Ekskluzive/ Akademik PhD.Hakif Bajrami: Ato që nuk dini për Enver Hoxhën

 





Dy fjalë si hyrje Në këtë 110 vjetor të lindjes së ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë Enver Hoxha, ka një dilemë, më shumë të pashprehur se sa të deklaruar. A duhet kujtuar Enveri? Nga shumë lexues të DITA-s, na kërkohej që të shkruanim, me doemos. Mirëpo, si? Në një kohë që Enveri dhe epoka e tij është anatemuar skajshmërisht, të flasësh ndonjë fjalë të mirë për atë kohë duket ende si një herezi. Sidomos nga politika. Ndaj dhe kanë ndodhur paradokse të çuditshme: flitet për luftën antifashiste nacionalçlirimtare, por nuk përmendet komandanti i saj. Enverit i përmenden burgjet dhe dhuna gjate viteve të sundimit të tij. Por ata që bënë luftën, ata që derdhën djersë pa kursim për ngritjen e Shqipërisë, madje dhe historianë e studiues seriozë janë më racionalë, mendojnë dhe argumentojnë ndryshe. Janë më objektivë në gjykimet e tyre… Njëri nga këta është padyshim Hakif Bajrami, një historian i njohur nga Kosova, i cili në këtë 110-vjetor të Enverit solli në DITA këtë shkrim ekskluziv për ish-udhëheqësin komunist, me fakte dhe dëshmi të panjohura për figurën komplekse të tij, pa u tutur se mund të dalin disa e ta anatemojnë. Duke e falënderuar Profesorin dhe për bashkëpunimin e herëpashershëm me gazetën tonë, dhe sidomos për këtë shkrim të guximshëm që po botojmë, pa i ndryshuar asnjë presje, jo vetëm qëndrimeve dhe analizës së tij, madje edhe duke lejuar edhe ndonjë gabim ortografik. Përgatiti për botim Xhevdet Shehu Enver Hoxha dhe shqiptarët në majë të thikës, të dhunuar ideologjikisht nga Lindja dhe Perëndimi Dr. Hakif Bajrami Në një fond arkivor më 1974, pata hasë në një karikaturë. Aty ishte vizatuar një gomar. Karikaturisti ia kishte vënë emrin “ALBANIA”. Shqipërinë e shkretë nga e majta e kishin plagosur me shigjetë ruse mu në kokë; gjermanët në qafë, ndërsa austriakët në kurriz. Në anën e djathtë Gomarin “Albania” e kishin plagosur rëndë me shigjetë: anglezët në sy, francezët në mushkri, Italianët në veshkë duke ia thyer dy këmbët e pasme. Si të jetojë i shkreti gomar me këto plagë në trup? Përgjigjen nuk është vështirë ta japim por është më vështirë ta përjetojmë dhe të kthehemi në historinë tone tragjike, edhe pse luftën çlirimtare kurrë nuk e kemi ndalur, por prapë jemi ndrydhur dhe nënçmuar sikur të ishim “belaja” e Evropës. Nuk është fjala këtu te feja, as te ideologjitë, as te fakti se jemi vendas e të tjerët me përjashtim të Grekëve janë ardhacakë, por është fjala te një filozofi që nuk ka emër, nuk ka mbiemër, nuk ka “përgjigje”, sepse askush sot nuk pyet pse ky popull është persekutuar kaq keq duke e copëtuar në gjashtë shtete?!! Dhe kush ndalet sot e ta sjellë në mendjen se çka ka ndodhur me muhaxhirët shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit. Jo, mjerimi i refugjatëve që sot po i ushqen peshkaqenët në Mesdhe, është ashtu si fati i shqiptarëve më 1876-1886, me 350 000 të mbetur pa kulm mbi kokë, me 28500 vrarë në mënyrë masive… Dr. Hakif Bajrami E mbi këto vrasje Serbia, Mali I Zi dhe Greqia kanë thurur heroizma dhe lavde. Gjashtë Fuqitë e Mëdha për këtë tragjedi ka thurur oda e lavdata se: “ma në fund e shporrëm osmanlinë nga Evropa” e ne nuk ishim fare osmanlinj, sepse në të kaluarën nuk mbeti vit pa u ngritur në kryengritje kolektive e lokale.) Në Luftën Nacionalçlirimtare: 1939-1944 në Shqipërinë Bregdetare, u vranë 26.594 armiq, 20. 