2015-01-31

VIGAJT-LIBERATORË RANË NË ALTARIN E LIRISË PËR IDEALIN E NJË KOSOVE SOVRANE







Zahir Pajaziti( 01.11.1962-31.01.1997)





Zahir Pajaziti  lindi më 1 nëntor të vitit 1962 në Turuqicë, Podujevë, Kosovë, ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë Vushtrri, Kosovë, ishte nje nder themeluesit e UÇK-s dhe Hero - dëshmor shqiptar i Luftës së Kosovës.

Zahir Pajaziti u lind në një familje bujare në fshatin Turuqicë të Llapit më 1 nëntor të vitit 1962, ishte fëmiu i pestë i prindërve Qerim Pajaziti dhe Fatime(Rudari) Pajaziti.

Nga dyert e kësaj familje kanë dalë ushtarakë që në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Po ashtu edhe babai i Zahirit, Qerimi ishte pjesëmarrës aktiv në forcat progresive të asaj kohe.

Zahiri që në fëmijëri ishte rritur në frymën e babait të tij për dashurinë ndaj atdheut.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij, kurse të mesmen, shkollën e policisë, e regjistroi në vitin akademik 1976-‘77 në Vushtrri. Nga shkolla u përjashtua me arsyetimin: sjellje të papranueshme ndaj organit të shkollës, arsyetim që përdorej zakonisht për persona që kishin pikëpamje tjera nga organi shkollor i asaj kohe.

Në vitin 1980, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij, Raif Sfishta dhe Nexhmi Dabinofci kalojnë ilegalisht kufirin e Shqipërisë dhe për këtë burgosen në Shkodër për 18 ditë. Pas kthimit në vendlindje ai burgoset nga policia lokale e Orllanit dhe dënohet si i mitur me 15 ditë burg.

Pasi që kreu shkollën e mesme në Orllan, Zahiri në vitin 1981 fillon ndjekjen e mësimeve në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës drejtimin e gjuhës angleze. Po në këtë vit ai vijon shërbimin ushtarak për 12 muaj dhe në vitin 1985 e vazhdon atë edhe për tre muaj në Beograd.

Aktiviteti ushtarak


Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë fillojnë të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezulltat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegalës të kordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim. Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.Per te gjithe aktivitetin e tij ndihmen me te madhe ia ka dhene kusheriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte nje biznismen dhe pothuajse te gjithe financimin e ka pasur nga ai.

Vdekja


Në janar të vitit 1997 grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb. Më 31 janar Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, forcat serbe kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.





Hakif Zejnullahu(22.06.1962-31.01.1997)

Lindi më 22 qershor të vitit 1962 në fshatin Lladovc të Podujevës. Ishte nip dhe bashkëluftëtar i komandantit Zahir Pajaziti. U vra në një pritë të organizuar nga forcat serbe më 31 janar të vitit 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë së bashku me Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën.


Hakif Zejnullahu është një nga figurat më të pabujshme të luftës. Si duket, edhe natyra e tij njerëzore ka qenë e tillë, e pabujshme. Ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur. Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. Ai kishte virtytin e luftës dhe të guximit, të mosthyerjes dhe mosfjalëve të mëdha, kishte identitetin e tij të pashoq dhe njëkohësisht merakun e gjithkundshëm për shokët, i pafjalë e gjithsesi një urë lidhëse mes komandantit të zonës dhe luftëtarëve.



Edmond Hoxha(1975 -31.01.1997)

Është nga qytetza e Junikut .Ai kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo dhe sado e mundimshme të kishte qenë rruga. Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin. Duke qenë më i vogli nga fëmijët, djali pas shtatë motrave, ai qe krejt natyrshëm thelbi i zemrës së tyre, dritësim nga jeta e prindërve të tij e, megjithatë, kjo nuk e bëri atë, dhe mendoj se nuk kishte se si ta bënte, një djalë të ri, por të plakur që në moshën njëzetvjeçare, pra një djalë plak njëzetvjeçar. Në të kundërtën, e gjithë ajo që kishte lidhje me përkujdesjen ndaj Edit, me thelbëzimin e zemrës së motrave dhe dritësimin e prindërve, ishte e lidhur me Kosovën. Asnjëherë në kullën e Junikut dhe përgjithësisht në kullat dukagjinase dita e zakonshme e secilës stinë nuk ka qenë e shkëputur nga Kosova.

(Flori Bruqi)

-------------------------------





ZAHIR PAJAZITI, EDMOND HOXHA DHE HAKIF ZEJNULLAHU - TRE USHTARËT EMBLEMATIK TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS









SI U VRANË DHE PËRSE U VRANË ZAHIR PAJAZITI, EDMOND HOXHA DHE HAKIF ZEJNULLAHU?

Dokumentari me i ri

Pra, në pritë ishin tre luftëtarë. Do të ishte e natyrshme që menjëherë pas vrasjes së tyre, nga njerëzit e zakonshëm, të bëhej pyetja normale: si u vranë dhe përse u vranë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu?

Në shkurtin e vitit 1997, ishte krejtësisht normale të bëhej pyetja si dhe përse u vranë, ndërsa tani, për të gjithë është e qartë përse u vranë, por ende jo e qartë, si u vranë. Sepse ajo që ndodhi ndërmjet fshatrave Pestovë dhe Maxhunaj të Vushtrrisë, nuk ishte përgatitur me nxitim dhe shkujdesje në të premten e asaj dite të 31 janarit, por kishte patjetër një fillesë të mëhershme. Shtypi shqiptar i botuar në Prishtinë, ngriti versionin se kjo nuk ishte asgjë më shumë vetëm se vazhdim i dhunës që kishte nisur, sipas komunikatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe, që nga 22 janari 1997, dhe se versioni i paraqitur se ishin vrarë tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte veçse një justifikim. Në mbrëmjen e së premtes, dy orë pas vrasjes, në mediat serbe u dha Kumtesa e Shërbimit Informativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Edhe sot, pas 14 vitesh, kur rikthehesh në leximin e saj, e ke të qartë se ajo do të ketë qenë e përgatitur që më parë, se vetëm pritej vendi, ora dhe momenti i vrasjes.
Zahir Pajaziti Image
Mes të tjerave mund të lexosh: “Duke ndërmarrë masa për zbulimin dhe ndërprerjen e veprimtarisë ilegale dhe terroristike të ekstremistëve shqiptarë në rajonin e Kosovës, me rastin e privimit nga liria të njërit nga udhëheqësit e të ashtuquajturës Ushtri për Çlirimin e Kosovës, e cila deri më tashti e ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e sulmeve terroriste në Kosovë, organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë u është bërë rezistencë e armatosur. Të premten, më 31 janar, në afërsi të Vushtrrisë, nga automjeti i udhëtarëve në të cilin gjenden Zahir Pajaziti, nga i ati Qerimi, i lindur më 1 nëntor të vitit 1962, në fshatin Orllan, KK Podujevë, është hapur zjarr në pjesëtarët e MPB-së, me ç’rast është plagosur lehtë një, ndërsa u lënduan dy veta.

Nga zjarri i kthyer pranë Zahir Pajazitit e kanë pësuar edhe ngasësi i automjetit të udhëtarëve, Hakif Zejnullahu, nga i ati Sabiti, si dhe një person hëpërhë i paidentifikuar. Zahir Pajaziti ishte një ndër udhëheqësit e shtabit të të ashtuquajturës Ushtri për Çlirimin e Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se është drejtpërsëdrejti i kyçur në organizimin dhe ekzekutimin e shumë akteve terroriste të kryera në regjionin e Podujevës, Prishtinës, Mitrovicës së Kosovës dhe vende të tjera. Te të vrarët janë gjetur armët, nga të cilat është shtënë në pjesëtarët e MPB-së. Personat kanë qarkulluar me dokumente personale dhe me leje te falsifikuara, të cilat janë gjetur tek ata”.

Ky është thelbi i Kumtesës së Shërbimit Informativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Kjo Kumtesë është dhënë në mbrëmjen e 31 janarit 1997 thuajse në të gjitha mjetet e informimit në gjuhën serbe. Identiteti i Zahirit dhe i Hakifit ka qenë krejtësisht i saktë, “megjithëse udhëtonin me dokumente të falsifikuara”, ndërsa identiteti i Edmondit është bërë i njohur vetëm ditën e diel, më 2 shkurt 1997, megjithëse është cilësuar, që të premten në mbrëmje, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si duket është ditur se në ndjekje ishin tre pjesëtarë të UÇK-së, por meqenëse Edmondi ishte bashkuar me Zahirin dhe Hakifin pak pas orës 16.00, dhe takimi ishte lënë që dy ditë përpara, nëpërmjet një të treti, informacioni për të kishte qenë i mangët.

Komunikimi i ngjarjes, dhënë nga mjetet e huaja të informimit, saktësisht më 1 dhe më 2 shkurt 1997, lidhur me ngjarjen, përcaktohet detyra e Zahirit, dhe vetëm “Amnesti International” hedh dyshimin se mos e gjithë kjo është një shkak i gjetur nga serbët për reprezalje të radhës.

Gjithçka u bë edhe më e dyshimtë në ditët e mëpasme, jo shumë të largëta, kur lajmi për vdekjen në burg të studentit Besnik Restelica u bë i njëjtë me lajmin për vrasjen e trefishtë. Shtypi që dilte në Kosovë apo jashtë Kosovës, por i lidhur me rrjetin në Prishtinë, kishte mendime të njëjta.

Përgjithësisht ishte mendimi se kjo ishte një vrasje e radhës, herë pas here cilësohej si vrasje politike, që nuk kishte të bënte me faktin se tre të rënët ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të kthehemi më pas në këto shkrime. Vetëm dy gazeta në Perëndim, “Zëri i Kosovës” dhe “Rruga jonë”, kishin një qëndrim krejt tjetër.

......




A KISHTE UDB-JA INFORMACIONE TË SAKTA PËR ROLIN E ZAHIR PAJAZITIT NË UÇK?

Është pyetur shpesh nëse kishte njohuri Zahir Pajaziti për arrestimin e Nait Hasanit, lidhjet e të cilëve ishin të afërta, sidomos pas takimit të tyre të parë, në dhjetorin e vitit 1995. Pyetja e bërë kësisoj, pra nëse kishte pasur apo jo dijeni Zahiri për arrestimin e Nait Hasanit, ka në vete edhe nënkuptimin tjetër se, në rast se ai do e dinte një gjë të tillë, me siguri që do të kishte marrë masa të tjera, do të ishte ruajtur më shumë dhe, ndoshta, do të kishte qenë mundësia e vazhdimit të luftës. Në të vërtetë, dyshimi i parë për një mundësi të tillë Nait Hasanit i kishte lindur edhe më parë. Kjo ka ndodhur pas kidnapimit të Besim Ramës. “Rrethanat ishin të paqarta. Në atë kohë kam menduar se tashmë UDB-ja ka informacione të sakta për një pjesë të njerëzve të UÇK-së, derisa arriti të arrestojë një anëtar të saj. Kuptohet se kemi punuar, por edhe UDB-ja me njerëzit e saj, e kolaboracionistët e kanë ndihmuar për të na kapur”. Besim Rama, pjesëtar i grupit të Drenicës dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të Adem Jasharit, është kidnapuar më 16 shtator të vitit 1996, ndërsa ishte në realizimin e një detyre të rëndësishme. Ai është kidnapuar së bashku me Avni Nurën dhe menjëherë, që asaj nate, janë akuzuar nga Shërbimi Informativ i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe shtypi beogradas si pjesëtarë të lëvizjes terroriste në Kosovë. Menjëherë pas kësaj, një pjesë e Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 23 shtator 1996, bën takim urgjent në Prishtinë. Takimi bëhet në bazën e Shtabit Operativ, ku banonte Nait Hasani, dhe morën pjesë Rexhep Selimi, Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Lahi Ibrahimaj, Bislim Zogaj dhe Naiti.

Megjithëse edhe më parë është ditur, edhe nga përvojat e mëhershme të goditjeve ndaj lëvizjeve ilegale, se UDB-ja mund të infiltronte në radhët e organizuara, tashmë kjo mundësi ishte shumë e lartë dhe se UDB-ja mund të kishte informacione të sakta për rrjedhën e ngjarjeve dhe për njerëzit që i mbartnin ato. Duhet mbajtur mend: kidnapimi i Besim Ramës ndodhi në mesin e shtatorit 1996. Kjo ishte goditja e parë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që bëhej në befasi dhe shenja e parë se pavarësisht nga rrethanat, mund të priteshin edhe goditje të tjera. Deri në shtatorin e vitit 1996, në radhët e UÇK-së, megjithëse vepronte prej disa vitesh dhe kishte organizuar shumë aksione, nuk kishte pasur goditje.

Më 4 tetor, Gjykata e Qarkut të Prishtinës, nëpërmjet gjyqtares hetuese Danica Markoviq do të ngrinte aktakuzën ndaj 15 personave, të njohur më pas si Grupi i Drenicës.

Pyetje e njëjtë, nëse UDB-ja ka pasur informacione të sakta për rolin e Naitit dhe të Zahirit në UÇK, i është bërë edhe njërit prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së, Xhavit Halitit. Megjithëse në atë kohë lidhjet e Xh. Halitit me njerëzit që ishin në Kosovë realizoheshin vetëm nëpërmjet disa kanaleve të caktuara, që ishin të ditura vetëm për pak njerëz, ai ka mendimin se “sa di unë,

Zahir Pajaziti ka qenë ndër njerëzit e kërkuar në Kosovë dhe mendoj se ka pas atë farë përcjellje japoneze hap pas hapi. E di që në vitin 1996 ka qenë për një periudhë të caktuar kohe në Shqipëri. Është takuar me njerëz që ka njohur dhe që nuk i ka njohur personalisht. Unë personalisht nuk jam takuar me të. E kam ditur që ishte në Tiranë, mirëpo nuk ka qenë punë e imja të takohesha me të…

E ka takuar Azem Syla. Se si ka ndodhur rënia e tij dhe arrestimi i Naitit unë mund të flas vetëm me hamendje” Sidoqoftë, nuk është bërë ndonjë analizë e plotë e atyre ngjarjeve. Për ta bërë unë një analizë të tillë, do të më duhej t’i kisha të gjitha informatat, të gjitha: ku ka qëndruar Zahiri, me kë ka qenë herën e fundit, ku ka qenë herën e parafundit…?.

Takimi i Zahirit me Azem Sylën, në atë kohë i emëruar, por ende i pa bërë publik, si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është realizuar në fillimin e muajit janar 1997 dhe ky ka qenë takimi i parë dhe i fundit mes tyre. Biseda e zhvilluar mes tyre nuk është temë e këtij shkrimi, megjithatë, sa për të shuar kureshtjen, kërkesa më kryesore e A. Sylës ka qenë që përvoja e Zahirit, në organizimin e aksioneve, duhej shtrirë në të gjitha zonat.

Zahiri e ka pranuar një gjë të tillë, por gjithashtu ka theksuar se zhvendosja e vendimmarrjes duhet bërë sa më parë e sa më e përqendruar në Prishtinë, ndërsa lidhjet e strukturave të luftës brenda vendit me ato jashtë vendit, të ishin sa më përfaqësuese dhe, si deri atëherë, sa më të forta. Është pyetur shpesh nëse kishte njohuri Zahir Pajaziti për arrestimin e Nait Hasanit, lidhjet e të cilëve ishin të afërta, sidomos pas takimit të tyre të parë, në dhjetorin e vitit 1995.

Siç dihet, Naiti është arrestuar një javë më parë se të ndodhte ngjarja e 31 janarit dhe arrestimi i tij ka qenë i fshehtë për shumë vetë në Kosovë, ashtu si, në javët e para, ka qenë i paditur edhe vendi se ku mbahej ai, me saktë, vendi se ku torturohej ai. Pyetja e bërë kësisoj, pra nëse kishte pasur apo jo dijeni Zahiri për arrestimin e Nait Hasanit, ka në vete edhe nënkuptimin tjetër se, në rast se ai do e dinte një gjë të tillë, me siguri që do të kishte marrë masa të tjera, do të ishte ruajtur më shumë dhe, ndoshta, do të kishte qenë mundësia e vazhdimit të luftës.


.......




ÇFARË THONË ATA QË ISHIN NË LIDHJE ME ZAHIRIN DHE ÇFARË THUHET NË DËSHMINË E ISAK SHABANIT?

Një pyetje e shtruar kështu ka në vete shumë domethënie. Megjithatë, diçka duhet përjashtuar menjëherë: duhet përjashtuar mundësia se mos nga torturat e tmerrshme Nait Hasani mund t’i kishte nxjerrë shokët e tij të luftës. Që nga momenti i kidnapimit të Naitit, nga katër pjesëtarë të policisë sekrete serbe, para shtëpisë së tij, sulmit mbi të dhe deri në ditën e riardhjes në vete, kanë shkuar më shumë se dy javë, të cilat kanë qenë edhe ditë ankthi, pasi askush nuk e dinte se ku mund të ishte ai. Nga ana tjetër, Naiti do të dëshmonte, si kishte dëshmuar edhe më parë se, në asnjë lloj gjendjeje, nga më të vështirat, ai nuk do të thyhej. Kjo do të ishte për shumë dekada njëra nga virtytet më të spikatura të pjesëtarëve të lëvizjeve ilegale. Ende nuk njihet asnjë lloj gjyqi politik në të cilin të arrestuarit e shumtë të kenë nëpërkëmbur njëri-tjetrin. Naiti ecte në të këtë vazhdë dhe kjo për shumë kënd ishte më se e natyrshme. Në përgjigjen e pyetjes, nëse kishte pasur dijeni Zahiri për arrestimin e Naitit- ka qëndrime të ndryshme dhe mendime të ndryshme.


Ata që kanë qenë jashtë Kosovës, por të lidhur ngushtë me ngjarjet dhe përgatitjen e luftës në Kosovë, pohojnë se Zahiri nuk ka pasur dijeni. Ata që kanë qenë në Kosovë me Zahirin pohojnë se në dy ditët e fundit i ka ditur arrestimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe mes tyre edhe arrestimin e një njeriu të veçantë dhe shumë të vyer. Nuk ka dhënë asnjë emër, por gjithçka i ka bërë shokët e tij të mendojnë, natyrisht më pas, se fjala kishte qenë për Naitin. Po ashtu, njëri nga njerëzit e afërm të Zahirit në atë kohë, me të cilin kishin bërë së bashku udhëtimin e fundit Kosovë-Shqipëri-Kosovë në fundin e dhjetorit 1966, dhe kthimin në mesin e janarit 1997, Qerim Kelmendi “Dema”, ka shënuar se në bazën ku ka qenë ai i është dhënë urdhri të kalojë në ilegalitet më të thellë. Kërkesës së tij që “do të largohem pasi të jetë lajmëruar Zahiri për arrestimin e Naitit”, i janë përgjigjur se kjo punë është bërë tashmë.

Është interesant, se në linjat përkatëse, ditën që është arrestuar Naiti, vetëm pak çaste më vonë, pra po atë pasdite, kjo është marrë vesh nga Xhavit Haliti, i cili ka dërguar mesazhin që të gjithë të ikin dikah, duke e pasur fjalën posaçërisht për Zahirin. Mundësia e Xhavit Halitit për të komunikuar me Zahirin ka qenë vetëm nëpërmjet lidhjeve në Zvicër.

“Kur është arrestuar Naiti dhe një pjesë e shokëve, katër orë pas arrestimeve jemi informuar, meqenëse kam qenë drejtues i sektorit të veçantë. Me shokët e Llapit ne kemi pasur divergjenca rreth futjes së I. A. në këto çështje. Zahiri ka qenë trim, ai ka bërë punë të mira. Në orën shtatë ose tetë të darkës jam informuar që është burgosur Nait Hasani. Dhe është kërkuar prej meje që të njoftoj Abazin (Ali Ahmetin) dhe nëpërmjet lidhjes që kishte në Zvicër Zahiri, ta njoftonim edhe atë. Unë e kam njoftuar Abazin dhe në të njëjtën kohë kam folur edhe me Azem Sylën për çfarë kisha bërë”. (Shënime nga biseda me Xhavit Halitin e Grupit të Punës i LPK-së, ngritur për këtë qëllim).

Ndërsa Azem Syla, në bisedë me të njëjtin grup pune, ka nënvizuar se “ndodhi arrestimi i Naitit. Pas dy orëve, nga Prishtina, jam njoftuar unë se është arrestuar Nait Hasani, dhe menjëherë kam porositur që të lajmërohen të gjithë shokët, sido që të jetë e mundur, dhe sidomos kam porositur për linjën e Llapit, se shokët e tjerë, nëpërmjet lidhjeve të tjera, kanë pasur mundësi të lajmërohen, kurse linja e Llapit ka mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me shokët në Zvicër, Abazin dhe I. Abdullahun. Pra, unë jam njoftuar për dy orë, e kam thirrur Zekën, i kam thënë që të bisedojë me Abazin dhe të lajmërojnë Ismetin (pseudonimi i Zahirit). Më vonë kam pyetur se “a janë mirë shokët?”, pra a janë lajmëruar shokët. Më kanë thënë se janë mirë, mirëpo kam dyshuar prapë se më erdhi informata se Zahiri ka disa ditë që po e kërkon në telefon Naitin dhe ky i fundit nuk i përgjigjet. Po e thërrasin e nuk ka lidhje. Këtu edhe mund të dyshoj, se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet e tjera që ka ra në sy Zahiri nga UDB-ja dhe pastaj janë bërë përcjelljet, deri tek vrasja”.


Mirëpo, sado i drejtë që është konstatimi i A. Sylës, përsëri ndjekja ka qenë më e hershme. Por ajo që është e dukshme, qëndron në faktin se anëtarët e sektorit të veçantë të LPK-së, që ishin njëkohësisht edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, porsa kanë marrë lajmin e arrestimit të Naitit, kanë vënë në lëvizje të gjithë ata mekanizma që mendonin se do të ishin të vlefshëm. Xhavit Haliti ishte informuar nga Azem Syla, i cili si dukej ishte informuar nga Xheladin Gashi “Plaku”, i cili kishte qenë në të njëjtën pasdite me Nait Hasanin dhe të fejuarën e tij, tani bashkëshortja, Fatmire Zogu. Pas drekimit në lokalin “Fjala” në Prishtinë, “Plaku” kishte shkuar në banesën e Naitit për ta pritur atë, ndërsa Naiti në lagjen “Dardania” për të përcjellë Fatmiren deri tek banesa e saj, ku do të merrte disa gjëra. Gjatë kësaj pritjeje vjen edhe kidnapimi e zhdukja e përkohshme në burgjet serbe e Naitit. “Plaku” mëson për zhdukjen dhe si duket ka lajmëruar Azem Sylën, nëpërmjet të cilit lajmi shkon tek Xhavit Haliti, drejtues i sektorit të veçantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Mundësia për të komunikuar me Zahirin, ose më saktë, njëra nga mundësitë, ka qenë Zvicra. Kjo nëpërmjet lidhjes që kishte lënë aty Zahir Pajaziti. “Unë e kam dërguar informatën tek njeriu i lidhur me të, Ismet Abdullahu, thotë Xhavit Haliti, por me sa kam marrë vesh, informata nuk ka shkuar në vendin përkatës”. Xhavit Haliti ka bërë edhe lajmërimin e Ali Ahmetit, i cili ka pasur lidhjet e dyanshme me Zahirin. Në bisedën e zhvilluar me A. Ahmetin, në vitin 1998, kur ishte ngritur grupi i punës për verifikimin e ngjarjes, është thënë nga ai se, “nga ana ime është bërë lajmërimi i Ismet Abdullahit dhe i shokëve të tjerë, dhe kam pasur edhe atëherë mendimin se informata duhej të kishte shkuar tek Zahiri. Ngjarjet ndodhën pastaj shumë shpejt dhe nuk u arrit te kontaktohej më me të”.


Në ditën e 31 janarit 1997, rreth orës dymbëdhjetë, në takimin e tij të fundit me shokët, sipas dëshmisë si Isak Shabanit, i gjykuar dhe dënuar më pas me dhjetë vite burgim, në të njëjtin gjykim me Nait Hasanin, Zahiri i informoi se “ishte burgosur një shok i tij me shumë rëndësi, por nuk besoj se do të rrezikohemi, pasi është një njeri shumë i vendosur”. Pastaj ai urdhëroi disa nga shokët e tij, mes të cilëve edhe Ilir Konushevcin, të cilët kishin marrë pjesë në atentatin e organizuar ndaj rektorit të dhunshëm serb të Universitetit të Prishtinës, që të kalonin në ilegalitet të thellë, të paktën për disa kohë. Nuk duhet harruar se është data 31 janar dhe kishte tashmë gjashtë ditë që kishte filluar vala e madhe e arrestimeve. Pra, për të gjithë pjesëtarët e Grupit Operativ të Llapit, sidomos të njësiteve të saj në Prishtinë, posaçërisht të njësitit “Kobra”, ishte e qartë se ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dramatike dhe se ishin para një goditje të ndjeshme të pushtetit serb. Ajo që nuk pritej, sepse kishte qenë e pabesueshme, do të qëndronte në vrasjen e Zahirit. Pa asnjë dyshim, në vetëdijen e tyre, Zahiri kishte qenë i paprekshëm.

Ndërsa Edmond Hoxha ka ditur për arrestimet masive që po ndodhnin, sidomos në radhët e lëvizjes studentore. Duke qenë vetë student, për më tepër i organizuar në lëvizjen ilegale, ai ka ditur më shumë se kaq. Edmondi, sipas dëshmisë së motrës së tij, e ka ditur dhe e ka pritur se fushata e arrestimeve do të shtrihet më tej në lëvizjen studentore, ka ndjerë rrezikun e arrestimit të tij, është përpjekur të shoshitë dhe të marrë informata për gjendjen e krijuar në Junik dhe në Prishtinë. Në të njëjtën kohë, ka qenë i vetëdijshëm se mund t’i ndodhte të vritej.




