te fëmijët. Shumica e gëlltitjeve aksidentale të trupave të huaj ndodh tek fëmijët e moshës prej 6 muajsh deri në tri vjet. Tek të rriturit, gëlltitja akcidentale e trupave të huaj apo pjesë të mëdha të ushqimit (copë e mishit) më së shpeshti ndodh te njerëzit pa dhëmbë, te të sëmurët mental dhe tek moshat e shtyera.
Epidemilogjia dhe patofiziologjia
Kjo gjendje patologjike është relativisht e shpesht në botë, ku 80% prej tyre janë fëmijë. Fatmirsisht, shumica e trupave të huaj që arrin në zorrë eliminohen spontanisht. 10-20% prej tyre duhet të nxirren me metoda endoskopike dhe rreth 10% kanë nevojë për trajtim kirurgjik. Vdekshmeria nga gëlltitja e trupave të huaj është ekstrem e ulët, por megjithatë në literaturë janë raportuar edhe raste të vdekjes nga gëlltitja e trupave të huaj.
Trupat e huaj që gëlltiten më së shpeshti
Në trupat e huaj që më së shpeshti i gëlltisin fëmijët janë: monedhat e metalit, bateritë në formë disku (pulle), lodrat dhe pjesët e lodrave, gjilperat, vidat, rruazat, eshtërat dhe copa ushqimi (mishi). Ndërsa te rriturit, më së shpeshti përbijnë akcidentalisht halat e peshkut dhe eshtëra e pulës (foto 1), ilaçe, dhëmbët, monedhat metalike. Vemendje të veçantë duhet kushtuar adoleshentëve me sëmundje psikike sepse mund të përbijnë sende shumë të rrezikshme siç janë bateritë e mëdha, magnete me fuqi të madhe, objekte të mprehta, paketime narkotikësh, absorbues të fuqishëm etj.
FOTO 1: Kocka e pules e perbire akcidentalisht e cila ka shkaktuar shperthim te zorrës – e nxjerrur me operacion
Çka mund të shkaktojnë llojet e ndryshme të trupave të huaj?
Monedhat e metalit përbihen më së shpeshti tek fëmijët. Varësisht nga madhësia e tyre dhe vendi ku ndalen në organet e tretjes, ato mund të shkaktojnë lëndime të ndryshme.
Bateritë në formë disku tani përbihen mjaftë shpesh për shkak të përdorimit gjithnjë e më të madhë të tyre në amvisni dhe prodhimet rekreative. Në 3% të rasteve këto mund të shkaktojnë probleme akute serioze shëndetësore siç janë djegëja, shpërthimi apo fistula të ezofagut dhe segmenteve tjera të tubit tretës nga veprimi kontaktit të drejtë për drejtë. Gjithashtu këto mundë të shkaktojnë nekrozë kaustike nga se në vete mund të përmbajnë metale të rënda siç janë merkuri (zhivë), argjent, litium dhe hidrokside të natriumit dhe kaliumit.
Objektet e mpehta si gjilpërat, klipat e ndryshëm, halat e peshkut, kockat e pulës etj, kanë rrezik të lartë për të shkaktuar perforim (shpërthim) të ezofagut dhe zorrëve.
Gëlltitja pjesëve të ushqimit që mbesin kryesisht në ezofag. Më së shpeshti ndodh të mbesin pjesë të mishit, apo copa ushqimi. Kjo ndodh më shpesh në rast të gjendjeve të ndryshme patologjike në ezofag.
Magnetet e ndryshme gjithnjë e më shumë gjinden në lojëra të fëmijve dhe mjete shtëpiake. Prandaj, aksidentale e tyre është rrezik permanent, posaçërisht te fëmijët. Në organizëm ato mund të shkaktojnë ngjitje të zorrëve, në raste kur janë në të njëjtën kohë dy pjesë magneti, ato tërhiqen në mes vete. Magneti i vendosur në zorrë mund të ngjitet për murin e barkut në vende ku në lëkurë ka pjesë metali, rrypi e të ngjashme. Përbirja e magneteve dyshohet se shkakton edhe ngadalsim në zhvillimin e fëmiu dhe autizëm.
Objektet e gjata si lugë, brusha të dhëmbëve e të ngjashme, që më shpesh përbihen nga fëmijët e moshës më të madhe dhe nga adoleshentët dhe të rriturit, mund të shkaktojnë komplikime serioze shëndetësore nëse nuk trajtohen me kohë.
