Shkruan: Gjeneral Kudusi LAMA : Raporti i Dick Martyt, banal

UÇK-ja kishte unitet të çeliktë Pika 52 e raportit në fjalë është një tentativë për të futur përçarje midis shqiptarëve. Aty thuhet: “Ka dalë qartë se këto ‘grupëzime’ të ndryshme të UÇK-së kanë zhvilluar e ruajtur strukturat e tyre informative, që i kishin ndër të tjera, si një mjet për të siguruar vazhdimësinë e tyre. Përkrahësit më të zellshëm të ndjekjes faktike të kësaj forme lufte të UÇK-së përdorën të gjitha mjetet që kishin, duke e vënë veten, në mënyrë të pamohueshme, në kufirin e ligjshmërisë, për të mbikëqyrur dhe shpesh për të sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund të dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”. Ndërsa unë po të them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur që në luftë Shërbimin e vet Informativ, shumë të organizuar dhe që ka kryer me ndershmëri detyrat në interes të atdheut. Dhe ky shërbim ka vijuar të ekzistojë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka qenë publik dhe nuk ka vepruar i fshehur. Ky shërbim në punën e tij ka një veprimtari të spikatur dhe me bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ai nuk është marrë me partitë politike që normalisht u krijuan pas përfundimit të luftës, por kreu detyrën deri ditën kur ia dorëzoi shtetit të pavarur të Kosovës. Përveç Shërbimit Informativ të UÇK-së të krijuar që gjatë luftës, në Kosovë nuk ka vepruar asnjë shërbim tjetër legal përveç, ndoshta, ilegalisht edhe UDB-a juaj, e cila ju ka furnizuar me informacionet që jua kanë interesuar. Çdo deklarim ndryshe është në kuadër të shpërdorimit të detyrës që bëni ju, në emër të Këshillit të Evropës. Deklarimi juaj, se ky shërbim është përdorur për ta “mbikëqyrur dhe shpesh për ta sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund t’i dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”, është shpifje dhe nuk bazohet në asnjë fakt, përveç në ndonjë artikull gazete të shkruar nga ndonjë gazetar i tipit tuaj, që në emër të lirisë së shtypit mund të shkruajnë çfarë t’u teket, ashtu edhe të kolegut tuaj Bllaca që me të vërtetë jep deklarime të vlefshme, bile “shumë të vlefshme”, i cili është përputhur plotësisht me mendimet dhe veprimet e zbulimet tuaja. Ajo që është shumë interesante duket se ju paskeni zbuluar që ne kemi edhe një kanun, të cilin e paska zbatuar UÇK-ja, siç e pohoni në pikën 53 të raportit tuaj. Po si nuk ju ra në sy se UÇK-ja ka pasur një betim ushtarak publik? Si nuk arritët t’i gjeni rregulloret ushtarake të jetës e të disiplinës që ka zbatuar UÇK-ja që nga themelimi i saj? Si nuk ju kanë rënë në sy ato qindra urdhra e komunikata që ka lëshuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së gjatë gjithë luftës? Si nuk ju ranë në sy ato struktura organike mbi të cilat është ndërtuar e ka funksionuar UÇK-ja? Si nuk arritët t’i shikoni planet e operacioneve luftarake të formacioneve të UÇK-së për realizimin e misionit të saj? Por duke i tejkaluar të gjitha këto, ju shkuat dhe gjetët kanunin tonë, i cili qenka zbatuar gjatë luftës? Pse jeni kaq i paskrupullt? Kanuni ynë zotëri është një ligj i lashtë që ka ekzistuar kur ti nuk e kishe akoma kombin tënd. Ai ka luajtur një rol shumë të madh në organizimin shoqëror të kohës kur është shpallur. Është një nga ligjet më të lashta të Evropës, në mos më i lashti. Të diturit mburren me përmasat dhe funksionalitetin e tij. Dhe për të të sqaruar zotëri, ai nuk është zbatuar se nuk ka terrenin për t’u zbatuar në kohët e sotme. Por po të zbatohet, duhet ta dini se askush nuk vritet, pasi ai nuk lejon të vriten njerëz fshehtas. Kur vritet me kanun, vrasësi deklaron vrasjen para se ta hetojnë. Në ato kushte nuk do të kishte nevojë për raportin tuaj, pasi çdo gjë do të ishte e deklaruar publikisht. Prandaj mos na merrni nëpër gojë kanunin tonë të lashtë, apo edhe ai ju ka prishur punë. Në pikën 54 ju deklaroni se “… kemi konstatuar se njësitë kryesore të UÇK-së dhe zonat e tyre përkatëse të komandimit operativ ishin pothuaj kopje e saktë e strukturave që kontrollonin format e ndryshme të kriminalitetit të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja”. Kush i kishte organizuar këto forma të ndryshme të “kriminalitetit të organizuar” para krijimit të UÇK-së, që ajo i paska gjetur kopje të gatshme? A e kuptoni që flisni me gjuhën e Serbisë? Si paska qenë i organizuar ky kriminalitet në Kosovë kur aty sundonte me zjarr e hekur pushtuesi serb? Si i paskan gjetur këto mënyra organizimi kriminale djemtë dhe vashat luftëtarë me nga një kallash e nga një grusht fishekë nëpër male? Apo mjafton të thuhen fjalë të tilla dhe efektiviteti është i arritur. Për këtë keni të drejtë vërtet me lojëra të tilla fjalësh e akuza pa asnjë të vërtetë. Ju ia arritët ta bindni Këshillin e Evropës. Në këtë kuptim ia keni arritur qëllimit. Veçse duhet të dini që realisht nuk jeni treguar tjetër veçse një kriminel. Pse nuk thoni çfarë trafikohej nëpër Kosovë e prej Kosove, në kushtet kur atje çdo lëvizje e kontrollonte Serbia? Por, thjesht, në pikën 55 shpreheni se nuk ishte e vështirë “për të kuptuar kush drejtonte trafikimet e ndryshme apo veprimtaritë e kontrabandës, që lulëzonin në rajon”. Me një fjalë, që ju të mos i quani shqiptarët trafikantë, kontrabandistë e kriminelë, çfarë duhet të kishin bërë ata? Sepse ju e keni gjetur lehtë duke vazhduar shprehjen tuaj: “Mjafton të përcaktohet cili taraf apo cili klan komandantësh a rekrutësh të UÇK-së ishte përgjegjës i një zone operative të përcaktuar të UÇK-së në Kosovë apo në disa rajone të Shqipërisë”. Pra, prej këtej del se të gjithë komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në këndvështrimin tuaj nuk janë tjetër veçse kontrabandistë, trafikantë dhe kriminelë. Me thënë të drejtën, keni hyrë shumë në borxh me shqiptarët zotëri. Ju keni ngarkuar jo vetëm akuza, por keni tentuar t’ju ndyjnë edhe historinë. Dhe këtë, thjesht, për t’i kënaqur interesat e fashizmit ekstrem serb. A vërtet jeni me mendësi fashiste zoti Marty? Për t’ju sqaruar pak për pikën 56, po ju them se vendimi për themelimin e UÇK-së i përket vitit 1994 dhe ideja është shumë më e hershme. Askush në atë ushtri nuk e ka marrë dot drejtimin sipas dëshirës a sipas forcës, por sipas detyrës së vënë nga strukturat e lëvizjes politike të kohës. Kështu që bërthama më e ngushtë e UÇK-së ka qenë Shtabi i Përgjithshëm, i cili ka pasur fuqinë ta udhëheqë luftën e kësaj ushtrie deri në çlirim. Nëse këto veprime ju i quani veprime kriminale të paligjshme, nuk është faji i UÇK-së e as i drejtuesve të saj. Ndërsa si veprimtari kriminale të tyre në Shqipëri ndoshta quani faktin se duke përfituar nga fakti i ngjarjeve të vitit 1997 që hapën depot e ushtrisë në Shqipëri, bënë një punë shumë të organizuar në grumbullimin e atyre armëve për t’i armatosur luftëtarët në Kosovë. Nëse këtë e quani krim, unë e quaj sa veprimtari humane, po aq edhe atdhetare. Më pas, në pikën 57 keni shpikur një grup të Drenicës, që realisht në asnjë dokument tjetër, përveç në raportin tuaj, nuk është i emërtuar kështu. Për këtë s’ka pasur as pagëzim e as vetëpagëzim. Atë thjesht e keni pagëzuar ju me serbët, ose serbët në vitin 2004 e ju në vitin 2010. Por ju jeni i mllefosur për ta emërtuar kështu sepse Drenica ju shkakton alergji psikike pasi, siç deklaroni vetë, Drenica ka qenë “bërthama tradicionale e qëndresës së anëtarëve të etnisë shqiptare ndaj shtypjes serbe në kohën e Millosheviqit dhe vendlindja e UÇK-së”. Për këtë vizitohuni te mjeku se nuk janë fajtorë shqiptarët, por të dashurit tuaj – serbët, të cilët mjaft janë përpjekur ta shuajnë atë trevë, por nuk kanë mundur ta bëjnë pasi qëndresa shqiptare i ka mundur masakrat serbe. Ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë në gjithë Kosovën. Megjithëse veprimet e saj ju i quani veprime kriminale, siç i quajnë serbët, ka vepruar me shumë dinjitet duke arritur t’i hedhë përfundimisht për gjithë të ardhmen shqiptare jashtë serbët dhe ta zhdukin përfundimisht pushtimin prej tyre. Dhe duke emërtuar të quajturin “Grupi i Drenicës”, ju ia arrini qëllimit të arrini tek emri i udhëheqësit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin, duke përdorur terminologjitë mafioze, pjesë e të cilëve ndoshta jeni, e emërtoni “kumbara” i rrjeteve të kriminalitet të organizuar që, sipas jush, nuk janë tjetër vetëm strukturat luftarake të UÇK-së. Por prapë ju gaboni, pasi Hashim Thaçi gjatë luftës e deri në Konferencën e Rambujesë, ku u zgjodh unanimisht kryetar i delegacionit shqiptar, nuk ishte tjetër vetëm drejtor i drejtorisë politike në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Deri në atë kohë ai nuk ishte i njohur si politikan në skenën ndërkombëtare. Por ju nuk shqetësoheni për këtë. Për ju dhe planet serbe duhet goditur kryetari i Kosovës. A do të arrini vërtet që me mashtrime të ngjiteni deri në ato nivele të qeverisjes së Kosovës? A mos keni bërë edhe ndonjë plan për të na sjellë kryetar ndonjë serb? I shkreti ti sa dëshirë të madhe ke. Sot Thaçi është politikan i nivelit të lartë, por në kohën kur ju e akuzoni me termat që dini t’i përdorni vetëm ju, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një djalosh me armë në krah, që kishte marrë përsipër të luftonte deri në fund të jetës për çlirimin e popullit dhe atdheut të tij prej pushtuesve shekullorë serbë. Në atë kohë të luftës së lavdishme ai nuk kishte kohë të bënte poza si ju sot, për të treguar se ishte i zgjuar dhe është vlerë që ai nuk ka zgjuarsinë tuaj. Mirëpo ju i ngatërroni