2020-10-27

floripress: Shtohet numri i të infektuarve me COVID-19 në botë

Numri i rasteve të infektimeve me COVID-19 në botë është rritur ditët e fundit, me mbi 38milionë e 724 mijë raste të konfirmuara, ndërsa numri i viktimave ka shkuar mbi 1 milionë e 94 mijë. ShBA vazhdon të jetë vendi më i goditur në botë, pasuar nga India dhe Brazili. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se shumë vende po raportojnë rritje të shtrimeve në spital nga koronavirusi. Ndërkohë, OBSH thotë se pandemia nuk ishte e barabartë kur analizohet mënyra e reagimit dhe ndikimit në vende të ndryshme. "Pothuajse 70 për qind e rasteve të raportuara në botë javën që shkoi ishin nga 10 vende dhe gati gjysma e tyre ishin vetëm nga tri vende”, thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së foli për konceptin e njohur si “imuniteti i turmës” duke e lejuar virusin të shpërndahet, gjë që ai nuk e përkrah. “‘Imuniteti i turmës’ është një koncept që përdoret për vaksinimin, përmes së cilit një popull mund të mbrohet nga një virus i caktuar, nëse arrihet pragu i vaksinimit. Për shembull , imuniteti i turmës kundër fruthit kërkon vaksinimin e rreth 95 për qind të popullatës. Për poliomilitin pragu është 80 për qind. Me fjalë tjera, imuniteti i turmës arrihet duke mbrojtur njerëzit nga virusi, jo duke i ekspozuar ndaj tij”, thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ndërkohë në ShBA, që ka numrin më të madh të rasteve me koronavirus, tubimet zgjedhore po vazhdojnë disa javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit. President Trump i është kthyer fushatës që e ndërpreu pasi u infektua me virus dy javë më parë. Rivali demokrat, Joe Biden, vazhdon të kritikojë përgjigjen e zotit Trump ndaj pandemisë. “Udhëheqja kaotike e Donald Trumpit na kushtoi shumë: 215 mijë vdekje nga COVID-19 dhe numri vazhdon të rritet”, tha zoti Biden. Zoti Trump insiston se vendin e presin ditë të mira. “Tani jam duke luftuar për çrrënjosjen e virusit, ndërtimin e ekonomisë dhe shpëtimin e vendit nga e majta radikale”, tha zoti Donald Trump. Këtë javë kompania Johnson&Johnson njoftoi ndërprerjen e testimit të fazës së fundit të vaksinës për COVID-19, pasi një prej pjesëmarrësve në studim u diagnostikua me një sëmundje të pashpjegueshme. Prodhuesi i ilaçeve “Eli Lilly & Co” njoftoi gjithashtu ndërprerjen e provave me antitrupave për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Ndërkohë, shpresat e miratimit të një pakete të re ndihmash për amerikanët janë zbehur ndërsa Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosy hodhi poshtë propozimin e Shtëpisë së Bardhë për 1.8 trilion dollarë. Sipas analistëve vonesat po shkaktojnë ankth në tregjet financiale. “Mendoj se investitorët janë të zhgënjyer nga fakti që Uashingtoni nuk po arrin që para zgjedhjeve t’i japë vendit një paketë, e cila është shumë e nevojshme, veçanërisht për bizneset e vogla”, thotë analisti Randy Watts. Sa i përket Evropës, Franca regjistroi së fundmi një numër rekord të rasteve të reja. Presidenti Emmanuel Macron reagoi duke ndaluar qarkullimin gjatë natës në Paris dhe disa qytete tjera. Spanja ka 908 mijë të infektuar. Në vendin më të prekur në Evropën Perëndimore, vërehet lodhje emocionale tek personeli i kujdesit intensiv. Në Britani, kryeabashkiaku i Londrës paralajmëron masa të ashpra ndërsa rastet shtohen. "Lajmet nuk janë të mira. Të gjithë treguesit, si numri i rasteve të reja, shkalla e rasteve pozitive, shtrimet në spitale dhe kujdesin intensiv dhe rastet mes të moshuarve tregojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar”, njoftoi Sadiq Khan, kryebashkiaku i Londrës. Masat përfshijnë kufizimin që ndalon grumbullimim e më shumë se gjashtë personave dhe ndalimin e lëvizjeve pas orës 22. Flori Bruqi