AJO QË KISHIN DITUR PËR ARRESTIMET EDMOND HOXHA DHE HAKIF ZEJNULLAHU

Në orën 16 të 30 janarit 1997, Edi shkoi në shtëpinë e motrës së tij. Ajo kujton se “Filluam të pimë çaj dhe Edi foli si me vete:
- “Rrezik është”.
- E pse , i thashë, po thue ashtu?
-Ah Lume, situata është e vështirë, i kanë burgosur disa djem dhe mund të burgosin të tjerë. Pastaj iu drejtua Nevruzit, duke u ruajt prej meje se mos e dëgjoj, se a m’i mban dy shokë për disa ditë, pasi duhet të ruhen. Hakif Zejnullahu, po ashtu, ka ditur për arrestimet. Si njeriu që zëvendësonte Zahirin, kur ai nuk ishte në Kosovë, dhe që kishte qenë ndër drejtuesit kryesorë në atentatin ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, ultranacionalistit Papoviq, Hakifi e dinte po ashtu se vala goditëse e policisë serbe mund të vinte deri tek ai.
Më 27 janar 1997, paradite, Edmond Hoxha thërret ne telefon tek tezakja e tij, Safete Hadergjonaj, që ishte e lidhur ngushtë me lëvizjet ilegale. E porosit t’i thotë Beqës që të shkojë në Junik për të marrë vesh se mos ka pasur kontrolle policore në shtëpinë e tij. I thotë se ata të shtëpisë nuk duhet të dinë gjë rreth kësaj çështjeje, por as nuk duhet të dinë se kush e ka dërguar Beqën atje, sepse do të frikësohen. Të nesërmen, më 28 janar, ai telefonon përsëri, dhe pasi informohet se në shtëpinë e tij nuk ka asgjë të re, pra nuk ka pasur kontrolle policore, ndjen një farë lehtësimi. Kjo është telefonata e fundit me Safete Hadergjonajn, por edhe e dhëna e parë e mendimit të tij për çfarë mund të ndodhte.

ÇFARË THONË LUMJA DHE NEVRUZI, E MOTRA DHE DHËNDRI I EDMOND HOXHËS?

E dhëna tjetër vjen nga e motra, Lumja, dhe është më e afërt në kohë me ditën e betejës së tyre të 31 janarit. Kjo ndodh një ditë përpara, më 30 janar, afërsisht njëzet e katër orë para vrasjes. Në orën 16 të 30 janarit 1997, Edi shkoi në shtëpinë e motrës së tij. Ajo kujton se “Filluam të pimë çaj dhe Edi foli si me vete: “Rrezik është”.

- E pse, i thashë, po thue ashtu?

-Ah Lume, situata është e vështirë, i kanë burgosur disa djem dhe mund të burgosin të tjerë. “Pastaj iu drejtua Nevruzit (dhëndrit - shënim i autorit), duke u ruajt prej meje se mos e dëgjoj se a m’i mban dy shokë për disa ditë, pasi duhet të ruhen.

Ky reagoi më të madhe: ‘Pashë zotin mor Edi, jo dy, por sa të zë kjo shtëpi, i mbaj” dhe e drodhën fjalën që të mos kuptoja unë”.

Shqetësimi i tij ka qenë i natyrshëm: ai ka ndjerë goditjen, por njëkohësisht ka menduar edhe për kundërgoditjen. Duke qenë pjesë e luftës, këtë kundërgoditje ai mund ta bënte vetëm nëpërmjet luftës. Një gjë të tillë ata kishin vendosur ta bënin në mbrëmjen e 4 shkurtit 1997, ditën e martë, në disa pika të Kosovës. Fillimisht ishte menduar për organizimin e aksioneve, në disa pika njëherësh, më 2 shkurt, ditën e diel. Fjalët e fundit, që Edmond Hoxha i ka thënë para se të ndahej prej motrës së tij, të enjten e 30 janarit, rreth orës 19, janë krejtësisht të sakta: “Lume, ke me ja ndie krismën në këto dy ditë, por mbylle derën se po bën mërdhiet”. Ishte pragu i ndarjes së tyre, ai ishte duke zbritur shkallëve, duke shikuar pas dhe duke çuar dorën lart si përshëndetje. I tillë ka mbetur ai në kujtesën e motrës së tij. Nuk besoj se mund të ketë kujtesë më të bukur.




PËR TË SAKTËSUAR TË VËRTETËN RRETH KËSAJ NGJARJEJE, NGA KUSH ISHTE NGRITUR NJË GRUP I VEÇANTË PUNE?

Hakif Zejnullahu, po ashtu, ka ditur për arrestimet. Si njeriu që zëvendësonte Zahirin, kur ai nuk ishte në Kosovë, dhe që kishte qenë ndër drejtuesit kryesorë në atentatin ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, ultranacionalistit Papoviq, Hakifi e dinte po ashtu se vala goditëse e policisë serbe mund të vinte deri tek ai, pasi, në një mënyrë ose në një tjetër, makina që kishte shërbyer për atentatin ishte e lidhur me njerëzit e grupit ilegal të Prishtinës, sidomos me Ilir Konushevcin.

Faktet e mëvonshme do të tregonin se ai kishte pasur të drejtë, por jo për kohën kur kishte filluar survejimi i tyre. Fotografitë që iu treguan Nait Hasanit, kur ishte i arrestuar, të cilat ishin të realizuara me teleobjektiv në vende të ndryshme, zakonisht brenda Prishtinës, në rrugët apo në lokalet e saj, do të dëshmonin se ndjekja kishte qenë më e hershme se janari i vitit 1997. Të paktën disa muaj më e hershme. Askush sot nuk mendon se gjithçka ka qenë e rastësishme, se rënia e tyre në pritë ishte një rast fatkeq e fatkob. Vitet që kanë shkuar e kanë bërë këtë vrasje të trefishtë, e para e këtij lloji në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe më të dhimbshme, sepse kohës që erdhi i mungoi fjala, autoriteti i tyre, por njëkohësisht edhe më dyshuese.

Ndodh nganjëherë, që në një organizëm ilegal, luftarak, i cili është në formësim dhe strukturim e sipër, të ndodhin edhe prita të rastësishme, të ketë nga ato raste kur e keqja është e pallogaritur, dhe rënia, më shumë se gjithçka tjetër, të jetë një nga rastësitë e shumta të jetës. Por, në këtë vrasje të trefishtë nuk është e njëjta gjë. Duke qenë e dhimbshme, ajo ka zgjuar pikëpyetjet e veta, të cilat herë janë fashitur dhe herë janë rizgjuar, por që kurrë nuk kanë reshtur.

Dyshimin se rënia e tyre nuk ka qenë e rastësishme e kam dëgjuar për herë të parë nga Hashim Thaçi, në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Duke qenë se ai ishte vetë njëri nga drejtuesit e lëvizjes ilegale çlirimtare, atë e brente dyshimi se mos kishte ndodhur rrjedhje nga radhët e organizuara.

Në materialin e tij, të përgatitur në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në prill të vitit 1998, mes të tjerave Hashim Thaçi nënvizonte se “si pasojë e vëzhgimeve të shërbimit të sigurimit serb, brenda dhe jashtë, dhe duke përfituar nga argumentet e lartpërmendura, në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit ndodhën arrestime në radhët tona.

U arrestuan disa shokë. U vra Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu dhe më vonë u mbyt në tortura Besnik Restelica. Kërkojmë që të sqarohet nga kryesia e degës së LPK jashtë vendit se kur dëgjuan ata për këto arrestime dhe si u bë informimi i shokëve. Argumentet dhe kundërargumentet të diskutohen hapur dhe në mënyrë konstruktive, për hir të punës, të luftës dhe të gjakut të dëshmorëve. Këtë ua kemi për detyrë dëshmorëve, sepse është një e dhënë se Zahir Pajaziti u informua për arrestimin e Naitit dy ose tri orë para se të nisej për rrugë…”.

Fakti se Lëvizja kishte pasur disa herë goditje të rënda, njëra prej të cilave në vitin 1993 kishte qenë ndër më të rëndat, dhe ishte analizuar gjerësisht në strukturat drejtuese të organizatës, kjo mund të sillte dyshimin, nganjëherë të natyrshëm, se e njëjta gjë mund të ndodhte përsëri. Nëse do të kishte qenë kështu, pra nëse rrjedhja do të kishte qenë nga brenda radhëve, atëherë duhej bërë kujdes i jashtëzakonshëm, pasi në kohën kur është ngritur me forcë ky dyshim, lufta kishte filluar dhe vetëm mendimi se brenda radhëve mund të kishte bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, do të kishte qenë tmerrësisht i dëmshëm, pa folur pastaj për tjetrën, nëse do të kishte qenë e vërtetë.

Hashim Thaçi kishte qenë njëri ndër drejtuesit e organizatës, të cilët, në takimet e tyre në vitin 1993 dhe 1994, kanë analizuar gjerësisht shkaqet e arrestimeve të ndodhura pas Mbledhjes së Përgjithshme të LPK në vitin 1993. Për të saktësuar të vërtetën rreth kësaj ngjarjeje, sidomos në përgjigjen e pyetjes nëse kishte pasur rrjedhje në radhët e organizuara, nga Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, dega jashtë vendit, është ngritur një grup i veçantë pune, në përbërje të të cilit ishin Bedri Islami, kryetar i grupit, Sejdi Gega dhe Naser Idrizi. Para këtij grupi, veç të tjerave, është ngritur edhe pyetja: Çfarë qëndron pas vrasjes së trefishtë në Pestovë? Cila ka qenë mundësia e tradhtisë dhe e prerjes në besë të tyre? A kanë ditur të ruajnë konspiracionin e domosdoshëm në një luftë ilegale vetë drejtuesit dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos në Prishtinë? A është e mundur që të jetë gjithçka pronësi e përgjimit të zakonshëm të bisedave telefonike apo ka diçka më shumë se kaq? A mund të ishim para një sprove të hidhur se gjurmimi kishte qenë ndryshe nga sa mendohet, ka qenë, thënë haptas, mbi bazën e një ose disa denoncimeve, të cilat, si çdo lloj denoncimesh në botë, kanë edhe denoncuesit e vet. Si është shkuar drejt një pikëvrasëse…

Grupi i punës, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe çështjeve të tjera që janë shtruar në atë kohë, mblodhi materialet e dërguara me shkrim nga Emrush Xhemajli, Muhamet Kelmendi, Ramadan Avdiu, Adnan Asllani, Ibrahim Kelmendi; u regjistruan takimet me Fazli Veliun, Ali Ahmetin, Bilall Sherifin, Xheladin Gashin, Adnan Asllanin, Ramiz Lladrovcin, Shaban Mujën, Gafurr Elshanin; u bënë biseda me Fehmi Lladrovcin dhe Shaban Shalën; janë zhvilluar biseda dhe incizuar me Xhavit Halitin- “Zeka” dhe Azem Sylën, “Daja i vogël”; janë bërë takime të veçanta me Hashim Thaçin, Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun; janë konsultuar materiale arkivore të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, letra e Ilir Konushevcit, e Abedin Rexhës dhe e Rexhep Selimit; një material i paraqitur nga Qerim Kelmendi- “Dema”, dërguar për grupin e punës, si dhe materiale të tjera. Të gjitha këto materiale vazhdojnë të jenë në arkivin e organizatës.




CILI ISHTE KONKLUZIONI I GRUPIT TË PUNËS?

Konkluzioni i Grupit të Punës, i miratuar pastaj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, në qershorin e vitit 1998, me disa shkurtime, do të jepet në vazhdimin e kapitullit të Enigmës së vrasjes… Por, mund të thuhet se: Përgjimi i Zahirit ka qenë sigurisht shumë më i hershëm se fillimi i janarit i vitit 1997. Kthimi i Zahirit në Kosovë, më 20 janar të këtij viti, bëhej në pikun e përgatitjeve të mëdha të shërbimit të sigurimit serb, për valën e madhe goditëse të arrestimeve. Në dhjetë ditë, Zahiri nuk mund të kishte folur me askënd, aq të besuar, saqë mund të tregonte dëshminë e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundrazi, ai ka qenë shumë i heshtur. Shumë trim, shumë i heshtur dhe shumë i vendosur. Tek këto do të kthehemi më vonë.
......


Të tre djemtë, në një mënyrë ose në një tjetër, janë dëshmues të tri majave, me aktivitetin e tyre, lidhjet që kishin, strukturat ku bënin pjesë, mendimin politik dhe forcën organizative. Ata, duke qenë prelud i lirisë së Kosovës, ishin njëkohësisht edhe thelbi i asaj që do të vinte. Në fund të fundit, ata ishin themeli i së ardhmes dhe duke qenë të denjë për të mbajtur një mision të tillë, ata u bënë shëmbëlltyrë. Të tre kanë të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre. Kanë hyrë në lidhjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jo në të njëjtën kohë dhe jo nëpër të njëjtat rrugë; kanë pasur rrugëtime të ndryshme për të ardhur në ditën e janarit të vitit 1997; ëndërrime të ndryshme. Edhe si karaktere kanë qenë disi të ndryshëm: Zahiri ishte impulsiv, fjalëpakë dhe shprehës; Edmondi ishte meditues, i qetë dhe ëndërrues që dinte të dëgjonte; Hakifi ishte i qetë, dhe praktik. Ata plotësonin deri diku njëri-tjetrin, mbartnin vlera të shumë prej shokëve të tyre dhe të strukturave që përfaqësonin, ndaj edhe ishin të denjë për të qenë, me jetën dhe me vdekjen e tyre, preludi i lirisë së Kosovës. Janë gjashtë enigma që duhen filluar të sqarohen: e mohimit, e njohjes, e takimit, e udhëtimit, e gjurmimit dhe e vrasjes. Dhe në vend të përmbylljes është një poemë. Secila prej enigmave ka lidhje me njëra-tjetrën dhe të gjashtat së bashku, aq sa kanë lidhje me personazhet realë të këtij libri, aq kanë lidhje edhe me vetë jetën, historinë, rrugëtimin e të tjerëve.

A nuk është e drejtë të dihet përse u mohua aq mjerisht dhe egërsisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe përse tri familjet e mohuan ngushëllimin që u dërgoi Ibrahim Rugova pas vrasjes së bijve të tyre? A nuk është e drejtë të dihet më shumë për enigmën e gjurmimit, sepse deklarimet e bëra pas ngjarjes, duke përcaktuar qartë rolin, detyrën dhe misionin e Zahir Pajazitit, bëjnë të qartë mirëfilli se policia dhe shërbimi i fshehtë serb e dinte mirëfilli se cilin po ndiqte? A nuk duhet folur për enigmën e njohjes dhe të takimit, sepse Edmond Hoxha nuk u ndodh rastësisht në të njëjtin udhëtim me Zahirin dhe Hakifin, udhëtim për të cilin, pa dëshmuar për emrat, e kishte bërë të ditur një ditë më parë. Pra, nuk kishte qenë një takim i rastit, por diçka e përgatitur dhe e përgatitur disi me ngutë, pasi Zahiri sapo ishte kthyer. Se lidhet udhëtimi i tyre me Komunikatën nr. 30 të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se ata “… ishin rrugës për një detyrë të veçantë”.

A nuk duhet folur për enigmën e gjurmimit, sepse gjurmimi i asaj nate nuk ka qenë thjesht e vetëm arrestimi i tre ilegalëve apo vrasja e tyre, por shumë më tepër se kaq dhe në cilin moment policia serbe ka vendosur se nuk duhej pritur më… Sepse Zahiri mund të arrestohej që në orën 16, në stacionin e autobusëve në Prishtinë, menjëherë pasi ishte ndarë nga Bislim Zogaj- ky i arrestuar sapo ishte ndarë nga Zahiri- e jo të lihej të bënte më tej.

JA ÇKA THA FEHMI LLADROVCI

Në fillimin e shkurtit të vitit 1997, menjëherë pasi u hap lajmi për vrasjen e tre heronjve, njerëzit filluan të udhëtonin drejt familjeve të tyre, jo thjeshtë për t’i ngushëlluar, por edhe për t’u thënë se janë pranë tyre. Në banesën e Xhavit Hoxhës, në Zvicër, kishte shkuar edhe Fehmi Lladrovci, së bashku me Xhevën. Nuk do t’i them të gjitha ato që u thanë asaj dite. Ndeja të tilla shpeshherë i ngjajnë njëra-tjetrës. Ndoshta më shumë se gjithçka kishte dhimbje që të çonte drejt përballjes. Ishte një moment, kur dhoma kishte rënë në një heshtje të pazakontë.

Por, vetëm derisa foli Fehmi Lladrovci. Ka të dhëna që të çojnë në përfundimin se policia serbe e ka ditur udhëtimin e tyre, rrugën që do të bënin, prandaj prita ka qenë e ngritur më parë dhe familjet rreth e rrotull kanë pasur secila në derën e tyre një milic serb. Natyrisht nuk mund të sqarohen të gjitha. E rëndësishme është të fillohet, jo për ndjenjën e rrënimit, por të vërtetës. Sepse duke dëshmuar për gjashtë enigma, njëkohësisht është qartësisht e kuptueshme se i gjithë ai aksion i madh policor serb, vrasjet makabre, nga të gjitha anët, nuk janë bërë për njerëz të zakonshëm. Nëse herë pas here unë do të ndalem më shumë e më gjerësisht në figurën e Edmond Hoxhës, kjo nuk ka lidhje me njohjen time të hershme me familjen Hoxha, nuk ka lidhje me asgjë tjetër, veç faktit se, duke qenë më i riu ndër viganët, i lindur nga pikëtakimi i Shqipërisë londineze me Kosovën, ai ka pasur në vete gjithnjë misterin e rinisë së tij të hershme, ndërprerë përgjakshëm në thyerjen e ditës dhe fillimin e natës së 31 janarit. Më është dashur ta them këtë mesfjalë, sepse, duke qenë gjatë luftës drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam pasur më shumë mundësi të njihem me disa të vërteta, të cilat ose nuk janë thënë deri më tash ose janë thënë gjysmë, ose, çfarë është më e keqja, janë thënë mbrapshtë. Më është dhënë rasti të kem në arkivin e organizatës shumë gjëra të vyera, disa kaseta magnetofoni me zërin, porositë dhe kujdeset e viganit të kombit Adem Jashari dhe shokëve të tij, pjesë të procesverbaleve të mbledhjeve të para të përgatitjes së luftës, analizat e zhvilluara rreth arrestimeve të ndodhura në vitin 1993 dhe materialet e mbledhura rreth vrasjes se 31 janarit, letra të dëshmorëve, letërkëmbime të bëra me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, dëshmi të dhëna prej tyre. Arkivi i organizatës nuk është ruajtur për t’u botuar një ditë… ai ka qenë i domosdoshëm për kohën, ka edhe vlerat e së ardhmes.

Vazhdimi i një ngjarjeje

Disa prej materialeve që ndodhen në arkivin e organizatës unë do t’i bëj të njohura, ashtu si edhe disa të dhëna nga shteti shqiptar. E kam menduar prej kohe këtë libër. Do të doja që të ishte vazhdimi i një ngjarjeje, të cilën po e tregoj më poshtë. Në fillimin e shkurtit të vitit 1997, menjëherë pasi u hap lajmi për vrasjen e tre heronjve, njerëzit filluan të udhëtonin drejt familjeve të tyre, jo thjeshtë për t’i ngushëlluar, por edhe për t’u thënë se janë pranë tyre. Në banesën e Xhavit Hoxhës, në Zvicër, kishte shkuar edhe Fehmi Lladrovci, së bashku me Xhevën. Nuk do t’i them të gjitha ato që u thanë asaj dite. Ndeja të tilla shpeshherë i ngjajnë njëra-tjetrës. Ndoshta më shumë se gjithçka kishte dhimbje që të çonte drejt përballjes. Ishte një moment, kur dhoma kishte rënë në një heshtje të pazakontë.



FOLI FEHMI LLADROVCI:

- Më dëgjo o Xhavit Hoxha, po ta jap besën e burrit, mos më thënçin në emër, me këto duar do ja marr hakun Edmond Hoxhës e shokëve të tij.
Tre muaj më pas, në majin e vitit 1997, Fehmiu dhe Xheva, së bashku me një grup shokësh u nisën për në Kosovë dhe ranë në pritën ku u vra Luan Haradinaj. Në fillimin e marsit 1998, ai u kthye përfundimisht në Kosovë dhe nuk e kishte harruar fjalëdhënien e tij. Sepse Fehmiu, duke qenë një ndër burrat më të rrallë të Kosovës, ishte edhe simbol i njeriut fjalëmbajtës. Kam menduar pastaj se, duke marrë hakun e Edmondit, ai kishte bërë detyrën e tij prej luftëtari dhe se, edhe unë duhej të bëja detyrën time; në fund të fundit një libër për dëshmorët është njëkohësisht edhe një hakmarrje ndaj mizorive dhe dhunës serbe, është si t’u thuash vrasësve dhe denoncuesve se heronjtë janë të përjetshëm. Më i riu prej tyre ishte Edmond Hoxha. Kishte lindur në Junik, në familjen atdhetare të Hoxhajve të Junikut të fisit Morinë. Ishte një ditë e premte, 10 tetor 1975, dhe po të njëjtën ditë u vra, të premten, 31 janar 1997. Lindi në orën pesë të mëngjesit, pas shtatë motrave, u vra afërsisht në orën pesë të mbrëmjes, duke lënë pengun e ikjes së tij në sytë e shtatë motrave. Pra, ishte vetëm 21 vjeçar. Student i shkencave politike. Pak ëndërrimtar si krejt brezi i të rinjve. Shumë i vendosur për të bërë më të mirën e mundshme. Zakonisht flet në fjali të shkurtra, aq sa të duket sikur nuk ka folur. Vetëm kur është fjala për Kosovën, flet më gjatë dhe i thotë motrës së tij, Lumes, se “pa e bërë veten të vdekur nuk mund të bësh diçka për Kosovën, e kur e qet veten, pra kur nuk të dhimbet jeta, e ke mundur frikën”. Nuk është në natyrën e tij të flasë kaq gjatë e prandaj, përsëri hesht. Mendon se ka një rrugë të hapur nga stërgjyshi i tij i largët Ymer Hoxha, për të ardhur më afër në kohë, tek gjyshi Avdyl Hoxha e për të qenë krejt afër rrugës së të atit dhe të vëllait, Xhavitit. Nëse një rrugë ndiqet nga disa breza, kjo do të thotë se ajo rrugë jo vetëm është hapur, por edhe është shtruar. Duhet vetëm të ecësh në të dhe të bësh pak më tej se ata që shkuan. Cilido brez e ka bërë këtë. Edmondi mendon se është koha e tij. E mendon këtë krejt natyrshëm, si diçka tepër të zakonshme. E di që është rrugë tepër e vështirë, sepse është një kohë e vështirë, si çdo kohë pushtimi; më e pakta është rruga që të çon drejt burgjeve politike, ku ishte i vëllai i tij; por të çon edhe drejt vdekjes, si ishin vrarë disa nga të parët e tij. Mes dy rrugëve, prehjes dhe qëndresës, ai zgjedh të dytën. Mendoj se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Rrugën e kishin hapur disa breza të kullës së Junikut, ai nuk mund të ndërronte trasenë e saj vetëm po të ishte bukëshkalë. Nuk ishte i tillë. Kishte marrë prej të gjithëve atë që i duhej dhe do të bënte më tutje. Rebelimi i tij kishte filluar nga arsyeja. Jo nga dëshira. Ishte rebelim ndaj shkaut, jo sepse ishte i tillë, por sepse regjimi i tij ishte vrasës. Ishte derdhur aq shumë gjak, saqë shumëçka ishte thyer. Përgjakja kishte qenë e rëndë dhe askush nuk e do gjakosjen. Edmond Hoxha ishte njëri prej atyre që ishin gati të derdhnin gjakun e tyre, por që nuk e donin gjakosjen. E dinte, po ashtu, se nuk kishte rrugë tjetër- kjo ishte arsyeja. Edmond Hoxha ishte një djalë i gjatë, i hijshëm, ende i ri për të qenë i ngarkuar me halle, dhe njëkohësisht “tepër i vjetër” për hallet që kishte menduar të merrte mbi vete. Si e shkrova, ishte një djalë i heshtur. Flokët i hidhte pa ndonjë kujdes të veçantë, nganjëherë në anën e djathtë; koka ishte paksa e zgjatur përmbrapa, kishte një shikim të qetë, vëllai i dëshiruar i motrave, ngaqë më i madhi, Xhaviti, e kishte shkuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij larg shtëpisë, pra larg motrave dhe prindërve. Përgjithësisht Edmondi dëgjonte me vëmendje të tjerët kur flisnin, e kjo ndodhte jo vetëm me më të moshuarit, por edhe me moshatarët e tij. Ishte i zhvilluar fizikisht, si dukej ishte ngutur për të qenë i tillë duke e parandier se po vinte koha e tij. Trupi i tij ishte muskulor, por jo deri në kthimin e muskulozitetit në mani; krahët i kishte të gjatë, kjo duket edhe nga një fotografi e tij në Lezhë, me shpatën e Skënderbeut në dorë, kishte diçka shumë tërheqëse në shikimin e tij e ndoshta kjo e kishte bërë një ilegale të hershme, Gjyle Krasniqin, e njohur si “Shota e Llapit”, t’i thoshte se “ne nuk e jetuam rininë tonë, ti duhet ta jetosh rininë tënde”.

ÇFARË ËSHTË EDMOND HOXHA NË KUJTIMET E ATYRE QË E KANË NJOHUR?