kohët, njëherë shkoni në vitet 1998 – 1999, njëherë flisni në kohën e sotme. A e dini se përfaqësuesit e ShBA-së kanë filluar bashkëpunimin me Thaçin prej Konferencës së Rambujesë? A e dini se edhe në atë konferencë të nderuar Thaçi nuk guxoi ta firmoste marrëveshjen pa një konsultë të ngushtë me gjithë luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi donte të kishte unanimitet të plotë në pranimin e saj? Apo edhe këto veprime janë kriminale?! Dhe të jeni i sigurt, se pavarësisht organizmit në disa parti politike, në skenën politike sot në Kosovë, në atë kohë nuk kishte asnjë fraksion apo përçarje në radhët e UÇK-së dhe për lumturinë tonë ishte vlerë që nuk kishte, pasi një synim të tillë për të krijuar disa ushtri në Kosovë e kanë shprehur serbët që në atë kohë dhe mos mendoni se nuk kanë tentuar ta bëjnë, por nuk kanë arritur, pikërisht se UÇK-ja kishte unitet të çeliktë. Në pikën 60 ju thoni: “Thaçi ia detyron pa asnjë dyshim ngjitjen e tij personale përkrahjes politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore, të cilat e konsideronin si partnerin lokal më të parapëlqyer në projektin e tyre të politikës së jashtme për Kosovën. Kjo formë përkrahjeje politike do t’i ketë krijuar konkretisht ndjenjën se është “I paprekshëm” dhe e veshi kështu me një rëndësi tej mase prej drejtuesi të ardhshëm, të besueshëm, të Kosovës së pasluftës”. Unë do të kisha nderim për ShBA-në dhe fuqitë perëndimore nëse do të kenë vlerësuar se Thaçi është një personalitet i vlefshëm për politikën e Kosovës, pasi ata dinë ta bëjnë vlerësimin e nivelit të politikanëve. Nëse është kështu, unë ju falënderoj që na e thoni, por kemi dëgjuar mjaft përralla të tilla, që çdo gjë lind në Perëndim. Realisht UÇK-ja ka lindur në gjirin e popullit të tij dhe i ka nxjerrë prej gjirit të vet kuadrot drejtuese, që sot janë edhe udhëheqës me vlera në politikë. Prapë në pikën 61 ju shpreheni: “…Thaçi e përforcoi në përmasa fenomenale mbështetjen e tij mbi veprimtaritë kriminale të organizuara gjatë kohës kur këto lulëzuan në Kosovë e në Shqipëri”. Po cilat janë more zotëri këto krime që nuk i emërtoni? A mos e quani krim faktin që bashkëpunëtore e bashkëluftëtare e UÇK-së dhe e Hashim Thaçit (meqë doni t’i përmendni emrin), u bë gjithë bota moderne dhe forca e saj e madhe politike-ushtarake NATO-ja, që goditën bashkë me të pushtuesin e Kosovës deri në çlirim? Në atë kohë i vetmi “krim” që mund të jetë bërë ka qenë armatosja e UÇK-së dhe që edhe ajo për pamundësi nuk është bërë në nivelin e nevojave të saj. Të gjitha krimet e tjera që nënkuptoni kanë ndodhur zotëri vetëm në kokën tuaj, që me sa lexoj në këtë raport ka imagjinatë të sëmurë. Në pikën 62 thoni: “Thaçi do ketë vepruar në këtë fushë me mbështetjen dhe bashkëfajësinë jo vetëm të strukturave qeverisëse zyrtare të Shqipërisë, dhe konkretisht të qeverisë socialiste në pushtet në atë kohë, por edhe të shërbimeve sekrete shqiptare dhe të mafies së tmerrshme shqiptare”. Po mirë mor zotëri, mbasi Shqipëria paska qenë me shtet mafioz, me shërbim informativ mafioz, me shoqëri mafioze, me mafi të tmerrshme shqiptare, çdo të bënte Thaçi? Natyrisht do të bëhej si ata. Nuk besoj se keni ndonjë mendim tjetër. Këtu bëni shumë mirë, përderisa në Shqipëri jua kanë pranuar këtë vlerësim për ta. Po si ta ka pranuar Këshilli i Evropës këtë vërtet, nuk e kuptoj. Ju zotëri duhet të paditeni, por unë nuk kuptoj pse lejohesh të jesh i lirë edhe nga Këshilli i Evropës, pasi mendoj se jeni shoqërisht i dëmshëm. Ju sot po godisni Shqipërinë e Kosovën dhe personalitetet e udhëheqjes dhe të politikës së këtyre dy shteteve, po nesër? Ju mund të bëni çdo lloj krimi. (Vijon) Me të tilla banalitete ju vazhdoni të merreni edhe në pikat 63, 64, 65, të raportit në fjalë ku, siç duket, duhet vetëm ta mbushësh raportin, pasi shumë gjëra i keni përsëritur nga një pikë në tjetrën pa far kriteri. Në atë kohë në Shqipëri kanë qenë të gjitha mediat e botës dhe e kanë pasqyruar me detaje gjithçka ka ndodhur në vend, prej fronteve të luftës e deri në Kryeqytet të Shqipërisë, në Tiranë. Por në atë kohë çdo familje shqiptare ishte e hapur për të mbajtur të shpërngulurit, që Millosheviqi me forcat e tij dhe me ju nuk i lejoj të qëndronin në shtëpitë e tyre në Kosovë, e cila u la me gjakun e jo më pak se 12 mijë qytetarëve e qytetareve shqiptare të pa armatosur. Por vetëm për trafikim të qenieve njerëzore, shitje të makinave të vjedhura e tregti seksi nuk i shkonte mendja askujt se në përleshje me ushtrinë dhe policinë serbe nuk kishin kohë për këto që përmendni ju. Më habit deklarimi juaj se në atë kohë “tregtia e heroinës dhe e narkotikëve të tjerë kontrollohej në mënyrë të dhunshme nga Hashim Thaçi dhe anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’”. Pasi e di mirë se në atë kohë Thaçi nuk dinte ku kishte kokën, jo të merrej me tregti heroine e të tjera drogash, që unë nuk i njoh, siç pretendoni në pikën 66 të raportit tuaj. Dhe për këtë thërrisni në ndihmë edhe shërbimet sekrete të botës, veçse ata nuk kanë emrin e Thaçit e ju e emërtoni pa hezitim. Sidoqoftë kjo është punë për ju dhe për Thaçin, i cili besoj se do të ketë aq fuqi sa të pastrojë veten nga akuza të tilla të rënda dhe t’iu tregojë vendin ju atje në Evropë a kudo të jeni. Unë mund të them se gjuha juaj është shumë e rëndë dhe realisht duhet shumë forcë logjike të quash gjakftohtësinë në përballje me etiketime si tuajat. Në pikën 68, shpreheni: “Gjatë hulumtimeve tona, kemi pasur të dhëna se shumë anëtarë të tjerë të njohur të “Grupit të Drenicës” kanë qenë bashkëfajtorët kryesorë të llojeve të ndryshme të veprimtarive kriminale. Ndër ta figurojnë Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, secili prej tyre ka qenë objekt akuzash të shumta pas dyshimesh për krime lufte apo për bashkëfajësi me keqbërës, përfshirë edhe për çështje të rëndësishme që u janë drejtuar prokurorëve të UNMIK-ut, të GJPNIJ-së dhe EULEX-it. Deri më sot, ata të gjithë i kanë shpëtuar çdo drejtësie efektive”. Se nga i keni marrë të dhënat kjo tashmë është e kuptueshme, por besoj se edhe kur të gjithë këta që i përmendni të fitojnë pafajësinë pas raportit tuaj, ju nuk do të keni guximin t’i kërkoni falje Këshillit të Evropës për shpërdorim të detyrës dhe a do t’i kërkojë falje kombit shqiptar Këshilli i Evropës që ka rënë rob i mashtrimeve tuaja. Dhe për këtë unë personalisht kam një shije të hidhur, kur lexoj se ju arrini deri atje sa të përçmoni edhe vendimet e Gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, e cila i ka shpallur të pafajshëm të gjithë ata që deri tani janë akuzuar për këto krime, që po e përsërisni akuzën ju. Por ju prapë shkoni me mendimin se ata duhet të ishin dënuar. Çfarë fatkeqësie për ju që nuk e keni realizuar këtë dëshirë, që besoj duhet ta keni të kahershme. Sinqerisht më habit fakti që ky raport i juaj është marrë seriozisht, kur ju përgjithësisht merreni me hamendësime, me paramendime dhe me dhënie idesh se si duhet të ishte vepruar për këtë apo atë person a grup në Kosovë. Veç ajo që më indinjon është fakti që përgjithësisht, deri në detaje informatat që jepni ju dhe arsyetimet që përdorni e akuzat që bëni përputhen si dy pika uji me ato që serbët i kanë deklaruar gjithnjë prej kohës së luftës e deri më tani. Pra, duket që ju zotëri nuk keni informacion tjetër vetëm ato të serbëve, prandaj edhe në vazhdimësi më duket sikur realisht raportin ua kanë servirur serbët e ju vetëm e keni nënshkruar dhe ia keni paraqitur Këshillit të Evropës. Unë në pjesët e tjera të këtij punimi shumë çështje i kam arsyetuar e shumë të tjera do t’i arsyetoj në vazhdim deri në përfundim të këtij reagimi. Në pikën 73 deklaroni me hamendje: “Anëtarët e ‘Grupit të Drenicës’ duhet të kenë marrë gjithashtu në dorë kontrollin e fondeve themelore të vëna në dispozicion të UÇK-së për të financuar përpjekjet e luftës. Ky grup duhet të ketë bërë me rrjetet ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar shumë marrëveshje që duhet t’i ketë dhënë mundësinë për t’u zgjeruar dhe për t’u përhapur në fusha të reja veprimtarie, krahas rrugëve të reja të kontrabandës drejt vendesh të tjera të Evropës”. Duke arsyetuar, dua të ju sqaroj se: Së pari, Thaçi nuk besoj se është fare pjesë e vendimmarrjes për themelimin e “Fondit Vendlindja Thërret”, pasi ky vendim është marrë kolegjialisht në kryesinë e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, si një nevojë imediate për të tërhequr burime financiare nga diaspora për interesat e luftës, sepse nuk kishte asnjë mundësi tjetër financimi. Këto fonde, siç pranoni edhe ju, vinin para nga kontributet e derdhura nga diaspora kosovare; të cilat ishin vënë në llogari bankare të huaja, konkretisht në Gjermani e Zvicër, thoni ju por duhet ditur se “Fondi Vendlindja Thërret” ka shtrirë veprimtarinë e tij në gjithë globin, deri në SHBA e në Zelandën e Re. Ato realisht janë fondet që kanë financuar luftën, pa përjashtuar edhe ato fonde, për të cilat duhet të ketë dokumente, që janë dhënë, siç thonë drejtuesit e luftës edhe nga qeveria në ekzil e Kosovës, që drejtohej nga Bujar Bukoshi. Por unë nuk di të ketë pasur të ardhura të tjera, siç thoni ju “me rrjetet ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar”, pasi po të kishte një marrëdhënie të tillë, gjendja e fuqizimit të UÇK-së do të ishte më e mirë. E për grumbullim fondesh për interesa personale unë nuk besoj se kishte mundësi në atë kohë, pasi hapësirat ishin shumë të kufizuara edhe sikur vërtetë dikush të kujtohej. Por unë jam i bindur se as