2020-10-21

“Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”

Alqi Naqellari Prof. As. Dr. (Shqipëri) dhe Prof. In. Docent (Maqedoni) Universiteti Mesdhetar i Tiranës Libri “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” vëllimi i III është një arritje tjetër e studiuesit Kujtim Mateli. Ky punim është në vijim të dy punimeve të para në mbështetje të tezës së tij se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit. Për të ardhur deri në këtë botim, autorit i është dashur të vazhdojë shfrytëzimin e materialeve në mbështetje të tezës së tij, por i është dashur, ashtu si edhe autorëve të tjerë, të përballet edhe me anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (M. Korkuti) që i konsideron këto punime shkencore si diletantizma dhe jo fakte historike, duke vlerësuar më shumë punën e autorëve të huaj dhe duke nënvlerësuar punën e studiuesve shqiptarë. “Dodona është në rënojat e Melingosë që më vonë u provua që ishte faltorja e famëshme e Dodonës”. Këto janë thënie të Ismail Qemalit. Gërmimet që bëri arkeologu Karapanos dhe studiues të tjerë më vonë provuan katërcipërisht se Dodona gjendet rreth 25 km në jugperëndim të Janinës. E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë, sepse sot në shekullin e 21-të në Tiranë botohen libra dhe shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellasgjike qenka në Malin e Tomorit, një tjetër në Ulqin dhe një muaj më parë e kanë lëvizur dhe e kanë çuar në Këlcyrë të Përmetit” (Muzafer Korkuti, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012). Argumenti i këtij akademiku se Dodona ndodhet në J-P të Janinës, është se e e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, se është shënuar në albumin e Kristo Frashërit, është atje te popullsia që ishte, se e paska thënë Karapanua. Studiuesve shqiptarë veç punës së palodhur që bëjnë, iu duhet të përballen edhe me mendimet e këtyre njerëzve të pa aftë që për vite të tëra iu kanë servirur shqiptarëve historinë e parë nën këndvështrimin e tyre, nën këndvështrimin e politikave të kohës, sidomos së kohës së diktaturës ku një pjesë e mirë e saj u shtrëmbërua sipas interesave të politikës së kohës. E tillë është edhe periudha e studimeve pellasgjike. Studiuesi Kujtim Mateli u ka dalë ndesh këtyre pjesëve të historisë së Shqipërisë që e vendosin Dodonën në J-P të Janinës. Ai me argumente konkrete, logjike, të bazuar në dokumente, gjetje arkeologjike dhe shkrime të autorëve të vjetër, të bazuar në vendndodhjen reale që përputhet me përshkrimet e këtyre autorëve, e vendos atë në Dëshnicën e Përmetit. Mateli ka elementë të fortë të terrenit real ku ndodhen të gjithë elementët kryesorë të kësaj tw vwrtete. Mateli përmend Grykën e Këlcyrës, Kalanë e Këlcyrës që datohet që në shek III p.e.sonë, por ende e pa zbuluar, gërmadhat dhe murishtet që ndodhen në faqen e malit mbi sarajet e Ali Beut në faqe të Trebeshinës, luginën e Dëshnicës, që shpesh kthehet edhe në moçalishte, Ujin e Zi, burimin që buron nga shtrati i Lumit të Shenjtë Aos, dhe që vetëm një sy i stërvitur e dallon, Gurin e Përmetit që është Guri i Faljes (O-më fal). Këto elementë që janë reale dhe të prekwshme nuk ndodhen në asnjë vend tjetër të përcaktuar, aq më pak në J-P të Janinës ku nuk ka as lumë dhe as gur të shenjtë si Guri madhwshtor i Pwrmetit. Kujtim Mateli ka shfrytëzuar burime që i kanë shfrytëzuar edhe disa autorë të tjerë. Ai ka hedhur poshtë një sërë përcaktimesh të cilat