Objektët që përmbajnë plumb si pjesët e plumbit në grepat e peshkimit, saçme, predha të rrumbullakta të pushkëve ajrore dhe disa lodra të ndryshme të fëmijeve, mund të shkaktojnë helmim akut me plumb. Veprimi toksik i plumbit është shumë i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë edhe komplikime fatale.
Kapsulat endoskopike që sot përdorën për qëllime diagnostike të brendisë së zorrës, mund të mbesin në lumen dhe të shkaktojnë probleme serioze në funksionimin e tretjës së ushqimit.
Çfarë simptomash dhe shenja klinike shkaktojnë llojet e ndryshme të trupave të huaj?
Manifestimet klinike të cilat shkaktohen nga përbirja e trupave të huaj varen nga vendi ku është ndalur trupi i huaj në traktin gastro-intestinal dhe nga lloji i trupit të huaj të gëlltitur.
Trupat e huaj të mbetur në ezofag shkaktojnë më së shpeshti dhimbje gjoksi, pengesa në përbirje, vjellje, humbje apetiti, pengesa në frymëmarrje etj.
Trupat e huaj që kanë arritur në lukth dhe zorrë, nëse nuk janë të mëdhaja që të shkaktojnë obstrukcion të lukthit, mund të kalojnë pa dhënë simptoma të theksuara.
Diagnoza
Diagnoza e hershme është me rëndësi jetike për parandalimin e komplikimeve dhe shërimin e suksesshëm.
Diagnoza përcaktohet me ndihmën e historisë së detalizuar të sëmundjes (tek fëmijët të dhënat detale i jep prindi ose kujdestari), ekzaminimit gjithëpërfshirës dhe të kujdesshëm klinik dhe duke shfrytëzuar metodat diagnostike imazherike (rendgeni, tomografia e kompjuterizuar, rezonanca magnetike, ultrasonografia etj.) të cilat konfirmojnë diagnozën dhe caktojnë lokalizimin e trupit të huaj në organin përkatës (Foto 2)
Në rentgengrafinë e gjoksit shihet monedha e mbetur ne ezofag.
.Mjekimi
Intervenimi urgjent – Intervenimi urgjent që përfshin nxjerrjen e trupi të huaj me metoda endoskopike apo ndërhyrje tjera është i nevojshëm nëse:
Trupi huaj i gëlltitur është mjet i mprehtë, i gjatë (≥ 5cm), apo bëhet fjalë për ndonjë mjet superabsorbues, sic janë disa pjesë të lodrave të fëmijëve që përmbajnë polimere me aftësi të mëdha absorbuese, të cilat brenda disa orësh fryhen duke thithur lëngjet trupore, dhe mbyllin kështu lumenin e zorrës.
Trupi i gëlltitur (apo disa pjesë) është objekt me forcë magnetike të lartë.
Bateria në formë disku (pulle) e gëlltitur është e vendosur në ezofag apo lukth.
Përbirja e trupit huaj ka kompromituar rrugët e frymëmarrjes.
Ka shenja të mbylljes së pothuajse të terësishme të ezofagut (pacienti nuk mundet të përbij lëngjet).
Janë të pranishme shenjat inflamatore apo të mbylljes së zorrëve (ethe, dhimbje barku, vjellje etj.)
Intervenimi programuar – Kryhet te rastet që nuk hyjnë në kategoritë e mësiperme. Zakonisht aplikohet pasi që është caktuar diagnoza e saktë dhe është caktuar vendlokalizimi i trupit të huaj. Në rastet kur trupat e huaj të përbirë nuk shkaktojnë simptoma dhe shenja klinike, pas caktimit të diagnozës së saktë, mund të observohen për 12-24 orë apo edhe disa ditë, pasi që shpesh ndodh që ato të eliminohen përmes pasazhës spontane. Nëse eliminimi spontan nuk ndodh, atëherë pacientët përgaditën për ndërhyrje të programuar që zakonisht kryhet me metoda endoskopike (në shumicën e rasteve) dhe me metoda kirurgjike të hapura në rastet tjera.
SI TË TRAJTOHEN DISA TRUPA TË HUAJ SPECIFIK
Monedhat – Një numër i vogël i tyre mbesin në ezofag por vetëm kapërcejnë nëpër te. Ato që mbesin në ezofag mund të shkaktojnë komplikime serioze, duke përfshirë këtu edhe mundësinë aspirimit – futjen në rrugët e frymëmarrje duke shkaktuar kështu probleme dramatike dhe shumë serioze. Prandaj, monedhat e mbetura në ezofag duhet të nxjerren urgjent. Shumica e tyre mund të largohen me metoda endoskopike.