nuk kujtohej kush për këtë mundësi, përgjithësisht unë kam vrojtuar se për gjëra të tilla mund të kujtohen vetëm ata që nuk guxojnë të përleshen me armë me armikun dhe i vidhen luftës, pikërisht të tillë duhet të jenë edhe dëshmitarët e zotëri Martyt. Verifikojini dhe binduni. Më poshtë le të ndalemi tek pika 74, ku ju zotëri pasi thoni: “…përgjegjësia e parë për dy seritë e krimeve të papranuara dhe të përmendura në këtë raport, duket se bie mbi drejtuesit e “Grupit të Drenicës”: administrimi i rrjetit adhoc të qendrave të burgimit të UÇK-së në territorin shqiptar dhe përcaktimi i fatit të robërve të ruajtur në këto qendra, dhe konkretisht civilë të shumtë rrëmbyer në Kosovë dhe dërguar përtej kufirit, në Shqipëri”. Ju në radhë të parë zotëri i vërtetoni vetes, ato që thoni. Kësaj ne shqiptarët i themi: “Lala Kros, lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”. Ju çfarë thoni, nuk i quani dyshime por “të pranuara”, që domethënë se ju doni të jeni edhe politikan, edhe prokuror, edhe gjykatës, që nuk besoj se mund të arrish t’i kryesh. Ndërsa më poshtë caktoni një seri burgjesh në Shqipëri, ku sipas jush janë burgosur shumë njerëz të rrëmbyer në Kosovë e të burgosur në Shqipëri, sikur në Shqipëri nuk kishte shtet, nuk kishte polici, nuk kishte shërbim informativ, nuk kishte ushtri, nuk kishte popull, por vetëm një shkretëtirë, që e paskan shfrytëzuar kriminelët që caktoni ju dhe që i zbuloni kur iu mbushet mendja t’i zbuloni. Njëkohësisht, nuk merret parasysh se kufiri me Serbinë ishte shumë problem të kalohej me një barrë armë për të hyrë e jo më të kalohej me një kolonë të robërish për t’i sjellë në Shqipëri. Sidoqoftë unë zotëri kam qenë atje në Kukës në atë kohë dhe po ju them se nuk ka pasur burgje të tilla. Po të kishte unë pa tjetër duhet e do ta kisha marrë vesh, pasi mendoj se përveç që kam qenë Komandant i asaj zone të nxehtë, e si i tillë kam pasur struktura të plota për të mbajtur nën kontroll gjithçka, por kam pasur edhe një mbështetje mbarë popullore në atë zonë, ku mund të them se kam pasur marrëdhënie shumë të ngrohta dhe besnikërie me gjithë popullin e zonës. Por ju nuk doni të dini të vërtetën, pasi po të kishe një dëshirë të tillë do të kishe bërë pyetjen se kush ishte komandant në këtë zonë dhe çfarë bënte ky komandant kur në kufirin që kishte për detyrë të mbronte hidheshin çdo ditë me dhjetëra e deri me qindra predha artilerie e edhe raketa mëmë – bijë, të cilat për fat dolën me defekt, se për ndryshe do të kishin vrarë me qindra e ndoshta mijëra qytetar shqiptarë të pafajshëm nëpër oborret e tokat e tyre në Shqipëri, pasi miqtë tuaj serb, nuk kanë hezituar në asnjë moment ta bëjnë këtë, por që ne jo nga frika, por për kujdes, që na është dukur plotësisht i motivuar, u përpoqëm t’i shmangemi një lufte ndërshtetërore me Serbinë, pasi kishim kuptuar se tek ajo ishte një dëshirë e tillë, për të tërhequr vëmendjen e botës tek lufta ndërshtetërore, që të masakronte në hije Kosovën. Ndërsa zhvillohej kjo situatë në atë kohë, ju vini tani pas dhjetë vjetësh dhe na hidhni në opinion informacionin bombastik, sikur në Shqipëri nuk kishin punë tjetër veçse të krijonin dhe të administronin edhe burgje ilegale. Dhe kush t’i organizonte këto burgje? Ata djemtë luftëtarë që nuk kishin gati zakonisht as bukë me djathë apo me qepë të thata për të ngrënë për vete. Dhe këto nuk i kam me të thënë, por me të parë me sy vetë. Jeni duke bërë krim zotëri, por unë nuk di si do të marrësh ndëshkimin për këto krime që po i modifikon në mënyrën më monstruoze. Të shpresoj të vijë ajo ditë, që ai Këshilli i Evropës, që e mori seriozisht raportin tuaj, të iu kërkojë llogari, si dhe mediat që u mashtruan nga ju, t’u a nxjerrin bojën prej shpërdoruesi të detyrës fisnike të deputetit evropian dhe krimineli ordiner. Në pikën 75, bëni edhe zbulimin e një bashkëpunëtori tjetër në krim, duke e zgjeruar grupin, mjekun Shaip Muja. Ashtu duhet, hap pas hapi duhet krijuar struktura, mirë e keni. Por unë do të doja që mjekut Shaip Muja t’i kërkohej llogari se nuk ka pasur mundësi të sigurojë medikamentet për të cilat kishin nevojë luftëtarët nëpër fronte, që edhe kur i siguronte aq sa mund të siguronte, nuk gjente dot mjete e rrugë për t’i çuar tek luftëtarët, pa për të krijuar rrjete për heqje organesh e për transplante, s’di se si mund t’i realizonte. Ndoshta duke vrapuar rrugëve për të kryer detyrat që merrte. Për atë kohë ky mendoj ka qenë “doktori’, ndërsa pas luftës, pse është bërë pjesë e politikës ndoshta është fajtor, pasi i ka prishur punë ndonjë eksponenti të UDB-së që do të duhej të ishte deputet, kurse Shaipi të punonte në një qendër shëndetësore po të lejonte ai (udbashi) që të punonte. Vazhdoni zotëri Marty, krijojeni skuadrën, se po nuk u krijua skuadra nuk mund të bëhesh i besueshëm. Vërtetë, nuk duhet të konsideroheni i pa aftë, por shumë skrupuloz. Mirë more Shaip, po paske pasur edhe helikopter në dispozicion e nuk e vure asnjëherë në dispozicion as për të tërhequr luftëtarë të plagosur nga frontet, e le më për të bërë furnizime deri afër fronteve me medikamente, se me armë e municione jo se jo. Si nuk e paskemi ditur se ti kishe edhe helikopter e shokët ecnin me ditë të tëra në këmbë? Si nuk e paskam ditur deri sot unë që isha aty, e vjen zotëri Marty e ta gjen pas dhjetë vjetësh? Çudi o Doktor Shaipi. Hajde more zotëri Marty. Po bomba atomike ka pasur UÇK-ja? A mos ka bërë edhe trafikime të tilla? Se i zbulon ti. Sa qesharak bëhesh more zotëri. Po ne jemi lodhur duke lutur gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar e nuk kishin mundësi të na ndihmonin me helikopter për të transportuar luftëtarë të plagosur rëndë, që ndoshta edhe kanë dhënë jetën prej kësaj mungese, e ti na e bën doktor Shaipin me helikopter privat. E zgjata pak, se mu duk shumë qesharak ky deklarimi i helikopterit të Shaipit. Ndërsa pronat tjera le t’i gjejë zotëri Marty në Shqipëri se Shaipi qenka pronar i madh. Për ta kuptuar ata që nuk do të përtojnë të lexojnë këtë reagim ndaj këtij raporti banal, gjithçka që ka shkruar ky zotëria në raportin e tij është e vërtetë aq sa ç’është e vërtetë që Shaip Muja paska pasur një helikopter privat. Së pari, ju nuk mund të imagjinoni UÇK-në si forcë të Armatosur e të organizuar zotëri Marty, pasi në pikën 84 ju prapë e quani “grupëzime të ndryshme”, thuajse në atë ushtri nuk ka pasur fare hierarkie. Ky është një mashtrim, pasi atë disiplinë dhe hierarki unike të UÇK-së e ka njohur gjithë bashkësia evropiane e ShBA-në që organizuan e realizuar me të Konferencën e Rambujesë dhe NATO-ja, që organizoi e realizoi në bashkëpunim me të një luftë, që u quajt prej komandantit të NATO-s – gjeneralit Uasli Klark – luftë moderne. Ashtu sikurse ju, prapë e quani Thaçin si drejtues të të ashtuquajturit prej jush “Grupi i Drenicës”, kur ai ishte në ato çaste kreu i UÇK-së dhe kreu i qeverisjes së Kosovës por, siç duket, serbët me shpjegimet e tyre për Drenicën ta kanë futur aq shumë tmerrin saqë, ndoshta, ju shfaqet edhe ëndërr, pasi edhe serbëve Drenica, siç themi ne shqiptarët, ua ktheu patkonjtë nga dielli. Zotëri Marty luftëtarët e UÇK-së nuk ishin UFO, por bijtë më të denjë të popullit shqiptar Dhe që në përfundim të luftës UÇK-ja do ta merrte kontrollin e vendit, konsiderohet plotësisht normale, anormale do të ishte sikur ajo t’ua linte atë serbëve sipas dëshirës që keni ju. Por atë kontroll nuk kishin pse e merrnin që të “mund të kryenin trafikime dhe veprimtari të ndryshme kontrabande”, pasi kishin luftuar për liri e jo për banditizëm, siç keni dëshirë të jetë e vërtetë ju dhe serbët. Sipas idesë tuaj unë e kuptoj shumë mirë në gjithë përmbajtjen e raportit, se në Kosovë nuk mund të ketë siguri pa serbët. Këtë e kanë thënë serbët vazhdimisht, nuk jeni ju i pari dhe nuk po thoni diçka të re e të panjohur për shqiptarët. Dhe të dini mirë, se në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, UÇK-ja e kontrollonte gjithë Kosovën me të drejtën e qenies ushtri shqiptare, në emër të popullit shqiptar, pasi për atë e kishte bërë luftën. Ajo nuk kontrollonte disa “fshatra, pjesë rruge, shpesh edhe disa godina”, siç shpreheni ju, por gjithë hapësirën që ishte brenda kufijve të saj. Por në emër të lirisë e të sigurisë së atdheut e të kombit, jo për të qenë në gjendje “të ndërmerrnin veprimtari të kriminalitetit të organizuar praktikisht sipas dëshirës së tyre”, siç shpreheni ju në pikën 85 të raportit, pasi ata i kishin dhënë provat me gjakun e tyre dhe populli kishte besim të plotë në drejtësinë dhe lirinë që u kishte sjellë UÇK-ja. Dhe të jeni i sigurt se UÇK-ja i ka dhënë një ndihmë të madhe edhe KFOR-it edhe UNMIK-ut, për të marrë drejtimin dhe vendosur kontrollin në Kosovë. E ata kur u vendosën në Kosovë gjithkund ku kanë shkuar, kanë gjetur luftëtarët e UÇK-së dhe gjithçka në rregull. Por korrigjoni shprehjen e emërtimit të UÇK-së fraksione, grupe, kriminele e të tjera, pasi atë fazë fyerjesh e akuzash ajo e ka kaluar në vitet 1996 – 1997. Më vonë u vlerësua se nuk qëndronin akuza e fyerje të tilla dhe bota e mori dhe e bëri mashkë qytetare të botës moderne. Ndërsa Thaçi nuk është e vërtetë se “u vet-shpall Kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës”, siç e cilësoni në pikën 86 të raportit. Ai zotëri e mori këtë detyrë me një marrëveshje politike kombëtare dhe me pajtimin e plotë ndërkombëtar. Pse nuk i keni pyetur pjesëmarrësit në Konferencën e Rambujes? Nëse gjithçka që nuk ka kaluar nëpër duart e dyert tuaja e të Serbisë quhet e paqenë, mund të shpreheni