vijnë ndesh me origjinalin. Duhet të theksojmë këtu se një problem shqetësues është edhe përkthimi që u është bërë këtyre materialeve. Përkthimi në disa raste nuk përputhet me origjinalin, por është bërë sipas anshmërisë së përkthyesit. Grekërit përgjithësisht vendosin vend dhe pa vend fjalët: Greqi, grek, kur në këtë periudhë nuk ka pasur fare entitet të tillë. Këto shtrëmbërime nuk janë bërë vetëm në librin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, botim i Akademisw sw Shkencave tw Shqipwrisw, por është bërë edhe nga shumë autorë të huaj. Libri përbëhet nga katër pjesë. Pjesa e parë. Në pjesën e parë jepen argumente se Dodona nuk ndodhet në J-P të Janinës në luginën e Carakovistës. Jepen argumente duke u bazuar në të dhëna arkeologjike, topografia e Carakovistës, lokalizimet sipas autorëve antikë etj. Mateli jep tre fallsifikime të bëra në botimin e librit “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”. E para, rrugës romake i shton një stacion të ri me XX milje dhe stacionit të origjinalit me XII milje i vendos emrin e Dodonës. Në përkthim nuk thuhet që ky stacion i quajtur Dodona është bërë prej këtij institucioni (A.SH). Edhe Hamond e vendos Dodonën ne këtë rrugë, por nuk e ka fshehur faktin që Dodona nuk ekzistonte në origjinalin e rrugës romake Tabula Peuntigeriana. E dyta, është pozicioni gjeografik dhe emri i malit i së ashtuquajturës Dodonë në jugperëndim të Janinës (F.E.SH), ndërsa Karapano e vendos në pjesën jugore dhe lindore që është pjesë e kodrave të Kozmirasë. E treta, në përkthimin që i është bërë gjeografit Claudio Ptolemeo në lidhje me qytetin Eriboa. Tre autorë japin përcaktime të ndryshme. “Akademiku Kristo Frashëri i besoi këtij libri që autorët e këtij botimi e kanë përkthyer gabimisht gjeografin aleksandrin Klaud Ptolemeu: emrin e fisit të parthinëve që gjendej në rrjedhat e lumit Osum e kanë zëvendësuar me atë të parauejve që gjendej në rrjedhat e lumit të Vjosës”- thekson autori. Po përse bëhet gjithë ky debat për Dodonën? “Dodona është histori, është vlerë universale në ngjizjen e krijimit të shoqërisë njerëzore, është hapësira gjeografike ku ajo u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj”…. Dodona ka qenë e njohur që nga koha e Luftës së Trojës si një faltore me famë të madhe dhe vazhdoi deri në shekullin e IV-V pas Krishtit, kur faltorja u kthye në qendër peshkopale dhe tempulli u kthye në kishë”. Mateli jep tetë prova që Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës. E para, se “në luginën e Carakovistës, mali i cili pretendohet si mali Tomar, është mali Uliçka. Në këtë mal nuk ka as qytet dhe as tempull që të pretendohet që të jetë mali i Dodonës. Gjetjet arkeologjike ndodhen në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë”. E dyta, në luginën e Carakovistës nuk ekziston asnjë lumë. “Mungesa e lumit në luginën e Carakovistës do të thotë se Dodona nuk gjendet në këtë luginë”. E treta, “Gërmimet e kryera nga z. Evangjelides tregojnë se qyteti i luginës së Carakovistës nuk është qyteti i Dodonës. Z. Evangjelides e thotë qartë, nëse do të ishte Dodona, do të gjendej qoftë dhe një copë tjegull që t`u përkiste kohëve më të vjetra. Po aty nuk ka asnjë shenjë. Mendja njerëzore nuk mund ta pranojë që një faltore me famë që nga Lufta e Trojës (shek. XII) e deri në shekullin e pestë para Krishtit, të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë”. E katërta, “mungesa e objekteve të