Ai kishte marrë shumë gjëra nga bjeshkët e Junikut ku kishte hedhur shtat, por njëkohësisht kishte filluar të merrte edhe nga Prishtina e Durrësi. Më pas, Prishtinës do t’i bëhej njëri ndër studentët simbol të saj, ndërsa në Durrës do të kishte afërsinë e disa prej njerëzve që do të përgatitnin apo drejtonin luftën çlirimtare. Në kujtimet e të gjithëve atyre që e kanë njohur, Edmond Hoxha ka ngelur një djalë i qetë, tepër i afërt, disi i ndrojtur kur është i pranishëm në bisedat e të rriturve, më tepër i prirë për të dëgjuar, se sa për të folur, me një të kuqe të lehtë të fytyrës, zakonisht shumë i afrueshëm për të tjerët dhe i gatshëm për të qenë pranë. Edmondi zakonisht nuk fliste gjatë, përpiqej të gjente mes fjalëve atë që ishte më e domosdoshme për të thënë dhe që duhej thënë, të tjerat i linte në heshtje, sikur të kishte pas vetes drojën se deri ku duhej folur. Zakonisht nuk e mbajnë mend në biseda të gjata, si duket e kishte ndjerë se punët që i takonin të bënte në fare pak vite nuk do të kishin as kohë dhe as vend për fjalë të shumta. Ai gjithçka që do të kishte, do e përmblidhte në vetëm fare pak kohë, në të cilën pjesa më e madhe do t’i takonte lëvizjes, ecurisë së gjërave, përpjekjeve për të bërë diçka, për të dalë nga riciklimi i mbylljes në vete. Ai ishte njëri nga të rinjtë që ishte mërzitur prej fjalëve, ashtu si mërzitet njeriu nga një lëngatë e gjatë. Nëse ai do të kishte qenë në jetë deri në fillimin e terrorit të vitit 1997, me siguri do të ishte në mesin e prijatarëve të demonstratës së njohur studentore dhe në radhët e studentëve luftëtarë. Jam i bindur për këtë nga dy fakte, të cilat, natyrshëm, kanë lidhje me njëra tjetrën.
Fakti i parë: Njëri ndër drejtuesit e njohur të lëvizjes studentore, Driton Lajçi, duke shkruar për Tubimin Përkujtimor me rastin e vrasjes së studentit Edmond Hoxha, shënimin e tij publicistik “Vdekje krenare” do e mbyllte me mendimin e qartë se “Edmondi filloi studimet për të mos i mbaruar, për të, aty mbeti dëshira për t’u bërë jurist i diplomuar. Ai vdiq, por nëse ka vdekje krenare, kjo kësaj here i takon Edmond Hoxhës”.
Së dyti, disa nga miqtë më të afërt studentë të Edmond Hoxhës, menjëherë pas fillimit të luftës, ndërprenë studimet dhe u bënë ushtarë ose eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Mensur Hoti, Bekim Begolli, Ramë Gjikokaj, Shkumbin Demaliaj, Sami Cacaj, Gëzim Hoxha, të cilët gjithnjë kanë pasur ndjenjën se bashkë me ta dhe me punën e tyre është edhe ajo që kishte vënë Edmond Hoxha. Një mik imi nga Vlora më thoshte dikur se “kur vinte në qytetin tonë ndonjë djalë i bukur, vajzat thoshin “ka ardhur një djalë i bukur si kosovar”. Miku im shtonte edhe diçka tjetër, si për shembull se “ku e kanë gjetur shqiptarët në Prishtinë atë njeri me shall, sikur të mos ishte i tyre”, por unë do të ndalem tek thënia e parë, sepse Edmondi ishte tipik i tillë, si thoshin dikur vajzat e detit për djemtë e hijshëm. Me tipare shumë të rregullta, magjia e tij qëndronte në të qeshurën e veçantë, shumë e lehtë, me një përvijim buzëve. Sikur asgjë të mos mbahej mend prej tij, nga miqtë, shokët, shoqet dhe njerëzit do të kishte mjaftuar vetëm ajo e qeshur e veçantë, disi e tërhequr, me shkëlqimin e jashtëzakonshëm të syve. Është jo e rastësishme se në kujtimin e shokëve dhe të njohurve të tij, Edmondi mbetet njeriu që nxitoi të arrinte vitet e pjekurisë së parë. Ndoshta shumë nga të njohurit e tij, shqiptarë të Kosovës, e kanë parë Edmondin nëpërmjet syve të ilegalëve, sepse ata zakonisht i përkisnin lëvizjeve ilegale, ose nëpërmjet syve të bashkëmoshatarëve të tij studentë. Ka qenë tepër e zakonshme për secilin ilegal, kur e ka njohur për herë të parë, si vëllai i Xhavit Hoxhës, të ketë thënë: “Ah, vëllai i Xhavitit qenke”, dhe një pjesë e emrit të vëllait të tij të ketë kaluar edhe tek Edmondi. Xhaviti ishte njëri nga të burgosurit politikë të grupit të njohur si “Komiteti i Deçanit”, nëpërmjet të cilit kishin kaluar në dëshminë historike të mendimit politik edhe kryengritës të Kosovës shumë emra të njohur si Smajl Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu, Drita Kuçi etj. Pra, donte apo nuk donte Edmond Hoxha, megjithëse ai e donte këtë fakt, njohja e parë e tij me një rreth më të gjerë dhe më të pjekur se brezi i tij, do të ishte, për shumë vite, nëpërmjet emrit të vëllait të tij dhe kjo, po ashtu, donin apo nuk donin njerëzit, do të ndikonte në perceptimin e figurës së tij.


KA MË SHUMË REPRESION NGA REGJIMI SERB,KISHTE THËNË EDMOND HOXHA

Të ruhemi, nuk është keq, tha, por jo duke ndenjur në shtëpi. I thashë se duhet të kishte kujdes, sepse ka prindërit, motrat, se Xhaviti është larg Kosovës. Më tha se e gjithë Kosova është kështu, se të gjithë kanë prindër, motra e vëllezër. Mirëpo, dikush duhet edhe të punojë për Kosovën. Studentët në Prishtinë, më tha Edi, janë shumë impulsivë, ndoshta gabojnë ndonjëherë, duke folur më shumë se duhet, por po i ikën koha fjalëve. Si do ta shihte atë një njeri, i cili nuk kishte pasur asnjë lloj lidhje me lëvizjen ilegale, dhe, për më tepër, nuk do të ishte as shqiptar i Kosovës, por një banor i Tiranës, njeri i kulturuar, atdhedashës dhe këtë e dëshmoi më pas me mbështetjen që i dha Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që në jetën e tij kishte njohur shumë njerëz? Edmondin do ta njihte në një vit aspak të zakonshëm në jetën e Shqipërisë. I jashtmi është gjithnjë më objektiv, sepse, duke mos qenë pjesë e gjërave të ditura, ai ndërton në përfytyrimin e tij atë që ka ndjerë sa kjo është më e saktë.



ÇFARË THOTË FADIL SMAJLI?

Gjithnjë kam dashur të di se si ngrihet në kujtesën e njerëzve të tillë figura e Edmond Hoxhës. Dhe iu drejtova një njeriu në Tiranë, i cili e kishte njohur Edmond Hoxhën, e më pas gjithë familjen e tij, në vitet e kalimit të tij nga rinia e hershme në atë që do të vinte më pas. Fadil Smajli, ish-drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, bën dëshminë e njeriut që e ka njohur Edmondin drejtpërdrejt, jo nëpërmjet mendimit politik që ishte krijuar për familjen e tij. Është njeriu që, ndryshe nga shumë të tjerë, ka kaluar nëpërmjet njohjes jetësore tek njohja politike, dhe pikërisht sepse, jo vetëm ai, por gjithë familja e tij kishin një ndjesi të veçantë për Edmondin, ndikoi edhe në përkushtimin e mëtejshëm të tyre. Nga mosha Edmondi mund të ishte vëllai i vogël i Fadil Smajlit. Pra ajo që do të ndikonte do të ishte diçka që nuk kishte lidhje me moshën. Kishin jetuar në dy skaje të të njëjtit truall, pra nuk do të ishte as afërsia e një jete të përbashkët. Ishte diçka tjetër, e cila, edhe pas shumë vitesh, do të mbetej e jetësuar tek Fadil Smajli. Ai më shkruan: “Të falënderoj shumë për poemën ‘Preludi’, kushtuar Edmond Hoxhës dhe shokëve të tij. Dua të të them se vajzat e lexuan dhe u kënaqën shumë, duke e vlerësuar me mendimin e tyre shumë të bukur, duke u nisur edhe nga fakti se ato e kanë njohur personalisht Edin. Ndonëse në moshë të vogël, por u ka mbetur në mendje djaloshi i gjatë, i dashur, buzagaz.






JA SI E TAKOVA PËR HERË TË PARË EDIN.

Një pasdite vere, diku nga fundi i muajit korrik apo fillimi i muajit gusht të vitit 1992, bie zilja, vajza e madhe, atëherë rreth 12 vjeçe, hap derën dhe thotë se është një djalë i gjatë dhe një vajzë e vogël (ishte mbesa e Edit). Më thotë se jam Edi, vëllai i Xhavit Hoxhës, sepse Edin e njihja si emër, por nuk e kisha takuar asnjëherë. E përqafova dhe u ulem. U përshëndetem sipas zakonit dhe bëmë biseda të lira familjare. Më beso, se ai çast, për mua dhe time shoqe, Netin, e vajzat, ka mbetur si një gjë shumë e rrallë, e jashtëzakonshme. E kujtojmë gjithnjë, një djalë, që tani është përcaktuar nga të gjithë, por me një buzëqeshje të hapur dhe krenar, virtyte të veçanta të Edit. Si zakonisht, ditëve të shtuna dhe të diela shkonim në plazh, ku takoheshim me të gjithë të afërmit e Xhavitit. Takoheshim tek shtëpia e tij dhe për atë shtëpi duhet bërë një vlerësim i veçantë, sepse aty kanë marrë rrjedhë shumë ngjarje të Kosovës. Më pas mësova se Edi ishte student në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Të gjitha motrat i duan vëllezërit, por motrat e Edit e të Xhavitit ishin diçka më shumë. Një gjë më ka bërë përshtypje; në biseda personale Edi dëgjonte me shumë kureshtje, për çfarëdo që flitej, nuk ndërhynte dhe çdo bisedë mes miqve e shokëve e shoqëronte me buzëqeshje dhe me një shikim shumë domethënës, të cilin unë e kuptova më vonë, sepse, pa folur, me buzagaz, në heshtje, pranonte ose jo, bisedat që bëheshin kryesisht për Kosovën. Një ditë në plazh kisha vendosur ta ngacmoja Edin për problemet e Kosovës. E thirra dhe i thashë të dilnim në një anë, sepse aty kishte shumë njerëz. U larguam disa metra dhe fillova ta ngacmoja: “Në vitin 1981, i thashë Edit, kam qenë me punë në Pukë, dhe në janar të atij viti kam takuar një çift të moshuarish nga Prizreni. Ndërmjet bisedave të tjera ata u shprehën se “Kosova mund të shpëtojë vetëm nga rinia studentore, studentët janë ata që do ta fillojnë luftën për Kosovën”. Dhe si dihet, studentët u ngritën në marsin e vitit 1981. Që nga ajo kohë, i thashë Edit, i kam ndjekur me shumë kujdes ngjarjet në Kosovë, qëndrimet e politikanëve të kohës në Kosovë, të Vllasit, Morinës, Jasharit. Më dëgjoi me shumë vëmendje, ashtu si përherë, i qetë, buzagaz dhe me një vështrim sikur donte të dinte më shumë. I fola edhe për qëndrimin e Shqipërisë së asaj kohe dhe gatishmërinë e saj për të ndërhyrë nëse do të ishte e nevojshme, fjala ishte për vitet 1981 – 1988. Mu duk sikur po më pyeste me shikimin e tij për të ditur më shumë, por edhe sikur ndjeva se kishte diçka që nuk po thuhet. Kur befas më tha të vazhdoj. Unë e ngacmova përsëri. “Edi, çfarë po bën rinia studentore në Prishtinë, se kam dëgjuar se ka filluar të futet frika nga regjimi serb, se të rinjtë po largohen nga Kosova?”.
Më shikoi qetësisht, si përherë, por tash me një shikim tjetër.
- Jo baca Fadil, ne po studiojmë dhe po punojmë, e vjen dita edhe luftojmë.
Punoni, i thashë, por duhet edhe të ruheni.
Të ruhemi, nuk është keq, tha, por jo duke ndenjur në shtëpi. I thashë se duhet të kishte kujdes, sepse ka prindërit, motrat, se Xhaviti është larg Kosovës. Më tha se e gjithë Kosova është kështu, se të gjithë kanë prindër, motra e vëllezër. Mirëpo, dikush duhet edhe të punojë për Kosovën. Studentët në Prishtinë, më tha Edi, janë shumë impulsivë, ndoshta gabojnë ndonjëherë, duke folur më shumë se duhet, por po i ikën koha fjalëve. U takuam përsëri dhe folëm përsëri për Kosovën dhe hallet e saj. Ishte një vit më vonë. “Vazhdojmë të punojmë, më tha Edi, ka më shumë represion nga regjimi serb, por jemi më të organizuar”. Kishte një shikim ndryshe.

LAJMI

Atë natë, 31 janar 1997, kthehem në shtëpi rreth orës 21 dhe menjëherë më thanë se në Kosovë janë vrarë tre vetë. Prita lajmet e fundit dhe dëgjova për vrasjen. Dy ishin të identifikuar, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu. I treti ishte i paidentifikuar. Ditën e dytë lajmi qe i tmerrshëm. Studenti i paidentifikuar ishte Edmond Hoxha. Nga Juniku. Kisha qenë në shtëpinë e tyre në Junik në vitin 1994. Nuk e harroj atë pritje, megjithëse pushteti serb më urdhëroi të largohesha nga Kosova për njëzetekatër orë. Kam qenë me vëllain e Petritit. Asnjëherë nuk e kishim mësuar emrin e plotë të Edit. Për ne ai ishte thjesht Edi Hoxha. “Merre në telefon Petritin në Zvicër, më thanë. I thashë se nuk ka plumba që të vrasin Edin. Mirë, mirë, po merre Petritin. E mora dhe mësova të vërtetën më të hidhur të jetës sime. Si është e mundur. Gruaja dhe fëmijët filluan të qanin, si edhe unë, edhe tani që po shkruaj këto rreshta…”. Fadil Smalji, njeriu që është përkushtuar për Kosovën, më shkruan më gjatë se kaq. Duke e njohur nga afër, atëherë kur e lexova për herë të parë, mendova me vete se edhe një njeri i fortë si ai mund të ketë plagët e tij, lehtësisht të prekshme. Në këtë rast, plaga e tij ishte një djalë i ri, shqiptar nga Juniku, që kishte trokitur një ditë vere të vitit 1992 në shtëpinë e tij, si vëllai i një të njohuri, që më pas do të bëheshin miq të afërt, dhe që krejt natyrshëm, i kishte bërë vend në jetën e tij, ashtu si njerëzve më të afërm. Edmond Hoxha, njeriu i heshtur, e kishte pasur vetinë të heshtte, dhe kur të vinte koha të flisnin të tjerët për të. Nuk do të jetë e çuditshme që do të jetë bashkëpunëtori dhe miku i Zahir Pajazitit dhe që do të vriteshin bashkë. Ndoshta, më shumë se askurrë ishin bashkuar një grup njerëzish të cilët nuk i kishin në natyrën e tyre fjalët e shumta, rendjen pas tyre dhe pas pëshpërimës së fjalënajës, njerëzit të cilët, krejt natyrshëm, kishin vendosur të bënin detyrën e tyre. Nëse ajo do të ishte e vështirë dhe e rrezikshme, kjo nuk kishte lidhje me përkushtimin e tyre. Ata kishin ardhur me një mision të madh. Koha që do të vinte do të dëshmonte se ata kishin qenë të denjë për të mbartur këtë mision.
A duhej mohuar një djalë i tillë dhe çfarë do të kishte të paqartë tek ai? Kujtojeni në çastin e fundit të ndarjes me motrën e tij, në fillimin e mbrëmjes të 30 janarit 1997, njëzet e katër orë para vrasjes; kujtojeni duke ulur shkallët, buzagaz, me dorën e ngritur lart si përshëndetje dhe natyrshëm do të ndjeni edhe krimin e mohimit. Ky ishte njëri nga tre heronjtë e natës së 31 janarit. Më i riu dhe më i panjohuri. As policia e fshehtë serbe, atë natë kur i vrau, nuk e diti emrin e tij. Ose e mbajti për disa kohë të fshehtë për të shkuar më tej në gjurmët e asaj që kishte ndodhur. Nuk i dihet asnjëherë. Por dihet që ishte më i riu nga të tre, djalë që sapo kishte mbushur të 21 vjetët. Dy të tjerët ishin më të njohur. Zahir Pajaziti ishte po ashtu një djalë i gjatë, por ashtu si kishte të përbashkëta me Edmondin, kishte më shumë të veçantat e tij. Vetia e Zahirit për të mos folur shumë e sidomos për të mos folur gjëra të pabukshme, kishte kaluar, pa u ndjerë, edhe në tiparet e tij. Gjithçka ishte e tërhequr tek ai, mollëzat e faqeve të futura përbrenda, shikimi i syve sikur kalonte nëpërmjet vetes së tij, flokët që përgjithësisht nuk kishin ndonjë vend të caktuar, duart që i lëvizte atëherë kur duhej, sepse përgjithësisht ai nuk fliste me gjeste, ecja e veçantë duke i tundur paksa shpatullat, ndërsa këmbët sikur i nguliteshin në tokë.



CILAT RRUGË KANË ÇUAR DREJT NJOHJES SË EDMONDIT ME ZAHIR PAJAZITIN?

Në të gjitha deklarimet e para zyrtare të Shërbimit Informativ të Ministrisë së Brendshme serbe nuk jepet emri i Edmondit. As në lajmet speciale të dhëna nga radio dhe TV beogradase nuk jepet një gjë e tillë. As në lajmin e dhënë nga Radio Moska, emisioni në gjuhën serbe, tri orë pas ngjarjes, nuk jepet emri i njeriut të tretë që vritet në Pestovë. Vetëm theksohet se është terrorist dhe anëtar i të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Të dukej sikur, duke qenë në dijeni të udhëtimit që do të ndodhte dhe të dy personave të parë, Zahirit dhe Hakifit, ata ende nuk kishin dijeni për të tretin që ishte mes tyre. Në ditën e pafundme të 31 janarit të vitit 1997, askush nuk mund ta dinte se në orët e para të pasdites së saj, krejt befasisht, aty ku dita do të thyhej nga nata dhe gjithçka do të fillonte të zhytej në terrinën e pritshme të dimrit, do të ndodhte njëra nga ngjarjet epike të kombit. Kishte disa kohë që ndjehej epizmi në të gjithë Kosovën dhe jo papritmas, megjithëse ende nuk e dinin përse, njerëzit kishin filluar të ndjeheshin disi ndryshe. Kishte diçka që kishte filluar të tjetërsohej për të mirë tek ata, shikimi kishte filluar të bëhej më i qetë, ndriçimi mes syve kishte edhe një fillesë mendimi, hapat ishin më të sigurt, pa e ditur as vetë përse kishin filluar t’i hidhnin, jo ashtu lehtas, fluturimthi, sikur të kishte pasur ujë deri atëherë nën këmbët e tyre ose fjalë që lëviznin nga e premtja në të premte; ndërsa tani toka kishte filluar të ngjizej; zëri i njerëzve ishte më i qetë, me gjithë tronditjen që kishte, pa atë ndjenjën e ankthit, që dashje pa dashe, i kishte shtypur. Kishte disa muaj që gjërat kishin filluar të ndryshonin. Megjithëse askush nuk e kishte thënë krejt qartë shkakun e këtij ndryshimi, përsëri gjithçka ndjehej. Kishte në të vërtetë ende një ankth që rrinte pezull mbi qytetet dhe rrafshinat përreth, kishte ende një mjegull që kacavarej ende mbi rrafshnaltat dhe fillesat e maleve, por, pas shumë kohe, njerëzit kishin filluar të dëgjonin se jo shumë larg kryeqendrës kishin filluar të krijoheshin disa oaze lirie, të quajtura zona të lira, në të cilat, pas mugullimit të parë të mbrëmjes, nuk dukej asnjë këmbë polici serb. Tani, përherë e më shpesh, në bisedat e zakonshme, jo krejt befas dhe jo rastësisht, kishte filluar të hynte një emërtim i ri, i panjohur deri atëherë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fillimisht kishte qenë i paperceptueshëm pranimi i saj. Ajo, siç iu ishte dukur njerëzve, ishte shfaqur fillimisht e ndrojtur, jo se kishte druajtjen e ideve të saj, ajo e kishte tashmë misionin e saj vizionar krejt të qartë. Ishte ngritur shumë mjegull mbi të, ishte hedhur shumë dyshim dhe kjo kishte të bënte pastaj me mëdyshjen e njerëzve. Do të vinte nata e 31 janarit 1997 për të qenë më se e qartë se me çfarë kishte lidhje drejtpeshimi i gjërave që po ndodhnin. Njerëzit kishin për herë të parë tre shembuj të mëdhenj, se ndryshe nga çfarë rridhte nga Velania apo konferencat e shtypit, djemtë që po luftonin ishin djem të Kosovës, nga të gjitha viset e saj; se ata ishin të vendosur të luftonin deri në fund dhe të bënin jetën e tyre truall për ditët e ardhshme të Kosovës dhe se atyre u përkiste e ardhmja. 31 janari ishte dita kur u nda dyshimi nga e vërteta, kur mes hutisë së përgjithshme ishte shkreptima e ditës së fundit të muajit, kur me gjithë dhimbjen dhe megjithëse ata po quheshin nga entet zyrtare, qoftë serbe apo shqipfolëse, si terroristë, pjesëtarë të së ashtuquajturës UÇK dhe drejtues fantazma të saj, varrimi i tyre, fillimisht, ditën e diel, më 2 shkurt, në Llap, dhe të nesërmen në Junik, ishte i madhërishëm. Njerëzit, nëpërmjet aktit të pranisë së tyre në momentin e fundit, sikur donin të kërkonin ndjesë që nuk i kishin besuar më parë. Akti i ndjesës është gjithnjë fisnik.




SI U GJEND EDMOND HOXHA NË MAKINË ME ZAHIRIN DHE HAKIFIN?

Që në çastin e parë, pra që në momentin kur u bë i njohur fakti se tre djem të rinj, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, sipas Komunikatës nr. 30 të Shtabit Qendror të UÇK-së dhe, “viktima të terrorit serb që përvetësohen nga UÇK-ja”, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur ende gjithçka ishte nën mjegullën e natës, njëri nga tre të rënët ishte ende i panjohur, jo vetëm për ata që i kishin përcjellë Zahirin dhe Edmondin, por edhe për gjurmuesit, ndjekësit e vrasësit, pra për milicinë serbe. Në të gjitha deklarimet e para zyrtare të Shërbimit Informativ të Ministrisë së Brendshme serbe nuk jepet emri i Edmondit. As në lajmet speciale të dhëna nga radio dhe TV beogradase nuk jepet një gjë e tillë. As në lajmin e dhënë nga Radio Moska, emisioni në gjuhën serbe, tri orë pas ngjarjes, nuk jepet emri i njeriut të tretë që vritet në Pestovë. Vetëm theksohet se është terrorist dhe anëtar i të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Të dukej sikur, duke qenë në dijeni të udhëtimit që do të ndodhte dhe të dy personave të parë, Zahirit dhe Hakifit, ata ende nuk kishin dijeni për të tretin që do të ishte mes tyre. Pra, nëse e kishin ditur se në atë makinë, që nga çasti i nisjes, do të ishin Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu, ata nuk kishin arritur të dinin se cili do të ishte personi i tretë, ose, çka është më e mundshme dhe si thuhet më tej, ata kishin pritur dikë tjetër të udhëtonte asaj nate. Të kishte qenë rastësi apo diçka kishte rrjedhur ndryshe nga ajo që kishte pritur sigurimi i fshehtë serb? Që në ditën e parë të pasngjarjeve dhe në ditët e mëpasme, sidomos nga shtypi i ditës në gjuhën shqipe dhe i botuar në Prishtinë, është shtruar si mister përse u gjend në atë makinë Edmond Hoxha. “Mirëpo, si u gjet në makinën e tyre Edmond Hoxha, këtë nuk e di askush. Çfarë është e vërteta, edhe nga të afërmit e Hakifit dhe të Zahirit, nga njëra anë, si edhe të afërmit e Edmondit, nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë se këta janë njohur mes veti. Dhe e tërë kjo e shton enigmën e kësaj vrasjeje misterioze”, shkruhej nga Haqif Mulliqi më 7 shkurt 1997, një javë pas ngjarjes. Pyetja, si e tillë, është shtruar që me një shkurt dhe ata që e kanë ditur të vërtetën nuk mund të dilnin haptazi. Është shkuar edhe më tej; është hedhur dyshimi se, sipas të dhënave të pasqaruara, Edmond Hoxha ishte arrestuar një ditë më parë, të enjten, më 30 janar, dhe se trupi i tij aty mund të ishte një truk policor. Edhe prindërit e të afërmit e Zahirit dhe të Hakifit, në bisedat e para, të bëra pas ngjarjes, duke dashur të ruajnë të fshehtën e pasgoditjes, kanë thënë se Edmondin nuk e kishin takuar ndonjëherë dhe se nuk e dinin miqësinë e tij me bijtë e tyre. Duke pasur parasysh se në atë kohë nuk mund të thuhej asgjë tjetër më shumë se kaq, sepse lidhjet do të vazhdonin të shthureshin, edhe kjo është e kuptueshme. Nga të gjitha gjërat e javës së parë ngeli një enigmë, e cila zgjati edhe më tej: kur dhe si janë njohur me njëri- tjetrin Zahiri dhe Edmondi? Nuk ka pasur asnjë enigmë në lidhjet mes Zahirit dhe Hakifit. Si u bë e njohur menjëherë, ata ishin nip e dajë, dhe duke qenë të tillë, gjithçka do të ishte e natyrshme. Edhe organizimi i varrimit të tyre u bë me një diferencë të shkurtër kohore, në mënyrë që pjesëtarët e dy familjeve të mund të ishin tek njëra- tjetra, sepse ishin të lidhura. Motra e Qerim Pajazitit, babait të Zahirit, ishte nëna e Hakifit. Pra ishte një dhimbje familjare e dyfishtë. Enigma do të qëndronte në njohjen tjetër.



PËRSE ME ZAHIRIN, EDMONDIN DHE HAKIFIN NUK RRUGËTOI EDHE ILIR KONUSHEVCI?