si të doni, por mund të shpreheni vetëm për vete, ndoshta po ju pranuan, mund të shpreheni edhe për kombin tuaj, por nuk keni asnjë të drejtë të tentoni të tjetërsoni historinë e kombit shqiptar. Dhe të jeni i sigurt, që në ato momente Thaçi nuk kishte asnjë rival që duhej likuiduar siç deklaroni ju. Të gjithë ata që ishin në skenën politike të Kosovës edhe në kohën e Millosheviqit, janë edhe sot në skenën politike, pa asnjë shqetësim. Dhe të jeni i bindur se po të kërkonte apo dëshironte të bënte atë që thoni ju, mund t’i kishte likuiduar se ishte komandant ushtrie. Por komandant ushtrie ishte për të çliruar vendin e jo për të vrarë njerëz rrugëve të atdheut të çliruar me shumë mundë. Po ku kupton ti zotëri nga qenia i pushtuar e çlirimi prej robërie. Ashtu si nuk keni asnjë njohje për shqiptarët dhe vlerat e tyre për mbrojtjen e jetës. Shikoni çfarë thoni në pikën 87: “Kur policia serbe dhe forcat paraushtarake u tërhoqën në qershor 1999, njësitë e UÇK-së të vendosura në Veri të Shqipërisë u përhapën në Kosovë me objektivin e shpallur për të “siguruar territorin”, por edhe të nxitur nga ana tjetër nga një ndjenjë e papërmbajtshme zemërimi e, le ta themi hapur, hakmarrjeje ndaj të gjithë atyre që dyshoheshin prej tyre se kishin marrë pjesë në shtypjen e popullsive të etnisë shqiptare”. Duke bërë këtë deklaratë, ju kërkoni të krijoni opinionin që në Kosovë nuk ka pasur UÇK, se ajo ka qenë në Shqipëri dhe se vetëm pas përfundimit të goditjeve të NATO-s, ajo është futur në Kosovë. Po mirë more zotëri, po si do ta bindësh popullin e Kosovës për këtë që thua? Apo nuk marrin vesh gjë ata, pasi raportin e keni për Këshillin e Europës. Dhe sa mirë që paskan ikur forcat ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe, se rrezik nuk do të ishin futur fare në Kosovë forcat e UÇK-së. Sa shakaxhi jeni zotëri Marty. Forcat ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe, ikën nga sytë këmbët, se për ndryshe do të kishin vdekur. Këtë ta keni të qartë. Luftëtarët e UÇK-së nuk ishin sportistë, por luftëtarë që kishin synim lirinë ose rënien në altarin e saj. Ama sa për urrejtje, forcat e UÇK-së në përfundim të luftës nuk kanë pasur fare, pasi gjithë urrejtjen e tyre të mbledhur në shpirtin e popullit shqiptar të pushtuar prej një shekulli luftëtarët e UÇK-së e kanë shfryrë kundër forcave ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe për 2 vjet pa u ndalur dhe atë detyrë e kanë kryer mirë. Ndaj nuk kanë pasur nevojë për asnjë lloj hakmarrjeje, se po të kishin nevojë të tillë, do të kishit evidencuar shtëpi serbe të djegura, fëmijë, gra e pleq serb të vrarë. Por nuk keni gjetur asnjë se shqiptarët nuk janë kategoria e juaj dhe e serbëve, të cilët kanë vrarë mbi 12 mijë njerëz të pa armatosur të të gjitha moshave deri edhe fëmijë të porsa lindur apo në barkun e nënës. Ndërsa bashkëpunëtorët shqiptarë që kanë marrë armët e armikut, kanë veshur uniformën e armikut dhe janë rreshtuar në formacionet e armikut për të vrarë shqiptarë, të jeni i sigurt se kanë shkuar me serbët, atë ditë që kanë ikur ata prej Kosove, për të mos u kthyer më kurrë. Megjithëse e di se ju akoma ëndërroni se mund të kthehen, ashtu siç ëndërrojnë serbët. Po habitem me “faktin”, që paskeni zbuluar se në Shqipëri në periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, kishte “mungesë të rendit publik” dhe “paaftësi të policisë dhe shërbimeve informative shqiptare për shtypjen e banditizmit mafioz, të organizuar e të ushqyer nga disa njësi të UÇK-së që ishin vendosur në Veri dhe në Qendër të Shqipërisë”. Mirë t’ua bëni atyre, përderisa pranojnë që ju të flisni si të keni dëshirë, pa iu kërkuar llogari ndërkombëtarisht. Ata vërtetë duhen konsideruar të paaftë. Por unë di se kanë qenë në detyra dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësia, pasi kam qenë aty dhe di mirë se çfarë ka ndodhur në atë terren gjatë luftës 1997 – 1999. Por siç duket qeveria e Tiranës kur Ju keni bërë deklaratat e ndyra, mendon se meqenëse kanë qenë në pushtet kundërshtarët e tyre politikë, shpifjet tuaja mund t’u shërbenin për disa vota më shumë sepse do të shfrytëzonin shpifjet tuaja si trampolinë. Ashtu sikurse ka prova që të gjithë luftëtarët që kanë kaluar në rrugën për në front nëpër veriun e malësisë së Shqipërisë kanë qenë me shumë kulturë dhe shumë të komunikueshëm. Askush prej tyre nuk ka marrë edhe ujë në çezmë pa marrë leje. Dhe kjo nuk ishte iniciativë personale e luftëtarëve, por ishte direktivë e dhënë që nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, sepse kërkohej nga çdo luftëtar të fitonte ngado që të vepronte simpatinë dhe dashamirësinë e popullit të zonës, sepse zotëri Marty luftëtarët e UÇK-së nuk ishin UFO, por bijtë më të denjë të popullit shqiptar, të cilët për hir të dashurisë për atë popull, kishin marrë armët e kishin dalë në male të luftonin kuçedrën serbe. Se po të ishte për të shitur drogë do të vinin të bënin një kontratë me ty atje në Zvicër e nga i keni ju ato territoret e trafikimit. Në pikën 96, ju deklaroni evidentimin: “Vendet e burgimit – për të cilat morëm dëshmi të drejtpërdrejta nga burimet tona, të mbështetura nga elemente të mbledhura prej gazetarësh investigues (disa datojnë që prej dhjetë vjetësh a më shumë), dhe më pranë në kohë, të mbështetura nga përpjekjet e hetuesve dhe prokurorëve të EULEX-it – përfshijnë: Cahan, Kukës (rrethina), Bicaj, Burrel, Rripe (fshat në jug-perëndim të Burrelit në rrethin e Matit), Durrës, dhe ndoshta më i rëndësishmi nga të gjithë në kuadrin e mandatit tonë të veçantë, Fushë-Kruja”. Se çfarë paskan kërkuar luftëtarët me burgje në Burrel, Durrës e Fushë Krujë, atë gjejeni meqë i keni hyrë kësaj pune. Unë nuk kam njohje për ato zona se nuk kanë qenë nën juridiksionin e detyrës dhe përgjegjësisë time. Por për në Cahan, Kukës dhe Bicaj, ju po mashtroni, pasi në ato vende nuk ishin të nevojshme burgjet. Pa folur që në Bicaj as që kanë shkuar ndonjëherë luftëtarët se nuk i lidhte as rruga. Or zotëri, po ata janë vende të banuara more. Si mund të ngrihen burgje ilegale në mes të morisë së një populli të tërë e të intensitetit të lëvizjes së luftëtarëve? Ju jeni i pandalshëm për mbrapshti zotëri. Për ato qendra stërvitje dhe furnizimi që ka pasur UÇK-ja në territorin e Shqipërisë është e saktë që nuk kanë qenë të pavarura e autonome, siç thoni ju në pikën 98, kështu që vërtetë nuk guxonte kush të ndërmerrte asnjë veprim jashtë planit të veprimeve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pasi gjithë veprimtaria e tyre duhej ushtruar sipas misioneve që ai shtab u kishte caktuar atyre qendrave. Dhe vërtetë ato kishin komandantë shumë të devotshëm, të gatshëm për të siguruar një disiplinë dhe ndershmëri për t’u pasur zili. Por civilë në ato qendra mund të vinin vetëm ata që kishin vendosur të vishnin uniformën e luftëtarit të UÇK-së dhe për të shkuar në front. Ndërsa mund t’iu them me siguri të plotë, se pas datës 23 qershor 1999, në rajonin e Kukësit, e për rrjedhojë edhe në vendet që emërtoni ju, si në Kukës, Bicaj e Cahan, nuk ka pasur asnjë luftëtar të UÇK-së se të gjithë ishin futur në Kosovë për të kryer detyrat që u kërkoheshin në funksionet e tyre në radhët e UÇK-së nga komandat përkatëse. Për këtë mund t’iu them me siguri se gjithë zona është kontrolluar me kujdes të shtuar, jo për burgje, siç thoni ju, por që të mos kishte mbetur diku ndonjë armë, municion etj, që mund të gjendeshin nga qytetarët, të cilët mund të dëmtoheshin prej tyre. Çdo rajon e rrugë ku kanë qëndruar përkohësisht apo kanë kaluar luftëtarë të UÇK-së është kontrolluar nga specialistë të të gjitha armëve e shërbimeve ushtarake shqiptare, sepse dihet që në luftë mund të ndodhë që të mbeten edhe ndonjë armë apo municione të harruara apo nga pakujdesia, gjë që ndodh e ka ndodhur gjithnjë në luftëra. Në pikën 104, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, ju deklaroni: “Kjo politikë do jetë zbatuar me forcë në territor shqiptar nga elementë të fuqishëm të shërbimeve informative kombëtare, midis të cilëve SHIK (i shndërruar në SHISH) dhe nga shërbimet informative të ushtrisë, disa anëtarë të së cilës do kenë marrë pjesë madje edhe gjatë marrjes në pyetje. Frymëzuesi kryesor i kësaj politike duhet të ketë qenë Kadri Veseli (alias Luli), një personazh-kyç i “Grupit të Drenicës””. Nuk e kuptoj ku e merrni gjithë këtë guxim zotëri, sa të përgojoni me hamendje një shtet të tërë me gjithë organet e tij të sigurisë, që nuk më duket normale dhe jam i habitur se si u është pranuar në Këshillin e Europës kjo thashethemnajë. Sa për dijeninë tuaj, shërbimet që ju i merrni nëpër gojë, nuk kanë pasur kohë të merren me burgjet tuaja imagjinare, pasi kanë pasur mjaft punë në detyrat e tyre, kur siguria e shtetit ishte e kërcënuar seriozisht nga agresioni kundërshqiptar serbë e grekë. Ndërsa Kadri Veselin që e përmendi ju sikur po përmendni një ushtar, duhet t’iu sqaroj se ai ka qenë funksionar i rëndësishëm në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ishte në drejtim të veprimtarisë që kishte për detyrë të kryente. Ai nuk kishte kohë të sillej nëpër Shqipëri të merrte në pyetje të “burgosur”, të cilët në imagjinatën tuaj kanë qenë në Kukës a diku tjetër në Republikën e Shqipërisë. Jo zotëri, ai ka qenë në Kosovë se atje ishte vendi i tij. Dhe kishte detyra shumë më të mëdha se sa të merrte në pyetje një qytetar qoftë edhe armik i betuar i çlirimit të Kosovës. Por ju duhet të përgojoni emrat e drejtuesve të UÇK-së dhe nuk keni fare kornizë etike prej politikani apo diplomati