periudhës romake dhe të krishtërimit tek tempulli i qytetit të luginës së Carakovistës”. E pesta, “… gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës nuk i përkasin qytetit të Dodonës”. E gjashta, “Gjetjet arkeologjike që lidhen me institucionet epirote provojnë se ky qytet u ka përkitur këtyre institucioneve. Ky qytet kishte një prostat që i përkiste Di Naios. Nëqoftëse do të ishte qyteti i Dodonës, prostati do të kishte qenë i Di Dodonen”. E shtata, “Dëshmitë e autorëve të antikitetit se dy ishin orakujt që vepronin në këtë hapësirë në jug të Ballkanit: orakulli i Dodonës në veri të Epirit dhe orakulli i Delfit, na orientojnë drejt për ta zgjidhur përfundimisht vendndodhjen e Dodonës që nuk është lugina e Carakovistës”. E teta, “Monedhat e luginës së Carakovistës provojnë që ky qytet nuk i ka përkitur Dodonës dhe në të njëjtën kohë vërtetojnë se është krijuar për të qenë Selia e Institucioneve Epirote dhe jetëgjatësia e tij gati dy shekullore është e lidhur me jetëgjatësinë që patën institucionet e Epirit”… Dodona ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhës romake, madje dhe në periudhën e Krishtërimit”. Autori ndërton topografinë e Dodonës sipas autorëve antikë, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ka qënë Dodona: qytet, Tempull apo Orakull. Në këtë rast i referohet Stefan Bizantinit dhe autorëve të tjerë ku përcaktohet: Dodona ishte qytet në veri të Mollosisë, në rrëzë apo në shpat të malit Tomar, ku pranë saj kalon lumi i Dodonës. Më tej Dodona ndodhet në skajin fundor të fushës së Hellopia. Autori thekson se këto kërkesa përputhen me Kalanë e Këlcyrës si Tempull, me gërmadhat që ndodhen në rrëzë të malit Trebeshinë (Tomarus) me lumin e Dëshnicës (Dodon) me fushën e Këlcyrës (Hellopia). Për këtë jep katër argumente. Asnjë burim historik nuk e vendos Dodonën në mes të Epirit aty ku e vendosi Karapano. Që ta vendosësh Dodonën në mes të Epirit, në J-P të Janinës, në luginën e Carakovistës duhen plotësuar 4 kushte. I pari, duhet të ketë lumë pranë Dodonës. Në këtë vend nuk ekziston asnjë lumë. I dyti, Dodona duhet të ndodhet në shpat mali, ose në rrëzë të tij. Në J-P të Janinës nuk ndodhet as në shpat, as në rrëzë, por përballë në kodrat e Kozmirasë. I treti, Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse Carakovista në J-P të Janinës ndodhet në mes të Epirit. I katërti, Dodona dhe fusha e Hellopisë ndodhen në kufijtë e njëra tjetrës. Kjo ekziston vetëm në Këlcyrë, fusha e Këlcyrës dhe dhe qyteti antik në shpat të malit ndodhen në kufijtë e njëri-tjetrit. Autori nëpërmjet burimeve arkeologjike thekson se gjetjet e Carakovistës i takojnë një periudhe rreth dy shekullore (345-168 para erës sonë) në një kohë që për Dodonën bëhet fjalë për objekte kulti që nga lufta e Trojës. Më tej jepen dëshmitë që e vendosin Dodonën në Veri të Epirit, ndër të tjerë autori përmend Pausanian, Stefan Bizantinin, Plutarkun, Strabonin, Dionis Halikarnasin, Polibin etj., si dhe autorët e kohëve modern si Zoto Molosin, Hamondin etj Mateli jep tre dëshmi për të provuar se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Permetit. E para për rrugën që bënë trojanët për të ardhur në Dodonë, e dyta toka e Përmetit njihet si tokë e Molosisë, e treta Dodona ndodhet në shpatin e malit Tomar. Dëshmia e Strabonit për vendodhjen e faltores dhe të qytetit të Dodonës. Dëshmia e Pseudo-Scymnit për vendodhjen e faltores dhe të qytetit të Dodonës. Dëshmia