Ishte ajo thjeshtë në ditën e 31 janarit kur po udhëtonin së bashku dhe nisja kishte njëkohësisht edhe fundin e njëkohshëm? Ishte një udhëtim i rastit apo i organizuar, kishte lidhje kjo me një rastësi rutinë apo ishte gjithçka e përgatitur prej ditësh? U ndodh krejt rastësisht Edmondi në makinën e tyre? Përse nuk rrugëtoi me ta edhe Ilir Konushevci siç ishte parathënë dhe përse gjithçka ndërroi në momentet e fundit? Cili do të ishte caku i atij udhëtimi? Përse morën ata pikërisht atë drejtim dhe çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishin marrë një drejtim tjetër? A kishin udhëtuar edhe më parë me njëri-tjetrin apo kjo kishte qenë njohja e parë, udhëtimi i parë dhe i fundit? Rastësia në udhëtimin e tyre, qoftë edhe si bashkëluftëtarë, duhet përjashtuar krejtësisht, sepse Edmond Hoxha nuk kishte qenë në atë makinë si një udhëtar i zakonshëm, i cili në fillimin e mbrëmjes së 31 janarit kishte dalë buzë rruge dhe kishte ngritur dorën për të udhëtuar, nuk dihej se ku dhe nuk dihej se me kënd. Që ka qenë një udhëtim i përgatitur, këtë e ka dëshmuar që të nesërmen e motra e Edmond Hoxhës, Lumja, pa e ditur se për çfarë dhe me cilët do të udhëtonte vëllai i saj. Një ditë para krimit, më 30 janar, tha në ditën e varrimin të vëllait të saj, Lumnije Hoxha, e martuar në Prishtinë, “vëllai im, Edmond Hoxha, gjendej në shtëpinë time. Kishte ardhur tek në darkë. Edi, kështu e thërrisnim Edmondin, më tha se do të shkoj nesër për darkë, iftar, në Vushtrri. Bile, si me shaka, më tha se “a do të vish edhe ti?”. Thënia e saj më 3 shkurt 1997 dëshmon se ishte përgatitur, të paktën prej disa ditësh, udhëtimi i tyre i përbashkët. Ajo dëshmon se edhe lajmi i dhënë në gazetat e kohës, se, sipas informatave të pasqaruara, Edmondi më datën 30 janar kishte qenë i arrestuar nga policia serbe, ishte po ashtu i pasaktë. Pra Edmondi e dinte se do të udhëtonte në drejtimin e Vushtrrisë, kjo edhe ndodhi, e dinte se do të udhëtonte pasdite, pasi do të bënin iftar diku, kjo edhe ndodhi, e dinte se do të kishin strehim në një bazë të luftës, pasi këto ishin bazat e Zahirit, kjo nuk ndodhi sepse gjithçka u ndërpre egërsisht. Por ka edhe arsyetime e njohje të tjera, që e saktësojnë mendimin se asgjë nuk ka qenë e rastësishme. Së pari, në kushtet e fundjanarit të vitit 1997, kur egërsia serbe ishte në kulmin e saj dhe do të burgoseshin më shumë se 110 vetë, do të ishte tejet e vështirë të mendohej se një ilegal i përmasave të jashtëzakonshme si Zahir Pajaziti do të udhëtonte me një njeri të panjohur apo që sapo e kishte njohur. Gjendjen e janarit të vitit 1997 nuk mund ta nënvlerësonte një drejtues i luftës, aq më tepër se pak para nisjes ai kishte marrë mesazhe të qarta se duhej ndërruar gjithçka nga taktikat dhe rrugëlidhjet e deriatëhershme. Për më tepër, dy ditë para ngjarjes, më 29 janar, është bërë i njohur lajmi, nëpërmjet Televizionit satelitor shqiptar, se është zhdukur ish i burgosuri politik, albanologu Nait Hasani. Po atë natë, kujton Xhavit Hoxha, duke kujtuar se Nait Hasani kishte lidhje me mjekun Xhevat Hasani, mora në telefon këtë të fundit për t’i kumtuar lajmin. Ka pasur disa rrugë që kanë çuar drejt njohjes së Edmondit me Zahir Pajazitin dhe lidhjes në mes tyre. Më e rëndësishmja prej tyre ka qenë ajo që mund të quhet si lidhje institucionale. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një institucion i veçantë i luftës. Ajo ka pasur strukturat e saj, lidhjet, organizimet, mbulesat, mbështetjen politike e financiare etj. Në radhët e saj nuk mund të futeshe sipas qejfit dhe kohës që do të donte secili. Kishte një kohë strukturë dhe shkallë verifikimi. Jo rrallëherë, në kohët e para të organizimit të saj, edhe për pranimin e një njeriu të veçantë është bërë kujdes i veçantë, sepse, duke mësuar nga goditjet e deriatëhershme, LPK-ja, si organizatore e luftës, nuk dëshironte përsëritjen e gjërave. Në kohën që është bërë njohja e Edmondit me linjën e Llapit, si quhej atëherë, ka qenë i ndërtuar dhe funksiononte Shtabi Qendror i UÇK-së, brenda në Kosovë dhe jashtë saj, ishin zgjedhur drejtuesit e Shtabit Operativ Qendror, që bënte përcaktimet ushtarake dhe kishte filluar lidhja dhe koordinimi i saktë i veprimeve.




CILAT ISHIN LIDHJET E ZAHIR PAJAZITIT ME ZONËN E DUKAGJINIT?

Në linjë strukturore të UÇK-së është bërë i mundur kalimi i Edmondit në linjën e Llapit, në fillimin e vitit 1996. Por, pjesëmarrja e tij në radhët e UÇK-së është më e hershme, pasi në linjën e Llapit ai hyri si pjesëtar i saj dhe jo si rishtar. Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Në atë kohë në Prishtinë një numër i madh studentësh, sidomos nga zona e Llapit, por jo vetëm nga ajo, të cilët kishin si figurë kryesore Rrustem Mustafën- “Remi”, pasuesin e mëvonshëm të denjë të punës së Zahirit dhe të Ilir Konushevcit, ishin në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zahir Pajaziti u përfshi në këto struktura të larta drejtuese dhe vendimmarrëse pas takimit të tij me Nait Hasanin në dhjetorin e vitit 1995, takim i organizuar në varrezat e qytetit të Prishtinës, në lagjen e sotme Mirditë. Njohja e tyre është bërë nëpërmjet strukturave të tjera ndërlidhëse dhe drejtuese. Duke qenë se koordinatori kryesor i këtij takimi, pas miratimit që ishte marrë në sektorin e veçantë, ishte Ali Ahmeti- “Abazi”, edhe Nait Hasani u paraqit me emrin “Abaz” - njëri nga emrat e shumtë të luftës së tij. Ndërsa Zahiri, duke qenë se kishte si ndërmjetës në atë fazë Ismet Abdullahun, që jetonte në Zvicër, u paraqit me emrin “Ismeti”. Zahiri shoqërohej nga njeriu i pandarë me të, djali trim Avni Ajeti, njeri i afërt i komandantit të parë të çetës së njohur të Llapit, dëshmorit Ali Ajeti. Takimi ka qenë i shkurtër, diçka më shumë se një gjysmë ore, por shumë i frytshëm. Natyra impozante, e sinqertë dhe komunikative e Naitit ka ndikuar në forcimin e lidhjeve. Ndërsa vendosmëria dhe shpirti i lartë praktik dhe organizativ i Zahirit ka ndikuar në besimin e dyfishtë. Pak kohë pas vendosjes së këtij kontakti, duke qenë se ndërkohë Zahiri kishte edhe lidhje të mëhershme në linjën e Dukagjinit, sidomos me Luan dhe Ramush Haradinajn, Adrian Krasniqin dhe Qerim Kelmendin, të cilët ishin së bashku me Ilir Konushevcin, bartësit kryesorë të logjistikës në atë kohë, u vendos që edhe një grup tjetër i kësaj zone, i cili deri atëherë kishte lidhje me struktura të tjera, të kalonte në linjën e Llapit. Në këtë grup prej tre anëtarësh ishte edhe Edmondi. Aq më shumë bëhej i domosdoshëm ky kalim strukturor, pasi Edmondi, në këtë kohë, ishte student në Prishtinë dhe kryeqendra e Kosovës ishte pikërisht nën strukturat organizative të linjës së Llapit. Dëshmia e Ali Ahmetit- “Abazit” për këtë kalim është bërë që në vitin 1998, kur ishte ngritur grupi i punës për hulumtimin e ngjarjes dhe në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së. Pra, në linjë strukturore të UÇK-së është bërë i mundur kalimi i Edmondit në linjën e Llapit, në fillimin e vitit 1996. Por, pjesëmarrja e tij në radhët e UÇK-së është më e hershme, pasi në linjën e Llapit ai hyri si pjesëtar i saj dhe jo si rishtar. Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Në atë kohë në Prishtinë një numër i madh studentësh, sidomos nga zona e Llapit, por jo vetëm nga ajo, të cilët kishin si figurë kryesore Rrustem Mustafën- “Remi”, pasuesin e mëvonshëm të denjë të punës së Zahirit dhe të Ilir Konushevcit, ishin në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ja një dëshmi e komandant Remit: “Si student i Fakultetit Juridik, Edin e kam njohur nga afër që prej vitit 1995. Meqenëse personalisht isha i organizuar në UÇK, nuk më lejohej të bisedoj me të drejtpërdrejtë, por kam mbledhur informata se kush është dhe prej çfarë familje rrjedh. Informatat i kam dorëzuar tek komandanti Zahir Pajaziti dhe kam insistuar se Edmondi mund të jetë një ushtar i mirë dhe se mund të rekrutojë edhe të tjerë. Komandanti ka marrë informata edhe nga njerëz të tjerë dhe e pranoi angazhimin e tij në UÇK. Komandant Zahir Pajaziti fliste për Edin si për ushtarin më të dalluar dhe të sprovuar të asaj kohe…”.

PSE ZAHIR PAJAZITI DHE SHOKËT E TIJ TË LUFTËS U DREJTUAN QË NË FILLIM TEK EDMOND HOXHA?

Takimet e para të Edmond Hoxhës me Zahir Pajazitin, sipas informacioneve që ndodhen në arkiv, janë bërë në pranverën e vitit 1996. Fillimisht ato kanë qenë takime të tyre individuale dhe pastaj janë shtrirë më tej, nëpërmjet Adrian Krasniqit dhe Ilir Konushevcit. Lidhjet e tjera, për organizimin e tij në struktura, Edmond Hoxha i kishte me “Mërgimin”, por, edhe më tej, takimet mes tij dhe Zahirit kanë qenë, ndonëse jo të shpeshta, të domosdoshme. Siç kujton komandant Remi, mendimi i Zahirit fillimisht ka qenë që të dërgojë Edmondin në Prekaz, të ushtrohet, pasi po vinin kohëra që duheshin më shumë atentatorë në Prishtinë, mirëpo, për shkaqe që nuk lidheshin me dëshirën e tij, pra të Zahirit, nuk u bë e mundur një gjë e tillë. Në fakt, me gjithë lidhjet dytësore që kishin, sidomos nëpërmjet Nait Hasanit dhe Rexhep Selimit, takimi mes Zahirit dhe njeriut – legjendë, Adem Jasharit, nuk u realizua. Pra, fakti që njohja e tyre është bërë që në pranverë të vitit 1996, dëshmon se nuk ka qenë një udhëtim i zakonshëm dhe se ai, Edmondi, nuk është gjetur aty rastësisht. Përgjithësisht Zahiri ishte një njeri i qetë, flegmatik, që nuk i shprehte edhe aq kollaj ndjenjat e tij, për më tepër ai nuk ishte njeri i fjalëve të tepërta. Megjithatë, në këtë rast, pas njohjes së parë, atij i kishte bërë përshtypje diçka e veçantë tek Edmondi, dhe u kishte thënë shokëve se “ishte njohur me një student të fortë dhe shpejt do të kishin një krah të mirë ndihme. Ai vjen nga një familje e të burgosurve politikë dhe është shok i Adit (Adrian Krasniqit)”. Pas njohjes së tyre vjen një periudhë e shkurtër heshtjeje, kjo për dy arsye. Zahiri kishte në atë kohë shumë objektiva të rëndësishme dhe është koha kur ai organizon, për pak muaj, 11 aksione në gjithë territorin e Kosovës, dhe së dyti, ai, si zakonisht, i lë kohë për t’u provuar dhe për t’u menduar mirë nëse mund të hynte përfundimisht në një rrugë që nuk kishte kthim. Edmondi e pranoi sfidën. Pastaj do të vijnë takimet tjera, herë të drejtpërdrejta dhe herë nëpërmjet të tretëve. Avni Ajetit, njeriu më i lidhur se kushdo me Zahirin, i kujtohej më vonë se “Edmond Hoxhën e kam parë për herë të parë në vjeshtën e vitit 1996, në prezencë të Zahirit, Hakifit, Ilirit dhe Hasan Zenelit nga Ballabani. Ishte kohë pasdreke, në lokalin “Xhixhi”, që gjendej në Qafë. Të gjithë ishim ulur në një tavolinë. Edi ishte pranë Zahirit dhe gjatë tërë kohës biseduan së bashku. Bisedonin lehtas, ne të tjerët po ashtu bisedonim, sa nuk mund të them se çfarë teme rrahën Zahiri me Edin. Hera e dytë, prapë vjeshtë, në të njëjtin muaj, gjethet ishin ende në drunj, por nuk bënte ftohtë. U takuam në të njëjtin lokal, por këtë herë ishim më shumë, dy tavolina. Edi ishte ndërmjet Zahirit dhe një njeriu të moshuar, që as sot nuk e di se kush ka qenë. Zahiri më thoshte gjithnjë: “Harro çdo gjë që sheh, mos mbaj mend njerëzit, që edhe nëse burgosesh, të mos dish se me kënd ke pasur kontakt. Natën e fundit të tyre kam qenë me ta…”. Pranvera e vitit 1996 është fillesa e punës së tyre të përbashkët. Kjo e fisnikëron edhe më tej Edin, saqë vërehet edhe tek shoku i tij i dhomës për dy vite radhazi, Nexhat Xhafa, të cilit më pas i kujtohej se “…sidomos nga fillimi i vitit 1996 Edmondi ndryshoi edhe në sjellje. Nuk sillej kot rrugëve, si bënte një pjesë e rinisë. Edi në këtë vit ishte inkuadruar drejtpërdrejt në radhët e UÇK-së”. Shoku i tij nuk kishte gabuar, ai vetëm nuk e dinte se Edmond Hoxha do të kishte tash e tutje një mësues të madh të luftës, Zahir Pajazitin. A ka qenë e rastësishme shkuarja e Edmondit në radhët e UÇK-së? A ka qenë e rastësishme që këtë e pranoi dhe e bëri pjesë të luftës Zahir Pajaziti? Përse Zahir Pajaziti dhe shokët e tij të luftës, pra, përse strukturat e luftës “trokitën” që në fillim tek Edmond Hoxha?

PSE ZAHIRI, EDMONDI DHE HAKIFI KISHIN VENDOSUR TË BËNIN UDHËTIMIN DREJT VUSHTRRISË?

Është krejt normale të besohet se nuk ka qenë e rastësishme. Zakonisht, kalimi nëpërmjet “filtrit” të njohjeve ka qenë shumë më i gjerë sesa e zakonshmja. Në fillimin e vitit 1996, kur u bë njohja e Zahirit me Edmondin, nuk ishte e lehtë të ishe pjesëtar i UÇK-së, jo vetëm nga fakti se shndërrimi i strukturave të LPK-së drejt strukturave ushtarake ishte në një fazë domethënëse, por edhe sepse shumë nga ata që u pagëzuan në orët e para të luftës, më pas u bënë drejtuesit e saj. Pra, njohja u bë kur duhej të ishe njëkohësisht prijës i njerëzve dhe luftëtar i thjeshtë, kur duhej të ishe përgatitës i aksioneve dhe atentator. Shembulli i Zahirit është, pa dyshim, njëri ndër më domethënësit. Në të vërtetë, në vitet e para të krijimit të saj Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kishte një strukturë të ngritur jo rrëmbimthi, ashtu shpejt e shpejt. Gjërat janë shoshitur e sqaruar bukur mirë, nga njëri takim në tjetrin, nga njëra strukturë në tjetrën. Nuk ka qenë rastësi që UÇK shkoi tek Edmondi, jo vetëm se ai ishte vëllai i Xhavit Hoxhës dhe ky ishte i njohur si ish i burgosur politik, por edhe më shumë se aq. Po të shikosh me vëmendje, thuajse të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës që kanë qenë pjesë e strukturave të luftës apo që u bënë më vonë, do të ishin djem të rregullt, do të them ndoshta edhe me tipare të jashtëzakonshme virtytesh, shembulli që duhej të ndiqej. Zahiri dhe Edmondi janë takuar me njëri-tjetrin edhe më 29 janar 1997, dhe si duket, në këtë takim, kanë vendosur udhëtimin drejt Vushtrrisë. Si del nga të dhënat e bashkëkohësve, por edhe nga Xhavit Haliti- “Zeka”, qëllimi i udhëtimit të tyre ka qenë tërheqja e një sasie armatimi që gjendej në një bazë që e dinte Edmond Hoxha. Një ditë para vitit të ri, më 30 dhjetor 1996, Edmond Hoxha së bashku me Nexhat Xhafën shkuan së bashku në një fshat afër kufirit me Shqipërinë, për të marrë armë dhe municion. Udhëtuan me veturën e pronarit të banesës ku jetonin, por nuk i kishin thënë qëllimin e udhëtimit. Pasi arritën në Botushë, i thanë shoferit t’i presë, morën dy çantat me armë dhe u kthyen. Këto mjete ishin vendosur në ditën e dytë të janarit, në një bazë, në drejtimin e ushtrisë, të cilën e dinte Edmondi. Është i saktë mendimi se ata ishin nisur për t’i tërhequr këto armë, të cilat ishin në një bazë të pazbuluar dhe që do të shërbenin për aksionin që ishte menduar të bëhej në shkurt 1997. “Të mërkurën, më 29 janar, në orën 12, u nisa për provimin e patentës së shoferit. E takova Edin pas qendrës sportive, ishte me një shok. Edi u nda dhe erdhi tek unë, ndërsa ai tjetri, si duket ngaqë nuk më njohu se isha motra e Edit, ktheu shpinën dhe u largua. Ky gjest më bëri përshtypje. Nuk e njoha se ishte nga shokët e Edit që kisha parë ndonjëherë. Ai reagoi shpejt, nuk ia pashë mirë fytyrën, andaj i them Edit, se kush është ai. Një shok, më tha, nuk ka rëndësi emri. E pashë edhe një herë shokun e Edit, më vonë nga fotografia më është dukur si Zahiri” – kujton motra e Edmond Hoxhës. Ky, si duket, ka qenë edhe takimi në të cilin është vendosur udhëtimi i tyre.

KUSH U ARRESTUA DHE KUSH IA DOLI TË KALOJË NË ILEGALITET?

Xhavit Haziri, i burgosur, nëpërmjet anëtarëve të familjes së tij kishte çuar fjalë se “Shtëpinë që kemi filluar ta ndërtojmë, ta lëmë krejt, se tullat i ka të dobëta dhe u rrënohet menjëherë, prandaj shokët le të kthehen e të studiojnë aty ku kanë qenë”. Ky ishte lajmërimi i parë dhe nga ajo që ka treguar më pas Xhavit Haziri, në periudhën e shkurtër të lirimit nga burgu dhe zhdukjes së tij pas kidnapimit serb në pranverën e vitit 1999, faktet dhe pyetjet që i kishin bërë hetuesit serbë dhe shqiptaro-serbë, dëshmonin se ata kishin filluar të binin në gjurmët e strukturave të para të armatosura. Ka qenë e pamundur të mendohet se duke dashur të organizojnë një strukturë të armatosur, do të kishin qenë edhe jashtë çdo përgjimi të njësive të specializuara të sigurimit të fshehtë serb. Lëvizja Popullore e Kosovës, në vitet e saj të ekzistencës, e kishte pasur një përvojë të tillë të hidhur, pasi disa herë, që nga ditët e para të krijimit të saj, ajo kishte pësuar goditje të ndryshme, njëra nga të cilat do të ishte për shumë e shumë vite, e ndoshta është edhe tash, enigma më e madhe e saj, vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Gjithsesi, përgjigjja e një enigme të tillë ka gjithnjë vështirësitë e veta, pasi në jo pak raste ato që mungojnë janë më të shumta se ato që kemi. Në këtë enigmë, si në çdo enigmë tjetër të vrasjeve të atdhetarëve shqiptarë në Kosovë, mungojnë faktet, që do të thotë se janë të fshehura thellë në dosjet sekrete serbe. Por edhe ajo që dihet ose që mendohet se është e saktë, është përsëri një rrugë në të cilën mund të guxohet të hyhet. Frika për goditjen që mund t’i jepej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pranishme që në ditët e para të saj dhe kjo është bërë më e madhe pas arrestimeve që ndodhën ne përfundimin e Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme të LPK-së. Njëri ndër konkluzionet më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje ka qenë edhe ai i përgatitjeve serioze për luftën e armatosur, e cila kishte nisur, por që duhej bërë shumë më mirë e shumë më gjerësisht. Dyshimi i parë erdhi andej edhe nga nuk pritej, ai erdhi nga qelitë e burgut. Në mbledhjen e përbashkët që kanë bërë përfaqësuesit e LPK-së brenda vendit dhe të kryesisë së Këshillit të Degës së saj Jashtë Vendit, nga data 23 deri më 25 dhjetor 1993, është thënë shprehimisht se, Xhavit Haziri, i burgosur, nëpërmjet anëtarëve të familjes së tij kishte çuar fjalë se “Shtëpinë që kemi filluar ta ndërtojmë, ta lëmë krejt, se tullat i ka të dobëta dhe u rrënohet menjëherë, prandaj shokët le të kthehen e të studiojnë aty ku kanë qenë”. Ky ishte lajmërimi i parë dhe, nga ajo që ka treguar më pas Xhavit Haziri, në periudhën e shkurtër të lirimit nga burgu dhe zhdukjes së tij pas kidnapimit serb në pranverën e vitit 1999, faktet dhe pyetjet që i kishin bërë hetuesit serbë dhe shqiptaro-serbë, dëshmonin se ata kishin filluar të binin në gjurmët e strukturave të para të armatosura. Në takimin e mësipërm, sipas procesverbalit të mbajtur, merrnin pjesë Besimi (Kadri Veseli), Daja (Azem Syla), Bashkimi (Adnan Asllani), Qamili (Halil Selimi), Selimi (Hashim Thaçi), Abazi (Ali Ahmeti), Muhameti (Emrush Xhemajli) dhe Zeka (Xhavit Haliti). Nuk i solla rastësisht emrat e pjesëmarrësve në këtë takim të përbashkët. Po të shikosh me vëmendje, pesë prej tyre do të jenë anëtarë të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më pas Shtabi i Përgjithshëm): Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Halil Selimi do të jetë më pas, së bashku me Ramiz Lladrovcin, përfaqësues i organizatës dhe i Fondit “Vendlindja thërret” në Shqipëri, Adnan Asllani, kryeredaktor i gazetës “Zëri i Kosovës”, ndërsa Emrush Xhemajli do të jetë në detyrë në Zonën Operative të Dukagjinit. Në fakt, në këtë periudhë, pas arrestimeve që kishin ndodhur në Kosovë, më 2 gusht 1993, ku në të njëjtën orë ishin arrestuar anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Bajrush Xhemajli dhe Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu dhe Nehat Selimi në Prishtinë, Hysen Gega dhe Ilaz Kadolli në Therandë, Behajdin Hallaqi në Prizren, janë kërkuar që të arrestohen Ramadan Avdiu, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Ramadan Pllana, Ibish Neziri, kurse kaluan në ilegalitet Hashim Thaçi, Adnan Asllani, Halil Selimi dhe Azem Syla. Njerëzit që u takuan në Mbledhjen e Përbashkët, ishin drejtuesit kryesorë të organizatës dhe të ngarkuar për ngritjen e strukturave të armatosura.

ZBULIMI I FSHEHTË SERB KA DYSHUAR GJITHNJË TEK FIGURA E ZAHIR PAJAZITIT

Interesant është fakti se në disa nga organizmat bazë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Këshillat Popullorë, si quheshin atëherë, kishte një ngrirje të veprimtarive, për dy arsye themelore: kërkohej analizimi i shkaqeve që kishin çuar deri tek arrestimet dhe, më e rëndësishmja, kërkohej një mënyrë e re pune. Është pikërisht koha kur ato, nga një organizim i thjeshtë politik, kalojnë në struktura luftarake. Këmbëngulja më e madhe bëhet sidomos nga këshillat e rretheve Skenderaj dhe Drenas (Gllogoc), por edhe në Mitrovicë, Pejë, Klinë, Kumanovë, Rugovë etj. E përmenda këtë takim, në të cilin, për herë të parë është dyshuar seriozisht dhe është analizuar konkretisht se në hapat themeltarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë shumë e mundur që të ndodhin zbulime masive dhe dëmtime të ndjeshme. Po ashtu, për herë të parë ngrihet një grup për të analizuar shkaqet e arrestimeve dhe sqarimin e gjendjes. Materiali, i cili është punuar nga Halil Selimi dhe Adnan Asllani, gjendet në arkivin e organizatës. Po ashtu, për herë të parë, grupi udhëheqës i kohës i Lëvizjes Popullore të Kosovës, saktëson se në radhët e organizuara ka pas infiltrim të agjentëve të UDB-së, të cilët edhe janë njohur më pas. Saktësimi i gjërave dhe sqarimi i ngjarjeve bëri po ashtu të mundur ringritjen e strukturave të luftës, dhe për një kohë të gjatë, mosdëmtimin e tyre. Sepse, në një mënyrë ose në një tjetër, ishte bërë mbyllja e rrugëve që çonin në dekonspirimin e radhëve. Interesant është po ashtu se në këtë material për herë të parë jepen emrat e strukturave të para ilegale, të cilat janë të gatshme të kthehen në struktura të armatosura. Për një kohë të gjatë, që nga fillimet e aksioneve të armatosura, lëvizja guerile në Kosovë, me gjithë kërkimet e sforcuara të shërbimeve të fshehta të sigurimit serb, UDB dhe KOS, e po ashtu, me gjithë rrjetin jo të paktë të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, nuk kishte dëmtime në radhët e saj. Arrestimi i parë, i Besim Ramës, ndodhi më 16 shtator 1996. Pastaj erdhi një periudhë kur, në një mënyrë ose në një tjetër, megjithëse aksionet po bëheshin gjithherë e më të shpeshta, nuk kishte arrestime të tjera. Mirëpo kjo nuk do të thotë se gjithçka u zbulua brenda një dite ose se gjithçka filloi pas atentatit ndaj rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës, ultranacionalistit Papoviq. Vazhdoj të mendoj se goditjet që iu dhanë lëvizjes ilegale çlirimtare në Kosovë, në janarin e vitit 1997, nuk lidhen edhe aq shumë me faktin se u godit ish-rektori i dhunshëm i Universitetit të Prishtinës, apo se Rugova kërkoi Interpolin për të zbuluar atentatorët. Beogradi, kur erdhi puna, dëshmoi se nuk i vinte keq për një rektor universiteti. Zbulimi i fshehtë serb ka dyshuar gjithnjë tek figura e Zahir Pajazitit, por dyshimet më të shpeshta dhe më të sforcuara për të dhe lëvizjet e tij, janë sidomos pas muajve të parë të vitit 1996, sidomos në pranverën e këtij viti. Kjo është periudhë kur shërbimi i fshehtë serb është në kërkimin e vazhdueshëm të Zahirit, kur shtëpia e tij kontrollohet disa herë, bëhen kërkesa për dorëzimin e armëve dhe në një rast edhe për një armë-snajper. Fillon keqtrajtimi i familjes së tij, sidomos i të atit dhe vëllezërve, kurse Zahiri, në një mënyrë ose në një tjetër, kalon në gjysmë-ilegalitet dhe në disa momente edhe në ilegalitet të thellë. Takimet e tij me familjen bëhen gjithnjë e më të rralla, sepse, si një ilegal i lindur si i tillë, ai e ndjen se është nën vëzhgimin e përhershëm. Nuk duhet harruar po ashtu se emri i Zahirit duhej të kishte qenë prej kohe në listat serbe të zbulimit, sepse për një kohë, në fillimet e viteve ‘90, ai ishte në grupin e njerëzve që stërviteshin për disa kohë në Shqipëri, grup i cili ishte krejtësisht i zbuluar dhe i ditur nga sigurimi serb. Listat që ishin hartuar në zyrat e ndryshme të LDK-së kishin qenë prej kohe të njohura për strukturat policore serbe dhe në këto lista emri i Zahirit ishte nga më të njohurit.