funksione në të cilat paguheni. Ndërsa sa i përket të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, mund t’iu them se në prill të vitit 1999, kam qenë prezent kur ka ardhur kolona e të shpërngulurve nga Drenica, në të cilën kishte vetëm gra, fëmijë e pleq, të gjithë në këmbë, të gjithë këmbë zbathur ose me ndonjë vjetërsirë që e tërhiqnin zvarrë, të gjithë të zbehtë, duke mbajtur njëri-tjetrin për dore, disa me ndonjë trastë të vogël në dorë dhe asgjë tjetër. Asnjë nuk qante, të gjithë shikonin drejtë dhe serioz, asnjë nuk ankohej, asnjë nuk kërkonte ndihmë. Zotëri, kolonë të shpërngulurish më madhështore në vuajtjet e saj nuk kam parë as kam dëgjuar se mund të ketë. Këto mund të quhen Grupi i Drenicës, pa grupe të tjera nuk ka pasur, sepse me gjithë dëshirën tënde e shpifjet që keni ndërtuar, drenicasit e tjerë kanë qenë në frontin e luftës kundër pushtuesit, në përbërje të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Termi “Grupi i Drenicës” është një shpikje e juaja, që nuk besoj se do të mbijetojë si etiketim, pasi është etiketim fals. Drenica nuk ka pasur një grup në luftë, ajo, si edhe e gjithë Kosova ka qenë e gjitha në luftë për ta shporrur njëherë e përgjithmonë kolonizatorin shekullor. Nuk-eshte-aspak-e-vertete-se-uck-ja-ka-qene-e-corganizuar Zotëri Marty, keni urrejtje të pakufishme për luftën çlirimtare dhe UÇK-në Duke lexuar pikat 105, 106, 107, kuptoj se ju flisni me hamendje, ose keni manipuluar me biseda të ndryshme të improvizuara ose të komunikuara me individë që mund të mos kenë asnjë lidhje me strukturat e UÇK-së, të cilët mund të flasin me çfarë mund të kenë dëgjuar se ku kanë qenë qendrat e grumbullimit e të stërvitjes të furnizimit të UÇK-së, ku pastaj ju, duke manipuluar, keni shtuar shprehje konkludimi imagjinar, si: “Vendet e burgimit ku do kenë ndodhur këto “marrje në pyetje” – konkretisht ato më pranë kufirit me Kosovën – ishin njëkohësisht “baza” apo “kampe” ushtarake – vende stërvitjeje nga ku dërgoheshin në front luftëtarë apo furnizoheshin me armë e municione”. Pra, ju, duke kuptuar se diku ka pasur një bazë grumbullimi, stërvitjeje e furnizimi luftëtarësh të UÇK-së, arrini të arsyetoni se meqë ishin kampe ushtarake, duhet të ketë pasur edhe burgje. Ky deklarim, sipas asaj çfarë kuptoj unë nga të drejtat e ushtrimit të detyrës, është shpërdorim detyre. Nëse do të ishit vartësi im, do t’ju kisha shkarkuar nga detyra për këtë mënyrë të shprehuri dhe për këtë mënyrë trajtimi të çështjeve të tilla që konsiderohen shumë të rëndësishme, por që ju i trajtoni duke i shikuar nga këndvështrimi paragjykues, dukuri që nuk i lejohet një diplomati e politikani të bashkësisë ndërkombëtare, siç jeni ju, që flisni në emër të Evropës. Ose “në shumicën e rasteve, robërit do jenë mbajtur mënjanë operacioneve që mund të klasifikohen si klasike në kohë lufte, dhe nga ana tjetër shumë larg syve të shumicës së luftëtarëve të UÇK-së e të vëzhguesve të jashtëm që mund të kenë vizituar këto baza”. Kur ju që pretendoni se i njihni këto baza, duhet të thoni se si mund të bëhen veprime kriminale në ato hapësira, e të mos shikohen apo dëgjohen nga luftëtarët. Duket sikur për ju luftëtarët janë kukulla e jo njerëz me logjikë e me arsye që nuk janë pa dëgjim e pa shikim si gjithë njerëzit e tjerë. Zotëri, në hapësirat e bazave të UÇK-së nuk ka asnjë mundësi të bëhen veprime të fshehta, por aty ka pasur komandantë që i kanë kontrolluar dhe disiplinuar ato baza sipas rregullave të shkruara që ka pasur UÇK-ja si në çdo ushtri tjetër. E për çudi, ju konstatoni se nëpër këto baza janë bërë veprime kriminale nga njerëz që nuk kanë qenë në përbërje të bazave dhe që komandantët e bazave nuk kanë ditur se ç’po ndodh. Sipas arsyes logjike të një njeriu të rritur e të shëndoshë mendërisht a mund të ndodhë një gjë e tillë? Këdo që të pyesësh do të japë përgjigjen e thjesht, jo. Por ja që është dikush, i cili siç njeh fushën e krimeve, njeh edhe rregullat e disiplinës ushtarake e të menaxhimit të kazermave, njeh edhe rregullat e luftës, e ky njeri qenkeni ju zotëri Marty. Është shumë interesante por ja që është e vërtetë, që ju mund të merrni përgjegjësi dhe të bëni ekspertin paragjykues për gjithë veprimtarinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në pikën 108 ju flisni për transportimin dhe mbajtjen në burgje në Shqipëri të robërve të luftës, që duket si një diçka e veçantë, por do të kisha dëshirë të flasësh me emrat dhe të marrin përgjigje pyetjet: Sa robër lufte paska transportuar UÇK-ja në Shqipëri? Cilët janë ata? Si i kanë emrat? Ku janë zënë robër, në cilin front? Çfarë njësie ushtarake i takojnë? Meqenëse janë kthyer në shtëpi siç pretendoni ju, prej nga janë dhe ku janë aktualisht? Zotëri Marty, për robërit e luftës flitet duke u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme, nuk mund të flitet për robër lufte sikur ata janë pako mallrash të përdorura. Ashtu siç shpreheni edhe për të arratisur nga këto burgje, po pse nuk i prezantoni mor zotëri që t’u nxirrni bojën atyre që i kanë mbajtur të burgosur? Po të ishte e vërtetë një gjë e tillë do të kishit një element të fortë në dorën tuaj për të justifikuar këtë deklarim tuajin. Por ju thjesht vetëm keni dëshirë të ilustroni akuzën dhe nuk keni mundësi të shkoni më tej. Ashtu sikurse në vazhdim në pikën 109, thoni se “jemi vënë në dijeni të ekzistencës se personave të mbijetuar…”, për të cilët gjithashtu thoni se paskan dëshmuar për krimet në Cahan, Kukës e Durrës, gjë që tregon edhe njëherë formalitetin e raportit tuaj, pasi ju thjeshtë jeni vënë në dijeni, por nuk dini të vërtetën, ç’ka më jep të drejtën mua të mendoj se ju thjeshtë jeni marrë me thashetheme dhe edhe raporti juaj nuk është tjetër veçse një sistemim thashethemesh dhe shpifjesh sipas një skenari serb, duke renditur të gjitha informacionet mashtruese që janë publikuar me kohë në deklarimin e librave që janë shkruar nga serbët sipas një programi shtetëror për atë periudhë. Por ajo që më bën të kthej gjithnjë vështrimin nga ju, është fakti që në raportin tuaj po të thuhet se diku ka qenë një bazë e UÇK-së, ju menjëherë i vini etiketën “bazë kriminale”, këtë me sa duket e bëni sepse për shqiptarët dhe të drejtat e tyre dhe për Luftën Çlirimtare të Kosovës e UÇK-në keni urrejtje të pakufishme. Të punosh për dikë se të paguan, siç keni punuar ju për Serbinë është e arsyeshme, por të kesh urrejtje patologjike ndaj atyre që akuzon e për të cilët shpif, do të thotë se këtu ka edhe diçka shpirtërore. Jam kurioz të di pse e keni këtë urrejtje patologjike për shqiptarët? Nuk besoj se keni pasur ndonjë marrëdhënie konfliktuale me shqiptarët personalisht. Pse pra? Se në raport duket, sikur ju e keni personalizuar problemin, duke e kthyer në një marrëdhënie personale mes jush dhe shqiptarëve. Ju nuk ndaleni në akuza zotëri Marty dhe nuk ndaleni edhe kur tentoni të futni konflikt brenda kombit shqiptar. Por ju gaboni zotëri, se shqiptarët në gjithë historinë e tyre nuk kanë asnjë moment lufte civile, me gjithë përpjekjet që kanë bërë armiqtë për ta krijuar mundësinë që të konfliktohen midis tyre, siç po bëni edhe ju me raportin tuaj. Kështu mund të thuhet edhe për FARK-un, për të cilin ju flisni në pikën 111, por nuk dini se ministri i mbrojtjes i qeverisë së Kosovës në ekzil nën kryeministrin Bujar Bukoshi, i cili ka deklaruar në intervistë televizive, se FARK-u ishte ngritur si strukturë nga qeveria që me krijimin e saj, i cili megjithëse nuk e mori dot kontrollin asnjëherë për t’u bërë funksional dhe veprues, forcë kryesore do të kishte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa ju e nxirrni FARK-un si forcë opozitare e UÇK-së. Ju arrini deri atje sa të përcaktoni se: “Grupi ushtarak i pagëzuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, apo FARK, luftonte zyrtarisht për çlirimin e Kosovës ashtu sikurse UÇK-ja, por komandantët e kësaj të fundit e trajtonin me përbuzje e dyshim, si një kundërshtar. FARK-ët, politikisht të përafërt me LDK-në, konsideroheshin si krahu i armatosur i qeverisë në mërgim të Bujar Bukoshit. Në të kundërt të UÇK-së, FARK-ët u formuan nisur nga një bërthamë oficerësh me përvojë të dalë nga etnia shqiptare dhe që kishin shërbyer në Ushtrinë federale jugosllave. Komandantët e UÇK-së i shihnin me shumë dyshim FARK-ët dhe përpiqeshin t’i pengonin në rekrutimin e luftëtarëve të rinj dhe në furnizimin me armë e municion. UÇK-ja ka mbajtur të burgosur shumë persona, sidomos civilë me origjinë nga Kosova, në Veri të Shqipërisë, pranë kufirit me Kosovën, persona që ajo i akuzonte se mbështesnin FARK-ët dhe se nuk tregoheshin të ndershëm ndaj kauzës së UÇK-së”. Pse e bëni këtë akuzë zotëri Marty, kush u ka thënë se ka pasur një konflikt midis UÇK-së dhe FARK-ut, që paska arritur deri në veprime që i përmendni ju. A mundeni ju t’i rreshtoni këto dy ushtri e t’i merrni në evidencë të na i tregoni ndarjet edhe ne shqiptarëve se nuk i dimë? Hajde zotëri Marty na e tregoni historinë tonë se ju jeni vërtetë i gjithanshëm dhe i gjithëdijshëm. Por shqiptarët kanë një fjalë të artë që thotë: Qesh ai që qesh i fundit. Në pikën 113, ju kaloni në akuza të drejtpërdrejta për individë duke u shprehur: “Sabit Geci, Riza Alija (alias “komandant Hoxhaj”) dhe Xhimshit Krasniqi figurojnë ndër komandantët e UÇK-së të akuzuar se kanë qenë në krye të këtyre qendrave të burgimit. Këta tre persona zënë një vend të rangut të parë edhe në hetimet e mëparshme çelur nga UNMIK-u lidhur me krimet e luftës të kryera në Veri të Shqipërisë; tashmë po i