800 u zunë robër, dhjetëra mijë të tjerë u plagosen. Shqipërisë i kushtoi shumë shtrenjtë fitorja. 28 000 bij e bija të saj në lulen e rinisë bënë jetën fli. Për çdo kilometër katror një dëshmor; 12, 600 u plagosen, ndërsa 10 000 të tjerë u internuan në kampe përqendrimi”.(E Hoxha, Rreziku… për Shqipërinë, Tiranë 1982, f. 340). Të shënojmë këtu se Qeveria sovjetike e pranoi Qeverinë e Tiranës më 10 XI 1945. Ndërsa më 2 XII 1945 i kishte shpallë zgjedhjet parlamentare. Lidhur me këtë deri më 18 maj 1946, jugosllavët dhe sovjetikët do të kanë mjaftë hapësirë prapa shpinës së KANÇ-së, kur Londra kishte lajmëruar në Beograd se misioni britanik nisej për në Shqipëri. Misioni i ambasadorit britanik do të ndalohet me të kuptuar se më 15 maj 1946 anijet britanike ‘Superb” e “Orion” ishin fundosur afër Sarandës. Këtë fundosje, sipas dokumenteve sekrete jugosllave, titistët e kishin bërë aq tragjike, edhe pse nuk mund të thuhet se nuk ishte, sa që kishin propozuar që hakmarrjes t’i bashkohen me një njësi desante kah deti për t’u stacionuar në Durrës. Ky plan rankoviqisto-titist ishte koduar me shifrën “Durrësi 1”, me dallim që një vit më vonë zbarkimi i Divizionit Kupresjaninit do quhet “Korça 2”. Lidhur me këtë intrigat dhe inskenimet nuk do të pushojnë nga UDB dhe KGB në asnjë etapë, here hapur e herë heshtur. Prapë më duhet të them se me intrigat UDB+CIA ishte zbuluar se ku gjendet ari shqiptar në Gjermaninë e rrënuar. *** Enver Hoxha do të hidhërohet pa masë ndaj titistëve, kur Qamil Luzha ia dërgoi Raportin e Komitetit Demokratik Shqiptar, të përpiluar nga Prof, Ibrahim Kelmendi (Preshevar) ku prezantoheshin statistikat e krimeve nga Ushtria dhe komuniste-çetnikët e rehabilituar (21 Xi 1944 nga Kryesia e AVNOJ-it) të Titos deri më 1947). Në Raport, profesor, Ibrahim Kelmendi i shpreh ngushëllime Qamil Luzhës për vrasjen mizore të vëllait, Asim Luzhës nga komunistët e Millovan Gjillasit dhe A. Rankoviqit. Ja ai raport, të cilin pastaj e botoi edhe “Kosova e Lirë” si dhe Hamdi Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, në Kairo. Ja faktet: “Prej mizorive serbo-çetnike gjatë viteve 1945-1947 nëpër Kosovë janë likuiduar: në Gjilan dhe rrethinë 7954 veta, në Drenicë 4820 veta, ku do të prezantohet se Shaban Polluzha u kthye nga Podujeva për ta bërë vdekjen HEROIKISHT në Drenicë, pasi që S. Gjakoviqi, Krsta Filipoviqi, Sergja dhe Pera Brajeviq i kishin maskaruar 24 shqiptarë dhe i kishin “varrosur” nën akullin e Lumit Drenica, pastaj në Tivar 4200 veta, në Tetovë 4100 veta, në Bihor të Sanxhakut 3820 veta (varianti i më parmë 9237 veta), në Prishtinë 3675 veta, në Pejë 3540 veta, në Mitrovicë dhe rrethinë 1970 veta, në Llap 1670 veta, në Sanxhak 1410 veta, në Shkup dhe rrethinë1450 veta, në Ferizaj 1260 veta, në Gostivar 750 veta, në Plavë-Gusi 710 veta, në Rahovec 750 veta, në Rozhajë 715 veta, në Kumanovë 780 veta, në Preshevë 690 veta, në Dragash 500 veta, në Kërçovë 490 veta, në Ulqin dhe rrethinë 515 veta, në Suharekë 420 veta, në Dubrovnik 120 veta, në Trogir –Trieshtë 85 veta, në Deçan 70 veta, në Vërshac 15 veta, në luftimet Sarajevë-Zagreb-Maribor likuidohen pas shpine 65 udhëheqës shqiptar”. (Arkiva e K.D. Sh. Krimet 93/94, K. 25/45/47). Këto fakte e kthyen