DISA NUK I SHKËPUTËN LIDHJET ME STRUKTURAT E LDK-SË OSE TË BUKOSHIT

Por pranvera e vitit 1996, në një mënyrë ose në një tjetër, ka treguar se ‘linja e Llapit’, duke qenë shumë shqetësuese për pushtetin e dhunshëm serb, do të ishte edhe në pritjen e një goditjeje. Ka qenë një periudhë kur shërbimi i fshehtë serb po kalonte nga e njohura, pra nga fakti se në Kosovë vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tek e panjohura, tek strukturat e saj përbërëse, kalim i cili asnjëherë nuk u shtri në të gjitha qelizat e luftës. Afërsisht në majin e vitit 1996, një pjesë e anëtarëve të dikurshëm të atij që ishte quajtur ‘Grupi i Deçanit’ dhe që përbëhej nga njerëz që kishin qenë në lidhje me Sali Çekun ose me të tjerë, kaluan në strukturat e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht në zonën e cila lidhet me ‘linjën e Llapit’, si quhej atëherë. Duke kaluar këtu, shumë prej tyre me qëllimin e mirë për të vazhduar luftën dhe disa të tjerë për të vëzhguar luftën, ata nuk i kishin shkëputur lidhjet e dikurshme, fije të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër do të çonin edhe tek strukturat e sigurimit të fshehtë që ishte ngritur pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpeshherë, pa ndonjë qëllim të keq, e ndonjëherë edhe me qëllimin e mbrapshtë, informacionet që kanë kaluar nga strukturat e luftës tek strukturat e fshehta të Lidhjes Demokratike, kanë pasur të bëjnë jo vetëm me aksionet, por edhe me bartësit, jo vetëm me shokët e aksionit, por edhe me organizatorët e tyre. Është fakt se disa prej atyre që nuk i shkëputën lidhjet me strukturat e LDK-së ose të Bukoshit, në një mënyrë ose në një tjetër, ishin më shumë sesa të dekonspiruar, të njohur për shumëkënd, spekulohej me emrin e punën e tyre dhe përfitohej nga besimi ose nga vështirësitë që kishin. Njeriu që Zahir Pajaziti kishte lënë për lidhje të mëtejshme, jashtë Kosovës, kishte njëkohësisht lidhje si me Shtabin Qendror të UÇK-së, po ashtu edhe me strukturat e Lidhjes Demokratike ose të ‘qeverisë’ Bukoshi. Asnjëherë nuk është menduar se ai po bën lojë të dyfishtë, por sinqeriteti ose dëshira e mirë e tij është keqpërdorur. Duke qenë se emri i Zahirit kishte filluar të bëhej, vesh pas veshi, i njohur edhe për strukturat e LDK-së (si e pranon në intervistën e saj edhe zonja Edita Tahiri), drejtuesit e sektorit të veçantë të LPK-së, anëtarë të Shtabit Qendror të UÇK-së, ishin të pakënaqur dhe iu propozuan shokëve të Llapit krijimin e lidhjeve të tjera. Disa nga anëtarët e këtij sektori ishin tejet të pakënaqur me punën e njeriut të ngarkuar nga Zahiri për lidhjembajtje, dhe kjo jo vetëm për shkak të raporteve të tij me organizatën, por shumë më tepër për lidhjet e dyfishta. Është fakt, se me përjashtim të anëtarëve të Sektorit të Veçantë, askush tjetër në Kryesinë e LPK-së nuk e ka ditur se kush po merret me problemet e luftës, se kush është në drejtim në shtab, në organizim etj. Ata kanë ditur vetëm aq sa u është dashur të dinë dhe ka qenë njëra ndër kërkesat themelore të sektorit të veçantë, ruajtja e fshehtësisë së veprimit.

KALIMET NGA “GRUPI I DEÇANIT” TE “LINJA E LLAPIT” DHE PËRGJIMET E SHËRBIMIT SERB

Muhamet Kelmendi: ‘Dua të deklaroj dhe atë me përgjegjësi të plotë, se Kryesia e LPK-së, dega jashtë vendit, nuk i ka njohur shokët e asnjë organi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e them dhe mbaj përgjegjësi në emër të organit që i kam takuar’. Në sektorët e posaçëm të shërbimit të fshehtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishin hyrë me shumicë jo pak nga njerëzit e organizuar deri pak kohë më parë në shërbimin e fshehtë të sigurimit serb (UDB) dhe që nuk i kishin humbur lidhjet e vjetra. Në Materialin dërguar grupit të punës, për analizimin e shkaqeve që çuan në arrestimet e janarit 1997 dhe vrasjen e trefishtë më 31 janar të po këtij viti, Muhamet Kelmendi, i cili në këtë periudhë kishte qenë nënkryetar i LPK-së, shkruante: ‘Dua të deklaroj dhe atë me përgjegjësi të plotë, se Kryesia e LPK-së, dega jashtë vendit, nuk i ka njohur shokët e asnjë organi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e them dhe mbaj përgjegjësi në emër të organit që i kam takuar. Por nuk e përjashtoj mundësinë që shokët e sektorit të veçantë t’i kenë njohur. Kënd e kanë njohur dhe në cilin organ kanë qenë ata shokë, nuk kemi qenë të informuar dhe nuk kemi kërkuar të informohemi. Për ta ne jemi informuar nga sektori i veçantë pas vrasjes së shokëve në Vushtrri dhe burgosjeve dhe mbi informatat e tyre është analizuar gjendja e krijuar, arsyet a faktet që kanë çuar deri tek rënia dhe burgosjet…’ (maj 1998). Krejt e kundërta ka ndodhur në sektorët e posaçëm të shërbimit të fshehtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në përbërjen e tyre kishin hyrë me shumicë jo pak nga njerëzit e organizuar deri pak kohë më parë në shërbimin e fshehtë të sigurimit serb (UDB) dhe që nuk i kishin humbur lidhjet e vjetra. Faktet janë të shumta, por nuk janë patjetër analizë e kësaj enigme. Mjafton të përmendet fakti se kur filloi ekzekutimi i agjentëve të fshehtë, të cilët ishin deri në fyt të përlyer me gjakun e shqiptarëve, njeriu i parë i LDK-së, Ibrahim Rugova, i mori publikisht në mbrojtje. Kjo ndodhi për herë të parë në zhvillimin e një lufte çlirimtare, nëse nuk e përmendim si fakt qeverinë e Petenit në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Disa nga ata që kishin hyrë në prill-qershorin e vitit 1996 në strukturat e organizuara të luftës, u arrestuan më pas dhe njëri u dënua në të njëjtin grup me Nait Hasanin. Deponimet e tyre në hetuesi, shumë prej të cilave, pas aksioneve të organizuara fillimisht nën drejtimin e Sali Çekajt, thuajse të gjitha deri në vitin 1992, kishin një shkëputje të ndjeshme, deri në vitin 1996, jo vetëm sepse nuk kishin vazhduar më tej, me gjithë dëshirën e mirë, por edhe sepse nuk kishin dijeni se çfarë kishte bërë ndërkohë Grupi i Llapit ose njerëzit në Prishtinë. Njerëzit, të quajtur më pas në hetuesi si “Grupi i Deçanit”, në mesin e vitit 1995, jo nëpërmjet strukturave të organizuara me Shtabin e Përgjithshëm, në tri shtëpi të refugjatëve në Junik kishin vendosur eksploziv, i cili eksplodoi në dy prej tyre, aksion i cili u përsërit edhe më 8 gusht të vitit 1996, por tashmë tek lagjja e refugjatëve në Baballoq. Në të gjithë aktakuzën e ngritur kundër 16 të pandehurve, më 18 shkurt 1997 nga Danica Marinkoviq në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, të akuzuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të vëresh një fakt i cili nëse më parë nuk ishte i dukshëm, tani, kur gjërat dihen, ndikon në formësimin e një mendimi të qëndrueshëm për përgjimin dhe gjurmimin e Zahir Pajazitit.

CILI ËSHTË KY FAKT?

Në vendimin e gjykatëses serbe për zbatimin e hetimeve, në arsyetimin që lidhet me Bislim Zogajn, thuhet vetëm se ‘ka marrë pjesë në mbledhjet e UÇK-së dhe ka mbajtur lidhje dhe ka bartur porositë midis anëtarëve të organizatës’. Vetëm kaq. Pra, nuk thuhet se Bislim Zogaj është anëtar i Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo do të thotë se ata nuk e kanë ditur këtë fakt, pra nuk e kanë ditur detyrën e Bislim Zogajt në strukturat e luftës. Megjithëse ai është arrestuar më 31 janar 1997, në orën 16, sapo ishte ndarë nga Zahiri.
Një fakt tjetër:
Në mesditën e 26 janarit 1997, koordinatori i veprimtarisë çlirimtare në Kosovë, Nait Hasani, kishte drekuar me njërin nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Xheladin Gashi- ‘Plaku’. Ata kishin ecur së bashku deri në banesën e Naitit dhe ‘Plaku’ kishte hyrë aty për të pritur Naitin, derisa të kthehej nga përcjellja që po i bënte të fejuarës së tij. Është e sigurt se në këtë kohë Naiti ka qenë i ndjekur rreptësisht dhe se ishte planifikuar arrestimi dhe kidnapimi i tij në fshehtësi të madhe. Kjo edhe ndodhi. Mirëpo, deri para pak kohësh ai kishte qenë me një tjetër anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, siç ishte edhe Zahiri. Arrestimi i “Plakut” nuk ndodhi, dhe kjo, si duket, sepse organet e shërbimit të fshehtë serb ende nuk kishin siguri për veprimet e tij, pra ende ai, Xheladin Gashi, nuk ishte në listën e të përgjuarve, apo edhe nëse ishte, nuk dihej nëse ky ishte “Plaku”. Pak kohë më vonë, po për të njëjtin njeri, pra për Xheladin Gashin, shkruhej në të gjitha aktakuzat e regjimit serb si për njërin ndër organizatorët e luftës, çka do të thotë se dekonspirimi i tij ishte bërë më vonë se data e 26 janarit. Në të kundërtën, ai u arrestua sapo ishte ndarë nga Naiti, ashtu siç u arrestua një javë më vonë Bislim Zogaj, i cili sapo ishte ndarë nga Zahiri. Nuk duhet harruar se ‘Plaku’ i takonte përgjithësisht grupit të njohur si ‘Grupi i Drenicës’ dhe lidhjet e tij me Zahirin kishin qenë të pakta, më shumë organizative, në takimet e Shtabit Operativ Qendror apo të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumica e të cilave mbaheshin në shtëpinë e Nait Hasanit, në Prishtinë. Nga ana tjetër, siç u dëshmua pas arrestimit të Naitit, lidhjet mes Zahirit dhe ‘Plakut’ u shkëputën, për t’u rilidhur përsëri më 30 janar, një ditë para vrasjes së trefishtë. Pra, në fundin e janarit, por edhe disa javë më pas, shërbimi i fshehtë serb nuk ka ditur për rolin dhe funksionin e Bislim Zogajt, por as të Xheladin Gashit.

PËRGJIMI DHE RËNIA NËN PËRGJIM E “LINJËS SË LLAPIT”

Ndërsa, po atë natë, kur Bislimi ishte arrestuar dhe diçka më shumë se një gjysmë ore më pas, Zahiri, së bashku me Hakifin dhe Edmondin, u vranë në pritën e ngritur në Pestovë. Shërbimi informativ i Ministrisë së Brendshme të Serbisë bëri të njohur se ishte vrarë njëri nga drejtuesit e Shtabit Qendror, si dhe të dhëna të tjera, të cilat, siç u bënë të njohura më pas, kishin qenë të vërteta. Kjo do të thotë se përgjimi kishte qenë ndaj Zahirit, se i përgjuari kishte qenë ai, se për atë kishte të dhëna të skeduara, se njihej se kush ishte ai dhe se atë natë, njëri ndër dy qëllimet e shërbimit të fshehtë serb, ka qenë vrasja e tij. Qëllimi tjetër ka qenë zënia si rob e tij, mirëpo përgatitja e madhe që është bërë, ka më shumë dëshminë se kanë ditur se do të kishte luftë. Nëse nga dy anëtarë të të njëjtit Shtab Qendror dhe me lidhje të përbashkëta, njëri është i njohur, nganjëherë deri në detaje, kjo do të thotë se ai ka qenë i ndjekur. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Kjo ndoshta mbështet edhe më shumë mendimin e shfaqur më parë, të dekonspirimeve që kanë ardhur nga depërtimi në strukturat e luftës të njerëzve që ishin të lidhur me shërbimin e fshehtë informativ të LDK-së, njerëz të të cilit, siç u dëshmua edhe më pas, ishin të lidhur me shërbimin e fshehtë serb. A ka qenë e rastësishme që arrestimet ndodhën disa kohë pasi ishin përfshirë në strukturat e UÇK-së edhe disa pjesë grupimi që kishte ngritur kohë më parë Sali Çekaj dhe njerëzit rreth tij? Mendoj se jo. LDK ka pasur të ngritur, që nga fillimi i veprimtarisë së saj, strukturat e fshehta, gjysmëmafioze dhe gjysmë të lidhura me pushtetin serb, të cilat u drejtuan në fillim nga Anton Kolaj dhe Rexhep Gjergji. Qëllimi dominues i tyre ishte goditja e lëvizjes ilegale në Kosovë. Jo rastësisht, i gjithë tehu i goditjeve lëdëkëiste u përqendrua tek ish të burgosurit politikë, të cilët deri atëherë ishin quajtur nacionalistë, irredentistë, armiq të bashkim - vëllazërimit etj. etj., ndërsa tani po quheshin si marksistë, enveristë. Jo rastësisht, pas vitit 1990, e gjithë periudha e përgjakshme e terrorit serb në Kosovë, u injorua, u hesht, dhe gjithçka u përqendrua tek çmitizimi i Shqipërisë. Në shtypin shqiptar, të ashtuquajtur nacionalist, që botohej në Prishtinë dhe në Tiranë, asnjëherë, as në fillimet e pluralizmit dhe as më vonë, nuk është shkruar për masakrat rankoviqiane në Kosovë, për dhunën e ushtruar, gjakosjen, lëçitjen, dëbimet, masakrat, vrasjet. Arrestimet erdhën se në fundin e dhjetorit, në UDB kishin shkuar të dhënat e grumbulluara mjeshtërisht nga strukturat e fshehta udbashe në Kosovë dhe ishte menduar se mund të bëhej një goditje e fuqishme në strukturat drejtuese të luftës, për t’i dhënë fund asaj. Fakti tjetër se arrestimet ndodhën në ato linja të luftës, të cilat ishin të lidhura me persona të veçantë që erdhën nga grupimet e fshehta të LDK-së, e bën disi më të ndjeshme të vërtetën e goditjes. Mund të pyetet: përse nuk ndodhën arrestime masive në Zonën e Drenicës, kur dihej fare mirë se ajo ishte jo vetëm gurëkyçi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe mbijetesa e saj? Adem Jashari ishte një njeri që besonte tek njerëzit, që duke pasur një zemër të madhe, kishte edhe kujdesin e madh për të ngritur një ngrehinë të fuqishme, pa plasaritje të brendshme dhe këtë ia arriti mrekullisht. As gjatë luftës dhe as më pas, nga Grupi i Drenicës, i cili ishte më i madhi dhe më i shtrirë në të gjithë zonat e saj, nuk kanë dalë denoncues, përgjues, lajmës udbashë apo dëshmues të gjyqeve të rreme. Kjo ndodhi se me gjithë përpjekjet, udbashët nuk arritën të depërtojnë dhe të bëhen pjesë e lëvizjes çlirimtare në Drenicë. Ata edhe nuk mundën, por edhe nuk guxuan të shkonin më tej.

NGA KUSH ISHTE FILLUAR TË FLITEJ HAPUR PËR PUNËT E LUFTËS?

Sidoqoftë, përgjimi, ose më saktë rënia nën përgjim e ‘Linjës së Llapit’ ka edhe shkaqe të tjera dytësore, të cilat kanë pasur një ndikim në të gjithë atë që është zhvilluar. Është e ditur tashmë se telefoni i Zahirit është përgjuar. Një shembull: më 31 janar 1997, në orën 9 të paradites, Bislim Zogaj thërret në telefonin e Zahirit dhe së bashku kanë lënë takimin e njohur të orës 16, në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Kjo telefonatë është përgjuar dhe mbi bazën e këtij përgjimi ka vazhduar edhe ndjekja e mëtejshme e asaj dite, që çoi në vrasjen e trefishtë. Jo në pak raste, ilegalë, gjysmë-ilegalë apo njerëz të angazhuar në luftë, por që ende bënin jetë legale, në rrethana të ndryshme, janë ekspozuar, dashje ose pa dashje. Është e vërtetë se disa muaj para vrasjeve, por edhe pak javë përpara, njerëz të angazhuar në luftë që ndodheshin në Tiranë, bënin fotografi edhe me njerëz që nuk i takonin rrethit të tyre ilegal ose të luftës. Kishte filluar të flitej hapur për punët e luftës, kjo edhe nga fakti se ende nuk kishte pasur ndonjë goditje të ndjeshme ndaj radhëve të organizuara. Në njërën nga bisedat e tij, Hamzë Jashari thoshte se njerëzit po flitnin se çfarë po bëhet, se çfarë po mbarohet, dhe shtonte se po të ishte ndryshe, punët do të ishin më mirë’ dhe këtë aludim nuk e kishte për rrethin e tij. Fotografitë e ilegalëve ose të luftëtarëve, jo vetëm nga ‘Linja e Llapit’, kanë qenë të njohura për shumë vetë, dhe jo rrallë në këto fotografi janë parë njerëz të armatosur. Njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në një bisedë të zhvilluar në Tiranë, duke folur për njërin ndër ilegalët e njohur, thoshte se ‘ishte trim i madh, por ishte edhe dekonspirues i madh’. E thoshte këtë, sepse me gjithë lidhjet që ishin krijuar me strukturat e luftës, ai kishte trokitur në disa dyer njëherësh, për sigurimin e shpejtë të logjistikës luftarake. Shërbimi i fshehtë i sigurimit serb sigurisht që ka bërë jo vetëm përgjimin, por edhe përzgjedhjen. Ai ka arritur në konkluzionet se kush duhej të ndiqej dhe kush jo dhe të dhënat e tij, pas ngjarjeve të njohura, i ka dhënë shtypit beogradas të lidhur ngushtë me të. Dhe nuk ka qenë e rastit, se disa nga aktakuzat e ngritura kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të jenë botuar më parë në shtypin beogradas dhe më pas të kenë dalë në cilësinë e aktakuzës. Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu kishin qenë dy nga më të ndjekurit e shërbimit të fshehtë të sigurimit serb. Problemi shtrohet se prej kur dhe deri në çfarë mase e dinin organet e dhunshme serbe në Kosovë ekzistencën e UÇK-së, prej kur dhe si e ndiqnin aktivitetin e njërit nga drejtuesit kryesorë të luftës, Zahir Pajazitit?

CILAT KANË QENË TAKIMET E FUNDIT TË ZAHIRIT ME ANËTARËT E SHTABIT QËNDROR?

Sokol Bashota, Xheladin Gashi dhe Bislim Zogaj takohen më 30 janar 1997. Janë të njohur me faktin se Nait Hasani është zhdukur, pra kidnapuar, gjë të cilën ‘Plaku’ e kishte ditur pak çaste më pas. Në takimin e kësaj pjese të shtabit, nuk merr pjesë Rexhep Selimi, i cili ishte i sëmurë, gjendej në Tiranë dhe sapo merr vesh për arrestimet dhe ngjarjet e fundjanarit 1997, kthehet në Kosovë, për të ringritur edhe një herë strukturat e dëmtuara. Tashmë është krejtësisht e sigurt se Zahir Pajaziti ishte një emër i njohur për shërbimin e fshehtë të sigurimit serb dhe për strukturat e tij. Njëkohësisht ata kishin informacion jo të paktë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e pranishme dhe reale. Në një intervistë të tij, dhënë pas lirimit nga burgu, Nait Hasani, koordinatori kryesor i UÇK-së, kishte deklaruar se ‘Shërbimet e fshehta serbe kanë pasur njohuri se kush po i kryen aksionet, sepse ata e kanë ditur se UÇK-ja ekziston dhe nuk ishte pjellë e tyre, siç thoshin politikanët tanë. Mendoj se UDB-ja kishte informata për njerëzit që i përbënin bërthamat e UÇK-së…’. Një thënie e tillë, pas kaq kohësh dhe se si kanë rrjedhur ngjarjet është plotësisht e saktë, jo vetëm në pjesën e parë të saj, pra në njohurinë e shërbimit të fshehtë serb se UÇK ekzistonte, por edhe për disa nga njerëzit që përbënin bërthamat e para të saj. Njëri prej tyre ishte Zahir Pajaziti. Duke qenë ndër organizatorët kryesorë të luftës, fillimisht në zonën e Llapit dhe pastaj me një shtrirje më të gjerë, në të gjithë Kosovën, ai jo shumë vonë skedohej dhe bëheshin të gjitha përpjekjet për të rënë në gjurmët e tij. Kjo është ditur në një shkallë të ndjeshme nga Zahiri, por edhe nga shokët e tij, Hakifi dhe Edmondi. Faktet që Zahiri, relativisht shumë shpejt, kaloi në ilegalitet ose gjysmë ilegalitet, dëshmojnë për këtë. Vendqëndrimin e tij e kanë ditur fare pak njerëz, zakonisht më të besuarit e tij, si Ilir Konushevci, Avni Ajeti, Hakif Zejnullahu, Rrustem Mustafa, Isak Shabani e pak të tjerë, përgjithësisht djemtë më të besuar të ‘linjës së Llapit’. Që banesa nuk është ditur nga sigurimi i fshehtë serb dëshmon fakti se ai asnjëherë nuk është bastisur, megjithëse kërkohej, e për më tepër, atë ditë që është vrarë, më 31 janar 1997, policia serbe bëri kontroll në një banesë më të afërt, ku si duket kishin marrë informatën e parë se mund të ndodhej Zahiri. Sidoqoftë, kërkimi i Zahirit është bërë shumë më përpara, sepse policia serbe nuk i ka marrë vesh të gjitha për të vetëm në paraditen e 31 janarit. Kërkimi dhe gjurmimi i tij ka filluar që nga ditëkthimi i tij nga Shqipëria, në fillimet e viteve 90, për vetë faktin se lista e plotë e njerëzve që po stërviteshin në Shqipëri, në të njëjtën kopje që gjendej në zyrat e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, ndodhej edhe në strukturat e fshehta të shërbimit informativ serb. Shumë prej atyre që ndodheshin në këtë listë u arrestuan, u detyruan të iknin jashtë Kosovës dhe tepër të paktë ishin ata që arritën të shpëtonin e mes të paktëve, për fatin e bardhë të Kosovës, ishin edhe dy nga mitet e ardhshme të Kosovës, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Pra kërkimi për Zahirin e ka një fillesë, e ka fillimisht një dekonspirim: listën e dërguar nga zyra e përfaqësisë së ‘qeverisë’ së Kosovës në Tiranë, por ka edhe një mundësi shumë më të madhe se kjo. Në fillimet e viteve 90 në Shqipëri po vendosej një regjim i rreptë kërkimi ndaj të gjithë atyre shqiptarëve të Kosovës që mendonin të kishin një rrugë tjetër, krejt të ndryshme nga ajo që po ndiqej ‘institucionalisht’ në Kosovë. Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë dhe kryetari i këtij shërbimi, Bashkim Gazidede, jo vetëm e dinin që kryeqendra shqiptare gëlonte nga shërbimi i fshehtë serb, i cili kishte tani një fushëveprim të jashtëzakonshëm, por nëpërmjet njerëzve të tyre në LDK, kishin vendosur, ndoshta pa dijeninë e shtetit shqiptar, lidhje të dyanshme. Në Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë, nga ana e përfaqësisë së Kosovës kishte shkuar një kërkesë për survejimin ose ndalimin e veprimtarisë së 36 personave, që cilësoheshin si eksponentë të lëvizjeve ilegale, listë, të cilën, nëpërmjet kanaleve të tjera, mund ta kishte edhe shërbimi i fshehtë serb.