e Hesiodit dhe e komentuesit të Sofokliut se fusha Hellopia dhe Dodona ndodhen pranë njëra-tjetrës. Për këtë pjesë janë shfrytëzuar 30 materiale. Pjesa e dytë. Në pjesën e dytë sjell dëshmitë që provojnë se Dodona ndodhet në kufijtë e Atintanisë ilire. Nëpërmjet dokumenteve dhe interpretimit të tyre provon tezën se “Dëshmitë më të rëndësishme në lidhje me vendndodhjen e Dodonës janë ato që e vendosin Dodonën dhe malin Tomar në afërsi të Apollonisë”. Ndërmjet këtyre dëshmive është ajo e Skylaks Kariandensis (Shek V para erës sonë) se atintanët që janë fqinj të Apollonisë shtrihen “sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë.” Kjo dëshmi që i vendos atintanët: fqinj të Apollonisë në njërin krah, kurse në krahun tjetër me Dodonën, është dëshmia që ka patur më shumë debate midis autorëve modernë, sepse atje ku mbarojnë kufijtë e Atintanisw në juglindje, atje ndodhet dhe Dodona. Këu jep autorët që pretendojnë shtrirjen e Atintanisë nga kufijtë e Apolonisë ilire deri në liqenin e Janinës. Studiuesit pretendojnë se, meqë Dodona ndodhet në J-P të Janinës edhe Atintania është shtrirë deri atje. Përmend Hatzotopoulos. Autori e hedh poshtë këtë tezë duke dhënë tre argumente: Së pari merr distancën midis Apolonisë dhe Janinës dhe thekson se sipas këtyre autorëve “atintanët na paskan qenë fisi kryesor i Epirit, që vjen në kundërshtim me autorët antikë që thonë se fiset kryesore të Epirit ishin thesprotët, molosët dhe kaonët”. Së dyti, është gjetur një mbishkrim në luginën e Carakovistës që përcakton se atintanët nuk ishin pjesë e bashkësisë epirote. Ky mbishkrim është interpretuar edhe nga prof. Neritan Ceka. Së treti, Institucionet epirote nuk e kishin në administrimin e tyre Atintaninë, duke dhënë edhe dokumentin përkatës. Edhe për këto argumente niset nga shumë autorë si Tzouvar, Hamond, Claud Ptolemeu, Stefan Bizantini, Tit Livi etj. Autori jep edhe një element me rëndësi për një zbulim në Grykën e Mezhgoranit që është në afërsi të Grykës së Këlcyrës. ‘Që kjo zonë e Grykës së Aosit ka qenë e populluar e tregon dhe muri antik i Mezhgoranit, buzë Vjosës, në Sajmolë, me blloqe që arrijnë nga 1.8 - 2 metra gjatësi dhe me lartësi të ndryshme nga 45-50 cm, të vendosur në blloqe të rregullt izodermik’. Për vendndodhjen e Atintanisë edhe Akademia e shkencave të Shqipërisë ka dy qëndrime të ndryshme në lidhje me shtrirjen e saj. Grupi i parë mendon se atintanët janë banorët e sotëm të Mallakastrës, ndërsa grupi i dytë mendon se shtrihen në kufijtë e Mallakastrës së sotme, që do të thotë se janë banorët e Tepelenës në të djathtë të Vjosës. Sipas autorit, Atintania shtrihej në sipërfaqen që e pretendojnë të dy grypet: edhe banorët e Mallakastrës së sotme, edhe ata të Tepelenës në të djathtë të Vjosës. Më tej autori argumenton deformimin e dëshmisë së autorit Skylaks Kariandensis. Më tej në lidhje me temën shpjegon vendndodhjen e Orikisë, Apolonisë dhe Istrias. Autori përmend gërmimet në rrethin e Tepelenës. ‘Në vendbanimet e quajtura Luadh dhe Lajth materiali që është gjetur i përket periudhës së Neolitit. Qyteza e Dukajt, sipas arkeologëve i përket shek. V-III para Krishtit. Kalaja e Horës, në fushën e Dukajt, mendohet të jetë e periudhës romake. Kalaja e Zharrës, e cila ndodhet në perëndim të qytetit të Tepelenës, u përket shekujve IV-VI të pas Krishtit’. Në përfundim të kësaj pjese autori thekson se ‘Të gjitha këto fise që përmenden, shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë (Aos) të dokumentuara në një periudhë historike mbi 1000 vjeçare. Lugina e Përmetit që njihet edhe si Lugina e Sipërme e Vjosës, ka qenë tokë e Molosisë, në skajin më të largët të saj autorët e antikitetit vendosin Dodonën dhe malin Tomar në të cilin ndodhej qyteti, orakulli dhe faltorja e tempullit. Territori i Dodonës ka shërbyer edhe si kufi ndërmjet “atintanëve që shtriheshin deri në Dodonë.” dhe Molosisë. Kështu atintanët janë shtrirë në të djathtë të Vjosës, ndërmjet tokave të Apolonisë dhe Dodonës. Ky është territori i Mallakastrës së sotme dhe ai i rrethit të Tepelenës në të djathtë të Vjosës që kufizohet në juglindje me rrethin e Përmetit’. Në vijim autori analizon Pindarin dhe malet dodoniane. Si referencë mer Pindarin:” Ajo që na vjen si dëshmi nga Pindari është se mali i Dodonës nuk është i vetëm dhe që përputhet plotësisht me luginën e Përmetit ku ndodhet vargmali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë. Ky vargmal plotëson dëshminë e Pindarit se malet e Dodonës ndodhen përtej Pindit duke bërë fjalë për hapësirën që shtrihet nga lugina e Përmetit në drejtim të liqenit të Ohrit”. Më tej përdor Eskilin me tragjedinë Lutëset i cili përcakton Dodonën:“…arrin te trojet e perrebve, Tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë, Mbi malet e Dodonës; këtu dhe cak i fundit -tallazet shkulmë të detit. Ja vendi ku sundoj.” Më tej autori jep citime nga Stefan Bizantini, Apiani, Pausania, Herodoti duke vazhduar me studiuesin shqiptar profesor Neritan Ceka. Merr një autor pak të njohur si Vib Sekuestri i cili e përcakton Malin Tomar (Trebeshinë) së një mal që duket nga tokat e Dyrrahut dhe ndodhet në afërsi të Apollonisë, mal i cili i ka përkitur Maqedonisë. Përmend këtu Matthias-Petrus Katancic i cili thekson se mali Tomar i Dodonës ndodhet në kufijtë jugorë të Ilirisë, dhe në kufijtë veriorë të Epirit. Autori jep citime në original sipas librave, në anglisht dhe në frëngjisht, për të qënë më i besueshëm në konkluzionet që nxjerr. Autori analizon edhe fiset që ndodhen në rrjedhat e lumit Aps (Osum) duke u përqëndruar përgjithësisht në malin e Tomorit i cili ka ngjashmëri me emrin Tomar. Iliria dhe Epiri i përkasin të njëjtës etnie. Për këtë i referohet Strabonit te Gjeografia, Apian Aleksandrinit. Në fund të kësaj pjese thekson: Atintania herë është konsideruar ilire dhe herë epirote. Kjo tregon se Epiri dhe Iliria i përkasin së njënjtës etnie. Nëse Epiri dhe Iliria do të ishin dy etni të ndryshme, atëherë atintanët do t`i përkisnin nga pikëpamja e etnisë ose njërit, ose tjetrit. Kjo do të bënte që autorët e antikitetit do t`i konsideronin ata ose ilirë, ose epirotë”. Autori operon, në mbështetje të tezës së tij se Dodona gjendet në Dëshnicë të Përmetit edhe në harta të periudhave të ndryshme të kohës. Ky burim është shumë i rëndësishëm, sepse vendosja e fiseve, lumenjve dhe maleve bën që të shkruarit të krahasohet edhe me vendndodhjet përkatëse në harta. Përdor hartën e hartografit të hershëm Philippi Cluverus. Edhe në këto harta shihet qartë se ku ndodhet Dodona. Pjesa e III Në këtë pjesë ‘Mali i Dodonës në harta nga Tomari në Trebeshinë’ jepen hartat që e vendosin malin Tomar të Dodonës aty ku është Trebeshina e sotme. Jepen këto harta dhe bëhet analiza e tyre: 1-Autor: Anville, Jean Baptiste Bourguignon Dë. 1762. Gjeografia e Greqisë antike. Në Krye të hartës vendet veriore të Greqisë: Iliria dhe Maqedonia. 