Monedhat që kalojnë në lukth dhe pjesët tjera të zorrës observohen për një kohë të rezonshme dhe shumica eliminohen spontanisht. Rrallëherë ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike për largimin e tyre.
Bateritë – Kur bateritë mbesin në ezofag ato mund të shkaktojnë ulcerë, nekrozë dhe shpërthim të ezofagut brenda disa orësh (për më pak se 8 orë) nga veprimi rrymës elektrike që krijojnë. Prandaj bateritë e mbetura në ezofag kërkojnë ndërhyrje urgjente. Edhe në lukth, bateritë, për shkak të kontaktit të drejtë për drejtë me mukozën dhe potencialit për të dëmtuar atë, duhet të largohen nga lukthi.
Trupat e huaj me maje të mprehtë – për shkak të rrezikut të shperthimit të murit të ezofagut, duodenit apo edhe zorrës duhet të largohen me ndërhyrje urgjente. Në këtë grup hyjnë gjilpërat, klipat e drejtë metalik, halat e peshkut, eshtëra të pulës etj. Nëse këta trupa të huaj nuk largohen në kohën optimale, mund të shkaktojnë shpërthimin e zorrës dhe infekcion të cipave të zorrëve (peritoneumit) që mund të komplikohet me gjendje sepses dhe shokut septik.
Magnetet – Disa aparate shtëpiake dhe disa lodra fëmijësh përbëjnë në vete neodymium i cili ka forcë të lartë magnetike. Përbirja e tyre mund të shkaktojë dëmtime serioze të zorrëve. Dëmtimet janë edhe më të mëdha nëse janë gëlltitur dy pjesë magnetike në kohë të ndryshme, sepse magnetet e tërheqin njëra tjetrën dhe dëmtojnë zorrët në mes tyre. Përbirja e magneteve kërkon përcjellje diagnostike dinamike dhe trajtim, largim sa më të shpejtë nga trupi, qoftë me metoda endoskopike apo edhe me ndërhyrje kirurgjike të hapur.
Polimerët superabsorbuese – të cilat gjinden në disa pajisje shtëpiake dhe lodra të fëmijve. Nëse gëlltiten, mund të shkaktojnë mbyllje të tubit tretës. Këto objekte mund të smadhohen 30-60 herë kur hidrohen (thithin lëngjet e trupit) dhe kështu mund të shkaktojnë obstrukcion komplet të lumenit të zorrës. Nëse gëlltiten objekte të tilla, ato duhet të largohen menjiherë.
Plumbi – përbirja e trupave të huaj që përmbajnë plumb paraqet rrezik serioz për helmim akut me plumb. Acidi klorhidrik i lukthit e përshpejton zbërthimin e plumbit. Prandaj, trupat e huaj me përmbajtje plumbi duhet të nxjerren nga trupi sa më parë. Dhënja e inhibitorëve të pompes proteinike, duke e zvogëluar aciditetin e lukthit, e ngadalëson zbërthimin e plumbit.
Bezoaret e lukthit janë trupa të huaj që grumbullohen në lukth, formësohen gradualisht dhe marrin formën e brendisë së organit. Mund të formohen nga frutat e mbetur ne lukth (phytobezoars), flokët (trichobezoars) dhe ilaçet (pharmacobezoars). Formimi bezoarëve në lukth më shpesh ndodh te personat me të meta psikike të cilët i hajnë në mënyrë të pakontrolluar flokët, thonjët dhe materje tjera (Foto 3).
Foto 3: Fitobezoari i nxjerrur nga lukthi – pacientja 24 vjecare me te çrregullime mendore.
EDUKIMI PACIENTËVE: PËRBIRJA E TRUPAVE TË HUAJ
Kush është i rrezikuar nga përbirja e trupave të huaj? – Fëmijët janë më të rrezikuar se të rriturit për të gëlltitur trupat e huaj. Fëmijët më shpesh përbijnë monedhat, lodrat e vogëla dhe bateritë. Të rriturit më së shpeshti përbijnë trupat e huaj kur janë të dehur, janë pa dhëmbë, kanë çrregullime mentale.