ARRESTIMI I ZAHIRIT NGA POLICIA SHQIPTARE DHE MUNGESA E LIDHJEVE TË DREJTPËRDREJTA

Fakt është se në vitin 1994, Zahiri është arrestuar nga policia e shtetit shqiptar, sepse i ishin gjetur armatime të ndryshme, kryesisht bomba dore, dhe ishte burgosur për 5 javë. Qëndrimi i tij në burg, megjithëse i shkurtër, ka bërë të mundur rizbulimin e identitetit të tij, por edhe të veprimtarisë së tij. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjithçka ka qenë e panjohur. ‘Problemi tjetër është se nga informacionet që kemi pasur, ata (grupi i Zahirit) kanë qenë në përcjellje, Zahiri vetë ka qenë në përcjellje rregullisht, pa ndërprerje, ai e ka ditur këtë dhe ne ia kemi thënë këtë’, do të pohonte më pas, në majin e vitit 1998, drejtuesi i sektorit të veçantë pranë LPK-së, Xhavit Haliti. Pra gjurmimi dhe ndjekja është ditur edhe nga organet e strukturat drejtuese të luftës, por edhe nga vetë Zahiri. Ndërsa Hakif Zejnullahu, duke bërë një jetë në dukje normale, për mjaft kohë ka qenë jashtë përgjimit, kjo edhe nga fakti tjetër se marrëdhëniet e tij me Zahirin, ndonëse të afërta, ndoshta më të afërtat në këtë periudhë, janë më së shumti në komunikimet direkte ose me anë të shifrave të caktuara. Hakifi, edhe natën e 30 janarit e ka kaluar në shtëpinë e tij. Edmond Hoxha, dyshimin për përgjimin dhe ndjekjen e tij e ka pasur vetëm në ditët e fundit të jetës, saktësisht në dy ose tri javët e fundit, pasi pjesëmarrja e tij në atentatin ndaj rektorit Papoviq, megjithëse jo primare, ka pasur të mundur identifikimin e tij. Pas arrestimeve të para, droja e tij se ka filluar përgjimi i aktivitetit ka qenë edhe më e madhe, por jo e frikshme. Ai ka pasur shqetësimin se mos kanë filluar bastisjet ose përgjimet edhe në shtëpinë e tij në Junik, por edhe aty ku banonte në Prishtinë. Më përpara ai nuk e ka pasur një shqetësim të tillë, megjithëse ka pasur ndjenjën se në një aksion ose në një tjetër, edhe mund të vritej. Pikërisht për këtë shkak ai iu ka kërkuar motrave se, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk do vajtime në ditëvarrimin e tij e as më pas. Është periudha kur fillon shndërrimi i tij, nga jeta romantike ilegale në veprimtarinë konkrete të rrezikshme, e cila mund të sillte pasoja, ashtu si edhe ndodhi. Është thuajse kurdoherë një ngjarje e fshehtë që tërheq ngjarjen e njohur dhe të dukshme. Tek ne, ngjarja e njohur dhe e dukshme është vrasja e trefishtë e natës së 31 janarit. Ajo ka pasur një paraprirje, një ngjarje të fshehtë, që e ka tërhequr atë. Ka pasur disa mundësi për zbulimin, përgjimin, gjurmimin dhe ndjekjen e Zahir Pajazitit. Mirë është që të analizohen të gjitha qetësisht, sepse anashkalimi i secilës hallkë prej tyre, mund të sjellë në mangësi që janë të dëmshme. Le të nisim nga institucionet e luftës dhe të ecim deri në hallkat e saj. Që nga janari i vitit 1996, Zahiri është zgjedhur anëtar i Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri nga drejtuesit kryesorë të Shtabit Qendror Operativ të saj. Ai është njëri nga planifikuesit kryesorë të aksioneve të vitit 1996, në kuadër të strukturave të luftës, (sepse aksione të tilla në kuadër të “linjës së Llapit” ai kishte bërë shumë më herët) dhe njeriu i cili kishte autoritet të fuqishëm në radhët e bashkëluftëtarëve të tij. Siç dihet tashmë, në këtë periudhë, brenda vendit, bënin pjesë në Shtabin Qendror Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Bislim Zogaj, Adem Jashari (i cili nuk merrte pjesë në mbledhjet e Shtabit Qendror Operativ për arsye sigurie dhe lidhjet mes tij dhe shtabit mbaheshin nëpërmjet Nait Hasanit), Lahi Ibrahimaj. Nga strukturat jashtë vendit ishin të përfshirë Xhavit Haliti - ‘Zeka’, drejtuesi i sektorit të veçantë dhe Ali Ahmeti – ‘Abazi’, më pas Jashar Salihu dhe Azem Syla. Koordinatorë të veprimeve jashtë- brenda ishin Hashim Thaçi (i cili kishte mandatin e organizatës për krijimin e strukturave të luftës) dhe Kadri Veseli. Azem Syla ishte njëkohësisht njeriu kryesor në krijimin e lidhjeve mes shtabeve dhe përçuesi i lidhjeve dhe direktivave. Në Kosovë më 26 janar arrestohet Nait Hasani dhe detyrohet të kalojë menjëherë në ilegalitet Xheladin Gashi. Adem Jashari ndodhej në Drenicë, dhe me përjashtim të lidhjeve nëpërmjet të dytëve ose të tretëve, ai nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta me Zahir Pajazitin. Mungesa e lidhjeve të drejtpërdrejta ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në krijimin e një strukture më të fuqishme, sidomos pas 31 janarit, pasi dy zonat kryesore të luftës mbetën për disa kohë të shkëputura nga njëra-tjetra. Sokol Bashota, Xheladin Gashi dhe Bislim Zogaj takohen më 30 janar 1997. Janë të njohur me faktin se Nait Hasani është zhdukur, pra kidnapuar, gjë të cilën ‘Plaku’ e kishte ditur pak çaste pas arrestimit. Në takimin e kësaj pjese të shtabit, nuk merr pjesë Rexhep Selimi, i cili ishte i sëmurë, gjendej në Tiranë dhe sapo merr vesh për arrestimet dhe ngjarjet e fundjanarit 1997, kthehet në Kosovë, për të ringritur edhe njëherë strukturat e dëmtuara. Asnjëri prej tyre nuk mund të kishte ditur udhëtimin e fundit të Zahirit, sepse asnjëri nuk kishte pasur takim me të. Nga ana tjetër, të gjithë ata ishin prej shumë kohe anëtarë të të njëjtit shtab dhe, deri atëherë, nuk kishte pasur asnjë dëmtim të radhëve. Kështu që, në një mënyrë ose në një tjetër, dyshimi se mos kishte pasur rrjedhje nga strukturat e larta të luftës, brenda në Kosovë, ishte lehtësisht i verifikueshëm. Nuk kishte pasur.

BISLIM ZOGAJ, NJERIU I DYTË QË ËSHTË TAKUAR ME ZAHIRIN

Në muajin janar 1997, janë vetëm dy anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm që janë takuar me Zahirin. I pari takohet Nait Hasani, që sapo ishte kthyer nga Shqipëria. Ishte një takim i shkurtër, për marrje e dhënie detyrash, të cilin, as njëri e as tjetri, nuk e kanë menduar se do të ishte i fundmi mes tyre. Njeriu i dytë që është takuar me Zahirin nga ana e Shtabit Qendror është Bislim Zogaj. Takimi, siç e kemi thënë dhe do e përsërisim, ka zgjatur jo më shumë se dy minuta, dhe ka qenë vetëm përcjellja e mesazhit të shtabit, pra e asaj që ishte vendosur në takimin e së enjtes, 30 janar 1997, mes Sokol Bashotës, Xheladin Gashit dhe Bislim Zogajt, se ‘duhej ndryshuar krejtësisht metoda e punës’. Askush tjetër nuk është takuar me të në Kosovë. Kanë qenë dy takimet e tij të fundit me shokët e shtabit. Në Tiranë, siç e kemi thënë edhe më parë, ai ishte takuar me Azem Sylën, por këtu është diskutuar për probleme të strukturimit të luftës. Interesant është fakti se, megjithëse bëjnë pjesë të dy në të njëjtin shtab, ata do të takohen për herë të parë dhe ky do të ishte edhe takimi i tyre i fundit. Deri në atë kohë, në linjën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahiri kishte një lidhje të dyfishtë: në Kosovë me Nait Hasanin, ndërsa jashtë saj me Ali Ahmetin. Zakonisht nuk tejkaloheshin këto lidhje, për vetë ndërtimin e strukturave të luftës dhe rregullave që ishin vendosur më parë. ‘E di që, në dhjetor 1996, Zahiri ka qenë në Shqipëri, …unë personalisht nuk jam takuar me të… E kam ditur që ishte në Tiranë, por nuk ka qenë punë e imja të takohesha me të… E ka takuar Azem Syla’ (Xhavit Haliti, qershor 1998). Lidhja tjetër e Zahirit jashtë Kosovës ishte Ismet Abdullahu, me të cilin, gjithashtu, ishte dyfish i lidhur: edhe në linjën e luftës, por edhe në linjën familjare, pasi i vëllai i Zahirit, Agimi, është i martuar me mbesën e Ismetit. Sidoqoftë kjo ishte një lidhje jashtë strukturave të drejtpërdrejta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për më tepër një linjë e cila kishte në vete rrezikun e dekonspirimit. Është një kohë kur disa vetë fillojnë të kërkojnë ndihma të ndryshme për ‘linjën e Llapit’ dhe kjo shpeshherë është bërë pa miratimin e Zahirit. Në fakt, në dhjetor 1996 dhe fillimin e janarit 1997, ai është takuar në Tiranë me shumë njerëz, të cilët kanë qenë të njohur e të panjohur për të.

CILAT ISHIN PALËT QË MERRESHIN ME GJURMIMIN DHE NDJEKJEN E NJERËZVE TË LUFTËS?

Fakti se edhe pas vrasjes së Zahirit shumë nga shokët e tij e vazhduan luftën, në po të njëjtat struktura dhe me po të njëjtit njerëz, dëshmon se ndërsa ishin vrarë dy nga drejtuesit kryesorë të tyre, u burgosën disa të tjerë, përsëri thelbi kishte mbetur pa u dëmtuar. Ky thelb çoi në riorganizimin e Zonës Operative të Llapit, duke e bërë atë njërën nga më të merituarat gjatë luftës. Komisioni i Veçantë i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, dega jashtë vendit, për verifikimin e arrestimeve dhe vrasjen e 31 janarit 1997, është ngritur mbi bazën e një vendimi të veçantë të Mbledhjes së VI-të të Përgjithshme të majit 1998 dhe ka filluar nga aktiviteti i tij që nga data 20 maj. Përreth dy muaj e gjysmë, duke verifikuar të gjitha problemet e shtruara nga të deleguarit e LPK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka dalë me konkluzionin se “megjithëse janë marrë të gjitha masat për t’u lajmëruar shokët e “linjës së Llapit” nëpërmjet kanaleve të tyre jashtë Kosovës, për arrestimet që kanë ndodhur dhe sidomos të NH, përgjegjësia e njeriut të caktuar posaçërisht me këtë detyrë, është se nuk i është shkuar deri në fund verifikimit dhe saktësimit të ngjarjes. Shokët që janë vrarë në Pestovë kanë qenë nën përgjimin e vazhdueshëm të policisë serbe dhe nuk përjashtohet mundësia e vëzhgimit të mëhershëm të grupit të tyre”. Thelbësore ishte se “në sektorin e veçantë nuk ka pasur rrjedhje të informacionit”. Mundësia tjetër e rrugës së strukturave të lidhura me luftën për dekonspirimin e tyre mund të ishte Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, pasi, si organ drejtues, mund të kishte pasur dijeni për ngjarjen. Duke e sjellë në mend, edhe një herë, thënien e ish-nënkryetarit të kryesisë së LPK-së, Muhamet Kelmendi, e cituar në këtë fejton, është ndoshta me interes të sjellim edhe fragmentin e një bisede, mes Grupit të punës së ngritur për këtë qëllim nga LPK-ja dhe drejtuesit të Sektorit të Veçantë, Xhavit Haliti.

KOMISIONI: ÇFARË ISHIN LIDHJET MES KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË LPK-SË, SEKTORIT TË VEÇANTË DHE STRUKTURAVE TË LUFTËS?

Xh. Haliti: “Këshilli i Përgjithshëm nuk ka qenë absolutisht kompetent që të merret me çështjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe strukturat e saj. Sepse kompetencat për UÇK-në i ka pasur vetëm kryesia, në bazë të marrëveshjes që është bërë, me idenë që të mbahen gjërat sekrete, veprimet të kryhen perfekt dhe vendimet politike që merren në kryesi të mos dalin në Këshillin e Përgjithshëm”. Një ide e tillë është hedhur për herë të parë në Mbledhjen e Përbashkët të drejtuesve të LPK-së në Kosovë dhe kryesisë së LPK-së jashtë vendit, në dhjetorin e vitit 1993, nga Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti. Duke parë arrestimet që kishin ndodhur dhe goditjet që mund të ndodhnin edhe në të ardhmen, është kërkuar, me të drejtë, që problemet e luftës dhe ngritja e bazave të saj të mos bëhen temë në rreth të gjerë, pra të dinë për të sa më pak njerëz që të jetë e mundur. Në takimet e bëra në dhjetorin e vitin 2003 (23 deri më 25 dhjetor) dhe më pas në prillin e vitit 1994, është shtruar mendimi dhe është paraqitur skema e re organizative, se si duhet të funksiononte LPK-ja, si duhet bërë riorganizimi i saj mbi bazën e strukturave ushtarake që do të krijoheshin në Kosovë dhe raportet e përbashkëta me to. Propozimi ka qenë që të krijohej Sektori Ushtarak, i cili, në kuadër të LPK-së, do të merrej me problemet ushtarake, në kuadër të Kryesisë së LPK-së dhe do i jepte llogari vetëm kryesisë. Përqendrimi i problemeve tek sektori i veçantë, brenda LPK-së, si pjesë e Shtabit Qendror të UÇK-së, nuk ka qenë i detajuar. “Për sa i përket çështjes se kush merrte pjesë në njësitë e UÇK-së, se kush ishte në krye të detyrës, çfarë detyrash kishte në Kosovë, kush merrej me atë punë ose me këtë punë, jo vetëm që nuk e kemi diskutuar, por as nuk do të pranonim kurrsesi të diskutonim”.

ASNJËRI NGA SHOKËT E “LINJËS SË LLAPIT” NUK E KA DITUR UDHËTIMIN E DREJTUESIT TË TYRE

I solla gjithë këta shembuj, për të arritur edhe një herë në të njëjtin konkluzion që arriti edhe komisioni i majit të vitit 1998, se pavarësisht gabimeve që ishin shfaqur, vija e ndjekur kishte qenë përgjithësisht e saktë dhe në kushtet e atëhershme, ndoshta, mundësia më e mirë. Nuk duhet përjashtuar se shumë nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, duke pasur lidhjet e tyre me ilegalët që vepronin në Kosovë, lidhje të hershme organizative, mund të kishin dijeni për ngjarjet që zhvilloheshin aty dhe të mbanin ende lidhje, por jo në rrugë organizimi politik. Lidhje të tilla, herë pas here, kanë pasur ndikimin e tyre, në të mirë ose në të pamirë të punës, por asnjëra prej këtyre lidhjeve nuk ishte në rrjedhën e veprimit, të ilegalitetit dhe të personalitetit të Zahirit. Fakt është se edhe drejtues të luftës brenda vendit, si për shembull Rexhep Selimi, deri në fund, e ka njohur Zahirin me emrin e luftës “Ismeti” dhe më pas ka mësuar për emrin e tij të vërtetë. Kështu që lidhjet vetjake, nganjëherë edhe të miratuara, të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, me pjesëtarë të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk të çonin drejt dekonspirimit individual. Nga ana tjetër, megjithëse thuajse të gjithë pjesëtarët e “linjës së Llapit” ishin anëtarë të LPK-së, ose qëndronin në lidhje të vazhdueshme me LPK-në, vetjake ose familjare, Zahiri nuk ishte anëtar i organizatës. Pra duhet përjashtuar mundësia e dekonspirimit nga jashtë, qoftë nga sektori i veçantë, qoftë nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, apo të kryesisë së Fondit të luftës “Vendlindja thërret”. Një mundësi tjetër dekonspirimi, e cila duhet përjashtuar pa mëdyshje, qëndron edhe në vetë “linjën e Llapit”, si thuhej fillimisht, dhe në Zonën Operative të Llapit, siç u bë e njohur më pas. “Linja e Llapit”, në fillimet e saj, kishte diçka më shumë se 30 anëtarë, të cilët ishin njerëz të besuar, përgjithësisht, të sprovuar për trimërinë e tyre ose që do të sprovoheshin më pas, dhe për mundësinë e qëndresës. Disa prej tyre kishin qenë të burgosur politikë, anëtarë të lëvizjeve ilegale, më pas do të bëheshin atentatorë të njohur për njësitet e tyre dhe shtrirja nuk do të ishte marramendëse, për të cilën edhe mund të ishte mundësia, por e kujdesshme, e menduar dhe e saktë. Vetë pranimi në radhët e UÇK-së ka qenë një proces në vete, i cili kalonte përmes një organizmi të posaçëm verifikimi dhe miratimi. Duhej kaluar nëpër disa “rrathë provash” për të arritur deri tek fakti se ishe tash e tutje pjesëtar i strukturave të luftës. Ky organizëm verifikimi dhe kujdesie ishte në të gjitha zonat e luftës, të paktën deri në fillimin e majit të vitit 1998, kur lufta mori karakter masiv dhe nuk mund të ishte e njëjta veti matëse. Por edhe në vitin 1995 dhe sidomos një vit më pas, edhe në Zonën e Llapit, verifikimi i anëtarëve të ardhshëm të UÇK-së, do të ishte shumë i kujdesshëm. Shokët dhe bashkëluftëtarët e Zahirit janë të njohur tashmë për të gjithë. Hakifi, Ilir Konushevci, Rrustem Mustafa dhe Selim Neziri përbënin shtabin e parë drejtues në Zonën Operative të Llapit. Avni Ajeti - “Sokoli” ka qenë njëri nga njerëzit më të afërm të tij, si dhe Latif Gashi, Muharrem Ismajli, Fahri Bala, Isak Shabani, Shaip Haziri, Sejdi Rama, Naim Hyseni, Beqir Beqiri e dhjetëra të tjerë. Asnjëherë, askush, për asnjë çast, nuk ka ngritur dyshimin se rrjedhja e informacionit ka ndodhur nga “linja e Llapit”. Edhe unë, nëse e bëj këtë, qoftë edhe në linjën e plotë mohuese, kjo ndodh vetëm për shkak të radhitjes së gjërave. Edhe nëse do të kishte ndodhur ndryshe, pra edhe nëse rrjedhja do të kishte qenë nga një “njeri i brendshëm”, një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur për herë të parë në lëvizjet ilegale, politike apo ushtarake. Ka pasur ngjarje të rëndësishme që janë dekonspiruar nga brenda. Por në këtë rast, dhe kjo i bën nder “linjës së Llapit”, asgjë nuk ka ndodhur prej këndej. Është edhe një fakt që e vërteton këtë: Më 31 janar 1997, asnjëri nga shokët e “linjës së Llapit” nuk e kanë ditur udhëtimin e drejtuesit të tyre. Pra, askush, me përjashtim të Hakifit dhe të Edmondit, nuk e ka ditur se ata po drejtoheshin për në Vushtrri. Kjo ka qenë e paditur për ta. Siç do e themi edhe në pjesën e mëpasme, udhëtimi i Zahirit, së bashku me Edmondin dhe Hakifin, ka qenë një diçka krejt e papritur, për më tepër, Ilir Konushevci dhe Shaip Haziri e kishin ditur se do të udhëtonin drejt një objektivi tjetër.

RRJEDHJET NUK KANË NDODHUR NGA BRENDA, KANË ARDHUR NGA JASHTË ORGANIZMIT TË LUFTËS

Avni Ajeti kishte folur që në mëngjes herët me Zahirin, por as ai nuk e ka ditur qëllimin e udhëtimit të tyre. Nga ana tjetër, nëse do të kishte pasur rrjedhje në “linjën e Llapit”, arrestimet do të kishin ndodhur shumë më herët, para se të bëhej shtrirja dhe strukturimi i mëtejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, sidomos, para se të bëhej atentati ndaj rektorit Papoviq. Fakti se edhe pas vrasjes së Zahirit shumë nga shokët e tij e vazhduan luftën, në po të njëjtat struktura dhe me po të njëjtit njerëz, dëshmon se ndërsa ishin vrarë dy nga drejtuesit kryesorë të tyre, do të burgoseshin disa të tjerë, përsëri thelbi kishte mbetur pa u dëmtuar. Ky thelb çoi në riorganizimin e Zonës Operative të Llapit, duke e bërë atë njërën nga më të merituarat gjatë luftës. Duke përjashtuar nga denoncimi tri nga strukturat më të lidhura me luftën, drejtuesit e Shtabit, brenda e jashtë Kosovës, drejtuesit e strukturave të LPK-së, si dhe shokët e “linjës së Llapit”, këtë nuk e bëj as nga nostalgjia, pasi kam qenë drejtues i organizatës në vitet e luftës, dhe as nga mungesa e materialeve. Pikërisht sasia e materialeve që janë në arkivin e organizatës dhe të Shtabit të Përgjithshëm më kanë çuar drejt mendimit ose, më saktë, drejt pohimit, se rrjedhjet nuk kanë ndodhur nga brenda, por kanë ardhur nga jashtë organizmit të luftës. Se si ka ndodhur rënia e Zahirit, Edmondit, Hakifit dhe arrestimi i Naitit, para disa kohësh mund të flitej vetëm me hamendje. Mendoj se komunikimi me pejxherë e ka dëmtuar shumë luftën dhe njerëzit pjesëtarë të saj, telefonatat edhe ato kanë dëmtuar. Pastaj, daljet në disa atentate pa maska kanë ndikuar në dekonspirimin, edhe të Zahirit, edhe të shokëve të tij. Jo rrallë, punët e luftës janë bërë çështje e një bisede të lirë, ku, si pa të keq, janë përmendur emra të përveçëm, dhe në Zonën e Llapit, pa dyshim, emri i Zahirit ka qenë më i njohuri. Të bësh atentat në qendër të qytetit, mes një lokali, pa maskë, je vërtet një guerilas trim, do të thosha, tepër i vendosur, mirëpo gjithçka ndodh në një vend publik, ku janë të njohur e të panjohur, ku mund të të shohin dhjetë vetë që nuk flasin, por edhe vetëm një që flet. Mirëpo, asnjëra prej këtyre, ose të gjitha së bashku, nuk kanë çuar drejt dekonspirimit të madh. Të gjitha së bashku ose secila veç e veç, kanë qenë pjesë që kanë dëmtuar ose jo në momente të veçanta, por nuk kanë qenë pjesa kryesore e dekonspirimit. Gjurmimi dhe ndjekja e njerëzve të luftës ka ardhur nga dy palë njerëz: e natyrshme- nga pushtuesit, dhe e panatyrshme- nga ata që politikisht dhe jo vetëm politikisht, nuk ishin njerëz të luftës. Mes këtyre dy palëve, të interesuara për ndjekjen, përgjimin, zbulimin dhe vrasjen, më të mundshmit për të shkuar në afërsi të ngjarjeve kanë qenë njerëzit që thirreshin në “institucionet”, që ishin mësuar të shërbenin dhe po vazhdonin t’i shërbenin pushtuesit serb. E, të gjitha këto së bashku, do të çonin drejt 31 Janarit. Deri tani, vetëm Komisioni i ngritur më 10 maj 1998, ka bërë, për kushtet e kohës, një analizë të këtyre ngjarjeve. Për të shkuar më tej në një analizë të tillë, për të thelluar atë, asaj kohe nuk ishin në dispozicion të gjitha informatat. Duheshin pasur të gjitha, pra duhej pasur se cila kishte qenë dita e parafundit e Zahirit, çfarë kishte bërë dhe me kë ishte takuar dy ose tri ditë më parë, me cilët njerëz, çfarë kishte besuar dhe cili kishte qenë qëllimi i tij për ditët e ardhshme, kujt i besonte ai më shumë e kujt nuk i besonte edhe aq, përse kishte ndërruar drejtimi i rrugëtimit të tij dhe përse prita, që do të vriste në orën 16 e 22 minuta, ishte ngritur që një orë e gjysmë më parë… Pra, asaj kohe, duheshin ato të dhëna që pak a shumë i kemi sot, dhe që të gjitha ndihmojnë të qartësohet enigma e vrasjes dhe e gjithë asaj që ndodhi atë ditë të fundit të janarit të vitit 1997, e premte. Mirëpo, që kjo nuk kishte filluar më parë, tashmë është e qartë për të gjithë. Le t’i ndërtojmë së bashku ditët e fundit të tre dëshmorëve…

PSE UDHËTIMI I ZAHIRIT, EDMONDIT DHE HAKIFIT ISHTE SHTYRË PËR PASDITE?