Enverin për 180 shkallë kundër Titos dhe “miqësisë” tij me thikë pas shpine, por për çështje të Informbyrosë, ku PKSh nuk ishte anëtare fare. Enver Hoxhën do ta kthej në kritikues të revizionizmit dhe social-imperializmit jugosllav edhe fakti që e mësoi nga një korrespodencë me pseudonim “Asime Gjakova nga Stambolli”, e cila ia prezantonte Shtabin e Rankoviqit për shpërnguljen e shqiptarëve në Vilajetin Mysh të Anatolisë në bazë të Marrëveshjes Xhentelmne Tito-Kyprili 1953, Split. Ja emrat e Shtabit: Aleksander Rankoviq, kryetar i KEF-it, Kerste Cervekovsi, Svetislalv Stefanoviq, Millna Bartosh, Leo Grishkoviq, Vojkan Llukiq, Marko Vuçkoviq, Pavle Iviçeviq. Ky shtab deri më 1966 do t’i deportojë së pari në Maqedoni e pastaj prej këndej në Turqi 415000 shqiptarë, boshnjakë dhe turq. Mu për këtë në Tiranë më 1956 do të shpërthejnë kundërshtimet, prej kah Panjot Plaku një vit më vonë do të transferohet në Jugosllavi, prej kah do të kërkojë mbështetjen e Nikita Hrushovit e kompanisë. Dokumente sekrete ende nuk janë botuar, e ato janë edhe në Tiranë e Beograd!!! Enver Hoxha për sjelljet e tij ndaj kundërshtarëve ideologjik në rrethanat që janë sot, nuk mund të arsyetohen, por në rrethanat e Luftës së Ftoftë, ku për çdo ditë ka pasur diversione për ta vrarë dhe për ta ndarë Shqipërinë, për ta shfarosur popullin Shqiptar në Jugosllavi, (sepse ai në Çamëri ishte shfarosë), e që të paktën me propagandë civilizuese është angazhuar të mësojë bota, kjo nuk mund t’i mohohet. E di që sot është vështirë ta valorizosh një politikë totalitare, por shkenca tani është në pozitë që ta thotë të vërtetën. Në këtë drejtim edhe unë kam të meta në vlerësime nga viti 1873 e deri më 1983. Por më vonë çdo gjë e kemi pasur të njohur, vetëm që “aeroplani i havarisur” është dashur të zbres në tokë, pa pasoja të mëdha shoqërore dhe politike. *** Shqipëria ishte më 1939, kur u okupua ishte një vend agrar. Në saje të rreshtimit patriotik me kohë do të shpërthej kryengritja, e cila nga viti 1941, me program do të drejtohet për çlirimin e vendit nga okupatori. Ajo kryengritje nuk ka mundur të realizohet me sukses pa e krijuar forcën e armatosur për një luftë të drejtë, duke u lidhur në çdo etapë me popullin. Historia e këtij ngadhënjimi shënohet në dokumentet e PKSH-PPSH e zhvilluar nëpër tri etapa: Etapa antiimperialiste, ku në fillim luftohet pushteti okupues fashist dhe ai nazist, për të vijuar me një luftë të pandërprerë për të filluar Etapa e dytë, për ndërtimin e bazës ekonomike, duke shkatërruar pronën çifligare dhe tregun kapitalist. Etapa e tretë e ndërtimit shoqërisë plotë socialiste, ku PKSH-PPSh peshonte në Frontin Demokratik. E vërteta është se nuk ka pengesë dhe gjykim apo dënim që iu ka shqiptuar individit apo grupit, në këtë sistem e që nuk e ka pasur shenjën e PKJ-ës, (UDB-së), KGB dhe CIA, por të gjitha janë me dokumente “Made in Jugosllavia”. Pse ndodhte kjo tragjedi? Jugosllavia gjithmonë ishte nën presion nga shqiptarët që i mbante nën robëri. Ajo masë (mbi gjysma e kombit) që në disa raste e nxinte vendin e dytë për kah ushtarët në Jugosllavi, konsiderohej si bombë me sahat. Prandaj për ta fashitur atë peshë politike, komplotet kurdiseshin në Shqipëri, për ta diciplinuar Shqiptarësinë Brenda e ku ndihma nga KGB-ja nuk ka munguar sidomos nga viti 1955 kur Hrushqovi e vizitoi Beogradin