nënshtrohen një hetimi nga ana e Hetuesisë së posaçme të Kosovës dhe së shpejti duhet të gjykohen nga gjykata e shkallës së parë të Kosovës; pasuritë e tyre të patundshme janë bllokuar plotësisht”. Nuk pretendoj të shfajësoj askënd, në qoftë se ka bërë faje, por fakti që përmendet Sabit Geci dhe Xhimshit Krasniqi së bashku, më duket se është problem i pa gjetur. Që këta të dy luftëtarët e përmendur kanë qenë luftëtarë të spikatur në luftën kundër pushtuesit këtë e konfirmoj me zë të lartë. Por që këta në atë periudhë lufte të kenë gjetur kohë të merren me burgime e tortura këtë nuk mund ta kuptoj dhe nuk do ta kuptoj kurrë, sepse ata di që i donin njerëzit dhe për mbrojtjen e jetës së tyre kishin vite që luftonin në male kundër kolonizatorit. Së dyti, Sabit Geci ishte i plagosur rëndë dhe lëvizte me shumë vështirësi me ndihmën e patericave. Mendoj se nuk kishte asnjë mundësi të merrej me torturime, pasi atë e ndihmonin shokët edhe në rrugë për të lëvizur. Nuk dua të besoj se këtë gjendje shëndetësore Sabiti e kishte false për të fshehur atë që ia keni zbuluar ju zotëri Marty. Së treti, Sabit Geci me gjithë plagët e rënda që kishte, diku nga prilli i vitit 1999, u aksidentua rëndë me makinë në malin e Dajtit mbi Tiranë, duke thyer disa brinjë dhe deri në gusht 1999 ka qenë në spitalin e Saukut, në Tiranë, në gjendje të rëndë, që nuk ka mundur as të lëvizë nga vendi pa ndihmë. Se si paska arritur ky njeri të merret me veprime kriminale në gjithë ato qendra që përmendni ju këtë nuk e kuptoj. Njëkohësisht vlerësoj se Xhimshit Krasniqin e njoh mirë dhe di që është luftëtarë i pazëvendësueshëm. Por që ai gjatë gjithë kohës të jetë marrë me këto çështjet e torturave, e arrestimeve, siç thoni ju, nuk mund ta besoj, pasi ka pasur mjaft detyra të tjera për të kryer. Së dyti, në atë kohë detyrat kanë qenë të ndara dhe nuk mund të lëvizte luftëtari nga të kishte dëshirë. Luftëtari kishte një hapësirë të caktuar veprimtarie. Kështu që Xhimshit Krasniqi i ngarkuar me detyrë në Kukës, nuk mund të lëvizte prej andej sepse kishte dinamikën e punës të ngjeshur dhe nëse do të thyente disiplinën jepte llogari për mangësitë që i krijoheshin në furnizimin e luftëtarëve në front, pasi ky ishte misioni i tij. Ai ishte caktuar me detyra logjistike. Së treti, edhe në Kukës Xhimshiti nuk ka pasur asnjë të drejtë në qendrën e Kukësit, pasi atje ishte dikush tjetër komandant dhe edhe po të donte të hynte nuk e linin të hynte, pasi nuk ishte pjesëtar i asaj kazerme dhe nuk kishte detyra të ishte atje. Ndërsa në bazat e tjera në Durrës a diku tjetër nuk kishte mundësi praktike të shkonte. Nisur nga të gjitha këto që shpjegova më lart praktikisht e vlerësoj të pamundur që Xhimshiti të kishte kohë të merrej me veprime të tilla të burgimit e të torturimit apo të transportit të të burgosurve, për faktin se në atë kohë ishte vështirë të gjendeshin automjete për të dërguar materiale drejt frontit që kishte shumë nevoja, jo të gjendeshin makina për veprime të tilla. Megjithatë edhe për këta të dy luftëtarët e përmendur vlerësoj se ju zotëri Marty keni marrë të dhëna sipas literaturës dhe instruktimit serb, për të cilat kam bërë evidencimet e gjetura dhe ju besoj i keni parë edhe në këtë reagim, por edhe më herët, pasi i keni shfrytëzuar, ose ua kanë dhënë të gatshme, siç kam krijuar bindjen unë, bindje të cilën e kam shprehur më shumë se njëherë. UÇK-ja kishte unitet të çeliktë Pika 52 e raportit në fjalë është një tentativë për të futur përçarje midis shqiptarëve. Aty thuhet: “Ka dalë qartë se këto ‘grupëzime’ të ndryshme të UÇK-së kanë zhvilluar e ruajtur strukturat e tyre informative, që i kishin ndër të tjera, si një mjet për të siguruar vazhdimësinë e tyre. Përkrahësit më të zellshëm të ndjekjes faktike të kësaj forme lufte të UÇK-së përdorën të gjitha mjetet që kishin, duke e vënë veten, në mënyrë të pamohueshme, në kufirin e ligjshmërisë, për të mbikëqyrur dhe shpesh për të sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund të dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”. Ndërsa unë po të them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur që në luftë Shërbimin e vet Informativ, shumë të organizuar dhe që ka kryer me ndershmëri detyrat në interes të atdheut. Dhe ky shërbim ka vijuar të ekzistojë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka qenë publik dhe nuk ka vepruar i fshehur. Ky shërbim në punën e tij ka një veprimtari të spikatur dhe me bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ai nuk është marrë me partitë politike që normalisht u krijuan pas përfundimit të luftës, por kreu detyrën deri ditën kur ia dorëzoi shtetit të pavarur të Kosovës. Përveç Shërbimit Informativ të UÇK-së të krijuar që gjatë luftës, në Kosovë nuk ka vepruar asnjë shërbim tjetër legal përveç, ndoshta, ilegalisht edhe UDB-a juaj, e cila ju ka furnizuar me informacionet që jua kanë interesuar. Çdo deklarim ndryshe është në kuadër të shpërdorimit të detyrës që bëni ju, në emër të Këshillit të Evropës. Deklarimi juaj, se ky shërbim është përdorur për ta “mbikëqyrur dhe shpesh për ta sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund t’i dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”, është shpifje dhe nuk bazohet në asnjë fakt, përveç në ndonjë artikull gazete të shkruar nga ndonjë gazetar i tipit tuaj, që në emër të lirisë së shtypit mund të shkruajnë çfarë t’u teket, ashtu edhe të kolegut tuaj Bllaca që me të vërtetë jep deklarime të vlefshme, bile “shumë të vlefshme”, i cili është përputhur plotësisht me mendimet dhe veprimet e zbulimet tuaja. Ajo që është shumë interesante duket se ju paskeni zbuluar që ne kemi edhe një kanun, të cilin e paska zbatuar UÇK-ja, siç e pohoni në pikën 53 të raportit tuaj. Po si nuk ju ra në sy se UÇK-ja ka pasur një betim ushtarak publik? Si nuk arritët t’i gjeni rregulloret ushtarake të jetës e të disiplinës që ka zbatuar UÇK-ja që nga themelimi i saj? Si nuk ju kanë rënë në sy ato qindra urdhra e komunikata që ka lëshuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së gjatë gjithë luftës? Si nuk ju ranë në sy ato struktura organike mbi të cilat është ndërtuar e ka funksionuar UÇK-ja? Si nuk arritët t’i shikoni planet e operacioneve luftarake të formacioneve të UÇK-së për realizimin e misionit të saj? Por duke i tejkaluar të gjitha këto, ju shkuat dhe gjetët kanunin tonë, i cili qenka zbatuar gjatë luftës? Pse jeni kaq i paskrupullt? Kanuni ynë zotëri është një ligj i lashtë që ka ekzistuar kur ti nuk e kishe akoma kombin tënd. Ai ka luajtur një rol shumë të madh në organizimin shoqëror të kohës kur është shpallur. Është një nga ligjet më të lashta të Evropës, në mos më i lashti. Të diturit mburren me përmasat dhe funksionalitetin e tij. Dhe për të të sqaruar zotëri, ai nuk është zbatuar se nuk ka terrenin për t’u zbatuar në kohët e sotme. Por po të zbatohet, duhet ta dini se askush nuk vritet, pasi ai nuk lejon të vriten njerëz fshehtas. Kur vritet me kanun, vrasësi deklaron vrasjen para se ta hetojnë. Në ato kushte nuk do të kishte nevojë për raportin tuaj, pasi çdo gjë do të ishte e deklaruar publikisht. Prandaj mos na merrni nëpër gojë kanunin tonë të lashtë, apo edhe ai ju ka prishur punë. Në pikën 54 ju deklaroni se “… kemi konstatuar se njësitë kryesore të UÇK-së dhe zonat e tyre përkatëse të komandimit operativ ishin pothuaj kopje e saktë e strukturave që kontrollonin format e ndryshme të kriminalitetit të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja”. Kush i kishte organizuar këto forma të ndryshme të “kriminalitetit të organizuar” para krijimit të UÇK-së, që ajo i paska gjetur kopje të gatshme? A e kuptoni që flisni me gjuhën e Serbisë? Si paska qenë i organizuar ky kriminalitet në Kosovë kur aty sundonte me zjarr e hekur pushtuesi serb? Si i paskan gjetur këto mënyra organizimi kriminale djemtë dhe vashat luftëtarë me nga një kallash e nga një grusht fishekë nëpër male? Apo mjafton të thuhen fjalë të tilla dhe efektiviteti është i arritur. Për këtë keni të drejtë vërtet me lojëra të tilla fjalësh e akuza pa asnjë të vërtetë. Ju ia arritët ta bindni Këshillin e Evropës. Në këtë kuptim ia keni arritur qëllimit. Veçse duhet të dini që realisht nuk jeni treguar tjetër veçse një kriminel. Pse nuk thoni çfarë trafikohej nëpër Kosovë e prej Kosove, në kushtet kur atje çdo lëvizje e kontrollonte Serbia? Por, thjesht, në pikën 55 shpreheni se nuk ishte e vështirë “për të kuptuar kush drejtonte trafikimet e ndryshme apo veprimtaritë e kontrabandës, që lulëzonin në rajon”. Me një fjalë, që ju të mos i quani shqiptarët trafikantë, kontrabandistë e kriminelë, çfarë duhet të kishin bërë ata? Sepse ju e keni gjetur lehtë duke vazhduar shprehjen tuaj: “Mjafton të përcaktohet cili taraf apo cili klan komandantësh a rekrutësh të UÇK-së ishte përgjegjës i një zone operative të përcaktuar të UÇK-së në Kosovë apo në disa rajone të Shqipërisë”. Pra, prej këtej del se të gjithë komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në këndvështrimin tuaj nuk janë tjetër veçse kontrabandistë, trafikantë dhe kriminelë. Me thënë të drejtën, keni hyrë shumë në borxh me shqiptarët zotëri. Ju keni ngarkuar jo vetëm akuza, por keni tentuar t’ju ndyjnë edhe historinë. Dhe këtë, thjesht, për t’i kënaqur interesat e fashizmit ekstrem serb. A vërtet jeni me mendësi fashiste zoti Marty? Për t’ju sqaruar pak për pikën 56, po ju them se vendimi për themelimin e UÇK-së i përket vitit 1994 dhe ideja është shumë më e hershme. Askush në atë ushtri nuk e ka marrë dot drejtimin