Më 30 janar, në buzëmbrëmje, Zahiri dhe Edmondi janë takuar edhe një herë dhe kanë vendosur për udhëtimin e së nesërmes. Në takim ka qenë edhe Avni Ajeti. Është rënë dakord që udhëtimi do të bëhej vetëm me Hakifin, pasi rrugëtimi nuk ishte më i sigurt. Edmondi la më pas fjalën tek e motra se të nesërmen, më 31 janar, do të shkonte në Vushtrri. Bënte humor me të duke i thënë “a po vjen edhe ti me mua?”, sikur ky të ishte një udhëtim i zakonshëm. Takimi i tyre është lënë për në mesditë, por më pas është shtyrë për në fillimin e pasdites. Janari i vitit 1997 ishte një muaj i rëndë, ndoshta më i rëndi nga të gjithë janarët që kishin shkuar. Mbi peizazhin e ngrirë vareshin hejet e akullit të një dimri që sapo kishte filluar, dhe të cilit nuk i dihej nëse do të kishte pas pranverë të shkrirjes së akujve. Erërat frynin si të marra dhe rrugët e qeta, të pushtuara të Prishtinës, dukeshin edhe më të boshta. Megjithatë, të gjitha këto ishin thuajse të zakonshme, sikur në mesin e muajit janar, në një ditë krejt ndryshe, të mos ishte bërë atentati ndaj rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës, Papoviq. Qe aksioni i parë i njësiteve guerile të Prishtinës, i ideuar nga Shtabi Qendror - Operativ i UÇK-së, i cili dëshmonte krahas të tjerave edhe veçantinë e organizimit, me shpërthimin në distancë. Për disa ditë me radhë ishte ndjekur rruga e zakonshme e rektorit të dhunshëm, rrugëtimi i tij nga shtëpia drejt vendpunimit, ndalesat që bënte, mundësia e qëndrimit në një vend ose në një tjetër, parkimi që bënte zakonisht, vendqëndrimi i tij në makinë, pas, majtas apo djathtas, ishin shikuar mundësitë se nga mund të devijonte rrugëtimin, oraret e lëvizjes, të kthimit dhe pasdite etj. Për të gjitha këto ishin organizuar një grup i posaçëm i njerëzve të besuar, mes të cilëve do të spikaste roli i Hakif Zejnullahut, Ilir Konushevcit, Edmond Hoxhës dhe pjesëtarëve të tij të “Linjës së Llapit”. Pikërisht në ditët kur po organizohej aksioni kundër rektorit të dhunshëm serb, Edmond Hoxha ka bërë një bisedë telefonike me Safete Hadërgjonajn. “Në bisedë e sipër, më kot u përpoqa ta dija përse ishte merakosur, nuk më tha asnjë fjalë lidhur me këtë. Pastaj e pyeta: “Është kohë pushimesh, pse nuk vjen në shtëpi, por rri kot atje në Prishtinë?”. “Ta dish se nuk po rri kot. Shpejt do ta marrësh vesh”, më është përgjigjur me një zë që ende më tingëllon në vesh. Kjo ishte biseda ime e fundit me Edin”, thotë Hadërgjonaj. Ashtu siç ishte menduar se mund të ndodhte, menjëherë pas aksionit filluan arrestimet masive, më masivet e viteve të fundit dhe njëkohësisht më të organizuarat. Pas dështimit të shërbimit të fshehtë serb (UDB-së) për arrestimin e Grupit të Drenicës, nuk mund t’u lejohej një dështim tjetër, prandaj gjithçka si duket është përgatitur me rreptësinë më të madhe dhe duke paraparë goditjet më të ashpra. Në fare pak ditë u bënë 107 arrestime, mes të cilave do të ishte edhe ajo e studentit të inxhinierisë Besnik Restelica, pjesëtar i grupit të Llapit dhe i lidhur me Zahir Pajazitin. Gjithçka u bë dyfish e dhunshme. Trokitje të pasmesnatshme, të akullta, të egra, gjuhë e huaj nëpër tokën e lashtë, krisma të vetmuara, arrestime në mesin e rrugës, kidnapime, njerëz që nuk dihej se ku kishin përfunduar, mbi të gjitha pikëpyetje rreth një njeriu të njohur, Nait Hasanit. Që natë-ditën e parë të arrestimeve kishin filluar torturimet e jashtëzakonshme, gjithçka bëhej me shpejtësi për të pasur një goditje të jashtëzakonshme, për t’i dhënë fund një ëndrre dhe një shprese, që kishte emrin UÇK.

PSE ISHIN NDËRPRERË LIDHJET E ZAHIR PAJAZITIT ME SHTABIN QENDROR?

Këto ditë të valës goditëse, Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun i gjejnë në Kosovë. Zahiri dhe Edmondi në Prishtinë, ndërsa Hakifi në shtëpinë e tij. Zahiri ishte tashmë plotësisht ilegal, dy të tjerët ende në fazën mes legalitetit dhe kalimit në ilegalitet. Arrestimet u bënë të njohura më 26 janar 1997, ndërsa kishin filluar që më 22 janar. Katër ditë kishte zgjatur heshtja mes arrestimeve të para dhe publikimit të tyre. Shumë nga emrat qarkullonin si të arrestuar, ata në një mënyrë ose në një tjetër ishin të lidhur me strukturat e luftës. Nga më shumë se 100 arrestime dhe më shumë se kaq të përndjekur, në gjyqin policor të pushtuesit dilnin më pas 17 prej tyre. Thuajse të gjithë kishin pasur dijeni ose kishin mbështetur lëvizjen çlirimtare. Ndryshe nga herë të tjera, këtë radhë goditja kishte qenë më e studiuar dhe më e qartë. Në mesditën e datës 27 janar, Zahiri mendon të organizojë në javën e parë të shkurtit disa aksione radhazi, për të tërhequr vëmendjen e pushtuesit dhe për t’iu dhënë zemër njerëzve që mund të mendonin se pas kësaj goditjeje tashmë gjithçka mund të ishte e humbur. Fillimisht ai mendon për ditën e diel të 2 shkurtit 1997, por meqenëse koha ishte fare e shkurtër dhe nuk dihej ende se deri ku ishte shtrirë vala e arrestimeve dhe se deri ku mund të shkonte më tej, u mendua që aksionet të bëheshin më 4 shkurt. Për këtë atij i duhej të bisedonte me shokët e tij në Shtabin Qendror Operativ, sidomos me Rexhep Selimin dhe Nait Hasanin, por lidhjet ishin ndërprerë, pasi Naiti tashmë ishte kidnapuar, ndërsa ai nuk kishte asnjë adresë të saktë të Rexhës. Ajo që kishte funksionuar deri më 26 janar, pra koordinimi i veprimeve dhe lidhjeve nëpërmjet Naitit, tashmë nuk ishte më. Por, edhe nëse do të ishte ndryshe, Zahir Pajaziti nuk e dinte faktin se Rexhep Selimi, i sëmurë, ndodhej në Shqipëri dhe se menjëherë pas lajmit për arrestimet që po bëheshin, mori rrugën për në Kosovë. Të dy, pa e ditur për njëri-tjetrin, kishin pasur mendimin e njëjtë. Rexhepi iu tha shokëve të tij në Sektorin e veçantë të LPK-së se “kthimi im është i domosdoshëm, se njerëzit do të mendojnë se kam ikur dhe u duhet dhënë shpresë”. Ndërsa Zahiri mendoi për organizimin e aksioneve. “Të martën, më 4 shkurt, kishim planifikuar një aksion në Besianë…”, kujton më pas njeriu i pandarë me Zahirin, Avni Ajeti. Por le të vijmë tek tri ditët e fundit të tyre, megjithëse për cilindo është e qartë se ajo që ndodhi më 31 janar nuk ka filluar në tri ditët e fundit të jetës së tyre. Më 29 janar 1997, siç kujton edhe Ilir Kastrati, njeri i afërt me Zahirin dhe Edin, ata janë takuar së bashku. Kjo ka qenë, si duket, dita kur është vendosur për të bërë bashkërisht aksionet e menduara nga Zahiri dhe që përfshinte edhe Edin. Ndryshe nga herët e tjera, kur biseda e Edit me Zahirin zhvillohej pa një të tretë mes tyre, këtë radhë për disa kohë ishte edhe Ilir Kastrati. Pastaj ata përsëri kanë biseduar veçmas. Ka tri mundësi të bisedës së tyre: e para dhe më e rëndësishmja- pjesëmarrja në aksion; e dyta, në paraditen e 29 janarit Ilir Konushevci ishte thirrur në polici dhe ishte pyetur rreth makinës që kishte shpërthyer në aksionin kundër rektorit serb Papoviq. Kjo kishte mundësinë e zbulimit të Ilirit, por edhe të tjerëve që kishin bashkëpunuar me të, mes tyre edhe të Edmondit. Dyshohej se makina autobombë kishte qenë e Ilirit dhe ai kishte lajmëruar, disa ditë para ngjarjes, se ia kishin “vjedhur”. Mundësia e tretë kishte lidhje me rrugëtimin e ardhshëm për sigurimin e mjeteve që Edmondi kishte sjellë nga kufiri me Shqipërinë në ditën e parë ose të dytë të janarit 1997. Këto janë tri mundësitë e bisedës së tyre, ose, çfarë është krejt e mundur, është biseduar për të tria, pasi të tria janë të lidhura me njëra- tjetrën. Mendimi i Zahirit ka qenë që pas aksioneve që do të organizoheshin më 4 shkurt, Edmondi të kalojë në pjesën e lirë të Drenicës, ku ishte Adem Jashari. Një mundësi e tillë ka qenë edhe më e madhe, ashtu si është krejt e mundshme që asaj nate ose të nesërmen në mëngjes ata rrugëtuan më tej për në Drenicë, për t’i bashkërenduar me Adem Jasharin aksionet e 4 shkurtit 1997.

KUJT I KISHTE TELEFONUAR ZAHIR PAJAZITI NË MËNGJESIN E 31 JANARIT 1997?

Gazeta “Nedeljni Telegraf”, në numrin e saj të 37, datë 5 shkurt 1997, pra vetëm katër ditë pas ngjarjes, mbështetur në të dhënat e shërbimeve informative të Serbisë (UDB dhe KOS), me të cilat ishte e afërt, për herë të parë ngriti dyshimin se “…ky tresh terrorist, natën midis 31 janarit dhe 1 shkurtit kishte provuar që të hidhej në Drenicë, përkatësisht në territorin e komunës së Skenderajt, ku fshihet një numër i madh i bashkëmendimtarëve të tyre. Për këtë hap ata kishin vendosur si duket për faktin se pas arrestimeve të para nga 26 janari, kishin dyshuar se policia u kishte rënë edhe atyre në gjurmë”. Duke marrë parasysh se edhe më parë Zahiri kishte pasur mendimin për të dërguar Edmondin të stërvitej në Drenicë (deklaratë e Rrustem Mustafës - “Remit”), por edhe faktin tjetër, më të rëndësishëm në këtë rast, se gjithë atyre ditëve telefoni i Zahirit është përgjuar, mundësia më e madhe është në qëndrimin e tyre të përkohshëm në Drenicë, sidomos pas 4 shkurtit. Të dhënat e servirura nga shërbimet sekrete serbe, për gazetën e mësipërme, edhe në raste të tjera, s’do mend se kanë qenë të mbështetura në të dhënat e grumbulluara prej tyre, të cilat nuk ia kanë besuar të gjitha mediave të tjera në gjuhën serbe. Në takimin e 29 janarit mes Zahirit dhe Ilir Konushevcit dhe shokëve të tjerë, ai i kishte paralajmëruar se do të ndodheshin para aksioneve të reja. Shprehimisht ai i kishte thënë Ilirit se “këto ditë do të shkojmë bashkë në një aksion të veçantë. Atë duhet ta kryejmë unë, ti, Shaipi dhe një shok tjetër. Nëse nuk kemi veturë tjetër, vjen me ne edhe Hakifi”. Emrin e Edmondit nuk e ka përmendur, kjo qe e pazakontë për Zahirin, pasi ai gjithnjë kishte vepruar me shokët e njësiteve të tij, të cilët përgjithësisht e njihnin njëri-tjetrin. Meqenëse Edmondi nuk ishte i njohur me të gjithë, ai siç duket është mjaftuar vetëm me thënien “edhe një shok tjetër”. Edhe më parë është pyetur se “përse Zahiri e ka quajtur aksionin që përgatitej të ndërmerrte si një detyrë të veçantë?”, kur për më shumë ai kishte përgatitur dhe realizuar shumë aksione të tilla. E veçanta e udhëtimit dhe e aksionit të organizuar qe në lidhjen e drejtpërdrejtë të Zahirit me Adem Jasharin, lidhje të cilat më parë ishin realizuar nëpërmjet Naitit ose Rexhep Selimit. Ky do të ishte takimi i tyre i parë, megjithëse ata vazhdimisht e kishin mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Njëri ndër bashkëluftëtarët e Zahirit më tha se “e kemi pas ëndërr të takonim një ditë Adem Jasharin. Ishte mit i madh. Si e kishim pas ëndërr dikur të shihnim Enver Hoxhën, tash e kishim ëndërr të shihnim Ademin. Por ishte e vështirë, shpeshherë kërkonim, por nuk i lejohej gjithkujt të shkonte atje. Edhe Zahiri e donte Ademin më shumë se gjithçka tjetër dhe kur fliste për të, dorën e djathtë e lëvizte ngadalë, me pëllëmbën poshtë, si të donte të thoshte se ai burrë është si toka. Zahiri nuk i kishte qejf llafet e gjata, por për Ademin thoshte fjalën më të mirë”. (Qerim Kelmendi). Hakif Zejnullahu, në paraditen e 29 janarit kishte qenë po ashtu në Prishtinë dhe kishte marrë pjesë në takimin e organizuar mes Ilirit dhe Zahirit. Si duket ai kishte pasur dijeni më parë për aksionet që u organizuan, ndoshta edhe nga fakti se ishte zëvendësi i Zahirit. Meraku i tij, i asaj dite, ka qenë në moszbulimin nga policia serbe e njerëzve që kishin marrë pjesë në aksionin kundër rektorit serb Papoviq, por edhe në kujdesin për shokët e tjerë. Më 30 janar, në buzëmbrëmje, Zahiri dhe Edmondi janë takuar edhe një herë dhe kanë vendosur për udhëtimin e së nesërmes. Në takim ka qenë edhe Avni Ajeti. Është rënë dakord që udhëtimi do të bëhej vetëm me Hakifin, pasi rrugëtimi nuk ishte më i sigurt. Edmondi la më pas fjalën tek e motra se të nesërmen, më 31 janar, do të shkonte në Vushtrri. Bëri humor me të duke i thënë “a po vjen edhe ti me mua?”, sikur ky të ishte një udhëtim i zakonshëm. Takimi i tyre është lënë për në mesditë, por më pas është shtyrë për në fillimin e pasdites, pasi Zahirit, në mëngjesin e 31 janarit, i kishte telefonuar Bislim Zogaj, për të lënë takimin e njohur mes tyre, për në orën 16, në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Takimi ka kushtëzuar edhe udhëtimin e vonë.

ME KËND U TAKUA ZAHIR PAJAZITI PARADITEN E 31 JANARIT 1997?

Nga ora 12.00, Zahiri telefonon tek Avni Ajeti. I thotë shkurt, duke përdorur kodin e zakonshëm ilegal, se “Sot po nxen dielli në Prishtinë”. Avniu i përgjigjet: “Mos po të djeg ty?”. “Jo, ia kthen Zahiri, unë sot nisem për tek Plisat”. Kështu e quanin Vushtrrinë. Kjo ishte telefonata e fundit mes tyre. Emërtimin e Vushtrrisë “Tek Plisat” e dinin vetëm shokët e “Linjës së Llapit”. Edhe nëse kjo bisedë është përgjuar, dhe duhet të jetë përgjuar, ka qenë e vështirë për shërbimin e fshehtë serb të zbulonte se pas fjalës “Plisat” është Vushtrria, kur, po të njëjtët, nëpërmjet bisedave, ende nuk e kishin zbuluar banesën e Zahirit në Prishtinë Më 31 janar, në mëngjes, kur po përgatitej të dilte nga banesa e tij, Zahiri vëren se blloku është i rrethuar me policë serbë. Kthehet pas, në banesën e tij, në Tophane. Siç duket rrethimi ka qenë i përgatitur për të, por adresa e dhënë kishte qenë e gabuar. Në banesën ku u bë kontrolli, gjithçka kishte përfunduar shpejt, çka nuk ishte e zakonshme për kontrollet serbe të 31 janarit 1997. Mjafton të kujtojmë se po atë ditë, në mëngjes herët, është arrestuar Besnik Restelica, i cili më pas u mbyt në torturat e burgjeve serbe. Kërkimi i Zahirit atë mëngjes, në një adresë të gabuar, jep një dëshmi tjetër se zbulimi i tij nuk është bërë nga shokët e “Linjës së Llapit”, të cilët e dinin mirë adresën e tij, por nga të tjerë, që kishin hyrë relativisht vonë në struktura, ose është dyshuar nga përgjimet e vazhdueshme telefonike. Më e mundshme është e para. Nga ora 12.00, Zahiri telefon tek Avni Ajeti. I thotë shkurt, duke përdorur kodin e zakonshëm ilegal, se “Sot po nxen dielli në Prishtinë”. Avniu i përgjigjet: “Mos po të djeg ty?”. “Jo, ia kthen Zahiri, unë sot nisem për tek Plisat”. Kështu e quanin Vushtrrinë. Kjo ishte telefonata e fundit mes tyre. Emërtimin e Vushtrrisë “Tek Plisat” e dinin vetëm shokët e “Linjës së Llapit”. Edhe nëse kjo bisedë është përgjuar, dhe duhet të jetë përgjuar, ka qenë e vështirë për shërbimin e fshehtë serb të zbulonte se pas fjalës “Plisat” është Vushtrria, kur, po të njëjtët, nëpërmjet bisedave, ende nuk e kishin zbuluar banesën e Zahirit në Prishtinë. Në paraditen e 31 janarit, kur ishte vendosur tashmë udhëtimi i Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, ndodh edhe takimi i tij i fundit me shokët. Kjo ndodhi në një çajtore, afër derës së tregut të qytetit. Ishin Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Shaip Haziri dhe Beqir Beqiri. Pak më vonë shkon edhe Isak Shabani. Ndërkohë Zahiri i kishte telefonuar Hakif Zejnullahut në Gurash, duke i lënë porosinë që rreth orës 12.00 të ishte në Prishtinë. Takimi do të bëhej në vendin e caktuar. Vendi ishte caktuar në paraditen e 29 janarit, por është krejt e mundshme që Hakifi, deri në atë telefonatë, të mos e kishte ditur rrugëtimin që do të kishin përpara, pasi ai nuk kishte qenë në takimin mes Edmondit dhe Zahirit më 29 janar. Në familjen e tij, atë mëngjes, Hakifi u kishte thënë se po shkonte në Prishtinë për të blerë disa pjesë rezervë për kamionin e tij. “Bile, kur është nisur, na ka lënë porosinë që unë dhe vëllai ynë më i ri të shkojmë sonte në Prishtinë, te motra, për të bërë iftar, ngase atje do të takoheshim së bashku” (Bajram Zejnullahu - vëllai i Hakifit). Ndërsa Zahiri, i cili ishte ilegal që nga fillimi i majit të vitit 1996, në shtëpinë e tij për herë të fundit kishte qenë më 26 janar, ditën e diel. Më 31 janar, për herë të parë, dhe jo sipas normalitetit të tij, Zahiri filloi të flasë në një grup më të gjerë se zakonisht dhe është kjo dita kur i informon shokët se “një shok i yni me rëndësi është arrestuar”. Në të njëjtën ditë ai porosit Ilir Konushevcin se “për disa ditë duhet të largohesh nga Prishtina”. Iliri dhe Shaip Haziri ndodheshin në takimin e sipërm, edhe ngase Zahiri më 29 janar u kishte thënë se do të shkonin së bashku në një detyrë të veçantë. Qartësisht është e ditur tashmë se udhëtimi i Zahirit, Edmondit dhe Hakifit nuk ka qenë diçka e rastësishme. Gjithçka ka qenë e përgatitur që më parë, ndoshta edhe më herët se më 29 janar të vitit 1997, por sidoqoftë, në dy ditët e fundit është vendosur për shumëçka. Do të kishte një rrugëtim të përbashkët, i cili do të merrte pas vetes edhe pyetjen: nga cila orë e ditës së premte, 31 janar 1997, ka filluar ndjekja e Zahir Pajazitit dhe e shokëve të tij? Sepse, atë ditë gjithçka e ka një fillim, i cili çoi drejt orës 16 e 22 minuta, kur toka përskuqet.

CILAT ISHIN DY ETAPAT E UDHËTIMIT TË ZAHIRIT, EDMONDIT DHE HAKIFIT?

Në mëngjesin e asaj dite, ndoshta si edhe shumë ditë të tjera, Zahir Pajaziti është kërkuar, por nuk është gjetur. Policia sekrete serbe ka pasur të dhënat rreth tij dhe aktivitetit të lëvizjes çlirimtare deri në atë pikë sa ka pasur njohuri denoncuesi i mundshëm, i cili nuk ka qenë i linjës së ngushtë rreth Zahirit. Duke u nisur nga të dhënat e sakta, por jo të plota, policia serbe ka kërkuar vendqëndrimin e tij, ka synuar të krijojë nëpërmjet gjurmimit të tij tablonë e plotë të njerëzve që e mbështetnin atë dhe ishin, si të thuash, mundësia e tij për shumëfishimin e vetvetes, dhe nëpërmjet kësaj linje ka menduar se do të bënte të mundur goditjen e përnjëhershme të të gjithë “Linjës së Llapit”. Nga përgjimi i bisedave telefonike shërbimi sekret serb (UDB) ka mësuar fare pak, ka mësuar për lëvizjet vetjake dhe takimet e tij të mundshme, por jo për rrjetin ose për shkallën e shtrirjes së aktivitetit të tij. Në asnjë rast nuk ka qenë e mundur që nëpërmjet bisedave telefonike të Zahirit të jetë kaluar në zbulime më të gjëra. Mundësia më e madhe e fillesës së gjurmimit dhe të ndjekjes së Zahirit ka qenë pak pas mesditës së 31 janarit 1997, pasi ai ishte ndarë nga shokët e tij. Në këtë kohë është ditur edhe fillesa e udhëtimit të tij dhe ndoshta edhe caku i përfundimit, përkatësisht dy etapat: tërheqja e armëve nga pika e takimit, që e dinte Edmondi, dhe, etapa tjetër, kalimi në zonën e lirë të Drenicës. Ndoshta edhe për këtë fakt prita është zënë në një vend të boshtë, e përgatitur me kujdes dhe e saktësuar, të paktën dy orë para ngjarjes. Fakti që pas orës 15 banorët e fshatit afër vendngjarjes kanë pasur ndoshta secili nga një njeri të armatosur tek pragu i shtëpisë dhe nuk është lejuar lëvizja e tyre, dëshmon se njohuria e shërbimit të fshehtë serb ka qenë të paktën dy orë më përpara. Që nga ora 15 dhe deri disa orë pas përfundimit të luftimeve, banorët e asaj zone kanë qenë në një gjendje moslëvizshmërie të detyrueshme. Vetëm në mëngjesin e së shtunës, kur ata kanë filluar lëvizjen drejt vendngjarjes, kanë arritur të shohin gjurmët e gjakut, që ende kishin mbetur mbi asfalt, mbi fillesat e borës dhe në dheun e fushës. Përmenda jo rastësisht tri vendpamje të përgjakura, sepse të tre kanë rënë në kahe të ndryshme. Por le të kthehemi edhe një herë tek ora 15 e 30 minuta e ditës së 31 janarit. Është momenti kur fillon udhëtimin edhe Edmond Hoxha. Ky është momenti kur ai ka dalë në rrugë, për të mos u kthyer më si njeri i zakonshëm. Takimi ishte lënë që më parë, në afërsi të banesës së tij, dhe në makinë ishin vetëm Zahiri dhe Hakifi. Në këtë kohë ata kanë pasur pas vetes të ashtuquajturën “ndjekje japoneze”, pra vënien nën përgjim dhe ndjekje nga shërbimi i fshehtë serb. Asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta dinte se ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit. Për të qenë të saktë, ata e kishin menduar se do të mund të vinte një ditë ose një çast i fundmë, por gjithsesi kishte qenë diçka e largët, diçka që nuk duhet menduar dhe nuk kishte përse të mendohej. Për ta, vdekja, sa kishte qenë e afërt, diçka e zakonshme, po aq kishte qenë edhe e largët, e pazakontë, që mund të priste derisa ata të shkonin deri në fund të qëllimit të tyre. Jo rastësisht, Edmondi do t’iu thoshte motrave të tij se “pa e bërë veten të humbur, nuk mund të vijë ditë lirie për Kosovën”. Pra, gjithnjë kishin menduar se kishin para tyre një rrugë të gjatë dhe se vdekja mund të priste. Tani ajo pjesë e jetës që shtrihej para tyre ishte tepër e shkurtër, mjerisht shumë e shkurtër, e ndonëse ishte e tillë, ajo kishte para vetes një gjë tejet të veçantë dhe kjo do të lidhej me të ardhmen. Do të ishte njëri nga rastet e rralla, kur vdekja do të koritej. Megjithatë, nuk e kishin menduar se në ditën e fundit të muajit janar të vitit 1977, në pragun e thyerjes së pikut të dimrit dhe njëkohësisht në pragun e thyerjes së ditënatës, pati një muzg të dyfishtë: të natës që po binte mbi të gjitha konturet e qytetit kodrinor, fushat dhe rrafshinat përreth e deri atje tej, ku kufiri i ultësirës bashkohej me fillimin e vargmaleve dhe të jetës së tyre që sapo kishte nisur. Më “i vjetri” prej tyre, Hakif Zejnullahu, ende nuk i kishte mbushur 35 vite, pasi kishte lindur më 22 qershor të vitit 1962, dhe ishte i vetmi nga tre udhëtarët që ishte i martuar. Zahiri ishte po ashtu ende pa i mbushur 35 vite të jetës së tij, ndërsa më i riu, ai që po rrinte në ulëset e pasme të veturës, Edmond Hoxha, sapo i kishte mbushur 21 vite, pasi kishte lindur më 10 tetor 1975. Policia e fshehtë serbe e dinte mirëfilli, për dy nga luftëtarët, se cilët po ndiqte. Ndoshta ajo ka qenë në dijeni se lëvizja e tyre do të ishte edhe më e madhe, ndoshta me dy makina, pasi edhe prita e përgatitur për ta kishte qenë më shumë se e zakonshme.
Por, le të kthehemi tek dita e nisjes së tyre të fundit.
Prishtinë, 31 janar 1997.
Një gri i errët, çuditërisht pas një dite të veçantë me diell, po ulej mbi gjithçka që kishte rrethuar këtë peizazh, gjithsesi të thyer. Kishte disa ditë që grija e errët e fundjanarit kishte rënë mbi çatitë e ndërtesave, si një muzg i gjithëdijshëm. Erërat frynin dhe nuk kishin të ndalur, rrugët kryesore kishin mbetur bosh. Përballë “Grandit” dhe deri në vendin ku ishte kryer atentati i dy javëve më parë, kishte një boshllëk të çuditshëm. Vetëm herë pas here, së bashku me klithjen dhe krrokatjen e korbave, ngrihej edhe zëri i çartur i nacional-fashistëve serbë: “na vranë, bre, na vranë”. Mijëra e mijëra shqiptarë të vrarë, në pesë dekadat e fundit, nuk kishin asnjë lloj ndjesie tek serbët. Përgjunjur mbi veten, krejtësisht të deliruar, si në një makth të vazhdueshëm, ata kishin pritur rikthimin e kohës së rankoviqizmit, dhe, kur kjo kishte ardhur, ishin ndjerë të qetë, të sigurt dhe të bindur se dalëngadalë shqiptarët, mes dy rrugëve, vdekjes ose dëbimit, do të shtyheshin drejt Bjeshkëve të Nemuna.