dhe i akordoi planet për shkatërrimin e komunizmit. Por ai komunizëm ekstrem do të shkatërrohet vetëm atëherë kur Shqiptarët nën robërinë jugosllave refuzuan pushtetin dhe kur nga burgu do të dalin patriotët që kishin qenë recidivist e së bashku me ta edhe Adem Demaçi, për ta filluar Epokën e tij, Epokën e luftës së armatosur për çlirimin definitive të Republikës Kosovës, së cilës ia dolën krah ma në fund e përkrahën edhe forcat e NATO-s. Lidhur me këtë duhet konstatuar se ndërtimi i Republikës Kosovës ka filluar nga viti 1945 dhe është zhvilluar nëpër etapa të vështira politike. Por, fitorja nuk ka mundur të sigurohet pa krisë lufta në mes sllavëve, pa u shkatërruar hapësira unike jugosllave, për çka Enver Hoxha në çdo kohë ka qenë kritik i saj dhe e ka emërtuar si shtet burg i popujve. U lakmova gjermanëve Më 3 shtator 2018 hyra në një hotel, në “Gërmi” ku shkruante se është përgatitur për një koktej ku gjermanët do ta festonin bashkimin. U lakmova, dhe pa emocione më shkuan lotët. Ç’faj kemi bërë ne shqiptarët që nuk guxojmë ta përmendim bashkimin as në Perëndim e në Lindje jo se JO. U ktheva në shtëpi dhe mendova se Enver Hoxha është drejtuesi me kohë ma të gjatë i Shqipërisë Bregdetare, dhe sa herë që e ka përmend Shqipërinë Kontinentale ka qenë i anatemuar në Lindje dhe Perëndim. Pra jo për shkak të ideologjisë, por për shkak se kombi i tij duhej të mbetet i ndarë copa-copa, e për këtë plagë kombëtare nuk pushoi kurrë pa folur e akuzuar nga çdo pozitë dhe hapësirë, ata që e kurdisën dhe e realizuan copëtimin. Pra, tjetër çështje është çka, si dhe pse ka sunduar me një totalitarizëm që është pjesëtuar në dy hapësira. Në të parën, Enverit, mund t’i përshkruhen mjaft suksese dhe gabime, të cilat duhet objektivizohen (jo të arsyetohen), të ngjizura me rrethanat e Luftës së Ftoftë. Në të dytën (Shqipërinë Kontinentale-tokë shqiptare mijëra-vjeçare, Çamëria e shkretuar me gjenocid nga greku, por me dalje solide në det. Jo, jo Enver Hoxha, pak ka kritikuar dhe pak ka akuzuar! Historia e hidhur krijon edhe iluzione Tradhtitë ndaj kombit shqiptar të ushtruara nga Gjashtë Fuqitë Evropiane (1878,1913, 1919, më 1946 edhe shumë fuqi tjera ngadhënjyese mbi Nazifashizmin) për 75 vjet nuk kanë pasur shpresë, nëse nuk reagojnë civilizueshëm, me greva, demonstrata e luftë të drejtë, se për ndryshe do ta pësonin fatin e Sanxhakut Nishit (1877/8), që me gjenocid u shfarosen 714 lokalitete dhe 6 qytete me shumicë absolute dhe relative shqiptare, dhe, për këtë sot është bërë temë tabu të flitet në Evropë. Nuk duhet harruar këtu as Çamërinë e shfarosur nga neofashistet grek. E Evropa duhet ta dijë por nuk do ta dijë se shqiptarët i kanë bërë 54 kryengritje kundër Turqisë, por në fund (1912/3) janë dënuar e copëtuar sikur të ishin kriminelët e kohës së Luftës Dytë Botërore. Mjaft arkiva evropiane, aziatike dhe amerikane i kam hulumtuar. Të gjitha dokumentet relevante të rreshtojnë që në përpjekjet e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë Etnike, sidomos më 1919, është dashur si rreshtim të shfaqet ideologjia socialdemokrate (majtiste), sepse fuqia e të djathtëve na kishte prerë trupin copa-copa nga viti 1856 e deri më 1913. Në këtë drejtim rreshtimi majtist, ma i rëndësishmi tani për tani mbetet. Ali Kelmendi dhe lidhjet e tij të para me Kominternin (1919…). Këtij rreshtimi