sipas dëshirës a sipas forcës, por sipas detyrës së vënë nga strukturat e lëvizjes politike të kohës. Kështu që bërthama më e ngushtë e UÇK-së ka qenë Shtabi i Përgjithshëm, i cili ka pasur fuqinë ta udhëheqë luftën e kësaj ushtrie deri në çlirim. Nëse këto veprime ju i quani veprime kriminale të paligjshme, nuk është faji i UÇK-së e as i drejtuesve të saj. Ndërsa si veprimtari kriminale të tyre në Shqipëri ndoshta quani faktin se duke përfituar nga fakti i ngjarjeve të vitit 1997 që hapën depot e ushtrisë në Shqipëri, bënë një punë shumë të organizuar në grumbullimin e atyre armëve për t’i armatosur luftëtarët në Kosovë. Nëse këtë e quani krim, unë e quaj sa veprimtari humane, po aq edhe atdhetare. Më pas, në pikën 57 keni shpikur një grup të Drenicës, që realisht në asnjë dokument tjetër, përveç në raportin tuaj, nuk është i emërtuar kështu. Për këtë s’ka pasur as pagëzim e as vetëpagëzim. Atë thjesht e keni pagëzuar ju me serbët, ose serbët në vitin 2004 e ju në vitin 2010. Por ju jeni i mllefosur për ta emërtuar kështu sepse Drenica ju shkakton alergji psikike pasi, siç deklaroni vetë, Drenica ka qenë “bërthama tradicionale e qëndresës së anëtarëve të etnisë shqiptare ndaj shtypjes serbe në kohën e Millosheviqit dhe vendlindja e UÇK-së”. Për këtë vizitohuni te mjeku se nuk janë fajtorë shqiptarët, por të dashurit tuaj – serbët, të cilët mjaft janë përpjekur ta shuajnë atë trevë, por nuk kanë mundur ta bëjnë pasi qëndresa shqiptare i ka mundur masakrat serbe. Ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë në gjithë Kosovën. Megjithëse veprimet e saj ju i quani veprime kriminale, siç i quajnë serbët, ka vepruar me shumë dinjitet duke arritur t’i hedhë përfundimisht për gjithë të ardhmen shqiptare jashtë serbët dhe ta zhdukin përfundimisht pushtimin prej tyre. Dhe duke emërtuar të quajturin “Grupi i Drenicës”, ju ia arrini qëllimit të arrini tek emri i udhëheqësit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin, duke përdorur terminologjitë mafioze, pjesë e të cilëve ndoshta jeni, e emërtoni “kumbara” i rrjeteve të kriminalitet të organizuar që, sipas jush, nuk janë tjetër vetëm strukturat luftarake të UÇK-së. Por prapë ju gaboni, pasi Hashim Thaçi gjatë luftës e deri në Konferencën e Rambujesë, ku u zgjodh unanimisht kryetar i delegacionit shqiptar, nuk ishte tjetër vetëm drejtor i drejtorisë politike në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Deri në atë kohë ai nuk ishte i njohur si politikan në skenën ndërkombëtare. Por ju nuk shqetësoheni për këtë. Për ju dhe planet serbe duhet goditur kryetari i Kosovës. A do të arrini vërtet që me mashtrime të ngjiteni deri në ato nivele të qeverisjes së Kosovës? A mos keni bërë edhe ndonjë plan për të na sjellë kryetar ndonjë serb? I shkreti ti sa dëshirë të madhe ke. Sot Thaçi është politikan i nivelit të lartë, por në kohën kur ju e akuzoni me termat që dini t’i përdorni vetëm ju, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një djalosh me armë në krah, që kishte marrë përsipër të luftonte deri në fund të jetës për çlirimin e popullit dhe atdheut të tij prej pushtuesve shekullorë serbë. Në atë kohë të luftës së lavdishme ai nuk kishte kohë të bënte poza si ju sot, për të treguar se ishte i zgjuar dhe është vlerë që ai nuk ka zgjuarsinë tuaj. Mirëpo ju i ngatërroni kohët, njëherë shkoni në vitet 1998 – 1999, njëherë flisni në kohën e sotme. A e dini se përfaqësuesit e ShBA-së kanë filluar bashkëpunimin me Thaçin prej Konferencës së Rambujesë? A e dini se edhe në atë konferencë të nderuar Thaçi nuk guxoi ta firmoste marrëveshjen pa një konsultë të ngushtë me gjithë luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi donte të kishte unanimitet të plotë në pranimin e saj? Apo edhe këto veprime janë kriminale?! Dhe të jeni i sigurt, se pavarësisht organizmit në disa parti politike, në skenën politike sot në Kosovë, në atë kohë nuk kishte asnjë fraksion apo përçarje në radhët e UÇK-së dhe për lumturinë tonë ishte vlerë që nuk kishte, pasi një synim të tillë për të krijuar disa ushtri në Kosovë e kanë shprehur serbët që në atë kohë dhe mos mendoni se nuk kanë tentuar ta bëjnë, por nuk kanë arritur, pikërisht se UÇK-ja kishte unitet të çeliktë. Në pikën 60 ju thoni: “Thaçi ia detyron pa asnjë dyshim ngjitjen e tij personale përkrahjes politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore, të cilat e konsideronin si partnerin lokal më të parapëlqyer në projektin e tyre të politikës së jashtme për Kosovën. Kjo formë përkrahjeje politike do t’i ketë krijuar konkretisht ndjenjën se është “I paprekshëm” dhe e veshi kështu me një rëndësi tej mase prej drejtuesi të ardhshëm, të besueshëm, të Kosovës së pasluftës”. Unë do të kisha nderim për ShBA-në dhe fuqitë perëndimore nëse do të kenë vlerësuar se Thaçi është një personalitet i vlefshëm për politikën e Kosovës, pasi ata dinë ta bëjnë vlerësimin e nivelit të politikanëve. Nëse është kështu, unë ju falënderoj që na e thoni, por kemi dëgjuar mjaft përralla të tilla, që çdo gjë lind në Perëndim. Realisht UÇK-ja ka lindur në gjirin e popullit të tij dhe i ka nxjerrë prej gjirit të vet kuadrot drejtuese, që sot janë edhe udhëheqës me vlera në politikë. Prapë në pikën 61 ju shpreheni: “…Thaçi e përforcoi në përmasa fenomenale mbështetjen e tij mbi veprimtaritë kriminale të organizuara gjatë kohës kur këto lulëzuan në Kosovë e në Shqipëri”. Po cilat janë more zotëri këto krime që nuk i emërtoni? A mos e quani krim faktin që bashkëpunëtore e bashkëluftëtare e UÇK-së dhe e Hashim Thaçit (meqë doni t’i përmendni emrin), u bë gjithë bota moderne dhe forca e saj e madhe politike-ushtarake NATO-ja, që goditën bashkë me të pushtuesin e Kosovës deri në çlirim? Në atë kohë i vetmi “krim” që mund të jetë bërë ka qenë armatosja e UÇK-së dhe që edhe ajo për pamundësi nuk është bërë në nivelin e nevojave të saj. Të gjitha krimet e tjera që nënkuptoni kanë ndodhur zotëri vetëm në kokën tuaj, që me sa lexoj në këtë raport ka imagjinatë të sëmurë. Në pikën 62 thoni: “Thaçi do ketë vepruar në këtë fushë me mbështetjen dhe bashkëfajësinë jo vetëm të strukturave qeverisëse zyrtare të Shqipërisë, dhe konkretisht të qeverisë socialiste në pushtet në atë kohë, por edhe të shërbimeve sekrete shqiptare dhe të mafies së tmerrshme shqiptare”. Po mirë mor zotëri, mbasi Shqipëria paska qenë me shtet mafioz, me shërbim informativ mafioz, me shoqëri mafioze, me mafi të tmerrshme shqiptare, çdo të bënte Thaçi? Natyrisht do të bëhej si ata. Nuk besoj se keni ndonjë mendim tjetër. Këtu bëni shumë mirë, përderisa në Shqipëri jua kanë pranuar këtë vlerësim për ta. Po si ta ka pranuar Këshilli i Evropës këtë vërtet, nuk e kuptoj. Ju zotëri duhet të paditeni, por unë nuk kuptoj pse lejohesh të jesh i lirë edhe nga Këshilli i Evropës, pasi mendoj se jeni shoqërisht i dëmshëm. Ju sot po godisni Shqipërinë e Kosovën dhe personalitetet e udhëheqjes dhe të politikës së këtyre dy shteteve, po nesër? Ju mund të bëni çdo lloj krimi. Në zonën e Cahanit nuk ka pasur lëvizje nga jashtë brenda Shqipërisë Pika 114 thotë: “Elementët e provës të mbledhur me rastin e këtyre procedurave duket që tregojnë se këta veprimtarë të UÇK-së si dhe komandanti i tyre rajonal i Veriut të Shqipërisë, Xheladin Gashi, sot i vdekur, ishin të afërt të “Grupit të Drenicës” drejtuar nga Hashim Thaçi dhe vepronin konkretisht së bashku me KadriVeselin”. Deklarim ky që më bind plotësisht për pavërtetësinë dhe mashtrimin e qëllimtë që ju bëni në këtë raport. Xheladin Gashi (Plaku) ka qenë një personalitet dhe asnjë shpifje nuk zë vend në portretin e tij sado e fuqishme të jetë. Ai nuk ka qenë një njeri që ju mund të thoni çfarë të doni për të, por një intelektual që ju s’keni për të arritur kurrë në nivelin e tij; një atdhetar i përkushtuar, një njeri me ndershmërinë më të lartë të mundshme, një njeri i drejtë dhe shumë i dashur me njerëzit, një komandant me karakteristikat më të spikatura të një komandanti ushtarak në situatë luftarake; një trim që nuk i trembej syri nga asnjë vështirësi, pengesë e as nga armët dhe ushtarët e armikut; një njeri i komunikueshëm dhe shumë i saktë në ato që thoshte dhe në ato që bënte; njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kishte marrë mbi vete barrë të rëndë në kushtet e asaj ushtrie, siç ishte mbështetja logjistike, por edhe organizimi i stërvitjes së ushtarëve e përcjellja e tyre për në front; kurrë nuk i ka interesuar të merret me vogëlsira, siç mund të jetë arrestimi apo marrja në pyetje e një të burgosuri edhe po të kishte të tillë, sepse ai ishte njeri i madh e merrej vetëm me gjëra të mëdha. E me Kadri Veselin gjatë vitit 1999 deri në qershor nuk besoj se janë takuar, pasi jo vetëm detyrat i kanë pasur të ndara e të veçanta, por edhe vendqëndrimet i kanë pasur larg njëri tjetrit. Nuk ishin në plazh ata, siç i imagjinoni ju e disa si ju ata djem e burra, por ishin në luftë dhe kishin një vendim në shpirtin dhe moralin e tyre: Të shporrnin armikun pushtues prej tokave të popullit të tyre, të çlironin përfundimisht atdheun. Për veprën që kanë bërë meritojnë gjithë respektin dhe lavdinë kombëtare, pavarësisht ju dhe atyre si ju që përpiqeni t’i njollosni dhe të ngarkoni mbi ta gjithçka që e keni në shpirtin tuaj. Sepse psikologjikisht gjithë këto që keni shkruar ju në këtë raport, mund t’i shkruaj vetëm një njeri që psikikisht është i gatshëm t’i bëjë vetë. Askush nuk mund të shkruaj atë që nuk është i gatshëm ta bëjë vetë, e nisur nga kjo, ju më dukeni shumë i rrezikshëm zotëri Marty, të shpresoj