ÇFARË THOSHTE SHËRBIMI INFORMATIV SERB PËR ATENTATIN NDAJ REKTORIT TË DHUNSHËM TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS?

Shërbimi Informativ Serb, lidhur me atentatin ndaj rektorit Radivoje Papoviq, nënvizonte se “…megjithatë, këtë dyshohet se e ka kryer sektori më i fortë i UÇK-së, e ai është ai i Prishtinës, i cili si për mbrojtje shërbehet me rrjetin e fortë të bazave, por edhe me vendbanimet e dendura të disa pjesëve të Prishtinës, të cilat janë më parë labirinte dhe fortesa, në të cilat ndoshta mund të hyhet, por assesi edhe të dilet” këto lagje janë të paarritshme, posaçërisht për organet e ndjekjes”. Tre djemtë që po ndiqeshin kishin pasur një motiv thelbësor në jetën e tyre: mos-zbrazjen e Kosovës, mos-humbjen e shpirtit të saj, mostretjen e jetës dhe mosdëbimin. Të gjitha këto, së bashku, mund të përmblidheshin vetëm tek një fjalëzim i shkurtër, pavarësia e Kosovës. Ata që i ndiqnin kishin të kundërtën, vrasjen, dëbimin, lëçitjen. Në mes tyre qëndronin vetëm dhjetëra metra ndjekje dhe po ashtu disa metra parandjekje. Djemtë që shkonin drejt asaj që kishin dëshiruar, ndjekësit që donin të kryenin vrasjen rituale të shqiptarëve. E gjithë tragjedia që kishte ndodhur në shekuj e që do të ndodhte edhe më pas, duke pasur një fund në qershorin e vitit 1999, ishte e përmbledhur në këtë ndjekje: vrasësit që donin të bënin vrasjen e tyre, djemtë që donin të bënin Kosovën. Të gjitha të tjerat i kanë shërbyer këtij qëllimi. Askush nuk e di me siguri se kur e vunë re për herë të parë se po ndiqeshin. Zahir Pajaziti nuk e dinte, po ashtu, se njeriu me të cilin ishte takuar në orën 16, tani ishte i arrestuar e më pas do të dërgohej në burgun ferr të Dubravës, për t’i mbijetuar vdekjes. Nuk e dinte se ndjekja kishte filluar që më parë dhe se ajo që kishte filluar të vërente, ishte tashmë në të gjitha përmasat e saj.

ÇFARË SHKRUANTE “NEDELJNI TELEGRAF” MË 5 SHKURT 1997?

“Pasi që pjesëtarët e shërbimit të sigurimit i kishin rënë tashmë në gjurmë Zahir Pajazitit, për të cilin dyshohej se kishte marrë pjesë në realizimin e shumë aksioneve terroriste, atë ditë, pasi që ky i fundit ishte takuar me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në Prishtinë, të treve u ishte vënë prapa e ashtuquajtura “ndjekje japoneze”, ndërsa në hyrje të Vushtrrisë dhe në disa vende të tjera u ishin vënë pritat. Qëllimi ishte që të kapeshin në vepër, përkatësisht të arrestoheshin pasi që të arrinin në cak. Mirëpo, meqë ishte fjala për ilegalë me përvojë, ata, sipas të gjitha gjasave, kishin vënë re se po përcilleshin nga policia, prandaj te fshati Pestovë kishin provuar t’u shmangeshin duke anashkaluar makinën e parë të “ndjekjes japoneze” dhe duke hapur zjarr nga automatikët dhe pistoletat”. Rruga para tyre ishte e zënë, shtigjet ishin të mbyllura, në të gjitha anët kishte filluar të shtrihej prita e zezë. Asgjë nga këto nuk kishin mundur se si ta dinin. Rastësisht, njeriu tjetër që kishte pasur të udhëtonte me ta, në kohën kur po hipte në makinë dhe po hapte derën e pasme të saj, kishte marrë urdhër të qëndronte në Prishtinë. Ilir Konushevci - “Mërgimi”, që e kishte menduar rrugëtimin me Zahirin dhe Hakifin e një shok tjetër, për të cilin kishte menduar se ndoshta mund të ishte Edmond Hoxha, nuk kishte pyetur më shumë. Ai ishte përgjithësisht njeri i heshtur. Mbylli derën e makinës, uroi rrugë të mbarë dhe qëndroi me shokët që prisnin, pa e ditur se nuk do të shiheshin më. Ndryshimi i rrugëtimit e hoqi nga prita e asaj dite Ilir Konushevcin, por e gjithë kjo do të thoshte për të, vetëm 15 muaj e disa ditë më shumë jetë, pasi, pesëmbëdhjetë muaj e dhjetë ditë më pas, më 10 maj të vitit 1998, ai ra në një tjetër pritë, këtë radhë në një tjetër vend, disi larg Prishtinës, por që kishte qenë vendi i ëndrrave të tij, në Shqipëri. Edhe ai ishte atëherë drejtuesi kryesor i Zonës Operative të Llapit. Fillimisht Zahir Pajaziti kishte vërejtur se, që nga dalja e Prishtinës, pas tij ishin vazhdimisht dy makina dhe i dukej se, kur kishte kthyer kokën pas, kishte vërejtur se njëri prej atyre që rrinte para kishte mbështetur mes gjunjëve një armë. Kjo nuk kishte qenë e zakonshme. Kishin provuar t’u shmangeshin, por çuditërisht edhe makina që ishte para tyre, as nuk hapte rrugë dhe as nuk e shtonte shpejtësinë. Ai ishte bërë më i vëmendshëm. Nuk do të ishte e rastësishme që makina e tyre ishte mbyllur mes tri makinave të tjera dhe se po lëviznin njëtrajtshëm drejt një ndalese policore e cila kishte filluar të dukej. Mendoi se do të kishte qenë më e arsyeshme, nëse rrëmbimthi, ashtu duke u shmangur, të kalonin makinën që kishin para tyre dhe të mund të ecnin më tej. Ajo nuk bënte rrugë dhe ai përsëri dalloi tyta armësh. Katër njerëz të rinj, të shpërfytyruar, qëndronin para tyre dhe atij se pse iu duk se mund të ishin nga forcat speciale të policisë. Nuk do të kishte qenë i gabuar. Ishte pra 31 janar 1997. Kishte kaluar ora 16 e 15 minuta dhe ata e kishin vënë re se po ndiqeshin. Pak minuta më pas vunë re se edhe rrugët para tyre ishin të bllokuara. Ishte krijuar një rrethatore, nga e cila ishte tejet e vështirë të dilje. Njëra nga makinat e policisë kishte bllokuar të gjithë rrugën përpara, ndërsa nga makinat e tjera, në vend të kokave të njerëzve, dukeshin vetëm grykat e zeza të armëve. Ajo që nuk kishin arritur të vërenin ishte se disa agjentë ishin fshehur në dy krahët e rrugëve dhe më pas pikërisht nga këndej do të vinin disa nga plumbat goditës. Fillimi i natës së hershme e bënte edhe më ireale gjithçka, hijet e zeza kishin filluar të rriteshin, një fillesë fushe që shtrihej para tyre ishte po ashtu e mbuluar nga vëzhgimi i pushkës dhe ata kishin para tyre dy rrugë. Njëra prej tyre: të ndaleshin. Të qëndronin disa minuta në pritje, deri sa të vinte dikush nga ushtarakët përballë, të dilnin ngadalë prej makinës së tyre të vjetër, natyrisht me duart lart, ndërkohë do të kishin dorëzuar armët dhe do të prisnin të heshtur. Hapat e ushtarakëve, që do të afroheshin, do të tingëllonin të çuditshëm, si prangat e hekurta kur ecnin, sepse ata ishin njerëz-pranga, Gjithçka që kishin bërë deri atëherë ndjenin se si do të shkërmoqej dhe ditët që do të vinin do të ishin të pakuptimta, si netët e errëta të fundit të janarit. Kjo ishte njëra rrugë. Dhe ashtu si nuk kishte ndodhur për herë të parë, ashtu dhe nuk do të ishte e bërë edhe për herë të fundit. Ishte një rast i njohur, sa bota. Kishin edhe rrugën tjetër: të mos jepeshin, të thyenin natën pas shkëndijimit të pushkës dhe të kishin një mbyllje, krejtësisht të denjë për jetën e deriatëhershme. Kjo do të thoshte luftë dhe lufta do të kishte të rënët e saj. Ata ishin nisur kësaj rruge, nuk e kishin pasur ndërmend të ndaleshin dhe nëse deri atëherë gjithçka kishte qenë e dalë nga shpirti dhe mendimi vizionar, tani kishte ardhur koha që të viheshin në provë në momentin e tyre të mbramë. Kjo e dyta, rruga e qëndresës, ishte tejet e vështirë, ishte njëra nga rrugët që po ashtu nuk ishte e re, por që vazhdonte të ishte e rrallë. Duhej më shumë se guximi i zakonshëm, duhej shikuar përtej vetvetes dhe përtej së sotmes. Ata i kishin të dyja këto: kishin kohë që ishin përtej vetes, dhe po ashtu kishin kohë që qëndronin përtej së sotmes. Vendosën të luftonin. Helikopteri që sillej mbi ta kishte, po ashtu, diçka të përbashkët me krrokatjen e korbave.

ÇFARË DEKLAROI MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME SERBE MENJËHERË PAS VRASJES SË ZAHIRIT, EDMONDIT DHE HAKIFIT?

Si kishte ardhur deri tek rrethimi i tyre? Një enigmë, të cilën, ndoshta, deri në një farë shkalle, mund ta thyente edhe dëshmia e njërit nga pjesëmarrësit në rrethimin dhe në vrasjen e tre heronjve, dëshmi e cila është dhënë më 3 shkurt 1997, pra as tri ditë pas ngjarjes dhe që natyrisht kishte qenë shumë “e freskët” dhe autentike. “Nedeljni Telegraf”, në numrin e saj të datës 5 shkurt 1997, mes të tjerave shkruante, gjithnjë sipas rrëfimit të punonjësit të shërbimit të fshehtë serb, se “ekskluzivisht, nga njëri prej pjesëmarrësve në përcjelljen dhe arrestimin e këtij treshi terrorist, zbulon edhe detajet e këtij aksioni dramatik. Pasi që pjesëtarët e shërbimit të sigurimit i kishin rënë tashmë në gjurmë Zahir Pajazitit, për të cilin dyshohej se kishte marrë pjesë në realizimin e shumë aksioneve terroriste, atë ditë, pasi që ky i fundit ishte takuar me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në Prishtinë, të treve u ishte vënë prapa e ashtuquajtura “ndjekje japoneze”, ndërsa në hyrje të Vushtrrisë dhe në disa vende të tjera u ishin vënë pritat. Qëllimi ishte që të kapeshin në vepër, përkatësisht të arrestoheshin pasi që të arrinin në cak. Mirëpo, meqë ishte fjala për ilegalë me përvojë, ata, sipas të gjitha gjasave, kishin vënë re se po përcilleshin nga policia, prandaj te fshati Pestovë kishin provuar t’u shmangeshin duke anashkaluar makinën e parë të “ndjekjes japoneze” dhe duke hapur zjarr nga automatikët dhe pistoletat. Mirëpo, në këtë çast ishin përgjigjur forcat speciale nga makina e dytë dhe e tretë, dhe “rezultati” dihet…”. “Nedeljni Telegraf” shtonte më pas se “Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë pas vrasjes, deklaroi se Zahir Pajaziti ishte njëri nga “udhëheqësit” e të ashtuquajturës “Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, gjersa për dy të tjerët nuk jep kualifikime. Pasi të tre lëviznin me dokumente të rreme, identifikimin e të tretit e deklaruan burime të afërta me qendrën informative shqiptare në Prishtinë, gjë të cilën e vërtetuan edhe familjarët e Edmond Hoxhës…”.

KUSH ISHTE QENDRA INFORMATIVE SHQIPTARE, E CILA KISHTE LIDHJE ME MINISTRINË E BRENDSHME SERBE?

Para se të ecim më tej, ndoshta do të ishte e vlefshme të ndalemi në dy momente. Së pari, gazeta e lartpërmendur për herë të parë bën dëshminë se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, të dhënën e parë për “identifikimin e të tretit”, pra për Edmond Hoxhën, e ka marrë nga Qendra Informative Shqiptare (e theksoj- shqiptare) në Prishtinë. Nuk duhet harruar se është një kohë “entuziaste” për forcat policore serbe, të cilat, dashje pa dashje, kanë lëshuar edhe informata të tilla, të cilat lidhen me Qendrën Informative Shqiptare në Prishtinë. Kush ishte kjo Qendër Informative Shqiptare, e cila kishte lidhje me Ministrinë e Brendshme serbe dhe që i jepte të dhëna, dhe këto të dhëna nuk ia jepte për çkamos, por për atë që kishte lidhje me çështje të rëndësishme, si vrasja e ushtarëve të UÇK-së. Kush qëndronte pas kësaj Qendre Informative Shqiptare, e cila, sigurisht, nuk ka qenë qendër informative lajmesh, si për shembull QIK, e cila, me gjithë gjynahet e saj të mëdha, në këtë rast, të paktën në këtë rast, nuk ka lidhje me Qendrën Informative Shqiptare në Prishtinë? Gjurmët e hershme e të mëpasshme të çojnë tek Shërbimi Informativ (sekret) i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte ngritur mbi bazën e lidhjeve të mëhershme udbashe dhe kosiste. Lajmi dhe informimi ka dalë pikërisht nga kjo Qendër, pasi jo pak nga anëtarët përbërës drejtues të saj, kishin qenë më parë dhe vazhdonin të ishin në lidhje strukturore me UDB-në, KOS-in dhe shërbime të tjera të inteligjencës serbe. Nga këtu është bërë edhe informimi se i vrari i tretë nuk është askush tjetër, veçse studenti militant Edmond Hoxha. Të dhënat e dërguara nga ky shërbim shqiptar informativ kanë dëshmuar se edhe Edmond Hoxha ishte pjesëtar aktiv i UÇK-së dhe jo një udhëtar i zakonshëm, gjë që ka bërë që edhe më pas, në të gjitha versionet zyrtare të saj, MPB e Serbisë t’i cilësojë ata si “tresh terroristë”. Fakti i dytë që “harron” burimi policor informativ i gazetës “Nedeljni Telegraf”, është se megjithëse “po lëviznin me dokumente të rreme”, identiteti i Hakif Zejnullahut është bërë i qartë që në deklarimin e parë zyrtar të Shërbimit Informativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, dhe jo vetëm emri e mbiemri, por edhe ditëlindja e vendlindja e saktë, çka nuk mund të jetë në dokumentet e rreme. Në gjërat e rreme janë gjëra të rreme dhe jo ditëlindja e saktë, emri i të atit etj. Nëse dikush mund të thotë se në këtë rast janë nisur nga identifikimi i makinës, sepse ajo ka qenë pronë e familjes Zejnullahu, duhet të dihet se ajo ka qenë e regjistruar në emër të të zotit të shtëpisë, njeriut të mirë Sabit Zejnullahu. Ishin disa djem që mund të udhëtonin me atë veturë, dhe është, në pamjen e parë, disi e çuditshme që gjendet saktësisht se ishte pikërisht Hakifi. Nuk ka gjë të çuditshme këtu.

PËRSE AGJENTËT SERBË KISHIN FUTUR NË FUNKSION “NDJEKJEN JAPONEZE”?

Qëllimi i ndjekjes së Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij nuk ka qenë thjesht arrestimi i tyre. Kjo mund të bëhej fare thjesht e shkurt në Prishtinë, në çastin kur ai do të takohej me Bislim Zogajn. Në një vend të tillë, si stacioni i autobusëve ose në një çajtore, arrestimi i dikujt, nëpërmjet agjentëve të fshehtë civilë, mund të ishte i përballueshëm, aq më tepër për një shërbim i cili ishte pushtues. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me arrestimin e Besim Ramës. Një ditë më parë, më 30 janar, policia e fshehtë serbe arrestoi Asllan Selimin, i cili ishte po ashtu një nga njerëzit e organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare. Shërbimi sekret serb e ka ditur fare mirë se po ndiqte Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun. Nuk e ka ditur për të tretin, sepse kishte qenë diçka që e kishte ditur vetëm Zahiri, por për udhëtarin e dytë kishte ditur gjithçka. Ata i kishin pritur vetëm që “të arrestoheshin pasi që të arrinin në cak”, pra duke e shtrirë shkallën e arrestimeve, duke zbuluar bazat e reja të luftës, në njërën prej të cilave ishin nisur për të tërhequr armët, dhe nëse kjo nuk kishte ndodhur, çdo gjë është në nderin e këtyre tre heronjve të kombit. Në shkrimin tim Memorial për të rënët, të 7 shkurtit 1997, me titullin “E përse u korit vdekja”, botuar në “Zëri i Kosovës”, mes të tjerave kam shkruar: “…Pas tyre, ashtu si njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë, ishin nisur edhe agjentët serbë, në të famshmen “ndjekje japoneze”. Me shpresën për të kapur jo vetëm tre veta, por edhe më shumë se aq. Ishte një nisje e dyfishtë. Njëra drejt pavdekësisë dhe tjetra drejt turpit dhe disfatës. Askush nuk kuptoi se për çfarë kanë biseduar për herë të fundit të tre shokët ilegalë. Askush nuk mund ta dijë më se cila mund të kishte qenë dëshira për të thënë diçka më shumë në adresën e të afërmve të tyre, të miqve dhe të shokëve, por në fund të fundit, kjo nuk është aspak e rëndësishme. Themelore është se ata morën një vendim të madh nga ata të cilët nuk mund të marrë gjithkush, e veçanërisht nuk mund të marrin ata që nuk mund të mbartin mbi vete ide të mëdha, si është ideja e lirisë….”. Mirëpo unë do t’i kthehem përsëri një detaji, ndoshta të parëndësishëm në dukje, por që dëshmon për qëllimin final të udhëtimit të tyre. Qëllimi i ndjekjes së Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij nuk ka qenë thjesht arrestimi i tyre. Kjo mund të bëhej fare thjesht e shkurt në Prishtinë, në çastin kur ai do të takohej me Bislim Zogajn. Në një vend të tillë, si stacioni i autobusëve ose në një çajtore, arrestimi i dikujt, nëpërmjet agjentëve të fshehtë civilë, mund të ishte i përballueshëm, aq më tepër për një shërbim i cili ishte pushtues. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me arrestimin e Besim Ramës. Një ditë më parë, më 30 janar, policia e fshehtë serbe kishte arrestuar Asllan Selimin, i cili ishte po ashtu një nga njerëzit e organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare. Pra, nuk ishte fjala thjeshtë për arrestimin e një “terroristi”. Ishte për më shumë se kaq. Ndjekja japoneze i duhej shërbimit serb për dy arsye: ose vënia në pritë dhe eliminimi i fundit, ose, dhe kjo është më e mundshmja, arritja e caqeve të tjera. Në dëshminë e dhënë nga shërbimi informativ i Ministrisë së Brendshme serbe, është thënë se “qëllimi ishte që të arrestoheshin në vepër, përkatësisht pasi të arrinin në cak”. Duhet naivitet të besosh se për shërbimin e fshehtë serb “caku i kapjes” do të ketë qenë thjeshtë një bazë e lëvizjes ilegale çlirimtare. Ajo ishte njëra nga hallkat, por nuk ishte e gjitha. Shërbimi serb nuk mund të rrezikonte jetën e njerëzve të tij (dhe sipas burimeve të mirinformuara nga ky luftim u vranë dy policë serbë, u plagos rëndë një tjetër dhe u lënduan të tjerë), por as nuk mund të rrezikonte që nga lëvizja e ilegalëve të mund t’i largoheshin.

A ISHTE QËLLIMI I NDJEKJES VËZHGIMI I LËVIZJES SË ZAHIRIT, HAKIFIT E EDMONDIT DREJT DRENICËS?

Ata, duke e ditur se Zahir Pajaziti ishte anëtar i Shtabit Qendror të UÇK-së, nuk mund t’i kenë lejuar vetes pakujdesinë, për ta ndjekur atë thjesht se donin të dinin për një bazë më shumë, apo për një cak të zakonshëm. Qëllimi i ndjekjes, fillimisht, ka qenë të merrej vesh itinerari i lëvizjes së Zahirit, Hakifit e Edmondit drejt Drenicës, ku tashmë ishte qendra më e fortë dhe më jetëdhënëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ishte interesi i madh i tyre, pasi në Drenicë ishte thelbi i luftës. Aty ndodheshin disa nga njerëzit të cilët jo shumë kohë më parë ata i kishin dënuar në mungesë me nga 20 vite burgim, dhe arritja e këtij caku do të ishte për shërbimin informativ serb, shërbesa më e ndjeshme. Zahiri, Edmondi dhe Hakifi edhe në këtë çast të mbramë, kanë menduar përtej vetes. Nuk kanë pritur derisa të vijë çasti i pritës, por kanë menduar ta thyejnë atë, përpara se ajo të përmbyllet. Ndaj edhe kanë sulmuar me armët që kishin, me ato mundësi që ua jepte rrugëtimi. Breshëria e plumbave mbi ta ka qenë e gjithanshme. “Është e padyshimtë se në çastin kur është shtënë mbi ta, Hakifi do të ketë qenë duke e mbajtur timonin”, thoshte dy ditë pas ngjarjes i ati Sabiti. “Këtë e dëshmon edhe fakti se një gisht të dorës së djathtë e ka të këputur si dhe majat e dy gishtave të tjerë pranë. Kjo dëshmon se dora ka qenë e ngjitur për timon. Në fytyrën e tij kishte plot dromca xhami të makinës dhe kjo tregon se makina ka qenë duke ecur me shpejtësi dhe pas goditjes së plumbave në dritare, xhamat i janë përplasur Hakifit në fytyrë”. Fillimisht ata janë qëlluar nga makinat që vinin pas tyre dhe, thuajse në të njëjtën kohë, edhe nga prita që ishte vendosur përballë dhe në dy anët e rrugëve. Një breshëri plumbash në trupin e Hakifit kanë hyrë nga ana e djathtë dhe kanë kaluar në anën e epërme, të majtë, ndërsa plumbat me të cilët ai është qëlluar në kokë, kanë hyrë nga pjesa e përparme e kokës, në pjesën e ballit, në anën e djathtë. Si duket, plumbat në kokë ai i ka marrë pasi është ndaluar makina. Është e mundshme që deri atëherë, ai të ketë qenë i plagosur për vdekje, por goditja në ballë të ketë qenë përfundimtare. Në trupin e tij ka pasur 12 deri në 13 plumba, aq sa kanë mundur në prag të ndarjes të shohin të afërmit, çka nuk e përjashton mundësinë që të jetë goditur edhe më shumë. Ndërsa Zahirit, po ashtu rreth 15 plumba, me përjashtim të njërit, i cili i kishte kaluar nëpërmjet fytit, të gjithë të tjerët i kanë kaluar nga ana e majtë në të djathtën, ndërsa Hakifit i kishin kaluar nga e djathta në të majtë. Kjo tregon se janë qëlluar, të paktën, nga tri drejtime. Ballas, majtas dhe djathtas. Mirëpo, kishte edhe një drejtim tjetër, dhe ky ishte nga sipër. Edmond Hoxhës, i cili mori më shumë se 8 plumba, vdekja duket se i erdhi nga goditjet e bëra nga helikopteri ushtarak, i cili sillej mbi fushën e luftës. Ai pati mbi vete më shumë se 8 goditje, shumicën në shpinë, ndonjërën edhe nga e majta e tij, por plumbi i ardhur pas qafës, kur ai sapo kishte dalë nga makina dhe ishte në këmbë, i ka ardhur nga lart. Pas krimit, si për të dashur të fshehin gjurmët e tij, rruga është bllokuar tërësisht, që nga ora 17 e natës së 31 janarit dhe deri të nesërmen në mëngjes. Gjatë natës kanë lëvizur mjete policie, helikopterë, ambulanca. Tre heronjtë janë dërguar po atë natë në morgun e spitalit të Prishtinës. Mbi trupat e tre djemve ishin shenjat dhe gjurmët e më shumë se 36 plumbave. Breshëri vdekje. Megjithatë, ishte qëlluar mbi njerëz që kishin si mision të koritnin vdekjen. Të nesërmen, kur rruga është liruar, përreth vendit ku ishin vrarë djemtë ishin ende forca të mëdha policore dhe askush nuk lejohej të afrohej tek vendi i ngjarjes. Shenjat e gjakut dukeshin ende. Gjaku as nuk lahej e as nuk zbardhej. Kishte gëzhoja të shumta plumbash, që nuk kishin arritur t’i mblidhnin, xhama të thyer, prita të lëna përgjysmë, gjithçka si në një shesh lufte. Të rënët kishin filluar të ngjiteshin në kujtesën e kombit, vrasësit ishin ende në vendin e krimit. 31 Janari ishte dita kur u nda e vërteta nga dyshimi, kur mes hutisë së përgjithshme ishte shkreptima e ditës së fundit të muajit, kur, me gjithë dhimbjen dhe megjithëse ata po quheshin nga instanca zyrtare, qofshin serbe apo shqipfolëse, si terroristë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, varrimi i tyre ishte i madhërishëm. Shqiptarët, nëpërmjet aktit të pranisë së tyre, në momentin e fundit, sikur donin të kërkonin ndjesë që nuk u kishin besuar më parë. Akti i ndjesës është gjithnjë fisnik. Kur ishte në çastin e vdekjes, i plagosur rëndë, po ashtu në një natë janari, Martiri i madh i Kosovës dhe dalzotësi i saj, Jusuf Gërvalla, thoshte: “Nëse ai që ka qëlluar mbi mua është shqiptar, kurrë mos u zbuloftë emri i tij”. Andaj edhe unë, me këtë dhimbje të Jusuf Gërvallës.

(Bedri Islami)

7 sekretet e errëta të Vatikanit

696 × 534 Search within image Edhe pse është vendi më i vogël në botë, i shtrirë në një sipërfaqe prej vetëm 110 hektarësh, Vatikani ka nj...