do t’i bashkohen në vijim edhe ca intelektualë dhe punëtorë patriotë shqiptarë, gjithnjë për ta siguruar “shpresën se me metoda revolucionare do të arrijnë bashkimin dhe lirinë e ëndërruar dhe të paguar me vargojë gjaku, ku nuk kanë marrë pjesë vetëm soldateskat e fqinjëve por edhe tradhtia e Stambollit dhe grupet e mobilizuara kryqëzatë oficerësh nga Evropa(1912). Analizoni sa oficerë të Gjashtë Fuqive Evropiane ishin rreshtuar për ta luftuar deri në vdekje luftën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), sa në Luftën Ballkanike (1912- nja 614 oficerë të lartë evropian, kundër shqiptarëve me nga një martinë dhe me nga 10 -20 plumba e fqinjët sa topa i fituan vetëm nga Vjena, Berlini, Peterburgu e Parisi, shifrat dihen. Jo, jo Enver Hoxha pak ka kritikuar, por iu kanë frikësuar, sepse ishte intelektual që as nuk shitej e as nuk blihej me asgjë, si paraardhësit e tij. Në Perëndim kishte fituar një kulture solide franceze e ku frekuentonte edhe Sejfullah Maleshova etj. *** Kur e analizojmë të majtën politike Evropiane, sikur nuk duhet heshtur se tërë Evropa vlonte në damar për republikanizëm dhe kushtetutshmëri e liri për çdo kënd, gjithnjë për ta shpëtuar popullin në rend të parë nga monarkitë dhe fashizmi ekskluziv urrejtës (1945). Nuk ka qenë në fillim majtizmi (socialdemokracia) dhe komunizmi i urrejtur në fazat e para të jetës, sepse po të urrehej nuk do ta dekoronte Londra Stalinin me “Shpatën e artë” dhe në grade “generalisimus”. Shtrohet pyetja pse Perëndimi bashkëpunonte me te, e ne shqiptarët e paskemi pasur të ndaluar. E vërtetë është se duke e marrë pushtetin totalitarizmi ekstrem Leninist dhe Stalinist edhe në Tiranë, prej të cilit (totalitarizëm) do të pësojnë me mija njerëz, vetëm pse mendojnë ndryshe (djathtas, apo social demokratë), dëshmohet lehtë se tirania e totalitarizmit po mbulohej me një parullë, që ishte joshëse: “Diktaturë e proletariatit”. Askush nuk mendonte në fillim se diktatura është diktaturë, pra nuk mund të bëhet dhuna, dashuri. Në këtë vale të “vetëtimave të kuqe”, që vranin dhe kthjellnin, do të ndeshen dy forca kundërshtare totalitare: fashizmi dhe komunizmi. Duke e luftuar njërën dhe tjetrën ideologji me paradigmë “demokratike”, në vendet tjera përpos Gjermanisë, Italisë dhe BRSS, të tjerat do të mbesin të zhveshura pjesërisht nga mundësia të futën në “vallen e re”, për rindarje të botës dhe për stabilizim në te. Lidhur me këtë, nga viti 1878, në Evropë, populli liridashës nëse donte të rreshtohej drejtë në fitore, i kishte TRI kushte nga Gjashtë Fuqitë e mëdha: Të ishe anti islam, Të ishte anti -turk (1908) dhe Të ishte pro Vaselenës, sipas Paqes së Krimesë 1856. Në mes dy Luftërave Botërore, filozofia e rreshtimit ndryshoi, edhe pse ishte matematikor: 1+1+1. E përkthyer ai rreshtim duhej të ishte: Anti gjerman; Anti Komintern; Pro Vatikanit, sepse fjalën kryesore e mori Franca, si djep i “kulturës së revolucioneve” racionale dhe SHBA si bërthama e evolucionit empirik. Kuptohet kulturën revolucionare e përvetësuan disa intelektualë shqiptarë, pasi që klasë punëtore të “civilizuar” nuk kishin. Për këtë primat do të fillojë përgatitja dhe zbatimi i planeve totalitare në Moskë dhe Perëndim në stilin: “o ne, o ata” e që u zbërthye në Luftën e Dytë Botërore. (Vijon nesër)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)