që Evropa moderne të mos ketë shumë si ju. Në pikën 115 ju detyroheni të pranoni se: “Nuk gjetëm asnjë shenjë të transportimit të robërve nga Cahani drejt qendrash të tjera burgimi që ndodheshin në Shqipëri,…” Por nga mllefi i madh që keni për dështimin edhe këtu nuk doni të kaloni në pikën tjetër pa paragjykuar, duke u shprehur: “…edhe pse kjo mundësi nuk mund të përjashtohet”. Jeni vërtetë i paskrupullt zotëri. Edhe kur nuk gjeni asgjë për ato që keni dëshirë dhe ambicie të gjeni, kërkoni të krijoni idenë tek të tjerët se ajo që keni zbuluar ju nuk është e saktë, pasi e vërteta është diçka tjetër, që ju keni dëshirë të jetë, ky është vërtetë një tregues i vogëlsisë së shpirtit tuaj, si përfaqësues i një institucioni të madh, siç është Këshilli i Evropës, në emër të të cilit veproni ju. Njëkohësisht duhet të dini zotëri se në zonën e Cahanit nuk ka pasur lëvizje nga jashtë brenda Shqipërisë, sepse terreni në kufi ka qenë plotësisht i minuar nga forcat ushtarake serbe. Ndërsa për të kaluar nga jashtë brenda Kosovës, duhet të merreshin paraprakisht masat për të hapur shtigjet e nevojshme me specialistë të xhenios, pasi nuk duhet që luftëtarët që shkonin drejt frontit të binin në mina. Prandaj gjithçka që shkruani ju në pikën 117 më duket një përrallë e imagjinuar nga mendja juaj ose e atyre që ua kanë shkruar raportin. Ndërsa për dëshmitarët tuaj, që pretendoni që i keni, duhet të bëni ballafaqimin me personat që i akuzojnë, pasi akuza në distancë unë mund të bëj për gjithkënd, nëse dikush më krijon favore, siç ua keni krijuar ju dhe Serbia atyre që iu dalin dëshmitarë të fshehtë. Si dëshmitar i fshehtë edhe unë mund të dal dëshmitar për ju e të them se ju keni qenë në vitin 1999 në Kukës dhe keni bërë shumë krime nga më monstruozet. Pika 122, është një akuzë që ju e bëni ndaj shtetit shqiptar, duke e quajtur të pasaktë pohimin e tij se në territorin Republikës së Shqipërisë nuk është varrosur asnjë njeri i vrarë gjatë konfliktit në Kosovë. Mendoj se shteti shqiptar, duhet të jetë shprehur pak ndryshe, pasi në Shqipëri vërtetë janë varrosur luftëtarë të vrarë gjatë luftës në frontin e Koshares, të cilët janë varrosur në varrezat e Bajram Currit dhe një i vrarë në frontin e Pashtrikut i cili është varrosur në varrezat e Kukësit. Por varrime të fshehta në Kukës nuk ka guxuar të bëjë njeri, pasi vetë populli do ta kishte marrë me dru gjithkënd që mund të tentonte të bënte një gjë të tillë. Mos harroni zotëri, Kukësi është i populluar me njerëz të kulturuar e nuk është shkretëtirë, siç keni dëshirë ta konsideroni ju. Por ju nuk jeni i interesuar të gjeni të vdekur. Interesi juaj është që gjithçka shqiptare ta njollosësh. Nuk keni faj, këtë detyrë keni marrë nga padroni që iu paguan për këtë që bëni. Ju po nuk i gjetët të vrarët në tokë, do të thoni, siç thoni, janë në lumë, po nuk i gjetët në lumë, do të thoni janë në liqene, po nuk i gjetët në liqene, do të thoni se i kanë ngrënë njerëzit e gjallë, e nuk di çfarë mund të pjellë mendja juaj. Me rëndësi është që për të njollosur Kosovën, më parë duhet njollosur Shqipëria, kështu iu ka thënë padroni. Kryeni detyrën zotëri Marty. Në këtë rrjedhë duke vazhduar arsyetimin tuaj, në pikën 124, ju deklaroni: “… ka dalë qartë tashmë se në disa raste të përcaktuara e të njohura, trupa Kosovarësh të vrarë janë varrosur në Shqipëri. Këto çështje kanë çuar – në raste të vërtetuara nga gazetarë shqiptarë e ndërkombëtarë, për të cilat jemi në dijeni – në bisedime të gjata por të matura midis familjeve të këtyre Kosovarëve dhe autoriteteve të ngarkuara për administrimin e kësaj varreze (këtyre varrezave) në Shqipëri. Është për t’u vënë në dukje në fund të fundit se në një rast që na është shpjeguar me hollësi nga një prej burimeve tona të drejtpërdrejta, trupat janë zhvarrosur dhe riatdhesuar në Kosovë për t’u varrosur sipas të gjitha rregullave nga familjet. Autoritetet shqiptare na kanë thënë se ato nuk kishin dijeni për çështje të kësaj natyre”. Duke iu referuar kësaj që ju trajtoni po i bëj pyetjen vetes: Si paska mundësi të ta vrasin kriminalisht familjarin dhe pastaj ta marrësh me ceremoni e ta varrosësh në varrezat e familjes? Këtë vërtetë zotëri Marty nuk e kuptoj, ndoshta ma sqaroni ju, pasi keni mashtruar me një tufë llafesh pa kuptim Këshillin e Europës. Është mirë t’i sqaroni këto arsyetime të pa arsyeshme. Nuk mund të lejoheni të shkoni me fjalë dhe vetëm me fjalë. Burimet tuaja, që pretendoni se iu kanë thënë këto informacione duhet të dalin dhe të sqarojnë publikun shqiptar e ndërkombëtar se si ka ndodhur në të vërtetë. Nëse ju të gjithë ata që kanë vdekur gjatë kohës që qytetarët e Kosovës qëndronin si të shpërngulur në Shqipëri, i konsideroni të mbytur e të vrarë nga UÇK-ja, duhet të thoni, pretendimin tuaj dhe të arsyetoni, pasi realisht keni lëshuar mjegull, duke bërë me hije gjithë atë kohë krenarie për shqiptarët. Në pikën 125, ju thoni: “…disa pohime përmendin ekzistencën e varreve masive në territorin shqiptar. Shërbimet e hetuesisë serbe të ngarkuara për krime lufte na kanë deklaruar se zotëronin fotografi të marra me satelit të zonave në të cilat ndodheshin këto varre; por vetë varret ende nuk janë gjetur gjer më sot, me gjithë kërkesën zyrtare për të bërë kërkime paraqitur nga autoritetet serbe pranë autoriteteve shqiptare”. Mirë që tregoni se informacionet i keni marrë në Serbi. Por nuk kuptoj me çfarë janë mbushur këto varreza masive. Sepse serb në Shqipëri të paktën publikisht nuk ka pasur, mund të ketë pasur vetëm ndonjë agjent të UDB-së, që nuk është evidentuar e që patjetër duhet të ketë raportuar për gjendjen në Shqipëri në atë periudhë, por ju siguroj se nëse ka folur për varreza masive, siç pretendoni ju, ka mashtruar, siç po mashtroni edhe ju gjithë botën me raportin tuaj, duke shfrytëzuar kartën e identitetit si parlamentar i Këshillit të Europës. Njëkohësisht po më çudit fakti që Serbia paska satelitë për të zbuluar edhe varrezat masive, si ka mundësi që nuk po i tregon varrezat masive të rreth 2 mijë shqiptarëve edhe sot të zhdukur që i ka në territorin e saj? Ajo paska mundësi t’i dijë se ku janë, pasi kur ka pasur mundësi të fotografojë me satelitë Shqipërinë, dihet që në radhë të parë ka fotografuar Serbinë. Pse nuk ua kërkuat këtë informacion zotëri Marty që të na bënit nder? Dhe njëkohësisht pse nuk ua dhanë ato fotografi që t’i shfrytëzonit edhe ju se do t’u dilte më i saktë raporti? Sa shakaxhi jeni në arsyetimet tuaja zotëri Marty. Në pikat 129 e 130, ju filloni të nxirrni ide e të etiketoni krime të mundshme pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Mund të deklaroni çfarë të doni. Por kur në pikën 130 thoni: “Në muajt që pasuan menjëherë shpalljen e mbarimit të konfliktit në Kosovë në qershor 1999, anëtarë dhe simpatizantë të UÇK-së do kenë mbajtur në burgim të fshehtë në territorin shqiptar një numër të madh personash të rrëmbyer”. Më krijohet një shije e hidhur, për arsye se gjithë paragrafi i cituar është thjeshtë paragjykim keqdashës. Për këtë unë mund t’iu them ju dhe gjithë opinionit me përgjegjësi, se në zonën time të përgjegjësisë, pas datës 23 qershor, (kur Kosova konsiderohej e lirë, se më 22 qershor ushtari i fundit serb kishte dalë prej Kosove), nuk ka pasur asnjë veprimtari qoftë edhe individuale të luftëtarëve të UÇK-së dhe nuk ka pasur asnjë objekt të mbajtur nën kontroll nga këta luftëtarë. Kështu, që ju për adresime të pas kësaj date mund dhe duhet të gjesh adresa të reja zotëri Marty, se në zonën time të përgjegjësisë nuk mund të etiketosh. Por ju nuk vazhdoni kronologjinë në kohë. I përzieni kohët me qëllim. Në pikën 132 ju ndër të tjera shpreheni: “… kryenin shpesh kalimet nga njëri vend në tjetrin përmes rrugëve shqiptare dhe përmes kufirit të depërtueshëm e kaotik (sidomos në çastin e zhvendosjeve masive të refugjatëve në mesin e viti 1999) midis Kosovës e Shqipërisë”. Është e vërtetë zotëri Marty që kufiri nga marsi deri në qershor 1999 ka qenë i lirë nga ana e Shqipërisë, për të hyrë të shpërngulurit. Me gjithë dëshirën tuaj dhe të Serbisë që ne t’i linim këta qytetarë të shpërngulur nën armët e serbëve që t’i vrisnin pa dhembje, siç edhe kanë vrarë jo pak por mbi 14 mijë, ne ishim të detyruar ta lironim kufirin, pasi ata jo vetëm ishin vëllezërit tanë, por në radhë të parë ishin njerëz që kishin nevojë për ndihmë. Por që kufiri ka qenë kaotik, kjo nuk është e vërtetë. Këtë e dinë shumë mirë serbët, por nuk ua kanë thënë. Ndërsa kur thoni se: “… luftëtarë e simpatizantë të UÇK-së kanë kryer transportime të shumta drejt e ndërmjet qendrave të përmendura në këtë raport dhe kanë transportuar po ashtu robër nga shumica e këtyre vendndodhjeve”. (në pikën 133). Mua më habit, sepse luftëtarët nuk kishin automjete për të transportuar edhe fëmijë në nevojë, ku i paskan gjetur mjetet për robërit dhe nga çfarë rrugësh paskan kaluar? Zotëri ju nuk mund ta merrni me mend se si zhvilloheshin ngjarjet në atë kohë. Ju as nuk keni interes ta njihni të vërtetën e asaj periudhe. Por duhet të dini se objekti i punës së çdo luftëtari në atë kohë ishte si të ishte sa më parë në frontin e luftës dhe si ta furnizonte sa më mirë atë front me mjetet, armët dhe municionet e nevojshme. Për të tjerat mund të kujtoheshin vetëm ata që mendonin si ju, që të gjithë shqiptarët janë kriminelë, se ashtu iu interesonte të propagandonin, siç edhe propagandonin, serbët dhe bashkëpunëtorët e tyre, që janë njëkohësisht edhe bashkëpunëtorët tuaj në këtë ndërmarrje të pistë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)