Kryeministri Avdullah Hoti e ministrja e Financave, Hykmete Bajrami janë intervistuar vitin e kaluar nga Task Forca Kundër Korrupsion, departament që me vendim të qeverisë që udhëhiqet nga Hoti, është shuar dje.
Siç ka mësuar Floripress, të dy ishin intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve për aferën e njohur të 53 milionëshit, me konserciumin Bechtel-Enka. Nga të dhënat që ka siguruar Floripress, kryeministri Hoti është intervistuar nga kjo njësi më 14 mars 2019 e ministrja Hykmete Bajrami më 4 mars të po të njëjtit vit.
Pas intervistimeve të kryera, kjo Task-Forcë, ka dorëzuar kallëzim penal kundër tre personave, përfshirë një ish-ministri të LDK-së.
Bajrami ka konfirmuar që ka dhënë deklaratë në këtë institucion.
“Unë para një viti kam qenë e intervistuar njëherë në cilësinë e dëshmitares të departamentit të krimeve ekonomike për faktin që gjatë viteve 2014-2017, kur unë isha në krye të MTI-së, MTI ka qenë pjesë e komitetit ndërministror për rrugën ‘Arben Xhaferi’, përgjegjësi të cilën unë e pata kaluar në atë kohë, te ish zv.ministri Avni Kastrati. Pyetjet kanë qenë rreth atij 50 milionëshit që i janë paguar Bechtel Enkas nga MI, konkretisht ministri Pal Lekaj, por edhe rreth punës në Komitet Ndërministror”, ka thënë Bajrami .
Ajo ka thënë se me këtë çështje, nuk ka të bëjë vendimi i Qeverisë për shfuqizimin e kësaj Task-Force.
“Sa i përket shfuqizimit të Task-Forcës Antikorrupsion, nuk ka asgjë të bëjë me këtë intervistim timin. Nuk e di kush tjetër ka qenë i ftuar në intervista. Potencoj: Një herë jam intervistuar në cilësinë e dëshmitares”, ka thënë ajo.