A është vështirë të përbihet një trup i huaj? — Zakonisht jo. Kur një person e përbinë një objekt, objekti me ndihmën e kontrakcioneve të organeve të tretjes shtyhet teposhtë dhe mund të eliminohet spontanisht. Organet e tretjes janë ezofagu (kapërcalli), lukthi, zorra hollë dhe zorra trashë.
Por disa trupa të huaj mund të shkaktojnë problem. Këta trupa të huaj duhet të largohen nga trupi nga mjeku adekuat.
Çfarë simptomesh mund të shkakton përbirja e trupave të huaj? — Shumëë njerëz kalojnë pa simptome. Simptomet mund të jenë:
Vështirësi gjatë përbirjes
Përjargëje
Dhimbje të qafës dhe gjoksit
Kollitje, vështirësi në frymëmarrje, ngërhatje
Këto simptome më shumë ndodhin kur trupi huaj është ndalur në ezofag. Zakonisht simptomat qetësohen kur trupi huaj çvendoset nga ezofagu. Por nganjëherë simptomat qetësohen edhepse trupi huaj ende është në ezofag.
Çka duhet bërë nëse fëmiu im ka përbirë një trup të huaj? — Nëse keni pa se fëmiu ka përbirë një trup të huaj, apo nëse fëmiu ju thotë se ka përbirë diçka, thirre menjiherë mjekun. Varësisht nga mjeti i përbirë dhe simptomat e fëmiut, fëmiu duhet patjetër duhet të vizitohet te doktori.
Çka duhet bërë nëse një i rritur ka përbirë një trup të huaj? — Nëse një person i rritur ka përbirë një trup të huaj, duhet të konsultohet mjeku ose infermieri. Se a duhet personi te vizitohet te mjeku, varët nga objekti gëlltitur dhe simptomat.
A kanë nevojë për ekzaminime personat që kanë përbirë trupa të huaj? —Nganjëherë. Mjeku vendos a ka nevojë për ekzaminime shtesë. Kjo varët nga lloji I trupit të huaj të përbirë dhe nga simptomat e shkaktuara.
Mjeku më së shpeshti kërkon të bëhet rendgeni i qafës, krahërorit dhe barkut. Shumica e trupave të huaj të përbirë tregohen në rendgen.
Rendgeni tregon se në cilën pjesë të trupit ndodhet objekti i përbirë. Zakonisht, trupat e huaj të përbirë mbesin në traktin digjestiv. Por nganjeherë mund të rrëshqasin në rrugët e frymëmarrjes, trakeja është afër ezofahut. Trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes duhet të nxjerren menjiherë.
A duhet të nxjerren objektet e përbira? — Disa objekte të përbira duhet të nxjerren nga trupi, por disa lihen që të eliminohen spontanisht me rrugë natyrale. Kjo varët se:
Për çfarë objekti bëhet fjalë – Objektet që lehtë mund të shkaktojnë lëndime serioze në organet e brendshme të trupit duhet të nxjerren menjiherë. Në këtë grup të trupave të huaj hyjnë bateritë e ndryshme, pjesë magnetike, objektet e mprehta, objektet që përmbajnë plumb. Plumbi është metal që shkakton dëmtime serioze të trurit, veshkave dhe organeve tjera, sidomos te fëmijët.
Në ç’vend ka ngelur trupi huaj në tubin digjestiv – Trupat e mbetur në ezofag duhet të nxjerren menjiherë.
A ka shkaktuar trupi huaj simptome
Sa gjatë trupi huaj ka qëndruar në organizëm
Si duhet vepruar me trupat e huaj që presim të eliminohen spontanisht?
Mjeku duhet të informohet nga pacienti:
Nëse e ka eliminuar trupin e huaj me nevojë të madhe. Zakonisht kjo ndodh brenda disa ditësh.
Nëse paraqitën simptoma të cilat mund të shkaktohen nga dëmtimet që mund të jenë shkaktuar nga trupi huaj. Sidomos duhet alarmuar nëse paraqitën simptomat në vijim:
Ethe/temperaturë
Mundim/vjellje
Dhimbje barku
Gjakderdhje në jashtëqitje
Mjeku mund të kërkojë që të bëhen disa rendgengrafi për të përcjellur lëvizjen e trupit të huaj në traktin digjestiv.
Si i nxjerr mjeku trupat e huaj? — Trupat e huaj të mbetur në ezofag dhe lukth zakonisht nxjerren me procedurë endoskopike. Ndërsa trupat e mbetur në zorrë, duhet të nxjerren me ndërhyje kirurgjike.