2-Tanner, Henry S.1826. Vendet veriore të Greqisë: Maqedonia, Thessalia, Epirus. 3. William Faden. 1785. Një hartë e Detit Mesdhe bashkë me vendet fqinje të Europës, Azisë dhe Afrikës. 4-Akademia Supreme e Shkencave e Shën Petersburg. 1789. Gjeografia historike. Një hartë e re e Turqisë në Europë, ndarë sipas krahinave; me të gjitha vendet fqinj në Europë dhe Azi. 5-Gilles Robert de Vaugondy. 1755. Në hartë jepet gadishulli Ballkanik, vendet të cilat ishin nën Perandorinë Osmane. 6-Delamarche, (Charles François Delamarche)1832. Kjo hartë titullohet Turqia europiane dhe paraqet vendet e Ballkanit që në atë kohë ishin pjesë e perandorisë otomane. ‘Këto gjashtë harta e sjellin malin e Dodonës nga antikiteti deri në ditët e sotme. Ato tregojnë se si ka evoluar emri i malit brenda një hapësire kohore 2 mijë vjeçare. Emri i malit nga helenët është përdorur me shtesën -os, kurse nga romakët me shtesën -us. Por te hartografi William Faden emri i malit është përdorur me mbaresën e gjuhës shqipe -it, që tregon se banorët që banonin rrotull tij nuk ishin as helenë, por dhe as romakë’. Interesant është se Katancic e thekson emrin Tomarus, Tomoros sipas Strabonit dhe autorëve të tjerë antikë të (para erës sonë), kurse sipas burimeve romake të shekullit IV-V të (erës sonë) si Tomer-Tomerit. Ky është burimi i parë që emri i malit të Dodonës filloi të ndryshonte sipas ligjeve fonetike të gjuhës shqipe. Pjesa e IV Kjo pjesë emërtohet ”Dy malet e hyjnizuar Tomori dhe Olimbi”. Në këtë pjesë autori jep përcaktimet për malin e Tomorit si mal i shenjtë. Ja si e përshkruan autori: “Nëse në kohën më të hershme mali Timor, Di patri dhe pëllumbat timor duhet të kërkoheshin në tokën e hiperboreanëve, në kohët e mëvonshme ato ndodheshin në territorin e Ilirisë dhe pikërisht ishte mali i Timorit që mbante në trup të tij tempullin e famshëm të Di patrit, i cili u bë tempulli i përbashkët i gjithë shqiptarëve me misionin e tij historik mbi 3 mijëvjeçarë: të bashkojë shpirtërisht shqiptarët në cilëndo hapësirë që ata mund të ndodhen. Di patri i Timorit apo Baba Tomori ka qenë për shqiptarët hyjnia rreth të cilit janë ndjerë më afër me njëri-tjetrin, tek i cili kanë besuar dhe besojnë. Tomori edhe në ditët e sotme mbart përmasën universale të përbashkimit të njerëzve”. ‘Në këtë hapësirë europiane, mbase është i vetmi mal që adhurimi për të nuk është ndërprerë në asnjë periudhë historike, por erdhi deri në ditët e sotme si provë e patjetërsueshme se në këto hapësira në perëndim të gadishullit Ballkanik ndodhet vatra që ngriti në këmbë shoqërinë njerëzore’. Më tej analizon malin e shenjtë të Olimbit duke dhënë citimet përkatëse në lidhje dhe raport me malin Tomarus dhe me malin e Tomorit. Përfundimisht studiuesi Kujtim Mateli në provën e Tezës së tij se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit: -Iu referohet 136 autorëve; -të huaj dhe të vendit, -me shtrirje të ndryshme gjeografike që nga Rusia deri në Angli. -nga autorët antikë deri te autorët e ditëve të sotme. -Analizon Karapanon në veprën e tij origjinale. -Përdor dhe shfrytëzon me dhjetra harta, thuajse të gjitha të huaja dhe të periudhave të ndryshme kohore. -Autori është njohës i tre gjuhëve tw huaja dhe një pjesë të materialeve e ka përkthyer nga origjinali. Kjo e bën analizën të besueshme. Alqi Naqellari Prof. As. Dr (Shqipëri) dhe Prof. In. Docent (Maqedoni) Tetor 2020

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...